• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ÇKA DO TË THOSHTE BORELI NËSE SHQIPTARËT NË MAQEDONI SILLEN NJËSOJ SI SERBËT NË KOSOVË?!

October 15, 2021 by s p

Nëse ndjekim budallaqëllet e Borrelit për ndonjë koordinim të aksioneve, kjo i bie që Kosova mund të funksionojë në mënyrë selektive si shtet. Pra, ndryshe për shqiptarët, boshnjakët, turqit, romët etj. dhe krejt ndryshe për serbët. Ky veçim i serbëve “hyjnorë” dhe mbivendosja e tyre në një shkallë superiore ndaj të tjerëve, ku dora e shtetit të Kosovës është e paarritshme, do të krijonte precedente të rrezikshme në logjikën e funksionimit të shteteve shumetnike.

Nga Emin AZEMI

Kosova është shtet edhe në Zveçan dhe në Zubin Potok, por këtë e mohon Vuçiqi. Fundja këtë e kemi ditur. E kemi ditur që Kosova ende është pjesë e Kushtetutës së Serbisë dhe Vuçiqi sillet me Kosovën si të ishte ajo pjesë e Serbisë (!)
Qeveria e Kosovës, në anën tjetër, po zbaton Kushtetutën e shtetit të saj dhe policia sillet konform frymës së kësaj kushtetute. Policia e Kosovës ka të drejtë të futet në çdo cep të Kosovës, të zbatoj ligjet e shtetit të shpallur i pavarur më 17 shkurt 2008. Madje nëse ka nevojë policia jonë ka të drejtë edhe minjtë me ua nxjerrë matrapazëve serbë që fshehin mall të padeklaruar në institucionet tatimore të Kosovës… Çka ka këtu diçka të paqartë që nuke ka të qartë çdo kontrabandist në Gjermani, në Francë, në Spanjë, në Suedi, në Angli….
Nëse ndjekim logjikën e Vuçiqit, policia e Kosovës nuk duhet të futet në territoret që ai i konsideron si pjesë të projekti të Serbisë së Madhe. Pra, policia e Kosovës, sipas Vuçiqit, nuk paska të drejtë të futet në veriun e Kosovës sepse atje nesër do të jetë Serbi, ose një version i bosnjizimit të Kosovës, sipas Vuçiqit.

Nëse e ndjekim këtë logjikë dhe, çka është më katatrofale, nëse e mbështesim këtë logjikë antiKosovë të Vuçiqit, atëherë i bie që forcat policore të Kosovës para se të intervenojnë në këtë pjesë, duhet t’ia shkruajnë një “MOLLBË” Vuçiqit, dhe pasi të merr përgjigje nga ai, tek pastaj të (mos)veprojë…. Nëse ndodhë kështu, atëherë ne me dy duart po ia dorëzojmë Serbisë një pjesë të Kosovës dhe për rrjedhojë ne bëhemi ortak të krimit mbi shtetësinë e Kosovës.

Kuptohet që çdo aksion ka edhe rreziqet e saj, ashtu siç ishte me plot rreziqe edhe vet formimi dhe zhvillimi në terren i UÇK-së. Po t’ishte ndjekë logjika që UÇK-ja të kishte pritur miratimin e Beogradit, ajo as që do të ekzistonte ndonjëherë.

Edhe tani nëse ndjekim budallaqëllet e Borrelit për ndonjë koordinim të aksioneve, kjo i bie që Kosova mund të funksionojë në mënyrë selektive si shtet. Pra, ndryshe për shqiptarët, boshnjakët, turqit, romët etj. dhe krejt ndryshe për serbët.
Ndërkohë që NATO dhe Washingtoni folën me një zë: Ata e përkrahin Kosovën të shtrijë sovranitetin në çdo cep të territorit të saj…
Ky veçim i serbëve “hyjnorë” dhe mbivendosja e tyre në një shkallë superiore ndaj të tjerëve, ku dora e shtetit të Kosovës është e paaritshme, do të krijonte precedente të rrezikshme në logjikën e funksionimit të shteteve shumetnike.
Çka do të thoshte Boreli nëse një ditë të bukur me diell, bie fjala, policia maqedonase gdhin e bllokuar në ndonjë lagje apo fshat shqiptar të Pollogut, apo të Karadakur të Kumanovës? Ose, edhe më keq, nëse shqiptarët e Tërrnocit vendosin barrikada dhe pengojnë xhandarmërinë të zbatojë ligjet e Serbisë?!

Si do ta komentonte këtë gjendje baci Borell, i cili si duket kur flet nuk e dëgjon mirë veten çka flet.

Turp për të dhe hala ma turp për disa në Prishtinë që ishin gati në valë të njejta me Borelin dhe me një pjesë të shtypit racist të Beogradit!

Mosnjohja e Albin Kurtit për kryeministër, pra mohimi i vulnetit të popullit shumicë, nga ana e atyre që i kontestojnë dhe i stigmatizojnë aksionet e policisë në verit të Kosovës, ia shtojnë Albinit edhe nja 2-3 mandate qeverisëse, kurse popullin e shkretë e lënë pa një alternativë të mirëfilltë qeverisëse!

Kosova ka nevojë për qeveri të fortë dhe për opozitë që i zë fjala vend kur flet… Kështu siç po flet, askush nuk do ta merr vesh. Apo do ta marrin vesh vetëm ata që duan një qeveri që i nënshtrohet çdo presioni të Serbisë!

Filed Under: Analiza Tagged With: Emin Azemi

Kurirët shqiptarë të rrenave serbe!

October 7, 2018 by dgreca

1 emin Azemi

Ende ka redaktorë në Prishtinë, po edhe në Tiranë, që s’e kanë tejkaluar kompleksin e inferioritetit ndaj propagandës sllave. Duke qenë nën trysninë e shputës së këtij inferioriteti, ata e projektojnë të vërtetën e paredaktuar që vjen përmes tabloidëve serbë , të cilëve nuk iu beson një pjesë e mirë e elitës intelektuale të Beogradit/

Nga Emin AZEMI/
“Kuriri” serb është i krijuar si medie për qëllime që i shërbejnë një klani të ngushtë politik në Beligrad. Ky tabloid bulevardesk mbahet me para të majme nga mafia politike e Vuçiqit dhe të gjithë ata që duan të mësojnë më tepër për armiqtë e tij, le ta lexojnë këtë tabloid. Ditëve të fundit target i kësaj paçavure serbe ishin disa personalitet të larta politike të Kosovës dhe gjithkush që e lexoi lajmin për gjoja aferën intime të disa prej tyre, do të ketë mbetur i habitur për shpejtësinë e përhapjes së këtij lajmi në një pjesë të hapësirës mediatike në gjuhën shqipe. Ka shumë portale që gjuhën shqipe e përdorin për komunikim, por keqpërdorimin që e bëjnë përmes kësaj gjuhe tejkalon caqet e një informimi të mirëfilltë etik e profesional. Një rrenë e fabrikuar serbe më shpejt mbërrin në Prishtinë se në Vrajë, kurse ata që mundohen të na thonë se detyrë e mediave është të informojnë, nuk e kanë të qartë se jo çdo lajm i rremë mund të shitet si informim. I bie që kurirët shqiptarë po tregohen shumë të zellshëm në shpërndarjen e rrenave serbe.
Në çarshinë e Beogradit nuk shiten thashethemet e mediave të Prishtinës. Në Beograd shumë vështirë depërton e vërteta për Kosovën, ndërkohë që shumë lehtë depërton në Prishtinë pseudo e vërteta që prodhohet nga mediat mafioze të Beogradit. Ende ka redaktorë në Prishtinë, po edhe në Tiranë, që s’e kanë tejkaluar kompleksin e inferioritetit ndaj propagandës sllave. Duke qenë nën trysninë e shputës së këtij inferioriteti, ata e projektojnë të vërtetën e paredaktuar që vjen përmes tabloidëve serbë , të cilëve nuk iu beson një pjesë e mirë e elitës intelektuale të Beogradit. Pikërisht “Kuriri” dhe disa shtylla të tjera ku kryqëzohen kundërshtarët e regjimit aktual serb, janë stigmatizuar nga grupe profesionale e të pavarura të gazetarisë në Beograd, ndërkohë që në raportet e organizatave ndërkombëtare të gazetarëve dhe të drejtave e lirive të njeriut, tabloidët e tillë janë etiketuar si ndotësit më të mëdhenj të hapësirës publike në Serbi.
Transmetimi i rrenës së fundit të “Kuririt” serb ku vihej në spikamë nderi i njerëzve me reputacion publik, mund të jetë një mall që kënaq nevojat bizare të tregut serb, por kur ky lajm me shpejtësinë e rrufesë transmetohet nga mediat në Prishtinë e Tiranë, pa mundin më të vogël të verifikimit të tij, atëherë mund të dyshojmë që sensacioni infektues të ketë prekur një tufë redaktorësh të papërgjegjshëm.

*(Botohet me lejen e autorit)

Filed Under: Analiza Tagged With: Emin Azemi, Kurirët shqiptarë, të rrenave serbe!

Ku janë shqiptarët e Maqedonisë?

May 21, 2015 by dgreca

Nga Emin Azemi/
Tek shqiptarët ka politikë, por nuk ka platformë dhe strategji për veprime afatgjata. Tek shqipztarët ka politikanë, por nuk ka lidership. Kundërthënës e mospajtues ndërmjet veti dhe shumë koheziv e kooperues me maqedonasit, liderët politikë shqiptarë edhe sot e gjithë ditën ushqejnë iluzione të rreme se trajektorja e veprimit të tyre politik do të shkojë gjatë me një stil dhe metodologji të tillë pune. Një kryeministër maqedonas vlen sa tri parti shqiptare kundërshtare. Pse? Sepse asnjëherë, tri parti shqiptare nuk bëhen bashkë për të zgjedhur një kryeministër shqiptar, por gjithmonë një parti e vetme shqiptare rrotullon gurë e dru për të fituar një post zëvendëskryeministri.
Shqiptarët në Maqedoni vazhdojnë të jenë të vonuar politikisht dhe të hutuar kombëtarisht. Përpjekjet e deritanishme për të siguruar status të barabartë në politikëbërjen shtetformuese të këtij shteti kanë rezultuar të pasuksesshme. Elitat politike shqiptare që udhëhoqën dhe që aktualisht po udhëheqin, kanë një handikap të madh në formatimin e vullnetit politik të shqiptarëve. Ata edhe sot nuk kanë krijuar një konsensus minimal, ndërmjet veti, për problematikat nevralgjike, ndërkohë që gjithë karrierën e tyre politike e kanë ndërtuar duke bashkëqeverisur me faktorët politikë maqedonas, të majtë e të djathtë, liberalë e konservativë.
Kundërthënës e mospajtues ndërmjet veti dhe shumë koheziv e kooperues me maqedonasit, liderët politikë shqiptarë edhe sot e gjithë ditën ushqejnë iluzione të rreme se trajektorja e veprimit të tyre politik do të shkojë gjatë me një stil dhe metodologji të tillë pune.
Lidershipi politik shqiptar në Maqedoni ende mendon se ardhja në pushtet automatikisht heq nga rendi i ditës problemet që shqetësojnë popullatën shqiptare. Përkundrazi, praktika ka dëshmuar se jo gjithmonë ua sheh hajrin populli atyre që vijnë në pushtet. Kështu ishte në vitet ’90 dhe kështu vazhdon të jetë aktualisht. Vetëm te shqiptarët në Maqedoni ndodh që njerëzit të votojnë një strukturë të caktuar politike dhe pastaj të jenë të pakënaqur me pozitën e tyre politike, ekonomike e sociale. Vetëm në Maqedoni ndodh që partia shqiptare në pushtet, në situata të caktuara, të sillet si opozitë. Komunikimi përmes komunikatave, duke shprehur njëfarë pakënaqësie ndaj asaj çka ndodh në terren, e bën partinë shqiptare në pushtet qesharake në sytë e opinionit publik. Nga kjo kuptojmë se në bashkëqeverisje hyhet pa ndonjë marrëveshje të qartë dhe pa një plan konkret bashkëveprimi në fusha të caktuara që rregullojnë jetën e përditshme të njerëzve. Fundja, atë që e thotë aktualisht, përmes kumtesave, partia shqiptare në pushtet, lidhur me problemet rreth emërtimit të shkollave, bie fjala, e kanë thënë gazetat dhe mediat e tjera në gjuhën shqipe dhe na duket paradoksale sensi opozitar i këtyre reagimeve.
Partitë politike shqiptare në Maqedoni janë të vetmuara në gjysmëkauzat e tyre. Ato kanë si synim marrjen e pushtetit, por nuk kanë kapacitete të mjaftueshme për të administruar deri në fund, përmes bashkëqeverisjes, kërkesat politike të shqiptarëve. Një gjysmëkauzë e tillë po e ndjek edhe partinë opozitare (PDSH) shqiptare, e cila assesi nuk po mund të lirohet nga sindromi i keqmenaxhimit të politikëbërjes nga lidershipi i saj. Në vend se opozitarizmi i kësaj partie të vendosej mbi parime afatgjate dhe të profiluara në pikëpamje të programit dhe doktrinës politike, ajo për çdo cikël zgjedhor reprodukon nga një teatër absurdi ku ardhja në pushtet premtohet ende pa u numëruar votat dhe ende pa filluar bisedimet për formimin e qeverisë së re. Duhesh të jesh në lëkurën e anëtarësisë së kësaj partie për ta kuptuar dhe duruar tmerrin që vjen nga kjo filozofi e çoroditur e politikëbërjes dhe për mendimin tim këta janë heronjtë e vërtetë të demokracisë, sepse pranojnë t’i harxhojnë nervat dhe vitet e rinisë pranë një lidershipi që nga viti në vit shtreson humbjet në topin e madh të borës që vjen duke u rrokullisur në greminën e bilancit politik negativ.
Shqiptarët kanë shumë arsye të mos votojnë në të ardhmen anarkinë dhe dezintegrimin që po i ngulfat nga viti në vit, por këtë nuk mund ta bëjnë pa u ndryshuar rrënjësisht mentaliteti i elitave që e prodhojnë këtë gjendje.

Shqiptarët – pa platformë dhe strategji për veprime afatgjata

Tek shqiptarët ka politikë, por nuk ka platformë dhe strategji për veprime afatgjata. Emrat e politikanëve, që radhiten pas liderit partiak, tek shqiptarët, nuk shkon gjatë kohë dhe avullohen në punëtorinë a klonimin e lidershipit. Ata i bluan ambicia iracionale e liderit për të menaxhuar partinë me anonimusë, pa kurriz etik e qytetar, pa “background” profesional dhe pa përvojë në ndonjë fushë të caktuar jashtë politikës.
Politikat hermafrodite të shqiptarëve që ‘avullohen’ në paradhomat e politikës maqedonase, janë të destinuara të krijojnë surrogate të politikëbërjes gjoja pragmatike, që në fakt prodhojnë një boshësi pa kurrfarë tingëllime substanciale. Në mungesë të një “kompasi” strategjik e ideor, partitë shqiptare jo rrallë humben në planimetrinë politike maqedonase dhe për pasojë faturën e tyre e paguajnë zgjedhësit.
Si do të silleshim ne po të ishim në vend të Gruevskit? A do të kërkonim që të zgjatej kjo amulli dhe ky dezintegrim politik i shqiptarëve? A do të kërkonim që jetëgjatësia e liderëve të tillë shqiptarë të trajtohej me kujdesin më të madh, sepse vetëm me një filozofi të tillë politike të shqiptarëve, maqedonasit i arrijnë synimet e tyre perfide, që herët a vonë do të mund të prodhojnë edhe krizën më të madhe në periudhën mbi 20- vjeçare.
Një kryeministër maqedonas vlen sa tri parti shqiptare kundërshtare. Pse? Sepse asnjëherë, tri parti shqiptare nuk bëhen bashkë për të zgjedhur një kryeministër shqiptar, por gjithmonë një parti e vetme shqiptare rrotullon gurë e dru për të fituar një post zëvendëskryeministri.
Nëse politika e feudalizuar shqiptare në Maqedoni e injoron elektoratin e vet me sjellje të tilla arrogante, mospërfillëse, jokonsensuale, atëherë çfarë mund të presim nga politikanët maqedonas? Si do ta trajtojnë ata procesin e barazisë etnike në rrafshe të ndryshme institucionale, konstitucionale e praktike?

Këneta e bajraktarëve

Hermafrodizmi i partive politike shqiptare, sigurisht që e ka edhe koston e tij. Përfituesit më të mëdhenj nga ky hermafrodizëm janë kryeministrat maqedonas, të cilët punën e parë që e bëjnë kur i ftojnë në kabinet ministrat shqiptarë, është heqja e çfarëdo lloj “veshjeje” doktrinare-nacionale nga “gardëroba” e tyre partiake. Prandaj, me siguri iu ka rënë të shihni për këto 20 vite plot ministra shqiptarë, se si janë sorollatur nëpër kabinetet e kryeministrave maqedonas të “zhveshur” nga të gjitha nuancat identifikuese politike e ideologjike. Kjo “nudo” politike e shqiptarëve ka promovuar që herët një hedonizëm të veçantë në këtë kënetën tonë të madhe të bajraktarizuar nga bishti i aftësive dhe shterpësive.
Me këtë hermafrodizëm ideor e strategjik, partitë politike shqiptare në Maqedoni zor se do të arrijnë të ndërtojnë ndonjë strategji stabile veprimi, pikërisht në kohën kur po ndodh ballafaqim i fortë në mes të dy blloqeve të mëdha politike maqedonase. Pyetja e natyrshme që shtrohet me këtë rast është nëse politikanët shqiptarë do të pranojnë të bëhen “material” harxhues i këtij sanduiçi që të zë frymën, apo do të refuzojnë rolin inferior të sehirxhinjve. Kauza politike e opozitës së ardhshme maqedonase do të ndërlidhet drejtpërdrejt me fatet fondamentale të Maqedonisë, edhe si identitet, edhe si ardhmëri, edhe si konfiguracion gjeostrategjik, ndërkohë që askush s’e ka të qartë se cila është kauza e opozitës shqiptare në këtë vend të lodhur nga grindjet dhe antagonizmat. Pikërisht mbi këta antagonizma po projektohen edhe parametrat e veprimit institucional të Maqedonisë si shtet.

Interesat shqiptare në kontinuitetin e (bashkë)qeverisjes

Përderisa Marrëveshja e Ohrit arriti të amortizojë në masë të ndjeshme antagonizmat etnikë, janë antagonizmat politikë ata që do të trandin nga themelet këtë shtet. Kësaj radhe antagonizmi do të jetë në mes të vetë maqedonasve, por kjo assesi nuk u jep të drejtë politikanëve shqiptarë të ndjehen komod. Përkundrazi, mobilizimi i tyre politik do të duhej të orientohej në dy linja angazhimi – e para, në drejtim të konsolidimit të brendshëm për të projektuar dekalogun e interesave fondamentale kombëtare dhe, e dyta, për të ridizenjuar dhe fokusuar fuqinë politike brenda një blloku të madh e të pandashëm politik.
Shqiptarët nuk kanë llogari dhe interes që pafundësisht të paguajnë faturat e mosmarrëveshjeve të brendshme maqedonase. Stina e ardhshme politike do të duhej të ridimensiononte pikërisht krijimin e koordinatave në mes të qëllimit për të kontribuuar bashkërisht në zhvillimin e politikave eurointegruese të Maqedonisë, dhe të interesave mbipartiake dhe afatgjata kombëtare të shqiptarëve në kontinuitetin e (bashkë)qeverisjeve. Por, me një kusht që politika e shqiptarëve të mos ketë objektiv domosdoshmërisht pjesëmarrjen në bashkëqeverisje, madje edhe atëherë kur nga ajo nuk kërkohet që të heqë dorë nga parimet dhe doktrinat fondamentale nacionale. Sepse, pa këto të fundit, partitë politike shqiptare do të mund të ngelnin lakuriq nën diellin përcëllues të kuazi-bashkëqeverisjes.
Për pasojë, në sipërfaqe po del hapur tendenca maqedonase për ndarje të shtetit, duke i përjashtuar shqiptarët nga institucionet e përbashkëta të vendimmarrjes. Ky qëndrim maqedonas ndaj shqiptarëve është rrjedhojë e politikave të gabuara që kanë udhëhequr partnerët e koalicionit brenda këtyre 12 vjetëve pas 2001-shit, duke mos u dhënë përgjigje adekuate çështjeve të mprehta për të cilat edhe ndodhi konflikti. Tani kanë ngelë dy alternativa: ose shqiptarët të organizohen dhe të bëjnë një koalicion të përbashkët i cili do të përgatiste një platformë që do t’i jepej si ofertë faktorit politik maqedonas, ose t’u rikthehen ideve politike që ishin në qarkullim në prag të 2001-shit.
Përgjegjësia e forcave politike shqiptare për të koalicionuar me partnerët e ardhshëm maqedonas, nuk është e njëjta si ka qenë deri më tani. Kjo përgjegjësi tash e tutje do të duhej të mbështetet në një moral më të fortë njerëzor e kombëtar për të vendosur disa korniza brenda të cilave do të përfshiheshin do interesa më të gjëra, mbipartiake. Vetëm në këtë mënyrë do të mund të evitohej epërsia agresive e politikave maqedonase kundrejt shqiptarëve, por edhe do të eliminoheshin lidhjet e nëndheshme klienteliste të politikanëve të caktuar shqiptarë me oborrin e lakmive maqedonase.

Kakofoni dhe mosbashkëpunim në shoqërinë shqiptare

Zëvendësimi i ideve me shantazhe publike e bën të kollajshëm zanatin e marrjes me politikë te shqiptarët, ndërkohë që maqedonasit po punojnë me të madhe për ta shndërruar Maqedoninë Lindore në parajsë të investitorëve të huaj, ose për t’i bërë krejt vendbanimet maqedonase sikur pjesa europiane-urbane (Zhdanec, Përzhino, Vodno, Taftaligje) e Shkupi. Pasqyra më e mirë e politikave që udhëheqin shqiptarët në shtetin e quajtur Maqedoni, janë lagjet e mjerimit migjenian të Serovës, Dizhonit, Shutkës, Gazi Babës në Shkup dhe ata politikanë shqiptarë që rrahin gjoks se e kanë menaxhuar mirë besimin e popullit, këtë duhet ta sprovojnë në këto dhe lagjet tjera suburbane të shqiptarëve, sepse vetëm atje jepet provimi i politikëbërjes.
Shtëpitë si kasolle, rrugicat e ngushta pa ndriçim publik, mungesa e asfaltit dhe kanalizimit, superdendësia urbanistike pa një metër katror hapësirë të gjelbër publike, janë pyetjet e vështira të cilave duhet t’iu përgjigjen politikanët shqiptarë, e jo të kërkojnë mandate angari, për punë të tyre personale që ata i kryejnë nëpër akçihanet, qebapqihanet dhe leblebiqihanet e Shkupit.
Vula e politikës shqiptare në Maqedoni ka rrezik të zbehet më shpejt se sa kohëzgjatja e mandateve politike të zgjedhurve tanë dhe, ata nuk mund t’i shpëtojnë as zgjedhjet e parakohshme. Sepse ajo që ngel si e paskohshme është llogaridhënia për dremitjet në kolltuqet qeveritare.
Një qendërsim i munguar i mendimit politik, që është edhe pasojë e kakofonisë së inteligjencisë shqiptare këtu, por edhe një mosbashkëpunim i skajshëm ndërmjet faktorëve relevantë shqiptarë, ka prodhuar kaos qëndrimesh në taborin politik shqiptar.

Filed Under: Analiza Tagged With: e maqedonise, Emin Azemi, ku janë shqiptarët

EMIN AZEMI PER NGJARJET NE KUMANOVE

May 10, 2015 by dgreca

Kumanova gdhiu me 9 maj në një panik të paparë. Të gjithë ne që ndodheshim në këtë qytet, mundëm nga afër të ‘’prekim’’ psikozën e një atmosfere lufte. Detonime të fuqishme, kalibra armësh nga më të ndryshmet.
Mbi qiell pati edhe helikopterë. Breshëria e të shtënave kishte prishur sidomos gjumin e fëmijëve. Ata nuk e kishin ditur se sërish dikush do t’ua prish gjumin.
Sërish, dikush do të kujdeset që pikërisht në këtë zonë, të banuar me njerëz të urtë e hallexhinjë, të sprovojë edhe njëherë durimin e tyre.
Kumanova sot u rizgjodh sërish për të eksperimentuar armatimin dhe municionet e blerë taze nga shteti, por nuk e kemi ende të qartë se kundër kujt sot luftoi shteti i Maqedonisë.
Banorët përreth shtëpive ku u zhvillua përleshja nuk kanë lidhje me atë se çka ka ndodhur. Askush nuk di të tregojë se kush janë njerëzit misterioz kundër të cilëve sot u shkrepën gjithë ato armë dhe u zhvillua gjithë ajo përleshje mbi dy orëshe.
Pse pikërisht sot Kumanova edhe njëherë u zgjodh të jetë ‘’fole qyqesh’’ dhe pse pikërisht kjo zonë e qetë u piketua si një fushëbetejë absurde. Nuk e kemi të qartë se kush i solli ‘’vezët e qyqes’’ në këtë qytet, por një është e qartë se kushdo që të jenë ata, që sot iu futën kësaj aventure diletante, i kanë bërë një shërbim kolosal regjimit aktual, duke ia zgjatur jetën për aq sa atij do t’i duhet t’i realizojë edhe skenaret tjera. Të realizojë atë që paralajmëruam ditë më parë,:
1. T’i mbyllet goja opozitës maqedonase, që ajo të mos dominoj hapësirën publike me të vërtetën e saj për babëzitë e pushtetit
2. Që shqiptarët në vend se të kthjellen dhe të konsolidohen për një ristrukturim të ri politik, ata tash duhet të mbrohen nga sulmet për vepra e trilluara subverzive kundër shtetit
3. Opinioni publik maqedonas të homogjenizohet rreth idesë megalomane të Gruevskit për ruajtjen e Maqedonisë nga ‘’tradhtarët’’ maqedonas dhe ‘’bashkëpunëtorët’’ e tyre shqiptarë
Asnjë shqiptar në Kumanovë nuk ishte i rrezikuar nga askush që të ketë nevojë dikush prej anësh të vijë dhe t’i ‘’mbrojë’’ ata. Asnjë shqiptar në këtë qytet nuk pati nevojë që dikush të futet në shtëpinë aty afër dhe prej aty të zhvillojë njëfarë ‘’lufte heroike’’ ala Vojo Kushi kundër shtetit të Maqedonisë.
Kush deshi edhe njëherë këtë popullatë ta paraqesë kaq pa tru dhe kaq jointeligjente. Pse ka nevojë që tash zëdhënsit policorë ta tregojnë versionin e tyre për këtë aksion misterioz, ndërkohë që asnjë burim tjetër jozyrtar nga ana e shqiptarëve, madje edhe nga ata që supozohet se sot luftuan me shtetin e Maqedonisë, nuk po arrin të zbardh ndonjë detaj se çka në të vërtetë sot ndodhi në orët hershme të mënghjesit në Kumanovë.
Duke qenë viktimë vetëm të një vërtete që na servon shteti, shqiptarët, jo vetëm të Kumanovës, në mungesë të një truri politik shqiptar këtu, do të përdoren edhe gjatë kohë si pëluhurë toreadorësh për të mashtruar demin e harlisur, që pamëshirshëm shkel mbi fatet e qindra mijëra njerëzve.
Dikush, nesër, do të duhej ta paguaj tagrin e këtij mashtrimi.
Në Kumanovë sot pati shumë krisma, por ato nuk arritën të shurdhojnë vetëdijën e kësaj popullate e cila është e bindur se edhe këtë mëngjes maji dikush deshi ata t’i qeras me një omlet ‘’vezë qyqesh’’.

Filed Under: Analiza Tagged With: Emin Azemi, NE KUMANOVE, PER NGJARJET

Maqedonia larg Europës

April 10, 2013 by dgreca

Sa i përket rotacionit, mund të thuhet se këto zgjedhje lokale prodhuan një kulturë të atdmirueshme të dorëzim-pranimit të pushtetit, por sa i përket standardeve, ato diku diku kaluan mbi vijën e kuqe. Pati votues misterioz, të importuar nga Shqipëria, të cilët e kishin vështirë ta dëshmonin, maqedonisht, përkatësinë e tyre maqedonase, pati shit-blerje të votave, pati fshirje të votuesve nga regjistri zgjedhor dhe mbi të gjitha, pati një fushatë glamuroze e të kushtueshme, për të cilën asnjë përfaqësues i pushtetit nuk dha llogari se prej nga janë siguruar fondet /

NGA EMIN AZEMI/

KOLLTUQE PËR SEFA APO PËR PUNË: Ka ngelur edhe pak hi nga prushi zgjedhor në Maqedoni, ndërkohë që të zgjedhurit e popullit po i modifikojnë përmasat e kolltukut me lartësinë dhe trashësinë e tyre dhe mbetet të shohim nëse ata do të ndryshojnë me shpejt apo kolltuqet e tyre. Ata që fituan mandate për të qeverisur komunat këto katër vjetë të ardhshëm, përpos performansave trupore, do të duhej të modifikojnë edhe retorikën e tyre parazgjedhore në vepra konkrete, duke i vënë në zbatim ato, por edhe duke dëshmuar se do të jenë më të ndryshëm nga pararendësit e tyre.

Normaliteti i zgjedhjeve nuk do të duhej të zbriste nën parametrat e një rotacioni normal të pushtetit, por jo edhe mbi iluzionin se ato ishin krye kreje demokratike e të ndershme. Sa i përket rotacionit, mund të thuhet se këto zgjedhje lokale prodhuan një kulturë të atdmirueshme të dorëzim-pranimit të pushtetit, por sa i përket standardeve, ato diku diku kaluan mbi vijën e kuqe. Pati votues misterioz, të importuar nga Shqipëria, të cilët e kishin vështirë ta dëshmonin, maqedonisht, përkatësinë e tyre maqedonase, pati shit-blerje të votave, pati fshirje të votuesve nga regjistri zgjedhor dhe mbi të gjitha, pati një fushatë glamuroze e të kushtueshme, për të cilën asnjë përfaqësues i pushtetit nuk dha llogari se prej nga janë siguruar fondet.

Këto zgjdhje lokale konfirmuan distancën në mes të pushtetit dhe opozitës, jo vetëm me programe dhe oferta zgjedhore, por edhe me mandate. Vështirësia e të qenit opozitë në Maqedoni, aktualisht matet me gjatësinë e distances që krijon diferencën e numrave, gjithnjë në favor të pushtetit aktual (VMRO, BDI) dhe në disfavor të opozitës (LSDM, PDSH). Ende nuk e kemi një analizë të plotë e gjithpërfshirëse për shkaqet e kësaj disfate kaq të madhe të opozitës në zgjedhjet lokale, ndonëse ka shumë përpjekje që këtij bilanci zgjedhor t’ia faturojnë, në radhë të parë, klimës jodemokratike dhe garës së pabarabartë që iu paraprinë këtyre zgjedhjeve, por edhe humbjes së sensit të njëmendët opozitar dhe mosofrimit të ofertave serioze nga ana e këtij kampi politik (maqedonas e shqiptar).

PAKUPTIMËSIA E BETEJËS PËR TETOVËN: Tetova, qyteti krijuar nga Perendia për t’i bërë ballë malit plak Sharr, viteve të fundit është futur edhe në një garë të pakuptimt, që vetëm politikanët naiv dijnë t’i japin kuptim e që domosdoshmërisht duhet të lidhet me të qenit e Tetovës bastion i politikbërjes së shqiptarëve në Maqedoni. Nëse është kështu, siç parapëlqejnë të mendojnë politikanët shqiptarë, atëherë PDSH duhet të shpërngulet prej andej dhe të shkoj, ose në Strugë, ose në Studeniçan, ku ajo pretendon se ka fituar. Rezoni lokalist i liderëve politik shqiptarë në Maqedoni, jo rrallë ka penguar ata të projektojnë një dioptri më të zgjeruar të situates kolektive të shqiptarëve, prandaj sot e kemi gjendjen e tillë që kryetarët e komunave shqiptare pas zgjedhjeve lihen totalisht të vetmuar dhe perceptimi i përgjithshëm për hallet e tyre, ngel vetëm në fjalimet boshe parazgjedhore të zhurmagjinjëve, që vetes i thuan liderë politik. Perceptimi paszgjedhor vazhdon të eklipsojë nevojat reale të njerëzve në terren, kurse drejtuesit e komunave sërish do të adresojnë kritika tek pushteti qendror, i cili, sipas tyre, nuk tregon sens të mjaftueshëm për projektet e tyre me karakter lokal. Kjo ndodhë zakonisht me ato komuna shqiptare të pazhvilluara tek të cilat kujdesi institucional-qeveritar nuk hetohet, gati, fare dhe na duket i pakuptimt ky vrap i liderëve shqiptarë për të promovuar gjoja njëfarë autoriteti shtetëror në nivel lokal, ndonëse përvoja ka dëshmuar se autoriteti shpejt zhvishet nga pafuqia për të ushtruar ndikim që edhe në këto mjedise të pazhvilluara të hetohet dora e pushtetit qendror.

KANIBALIZMI OPOZITAR SHQIPTAR: Bashkë me zgjedhjet lokale në Maqedoni, u hap edhe dilema nëse ato ishin vetëm një garë e thjeshtë për të zënë kolltukun e radhës së pushtetit, apo diçka edhe më shumë se kaq. Hijet e kësaj dileme u dukën që në startin e fushatës zgjedhore, kur prirja për dominim nuk ishte vetëm në relacionin pushtet opozitë, por diçka edhe më ngusht. E kemi pa dhe dëgjuar që pushteti, gjegjësisht opozita të përdor të gjitha format e lejueshme demokratike të atakimit të oponentit politik, por rrallë na bie të shohim e dëgjojmë që edhe vetë opozita të përdor metoda të sofistikuara për të eliminuar dhe shkërmoqur konkurrentët brenda kampit opzitar. Kjo ndodhi pikërisht në këto zgjedhje dhe na duket tepër absurde dhe e palogjikshme lufta e nëndheshme që u bë për ta dobësuar dhe, mundësisht, eliminuar prezencën politike të Rufi Osmanit, kundër të cilit, nuk ishin vetëm partitë aktuale në pushtet, por edhe një parti opozitare shqiptare (PDSH), drejtuesi i së cilës sikur është pajtuar me fatin që vetëm ai, dhe askush tjetër, të mbetet lideri i përjetshëm i opozitës shqiptare, me kusht që opozitarizmin ta kultivoj jo për të sjellë veten në pushtet, por për të eliminuar konkurrencës brendapozitare. Një kanibalizëm ky i paparë politik, i denjë vetëm për ndonjë xhungël të vetmuar në shkretëtirën e mendjes dhe arsyes.

Kur jemi te Rufi Osmani, do të duhej të nënvizojmë edhe një fakt që lidhet drejpërdrejt me metodologjinë e tij të veprimit politik. Disfata e fundit zgjedhore e cila e privoi atë nga drejtimi i mëtutjeshëm i komunës së Gostivarit, në fakt ishte një tagër që Rufiu i përmasave lokale pagoi për Rufiun e përmasave kombëtare. Ai, si kryetar komune që ishte për katër vite, shumë pak punoi për partinë dhe kjo e fundit e kishte gati të pamundur ta nxirrte atë lider, konkurrent, në përmasa kombëtare. Dhe ndodhi ajo që edhe pritej, sepse garën për pushtet lokal në Maqedoni nuk e bënë kandidatët, por vetë liderët dhe partite e tyre. Në rastin e Gostivarit, garën e bëri Rufiu i komunës duke ia zënë hijen Rufiut të RDK-së, dhe kondicioni i pamjaftueshëm i kësaj të fundit bëri që lideri Osmani të humb jo vetëm drejtimin komunal, por edhe vrapin për të qenë konkurrent i denjë në skenën e madhe politike të Maqedonisë, madje edhe për arsyet e sipërpëmendura.

Megjithate, të gjithë bashkë në Maqedoni, ende nuk mund ta bëjnë një vrap që po e kërkon Europa, që zgjedhjet të nxjerrin në pah domosdoshmërinë e ndryshimit dhe ofrimin e alternativave. Përderisa ndryshimi edhe alternativat janë vetëm simulim i demokracisë, Maqedonia e ka vështirë të konsiderohet nga qytetarët e saj si një aspiratë e ligshme për ta shijuar Europën edhe në oborret e tyre.

 

Filed Under: Opinion Tagged With: Emin Azemi, Europes, larg, Maqedonia

  • « Previous Page
  • 1
  • 2
  • 3
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • AMBASADOR BLERIM REKA VIZITON VATRËN TË MËRKURËN NË ORËN 2 PM
  • PROF.DR. ZYMER NEZIRI LIGJËRATË NË VATËR TË ENJTEN MË 30 MARS ORA 6.30 PM
  • “Fëmijët shqiptarë të Kosovës – viktima të gjenocidit shtetëror të Serbisë 1981 – 1999”
  • BOKSIERI SHQIPTAR KRISTIAN PRENGA — NJË MOMENT KRENARIE PËR TË GJITHË SHQIPTARËT KUDO
  • Dashuri dhe vdekje – Fati tragjik i prindërve të Karl Thopias
  • Kryeministri Kurti: Masakra ndaj familjeve Bogujevci, Duriqi dhe Llugaliu dëshmi e gjenocidit të Serbisë në Kosovë
  • Kosovë-Homazhe te Memoriali në Izbicë
  • Kryetari Glauk Konjufca takoi Zëvendës Ndihmës Sekretarin e SHBA-së, Gabriel Escobar
  • DR. ELONA SHEHI, A STORY OF SUCCESS AND INSPIRATION IN NEW YORK
  • Albania
  • 1 Prill “Bashkë për Drejtësi”, në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së
  • Kryeministri Kurti përkujtoi 40 të vrarët në masakrën e lagjes “Dardania” në Pejë
  • JA PËRSE PUTINI NA KËRCËNON TË GJITHËVE NE
  • KUJTESA HISTORIKE NGA FRANK SHKRELI
  • What We Need Is Albanians of Fan Noli’s Stature, What We Have are the Words of his “Albumi”

Kategoritë

Arkiv

Tags

alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Hazir Mehmeti Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT