• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Kroacia përkrahje për Kosovën në rrugën e integrimit në BE dhe NATO

September 1, 2021 by s p

-Kryeministri i Republikës së Kroacisë, Andrej Plenkoviq, në takim me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ritheksoi mbështetjen e plotë të Kroacisë dhe gatishmërinë për të vazhduar përkrahjen për Kosovën në rrugën e integrimit në BE dhe NATO/ Nga Behlul Jashari

BLED, 1 Shtator 2021-Gazeta DIELLI/

Takimin e parë në margjina të Forumit Strategjik të Bledit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e pati me Kryeministrin e Republikës së Kroacisë, Andrej Plenkoviq dhe me ministrin e Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane, Gordon Grliq Radman, me të cilët diskutoi për marrëdhëniet e shkëlqyeshme ndërmjet të dy vendeve dhe mundësitë e intensifikimit të këtyre marrëdhënieve. Kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen e thellë për bashkëpunimin e mirë dhe mbështetjen e vazhdueshme të Kroacisë ndaj Republikës së Kosovës në të gjitha fazat e shtetndërtimit. Ai shprehu falënderimin e sinqertë për ndihmën që Republika e Kroacisë ua dha bashkatdhetarëve tanë, pas aksidentit tragjik në afërsi të qytetit Slavonski Brod, ku humbën jetën dhjetë bashkatdhetarë të cilët udhëtonin nga Gjermania për në Kosovë. Po ashtu, e falënderoi për donacionin prej 10 mijë dozash të vaksinës anti-covid, që qeveria kroate ka ndarë për Kosovën në shenjë miqësie. U bisedua për fushat e bashkëpunimit bilateral që do të sigurojnë ringjallje më të shpejtë nga kriza e shkaktuar si rezultat i pandemisë COVID 19, duke përfshirë ngritjen e investimeve si dhe shkëmbimeve ekonomike e tregtare. Kryeministri Plenkoviq ritheksoi mbështetjen e plotë të Kroacisë dhe gatishmërinë për të vazhduar përkrahjen për Kosovën në rrugën e integrimit në BE dhe NATO.

KRYEMINISTRI PLENKOVIQ I SHKRUAN LETËR KRYEMINISTRIT KURTI, SHPREHET I LUMTUR QË DO TA TAKOJË NË MARGJINAT E FORUMIT STRATEGJIK TË BLEDIT

 PRISHTINË, 1 Shtator 2021-Gazeta DIELLI/

Dje, Kryeministri i Republikës së Kosovës, z. Albin Kurti, ka pranuar letër nga Kryeministri i Republikës së Kroacisë, z. Andrej Plenkoviq, në të cilën ai shprehet shumë i lumtur që do të ketë mundësinë të takohen personalisht në margjinat e Forumit Strategjik të Bledit, më 1 Shtator. “Takimi jonë i fundit i shkurtër në Slavonski Brod u mbajt nën hijen e aksidentit të tmerrshëm me autobus që mori jetët e dhjetë kosovarëve gjatë rrugës së tyre për pushime verore në vendlindje”, ka shkruar z. Plenkoviq. Kryeministri kroat e ka njoftuar kryeministrin Kurti se sipas informatave të Ministrisë së Shëndetësisë, 44 kosovarë të aksidentuar kanë marrë trajtim në spitalet kroate, dhe se 43 prej tyre ose janë liruar pas shërimit ose janë dërguar drejt spitaleve në Gjermani apo në Kosovë. Për fat të keq, një person ende gjendet në mjekim intensiv në ventilim mekanik, ka thënë z. Plenkoviq. Duke i shprehur keqardhje për këtë rast, kryeministri kroat ka uruar që aksidenti i tmerrshëm të shërbejë si “përkujtim i lidhjeve tona të forta që i kemi ndërmjet vete që rezultuan në bashkëpunim natyror dhe efikas ndërmjet dy qeverive tona”. Kryeministri Plenkoviq ka ritheksuar mbështetjen e plotë të Kroacisë në rrugën euroatlantike të Kosovës, në aspektin politik dhe gatishmërinë për të vazhduar ndihmën për reforma.“Mezi pres që të hulumtojmë të gjitha fushat e bashkëpunimit bilateral, duke përfshirë ngritjen e shkëmbimeve ekonomike, tregtisë dhe investimeve, që do të sigurojnë rimëkëmbje më të shpejtë nga kriza e shkaktuar si rezultat i pandemisë”, ka shkruar z. Plenkoviq.

Filed Under: Politike Tagged With: Albin Kurti, Andrej Plenkoviq, kosova, Kroacia

VIKTIMAT E KOSOVËS NUK E KANË THËNË ENDE FJALËN E TYRE TË FUNDIT

September 1, 2021 by s p

Nga Ylljet Aliçka

      Në një nga librat e fundit  shkruar nga Zonja Karla del Ponte, ish-prokurorja e Gjykatës së Hagëd, ka parashtruar (sipas të thënave të dikujt ??!!) se një  veprimtari trafiku organesh të robërve serbë ka ngjarë  në një fshat të prapambetur të Shqipërisë.

Përfshi ambiguitetitn  e këtij “zbulimi” të vonuar lidhur me burimin e informacionit, është i habitshëm fakti se deklarata e saj është pasuar nga një mobilizim  i ethshëm mediatik, që, me sa duket,  nuk buron vetëm nga sensacioni i përmbajtjes së kësaj deklarate.

Para ca kohesh akuza e mësipërme u formalizua madje nga një komision ad hoc i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, menjëherë pas një propozimi të delegacionit rus.Thënë ndryshe, akuza virtuale e një ish prokuroreje po ndjek rrugëtimin e saj institucional.

Ndodh që një ekip gazetarësh të huaj vizitojnë banorin e fshatit të thellë shqiptar në lidhje me çështjen e transplantit të organeve dhe pasi i shpjeguan se çfarë kuptimi kishte transplanti dhe trafiku i organeve, ai nuk mundi ta fshihte habinë e tij mbi progresin që paska bërë shkenca për shërimin e qenive njerëzore, duke zëvendësuar organet e tyre!!

Kështu një familje e ndershme shqiptare u bë e famshme për shkak të një akuze poshtëruese  lidhur me një aktivitet të hamendësuar kriminal.

Sikurse ndodh rëndom, të vërteta ose jo, akuzat e zonjës del Ponte dhe jehona “spontane” e disa medieve ndërkombëtare, përfshirë Komisionin ad hoc të Asamblesë Parlamentare  të Këshillit të Evropës, kanë bezdisur e poshtëruar në terma vlerash, jo vetëm këtë familje dhe banorët e këtij fshati malor, por një komunitet të tërë shqiptar.

Rrethanat  deshën që znj Del Ponte të zgjidhte  një vend të hamendësuar krimi, pra fshatin ku ajo përfytyron se ka ngjarë transplanti i organeve, në një zonë ku kam punuar si mësues fshati për thuajse një dekadë. Pretendoj  se i njoh  mirë potencialet teknologjike të këtij fshati,  pra jam më se i vetëdijshëm  për pabazueshmërinë  e akuzës, me shumë gjasë ashtu si dhe hartuesit dhe autorët e akuzës.

Përse, atëherë, Znj del Ponte hodhi këtë blasfemi menjëherë pasi la mandatin e saj si prokurore, ndërkohë që ajo nuk kishte asnjë pengesë për të ndërmarrë një hetim gjatë mandatit të saj ? Shqipëria ka qenë gjithnjë e hapur ndaj çdo instance të Gjykatës së Hagës, edhe pse shqiptarët kanë pasur gjithnjë vështirësi për të kuptuar  orvatjet e veshura me “objektivitetin e ashpër” të Znj del Ponte, duke dashur çdo herë të baraspeshojë fajësinë midis shqiptarëve dhe serbëve dhe, njëherazi të shmangë akuzën ndaj serbëve për gjenocid, duke e reduktuar këtë çështje  vetëm në nivel politik.

Po në këtë frymë Shqipëria  ka përshëndetur gjestin  e dorëheqjes së udhëheqësve kosovarë për tu dorëzuar përpara gjykatës së Hagës.

Lind pytja, mos jemi përballë një improvizimi emocional të Znj del Ponte, apo përballë ndonjë nxitimi për të nxjerrë në pah të keqen pa e shqyrtuar më parë, duke dashur të nxjerrë fajtorët, pa marrë as mundimin për të ekzaminuar krimet?

Apo ndofta Znj del Ponte nuk është aq e ndërgjegjëshme për të kuptuar të gjithë të keqen që ajo ka shkaktuar me këtë akuzë virtuale ?

Me të drejtë thuhet se kush  do të vrasë qenin, fillimisht e akuzon atë për tërbim.Nga ky fakt, na lind e drejta të mendojmë  se krimi po përpiqet edhe këtë herë të marrë theksin e virtutit. Në një kohë kur bota demokratike po bën çmos të eliminojë pengesat e ndryshme për të thjeshtëzuar bashkëjetesën serbo-shqiptare, sipas modeleve evropiane, akuza e mësipërme kontribuon më së shumti në një përjashtim të pakthyeshëm të shqiptarëve, nëpërmjet mohimit të njohjes  si dhe poshtërimit moral të tyre.

Nga ana tjetër Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës nis një hetim mbështetur mbi këtë akuzë imagjinare, kryesuar nga një prej deputetëve më të dalluar antishqiptar, zviceriani Dik Marti, përmes procedurash të stërgjatura dhe gjithçka e financuar nga taksapaguesit e vendeve antere të Këshillit të Evropës, ku bën pjesë dhe Shqipëria. 

Hetim ky në një kohë kur e vërteta e katastrofës masive kosovare ende nuk është shpalosur në tërë dimensionin e saj të vërtetë dhe kur, jo rrallë, kujtimi dhe harresa shndrrohen në institucione manipulimi të së vërtetës, për ta mbuluar atë me tisin e harresës apo veshur me ngjyrat e virtytit.

A ka kjo Asamble të njëjtin vullnet për të zbuluar gjithë të vërtetën ende të panjohur të krimeve dhe gjenocidit të bërë në Kosovë, të atyre mijra viktimave të torturuar e të zhdukur, dhunimeve e masakrve të pangjara në historinë moderne të njerëzimit?

Eshtë e qartë se gjithë këto procedura që do pasojnë dhe zgjatjesh pa fund  të hetimeve do ndihmojnë për të rritur shtresën e pluhurit të harresës ndaj krimeve të vërteta dhe të fajtorëve të vërtetë në rajon. 

Në tallazinë e betejave të perceptimeve të opinionit publik, duket qartë se kemi të bëjmë me  përpjekje për të vënë  shenjën e barazimit mes krimit të programuar serb dhe luftës për dinjitet dhe mbijetesë të viktimave kosovare. Përpjekje këto  për të penguar shtetin e ri të Kosovës, që lufton për të konsoliduar  identitetin e tij kulturor e shtetëror, për hapësirën e tij në Evropë për tu çliruar nga traumat e tij historike, vetëm përmes të vërtetave.  Atyre të vërtetave të cilat ndërgjegjja njerëzore, të paktën pas luftës së dytë botërore, duke se nuk po ka ende fuqi t’i perceptojë realisht. 

A ka mundësi që Znj del Ponte të jetë e paaftë për të kuptuar se si dikush nga një aksh etni i çan barkun një gruaje shtatzënë nga një tjetër etni dhe para se ta therë e përdhunojë, e bën film erotik dhe i skalit mbi mishin e gjinjve nga një kryq; apo se si theret një fëmijë dyvjeçar dhe i pihet gjaku në sy të nënës së tij, …

Këto nuk janë fantazi, por realitete dhe dëshmi që, qoftë për mungesë mjetesh komunikimi apo dhe për shkak të ndrojës dhe turpit që ka rëndom qenia njerëzore ndaj poshtërimit të vet,  bindesh fare lehtë se ende nuk ka dalë krejtësisht në vëmendje të opinionit publik ndërkombëtar tërë ai krim masiv, polimorf dhe i shumëfishtë, në një kohë kur me qëllim apo kinse spontanisht, me një mjeshtëri të përsosur manipulimi në fushën e përpunimit të opinionit publik, krimi i vërtetë përpiqet të fshihet, qoftë dhe duke iu kundërvënë me ngjallje dyshimi mbi një tjetër krim monstruoz hipotetik. Të asaj mjeshtërie instrumentalizuese që ia doli mbanë të mobilizojë fuqinë karizmatike të turmave, të banalizojë urrejtjen dhe të shpikë “armikun objektiv” të kombit serb, nëpërmjet “vizioneve profetike” në lidhje me të ardhmen e ndritur të popullit serb në Ballkan. për të kaluar më pas në  përqasje kokësprapthi të asaj që Peter Handke e quan : “Universi serb i dhembjes”.

A do ti mjaftojë popullit shqiptar apo banorëve të fshatit të thellë malor një shfajësim nga ana e Znj del Ponte? Eshtë fort e mundëshme që edhe kjo gjë të mos ndodhë, thjesht për inerci dhe traditë të modelit serb, që nuk denjoi kurrë të kërkojë falje për gjenocidin në Kosovë.
Por historia i ka bërë shqiptarët,dhe jo vetëm ata, të kuptojnë se shpifja turbullon, por është e vërteta që qetëson. E këto mësime të historisë marrin një tjetër vlerë nëse rikujtojmë se urrejtja e shqiptarëve nuk është aq e rrezikëshme sa miqësia e tyre.

Ylljet Aliçka, botuar ne  Courrier des Balkans

Filed Under: Opinion Tagged With: Karla Del Ponte, Viktimat e Kosoves, Ylljet Aliçka

Poezi nga AGIM DESKU

August 31, 2021 by s p

Poezi nga AGIM DESKU

SA E DUA SHQIPËRINË 

E dua Shqipërinë ma shumë se ti

Edhe pse jam larg saj

E dua Shqipërinë për shpatën e Gjergjit

Për traditën e shtrenjtë dhe fjalën e nderit 

E dua për idilat e Naimit dhe valët e Shkumbimit

Për Lahutën e Malësisë të Gjergj Fishtës

Për vargjet e vërteta që m’i dhanë kuptim jetës 

E dua Shqipërinë edhe kur qeshi edhe kur qajë 

Për poetin Havzi Nela çdo ditë më rrjedhin lotë t

Sikur jam fajtor pse s’kisha fuqi më u ba perëndi

Por unë s’kisha zot tjetër në jetë veç një Kastriot 

Mbeta peng i idehjes për betejat e krisura vrastare

Faqebardhë nderi më i dalë Shqipërisë përpara

Më duhej më i kalue shtatë palë rrethe të ferrit

Deri sa ta gjej emrin tim të  lirë  Agim Desku 

Për një çast u ngrita në çlirimtar të Shqipërisë

Në hero të dashurisë së betejave për jetë a vdekje 

Sa e dua Shqipërinë për trëndafilat e Çamërisë

Për fenerin e Homerit që më mësoj historinë

Të vetmit pellazg që jemi anas të këtyre trojeve 

Eh ,Shqipëri ma shumë të dua se secili njeri!

TY SHQIPËRI TË QOFSHA FALË

-Fishtiane 

Emrin Shqipëri kush ta mbanë gjallë

Veç heronjve që i lindin shqipe zanat

Këto troje kush me shpirt t’i ka rujtë

Çlirimtarët që derdhen gjakun sikur ujin

S’është me rëndësi a më linde vajzë a djalë

Ti Shqipëri që ma fale emrin të qofsha falë 

Mos më ik Shqipëri nga sytë e mi

Të përbejë në shpatën e Gjegjit

Në pesë shekujt e robërisë së ferrit

Dhe njëqind të dreqit e të birit 

Mendo Vlorën e flamurit

Mos harro burrërinë e Isa burrit

Pse mbete Shqipëri kaq e cungueme

Dije bre nga sa shtriga je e rrethueme 

Ty Shqipëri të qofsha falë

Për lumturinë që ma ke ngjallë

Jam biri yt për jetë e mot

Të jemi betue në Kastriot 

Mos shiko as tradhëtarët e ri

As të huajin vëlla nuk e ke

Ec përpara drejt kushtrimit

Me uratën e bashkimit 

Një e drejtë që zoti na ka falë

Me jetue së bashku si shqiptarë

Mos me jetue kurrë ma të ndarë.

FAJTOR JAM UNË 

Jo, ti s’je fajtor përse u rëbelova unë

Ndoshta as mua s’më kanë mallkue perënditë

Ma thot fjala dëshmitarja e kësaj historie

Pse kurrë nuk e theva as që e urreva lirinë 

I qëndrova kokë me kokë flakës së diellit

Në të njëtën faqe krijuam historinë e pashkruar 

Nëse bëra mëkat pse i shpëtova ferrit 

Peng i fjalës qëndrova pesë shekuj të djallit

Vetëm për të të krijue në Ajkunë të legjendave 

S’jam fajtor kur shndërrohem në flakë të diellit

Dua më u djeg si Jan Pallahu trup e shpirt

S’vdes pa vdekë fjala që i shëmb mbretëritë 

Pa e pikturue Annen tjetër të trëndafilit 

Më u shndërrue në aromë të tij për njerëzimin.

HISTORIA DO TË SHKRUHET 

-Fishtiane 

Në fytyrën tënde një ditë kam me të lexue

Gjaku yt nga cilat rrënjë ka më të tregue

Historia të vërtetën me zemër ka me e shkrue

Për mua e për ty edhe për secillën perëndi 

Një ditë dikush ka më u ngritë mbi hyjni

Ca bien poshtë për betejat e humbura në liri

Disa të marrë që as veten ma nuk e njohin

Mendojnë së askush më ata nuk i shohin 

Fryjnë erëa të reja që nuk i harrojnë betejat

Lavdinë e çlirimtarëve e shkruajnë me të artën

S’zhdukën nga kjo botë pa fajtorët e mëkatit

Nëse jam unë apo biri i mbretit fatlum 

Ashtu siç ishim të barabartë në beteja për liri

Edhe në paçë dua të kemi emrin pa mëkate

Hiatoria s’na fal nëse në shpirt kemi urrejtje

Na fal por na e le nëse ne kemi ndërgjegjie.

Filed Under: LETERSI Tagged With: Agim Desku, poezi

SHQIPERI-KOSOVE, MARREVESHJE E KOMISIONEVE PER ZGJEDHJE

August 31, 2021 by s p

Nga Behlul Jashari/

Nënshkruhet marrëveshja e bashkëpunimit për huazimin e kamerave regjistruese nga KQZ-ja e Shqipërisë

Tiranë, 31 gusht 2021 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Shqipërisë, nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi. Ceremonia e nënshkrimit u zhvillua në Tiranë dhe në emër të dy institucioneve nënshkruan Kryetari i KQZ-së së Kosovës, z. Kreshnik Radoniqi dhe Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve i Shqipërisë, z. Ilirjan Celibashi.

Pëmres kësaj marrëveshje bashkëpunimi bëhet e mundur huazimi i 50 kamerave regjistruese nga KQZ-ja e Shqipërisë, të cilat do të përdoren gjatë proceseve të ndryshme në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, përfshirë numërimin e votave me kusht dhe atyre me postë si dhe gjatë rinumërimit eventual të vendvotimeve.

Kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi u shpreh se përdorimi i këtyre kamerave regjistruese në QNR do të ndihmonte KQZ-në në rritjen e besueshmërisë së qytetarëve dhe kandidatëve në aktivitetet që zhvillohen në këtë qendër. Ai kujtoi se në QNR zhvillohen disa procese të rëndësishme pas ditës së zgjedhjeve, siç janë numërimi i votave me kusht, votave me postë dhe rinumërimi i vendvotimeve, prandaj monitorimi më i madh i këtyre aktiviteteve do të ndihmonte KQZ-në për ruajtjen e integritetit të zgjedhjeve.

Ndërkaq, në fjalën e tij, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi tha se Republika e Shqipërisë, në zgjedhjet e fundit parlamentare që u mbajtën më 25 prill, ka përdorur kamerat në të gjitha qendrat e votimit dhe kjo ishte një garanci e shtuar për procesin zgjedhor.

Drejtuesit e dy institucioneve u dakorduan për vazhdim të bashkëpunimit në të ardhmen, të cilat kanë për qëllim rritjen e përformancën se administratës zgjedhore dhe standardeve zgjedhore.

Filed Under: Kronike Tagged With: Marreveshje elektorale, Shqiperi-Kosove, zgjedhjet

VËSHTIRËSITË E INTEGRIMIT KOMBËTAR TË SHKOLLËS SHQIPE

August 31, 2021 by s p

Shkruan: Ismail Gashi-Sllovia

Rrugëtimi i shkollës shqipe është rrugëtimi i shtetit dhe popullit shqipetarë, është rrugëtimi i gjuhës, shkollës dhe librit shqip.

Historiku i shkollës shqipe varesisht nga sistemet e kohërat, ka kaluar nëpër  faza te ndryshme, të cilat në të shumtën e herave ishin kohëra pushtuesit të popullit e trojeve etnike shqiptare, të cilët bashkë me okupimin e trojeve e popullit shqiptar, sundonin e qeverisnin edhe shkollën e shqiptare. Andaj, zakonisht sistemi shkollor, veprimtaria arsimore-edukative e të rinjve shqiptar, në të kaluarën historike, që nga Perandoria Romake, kur veprimatria shkollore dhe edukimi në shkolla kryhej në gjuhën latine, me tekste e me alfabet latin. E në vazhdim gjatë periodes pesëshekullore të sundimint osman, kur veprimtaria edukative-arsimore kryhej në gjuhën e sunduesit oriental turko-arab me tekste të shumëten fetare arabe dhe me alfabet arabe. Ndërsa, administrata e qeverisja shtetërore kryhej në gjuhën turqishte. Pas vitit 1912, dhe aneskimit të trojeve tona nga Sërbia, okupuesi sërb organizoi edhe sistemin shkollor, futi dhunëshëm gjuhën sllave  në  administratën shtetërore dhe në sistemin shkollor në gjitha nivelet dhe mjediset e trojeve të okupuara shqiptare. Shkollimi ynë gjatë historisë, ka dalluar edhe sipas përkatësisë teritoriale e fetare të shqiptarëve. Pjesa krishtene katolike dhe ortodokse është arsimuar nëpër institucionet kishtare, priftërinje atdhetar katolik shqiptar, përkundër rrezikshmërisë nga okupusi, sakrifikonin, që fëmijëve të bashkëkombasëve krahas mësimeve fetare, t’ju flisnin edhe gjuhën shqipe.Madje, në ato shkolla përfshinin edhe fëmijë të besimeve të tjera fetare, musliman e ortodoks. Historinë shqiptare dhe traditën kombëtare shqiptare, shumë të rinjë shqiptar vazhdonin edhe mësimet e larta në kolegje të vendit në kuadër të kishës katolike, apo edhe në kolegje e seminare jashtë Shqipërisë, ku studionin e përgatiteshin të kthehen veprimtarë në shërbim të besimtarëve shqiptar në kishave katolike në Shqipëri. Kjo dukuri zakonisht është zhvilluar në pjesët e Shqipërisë veriore e verilindore. Ndërsa, në  Shqipërinë jugore aty-këtu edhe në pjesët të tjera të trojeve shqiptare, kisha ortodokse në kuadër të kishave e manastireve, kur veprimtarët fetar ortodoks ishin shqiptarë, kanë zhvilluar veprimtari të përafërt të edukimit fetar ortodoks dhe mësime për gjuhë dhe hi storinë shqiptare. Shkolla shqipe apo mendimi për shkollën shqipe ka ekzistuar edhe në këto rrethana të okupimin të thellë dhe sundimit të ashpër. Kështu Sami Frashëri në veprën  madhore “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e cdo të bëhetë” harton sistemin arsimor për të rinjt shqiptar dhe pakicat të tjera në Perandorin Turke. Shkollat e para nga 7 deri në 13 vjeq, ose shkollat fillore siç i pat quajtur Samiu. Shkollat e dyta Ruzhdije-skolion gjegjësisht gjimnazet e ulëta, shkollat e treta Idadije, gjegjësisht gjimnazet dhe shkollat profesionale, Shkollat e larta Gjithëdie, Gjithmësimet-universiteti dhe shkollat për mësimin e gjuhëve të huaja te vjetar e të reja. Që atëherë zë fill integrimi i shkollës shqipe kombëtare dhe reforma e saj në nivelin ndërkombetar. Veprimitaria arsimore nga okupuesit e populllit shqiptar kishte qëllimin e efektit të shumëfisht. Pushtimit të trojeve e popullit shqiptar, ndryshimin e besimit fetare dhe ndalimin e ndëshkimin e gjuhës, historisë dhe traditës pozitive kombëtare shqiptare. Kështu vazhdoi qe nga Perandoria romake, Bizantine dhe Osmane, po kështu, vazhdoi edhe okupusi serb pas 1912. Për dallim nga paradhësit ky përveç gjuhës mësimore sërbe, zbatoi edhe forma të ndryshme të dhunës barbare, ndëshkimit të fëmjëve dhe kufizimin e niveleve të arsimit. Sërbia, hapte shkolla vetëm aty ku kishte banorë serbe, apo edhe në ndonjë fshat etnik shqiptar, por zakonishte lejonte vetëm shkollimin fillor katër vjeçar, këte e arsyetonte se, shqiptarët konsiderohen me të drejtë shkollim, dhe njeherit iu pamundësonte vazhdimin e arsimimin e mëtejshëm. Kështu u veprua në Kosovë deri më 1941, kur fashizmi pushtoi troje tona. Por,  për dallim nga pushtuesit paraprak, kjo ideologji shqiptarëve për të parën herë ju lejoi të shijojnë mësimet shkollore në gjuhën shqipe. Shqipen ta përdorin për gjuhë administrate dhe lirshëm të përdorin simbolet kombëtare  Në këto  pak vite që në popull thuhet, “pasha qato tri vjet shqipni”, na janë të njohura hapja e disa shkollave fillore në të cilat punonin mësuesit shqiptar, dhe mësimin e zhvillonin në gjuhën shqipe, dhe paralelisht përdorenin tekstet e palnprogramet mësimore në gjuhën amtare shqiptare. Atyre ditëve në Prishtinë u hap edhe gjimnazi i parë në gjuhën shqipe. ”Sami Frashëri” me mësimdhënës shqiptar, ku përveç gjitha lëndëve të tjera mësimore, mësohej edhe lënda e gjuhës shqipe dhe historia shqiptare me gjitha vlerave pozitive të pakufizuara nga tradita e lavdishme kombetare shqiptare.Vitet e para pas ardhjes së komunizmit, deri sa marrdhëniet Jugosllave-Shqiptare kushtimisht ishin të ngushta. Shkolla shqipe në Kosovë mori një shtrirje të përgjithshme. Thuaja në çdo vendbanim u hapën shkolla fillore me mësues shqiptarë. Mësuesit tanë shumica kishin përgatitje të ultë profesionale, apo shumica nga ata ishin me përgatitje shkollore fetare, ose ndonjë prej tyre që ishte shkolluar në Shqipëri. Kishte mësues shqiptarë, përveç atyre që nga koha e fashizmit, me marrveshjen e Ministrit shqiptar Ernest Koliqi ishin vendosur ne treva të ndryshme të Kosoves. Pas fitorës së komunizmit shteti shqiptarë kishte dërguar dhe një numër të konsiderueshëm arsimtarësh në shumë mjedise e nivele shkollore në Kosovës. Ishte vepruar kështu sipas marrëveshjes me shtetin komunist shqiptarë, kishin ardhur në ndihmë shkollës shqipe në Kosovë. Thënë shkurt, gjithë kjo e kaluar e shkollës shqipe, përveç të mirës arsimore, kishte ndalesa e kufizime përmbajtësore programore e materiale. Sepse shkolla shqipe në asnjërën nga këto etapa kohore të zhvillimit, nuk kishte liri as materiale e as qeverisëse administrative, ishte e shtërnguar dhe përcillej nga pushtuesi qeveritar. Secili nga pushtuesit kishte qëllimin e kufizimit të nivelit arsimor të shqiptarëve, kishte mjetet ndëshkuese për çdo veprim të njohjes reale dhe i nënshtrohej kufizimeve të niveleve shkollore. Përkundër të gjithave, mësimdhënësit tanë në përgjithësi e në veçanti ata që dalloheshin me ndonjë veprim kombëtar ato flisnin pë gjuhën apo historinë shqipe, permendnin vlera atdhetare kombëtare shqiptare, veheshin në pëcjellje dhe në vazhdimësi  mbikqyreshin nga “hijet” e organeve shtetërore. Megjithate, në asnjë mjedis, kohë e nivel shkollor, nuk mbeti pa ata mësues atëdhetarë, që sakrifikun në çdo kohë e mënyrë që të thyhet kjo ndales e ashpër ndëshkuese. Këta mësmdhëns atdhetarë në rrezikim e sakrificë personale arritën të shfrytëzojnë ato pak hapësira e kohëra të liberalizmit formal dhe të zgjerojnë e thellojnë veprmtarinë e tyre arsimore në mjediset kosovare në gjeneratat e reja shqiptare. Shkolla shqipe në Kosovë, e ndarë nga sistemi i shkollës kombëtare shqiptare, qeverisej e adminitrohej nga fryma e qeveritarëve sllav. Sllavizmi ortodoks me dhunën barbare mesjetare në vazhdimsë mbikqyrte shkollën tonë nxënësin, studentin e mësimdhënësin shqiptarë, të cilët i konsidronte për armiqë dhe shkollën shqipe për çerdhe të prodhimit të armiqëve të saj. Kontrollohej e analizohej secila fjali e teksteve mësimore, përcillej e mbiqyrej nga organet administrative, puna e sjellja e çdo mësimdhënësi. Vite të tëra sistem komunist Jugosllav nuk lejoi hartimi i teksteve nga autorët shqiptar, Tekstet mësimore silleshin nga Beogardi e përktheheshin nga sërbishtja. Mësimi i gjuhës shqipe ishte i kufizuar vetëm në vlera hapësinor shqiptare, jashtë shtetit shqiptarë. Tekstet dhe progarmet mesimore pastroheshin nga njësit mësimore ku flitej për shqipen dhe shqiptarët. Në përmbajtjen e teksteve shkollore nuk lejoheshin njësit mësimore të gjuhës, historisë, gjeogarfisë, artit muzikor e artit figurativ me përmbajtje kombëtare, ku mund të mësoheshin vlera kombëtare shqiptare. Nga gjithë kjo katrahurë e dhunës mbi shkollën shqipe, nuk mund të flitej që, sistemin shkollor ta reformojnë vet shqiptarët. Shkolla shqipe gjatë komunizmit, reformohej nga qendra e administratës shtetërore serbe. Na është e njohur reforma e 1975/6, apo reforma e Stipe Shuvarit me ato mësimet e mesme të orientuara, e cila në Kosovë e më gjërë në ish-jugosllavi, deri më 1990/91, bëri eksperimet të dëmshëm me breza shkollarësh të mesëm për të cilat fatkeqësi, disa nga nastolgjikët tanë edhe sot flasin zëshëm, se ato refoma, po mos të pengoheshin nga disa qendra e mjedise qeverisëse të atëhershme jugosllave, nuk ishin dalur edhe aq të parëndësishme për sistemin shkollor shqiptarë në Kosovë. Refomimi i shkollës shqipe nga vet ne shqiptarët, në vazhdimësi të kohëve dhe sunduesve okupues, nuk ishte në dorën dhe kompetencën të vetë shqiptarëve. Praktikisht shqiptarët refomën shkollore e filluan vetëm pas vitit 1990, kur edhe kryem ndarjen nga sistemi shkollor serbe dhe me forcat tona materiale e krijuese drejtuan vet sistemin shkollor, ata vetë qeverisën e punuan në shkollën shqipe në Kosovë. Që pas mëvehtësisë fizike e shpirtërore të shkollës shqipe, nga sistemi i dhunës sërbe, kuadri qeverisës e krijues, mësimdhënëst e hartuesit e planprogarmeve dhe teksteve mësimore të shkollës shqipe, vet shqiptarët i hyjnë ndryshimeve cilësore me qëllim të ngritjes së cilësisë mësimore dhe afrimit të shkollës shqipe me shkollën bashkohore mbrendashqiptare dhe të shteteve më të avansura demokratike të Evropës e më gjërë. Udhëheqësit e shkollës së mvehtësishme shqiptare në Kosovë, pastruan planprogramet e tekstet mësimore nga fryma ideoligjike komuniste dhe frymes farse të vëllazrim-bashkimit e atdhtarizmës së rreme jugosllave. Në përmbajtjen materiale të planprogrameve e teksteve mësimor u bë afrimi integrues kombëtar, lëndët me përmbajtje kombëtare, shpërthekuan frymarrjen më të lirë e të pakufizuar të njësive mësimore të cilat gjatë shkollës komuniste ishin të ndaluara e të ndëshkuara. Lënda e gjuhës e letersisë shqipe, filloi lirshëm të përfshinte gjitha vlerat pozitive artistike e kulturore të traditës historike e kombëtare, nga tërësia etnogjeografike shqiptare e historia e traditës së lavdishme kombëtare, tash largoi anatemimiet e personaliteteve dhe ngjarjeve historike, duke  përfshirë gjitha vlerat më pozitive të kohëra dhe ngjarjeve historike shqiptare. Në shkollën e mvehtësishme shqiptare në Kosovë, gjeografia shqiptare zuri vendin e ish-gjeografisë jugosllave, e cila nxënësve shqiptarë për disa dekada ju pamundësoi mësimin e gjeografisë shqiptare, ashtu siç pat vepruar edhe në materjen mësimore kombëtare edhe në lëndët mësimor art figurativ dhe artin muzikor. Kjo shkollë e mvehtëshme shqiptare, pë dekadën e okupimit serbe 1990/1999 në Kosovë, përkundër vështërsive të mëdha materiale e cila pas shkëputjes së financimit nga shteti serbe, vetëfinacohej nga prindërit e populli arsimdashës shqiptar, dhuna shkallëzohej edhe me ate se shkolla shqipe ishte e detyruar që, veprimtarinë edukative-arsimore ta mbajë në lokalet private, në Shtëpi-shkolla, meqë dhuna e okupuesit serbë me zbatimin e forcës kishte larguar nxënësit, studentët dhe mësimdhënëst shqiptar nga lokalet shkollore. Në këto rrethana jo të natyrshme shkolla shqipe, karshi kohës e rrethanave te okupimit më të egër, thellojë reformimin e mundshem, në vend të lëndës njësive mësimore  dhe lëndës ideologjike marksizmi, në nivelet adekuate shkollore shtoi lëndën për formimin e moralit të shëndosh Edukat Qytetare dhe atë të mundësmitë për komunikim të shpejtë inforamtikën. Pjesa nga tërësia e shkollës shqipe, shkolla shqipe e Kosovës, synonte integrimin kombëtar të shkollës shqipe. Kështu për pak vjet përmes bashkpunimit të ngushtë të ekspertëve arsimor u bë njësimi i teksteve e planprogrameve mësimore të shkollës shqipe të Kosovës dhe shkollës shqipe të Shqipërisë, nga synohej që këtë përafrim ta bëjë edhe me njësitë të tjera të shkollës shqipe, Maqedoni, Mal të Zi e Luginë të Preshevës. Përkundër rrethanave shumë të ashpra okupuese e vështërsive të mdha materiale, sistemi shkollor shqiptar në mënyrën dhe formën e pashembullt kryente emisionin e fisnikrimit dhe bashkimit shpirtëror kombëtar. Kjo veprimatri shpirtërore e edukimit e arsimimit ngriti shkallën e veprimit për liri të këtij populli të ndjekur e kësaj toke të djegur, nga veprimi i rrezistencës paqësore politike dhe ndërkombëatrizimit të çështjes së Kosovës, u ngritë në nivelin e veprimit ushtarak, me të cilin botës iu tërhoq vëmendja, jo vetëm të mendoj e të flas shqip, por edhe të veprojë ushtarakisht për të shpëtuar gjendjen e rrezikimit nga katastrofa njerëzore, pastrimit etnik dhe gjenocidit në Kosovë. NATO, aleatja e UÇK-së ndali turrin e një dinosauri mbi shqiptarët, Kosova u lirua nga ankthi i një lubie që kishte synim definitivisht të kryejë hollokaust të pashembullt në historinë njerëzore. Shkolla shqipe edhe në këto rretha dhune, vrasjeje, ndjekjeje e dëbimi të dhunëshëm, nuk e ndali veprimtarinë dhe punën e vet. Madje, mësuesit e nxënsitë tanë veprimtarinë edukative-arsimore e mbani gjallë edhe në qadra e lugina malesh, apo në kampet e strehimit në Shqipëri, Maqedoni e Mal të Zi, ku nga kërcnimi  i ndjekjes serbe ishin të strehura nxënsit tanë. Mbajti gjallë frymen shiprtërore dhe ruajti vazhdimsinë e veprimtarisë mësimore. Duke kaluar nëpër shkallët e këtyre vështërsive, shkolla shqipe në qershor të 1999 doli nga robëria shekullore, në agun e lirisë. Nxënës, student e mësimdhënës u kthyen në trojet e shtëpite tyre u kthyen për të vazhduar vitin e mbetur shkollor 1998/99 dhe për të filluar në frymë e kushte te pasluftësvitin vitn e ri shkollor 1999/2000, praktikisht u kthyen për të filluar jetën e re në kushte e rrethana te reja. Nxënësit, studentët e mësimdhënësit tanë u kthyen dhe gjetën objektet shkollore të shkatërruara, të plaçkitura e të djegura nga forcat e dhunës serbe gjatë 78 ditëve të katrahurës që përjetoi ky popull (24 mars–10 qershor 1999). Nga kjo gjendje e rëndë shkolla shqipe, tash në Kosovën e pasluftës në rrethan e kushte të reja si feniksi rifilloi punën arsimore në vazhdimësinë e tutjeshme të reformës së sistemit shkollor në të gjitha mjediset dhe nivelet shkollore.

Filed Under: Analiza Tagged With: Ismail Gashi-Sllovia, Shkolla shqipe

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 2766
  • 2767
  • 2768
  • 2769
  • 2770
  • …
  • 2826
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Çfarë është një peizazh tingullor?
  • Populli dhe trojet shqiptare në gjeopolitikën e re euro-atlantike
  • Analizë strukturore e sovranitetit, krizës së konsolidimit shtetëror dhe implikimeve gjeopolitike
  • Arti popullor në kryeqytet si ajerngopja në malet e larta
  • “Pjesëmarrja në Bordin e Paqes, vlerësim dhe pëgjegjësi e shtuar për RSh”
  • 106 VITE NGA KONGRESI KOMBËTAR I LUSHNJES-THEMELI I PARLAMENTARIZMIT DHE VETËQEVERISJES SË PLOTË TË SHTETIT SHQIPTAR
  • Grenlanda “Molla” e Shekullit 21
  • Ne nuk harrojmë!
  • NË 20 VJETORIN E KALIMIT NË PËRJETËSI, NDERIM DHE MIRËNJOHJE PRESIDENTIT HISTORIK TË KOSOVËS DR. IBRAHIM RUGOVA
  • Pjesëmarrja dhe rezultatet e nxënësve nga Kosova në Neo Science Olympiad 2026 – Orlando, SHBA
  • IKJA E KORIFEUT APO BORXHI NDAJ NJI FJALE PER ISMET UKE BERISHEN
  • Dr. Ibrahim Rugova, emri që nuk shuhet
  • ROMANI “NISHANI”, NJË HISTORI TRONDITËSE
  • “Amerika nën akull: Vorteksi Polar shkakton kaos 100 makina palë në Michigan”
  • Diaspora shqiptare e Kosovës – Gjuha si vijë mbrojtjeje

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT