• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

AKTI BARBAR I VRASJES SË NXËNËSVE NË GRAC, DHEMBJE E MADHE  

June 11, 2025 by s p

 Nga: Hazir Mehmeti/

Ngushëllime Austri! Ndaj dhembjen e madhe me prindërit dhe gjithë qytetarët.  

Akti barbar i vrasjes së fëmijëve në bankat shkollore në Graz, ka shkaktuar dhembje të madhe në gjithë Austrinë. Gjerë më tani nuk mbahet mend një akt i tillë në Austri. Vrasësi, një ish nxënës i shkollës në formë perfide kriminale hynë në shkollë ku vet kishte mësuar para pak vitesh, por nuk e kishte mbaruar.  

 Vrasja e njëmbëdhjetë njerëzve, nxënës e mësuese dhe plagosja e dymbëdhjetë të tjerëve, disa prej tyre rëndë, ngjarje e trishtuar që ngriti në këmbë Austrinë dhe opinionin ndërkombëtar.   Nxënësit, prindërit, personeli i shkollës, organet e sigurimit dhe ato qeveritare janë në shok të thellë.  

      Drejtuesit e vendit nisur nga presidenti, kryeministri, ministra, e të tjera institucionesh, shprehen dhembjen e madhe për vrasjen mizore të  fëmijëve duke u zotuar se do marrin të gjitha masa në dhënien e ndihmave të plagosurve, prindërve, personelit mësimor, nxënësve dhe gjithë atyre që përjetuan në çfarëdo forme aktin barabar. 

  Vrasësi A.A. një austriak 21-vjeçar nga Kalsdorf pranë Gracit, la të vrarë të paktën njëmbëdhjetë veta, prej tyre shtatë vajza dhe katër djem. Në mesin e vajzave të vrara u gjend edhe Lea Bajrami, nxënëse pesëmbëdhjetëvjeçare me origjinë nga Kosova.  Të plagosur gjerë më tani janë dymbëdhjetë persona, prej tyre nëntë në gjendje të rëndë. Vrasësi i la nënës së tij një letër lamtumire dhe një video mesazh.

  Grazi, qytet relativisht i vogël  u përball sërish nga akte barbare vrasëse që nga viti 2015, dhjetë vjet më parë. Atëherë personi vrasës u vërsul me automobilin e tij në zonën e këmbësore të rrugës Herrengase, ku u vra një fëmijë, dy të rritur kurse rënd plagosi 36 veta dhe 120 persona tjerë të prekur nga sulmi terrorist. Aktori u dënua me burg të përjetshëm.          

Gjithë qytetarët e Austrisë ndien dhembje dhe shprehin ngushëllimet e tyre prindërve, mësueseve e gjithë qytetarëve.  Komuniteti shqiptar përmes shoqatave dhe mjeteve sociale ngushëllojnë prindërit, familjet dhe mbështesin organet austriake në përballimin e rrethanave të rënda. 

A duhet mësuar shoqëria në ndryshimin e konceptit të sigurisë?

             Ngushëllime Austri! 

Filed Under: Analiza

“Tërbimi Ariut Polar nga breshëri i Dronëve të Ukrainës”!

June 11, 2025 by s p

Gjeneral ® Piro Ahmetaj/

Në kapacitetin e angazhimeve në çështjet e Sigurisë Kombëtare, Rajonit dhe NATO-s, kam ndjekur me përgjegjësi të shtuar dinamikën e 1260 ditë/netë luftime të përgjakshme për/me Ukrainën: “dhjetra konferenca të Këshillit të Atlantikut, Institutit të Luftës; panele të kolëgeve të sigurisë në USA, Bruksel, Qëndrën Marshall, Kolegjin e NATO-s; 3 Samitet e fundit, Madrid-2022, Vilnus-2023, Washington 2024, si dhe që do mbahet në Hagë, në fund të këtij muaji”!  

Së Pari, sjell në vëmendjen publike se në dhjetra vlerësime strategjike (të publikuara brënda dhe jashtë vendit), përgjatë 42 muaj luftime kam të optimizuar besimin se: “herët ose vonë, Rusia-Putiniste do ta humbas me turp, luftën për pushtimin e Ukrainës martire si dhe përmballjen me vlerat perëndimor, interesat dhe fuqinë ushtarake të Aleancës Transatlantike (USA/NATO/UK/BE)”! 

Fatmirësisht ja ku jemi. Mbas 3 vjet e gjysëm përballje stoike, në fillim të qershorit 2025 ushtria Ukrainase ka suprizuar, Kryeqytetet, kancelaritë perëndimore dhe mbare-globit duke ndërmarrë një sulm ushtarak të paparashikuar në skenarët edhe më optimistë (përfshi autorin): “bresher dronësh të gjeneratës së fundit kanë sulmuan në befasi dhe thellësi strategjike (deri 5500 Km) 5 Baza Ajrore në thellësi të territorit Rus”.  Kështu Ukraina finalizoi një nga operacionet më të guximshme, më të sofistikuara dhe më të sukseshme të luftës moderne: “Rrjeta e Merimangës (Spiderweb operation), duke gjunjëzuar krenarinë e Kombit Rus, moralin e ushtrisë, fuqinë ushtarake dhe inisjativen strategjike të Rusisë-Putiniste.

Operacioni u zhvillua nën mbikëqyrjen e Presidentit Zelenskyy dhe u ekzekutua nga Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës (SBU), drejtuar nga Gjeneral Vasyl Malyuk. Mbas rreth 1 vit përgatitje me konsipracion të lartë, një rrjet agjentësh të Forcave Speciale arritën të fusin në thellësi të territorit Rus dronë të ngarkuara me eksploziva luftarake. Kontejnerët me “gabina druri” u vendosën deri 20 km pranë bazave ajrore Ruse, nga ku mbi 117 dronë në goditën me sukses objektiva me peshë strategjikë. 

Operacioni rezultoi në shkatërrimin e 40 bombarduesve bërthamore, përfshirë model Tu-95, Tu-160, Tu-22M3 të vendosur në 5 baza Ajrore me peshe gjeo-strategjike: “Belaya, në Siberi (5500 km nga Ukraina), në Olenya (Murmansk), në Arktik, në Ivanovo Severny (afër Moskës), në Dyagilevo (Ryazan), si dhe Ukrainka (Amur) në Lindjen e Largët të Rusisë.

Avionët e asgjësuar pêrbëjnë 1/3 e flotës bombarduse të Rusisë, ndërsa dëmi vlerësohet në rreth 7 miliardë dollarë. Përtej kostos dhe peshës operacionale, ky sulm u quajt Pearl Harbor i luftës moderne tregoi dobësitë e mbrojtjes ajrore të Rusisë përkundër aftësive të Ukrainës për të ri-marrë inisjativën strategjike.  

Së Dyti, disa reagime të pritshme të Rusisë, janë: “zhvendosjen e avionëve strategjikë në rajone më të sigurta, forcimin e mbrojtjes ajrore rreth bazave me raketa si S-400 dhe Pantsir-S1, si dhe instalimin e sistemeve elektronike kundër- dronëve (EW)”. 

Ndërsa si kundërpërgjigje ndaj sulmit ushtarak të Ukrainës (gjithësësi brënda kodeve dhe konventave të luftës), Kremlini, ka përshkallëzuar qasjen terroriste duke sulmuar me mbi 1000 dronë dhe 100 raketa jo vetëm ndaj kapaciteteve ushtarake, por edhe ndaj popullsisë civile në qytetet e medha, si Kiev dhe Lviv, pa kursyer shkollat, spitalet, si dhe infrastrukturën kritike të Ukrainës (energjia, ujesjellsat, etj).

Për shkurajuar mbështetjen e perëndimit për/me Ukrainën, ka: “rritje të retorikës bërthamore nga Moska mbi dislolikmi armëve bërthamore në Bjellorusi, Kaliningrad, si dhe provokime ajrore dhe detare në Baltik apo Detin e Zi, për të testuar reagimet e ShBA/NATO-s”. 

Ndërkohë, veçanërisht Berlini dhe Londra Zyrtare si dhe vendet e tjera të NATO-s, mbas 2 javësh në Hagë pritet të konfirmojnë vijimin e mbështetjes së pakushtëzuar, me armatime dhe sisteme moderne deri në fitoren e Ukrainës dhe ndaj të keqës së përbashkët, Rusisë – Putiniste !

Së Treti, ky operacion përbën një ngjarje madhore për fatin e luftës Ukrainë – Rusi, si dhe për fuqinë përcaktuese të teknologjisë, inteligjencës dhe taktikat e zgjuara në luftërat moderne, të cilat tashmë, privalojnë mungesën e fuqisë tradicionale ushtarake. E thënë më shkurt, mbas këtij sulmi Rusia – Putiniste u ekspozua se nuk është më e pathyeshme. 

Edhe me mbas këtij Sulmi, Kievi ka konfirmuar se: “nuk ka kurrësesi qëllim pushtimin  e as një meter² të territorit të Rusisë, por mbetet në të drejtën e doktrinës së mbrojtjes sovrane që të shkatërrojë (me çdo mjet) nyjet nervagjike të infrastrukturës për mbështjen ushtarake dhe logjistike të armikut (Rusisë) kundër sovranitetit teritorial të Ukrainës”.    

Me këtë rast, përveç peshes të këtij Sulmi sjell në vëmendje strategjike: “edhe 3 poshtërimet e tjera që Rusia ka pësuar nga Shkurti 2022 deri Qershor 2025”:

Poshtërimi i parë (Shkurt-Shtator 2022):  Tërheqja e forcave Ruse nga rrethinat e kryeqytetit; fundosja e “nëndetëses Moskva”, ose krenarisë së Flotës Ruse në Detit të Zi (nga një vend (Ukraina) me marinë, ose forca detare të limituara); kundëronfensiva e Ukrainës duke çliruar 20 % të territore të pushtuar nga Rusia, si Kharkiv dhe Kherson (2 herë territorin e RSh), të vetëshpallura nga Putini “si pjesë jetike e sovranitetit të memës Rusi”!  

Poshtërimi i dytë (Gusht 2023) i Rusisë – Putiniste ishte rebelimi i Prigozhit (Qershor 2023) dhe të mercenarëve rreth tij (Grupi Wagner), çka ekspozoi çarje të thella në elitën politike dhe kohezionit të kombit rus rreth luftës, kalbëzimin e moralit të ushtrisë si dhe brënda zinxhirit të komandimit të FA Ruse. 

Poshtërimi i tretë (Gusht 2024): Pushtimi i  Kurskut ose përparimi i forcave ukrainase (rreth 25 km) në territorin Rus, shënojë fillimin e rrokullimës që e pret Putinin në Ukrainë, si dhe të gjunjëzimit në përballjen me fuqinë ushtarake dhe interesat gjeopolitike të Aleancës Transatlantike (USA/NATO/BE)!

Në përmbledhje përtej dezinformimit, mesi i vitit 2025, makinerinë e luftës Ruse e gjen “duke u zvarritur e përgjakur dhe rraskapitur, duke mbajtur të pushtuar më pak se 19 % të territorit Ukrainas”. Po ashtu, Kremlini gjendet sot, edhe më izoluar nga vlerat dhe rendi global. Prandaj, si një organizate terroriste ose “bishe e plagosur”, kërcënon perëndimin me përdorimin e armëve berthamore!   

Në shtesë, do ishte e padrejtë të mos përshëndesnim përpjekjet dhe rolin aktiv të Shqipërisë në mbështetjen e pa kushtëzuar të vendimarrjeve të USA/NATO-s, si dhe kontributeve me shumë se modeste që i ka dhënë gjatë 42 muajve Ukrainës në këtë përballje “për jetë a vdekje” me të keqen e përbashkët. 

Gjithësesi,  nga kapaciteti ekpertit për peshimin e rreziqeve dhe oportuniteteve të luftës, do ti këshilloja faktorët relevant të Tiranës që: “humbja e luftës, diskreditimi ndërkombëtar si dhe kolapsi ekonomik që e pret Rusinë (për pasojë edhe e peshën e Serbisë në Ballkan) përbën një rrethanë (jo dhuratë) të artë gjeopolitike në dobi të faktorizimit të RSh në tavolinat e vendimarrjeve të mëdha (SHBA/NATO/BE) për të mbrojtur dhe zhvilluar interesat Kombëtare në rajon, Mesdhe, etj“! 

Sigurisht, mbetet domosdoshmëri kritike që edhe RSh të përditësojë konceptin si dhe modernizojë, strukturat, kapacitetet dhe aftësitë operacionale të Forcave të Armatosura. Kështu edhe angazhimi në Samitin e NATO-s (në Hagë në fund të këtij muaji) për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes nga 2% në mbi 3 % deri 2030, ka për qellim të përmirësojë efiçencën e Agjencive të sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare në përmbushje të misionit kushtetues: “për të mbrojtur integritetin territorial (neni 5); zhvilluar interesat gjeopolitike të RSh në Rajon si dhe për të “merituar me dinjitet karrigen” në tavolinën e NATO/BE-së.

Zoti e bekoftë fitoren në Ukrainë, fuqinë ushtarake të NATO-s, si dhe ardhmërinë Euratlantike të Kombit Shqiptar si ShBA dhe gjithë Europa Demokratike.

Autori: * Gjeneral ® Piro Ahmetaj,

Senior Ekspert për Sigurinë Kombëtare, 

Rajonin si dhe çështjet e USA/NATO.

Filed Under: Komente

GJON MILI – PARARENDËSI I “FOTOVE SELFIE”

June 11, 2025 by s p

KRISTAQ BALLI/

“Për Gjon Milin ka aq shumë mënyra fotografimi sa edhe njerëz. Ai e konsideron çdo foto një provë, një eksperiment”   – (Jean  Paul  Sartre, 1946). 

Fotografi shqiptaro-amerikan me famë botërore  Gjon Mili (1904-1984) me një karierë 45 vjeçare artistike në lëmin e fotografisë, i cili ka shërbyer për revistën shumë popullore amerikane “Life” në rubrikat sociale, kulturore, artistike e sportive, ka në galerinë e vet mijra foto  dhe ka provuar  e praktikuar me sukses  dhjetra eksperimentime e   sprova tekniko-teknologjike e artistike pamore, të cilat e përfshijnë atë në elitën e fotografëve që i dhuruan botës transformime radikale e  evolucioniste në aspektin e zgjerimit, përmirësimit dhe lehtësimit të aplikimit masiv dhe komercial të fotografimit dhe në veçanti të fotogazetarisë artistike. Nuk mund të ketë fushë të veprimtarisë sociale, kulturore, artistike, shkencore, sportive, mediatike, ekspozuese, madje edhe politike, ku fotografi shqiptar, i cilësuar me opinionet dhe epitetet e goditura të kritikës pozitive dhe të personaliteteve të shquara të botës artistike si promotor e protagonist i përparimeve dhe hopeve  të fotografisë disa dekada përpara, që ai të mos ketë dhënë përvojën e tij krijuese.

Pjesa më e madhe e kontributeve të tij madhore si “drita stroboskopike”, “ngrirja e kohës”, “fotografia në lëvizje” (ku ai, sipas një reference,  zbuloi mekanikën e kinetikës humane të shoqërisë së  pas Luftës II Botërore,  eksperiencat e tij me figura të famshme – kryesisht nga  bota e artit, ose edhe vetë librat e tij të mrekullueshëm mbi artin e artistët janë bërë pak a shumë të ditura edhe për publikun shqiptar, por, akoma Gjon Mili mbetet një det i thellë enigmash e  eksplorimi, pasi jo gjithçka është bërë e njohur nga krijimtaria, sidomos nga eksperimentimet e pafundme në studion e tij, në  23th Street, Manhatan, New York,  ndoshta edhe nga një pjesë e veprimtarisë së tij krijuese kur, më 1966 studioja e tij e madhe u dogj e, bashkë me të edhe një e treta e  materialeve që nuk mbijetuan nga ajo fatkeqësi.

Në optikën krijuese vizionare të Gjon Milit ndoshta qëndron edhe eksperimentimi origjinal  i autoportretit fotografik, që atëhere, në mënyrë popullore e shakaje do të quhej “duck – face” (fytyrë-rose), ndërsa  sot, rretth 75 vjet pas aplikimit novator nga Mili e të tjerë,  do të konfirmohej  me emrin “selfie”, për të  krijuar një perandori me shtrirje në të gjithë sistemin tonë planetar. Sidoqoftë detaji i veçantë, i cili e bën specifik, origjinal  dhe  identifikues parashikimin e “selfieve” është pikërisht çelësi i vogël elektrik i përshtatur për aparatin, që Gjon Mili i ka dhënë personazhit që vetëfotografohet  dhe që inkuadrohet në mënyrë të dukshme e demonstrative në kuadratin e fotos. 

Këtë detaj fotografimi  e  gjejmë shumë, shumë rrallë dhe jo me qëllime  eksperimentimi tek fotografët e tjerë. Andaj, atëhere, të shkon mendja mos,vallë,  Gjon Mili, në këtë kontekst eksperimental ka parashikuar me ndjesinë  e  një artisti nuhatës  të ardhmen e “selfies”. 

Sot fjala “Selfie” nënkupton një foto  autoportret, të bërë  me një aparat digjital ose me kamerën e një telefoni, apo webcam për të shfaqur situatën  rastësore dhe probabilisht  për ta shpërndarë atë në shërbimet e rrjeteve sociale.  

Por fotot autoportret, në të vërtetë na kthejnë në vitin 1839, pra  rreth 175 vjet më parë, kur Robert Cornelius, një prej fotografëve pionierë amerikanë realizoi një autoportret të vetin,  i cili konsiderohet, gjithshtu,  fotoja e e parë  e një personi. Aparatet ishin aq të ngadalshëm, sa që fotografi të kishte mundësi të kryente të gjitha proceset e pozimit dhe të ekspozimit ndaj pllakës negative fotografike  në kohën e duhur.

Nga vitet 1900, aparatet Kodak Brownie mundësonin foton autoportret dhe u bënë një teknikë e përhapur. Metoda bazohej tek pasqyra kundrejt së cilës vendosej aparati mbi trekëmbësh afër objektit  dhe inkuadrohej pamja në pasqyrë. Dukésha e madhe,  Anastasia Nikolajevna  e Rusisë, në moshën 13 vjeçare ishte një nga personazhet që realizoi foton e saj duke përdorur pasqyrën dhe ia dërgoi atë një mikeshe, më 1914 duke i shpjeguar në letër: “E bëra këtë foto duke vështruar në pasqyrë. Ishte shumë e vështirë pasi më dridheshin duart.”

    Fotoportretet përparuan aty nga vitet 1970 kur aparatet e çastit mundësonin një medium të vetëshprehjes. Më pas kjo praktikë tranzitive u kapërxye nëpërmjet aparateve digjitale që i zëvendësuan filmat me qarqe të  teknologjisë elektronike.

Përdorimi i  fjalës selfie është shfaqur së pari  në një  artikull apo një mjedis elektronik australian më 13 Shtator 2002, në një postim të Nathan Hope. Në vitin 2012, revista “The Time” e konsideroi fjalën ‘selfie’ “një nga 10 Top fjalët e rejatë vitit”. Ndërkaq më 2013  kjo fjalë u bë aq e zakonshme, sa u sugjerua të futej në versionin online të Oxford English Dictionary (Fjalori Anglisht i Oksfordit). Në Nëntor 2013 fjala “selfie” u shpall si “fjala e  vitit” po nga ky fjalor, i cili i konfirmoi asaj origjinën australiane. 

Përdorimi i teknikave, aparaturave dhe programeve të sofistikuara dixhitale në masë të gjerë dhe lehtësisht të komercializuara në kohët e  sotme i kanë dhënë kësaj fjale një kuptim universal, pasi në kontekstin e vet ajo përfshin gjithë hapësirën tokësore e spaciale të sistemit tonë planetar.

Nga pikëpamja sociale, krahas mundësive të mëdha të shkëmbimit dhe  shoqërizimit e shpejtësisë së informacionit imazherik  reciprok për qëllime pune, shkencore, kulturore, shoqërore, individuale, hobi, apo preferenca të karakterit e  personalitetit të brendshëm etik e estetik, në shumë raste studiuesit kanë konstatuar rrezikun e një “patologjie” humane, siç është simptoma e “narcizmit”, pra ndjesia e të ekspozuarit, e shfaqjes,  vetëkënaqësisë, apo  vetëpëlqimit aparent që të zapton kur  vetëfotografohesh dhe poston pa limite në rrjetet sociale e internet, fenomen  ndaj të cilit janë të prirura më shumë femrat për të paraqitur  format e tyre sensuale, erotike, apo edhe nudo. Sidoqoftë, le të kthehemi sërish 7 dekada më parë. Kur Gjon Mili ftonte në studion e tij njerëz të famshëm për një seancë fotoportretesh, fjala “selfie” do të duhej të priste edhe 70 vjet që të fitonte të drejtën e qytetarisë gjuhësore në  fjalorin formal të gjuhës angleze. 

Gjon Mili në veprimtarinë e tij fotografike ka qenë shumë kreativ, aq sa  nuk ka gjini e teknikë fotografimi që të mos e ketë provuar dhe aplikuar qoftë për qëllime profesionale, artistike, apo thjesht si eksperimentim inspirimi, larmi  e pasurim vlerash mjeshtërore. Janë 10 foto të panjohura të tij, ku ai, eksperimentin e autoportretit “selfie” e aplikon si një teknikë, që nuk e ka shpikur vetë (siç ka bërë psh me fotot me dritë stroboskopike), por, megjithatë, ai e ka realizuar me synimin që, pasi të ketë kuruar paraprakisht  “mizansenën”, vendosjen e pozicionit të personazhit, përputhjen e pamjes dhe personalitetit të tij psikologjik, këndin e fotografimit, ndriçimin, sfondin dhe elementët e tjerë kompozicionalë,   duke qëndruar larg kamerës, pra duke mos vështruar në momentin deçiziv të shkrepjes vetëm me syrin e  kufizuar të lentes me diafragmë parciale, ta observojë situatën e fotografimit i distancuar  nga fragmentarizmi dhe të krijojë në lenten e mendjes së tij një pamje më të plotë dhe më objektive. Për këtë arsye, ai i ka ofruar personazhit butonin “magjik” të  shkrepjes në distancë, me qëllim që vetë subjekti ta kryejë këtë autoportret i çliruar nga ”sikleti” i emocionit dhe shtangjes së  imponuar prej pranisë prapa aparatit të fotografit, që, në një farë mënyre, të ngurtëson, të hipnotizon e të bën të ndjehesh jo dinamik, jo vetvetja.

Dhe kjo, jo për koincidencë, por me paramendim   ka ndodhur në serinë e “selfie-ve” të Gjon Milit,  jo me persona të rëndomtë e  rastësore, por me artistë të njohur të skenës, si aktorët Geraldine Fitzgerald, Joyce Reynolds, Lauritz Melchior,  Larraine Day, Michael Kurtiz, Peter Lorre, Van Johnson,  S.Z. Sakall, Robert Alda, etj,.  pasi ata kanë prirjen, intuitën, reflekset por edhe aftësinë e komportimit me inskenimin, si dhe zotërimin e gjestikulacionit facial për t’i lënë “të lirë” të shfaqin vetveten. Andaj edhe këto foto kanë nota të shumta personalizimi,  lirike, larushanie, humori spontan dhe atmosferë shumë optimiste e intime. 

Kjo, mbase, ka qenë edhe arsyeja që në të gjitha  këto autoportrete “selfie”, çelsi i hapjes së diafragmës së aparatit është qëllimisht i dukshëm në dorën e personazhit dhe, ndoshta kjo përbën në këtë set fotografik risinë e pjellorisë mjeshtërore,  diversitetin e madh stilistik e teknologjik të Gjon Milit si fotograf i dimensioneve të paparashikueshme. Këto foto tregojnë se megjithëse teknologjia që ne përdorim sot ka avancuar me ritme eksponenciale, shprehja humane ka ndryshuar shumë pak gjatë kohrave.

Filed Under: Kulture

RRETHANAT HISTORIKO-POLITIKE QË ÇUAN NË THEMELIMIN E LIDHJES SHQIPTARE TË PRIZERENIT MË 10 QERSHOR 1878

June 10, 2025 by s p

Hysen S.Dizdari/

Lidhja Shqiptare e themeluar me 10 Qershor 1878 në qytetin e Prizrenit dhe  është një nga ngjarjet më të shënuara në historinë e Rilindjes Kombëtare Shqiptare të luftës së popullit shqiptar për mbrojtjen e tërësisë tokësore të vendit dhe për çlirim kombëtar.

Me formimin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit populli shqiptar provoi jo vetëm se ekzistonte tanimë si një komb i formuar dhe i bashkuar, por tregoi edhe dëshirën dhe aftësitë e tij luftarake për të mbrojtur paprekshmërinë e trojeve të veta dhe pjekurin politike për të themeluar shtetin e vetë të pamvarur shqiptarë.

Pas Besëlidhjes së Lezhës, të mbajtur më 2 mars 1444 nga Heroi ynë Kombëtar, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, 434 vjet më pas, përbën ngjarjen më madhore në historinë të luftërave për liri e pavarësi dhe për bashkim kombëtar të popullit shqiptarë.

Periudha e veprimtarisë së Lidhjes Prizerenit  si organizatë politike e ushtarake gjatë viteve 1878-1881 dhe roli që ajo luajti në ngritjen e vetëdijes kombëtare, me të drejtë mund të quhet Epoka e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Në mënyrë të veçantë del në pah lufta heroike e armatosur e popullit shqiptar kundër qarqeve shoviniste sllave, të Serbisë e të Malit të Zi për mbrojtjen e viseve shqiptare të Kosoves veri-lindore , të Plavës, të Gucisë, të Hotit, të Grudës, të Kelmendit dhe të qytetit bregdetar të Ulqinit, ku Fuqitë e Mëdha synonin ta shpërblenin Serbinë e Malin e Zi me toka etnike shqiptare.

LIDHJA E PRIZERENIT DHE TRAKTATI I SHËN STEFANIT

Traktati i Paqes ndërmjet Perandorisë Ruse dhe Perandorisë Osmane, i quajtur Traktati i Shën Stefanit, u nënshkrua në Shën Stefan më 3 mars 1878. Sipas këtij Traktati gati gjysma e trojeve shqiptare u jepej shteteve sllave ballkanike. Trojet shqiptare do të copëtoheshin ndërmjet katër shteteve të huaja: Greqisë, Bullgarisë, Serbisë dhe Malit Zi. Bullgaria do të merrte, përveç të tjerash, edhe krahinat shqiptare të Korçës, të Bilishtit, të Pogradecit, të Strugës, të Dibrës, të Kërçovës, të Gostivarit, të Tetovës, të Shkupit, të Kaçanikut etj. Ky traktat e gjymtonte rëndë tërësinë tokësore të Shqipërisë dhe e vështirësonte jashtëzakonisht shumë luftën e popullit tonë për krijimin e shtetit shqiptar. Ndërkaq, në prill 1878, opinioni publik shqiptar u informua nga shtypi ndërkombëtar për kundërshtimin që kishte hasur Traktati i Shën Stefanit nga fuqitë Europiane dhe nga populli shqiptar.

Për hir të së vërtetës, kundërshtim serioz pati vetëm nga dy shtete: nga Anglia dhe nga Austro-Hungaria, të shqetësuara së tepërmi nga rritja e shpejtë e ndikimit të Rusisë në Gadishullin Ballkanik nëpërmjet krijimit të Bullgarisë së Madhe. Për këtë arsye, me këmbënguljen e Fuqive të Mëdha Europiane u vendos që kushtet e përcaktuara në Traktatin e Shën Stefanit të rishikoheshin nga një kongres i posaçëm i Fuqive të Mëdha, i cili, sipas vendimit që u mor më vonë, do të mblidhej në Berlin më 13 qershor 1878.

LIDHJA E PRIZRENIT DHE KONGRESI I BERLINIT

(13 Qershor – 13 Korrik 1878 )

Më 13 qershor të vitit 1878, tri ditë pas themelimit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, u mbajt në Berlin të Gjermanisë Kongresi i Berlinit, i cili mori emrin e vendit ku u mbajt. Kongresin e Berlinit e udhëhoqi kancelari gjerman, Oto Fon Bismarku dhe në të morën pjesë gjashtë Fuqitë e Mëdha të kohës: Anglia, Gjermania, Franca, Austro-Hungaria, Italia dhe Rusia. 

Në Kongresin e Berlinit mori pjesë edhe një delegacion qeveritar i Perandorisë Osmane, por ky delegacion nuk kishte të drejta të barabarta vendimmarrje me përfaqësuesit e gjashtë Fuqive të Mëdha.

Në këtë kongres ishin ftuar edhe delegacione të vendeve ballkanike, por vetëm për të parashtruar kërkesat e tyre politike dhe territoriale. Delegacioni shqiptar i ngarkuar nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit drejtohej nga  patrioti, Avdyl Frashëri.

Ky kongres i nëpërkëmbi dhe nuk i mori parasysh të drejtat e Shqipërisë dhe të kombit shqiptar, paçka se patrioti Abdyl Frashëri u përpoq ta bindte udhëheqësin e Kongresit, Bismarkun, në një takim që pati me të, duke i parashtruar kërkesën që të përfshinte në rendin e ditës edhe çështjen e kombit shqiptar. Por kancelari gjerman nuk e pranoi kërkesën e delegacionit shqiptar . Bismarku duke shkelur hapur të drejtat kombëtare të kombit shqiptarë në këtë kongres u shpreh  në mënyrë brutale ku theksoi: 

“Nuk ekziston Kombi Shqiptar në Gadishullin Ballkanik!”.

Vendimet kryesore të Kongresit kishin qenë të parapërgatitura përmes bisedimeve të fshehta qysh më herët para se  të fillonte punimet Kongresi i Berlinit, paçka se zyrtarisht ky kongres u thirr për të rishikuar Traktatin e Shën Stefanit i cili u nënshkrue me 3 mars 1878, ku Perandoria Ruse i kishte shkëputur  Perandorisë Osmane, 80 % të rajonit të Ballkanit për përfitimet e saj dhe të aleatëve  ballkanikë.

Në  Traktatin i Shën-Stefanit trojet shqiptare do të copëtoheshin ndërmjet katër shteteve të huaja. Perandoria Ruse e gjymtonte kështu rëndë tërësinë tokësore të Shqipërisë dhe e vështirësonte në kulm luftën e popullit shqiptar për krijimin e shtetit kombëtar. 

Kongresi i Berlinit mori vendime të padrejta ndaj popullit shqiptar, duke i copëtuar trojet shqiptare në mënyre të padrejtë, duke i përdorur ato si plaçkë tregu për të realizuar interesat e tyre në Gadishullin Ballkanik.

Ky Kongres nuk mori parasysh kërkesat e drejta të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit  të përfaqësuar nga patrioti Avdyl Frashëri, për realizimin e autonomisë dhe më vonë për shpalljen e pavarësisë nga Perandoria Osmane. Këto vendime të padrejta cenonin rëndë të drejtat dhe interesat kombëtare të popullit shqiptar dhe integritet e tij tokësor. Prandaj Lidhja Shqiptare e Prizrenit ishte e vendosur të mbronte trojet etnike shqiptare dhe të mos i respektonte vendimet e marra në Kongresin e Berlinit.

Ja çfarë shkruan intelektuali dhe patrioti Kostë Çekrezi në veprën e tij “Histori e Shqipërisë” botuar në Boston, 1921, në faqen 190, ai thekson:

“Vetëm kur dëgjuan se Kongresi i Berlinit kishte vendosur të zgjeronte kufijtë e sllavëve e të grekëve me toka shqiptare…. shqiptaret u zgjuan nga gjumi i thellë në të cilin po flinin dhe i ranë mendjes të mbronin të drejtat e tyre”.

LIDHJA E PRIZRENIT DHE VENDIMET HISTORIKE TË SAJ

Lidhja shqiptare e Prizerenit u themelue me 10 Qershor 1878 në qytetin e Prizerenit , i cili ishte deri një vit para qendra e Vilajetit të Kosoves.

Në Prizren u mblodhën 110 delegatë nga të gjitha krahinat e vendit. Ndër figurat më të shquara që merrnin pjesë ishin Abdyl Frashëri, Ali bej Gucia, Iljaz pashë Dibra, Hasan pashë Tetova, Abdulla pashë Dreni, Ymer Prizreni, Ahmet Koronica, Shaban bej Prizreni, Jashar bej Shkupi etj. Në Kuvendin e Përgjithshëm në Prizren kishin ardhur gjithashtu si delegatë nga viset e Bosnjës dhe Hercegovinës. 

Mbledhjen e hapi patrioti dhe atdhetari Avdyl Frashëri, i cili midis të tjerave, tha:

“Qëllimi i Kuvendit është t’ua presim hovin armiqve të pashpirt, duke lidhur besën shqiptare dhe duke u betuar që të mbrojmë me gjak trojet që na kanë lënë gjyshërit dhe stërgjyshërit tanë.”

Disa nga vendimet më të rëndësishme të Lidhje së Prizrenit janë:

1. Të gjitha krahinat shqiptare të bashkohen në një vilajet, me një seli në një qytet, i cili do të jetë i afërt dhe i përshtatshëm për të gjitha viset e tij.
2. Të gjithë nëpunësit që shërbejnë në krahinat shqiptare të Arnautllëkut duhet të dinë edhe gjuhën shqipe.
3. Të përhapet arsimi dhe nëpër shkolla të mësohet gjuha shqipe.
4. Të zbatohen të gjitha vendimet që hyjnë në fuqi lidhur me përmirësimin dhe me interesin e shtetit dhe të kombit të cilat merren nga Kuvendi i Këshillit Qendror, i cili do të mbahet në qendrën e vilajetit, duke e vazhduar punën e vet katërmujore në vit.
5. Të caktohet një sasi e mjaftueshme nga të ardhurat e përgjithshme të vilajetit, e cila të përdoret për zhvillimin e arsimit dhe ndërtimin publik.

———————————————————————————————–

Me rastin e 147-vjetorit të Lidhjes së Prizrenit, përshendeti vëllezërve shqiptarë kudo nëpër botë poezinë e poetit shkodran të Rilindjes Kombëtare Shqiptare,Filip Shiroka.

———————————————————————————————–

KOMBIT TONË

Vimë nga pellazgët, njerëz të lavduem

Ç’në kohët e vjetra të njerzisë

Jemi t’permendur e të nderuem

Ç’në kohë të moçme të histories

Komb kreshnik jemi, jemi ushtarë

Kemi luftue trimnisht gjithmonë

Nga shqypja kemi emrin Shqyptar

Me shqype kemi flamurin tonë.

Çoni prej gjumit, birt e Kastriotit,

Se robnia është turp për trimin

Çoniu bre burra, për emën t’Zotit,

Nër male e n’fusha qitni kushtrimin!

Çoniu sokola, çouni nji herë,

Ҫohu, njeshi armët burri i Shqypnisë,

Përpara botës s’ka robi nderë

Turp asht për trimin zgjedha e robnisë!

FILIP SHIROKA 

Filed Under: Histori

Përballë një bote në ndryshim…

June 10, 2025 by s p

Prof.Asc.Dr.Gëzim MUSTAFAJ/

Ndërsa të gjithë prisnin që shekulli i 21-të të fillonte me një botë edhe më të qetë, në realitet nuk po ndodh kështu. Konfliktet Rusi-Ukrainë, në Ballkan, në Lindjen e Mesme, në Azin Lindore, ringjallja e nacionalizmave të vjeter, e kanë trazuar përsëri gjeopolitiken globale. Kohët e fundit ka shumë zëra që mendojn se është zbehur dominimi Amerikan në Europë dhe më gjërë. Edhe nëse Evropa kërkon të krijojë koalicione në formën e “partneriteteve strategjike” me fuqi të tjera si Rusia, Japonia, Kina, Kanadaja apo India, siç theksohet në ‘Strategjinë e Sigurimit Evropian”, për të vënë nën kontroll fuqinë amerikane, një gjë e tillë nuk ka gjasa të ketë sukses, por edhe nëse ndodh, do jetë shumë e përkohëshme. Përvoja historike na mëson se marredhëniet e krijuara vetëm mbi bazën e interesave të rastit mbeten të dobëta, ndërsa marredhëniet që ngrihen mbi bazën e interesave dhe vlerave të përbashkëta kanë rrënjë të thella dhe jetojnë gjatë. Zgjedhjet në SHBA ishin një test shumë i fuqishem për të ardhmen e Europës dhe Botës dhe në realitet e kanë trazuar shumë atë me ardhjen e Trump në krye të SHBA-së. Dominimi Amerikan ka qënë dhe do të jetë detriminantë sado që në perjudha të vogla mund të pësojë luhatje. Amerika ka ditur të ngrihet edhe në perjudha më të veshtira për të qënë lider botrorë. Shtetet e Bashkuara kanë nevojë për një Evropë të Bashkuar, të fortë dhe të vendosur, që të sakrifikojë në mbrojtje të interesave të përbashkëta transatlantike. Në këtë aleancë, Amerikën nuk e shqetëson fakti që Evropa është e forte, përkundrazi, Amerikën e shqetëson fakti që Evropa është e dobët. Në këto rrethana, në një botë që është bërë më e rrezikshme, skenari dhe frika e një Lufte të Tretë Botërore po zë vënd gjithnjë e më shumë në mendjet e shumë njerëzve. Në fillim të këtij viti, Sekretari i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar paralajmëroi se në pesë vitet e ardhshme bota mund të përfshihet nga luftërat që do kenë në qëndër Kinën, Rusinë, Korenë e Veriut dhe Iranin dhe se ne po lëvizim “nga një botë e pasluftës në atë të paraluftës”. 

Pavarësisht premtimeve për mbështetjen nga Perëndimit, Rusia ngadalë po fiton terren në Ukrainë. Aleatët perëndimorë po dështojnë të ofrojnë armë dhe municione që i nevojiten ushtrisë ukrainase, duke çuar në një tërheqje pothuajse të pashmangshme nëse nuk ndryshon ekuilibri i forcës ushtarake në terren.Ky sukses në Ukrainë mund të inkurajojë presidentin rus të testojë forcën e aleancës së NATO-s duke sulmuar pse jo një shtet anëtar të aleances. Kjo do të krijonte një luftë të drejtpërdrejtë midis Moskës e mbështetur nga Irani, Koreja e Veriut dhe gjithashtu me ndihmën e Kinës, kundër aleancës së NATO-s. Kjo lëvizje mund të fusë edhe Azinë në konflikt. 

Nëse Izraeli vazhdon të hakmerret, kriza nuk mund të frenohet sepse sa herë që ndërmerren veprime ushtarake qofshin këto edhe të kufizuara, rreziku i gabimit do të sjell përshkallëzim të pakontrolluar të luftës, siç po ndodh me vrasjen e shumë fëmijëve dhe civil të pafajshem. Nga ana tjetër një vendim i Iranit për të lëshuar breshëri raketash dhe dronësh kundër Izraelit rrit rrezikun edhe më shumë. Izraeli po kundërpërgjigjet, pamvarsisht se është zotuar për vetëpërmbajtjetë dhe se komuniteti ndërkombtarë përfshirë Britaninë e Madhe dhe SHBA-në, po bëjnë thirrje për një gjë të till. Kjo do të ketë patjetër një ndikim global, sepse Irani mbështetet nga Rusia dhe ka lidhje të ngushta me Kinën, ndërsa aleatët më të fortë të Izraelit të udhëhequr nga SHBA-ja janë kryesisht kombe perëndimore.Ky konflikt i mundshëm midis Iranit dhe Izraelit ka potencialin të kthehet në një vatër zjarri të madhe ushtarake në Lindjen e Mesme, pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës me siguri do të rreshtohet nga ana e Izraelit përfshi edhe vendet e tjera perëndimore.

Një tjetër vatër e nxeht për një përballje ndërkombëtare është në Azin Lindore. Ambiciet e Kinës për të kontrolluar Tajvanin, të cilin e konsideron territor të saj, dhe mbështetja e SHBA-së për qeverinë e Tajvanit po krijojnë një tension të vazhdueshëm. Nëse Kina vendos të ndërmarrë një operacion ushtarak për të marrë nën kontroll ishullin, mund të përfshihet në një konflikt të drejtpërdrejtë me SHBA-në dhe aleatët e saj rajonalë, duke përfshirë Japoninë dhe Korenë e Jugut.

Përveç këtyre konflikteve të hapura, tendencat në rritje tek kthimi i nacionalizmit të vjetër po ndjehen gjithnjë e më shumë dhe po rritin pasigurin dhe tensionet globale. Në shumë vende, përfshirë SHBA-në, Evropën, dhe pjesë të Azisë, partitë dhe liderët populistë po ndjekin politika të izoluara, shpesh duke krijuar ndasi më të mëdha ndërkombëtare. Zhvillimet e tilla kanë tendencën të dobësojnë aleancat dhe bashkëpunimin global, duke i lënë hapësirë konflikteve të reja. Ballkani ku pjes e saj është edhe kombi ynë, ka qënë dhe mbetet një vatër e nxehtë nacionalizmi që padyshim do ketë pasoja edhe për vëndin tonë me një Serbi të gatëshme për destabilizim të situatës.

Në të njëjten kohë nuk mund të injorohet rreziku i përhapjes së armëve bërthamore. Rusia dhe SHBA zotërojnë arsenale bërthamore të mëdha, dhe deklaratat e Putinit për përdorimin e tyre nëse ndjen se vendi është në rrezik, kanë rritur ndjeshëm shqetësimet globale. Për më tepër, Irani po avancon programin e tij të pasurimit të uraniumit, duke ngritur frikën se mund të zhvillojë armë bërthamore. Pa dyshim një ndër shqetësimet më të mëdha për përdorimin e armëve bërthamore vjen nga mungesa e mekanizmave të besueshëm për kontrollin e tyre, pasi disa marrëveshje ndërkombëtare për reduktimin e tyre janë shpërbërë gjatë viteve të fundit. 

Në politikat e veta të sigurisë NATO ka pasur tre detyra themelore kyçe, të cilat janë: mbrojtja kolektive, menaxhimi i krizave dhe bashkëpunimi në fushën e sigurisë. Duke parë me vëmendje këto, shohim se ato mbrojnë një spektër të gjerë të fushës së sigurisë dhe mbrojtjes. Përpunimi i tyre dhe zbatimi në praktikë, si nga NATO ashtu edhe nga vendet anëtare të saj, mundëson harmonizimin e përpjekjeve për rritjen e sigurisë dhe mbrojtjes së Aleancës dhe përparimin e interesave kombëtare të secilit vend dhe më gjërë. Mbrojtja kolektive është një nga detyrat thelbësore, e çimentuar në Traktatin e Uashingtonit dhe që mbetet baza e Aleancës së NATO-s. Konsiderimi i sulmit ndaj cilitdo anëtari të NATO-s si sulm ndaj Aleancës, siguron unitetin e përpjekjeve të të gjithë anëtarëve përballë kërcënimeve apo sulmeve të mundshme nga kundërshtarët e vet. Për të rritur këto kapacitete, Presidenti amerikan, Donald Trump, ka bërë thirrje këtë vit që anëtarët e NATO-s të rrisin shpenzimet për mbrojtje nga 2 në 5 për qind të prodhimit të brendshëm (GDP). Ministri gjerman i Mbrojtjes tha këtë të enjte se 50.000 deri në 60.000 ushtarë të rinj do të nevojiten në vitet në vijim për t’i përmbushur nevojat e NATO-s për mbrojtje. Theksojm se vitin e kaluar gjermania kishte mbi 180.000 ushtarë dhe synimi është që kjo shifër të rritet në 203.000 deri në vitin 2031.

Pyetja që vjen menjëherë në mëndje referuar këtyre tensioneve në rritje është;A ekziston vërtetë rreziku që bota të përfshihet në një Luftë të Tretë Botërore? Ndërsa ekspertët e sigurisë janë të ndarë në pikëpamjet e tyre për mundësinë e një lufte të till, shumë prej tyre pranojnë se boten e mbajnë në ekuilibër shumë faktorë të brishtë. Mungesa e dialogut të vërtetë mes fuqive të mëdha, si dhe ngritja e tensioneve rajonale në disa pjesë të globit, rrisin shqetësimet. Po ndërsa mundësia e një konflikti global të armatosur mund të duket e largët, tensionet janë shumë të larta dhe luftërat lokale që gjithnjë e më shumë po dalin jashtë kontrollit mund të jenë premisa për një konflikt më të gjerë, pasi edhe fuqitë globale po ecin në një terren shumë të rrezikshëm dhe një gabim i vetëm mund të çojë në një konflikt edhe më të madh.

New York, 9 Qershor 2025

Filed Under: Emigracion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 297
  • 298
  • 299
  • 300
  • 301
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT