• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Shqiptarizmi si themeli i një të djathte të re në Shqipëri e ndër shqiptarët kudo!

October 6, 2025 by s p

Nga Arian Galdini/

Shqiptarizmi është frymë që mban tokën gjallë dhe dritë që ngjit rrënjët lart. Në këtë bosht ngrihet e djathta e re, etikë dinjiteti, program punësh të mira, sovranitet kulturor që e lidh Shqipërinë me Evropën duke ruajtur gjuhën, kujtesën, besimin. Fjala kthehet në veprim. Kujtesa kthehet në rend. Identiteti kthehet në zhvillim. Dinjiteti si kontratë e re shoqërore. Qytetari kërkon të shihet, të dëgjohet, të vlerësohet. Francis Fukuyama e përkufizon këtë si kërkesën themelore të epokës sonë, dinjiteti si bërthamë e politikës që funksionon. E djathta e re e shkruan në nenin e parë, ligji mbron lirinë, institucioni respekton njeriun, politika shërben me fjalë të thjeshta dhe të vërteta. (Fukuyama, 2018)

Shteti-komb si kornizë lirie. Kujtesa e përbashkët i jep hapësirës politike busull dhe kraharor. Yoram Hazony e sheh pluralitetin e kombeve të lira si burim kapitali moral dhe stabiliteti. Integrimi europian rrit peshën e shtetit-komb kur ai ngrihet mbi drejtësi të besueshme, gjuhë të pastër dhe besë qytetare. Identiteti orientohet drejt bashkëpunimit. (Hazony, 2018). Nga meritokracia e ftohtë te dinjiteti i punës. Michael Sandel paralajmëron, rendi publik humbet shpirtin kur suksesi bëhet moral i fitimtarëve, ndërsa dështimi rëndohet si faj. E djathta e re vendos dinjitetin e punës në qendër, përpjekja shpërblehet, shkolla hap udhë, tregu njeh meritën, shoqëria e shndërron në të mirë të përbashkët. (Sandel, 2020)

Etika e Shqiptarizmit Performues (EShP).

Këtu vendoset nënshkrimi ynë teorik. Shqiptarizmi kthehet performues kur hija e fjalës bie mbi tokën e veprës. Tri shtylla e mbajnë: Dinjitet në shërbim, rregulla që flasin vetë, matje që shndërrojnë dritën në shifër, libra që hapen si dritare. Punë të mira, paga e lidhur me produktivitetin, aftësi që rriten bashkë me firmat, prona që respekton fytyrën e punëtorit. Kulturë që eksporton, gjuhë, art, kuzhinë, shërbime krijuese, identiteti si avantazh ekonomik.

Programi i punëve të mira. Dani Rodrik flet për një industrializëm të ri, politika vend-për-vend, klastra prodhimi, bashkë-investime, arsim profesional të lidhur me ekonominë reale. Kjo metodë shndërrohet natyrshëm në EShP (Etika e Shqiptarizmit Performues), turizëm me standard dhe fisnikëri, agropërpunim me markë të besueshme, industri kulturore që ngre vlerën e vendit, teknologji që i jep krah punës. (Rodrik, 2022–2023; Juhász et al., 2023/24)

Teknologjia si krah i njeriut.

Epoka digjitale merr kuptim kur makineritë zgjerojnë horizontin njerëzor. Daron Acemoglu dhe Simon Johnson theksojnë modele inovacioni që forcojnë aftësitë dhe shpërndajnë përfitimet gjerësisht. E djathta e re zgjedh inovacion që fisnikëron punën dhe krijon vendoste me vlerë të shtuar. (Acemoglu & Johnson, 2023)

Besimi si valuta e shtetit.

OECD e mat qartë, aty ku qytetari beson, politikat gjejnë udhë më të drejtë dhe zbatimi merr ritëm. Besimi ndërtohet me shërbim që respekton dinjitetin, procedura të arsyeshme, të dhëna të hapura, drejtësi që ndriçon. EShP (Etika e Shqiptarizmit Performues) e përkthen në praktikë të përditshme, radhë të pakta, përgjigje të shpejta, gjuhë të kthjellët. (OECD, 2024)

Ekonomi që flet gjuhën e vendit. Banka Botërore kërkon lidhje tregjesh, konkurrueshmëri reale, reforma të besueshme në Ballkanin Perëndimor. E djathta e re e kthen në hartë që flet shqip, rrugë që lidhin tregtinë me jetën, standarde që hapin dyer, administratë digjitale që kursen kohë dhe nerva, eksport identiteti që jep fytyrë në tregjet e mëdha. (World Bank, 2024–2025)

Antidot ndaj polarizimit. Pippa Norris dhe Ronald Inglehart tregojnë se shoqëritë humbasin qetësinë kur rrëfimi i përbashkët zbehet.
Shqiptarizmi e ringjall rrëfimin me dinjitet të ndërsjellë, feja si burim mirësie, tradita si urë, e vërteta si mjet shërbimi. Rituali i besës kthehet në standard politik, fjala e dhënë mban barrën e shtetit. (Norris & Inglehart, 2019/2022)

Autoktonia që hap krahët.

Fishta i fali lavdisë gjuhë, Konica i fali kritikës elegancë, Pashko Vasa i fali bashkimit shkallën e lartë, Bogdani i fali arsyes dritë shpirtërore. Kulla e fjalës që ata ngritën rri e fortë edhe sot, lahuta e vlerave, urat e kujtesës, trojet e mendimit. E djathta e re ecën mbi këtë dysheme dhe hap dritaret, kultura frymon, ekonomia flet, shteti shërben. Tri fjalë e mbajnë këtë projekt, Dinjitet, Punë, Besim.
Dinjitet si busull e kontratës politike. Punë të mira si strategji zhvillimi dhe si politikë e vetërespektit. Besim si valuta e rendit të drejtë. Shqiptarizmi i shpie këto në simfoni, rrënjë që mbajnë kombin, degë që prekin dritën, frymë që e kthen dritën në bukë, ditën në drejtësi, punën në shpresë. Shqiptarizmi është fryma që nuk shitet as kur tregu tundon, as kur frika errëson. Shqiptarizmi është ura që e çon vendin përtej mjegullës së tranzicionit.
Shqiptarizmi është etika e veprimit të përditshëm.

Filed Under: Komente

Sulejman Delvina, në 154 vjetorin e lindjes…

October 6, 2025 by s p

Bujar Leskaj/

154 vite më parë, më 5 tetor të vitit 1871 në Delvinë lindi patrioti, atdhetari, mësuesi, politikani, Sulejman Delvina.

Është bir i brezit të fundit të artë, që nxori Rilindja jonë Kombëtare në fund të shekullit XIX dhe në fillim të shekullit XX në Shqipëri.

Sulejman Delvina qëndron pas Ismail Qemalit si një hallkë lidhëse që bashkon një grup burrash që personifikojnë historinë moderne të Shqipërisë.

Qeveria e Sulejman Delvinës, dalë nga Kongresi i Lushnjes drejtonte në atë kohë pjesën më të madhe të Shqipërisë vendosi marrëdhënie diplomatike me shumë shtete të huaja, me kushtin kryesor “Respektimin e tërësisë territoriale të Shqipërisë.”

Kryevepra politike e Sulejman Delvinës në histori do të mbetet Lufta e Vlorës kundër Italisë në 1920, ku “Komiteti për Mbrojtjen e Vlorës drejtuar nga patrioti vlonjat Osman Haxhiu e një masë e stërmadhe luftëtarësh, te fshatarët e Labërisë e te vullnetarët e krejt Shqipërisë gjetën një mbështetje të fortë tek qeveria e Tiranës drejtuar prej tij.

Në moshën 37 vjeç Sulejman Delvina u emërua Ministër i Brendshëm, 11 korrik 1921 deri më 16 tetor 1921.

Mori pjesë në revolucionin e qershorit 1924 dhe në qeverinë e kryesuar nga Fan Noli u emërua ministër i Punëve të Jashtme për periudhën nga 16 qershor 1924 – 23 dhjetor 1924. Pas dështimit të Revolucionit të Qershorit, Sulejman Delvina u largua nga Shqipëria dhe u end për disa vite në Evropë si emigrant politik.

Ndërron jetë në Vlorë në 1 gusht 1933.

Filed Under: Opinion

KUR PUSHTETI VRET DIJEN…

October 6, 2025 by s p

Prof. As.Dr. Gelanda SHKURTAJ/

Sokrati u vra nga athinasit sepse mësonte të rinjtë të arsyetonin pa u ndikuar politikisht. Giordano Bruno u dogj i gjallë nga inkuizicioni romak, i stigmatizur si heretik ndaj doktrinave të kishës. Ndërkohë, Thomas More u sakrifikua për mosnjohjen e Henrikut të VIII-të si kryetar të Kishës angleze. Shtetet në përpjekjen e tyre sekulariste, nuk i vranë më intelektualët për herezi, por për mosnënshtrim politik, domethënë ndryshuan kahjen e pushtetit. Kështu, klerikun erudit Shtjefën Gjeçovi e vranë serbët, politikanin Hasan Prishtina e vranë në Selanik poaq për bindje, për të ardhur në kohët moderne tek Toto, Kokalari, Kasimati, Blloshmi e për të gjetur të njëjtën vulë vrastare. Rrugëtimi historik mëson se dija vritet nga pushteti, qoftë politik apo ai fetar, me qëllimin e vetëm për ta kontrolluar atë. Koha mbi tokë, njeh një tjetër betejë humbëse të njeriut, atë të instiktit shtazor për dominimin fizik, ku ai nxjerrë muskujt, dhëmbët, bombat dhe raketat për të vrarë veten. E të mendosh që sapiensi (i dituri) është forma më e lartë e zinxhirit evolutiv të species sonë, të paktën derimë tani.

Në kohët moderne pushteti politik, në të njëjtën luftë ka sofistikuar vetëm mjetet, aspak qëllimin për ta kontrolluar dijen. Prifti erudit, Erasmus, kurrë nuk do të imagjinonte se emri i tij sot, do të përkufizonte një ndër programet më të mëdha të shkëmbimit në Europë, i cili i kthyer në një “turizëm akademik” ka bërë gjithçka, përveçse përmbushjen e misionit për të çuar dijen përpara. Politikat globaliste në arsim, kanë krijuar një panoramë të njëjtë gati në të gjithë kontinentin e ku, edhe trashëgimia shekullore e dijes, duket se po ruhet me fanatizëm vetëm në Europën jo-kontinentale. Detyrimi për të publikuar në të njëjtat revista akademike dhe të kontrolluara nga i njëjti burim, unifikimi i dëmshëm i curriculave (programeve shkollore), qarkullimi i kapitalit intelektual duke humbur markën e autenticitetit, janë disa prej tyre. Kthimi i muzikës dhe i fiskulturës në Universitet, ku një matematicien do të quhet poaq profesor sa profesori i gajdes, sparkatës apo shtangës, sfazojnë edhe fantazinë më inkurajuese.

Arsimi dhe edukimi në Shqipëri

E ndarë tanimë historia moderne e Shqipërisë, para dhe pas komunizmit, vlen një reflektim i përkorë mbi atë çfarë kishim, ku jemi dhe çfarë do të bëjmë. Duke u zhveshur nga çdolloj qëllimi dhe qëndrimi politik, arsimi i para ‘90-ës, investoi një seriozitet në programet shkollore, të cilit nuk i është rikthyer asnjë model tjetër. Me ndryshimet politike, të gjitha reformat të trumpetuara majtas apo djathtas në sistemin arsimor kanë përfunduar në dy rezultate: pedagogji të dështuar dhe nxënës të pa-nxënë. Mund të analizohen një gamë faktorësh, duke nisur që nga spastrimet dhe emërimet politike e duke shkuar deri tek nivelet e mësimdhënies, curriculat, hapjen e shkollave private e shumë të tjera. Përmenden gjithaq: cilësia, infrastruktura, meritokracia, korrupsioni, plagjarizmi, por të gjitha argumentet, tingëllojnë si simpoziumi i një OJF-je me paratë e BE-së, ku në përfundim të gjithë pasi kanë ngrënë dhe pirë, kanë marrë një çertifikatë dhe mirupafshim.

Sado i analizuar secili argument, çështjet duken të futura në një rreth vicioz, ku përse-ja nuk gjen terren e ku kapja e fillit bëhet shumë e vështirë. Kësisoj, analiza shkon tek e vetmja e dhënë objektive: ndërprerja me thikë e një tradite, ku asnjëherë nuk ka marrë përgjigje racionale pyetja përse e abandonuam trashëgiminë shkollore?. Mos nuk shkonin mirë tekstet apo mësuesit? Për mos t’u bërë më katolikë se Papa, se qëllimi ishte spastrimi doktrinës, që as këtë nuk e bëmë në tekstet historike, rrugët e arsyetimit të çojnë të gjitha tek ndryshimi i formës për të mbërritur tek thelbi: paraja (!). Përse u zëvendësuan tekstet shkollore që nxorrën plejada intelektualësh, me programe që barazojnë studentin e fakultetit me nxënësin e klasës së pestë? Afërmendsh përgjigja shkon te mënyra operative ku në emër të inovacionit, ose u bënë libra të rinj aspak profesional, ose u kopjuan tekste të huaja dhe u botuan në shtëpi të preferuara botuese.

Nëse ishte cilësia e mësimdhënies, edhe këtu tradita shqiptare njohu një përshkallëzim të ecurisë, sa koherente aq edhe funksionale. Nuk kishte absurde ku nxënësi i tetës në gjimnaz të dilte me dhjeta në fakultet e aq më keq nga pesa e gjimnazit të shkohej te dhjeta e fakultetit, siç rëndom po ndodh sot. Degët e fakultetit të shkencave të natyrës, po rrezikojnë mbylljen përfundimtare, pasi nuk kanë më rregjistrime. Shqipëria do të kthehet në arsimin e ‘45-ës, ku kërkesa për mësues do bëj që gjithkush jashtë profesionit, të jap mësim. Kjo ngjan me emërimet e komisarëve politikë në ushtri, ku strategët muratorë mësonin ushtarakët e karrierës. “Shpullën” apo ballafaqim e dijes së marrë në arsimin e mesëm, në një vend normal, do ta jepte cikli më i lartë studimor, ose universiteti.

Universitetet si prodhuesit dhe mburojat e mosdijes

Mbërritja në universitet përfaqësonte momentin kulmor të ëndrrës dhe hapin e parë drejt jetës profesionale. Perzgjedhja kishte një kriter dhe ai quhej vlerësimi akademik. Ndarjen e kufirit e kushtëzonin dy faktorë: së pari cilësia e pregatitjes, së dyti mbajtja hapur e tregut të punës. Kjo ndarje llogjike, që përkon edhe me tregun ndërkombëtar, do të thotë se universiteti nuk është e vetmja alternativë, por një dëshirë e atyre që duan ose jetën akademike, ose ato profesione që kërkojnë domosdoshmërisht kalimin nëpërmjet tij. Bashkëekzistenca e disa faktorëve njëkohësisht: mungesa e tregut të punës, hapja e universiteteve private (pa i përgjithësuar), lehtësimi i marrjes së titujve dhe gradave shkencore, si edhe shpërblimi i diferencuar i titujve në administratë publike, bënë që prej të paktën dy dekadave arsimi dhe edukimi të ketë marrë pikjatën pa kthim drejt fundit. Mospasja e punës, në njëfarë mënyre favorizoi mbushjen e universiteteve publike dhe private, ku shumë të rinj, të padëshiruar për të vijuar studimet, por poaq të pamundur për të punuar, të vihen përballë alternativës “boll të kem një diplomë në xhep”.

Kujtoj vite më parë, një student në dërrasë të zezë nuk dinte të shkruante zero-t pas shifrës tre milionë. Pyetjes se përse kishte ardhur në universitet iu përgjigj tekstualisht: “m’ka thon plaku sa t’rrish n’shpi mo mir shko n’universitet”.

Hapja e universiteteve private në format tregtare “fitimprurëse” ishte një gozhdë tjetër në arkivolin e arsimit. Jo më kot universitetet më prestigjoze në botë, formulën private e kanë nën logon “jo-fitim prurëse”, që do të thotë se fitimet investohen po prap brenda universitetit në kapacitete dhe burime, dhe jo duke i çuar ato në xhepat e ortakëve themelues të tij. Diferencimi i pagave në administratë sipas titullit, gjë e cila në risi’ nuk kishte asnjë të keqe, në mentalitetin shqiptar u përkthye në një maratonë kush të merrte dyzetëmijë lekë më shumë. Te përkrahur nga ato universitetet private ku legjendat flasin edhe për gjashtëqind doktoratura të lëshuara në një ditë, arsimi nuk mund të mos marrë vulën e turpit, si ura për ngritjen e injorancës në kult.

Shqipëria dhe universitet ndërkombëtare

Në qerthullin e debatit, qëndrojnë titujt dhe profesorati, që si askurrë në historinë e Shqipërisë, fjala pedagog nuk ka mbartur mosbesim dhe krenari boshe njëkohësisht. Lehtësimi apo blerja e titujve akademikë është kangrena që do të kërkojë dekada të largohet nga trupi i arsimit. Ngelur tek tradita se ky profesion meritohej nga më të lexuarit, të gjendur në kohën kur tekste universitare nuk kishte, të favorizuar nga konteksti i mbingarkimit të universiteteve për arsyet më lart, çoi në një kërkesë edhe për rritjen e profesoratit. Problemi që pasoi ishte se kush e përfaqësoi këtë profesorat. Koha tregoi një eksponenicale të këtij numri, por arsyet se përse një ditë krejt papritur në Shqipëri, cilido u kap tek moda e profesoratit, do vinin në vështirësi çdo antropolog. Me shumë gjasë dhe hamendësim qëllimi fle te ambicia shqiptare për dukje dhe ofiqe. Tek e fundit çfarë do kushtonte që pas vilës në rroling-hills, makinës më të fundit, orës gjithashtu, pak dinjitet në lagje, facebook dhe shoqëri, do e rriste vetëm emri i munguar si pedagogë. Letra e lakmuesit që ndan profesorin idealist të dijes nga pragmatisti megalloman, shënon po ato, paranë dhe boshllëkun.

Krijimi i alternativave të punësimit tashmë me projekte të subvencionuara apo biznese të vetëfinancuara; ngritja e kritereve sidomos të moshës dhe karrierës profesionale për marrjen e titujve akademikë; përcaktimi me ligj i universiteteve privatë nën formulën ”jo fitim prurëse”; heqja e diferencimit në pagë për administratën publike sipas titujve shkencorë; si dhe rishikimi i programeve studimore nga klasa e parë tek universiteti, qoftë edhe duke kthyer kokë pas, janë disa nga faktorët që mund të japin pak dritë brenda tunelit të errët të arsimit. Ndërkohë përsa i përket alternativës së universiteteve ndërkombëtare në Shqipëri, në kohën kur asnjë gjë nuk bën përshtypje, dhe ku, suaza e globalizmit ka ulur shumë barriera parimore dhe shkencore, nuk do të ishte e pamundur që një syresh i tillë, ta shihnim një ditë edhe në Shipëri. Problemi është nëse Shqipëria efektivisht pëmbush kushtet akademike dhe kriteret shkencore për të huajt, e këtu spekullimi vjen natyrshëm tek emërtimi. Ndofta mballoma “Universiteti i punëve të kota” nuk do njihte, pa as më të voglin dyshim, krizën e regjistrimeve.

Filed Under: Opinion

BALLKANI NDËRMJET STABILITETIT DHE SHPËRTHIMIT

October 6, 2025 by s p

Ballkani sot është si një urë mbi humnerë, që mbahet mbi tri shtylla: Dejtonin, rendin kushtetues të Kosovës dhe Marrëveshjen e Ohrit. Po të thyhet njëra, ura bie, dhe bashkë me të bie arkitektura e paqes. Ky është momenti i fundit për të zgjedhur mes indiferencës që sjell tragjedi dhe veprimit që mbron stabilitetin. Historia nuk fal ata që nuk mësojnë: hija e viteve ’90 po troket sërish në dyert tona.

Nga Prof. dr. Skënder ASANI

Ballkani po hyn përsëri në një stinë të rrezikshme, ku hija e së kaluarës po tenton të mbulojë të tashmen dhe të ardhmen e rajonit. Nëpërmjet strategjive të mirëkoordinuara, projektet hegjemoniste, që dikur e çuan në shpërbërje të përgjakshme në ish-Jugosllavinë, po ringjallen nën petkun e të ashtuquajturës “botë serbe”. Nga sulmi paramilitar në Banjskë të Kosovës, tek retorikat e përditshme secesioniste në Bosnje e Hercegovinë, e deri te përpjekjet e sofistikuara për ta relativizuar Marrëveshjen e Ohrit në Maqedoninë e Veriut, po shfaqet një linjë e qartë veprimi: hapja e krizave paralele për të minuar themelet e shteteve multietnike dhe për të shkatërruar arkitekturën e stabilitetit ballkanik.

Historia e viteve ’90 është një paralajmërim i gjallë. Atëherë, vonesat në reagim, indiferenca dhe mungesa e vendosmërisë ndërkombëtare u paguan me gjak, gjenocid dhe shpërngulje biblike popullsish. Luftërat nuk u ndalën nga apeli moral, por vetëm pasi pasojat kishin arritur dimensione të pariparueshme. Vetëm pas Dejtonit (1995), ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë (1999) dhe Marrëveshjes së Ohrit (2001), Ballkani u ngrit mbi tri shtylla të reja, të brishta, por të domosdoshme, mbi të cilat u vendos rendi i ri i paqes. Sot, këto tri shtylla janë nën goditje të sinkronizuara. Bosnja kërcënohet nga retorika që përgatit terrenin për ndarje, Kosova ballafaqohet me tentativa për destabilizim dhe delegjitimim të sovranitetit, ndërsa në Maqedoninë e Veriut, Marrëveshja e Ohrit po sfidohet në vetë thelbin e saj.

Retorika e fundit e Beogradit, e paraqitur si paralajmërim për “rrezikun e luftës”, fsheh një strategji të sofistikuar për të devijuar vëmendjen nga krizat e brendshme dhe për të manipuluar klimën politike rajonale. Pas dështimeve të dukshme në Bosnje dhe Banjskë, fokusi është zhvendosur drejt Maqedonisë së Veriut, ku instrumentalizimi i ndasive të brendshme dhe politikat antishqiptare janë bërë mjet për të eliminuar subjektin politik shqiptar që buron nga Marrëveshja e Ohrit. Ngadhnjimi ose dështimi i këtij projekti, sipas intensitetit të investimit të padronit të botës serbe dhe retorikës manipulatore të kryeministrit maqedonas, do të varet drejtpërdrejt nga rezultati i zgjedhjeve lokale të tetorit, të cilat për llogaritë e Beogradit janë shndërruar në një provë për konfigurimin e ardhshëm të balancave politike në rajon. Kjo strategji, e mbështetur mbi narrativën e frikës dhe tensioneve ndëretnike, synon të bartë krizën drejt Kosovës, Bosnjës dhe më gjerë, duke krijuar terren për destabilizim të kontrolluar që prodhon kaos dhe varësi politike.

Në këtë rrethana, Ballkani nuk duhet parë si një krizë periferike, e kufizuar në margjinat e kontinentit. Ai është pjesë integrale e një tabloje gjeopolitike globale. Agresioni rus në Ukrainë sfidon rendin ndërkombëtar dhe parimin e sovranitetit; konfliktet e ndezura në Lindjen e Mesme po konsumojnë vëmendjen e fuqive të mëdha. Pikërisht në këtë moment shpërqendrimi strategjik, projekti i “botës serbe” kërkon të avancojë. Nuk është rastësi që skenarët destabilizues në Kosovë, Bosnje dhe Maqedoni zhvillohen paralelisht, duke ndjekur të njëjtat modele: përdorimin e paramilitarëve, sulmin ndaj marrëveshjeve ndërkombëtare dhe nxitjen e narrativave nacionaliste të dhunshme.

Marrëveshja e Ohrit nuk është një dokument i zakonshëm politik, por një kontratë themelore mbi të cilën u rindërtua paqja, u garantua barazia ndëretnike dhe u rivendos rendi kushtetues i Maqedonisë së Veriut. Çdo tentim për ta relativizuar ose për ta zhbërë nuk është një çështje e brendshme, por një sulm ndaj arkitekturës së stabilitetit ballkanik. Nëse bie kjo marrëveshje, pasojat nuk do të kufizohen vetëm në Shkup: ato do të përhapen si efekt domino në gjithë rajonin, duke rrezikuar që kufijtë, identitetet dhe sovranitetet të kontestohen sërish me gjuhën e dhunës.

Ky paralajmërim është preventiv dhe strategjik: vetëm një unitet unifikues i subjekteve shqiptare, i qëndrueshëm, koherent dhe vizionar, mund të neutralizojë këto prirje dhe të parandalojë realizimin e projekteve të paralajmëruara. Vetëm përmes këtij uniteti mund të mbrohet stabiliteti, paqja dhe ekuilibri politik i rajonit, të garantohet sovraniteti dhe e drejta kolektive e komunitetit shqiptar, duke i kthyer në dështim të plotë çdo tentativë të jashtme për fragmentim e destabilizim. Ky është një sinjal preventiv ndaj atyre që besojnë se ndarjet dhe përçarjet mund të prodhojnë kontroll sepse historia ka dëshmuar se vetëm bashkimi strategjik shqiptar është ai që përcakton ekuilibrin e paqes dhe kufizon çdo projekt që rrezikon arkitekturën politike të rajonit.

E përbashkëta e këtyre tri pikave të tensionit është e qartë: në shënjestër është rendi kushtetues dhe marrëveshjet ndërkombëtare që ndërtuan paqen. Nëse shembet njëra prej këtyre shtyllave Dejtoni në Bosnje, sovraniteti i Kosovës apo Marrëveshja e Ohrit do të shembet e gjithë ura mbi të cilën qëndron paqja në Ballkan. Dhe një herë që ura bie, ajo nuk shembet vetëm për një vend, por për të gjithë rajonin.

Prandaj, ky nuk është thjesht një apel akademik, por një thirrje urgjente për veprim preventiv dhe të koordinuar.

Nuk duhet lejuar që Ballkani të shndërrohet sërish në një vatër krize që thith energjitë e diplomacisë ndërkombëtare dhe konsumon gjakun e popujve të tij. Mbrojtja e Marrëveshjes së Ohrit, ruajtja e rendit kushtetues të Kosovës dhe garantimi i integritetit të Bosnjes nuk janë çështje lokale, por interesa strategjike të rendit evropian dhe ndërkombëtar. Nëse këto themele shemben, Evropa nuk do të përballet vetëm me një krizë rajonale, por me një plagë të re të gjeopolitikës globale, ku forcat e destabilizimit do të kenë fituar terren mbi paqen.

Ballkani sot është si një urë mbi humnerë, që mbahet mbi tri shtylla: Dejtonin, rendin kushtetues të Kosovës dhe Marrëveshjen e Ohrit. Po të thyhet njëra, ura bie, dhe bashkë me të bie arkitektura e paqes. Ky është momenti i fundit për të zgjedhur mes indiferencës që sjell tragjedi dhe veprimit që mbron stabilitetin. Historia nuk fal ata që nuk mësojnë: hija e viteve ’90 po troket sërish në dyert tona. Dhe këtë herë, përgjigja nuk mund të jetë as e vonuar, as gjysmake. Faktori ndërkombëtar duhet të kuptojë se çdo tolerim ndaj retorikës destabilizuese është investim në krizë, ndërsa faktori shqiptar duhet ta lexojë këtë moment si detyrën historike të unitetit strategjik. Pa këtë unitet, çdo arkitekturë e paqes do të mbetet e brishtë; me këtë unitet, çdo projekt i jashtëm për destabilizim është i destinuar të dështojë.

Filed Under: Analiza

BE-ja si ndërmjetësues i rëndësishëm në dialogun Kosovë–Serbi, por i pamjaftueshëm pa garancitë e fuqishme të ShBA-së

October 6, 2025 by s p

Prof. Dr. Fejzulla BERISHA/

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbetet një nga sfidat më komplekse të stabilitetit rajonal në Ballkan. Për dekada, Bashkimi Evropian ka luajtur rol kyç si ndërmjetësues, duke ofruar platformë për bisedime, ekspertizë teknike dhe mekanizma monitorimi. Megjithatë, historiku i proceseve ndërkombëtare dhe përvoja konkrete në Ballkan tregojnë se roli i BE-së, pa garanci të fuqishme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk është i mjaftueshëm për të siguruar një marrëveshje të qëndrueshme dhe të plotë. Pa këtë kombinim, çdo marrëveshje rrezikon të mbetet formale, e paqëndrueshme dhe e cenueshme nga faktorë të brendshëm dhe rajonalë.

1. Roli i BE-së: ndërmjetësimi dhe sfidat

Bashkimi Evropian ka kontribuar në mënyra të rëndësishme:

-Platforma e dialogut në Bruksel ka mundësuar diskutime direkte dhe teknike midis Prishtinës dhe Beogradit, duke strukturuar marrëveshjet në mënyrë ligjërisht të qartë.

-Mekanizmat e monitorimit dhe raportimit, si Komiteti i Përbashkët për Implementimin e Marrëveshjeve, ndihmojnë në ndjekjen e progresit të marrëveshjeve të arritura.

-Mbështetja teknike dhe financiare për reformat në Kosovë dhe Serbi ka inkurajuar normalizimin e marrëdhënieve dhe integrimin evropian.

Megjithatë, sfidat kryesore mbeten:

-Mungesa e presionit efektiv mbi palët për zbatim të menjëhershëm. Marrëveshjet shpesh vonohen ose dështojnë në zbatim pa kërcënim real.

-Standardet e dyfishta, të perceptuara si favorizim ndaj Serbisë, dëmtojnë besimin e Kosovës dhe konsolidimin e marrëveshjeve.

-Pafuqia për të garantuar njohje reciproke, një komponent kyç për normalizimin e qëndrueshëm, pa praninë e një superfuqie globale që mund të imponojë respektimin e marrëveshjes.

2. Nevoja për garanci të fuqishme amerikane

Historiku ndërkombëtar tregon se marrëveshjet e qëndrueshme të paqes dhe të njohjes reciproke kërkojnë mbështetje nga një superfuqi me autoritet global. ShBA-ja mund të ofrojë:

-Presion politik dhe diplomatik të drejtpërdrejtë, duke detyruar lidershipin e Beogradit dhe Prishtinës të zbatojë marrëveshjet në mënyrë të plotë.

-Garanci sigurie, duke krijuar sistem besimi midis palëve dhe duke shmangur cenimin e marrëveshjes nga faktorë të brendshëm ose aktorë rajonalë destabilizues.

Shembuj ndërkombëtarë ilustrues:

-Marrëveshja e Daytonit (1995) për Bosnjën konsolidoi paqen falë pranisë dhe garancive amerikane, ku ShBA-ja ishte garantues kryesor i respektimit të marrëveshjes dhe ka pasur rol vendimtar në parandalimin e rinisjes së konfliktit.

-Marrëveshja e Ohrit (2001) për Maqedoninë e Veriut u zbatua vetëm me presion të koordinuar ndërkombëtar dhe mbikëqyrje amerikane, duke siguruar respektimin e reformave kushtetuese dhe përfaqësimin proporcional të komuniteteve.

-Procesi i Lindjes së Mesme, përfshirë marrëveshjet midis Izraelit dhe Arabisë Saudite, tregon se superfuqitë garantuese janë thelbësore për respektimin afatgjatë të marrëveshjeve diplomatike.

-Roli amerikan në Kosovë (1999–2008), nga ndërhyrja humanitare dhe roli në krijimin e administratës ndërkombëtare, deri te garantimi i marrëveshjeve pasluftës, demonstron qartë se pa angazhimin amerikan nuk do të ishte e mundur konsolidimi i institucioneve dhe avancimi i dialogut për njohje reciproke.

3. Kooperimi BE–ShBA: modeli i domosdoshëm për Ballkanin

Një marrëveshje e qëndrueshme Kosovë–Serbi kërkon sintezë midis rolit ndërmjetësues të BE-së dhe garancive të fuqishme amerikane:

-BE-ja ofron platformën, ekspertizën teknike dhe mekanizmat monitorues për strukturimin e marrëveshjeve.

-ShBA-ja siguron autoritet, garanci sigurie dhe presion efektiv për respektimin e marrëveshjeve.

Ky kombinim është vendimtar për:

-Njohjen reciproke si bazë për normalizimin e marrëdhënieve diplomatike.

-Integrimin evropian të të dyja vendeve, duke krijuar stabilitet rajonal.

-Parandalimin e destabilizimeve rajonale, duke ofruar mekanizma të detyrueshëm për respektimin e marrëveshjeve.

4. Roli i BE-së në dialogun Kosovë–Serbi është i pazëvendësueshëm si ndërmjetësues dhe platformë koordinimi. Megjithatë, përfundimi i suksesshëm dhe i qëndrueshëm i dialogut nuk mund të realizohet pa garanci të fuqishme nga ShBA-ja. Pa këtë kombinim, çdo marrëveshje rrezikon të mbetet formale dhe e cenueshme nga faktorë rajonalë. Presioni, legjitimiteti dhe siguria amerikane janë thelbësore për një normalizim të vërtetë dhe për ndërtimin e një arkitekture të qëndrueshme paqësore në Ballkan.

Filed Under: Politike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 300
  • 301
  • 302
  • 303
  • 304
  • …
  • 2947
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT