• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MUSTAFA MERLIKA – KRUJA, HISTORI E DOKUMENTUAR E NJË JETE NË SHËRBIM TË KOMBIT SHQIPTAR

September 29, 2025 by s p

Nga Eugjen Merlika/

Pjesa III

Lexuesit dhe studjuesit do të kenë rastin të njihen me ndihmesën e Mustafa Krujës n’atë fushë deri në shkurtin e vitit 1922, sepse në mars t’atij viti ai mori pjesë në kryengritjen e Elez Isufit e të Zija Dibrës kundër Ahmet Zogut e së ashtuquajturës “klikë”. Me dështimin e asaj kryengritjeje ai u arratis në Sërbi, e më pas në Itali deri në qershorin 1924, kur u kthye në Shqipëri.  

Në Sërbi ai mësoi për gjashtë muaj sërbo-kroatishten dhe mori përsipër përkthimin e librit të ish kryeministrit të Sërbisë Vladan Gjorgjeviç “Shqiptarët e Fuqitë e Mëdha”. Është një nga librat më kundër- shqiptarë që mund të jenë shkruajtur, me qëllimin për të paraqitur shqiptarët si popull që nuk ishte në gjëndje të vetëqeverisej, pra që nuk meritonte të kishte një shtet të pavarur. Shumë vite më vonë, në letër-këmbimin me shkrimtarin Martin Camaj, Mustafai mori vesh nga ky i fundit se Vlladani ishte me origjinë shqiptare, një prej atyre që, fatkeqësisht, i këthenin shpinën Shqipërisë kur fitonin poste të larta në Vënde të tjera. Librin e shoqëroi me një parathënie dhe një mbasthënie, në të cilat shpjegoi pikëpamjet e tij, në lidhje me përkthimin e botimin: 

“Ma në fund s’ka dyshim se si për njeriun më vete ashtu edhe për nji popull qi dëshiron me dijtun e me qortue të mêtat e veta, opinioni i anmiqvet âsht tepër i dobishëm. Edhe nga kjo pikëpamje pra ky libër asht i interesueshëm në gradën mâ të nâltë për ne shqiptarët. Na zêmërojnë  e na indinjojnë pa dyshim shpifjet, aq mâ tepër kur kemi para sŷsh qi na bâhen për të na minue ekzistencën t’onë si komb, për të na skllavnue, për të na shue farën. Por nuk duhet të na idhnojnë aspak të mêtat reale qi na përmênden, makar të zmadhueme e….të zbukurueme me sarkazmat e ironít e gjuhës së nji Vladan Gjorgjeviçi. Nji katalog mâ komplet të mungesavet t’ona kombtare, si edhe të gjithë sa shpifjeve qi mund t’i bâhen nji populli, s’ka mundun bir nâne tjetër me na e vûe përpara kurrë në fytyrë të kësaj toke. A pak shërbim âsht ky?… Anmiku detyrën e tij e ka krye. Ndashti âsht detyra e jonë me përfitue edhe prej nji vepre të këtillë: me qortue gabimet, me ndrequn të mêtat e me u lâmë para botës nga shpifjet.”

Ka shumë atdhedashuri në përkthimin e atij libri, të shkruar nga një shqiptar i shpërngulur familjarisht prej tri të katërtash shekulli në Sërbinë fqinje, një njeriu të shquar në Vëndin në të cilin është trapiantuar, që arrin deri në majat e jetës politike, por edhe kulturore. Sigurisht shkakton dhimbje fakti që aftësitë e tij Gjorgjeviçi, i ve me zellin më të madh, në shërbim të një qëllimi djallëzor, të pandershëm e tejet imoral: të pengojë popullin fqinjë, shqiptarët, ku gjinden edhe rrënjët e tij, të mos ketë të drejtën që, për herë të parë në historinë mijravjeçare të themelojë Shtetin e parë të bashkuar e të pavarur. Për përkthyesin, që kishte punuar që në vitet e rinisë për atë synim, të kthyer n’idealin e disa brezave, duke e sendërtuar atë, nëpërmjet nënëshkrimit në listën e 37 të tillëve, puna për të përkthyer librin e “halabakut sërb”, siç do t’a përcaktonte me një farë përçmimi një atdhetar shqiptar i zakonshëm, ishte një mundim i dhimshëm.

Por, për këndvështrimin e hapur, që kishte formuar në jetën e tij, ai libër përbënte një rast të rrallë për t’i treguar bashkatdhetarëve, se sa e vështirë e në të përpjetë ishte rruga e ecjes përpara, rrethuar nga popuj të tjerë jo dashamirës, e që, nëpërmjet penave të tyre të shquara, villnin mbi ta vrerin më të zi të mërive shekullore, me të vetmin qëllim ndalimin e krijimit të Shtetit të tyre. Nuk nguronin para asnjë mjeti të pandershëm e të paligjshëm, për t’i a arritur synimit të tyre, duke i servirur popujve të tjerë t’Evropës dhe qeverive të tyre mendimin e tyre të zi, nëpërmjet botimit t’atyre lloj librave në gjuhët e tyre. Për të shkruar atë libër, thotë përkthyesi, autori kishte studjuar me dhjetra vëllime kushtuar Shqipërisë e shqiptarëvet, duke marrë prej tyre gjithshka t’errët e të zezë që ishte shkruar, deri te një legjendë e austriakut Hahn që thonte se shqiptarët “janë me bisht”….

Por ndërsa ai shqipëronte atë vepër, në vetvete ndiente një kënaqësi të veçantë, sepse qëllimi i autorit të librit kishte mbetur një ëndërr e pasendërtuar, se Shqipëria ishte krijuar me vullnetin dhe zellin e pjesës më të mirë të shqiptarëve, por edhe me ndihmën e dy Shteteve të mëdha t’Evropës, më pranë saj gjeografikisht. Shqipëria, edhe se e gjymtuar, ishte një realitet i gjallë politik, më i riu në fushën kontinentale. Me gjithë dështimin e projektit për të cilin ishte shkruajtur libri, përkthyesi, në filozofinë e tij pohenike, gjente në të një mësim që bashkatdhetarët e tij duhet t’a kthenin në një vlerë: atë të përmirësimit të tyre të vazhdueshëm, heqjes dorë nga mendësi e metoda të trashëguara prej afër pesë shekujsh, përqafime të ideve që vinin jo më nga Lindja, por nga Perëndimi, ringjallje morale e qytetëruese pa mohuar traditat më të mira të trashëguara. Sendërtimi i këtyre synimeve që koha vinte para shqiptarëve ishte, simbas përkthyesit : “me qortue gabimet, me ndrequn të metat e me u lamë para botës nga shpifjet”.

Kjo do t’ishte fitorja e vërtetë e jona kundrejt përpjekjes së shtetarit sërb e të ngjajshmëve të tij, do t’ishte dështimi i tyre i plotë në veprimtarinë e tyre keqdashëse kundrejt nesh. Kjo ide i sillej nëpër tru, ndërsa përkthente e po kjo ide u bë zotëruese, kur në “Një shënim i nevojshëm”, të shtuar para botimit të librit ai shprehej kështu:  

“Nja nji vjet banim në Sërbi, në përpjekje me sërbët mâ të thjeshtë, me ata të Shumadís, dhe pak studim mbi ta ndër fletore, revista, e sa libra të tyne, si edhe në disa vepra të shkrueme prej autorëve të huej, më kanë përgatitun deri diku edhe mue sa me qênë i zoti me shkrue diçka si kundër-ofensivë për popullin fqinjë, po t’ishte nevoja me i u përgjigjun në këtë mënyrë veprës së Vladan Gjorgjeviçit.

E pa dyshim qi ka shqiptarë edhe mâ kompetenta se un në këtê lamí. Por mue më duket se nuk âsht urtí, në shekullin t’onë sidomos, me ndezun mënín në mes të dý popujve kufitarë, qi, si pat thânë tash vonë Benito Mussolini, nuk mund të jetojnë veçse si miq ase si anmiq. E populli shqiptar nuk dëshiron tjetër pos miqsís me kê do qi i a don miqsín dhe nuk e përbuzë. Ky përkthim pra kundrejt sërbëve ka vetëm nji qëllim difensiv: mos me mbyllun sŷt përpara sherrit e me i u ruejtun,

Nji dijetar arab, Imam-Aliu ka thânë: “E nxuna sherrin jo për sherr, por për t’i u ruejtun sherrit”.

Sot, pothuaj mbas një shekulli të botimit të librit, na takon të matemi me vetveten si komb, në sendërtimin e porosisë së Mustafa Krujës, dalë nga mësimi i përkthimit të librit të ish kryeministrit sërb.  

U arratis nga internimi ku e kishin vënë sërbët e mundi të shkojë në Itali, në qytetin e Barit. Në qershorin e vitit 1924 ai u kthye në Shqipëri. Kthimi në Tiranë qe një kënaqësi e veçantë, mbas mërgimit të dytë që zgjati pak më shumë se dy vite. U prit befasisht nga një shumicë njerëzish në hyrje të kryeqytetit, i cili, mbas largimit të Zogut dhe administratës së tij ishte në dorë të ushtrisë e të Opozitës. Vdekja e Avni Rustemit më 22 prill 1924, si pasojë e atentatit kundër tij të dy ditëve më parë, kishte elektrizuar opinionin publik dhe sidomos rininë që kishte parë tek ai jo vetëm vrasësin e Esat Pashë Toptanit, por edhe si nismëtarin e federatës “Atdheu” dhe të shoqërisë “Bashkimi”, e një nga përfaqësuesit më të besueshëm të prirjes për demokraci. Vdekja e tij dhe ceremonia madhështore kombëtare e varrimit kishte shtuar atmosferën kundërshtuese ndërmjet pushtetit të Ahmet Zogut dhe Opozitës. Pritjet e kësaj të fundit ishin të  mëdha e çuan në një acarim të jashtzakonshëm që u shfaq në atentate e deri në ngjarjet e qershorit që detyruan qeverinë të largohej në drejtim të Jugosllavisë e Opozitën të ngjitej në pushtet. 

“Mbas lëvizjes kryengritëse qi mbaroi me dëbimin e Zogut nga Shqipnija në qershorin e 1924-ës, u kthye në Atdhe. Mbas gjithë këtyne  mundimeve desh të pushojë për do kohë në gji të familjes pranë së cilës i kishte tokue gjithmonë me kalue kohë të shkurtna si i huej. Por si qeverija ashtu edhe përfaqësuesit e Shkodrës e sidomos këta, të krishtenë e myslimanë bashkë, i u lutën fort qi të pranonte me qeverisun atë krahinë aq delikatë si prefekt. Dhe Krujës i u desh me i u shtrue vullnetit të Shkodrës ku kishte edhe shumë miq personalë.

Mustafa Kruja e sundoi prefekturën e Shkodrës për gjashtë muej rresht me autoritet e energjí të pashoqe, me të drejtë e me takt tue lânë kujtime të pashlyeshme deri n’ata qi kanë pamë interesa apo mendime të tynetë cënueme prej veprimit të tij.”  

Më 17 qershor Mustafai mbajti një fjalim të shkurtër në sallën e Bashkisë së Tiranës. Në të ai shprehu ngazëllimin e tij për fitoren e “revolucionit”, në sajë të “armëve të ushtrisë kombëtare”. Ky fjalim u botua në gazetën “Dajti” e gjëndet në vëllimin “Gjysmë shekulli me pendë në dorë”. Ja disa nga fragmentet e fjalës:

“Zotnij të ndershëm!

Si juve qi ndodheni pranë, ashtu edhe të gjithë atyne qi, prej ngushticës së vêndit, s’munden të marrin pjesë këtu u faleminderës me gjithë zêmër për këtë pritje vllaznore e shumë simpatike qi patët mirësinë të na bâni. Na e dijmë fare mirë se këtë nuk e kemi meritue për kurrgjâ tjetër veç se ndoshta për vuejtjet e shumta e të padame qi na kanë takue si ushtarë e puntorë të vjetër të nji ideali, realizimi i të cilit sod ka fillue me na ndriçue para sŷsh…..

Por a thue se ky ideal i shênjtë, ideali i nji Shqipnie për popullin e jo për pesë a dhjetë zotnij, qi e quejnë veten mbi popullin e zot të tij, a thue se ky ideal âsht i realizueshëm sod plotsisht me armët e ushtrís kombtare. Un kujtoj se jo! Un them se këto armë kreshnike vetëm kanë çelë rrugën e realizimit t’atij ideali qi kemi të tânë në zêmër. Triumfi i armvet nuk lypset të na dehë e të na lânë në gjumë aspak…..

Thashë se nji ndër pengesat mâ të mëdhaja qi s’na kanë lânë deri sod me realizue idealin demokratik ka qênë antagonizma, dasia në mes të demokratvet vetë. E pra sod qi ndalimet e tjera u zhdukën me gjak duhet qi të zhduket me do e mos edhe ky turp i demokracís, duhet bashkim i të tânë atdhetarvet pa ndryshim feje e krahine. Vetëm atëherë mund të besojmë me sigurí se gjaku i Avniut e i dëshmorvet të tjerë të revolucjonit s’kanë shkue kot e se ideali i ynë i përbashkët do të realizohet plotsisht. Por vjen me pyetun se si do t’a bâjmë këtë bashkim. S’ka njeri të thotë se s’e don bashkimin. Në vênd qi në praktikë na ka dalë gjithmonë i vështirë. Shkaku? Egoizmi! Pra për me u bashkue duhet me shkulun egoizmin prej zêmrash….”

Siç shihet, qëndrimi i tij n’atë periudhë ishte ai i një idealisti revolucionar, në pozitat e pjesës më radikale të kombëtarizmit shqiptar. Mbas shumë vitesh, kur shkruan mbi ngjarjet e atyre muajve të vitit 1924, është mjaft kritik. Ai përmënd fjalën “revolucion”, siç u quajt rëndom n’atë kohë e deri sot në historiografinë zyrtare komuniste, grushti i Shtetit i 10 qershorit 1924. Vetë Mustafai, në shpjegimet që i jep prof. Stavro Skëndit mbi ato ngjarje, vë në dukje se kundërshtari më i vendosur i atij “revolucioni” ishte Luigj Gurakuqi, njëri ndër shtetarët më largpamës e atdhetarë të politikës shqiptare. Çdo lloj revolucioni ka në qëndër të tij pështjellimin e masave, ndërsa n’atë qershor populli nuk mori pjesë aspak në ngjarjet politike. Veprimi qe krejtësisht i politikës, që u mbështet në komandantët ushtarakë, pra në thelb qe një “grusht Shteti” i mirëfilltë e, për mendimin tim vetiak, në tërësi shumë i dëmshëm për disa arsye. 

Grushti i Shtetit që u krye mbas dorëheqjes së qeverisë Vërlaci, si përfundim i mos zgjidhjes së ngërçit të krijuar nga vrasja e Avni Rustemit dhe nga ngujimi i Opozitës në Vlorë, si pasojë e mosmarrëveshjeve mbi formën e regjimit në Asamblenë Kushtetuese, qe ngjarja që i dha goditjen e fundit metodave demokratike që, mirë a keq kishin filluar të bënin rrugë në ecurinë e Shtetit shqiptar. Ai përcaktoi një çarje të madhe të klasës politike, në dëm të dialektikës që kishte filluar, edhe se me mangësitë e saj, në parlamentin shqiptar. Grushti i Shtetit u bë shkaktari kryesor i prishjes së barazpeshave kushtetuese të dala nga votimet e 27 dhjetorit të vitit 1923 për Asamblenë Kushtetuese, të fituara nga Ahmet Zogu me shumicë absolute prej 44 deputetësh, duke mos respektuar përfundimet e votimeve, pra duke dhënë shëmbullin e daljes nga binarët ligjorë  të jetës institucionale n’emër të parimeve të huajtura nga përpjekjet komuniste në mjaft Vënde t’Evropës për të përsëritur përvojën e revolucionit bolshevik. Edhe zija e parlamentit për vdekjen e Leninit ishte një tregues i asaj atmosfere. Mjaft idhtarë të grushtit të Shtetit më vonë krijuan KONARE-n e përfunduan në Bashkimin Sovjetik, për të përgatitur në vite përhapjen e ideve komuniste në Shqipëri, të cilat më vonë, me ndërlikimet e pushtimeve dhe luftës së Dytë botërore, përcaktuan vendosjen e diktaturës së kuqe për gati gjysëm shekulli. Madje duhet vënë në dukje se Ahmet Zogu, megjithëse fitimtar në zgjedhjet e 27 dhjetorit, e megjithëse viktimë e një atentati të një bashkëkrahinari të tij, Beqir Valterit, në sallën e parlamentit, u përpoq deri në fund, edhe me dorëheqjen e tij e krijimin e një qeverije që kishte edhe përfaqësues të Opozitës, të qetësonte gjëndjen e të vazhdonte metodat demokratike në praktikat politike e institucionale. Po të kishin ndjekur edhe përfaqësuesit e Opozitës të njëjtën rrugë, ndoshta Shqipërisë do t’i ishin kursyer shumë dukuri johenike n’atë periudhë e më vonë. 

Edhe Mustafa Kruja, megjithëse nuk pati asnjë lloj pjesëmarrjeje në veprimet e mësipërme ishte në një gjatësi vale me Opozitën demokratike, sikurse shihet edhe në fjalën e mbajtur në Bashkinë e Tiranës. Por megjithë ngazëllimin për revolucionin, mëndjes së tij të mprehtë nuk i shpëtonin problemet e vërtetë të Shqipërisë e demokracisë së saj, që dalin në pah, sikur në shumë raste të jetës së tij politike, të përqëndruara në dasitë e ndryshme të shqiptarëve, në nevojën urdhëruese për t’i shmangur ato, për të sendërtuar bashkimin në synimet, në dëshirat, në idealet më thelbësore të interesave të atdheut. Në këtë domosdoshmëri pengesa vjen nga “egoizmi”, nga diçka e lindur në natyrën njerëzore e, prandaj, aq e vështirë për t’u luftuar….

N’administratën e qershorit 1924 ai nuk pati detyra e poste në qeverinë qëndrore. U emërua prefekt, me fuqi të plota në Shkodër. Ishte një qytet që kishte joshjen e tij të posaçme në zemrën e tij. Në parlament ishte bashkuar me grupin e atij qyteti, sepse kishte gjetur në të më shumë afërsi mendimesh e shllimesh. Miqtë e tij më të mirë ishin nga ai qytet. Shkodra ishtë më perëndimori i qyteteve shqiptare, ku tregëtia me Italinë e bregdetin dalmat linte gjurmët e saj. Ishte qyteti me më shumë histori në trevat shqiptare, madje simbas projektit të tij duhej t’ishte kryeqyteti i Vëndit. E bëri këtë propozim në vitin 1921 në parlament por mbeti pa vazhdim. Në Shkodër ai solli edhe bibliotekën e tij të pasur, për të cilën flet me shumë dashamirësi edhe prof. Ernest Koliqi. Në përvjetorin e dymbëdhjetë të festës së Pavarësisë prefekti e përfundoi fjalën e tij, drejtuar popullit të Shkodrës nga ballkoni i Bashkisë me këto fjalë:

“Të jemi pra të lidhun e të bashkuem me besën qi na kanë lânë babat e gjyshat t’onë, për lirín e lulzimin e Atdheut; t’i napim dorën shoqi shoqit burrnisht e vëllaznisht, tue i mbajtun në cakun e vet ndryshimet e fevet e t’idevet e të betohemi mbi flamurin e shênjtë se kurrë i hueji e tradhtori s’ka me na sundue për së gjalli!

Popull i Shkodrës! Ti, sidomos, me malet e tueja nuk do t’i harrojsh traditat e lavdishme qi trashigon prej të parvet të tuej, qyshë prej Kara-Mahmudit e te Oso Kuka, nj’ashtu si t’i kanë përshkrue Vaso Pasha i yt e auktori i pavdekshëm i Lahutës së Malsís! Meritoje pra edhe me veprat e mbaskëndejme vêndin e naltë qi të ka caktue historia në gjî të Kombit shqiptar! Vetëm bashkimi, or vëllazën, bashkimi i të gjithë Shqiptarvet të ndershëm, na bân me qênë të drashun prej tradhtorvet e të nderuem prej të huejvet. Me bashkim e vëllazní të pa hile e të pa sherr kjo ditë e lumnueshme do të na gjêjë për gjithë vjetë mâ mirë.

                                                    Rrnoftë Shqipnía e lirë! “  

Qeveria e Fan S. Nolit, që në fillimet e saj u ballafaqua me problemet e kufijve, trashëgimi të Konferencës së Paqes. Në Arkivin e Ministrisë së Jashtëme italiane gjindet një letër e Kryeministrit Noli, drejtuar kolegut të tij italian Benito Mussolini, e cila bën fjalë për atë problem. Ja teksti i përkthyer i asaj letre:

Ministria e Punëve të Jashtëme të Shqipërisë

Kabineti i Ministrit

Tiranë, 6 korrik 1924

Shkëlqesi,

Po përfitoj nga rasti i kthimit të të Ngarkuarit me punë, zotit Tefik Mborja, për të tërhequr vëmëndjen e Shkëlqesisë Suaj mbi çështjen e kufijve, që shqetëson në këtë çast gjithë Kombin.

Qeveria shqiptare është shumë e alarmuar nga drejtimi që po merr ajo çështje delikate. Jemi njoftuar, për shëmbull, se Komisioni Ndërkombëtar, i kryesuar nga gjenerali Gazzera, ka ndërprerë punimet e tij në zonën asnjanëse të Korçës, si pasojë e udhëzimeve të marra nga Konferenca e Ambasadorëve e cila po rishqyrton dhënien e katërmbëdhjetë fshatrave të caktuara Shqipërisë nga Komisioni, ndërsa pak ditë më parë, e njëjta Konferencë urdhëronte Qeverinë greke t’i zbrazte ato. Nga ana tjetër jemi të kërcënuar nga humbja e mundëshme e monastirit të Shën Naumit, që zotëron rrugën Pogradec-Korçë e të malit të Vermoshit që zotëron qytetin e Shkodrës.

Një zgjidhje e pafavorshme e këtyre tri pikave tejet të rëndësishme të kufijve shqiptarë do t’ishte fatale për Qeverinë e sotme shqiptare, sepse ky dështim nga kundërshtarët tanë sigurisht do t’i vishej paaftësisë së saj dhe antipative të shkaktuara jashtë. Asnjë shpjegim nga ana e jonë nuk do të mund të kënaqte popullin e dëshpëruar nga kjo bjerrje tokësore. Autoriteti i Qeverisë sonë do të dëmtohej në mënyrë të pandreqëshme e një tjetër shpërthim i brëndshëm mund të kishte pasoja të pallogaritëshme.

Për të shmangur këtë ndërlikim të rrezikshëm  vemë të gjitha shpresat tona tek Shkëlqesia Juaj e tek mbështetja diplomatike e Qeverisë italiane në dobi të tezës shqiptare mbi tri pikat e diskutueshme të kufijve tanë. Jemi të sigurtë se kjo mbështetje nuk do të na mungojë edhe në këtë rrethanë të vështirë, siç nuk na ka munguar në të shkuarën.

Duke përgëzuar Shkëlqesinë Tuaj për shpejtësinë me të cilën kaluat krizën e fundit të Vëndit Tuaj, urojmë që Ju të mbeteni në pushtet për një kohë të gjatë, për të mirën e dy Vëndevë tona.

Ju lutem pranoni ndjenjat e konsideratës sime të lartë.

Fan S. Noli  

Kjo letër dëshmon se sa e rëndësishme ishte për Shtetin shqiptar t’asaj kohe, mbështetja italiane në kontekstin evropian e botëror të gjeopolitikës. Dëshmon edhe një tjetër fakt: kur bëhet fjalë për interesat madhore të një Kombi, i kërkohet ndihmë edhe një regjimi që, në kushte normale, për bindje politike apo ideologji, nuk do të parapëlqehej. Kryeministri Noli i mbante sytë nga Lindja e Bashkimi Sovjetik, por nuk nguronte t’i kërkonte ndihmë Italisë e Mussolinit, madje duke i uruar që “të mbetej në pushtet për një kohë të gjatë për të mirën e dy Vëndeve tona”. 

Është një këndvështrim i gjërave që ka qënë i pranishëm në shumë çaste dramatike të historisë sonë, por jo gjithmonë ka gjetur miratim nga historiografia, sidomos ajo e tetëdhjetë viteve të fundit. Ajo e ka mbushur skenën shqiptare me “tradhëtarë” e “armiq”, pa mbajtur parasysh se ata protagonistë të ngjarjeve e vendimeve kishin punuar vetëm për interesat e vërteta të Kombit, herë herë duke flijuar dhe vetëveten….

 Raporti i markezit Durazzo, drejtuar Ministrisë së Jashtëme në personin e Kryeministrit Mussolini, që mbante edhe postin e Ministrit të Jashtëm, është një dokument me interes për të krijuar një ide, pak a shumë të qartë, mbi opinionin e diplomacisë italiane për gjëndjen politike në Shqipërinë e mbas revolucionit të qershorit 1924. Ai e përshkruan atë periudhë të shkurtër të “sprovës socialiste” me ngjyrat më të errta. Paraqet një Vënd të zhgënjyer në pak muaj qeverisje të elitës intelektuale të Shqipërisë, të përfaqësuar nga ekipi i Imzot Fan Nolit, që përballet me një gjëndje  kushtetuese të paligjësuar nga grushti i Shtetit, me një “gjëndje kronike të dështimit të financave publike; me mosmarrëveshje të brëndëshme; me mungesa pothuajse absolute të njerëzve me përvojë dhe kompetentë në degët e ndryshme të administratave publike; me një rënie të mprehtë ekonomike, të nxitura nga varfëria e përhapur e nga pakënaqësia e gjallë”.

Në tërësi ky raport  jep një radiografi të Vëndit tonë për atë periudhë. Autori i tij nuk është një dashamir i Vëndit tonë, por me gjuhën e tij të diplomatit vë theksin mbi një sërë mangësish e, në këtë drejtim, besoj se i bën një shërbim jo të keq studjuesve të historisë për të përimtuar e përcaktuar më mirë arsyet që çuan në dështimin e asaj sprove historike.  

Nuk është e vështirë të zbulohet mes argumentimeve të tij prirja e përgjithëshme e politikës tradicionale italiane deri në ditët tona të një farë dyfaqësie, në të cilën hasen vështirësi të krijohet besim e të ketë siguri në qëndrimet, të cilat më shumë përcaktohen nga inrteresat e çastit të Vendit se sa nga parime të fuqishme e të ngulitura thellë në vetëdijen e kombit e të Shtetit.

Në arkivin e Ministrisë së Jashtëme italiane, në pakon nr. 731 jepet një listë emrash, ndërmjet të cilëve ishin edhe Luigj Gurakuqi e Mustafa Kruja, të cilët kanë lundruar atë natë me anijen ushtarake “Cesare Rossa RGL” në drejtim të portit të Barit n’Itali. Nuk shënohet vëndi i nisjes, por me gjasë duhet të ketë qënë Shëngjini. Ata emra janë:

Dervish Bej, Hasan Dani, Rakip Dani, Luigj Gurakuqi, Rexhep Shala, Hysni Curri, Ismail Haki Korça, Zija Prizreni, Halit Kastrati, Mustafa Maksuti, Sulejman Shkodra, Bejto Plava, Mehmet Plava, Idriz Sadiri, Muharrem Mitrovica, Riza Drini, Qazim Kruja, Mustafa Kruja, Caje Kruja me dy fëmijë, Vat Gjoni, Luigj Naraçi, Ahmet Kaiza, Llazar Nikolla, Llazar Marko, Dobuj Plava, Kristofor Popi.

Kapiteni i Fregatës

      Komandanti

Carlo Alberto Mercalli

Ikjen e opozitës nga Shqipëria dhe zbarkimin e saj në tokën italiane, në muajt e parë të vitit 1925 e përimton mirë ish prefekti i Shkodrës, Mustafa Kruja, në një letër që i shkruan At Paulin Margjokajt më 25 maj 1950, në përgjigje të një pyetjeje të këtij të fundit, të datës 14 t’atij muaji. At Paulini i shkruante kështu bashkëbiseduesit krutan: “Më shkruani në letër se qysh më 1927 e njihshi maskën çlirim-nacjonale të fabrikueme në Moskë. Kishe me dashtë me dijtë mâ gjatë mbi këtê pikë….” Dhe ja përgjigja e Krujës:

“….Do me vapore do me barkë e me Fan S. Nolin e qeverín e tij në krye të gjithë na, kundështarët e athershëm t’Ahmet Zogut u zhbarkuem e u shpërndamë në 25-27 dhjetor në Brindizi e në Bari. Ishim nji ushtrí intelektuale e shpartallueme, për gabimet e fajet t’ona individuale e kolektive, edhe e pazonja me i ramë në tê se, si grup-se parti s’ishim, e kishim bjerrë luftën definitivisht e pa fé mundsije me e çue kryet mâ përpjetë. Pandërgjegjsija (incoscienza) e pazotsija politike kolektive përmbrênda e përjashta e mizerja morale e Opozitës antizogiste kurrë s’pat qênë shfaqun aqë sheshit e aqë tragjikisht sa ndër ata gjashtë  muej të provës së vet qeveritare nën kryesín e Fan Nolit (qershor-dhjetor 1924). Ky regjim qe nji kshtjell kartet nga mâ e dobta. Nji erë e lehtë, nji frymë vetëm, mjaftoi me e shêmbun. Kur erdh në fuqí i a hapi Mussolini dyert e i a shtroi udhën vetë për nji marrveshtje me kushte mâ të mira se ato qi pat pranue mâ vonë Zogu. Qeverij’e Fan Nolit nuk desht e nuk dijti me përfitue. Të kishte dashtun e dijtun, së jashtmi do t’a kishte sigurue veten qind për qind. Por Fan Noli desht me u marrë vesht me Rusín sovjetike, kjo çeli në Tiranë nji legatë me nji personel 40 vetësh. Tirana ishte kushtue me u bâmë qêndra e veprimtarís komuniste në Ballkan. Prandej nëse Zogu materjalisht pat vetëm përkrahjen jugosllave, politikisht e moralisht kishte gjithë Okcidentin për vete, me Anglín në krye.

Por makar, si u mujtëm, si u shkatrruem e thyem qafën në mërgim a i kuptuem, a i pamë, a i njohëm nemose gabimet e fajet t’ona qi na çuen n’atë hall? Asnji grimë! Të tana ato mizerje morale, të tanë nj’atë pandërgjegjësí politike kolektive – qi po na përsiell edhe sod e ka me na përsjell deri në vorr – i kishim marrë me vete e s’i lëshojshim, s’dojshim me i lëshue për së gjalli! E me gjithë këtê dojshim ende me besue, madje besojshim ngultas se mbrênda gjashtë muejve – mbasi kaqë kishte ngjatun regjim’ i ynë – Zogun do t’a hidhshim përsëri… E si?

Të tâna pushtetet kapitaliste qi kishin interesa direkte a indirekte në Shqipní i kishin shtŷmë me duert t’ona kah Zogu. E pa ndihmën e ndonjânit prej këtyne – këtê  po  e kuptojshim të gjithë – se  s’mund të bâhej gja.”

Filed Under: Histori

Skënderbeu në filatelinë shqiptare ndërmjet artit, propagandës dhe kujtesës kombëtare

September 29, 2025 by s p

Besnik Fishta


Figura e Gjergj Kastriotit Skënderbeut është një nga më të pranishmet dhe më të dendurat në filatelinë shqiptare, sidomos në dekadat e para pas shpalljes së pavarësisë. Ky fenomen nuk ishte i rastësishëm. Një shtet i ri dhe ende i brishtë kishte nevojë të dëshmonte se nuk ishte një krijesë artificiale e shekullit XX, por pasardhës i një tradite të lashtë historike, ndër më të vjetrat në Ballkan. Përmes pullës postare, që shërbente jo vetëm si dokument postar, por edhe si “kartëvizitë” diplomatike, Shqipëria e paraqiti Skënderbeun si dëshmi të lavdisë së saj, duke afirmuar trashëgiminë historike në sytë e brendshëm dhe të jashtëm. Megjithatë, mënyra e trajtimit të figurës së heroit ka ndryshuar sipas periudhave historike. Gjatë monarkisë së Zogut (1928–1939), bie në sy mungesa e imazhit të plotë të Skënderbeut në pulla. Me gjasë, kjo ishte një zgjedhje e qëllimshme për të mos eklipsuar figurën e Mbretit Zog, i cili kërkonte të projektohej si simbol i vetëm i shtetit dhe kombit. Kështu, heroi kombëtar përfaqësohej vetëm në mënyrë të tërthortë përmes përkrenares apo statujës së kalit duke u ruajtur një lidhje simbolike me të kaluarën, pa u vendosur në rivalitet ikonografik me monarkun. Gjatë periudhës së pushtimit nazi-fashist është e kuptueshme që nuk mund të emetoheshin pulla me tematikë kombëtare, përfshirë edhe ato që lidhen me heroin tonë kombëtar, Skënderbeun. Kjo ndodhi sepse sistemi postar dhe politika e emisioneve ishin të kontrolluara drejtpërdrejt nga pushtuesit. Në vend të figurave kombëtare, pullat e kohës mbartnin simbolet e shtetit italian dhe më pas të atij gjerman, duke u përdorur si instrument propagandistik për të legjitimuar praninë e tyre në Shqipëri. Përdorimi i Skënderbeut ose i figurave të tjera të historisë shqiptare do të kishte nxitur ndjenja të forta patriotike dhe do të rrezikonte të kthehej në një thirrje për rezistencë.  Në periudhën socialiste (1945–1990), paraqitja e Skënderbeut u ndikua drejtpërdrejt nga prioritetet ideologjike të regjimit. Në fillim, ai u përdor për të krijuar paralele mes rezistencës së shekullit XV dhe luftës antifashiste, por më vonë u zhduk për periudha të gjata nga pullat, sepse hapësira u mbush me liderë idologjike botërorë. Megjithatë, duhet theksuar se pavarësisht këtyre kufizimeve ideologjike, kjo periudhë solli disa nga arritjet më të larta artistike të filatelisë shqiptare. Emisionet e viteve 1967 dhe 1968 spikasin për cilësinë e jashtëzakonshme të vizatimit dhe për individualitetin e imazhit te heroit tone, ku dallohen emra si Shadan Toptani, dizenjatori më prodhimtar i pullave shqiptare. Këto krijime, përtej ideologjisë, përbëjnë një trashëgimi artistike me vlera të qëndrueshme. Pas viteve 1990, filatelia shqiptare rifitoi lirinë tematike dhe kishte mundësinë të sillte një qasje më të gjerë e pluraliste ndaj figurës së Skënderbeut. Megjithatë, kjo mundësi nuk u shfrytëzua gjithmonë siç duhet. Pulla e vitit 1997, ndonëse me qëllim të shpallur për një imazh “modern”, nuk arriti të përmbushte pritshmëritë, duke humbur në vlera artistike dhe kompozicion. Në të kundërt, emisioni i vitit 2018 doli me  mbresëlënës si për nga përmasat, ashtu edhe për mënyrën e realizimit, duke dëshmuar se Skënderbeu vazhdon të mbetet një figurë frymëzuese për krijimtarinë filatelike.

       Emisioni pare per Skenderbeun 1 dhjetor 1913

          Zarf i qarkulluar,1914

Emisioni “Skenderbeu dhe shqiponja” i paqarkulluar, 1922   

         

                                                   

Pulle me elemente nga figura Skenderbeut, 1938   

  Emisioni : ‘’483 vjetori vdekjes Skenderbeut‘’, 1951

Figura e Skënderbeut në filatelinë shqiptare eshte pjesë e një praktike të gjerë ndërkombëtare ne fushen e filatelise, ku shtetet kanë përdorur pullat postare për të afirmuar heronjtë e tyre kombëtarë dhe për të treguar sejcili prej tyre identitetin kombëtar. Disa nga shembujt te prezantimeve te tilla ne shtete te huaja sjellim me poshte :

  • Franca : Jeanne d’Arc (Zhan d’Ark): që nga vitet 1929 e 1945, është përdorur si simbol i rezistencës dhe besimit kombëtar.
  • Italia: Giuseppe Garibaldi: i pranishëm që nga 1910, si figurë qendrore e bashkimit kombëtar.
  • Polonia: Józef Piłsudski: i vendosur menjëherë pas pavarësisë në 1918, si simbol i rilindjes së shtetit.
  •  Greqia: Theodoros Kolokotronis: i paraqitur në 1971, si strateg i revolucionit të 1821.
  • SHBA: George Washington dhe Abraham Lincoln: të pranishëm që nga emisionet më të hershme, si figura themeluese dhe bashkuese.
  •  Gjermania – Otto von Bismarck: i përkujtuar si unifikues i shtetit pas Luftës së Dytë Botërore.

Në dallim nga këto raste, ku përdorimi i heronjve kombëtarë është shpesh i kufizuar në përvjetorë të veçantë, filatelia shqiptare ka krijuar një narrativë të vazhdueshme dhe të larmishme rreth Skënderbeut. Me mbi 150 pamje të ndryshme në periudhën 1913–2025, ai është jo vetëm figurë përkujtimore, por një ikonë e përhershme e pullës shqiptare. Kjo e veçon filatelinë tonë nga shumë vende të tjera: Shqipëria ka arritur të ndërthurë historinë, artin përmes figurës së një heroi që përbën simbolin më të fuqishëm të identitetit dhe unitetit kombëtar. Në këtë aspekt, filatelia shqiptare ka meritën të kthehet jo vetëm në një pasqyrë të politikave të kohës, por edhe në një mjet të vazhdueshëm për kultivimin e kujtesës historike dhe të krenarisë kombëtare.

Filed Under: Opinion

George Scriven dhe shkrimet e tij mbi Shqipërinë dhe Shqiptarët

September 28, 2025 by s p


George Scriven dhe Shkrimet e Tij mbi Shqipërinë dhe Shqiptarët


NGA NDREK GJINI

MA, University of Galway, Ireland


George Percival Scriven (1854-1940), ishte një nga oficerët më të shquar të ushtrisë amerikane. Ai la gjurmë të veçanta në historinë ushtarake dhe diplomatike të fillimit të shekullit XX.

Megjithatë, për shqiptarët dhe studiuesit e Ballkanit, trashëgimia e tij më e çmuar nuk janë vetëm arritjet në fushën e aviacionit dhe karriera ushtarake, por janë shkrimet e tij mbi Shqipërinë dhe shqiptarët.

Përmes këtyre shkrimeve, ai bëhet jo vetëm një dëshmitar i kohës, por edhe një avokat i heshtur i së drejtës së shqiptarëve për pavarësi.

Shqipëria në vepra dhe vëzhgime të dorës së parë

Scriven u gjend në një pozitë të privilegjuar gjatë Luftës së Parë Botërore. Si atashe ushtarak i Shteteve të Bashkuara në Romë, ai kishte akses të drejtpërdrejtë në zhvillimet ushtarake të Italisë dhe aleatëve të saj në Ballkan.

Shqipëria, e pushtuar e ndarë mes forcave të huaja, ishte një nga pikat më delikate të rajonit. Prej vëzhgimeve të tij lindën disa artikuj shumë të rëndësishëm që ruajnë edhe sot një vlerë të veçantë historike dhe letrare.

Artikulli i parë madhor i tij mbi Shqipërinë, “Vëzhgimet e fundit në Shqipëri”, u botua në gusht 1918 në National Geographic. Ky ishte një ese e gjerë, e shoqëruar me ilustrime rrëfime, që solli për lexuesit amerikanë peizazhet, popullin dhe realitetet e Shqipërisë së kohës së luftës.

Në një kohë kur imazhi i Shqipërisë ishte i mjegulluar ose i shtrembëruar në shtypin ndërkombëtar, Scriven nxori në pah dinjitetin dhe forcën jetike të këtij kombi të vogël. Qasje e tij nuk ishte thjesht ushtarake; ai shkroi me ndjeshmëri të veçantë njerëzore dhe me realitet e dashuri për fatin e shqiptarëve nën pushtim dhe për aspiratat e tyre për liri.

Pas mbarimit të luftës, artikulli “Zgjimi i Shqipërisë”, botuar në Geographical Review në 1919, dha një panoramë më analitike mbi gjendjen e vendit. Scriven e pa Shqipërinë si një komb në zgjim, midis presioneve të jashtme dhe një energjie të brendshme për të ndërtuar shtetin modern.

Ai analizoi me kthjelltësi sfidat politike dhe diplomatike që mbështillnin të ardhmen e vendit, duke theksuar se shqiptarët kishin aftësinë dhe të drejtën për të qenë zotë të fateve të tyre. Ky tekst është cituar gjerësisht nga studiues më vonë, për shkak se përfaqëson një prej vlerësimeve më të sakta dhe të ndershme të autorëve amerikanë për nacionalizmin shqiptar në periudhën pas luftës.

Shkrimet e tij nuk u ndalën këtu. Në mars të vitit 1920, në North American Review, ai botoi artikullin “E ardhmja e Shqipërisë”. Në këtë shkrim, ndryshe nga natyra më përshkruese e teksteve të tjera, Scriven u shfaq hapur si avokat i çështjes shqiptare.

Ai argumentonte se Shqipëria nuk “kishte nevojë për padron”, por meritonte të ekzistonte si shtet i pavarur. Ky artikull botohej pikërisht kur në Paris fuqitë e mëdha diskutonin ndarjen ose protektoratin mbi Shqipërinë. Zëri i Scriven, i mbështetur në reputacionin e tij ushtarak, përforconte përpjekjet e delegacioneve shqiptare dhe të Federatës Panshqiptare “Vatra” në SHBA për të fituar mbështetjen ndërkombëtare.

Një vit më vonë, në mars 1921, ai botoi studimin “Disa rrugë të Shqipërisë dhe një rivierë e harruar”, përsëri në Geographical Review. Ky artikull fliste për rrjetin rrugor, bregdetin shqiptar dhe rolin strategjik të tyre.

Për Scriven, infrastruktura shqiptare nuk ishte vetëm çështje zhvillimi ekonomik, por edhe siguri rajonale. Ai shihte qartë se kushdo që kontrollonte rrugët dhe portet shqiptare do të kishte një rol vendimtar në Adriatik dhe në ekuilibrat e Ballkanit.

Perspektiva e Scriven mbi shqiptarët dhe nacionalizmin

Në shkrimet e tij vërehet një dallim i qartë nga shumë vëzhgues të tjerë të kohës. Ndërsa shumë diplomatë dhe ushtarakë perëndimorë shihnin nacionalizmat ballkanike si burim kaosi, Scriven tregonte mirëkuptim dhe simpati për aspiratat shqiptare. Ai nuk i konsideronte ato thjesht një pjesë të politikës së Fuqive të Mëdha, por një forcë të natyrshme të zhvillimit historik të rajonit. Për të, pavarësia shqiptare ishte jo vetëm një e drejtë morale e shqiptarëve, por edhe një faktor i rëndësishëm stabiliteti në Mesdheun Lindor.

Kjo qasje shpjegon edhe kontaktet e tij me përfaqësuesit shqiptarë të diasporës në SHBA dhe me Federatën Panshqiptare “Vatra”. Në dhjetor 1918, kjo shoqatë kërkoi ndërmjetësimin e tij për të siguruar ndihmë amerikane në formimin e një xhandarmërie shqiptare. Edhe pse projekti nuk u realizua, fakti që shqiptarët iu drejtuan Scriven-it tregon besimin që ata kishin tek drejtësia dhe simpatia e tij për çështjen shqiptare.

Vlera historike dhe letrare e shkrimeve shqiptare të Scriven

Shkrimet e Scriven mbi Shqipërinë dallohen për qartësi dhe saktësi, por edhe për një ton të ngrohtë që i shmanget paragjykimeve. Si ushtarak, ai kishte syrin e stërvitur për të dalluar rëndësinë strategjike të territorit, portet e Vlorës apo rrjetin e rrugëve që lidhin brigjet me brendinë territorial të Shqipërisë. Por, si vëzhgues me shpirt të pastër e dije të gjëra, ai shkruante saktë dhe shprehte vlerësim të lartë për peizazhin dhe jetën shqiptare në shkrimet e tij të botuara në shtypin perëndimor.

Më e rëndësishmja, Scriven u bë një nga figurat që ndikuan drejtpërdrejt opinionin publik amerikan mbi Shqipërinë. Artikujt e tij në revista prestigjioze u lexuan nga qarqe akademike, politike dhe ushtarake në SHBA dhe Europë.

Raportet e gazetave të kohës, si “The New York Times”, cituan vëzhgimet e tij për Shqipërinë dhe rolin e ushtrisë italiane në rajon. Kjo ndihmoi që kauza shqiptare të merrte më shumë vëmendje ndërkombëtare.

Trashëgimia e Scriven

Nëse pjesa tjetër e karrierës së Scriven lidhet me telekomunikimet ushtarake dhe aviacionin, pjesa shqiptare e veprës së tij mbetet një testament i vyer për Shqipërinë dhe shqiptarët.

Ai e pa Shqipërinë si një vend që meritonte të vendoste vetë për të ardhmen e vet, e jo si një objekt pazari në duart e fuqive të mëdha.

Sot, historianët që merren me Luftën e Parë Botërore dhe historinë e nacionalizmit shqiptar, duhet t’i shohin artikujt e tij si një burim të dorës së parë. Kjo pasi këto artikuj  dëshmojnë jo vetëm për vështirësitë e shqiptarëve gjatë viteve të luftës, por edhe për mbështetjen që gjeti Shqipëria tek personalitete të ndershme e të respektuara në Perëndim.

Në këtë kuptim, Scriven nuk ishte thjesht një oficer amerikan i shquar. Ai ishte gjithashtu një ndër zërat e huaj të parë që artikuloi qartë se Shqipëria kishte të drejtë të ekzistonte si shtet i pavarur, duke e quajtur atë një “vend të çudirave” që nuk duhej vënë nën sundimin e askujt.

Ky mesazh, i ardhur nga faqet e revistave amerikane, i dha kombit shqiptar një aleat të çmuar në një nga momentet më të rrezikshme të historisë së tij moderne.

Filed Under: LETERSI

Studentë dhe pedagogë shqiptarë nga Fakulteti i Mjekësisë Dentare, pjesë e programit “Biomaterials and 3D Printing for Therapeutical Applications”, organizuar nga Prof. Bruna Sinjari dhe Universiteti “Gabriele d’Annunzio”, Chieti-Pescara

September 28, 2025 by s p

Në datat 08 -13 shtator 2025, në Universitetin “Gabriele d’Annunzio” Chieti Pescara, u zhvillua një program trajnimi mjaft interesant, “Biomaterials and 3D Printing for Therapeutical Applications”. Ky program u ideua dhe u organizua në mënyrë perfekte nga Prof. Bruna Sinjari, koordinatore dhe përgjegjëse e këtij aktiviteti. Aktualisht Prof. Bruna Sinjari është e deleguara e Rektorit e këtij universiteti për marrëdhëniet me universitetet e Ballkanit. Prej vitesh ajo ka dhënë një kontribut të spikatur në bashkëpunimin aktiv, të suksesshëm dhe të gjithanshëm ndërmjet Universitetit “Gabriele d’Annunzio” Chieti-Pesacara dhe Fakultetit të Mjekësisë Dentare.
Ky aktivitet një javor mblodhi së bashku akademikë të spikatur të Universitetit të Chietit, me profesorë dhe studentë të universiteteve ndërkombëtare, si Irlanda, Hollanda, Spanja, Greqia, Lituania, Rumania, Moldavia, Polonia, etj. Në të patën mundësinë të marrin pjesë studentë dhe pedagogë nga Fakulteti i Mjekësisë Dentare, UMT. 


Ky program nuk ishte thjesht një aktivitet akademik, por një eksperiencë e plotë shkencore, profesionale dhe kulturore, që la gjurmë të thella tek të gjithë pjesëmarrësit.
Leksionet e mbajtura nga akademikë me përvojë, prezantimet e detajuara dhe sesionet praktike mbi aparaturat dhe teknologjitë më të fundit dixhitale dhe mbi biomaterialet, u pritën me shumë interes nga pjesëmarrësit, si një mundësi për të thelluar dijet, duke mësuar teknika të reja dhe duke  kuptuar më qartë perspektivat që ofron kjo fushë për të ardhmen e stomatologjisë dhe të mjekësisë.

Gjatë gjashtë ditëve të larmishme, niveli i lartë shkencor i prezantimeve të profesorëve, u ndërthur me organizimin e përkryer të pjesës sociale dhe kulturale, ku studentët dhe pedagogët u njohën me natyrën mbresëlënëse, me historinë e vendit, si dhe shijuan aktivitetet sportive dhe turet çiklistike, karakteristikë e zonave të Peskarës. Atmosfera e ngrohtë dhe miqësore e krijuar ndikoi në forcimin e lidhjeve mes pjesëmarrësve, duke e kthyer këtë trajnim në një eksperiencë gjithëpërfshirëse, jo vetëm si një mundësi për të fituar njohuri të reja, por edhe për të ndërtuar ura bashkëpunimi mes universiteteve, për të forcuar marrëdhëniet akademike ndërkombëtare dhe për të krijuar një frymë të re bashkëpunimi që do të ketë ndikim afatgjatë.


Ky aktivitet mbetet një përvojë e paharrueshme që do të shërbejë si frymëzim dhe motivim për zhvillimin e mëtejshëm akademik dhe profesional të të gjithë studentëve dhe pedagogëve pjesëmarrës.

Falenderimet tona më të ngrohta shkojnë për Prof. Bruna Sinjarin dhe ekipin që ajo ka krijuar, si dhe për stafin mbështetës, të cilët me profesionalizëm, përgjegjshmëri, korrektesë, mikpritje dhe respekt në çdo detaj, arritën të realizojnë një aktivitet të nivelit më të lartë, duke dëshmuar një shembull të shkëlqyer të vlerave të larta akademike dhe njerëzore.

Filed Under: Sociale

Presidenti i Shqipërisë në Shkollën e Trashëgimisë Shqipe “Children of the Eagle” në New York: një ditë e mbushur me krenari dhe emocion

September 28, 2025 by s p

Nga Drita Gjongecaj

NY, 27 shtator, 2025/

Një ditë e veçantë dhe plot emocion u shënua në historinë e komunitetit shqiptar në Bronx, sot kur Presidenti i Republikës së Shqipërisë, SH. T. Z. Bajram Begaj zhvilloi një vizitë zyrtare në Shkollën Shqipe “Children of the Eagle” në Neë York. Kjo vizitë solli momente të paharruara dhe krenari e emocion për nxënësit, prindërit dhe mësuesit.

Presidenti shoqërohej nga Zonja e Parë, Armanda Begaj, nga Ambasadorja e Shqipërisë në OKB, Suela Janina dhe Ambasadori i Shqipërisë në SHBA, Ervin Bushati. Në këtë veprimtari mori pjesë edhe drejtoresha e shkollës publike PS 108, znj. Stefania Cedrola Mustafa, e cila vlerësoi punën e veçantë të shkollës shqipe dhe inkurajoi nxënësit që të vazhdojnë të ndjekin programin si një rrugë për ruajtjen e identitetit dhe trashëgimisë së tyre kulturore.

Aktiviteti nisi me këndimin e Himnit Kombëtar, duke i dhënë veprimtarisë solemnitetin që meritonte.

Presidenti përshëndeti pjesëmarrësit, duke vlerësuar punën e palodhur të shkollës dhe rëndësinë që ka të mësuarit e gjuhës shqipe dhe ruajtja e kulturës kombëtare. Ai falenderoi mësuesit, familjarët, vetë nxënësit, si dhe drejtuesen e shkollës.

“Dua me këtë rast të falenderoj në mënyrë të vecantë zonjën Drita Gjongecaj për përkushtimin e palodhur, vizionin dhe lidershipin e saj. Falë saj dhe punës së kolegëve, por kuptohet edhe ju si familjarë, kjo shkollë është një shembull dhe një tempull i identitetit shqiptar këtu në zemër të Nju Jorkut.”

Më tej, Presidenti vazhdoi:

“Kur fëmijët tanë flasin shqip, ata nuk mësojnë vetëm gjuhën po mësojnë një pjesë të një populli që ka mbijetuar falë dashurisë ndaj atdheut, falë kulturës së tyre.

Të dashur fëmijë, ju jeni fëmijët e shqiponjës. Kudo që jeta do t’u cojë, mos harroni se shqiponjat fluturojnë shumë, shumë lart por shqiponja kurrë nuk e harron ku e ka folenë. Dhe ju sot jeni ata të cilët do të keni dy kultura, dy gjuhë dhe dy atdhe, Shqipërinë dhe Amerikën. Kjo është forca juaj për të ardhmen, kjo është pasuria juaj më e madhe dhe do t’u hapë dyert kudo në jetë.

Ju falenderoj shumë nga zemra që mbani gjallë gjuhën, traditat dhe vlerat tona. Uroj që kjo shkollë me dashurinë e përkushtimin e këtyre mësuesve, me dashurinë dhe përkushtimin tuaj si prindër do të vazhdojë të rritet, të frymëzojë dhe të udhëheqë jo vetëm këtë brez kaq të mirë që mëson por shumë e shumë breza të tjerë të cilët do të jetojnë në NY e më gjerë.”

Fjalën e Tij, Presidenti e mbylli duke vecuar me entuziazëm moton e Shkollës së Trashëgimisë Shqipe “Children of the Eagle”, moto të cilën kjo shkollë e mban si një mesazh të fuqishëm për gjeneratat e reja:

Shqip do flas e shqip do shkruaj,

Edhe pse jam ne dhe të huaj,

Gjuhë të nënës shqipen e kam,

Jam krenar që shqiptar jam!

Me interes e dashamirësi u prit edhe fjala e drejtoreshës së shkollës publike, Stefania Mustafa. Ndër të tjera, ajo tha: “Ky program është më shumë sesa mësimet që zhvillohen në fundjavë. Ky është një urë midis brezave, festim i trashëgimisë dhe një mundësi për nxënësit tanë që të përqafojnë gjuhën, traditën dhe vlerat e Shqipërisë ndërsa rriten këtu në qytetin e Nju Jorkut. Duke mësuar këngë, valle, histori dhe letërsi, fëmijët tanë jo vetëm që forcojnë kulturën e tyre shqipe, por edhe pasurojnë strukturën e larmishme të të gjithë komunitetit tonë shkollor.”

Ndërkohë, znj. Drita Gjongecaj, themeluese dhe drejtore e Shkollës “Children of the Eagle”, njëkohësisht zv/drejtore në një nga shkollat publike amerikane në NY, shprehu vlerësimin për vizitën e Presidentit dhe risolli në vemendjen e të pranishmve dy arritjet historike të muajve të fundit:

“Do të doja të rikujtoja vetëm dy arritje historike të komunitetit shqiptar në lidhje me gjuhën shqipe këtë vit. Kjo jo vetëm si iniciatore dhe hartusese e propozimit për programin dygjuhësor (Dual Language) por edhe për faktin se të dy këto arritje shënuan institucionalizimin e shqipes në metropolin e madh, duke i dhënë asaj vendin e respektuar në një sistem prej rreth 1 milion studentësh të arsimit parauniversitar.

Njëra arritje është hapja e klasës dygjuhësore shqip-anglisht për herë të parë jo vetëm në NY por edhe në botën mbarë në modelin e dyanshëm të mësimit të gjuhës. Natyrisht qëllimi dhe puna do të përqëndrohen në shtrirjen e programit në shkolla dhe lagje (boroughs) të tjera në Qytetin gjigand të Nju Jorkut.

Arritja e dytë, në rrang më të gjerë se sa programet shkollore, është ajo që gjuha shqipe është miratuar si gjuhë zyrtare e komunikimeve të Bordit Arsimor të Shkollave Publike në NY.”

Znj. Gjongecaj e mbylli fjalën e saj me premtimin se puna e pandërprerë dhe e përkushtuar e mësuesve të Shkollës së Trashëgimisë Shqipe “Children of the Eagle” do bëjë të mundur që këta nxënës të jenë ambasadorë të vendit tonë kudo që shkelin. Për më tepër, me zotërimin e dy gjuhëve dhe formimin si qytetarë globalë, ata do mund të përfaqësojnë vendin e prejardhjes edhe jashtë Amerikës dhe pse jo, në rolin e mirëfilltë të Ambasadorit në Amerikë, Evropë apo diku tjetër.”

Një grup nxënësish përshëndetën dhe falënderuan Presidentin për vizitën dhe librat e dhuruar, duke treguar me fjalë të thjeshta pse ata duan të mësojnë shqip. Programi u pasurua me recitime nga nxënësit Niko, Fatjon dhe Joana ndërsa fëmijët valëvitnin flamujt e vegjël kuqezi.

Me një gjest simbolik, Presidentit iu dhurua bluza e shkollës me emrat e të gjithë nxënësve. Në një atmosferë të ngrohtë e të afërt, Ai u ul mes fëmijëve, bëri fotografi me ta dhe i përgëzoi për dëshirën dhe përpjekjet që tregojnë në mësimin e gjuhës së prejardhjes. Rradhët e gjata të prindërve dhe fëmijëve për të fiksuar një kujtim pranë Presidentit treguan emocionin dhe rëndësinë e këtij takimi të ngrohtë.

Kjo vizitë do të mbetet gjatë në kujtesën e komunitetit shqiptar në Bronx, si një dëshmi e lidhjes së fortë mes Shqipërisë dhe bijve të saj në mërgatë, por edhe si një shtysë e re për fëmijët që të rriten krenarë për origjinën e tyre dhe të formohen si qytetarë globalë, të gatshëm të kontribuojnë si në vendin ku jetojnë, ashtu edhe në atdheun e tyre.

Filed Under: Reportazh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 311
  • 312
  • 313
  • 314
  • 315
  • …
  • 2946
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT