• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PARADA E RRËNJËVE SHEKULLORE NË ZEMRËN E SHQIPTARËVE

September 23, 2025 by s p

Angela Kosta/

Të shtunën e kaluar, më 20 shtator 2025, për të katërtin vit radhazi, qyteti i Astit në Piemonte të Italisë, u shndërrua në një skenë të madhe sfilate të kostumeve, folklorit dhe traditave shqiptare.

Edhe këtë vit, “LE RADICI DEL CUORE – RRËNJËT E ZEMRËS”, aktivitet i organizuar nga shoqata Assoalbania Piemonte si dhe Qendra Artistike e Kulturore Margarita Xhepa, me mbështetjen e Bashkisë së Astit, solli në qytet një larmi të pasur kostumesh, muzike dhe shijesh guzhine, gjatë një dite të tërë përkushtuar kulturës, paqes dhe urave që lidhin vëllazëri mes popujve, pa dallim identiteti.

Në orën 15:30, nga sheshi Roma, parada përshkoi qendrën e qytetit, duke kaluar nga sheshi Alfieri dhe sheshi 1 Maji, për t’u ndalur në parkingun Way Assauto. Pas përshëndetjes së Kryetarit dhe Nënkryetarit të Bashkisë së Astit, si dhe të kryetarëve e këshilltarëve të tjerë bashkiakë me origjinë shqiptare nga disa qytete të veriut, e mori fjalën edhe zyrtarja për Diasporën pranë Konsullatës së Shqipërisë në Milano, Znj. Luljeta Çobanaj, e cila në fjalimin e saj, theksoi rëndësinë e këtij aktiviteti, jo vetëm për popullin dhe komunitetet shqiptare, por edhe për lidhjet dhe urat që krijohen me vëllezërit tanë italianë.

Pas fjalimeve nga autoritetet e tjera institucionale të Astit, deri në orët e vona të mbrëmjes, u zhvillua një spektakël madhështor, me prezantimin e valleve shqiptare dhe instrumenteve tradicionale karakteristike, nën shoqërinë e grupeve folklorike dhe shoqatave të shumta, që erdhën jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga komunitete të ndryshme shqiptare, si: Torino, Modena, Brescia, Milano, Montebelluna, etj. Ndër të ftuarit ishin edhe këngëtarët: Mustafa Meja, Renato Jaho dhe Dj Beni 006.

Gjatë shfaqjeve artistike, pjesëmarrësit patën mundësinë të shijojnë gatimet tradicionale shqiptare, të shoqëruara me pije verërash nga rajoni i Piemontes, duke festuar kështu takimin mes kulturave dhe popujve, pa dallim gjuhe.

“Komuniteti ynë dëshiron të ndajë me qytetin e Astit rrënjët e veta, identitetin dhe traditat që kemi ruajtur ndër shekuj, pavarësisht një historie të shënuar nga pushtimet dhe emigracioni”, thanë organizatorët, të kënaqur nga pjesëmarrja e gjerë e komuniteteve të ardhura nga larg.

Ndërmjetësja kulturore, Sabina Darova shpjegoi se të gjitha veshjet në sfilatë, janë kostume popullore nga zona të ndryshme shqiptare, disa origjinale dhe të çmuara, si “Xhubleta”, një veshje artizanale prej leshi të zi, e qëndisur me motive që përfaqësojnë aspekte të ndryshme të jetës. Një veshje e përdorur kjo në Veri të Shqipërisë që daton mbi 3000 vite më parë dhe që është shpallur trashëgimi kulturore nga UNESCO.

Nga kjo veshje kemi dy ekzemplarë, të trashëguar brez pas brezi. Kurse disa kostume të tjera, janë riprodhuar në kohët moderne duke ruajtur traditat artizanale të hershme.

Manifestimi i 20 shtatorit ishte një rast feste midis miqsh, i cili bashkoi Shqipërinë dhe Piemonten, të mbështjellë me flamurin tonë, duke kënduar së bashku himnet kombëtare.

Filed Under: Reportazh

FORTIFIKIMI PREHISTORIK I ZEJMENIT

September 23, 2025 by s p

Paulin Zefi/

Fortifikimi i Zejmenit është një vendbanim parahistorik me mure mbrojtës, që ndodhet 8.5 km në juglindje të qytetit të Lezhës, në kodrat që ngrihen mbi ultësirën bregdetare, rreth 800 m në lindje të fshatit Zejmen. Ky fortifikim është i vendosur mbi një kodër shkëmbore me lartësi rreth 163 m mbi nivelin e detit, e cila ofron një pamje dominuese mbi zonën përreth. Ajo ka një rëndësi strategjike pikërisht për shkak të pozicionit të saj dominant, nga ku kontrollohej rrjedha e poshtme e lumit Mat, qasja në drejtim të Lezhës dhe në brendësi të territoreve përreth. Vetë fshati i Zejmenit është një vendbanim shumë i hershëm dhe përveç fortifikimit në fjalë, pak më lart në drejtim të veriut gjenden mbetjet e një fortifikimi tjetër i njohur si “Kalaja e Gaboit [1]”, por që është një ndërtim më i vonë.

Të dhënat për Fortifikimin Prehistorik të Zejmenit vijnë kryesisht nga një raport mbi vëzhgimet e kryera nga arkeologët, Rovena Kurti dhe Rudenc Ruka, në zonën kodrinore të Shqipërisë Veriperëndimore (Lezhë-Shkodër) në vitin 2017 [2]. Mbi këtë fortifikim shumë pak të njohur, por me një vertikale shumë të thellë historike, anipse në mënyrë sintetike, flet edhe Prof.Dr.Neritan Ceka [3]. Struktura e fortifikimit përbëhet nga tre rrethime të harkuara që zbresin në shpatin jugor të kodrës, duke mbuluar një sipërfaqe prej afërsisht 2 ha. Gjatësia dhe gjerësia maksimale e fortifikimit arrijnë rreth 200 metra. Rrethimi i majës së kodrës, mbulon një sipërfage të përgjithshme rreth 1.950 m² [gjatësia maksimale 33 m; gjerësia maksimale rreth 60 m] [4]. Ai ka formë rrethore në katërkëndore të çrregullt me kënde të harkuara.

Një hyrje duket në murin perëndimor, pranë këndit jugperëndimor, e cila formohet nga ndërprerja e murit pranë një shkëmbi natyror. Rrethimi i dytë ndodhet rreth 45 m më poshtë, drejt jugut, dhe përcaktohet nga një mur i dytë i harkuar, i cili lidh dy muret anësorë. Edhe përgjatë këtij muri duket të ketë një hyrje pranë këndit jugperëndimor të rrethimit. Muret anësorë vazhdojnë poshtë shpatit jugor dhe ndalojnë në një brez të thepisur shkembor, i cili ofron një mbrojtje shumë të mirë natyrore. Gjurmë të një muri të tretë rrethues në këtë skaj të fortifikimit janë pak të dukshme në këndin juglindor, ndërsa humbasin drejt jugperëndimit, për arsye të pranisë së shkëmbit të thiktë natyror në këtë pjesë. Muret mbrojtëse janë ndërtuar me gurë gëlqerorë të çrregullt, pa përdorimin e materialit lidhës, një teknikë tipike për periudhën prehistorike ose protohistorike.

Në zona të caktuara, shkëmbi natyror është përdorur si pjesë integrale e murit, ose në raste të tjera, muri është ndërtuar direkt mbi të. Gjerësia e murit eshtë e vështirë të përcaktohet me saktësi, pasi paraqitet në formën e një trakti të gjerë e të çrregullt gurësh, por në pjesët e ruajtura më mirë gjerësia arrin rreth 2 – 2.50 m [5]. Në bazë të rilevimit të fundit që kam bërë më 18.09.2025 pranë majës së masivit shkëmbor, lartësia maksimale e mureve arrin deri në 0.80 m. Organizimi dhe teknika e ndërtimit të këtij fortifikimi tregojnë ngjashmëri me fortifikime të tjera protohistorike në Shqipëri, si ato të Malit Kolaj, Trajanit dhe Podgories në juglindje, si dhe me fortifikimet e Karosit, Hadëraj dhe Kuçit në jugperëndim të vendit.

Datimi i saktë i ndërtimit të fortifikimit të Zejmenit vjon të mbetet i pasigurt për shkak të mungesës së gërmimeve arkeologjike sistematike, por duke u bazuar në teknikat e ndërtimit dhe materialet e gjetura në sipërfaqe, mendohet se i përket periudhës së Bronzit të Vonë ose fillimit të Epokës së Hekurit, pra në periudhën tranzitore të kalimit nga Epoka e Bronzit në atë të Hekurit. Ky fortifikim është një dëshmi shumë e rëndësishme e zhvillimit të hershëm urban dhe sistemit mbrojtës në territorin shqiptar, duke pasqyruar organizimin dhe teknikat ndërtimore të kohës. Ai ka një rëndësi të madhe historike dhe arkeologjike, pasi është një nga vendbanimet e fortifikuara më të hershme në truallin shqiptar. Nga vëzhgimet e fundit arkeologjike në zonat kodrinore të Shqipërisë Veriperëndimore, rezulton se Fortifikimi Prehistorik i Zejmenit mund të ketë qenë pjesë integrale e një rrjeti më të gjerë vendbanimesh të fortifikuara ilire në rajonin e Lezhës dhe Shkodrës.

Fortifikimi ka shërbyer njëkohësisht si vend mbrojtjeje për banorët e tij, si qendër strehimi për popullsinë lokale në rastet kur përballeshin me sulme eventuale nga armiq të ndryshëm, por edhe si pikë vrojtimi dhe sinjalizimi. Po ashtu, ky fortifikim prehistorik, si një pikë e rëndësishme strategjike, ndoshta shërbente edhe si një qendër mbrojtëse për rrugët tregtare që lidhnin bregdetin e Adriatikut me brendësinë e Ilirisë. Në mungesë të një burimi të shkruar që ta lidhë drejtpërdrejt me një fis specifik ilir, përcaktimi etnik i ndërtuesve të këtij fortifikimi mund të bëhet vetëm nëpërmjet analizës arkeologjike dhe krahasimit me të dhënat për shpërndarjen e fiseve ilire në këtë rajon. Fisi ilir i Abrejve (ose Abroi, sipas varianteve të ndryshme leksikore), i përmendur nga autorë antikë si Hekateu i Miletit dhe Plini Plaku, banonte kryesisht në hapësirën ndërmjet qytetit të Lezhës dhe rrjedhës së poshtme të lumit Mat, me një prani mjaft të fuqishme edhe në krahina të brendshme të Shqipërisë së Veriut. Kjo shtrirje përputhet plotësisht me pozicionin gjeografik të fortifikimit prehistorik të Zejmenit, çka e bën të arsyeshme hipotezën se ky vendbanim mund të ketë qenë pjesë e territorit të Abrejve.

Megjithatë, në mungesë të gërmimeve të thelluara arkeologjike dhe dëshmive të drejtpërdrejta epigrafike apo dokumentare, kjo lidhje mbetet në nivel hipotetik. Duhet marrë parasysh gjithashtu se kufijtë midis fiseve ilire nuk kanë qenë gjithmonë të fiksuar dhe karakterizoheshin nga lëvizshmëri në kohë të ndryshme historike. Prandaj, ka gjasa që përtej Abrejve, në këtë hapësirë të kenë ndikuar edhe fise të tjera si Albanët më në jug apo Pirustët më në lindje, nëse shtrirja e tyre ka qenë më e gjerë në kohët prehistorike. Ndërmarrja e gërmimeve sistematike arkeologjike në fortifikimin prehistorik të Zejmenit do të mundësonte jo vetëm identifikimin më të saktë të autorëve të ndërtimit të tij, por edhe do të kontribuonte ndjeshëm në zbardhjen e fazave të hershme të zhvillimit të qytezave të hershme ilire në këtë rajon. Rezultatet e një ekspedite të tillë do të ndihmonin në përftimin e një panorame më të qartë mbi mënyrën e organizimit shoqëror dhe strukturat ekonomike të këtyre bashkësive në periudhën e kalimit nga Epoka e Bronzit në atë të Hekurit.

Për më tepër, këto të dhëna do të ishin me rëndësi thelbësore për kuptimin më të thelluar të proceseve të formimit dhe konsolidimit të etnosit ilir si një grup etnik i veçantë në kontekstin historik dhe kulturor të Ballkanit Perëndimor. Megjithëse aktualisht pak i njohur dhe i pazbuluar në mënyrë të plotë, siti arkeologjik i fortifikimit të Zejmenit paraqet një potencial të konsiderueshëm për t’u integruar në Trashëgiminë Kulturore Kombëtare si një monument me vlera të veçanta historike dhe arkeologjike. Përveç rëndësisë së tij shkencore në kuadër të studimeve mbi vendbanimet prehistorike në Shqipërinë Veriperëndimore, ky sit mund të zhvillohet edhe si një destinacion i rëndësishëm për turizmin kulturor, duke kontribuar në promovimin dhe valorizimin e Trashëgimisë sonë Historike në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar.

BIBLIOGRAFIA:

1- L.Gjergji, Toponamastika e Zejmenit, në: Lisi, 3, Lezhë: 1971, f. 200.

2- R.Kurti & R.Ruka, Raport mbi vëzhgimin arkeologjik në zonën kodrinore të Shqipërisë Veriperëndimore (Lezhë-Shkodër, viti 2017), në: Candavia, 7, Akademia e Studimeve Albanologjike / Instituti i Arkeologjisë, Tiranë: 2018, f. 150-152.

3- N.Ceka, Në fillimet e qytetit ilir, f. 65-66.

4- R.Kurti & R.Ruka, Raport mbi vëzhgimin arkeologjik në zonën kodrinore të Shqipërisë Veriperëndimore (Lezhë-Shkodër, viti 2017), në: Candavia, 7, Akademia e Studimeve Albanologjike / Instituti i Arkeologjisë, Tiranë: 2018, f. 151.

5- Ibidem, f. 151.

Filed Under: Histori

Kolonel Ahmet Krasniqi, in memoriam…

September 22, 2025 by s p

Dr. Elmi Berisha/

Në çdo përvjetor të kalimit në përjetësi të Kolonelit legjendar Ahmet Krasniqi, strategut e heroit të lirisë së Kosovës, më sjell të gjalla në memorien time kujtime lirie, trimërie, guximi e pavdeksie. 27 vite kanë kaluar dhe trashëgimia e Kolonelit të Lirisë mbetet frymëzuese, e përjetshme dhe e pavdekshme për mua dhe të gjithë bashkëveprimtarëve të kohëve të luftës e betejave për komb e atdhe. Është krenari dhe nder i jetës sime bashkëpunimi i ngushtë me Kolonel Krasniqin në sfidat e betejat për lirinë e Kosovës dhe çështjen kombëtare. Miku im i përjetësisë Kolonel Krasniqi ishte një patriot e atdhetar, trim e guximtar, intelektual e veprimtar, strateg e vizionar. Ahmet Krasniqi qëndron përjetë në themelet e kombit dhe të ndërgjegjes sonë kombëtare.

Ministri i parë i Mbrojtjes së Kosovës me krenari historike qëndron gurë-themel i krijimit të shtetit e ushtrisë së Kosovës. Ai veproi e drejtoi me dinjitet, ndershmëri e profesionalizëm, ai frymëzoi dhe rrezatoi vlerat më të denja njerëzore, profesionale e atdhetare. Kolonel Krasniqi na trashëgoi dinjitet, guxim, nder e trimëri. Kombi do ti jetë përjetë mirënjohës, dhe ne miqtë e tij do ta kujtojmë e sdo ta harrojmë përjetë.

Nder dhe lavdi jetës e veprës së Kolonel Ahmet Krasniqit.

Filed Under: Emigracion

Regjisori dhe producenti Antonjo Gjonaj vizitoi Vatrën

September 22, 2025 by s p

Sokol Paja/

Regjisori dhe producenti Antonjo Gjonaj vizitoi Vatrën. Ai u prit nga vatrani historik z.Marjan Cubi, këshilltari për art dhe kulturë në Vatër z.Nazim Salihu, ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës z.Halil Ahmeti, anëtari i kryesisë së Vatrës z.Ilir Cubi dhe editori i Diellit. Në fjalën e mirëseardhjes z.Marjan Cubi i shpjegoi artistit Gjonaj etapat historike në të cilat ka kaluar Vatra, ndërsa këshilltari për art dhe kulturë në Vatër z.Nazim Salihu i detajoi producentit Gjonaj aktivitetet kryesore kulturore të Vatrës me synim promovimin e kulturës kombëtare.

Regjisori dhe producenti Antonjo Gjonaj në fjalën e tij falënderoi Vatrën për mikpritjen dhe punët e mëdha kombëtare përgjatë historisë. Producenti Gjonaj shpjegoi veprimtarinë e tij artistike në Itali e Shqipëri, studimet dhe fokusi në kinematografi, filmat për Rai-n, Mediaset, bashkëpunimet në produksione amerikane e shqiptarëve. Ai tregoi me krenari përfshirjen e Plisit shqiptar në Festivalin e filmit në Venezia dhe së fundmi përpjekjet për të depërtuar në kinematografinë amerikane. Në përfundim të takimit kineastit Gjonaj iu dhurua albumi me pikturat e piktorit Halil Ahmeti.

Filed Under: Vatra

Mihal Shani Tepelena

September 22, 2025 by s p

Dr. Dorian Koçi/

Figura e Mihal Shani Tepelenës përbën një shembull të admirueshëm të atdhetarizmit të ndërthurur me aftësitë profesionale dhe talentin artistik. Ai është një nga ata personalitete të padeklaruar shpesh në histori, por që kanë lënë gjurmë të rëndësishme në formimin e identitetit kulturor e shoqëror shqiptar gjatë gjysmës së parë të shekullit XX.

Mihal Shani Tepelena, siç firmoste vetë në Stamboll, ishte aktiv në klubet patriotike dhe financoi gazetën “Bashkimi i Kombit” në vitin 1908, e cila botohej po aty. Në një fotografi të ruajtur, ai shfaqet së bashku me disa nga personalitetet më të rëndësishme të kolonisë shqiptare në Stamboll. Shoqëria quhej “Pragu Shqiptar”, një shoqëri që ishte shumë aktive sidomos gjatë viteve 1922–1924.

Mihal Shani lindi në Shtëpëz të Tepelenës, sot i perket Gjirokastrës administrativisht. Ai ishte nip i familjes Meksi nga Labova e Zhapës dhe nxënës i Papapanos në Gjirokastër. Pas studimrve në Gjirokastër ai emigroi në Stamboll, ku u kthye në një nga pronarët e një salloni mode, falë talentetit të madh si rrobaqepës. Në vitet 20′ u kthye në Shqipëri dhe u vendos në Tiranë ku hapi sërish sallonin e vet të modës ku qepte rrobat familja mbretërore, elita e kohës dhe trupi diplomatik.

Në foto dy të siguruar nga familjarët e tij është stampa që vendoste në rrobat që prodhonte, ku shquan shqiponja dykrenore, simbol i patriotizmit të tij.

Filed Under: Interviste

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 321
  • 322
  • 323
  • 324
  • 325
  • …
  • 2946
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT