• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

15 shtatori – Dita Ndërkombëtare e Demokracisë

September 15, 2025 by s p

Bujar Leskaj/

15 shtatori është një ditë dhe datë ceremoniale, vendosur nga Kombet e Bashkuara, si Dita Ndërkombëtare e Demokracisë. Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, kemi detyrën dhe detyrimin të kujtojmë me respekt ditën tonë të Demokracisë, 8 Dhjetorin, kemi për detyrë të kujtojmë me respekt e përulje Studentët e Dhjetorit ’90, e Shkurtit ’91, të cilët me vetmohim, guxim, ëndrra e idealizëm luftuan për Demokracinë; duhet të përulemi me respekt përpara Dëshmorëve të saj, Arben Broci, Azem Hajdari, etj; duhet të përulemi me respekt përpara qëndrestarëve antikomunistë shqiptarë qe rezistuan ne burgjet e dikatatures per 50 vjet; përpara themeluesve të Partisë Demokratike, zoterinjve Azem Hajdari,Aleksandër Meksi, Sali Berisha, Gramoz Pashko, Pjetër Arbnori, Arben Imami, Genc Ruli,Rexhep Uka,Ylli Vejsiu,Bamir Topi, Dashamir Shehi, Omer Stringa, Afrim Jupi, Artan Hoxha, Ibrahim Vasjari, Alfred Zijai etj

Partia Demokratike bëri ndryshimin në Shqipëri, solli pluralizmin e Lirinë me mbështetjen e pakursyer në gjithë këto vite të partnerit tonë strategjik, kampionit të Demokracisë në botë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por sot kjo ditë duket sikur e ka humbur simbolikën dhe kuptimin e saj në Shqipëri. Shqipëria sot ka një kufizim total të demokracisë, sepse dominon modeli autoritarist. Sot, në Shqipëri jo vetëm mohohet jeta e Demokracisë, fjala dhe ligjërimi demokratik, por ngrihet në kult sundimi më antidemokratik duke na e imponuar këtë sundim si model inspirues.

Sot, pas tri dekadash “demokraci” Shqipëria është peng i korrupsionit, mentalitetit përçmues e kriminal, autoritarizmit të sektit Rama, që i ka mbërthyer shqiptarët për gryke, që është i paaftë të ofrojë ndryshime pozitiviste e që ka zhbërë e zhbën çdo vlerë demokratike. Ky sekt, Partia- shtet, ata që duan më shumë “partinë se Shqipërinë” kanë kapur gjithçka, shtetin, pushtetin, ekonominë, politikën, drejtesine…

Ndaj Shqipëria e sotme, vazhdon të jetë vend i ikjes masive të popullit e i elitave intelektuale, i ikjes së të rinjve, i ikjes së atyre që kanë potencial ndryshimi të vërtetë, dhe njëherësh është vendi ku pushteti kthehet kundër e përballë qytetarëve dhe vlerat janë krejt të përmbysura. Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, duhet të reflektojmë përpara së gjithash tek vetja dhe të kuptojmë që Demokracia nuk është përjashtuese, por përbashkuese mbi bazën e vlerave të vërteta. 15 shtatori është ditë dhe moment reflektimi të thellë edhe për Partinë Demokratike, si shpresë e alternativë reale për shqiptarët.

Partia Demokratike, e cila sot përfaqëson gjysëm milioni qytetarë shqiptarë që kundërshtojnë keqqeverisjen e regjimit “Rama”, përballet me një sfidë historike në përballjen me një pushtet gjithnjë e më autoritar. Ky regjim, i udhëhequr nga një autokrat që çdo ditë e më shumë minon themelet e demokracisë, synon instalimin e një strukture të mirëfilltë autoritare në Shqipëri.

Për ta përmbushur këtë mision madhor, Partia Demokratike duhet të dëshmojë se është një alternativë e besueshme duke u mbështetur fuqimisht në dy parime themelore të funksionimit demokratik: llogaridhënien dhe transparencën. Këto parime duhet të fillojnë së pari brenda vetë strukturave të saj drejtuese, si një shembull i qartë për qytetarët shqiptarë se çfarë do të thotë të jesh një parti vërtet demokratike. Gjithashtu, Partia Demokratike duhet t’i japë prioritet alternativave dhe konkurrencës së ndershme brenda strukturave të saj. Në çdo nivel të drejtimit, duhet të ketë kandidatura të hapura dhe alternative si një garanci për rritjen, rinovimin dhe funksionimin demokratik të brendshëm. Sepse, në fund të fundit, ndryshimi është jetë, ndryshimi është progres. Prandaj, që kjo ditë e Demokracisë të ketë vërtet kuptim e vlerë duhet që kësaj dite t’i japim kuptim duke përmbysur autoritarizmin dhe demokracinë kallpe! Duke sjellë ndryshimin e vërtetë!

Filed Under: ESSE

“DAVIDI” I MIKELANXHELOS DHE “SINDROMA E STENDALIT”

September 15, 2025 by s p

– Duke këqyrur statujën e “Davidit” të Mikelanxhelos –

Shkruar nga Avni Alcani

Ka qenë dëshira ime e kaherëshme, që, udhëtimin tim të parë në gadishullin e Apeninit, vizitën e parë ta bëja në qytetin e Firencës. Me këtë qytet Toskan më lidhnin shumë ëndërra dhe dëshira (dikur të paarritshme), të cilat e kishin zanafillën kur unë studioja në Liceun Artistik të Tiranës. Në lëndën e historisë së artit ishim njohur me veprat e mjeshtrave botërorë, veçanërisht me mjeshtërat e mëdhenj të Rilindjes Italiane, si Mikelanxhelo, Leonardo da Vinçi, Rafaeli, Botiçeli, Donatelo etj., të cilët, me gjenialitetin e tyre, patën bërë epokë, si dhe kishin dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në pikturën botërore, në skulpturë, arkitekturë etj.

Në dhjetor të vitit 2016 udhëtova për herë të parë në Itali dhe vëndqëndrimi im sigurisht që ishte qyteti i Firencës. Gjatë qëndrimit të shkurtër 3-ditor planifikuam disa vizita në qytet. Ditën e parë vizituam qytetin, pallatet monumentale, sheshin “Piazza della Signoria”, Katedralen e famshme Santa Maria del Fiore etj. Vizitën në qytet po e përjetoja me shumë emocion, pasi po shkelja nëpër ato rrugë dhe sheshe ku kishin kaluar mjeshtrit e mëdhenj fiorentinas dhe po shijoja disa nga pallatet madhështore, që i kishin projektuar ata.

Ditën e dytë të vizitës ia kushtuam Galerisë së Akademisë. Atje shkuam herët në mëngjes dhe për fatin tonë të mirë, vizitorët e shumtë ende nuk kishin mbërritur dhe kjo na shmangu nga radhët e gjata e të lodhshme. Që në hyrje të galerisë u ndeshëm me një koridor të gjatë, ku ishin vendosur skulpturat e papërfunduara të Mikelanxhelos, të cilat fillimisht ishin planifikuar për varrin e papës Julius II në Romë. Në fund të atij koridori rruga të çonte direkt në skulpturën më të famshme në botë, te “Davidi” i Mikelanxhelos.

Nuk e di se sa gjatë e kam vështruar skulpturën e famshme. Çfare lumturie ishte që të shikoje Davidin! U solla disa herë rrotull saj. U mahnita me bukurinë trupore të Davidit, me përmasat e tij mbinatyrale, prefeksionin e detajeve etj., i cili më emocionoi dhe më mahniti si kurrë ndonjëherë. Vështroja me admirim detajet e portretit: syrin, hundën, buzët, dorën. Në shkollën tonë kishim kopjet e tyre, të cilat, në vitin e parë të Liceut Artistik, i kisha realizuar si etyde në klasën e skulpturës. Qëndroja i mahnitur dhe i shtangur nga ndjesitë, si dikur rreth 50 viteve më parë.

Me këto ndjesi dhe me kujtimet e mia, u largova për një moment nga Davidi për të parë veprat e tjera të galerisë, por sytë dhe vështrimi im nuk shkëputeshin nga statuja e tij. Sa herë largohesha, aq herë i rikthesha Davidit. Ajo skulpturë nudo e bukur po më emociononte pa masë, sa gati po më merrte frymën. As vetë nuk po e kuptoja se ç’po më ndodhte. Trupi m’u mbush me djersë. Më kapi një ngashërim i madh, sa nuk qëndrova dot në këmbë. U ula në një stol aty afër. Ime shoqe dhe djali m’u afruan menjëherë dhe më pyeti e shqetësuar se çfarë më kishte ndodhur. Unë i thashë se as vetë nuk po e kuptoja se çfarë po më ndodhte.

Pasi u qetësova, pas disa minutash e rimora sërish veten dhe ne e vijuam vizitën tonë nëpër sallat e tjera të Akademisë. Dolëm pas disa orësh për të vizituar Kapelën e Mediçëve, e cila ndodhej pranë Akademisë. Edhe aty ndodheshin disa nga skulpturat më të famshme të Mikelanxhelos, i cili kishte zbukuruar me to varret e Mediçëve. Ndonëse nëpërmjet albumeve dhe ilustrimeve të tjera, skulpturat e Mediçëve kishin qenë të njohura prej meje, por, kur i pashë nga afër, ato më dhanë një tjetër ndjesi dhe një tjetër emocion.

Të nesërmen vizituam Galerinë “Uffizi”, që kishte koleksionin më të madh të kryeveprave botërore të mjeshtrave fiorentinë, të cilës i kushtuam një ditë të tërë. Brënda godinës ishte një restorant dhe aty drekuam, për t’iu rikthyer sërish vizitave. Mbetëm të mrekulluar nga gjithçka që pamë, si punët e mjeshtrave fiorentinë, ashtu dhe veprat e mjeshtrave të tjerë italianë (dhe jo vetëm). Edhe këtu gjithçka e përjetova me një emocion të veçantë, por pa m’u përsëritur ajo ndjenja e përshtjellimit emocional, si në Galerinë e Akademisë.

Të nesërmen u larguam nga qyteti i Firencës për në Tiranë.

Pas disa ditësh takova shokun tim Kujtim Dividi, të cilit i tregova për ndjesinë time kur pashë Davidin e Mikelanxhelos. Pasi më dëgjoi, ai më tha se kisha kaluar “Sidromën e Stendalit”. Unë u habita, pasi kurrë nuk kisha dëgjuar për “Sidromën e Stendalit”. U bëra kurioz për të mësuar më shumë për këtë ndjesi dhe u njoha me disa literatura, nga të cilat mora informacion për efektin patologjiko-psikosomatike, të quajtur “Sidroma e Stendalit”. Gjatë një vizite që Stendali kishte bërë në bazilikën “Santa Croce” të Firencës, atë e kapi një krizë e forte emocionale, e cila e detyroi të dilte nga ndërtesa, deri sa të rimerrte veten nga reaksioni marramendës që i shkaktoi ai vënd. Ndjesinë e tij Stendali e shkroi në vitin 1817 në librin “Roma, Napoli dhe Firence”, duke përshkruar me hollësi efektet e kësaj patologjie psikosomatike. Psikiatria italiane Graziella Margherini, studioi më shumë se 100 raste të turistëve, të cilët dilnin nga ambientet e mbyllura me shqetësime të çuditshme dhe kërkonin ndihmë në spitalin fiorentin. Fillimi i shqetësimit çfaqej gjatë vëzhgimit të veprave të artit, të cilat godasin në përgjithësi shikuesit me natyrat të ndjeshme. Në studim ishin mbikqyrur kryesisht subjekte meshkuj, të cilët tregoheshin shumë të interesuar sa i përket aspektit artistik të itinerarit të tyre. Në vitin 1979 ajo e bëri të njohur studimin e saj në librin “Sindroma Stendal. Dobësia e udhëtarit përballë madhështisë së artit”.

Unë kurrë nuk jam ndjerë me turp për ç’ka më ndodhi në Firence. Përkundrazi. Do t’i kisha sugjeruar të gjithë miqtë mi, që janë dashamirës të artit pamor, si dhe të gjithë ish bashkënxënësve që kemi studiuar në Liceun Artistik, që ta vizitojnë qoftë një herë të vetme qytetin e Firencës, këtë tempull të kulturës botërore, i konsideruar si kryeqyteti i artit botëror. Edhe nëse rastësisht ndonjërit i bie që të kaplohet nga “Sindroma e Stendalit”, nuk do t’ia dëmtojë shëndetin, por veçse mirë do t’i bëjë. Unë e kam provuar dhe jam i lumtur për këtë.

Filed Under: Histori

Kombi shqiptar, aleat natyral i SHBA që nga kohërat historike deri në kohët e sotme

September 15, 2025 by s p

Analizë Historiko-Diplomatiko-Juridike

Prof.Dr.Fejzulla BERISHA

Titulli reflekton një aleancë të qëndrueshme dhe strategjike midis kombit shqiptar dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, e cila nuk ka qenë fenomen i rastësishëm, por rezultat i një zhvillimi historik, kulturor dhe politik. Analiza jonë e zgjeruar përfshin dimensionin historik, diplomatik dhe juridik ndërkombëtar, duke lidhur ngjarjet kryesore dhe figurat kyçe që kanë afirmuar këtë aleancë.

1. Koherat historike dhe mbështetja juridiko-diplomatike

-Presidenti Woodrow Wilson dhe Konferenca e Paqes (1919):

-Zgjedhja e SHBA për të mbështetur integritetin territorial të Shqipërisë bazohesh në parimin e vetëvendosjes së kombeve, të përfshirë në “Fourteen Points” të Wilsonit. Ky parim është bërë bazë juridike ndërkombëtare për mbrojtjen e kombeve të vegjël në dokumente të mëvonshme të Ligjit Ndërkombëtar.

-Lidhja e shqiptarëve me SHBA në periudhën mes dy luftërave:

-Organizatat diasporike, si “Vatra” dhe Shoqata “Besa”, kanë përdorur mekanizma ligjorë dhe diplomatikë për të lobuar në Kongresin amerikan, duke shfrytëzuar të drejtën ndërkombëtare të mbrojtjes së pakicave dhe parimet e sovranitetit kombëtar.

2. Lufta e Kosovës dhe ndërhyrja ndërkombëtare

-Mandati ndërkombëtar dhe ligji humanitar:

-Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë (1999) ishte një shembull unik ku SHBA veproi brenda kuadrit të rezolutave të OKB-së dhe të së drejtës ndërkombëtare humanitare, duke mbrojtur popullsinë civile nga gjenocidi dhe duke respektuar parimin e përgjegjësisë për mbrojtjen (Responsibility to Protect – R2P).

-Figurat kyçe dhe bazat ligjore:

-Zyrtarë amerikanë si Madeleine Albright dhe William Walker përdorën jo vetëm instrumente diplomatike, por edhe bazë juridike ndërkombëtare për të legjitimuar ndërhyrjen, duke argumentuar se parimet e MB dhe Konventa e Gjenevës kërkonin veprime për të mbrojtur popullsinë civile.

3. Shpallja e Pavarësisë së Kosovës dhe njohja ndërkombëtare

-Rezolutat dhe dokumentet ndërkombëtare:

-SHBA njohu Kosovën menjëherë pas shpalljes së pavarësisë (2008), duke u bazuar në jurisprudencën ndërkombëtare dhe në parimin e vetëvendosjes së popujve të pambrojtur.

-Angazhimi juridik i SHBA:

-Mbështetja amerikane për Kosovën u shpreh edhe përmes dokumenteve ligjore dhe marrëveshjeve bilaterale, duke garantuar mbrojtjen e të drejtave sovrane të shtetit të ri dhe duke integruar Kosovën në mekanizmat ndërkombëtarë.

4. Dimensioni diplomatik dhe strategjik sot

-Partneriteti strategjik Shqipëri–SHBA dhe Kosovë–SHBA:

-Aleanca nuk është thjesht sentimentale; ajo ka bazë juridiko-politike në traktatet dhe marrëveshjet ndërkombëtare për siguri, mbrojtje dhe bashkëpunim ekonomik.

-Instrumentet juridiko-diplomatike:

Marrëveshjet për mbrojtje reciproke

Traktatet ushtarake dhe bashkëpunimi në NATO

Memorandume dhe konventa për zhvillim ekonomik dhe mbrojtje të të drejtave të njeriut

5. Legjitimiteti i proamerikanizmit shqiptar

-Qëndrueshmëri historike:

-Orientimi proamerikan është i thellë dhe i dokumentuar, nga Wilson te ndërhyrja në Kosovë, deri te njohja e pavarësisë dhe marrëveshjet strategjike moderne.

-Legjitimitet juridik ndërkombëtar:

-Veprimet e SHBA dhe shqiptarëve kanë respektuar parimet e ligjit ndërkombëtar: sovranitetin, vetëvendosjen, të drejtat e njeriut dhe mbrojtjen e popullatës civile.

Kontinuiteti:

-Që nga koherat historike deri në kohët e sotme, kjo aleancë ka qenë një faktor kyç për stabilitetin dhe zhvillimin e Ballkanit.

Titulli “Kombi Shqiptar: Aleat Natyral i SHBA nga Koherat Historike deri në Kohët e Sotme” përmbledh një realitet historik, diplomatik dhe juridik. Ai tregon se aleanca shqiptaro-amerikane është më shumë se një simpati: është një partneritet strategjik dhe juridik, i mbështetur mbi parime të qëndrueshme historike, diplomatike dhe ndërkombëtare. Që nga Presidenti Wilson deri në njohjen e Kosovës dhe marrëveshjet strategjike të sotme, SHBA ka qenë garant i lirisë, stabilitetit dhe zhvillimit të shqiptarëve.

Filed Under: Politike

“Liri për çlirimtarët” – demonstrata e mërgimtarëve në Hagë të Holandës dhe porosia e saj

September 14, 2025 by s p

Imer Lladrovci/

Siç dihet, prej shumë vitesh në Burgun e Hagës qëndrojnë shumë shqiptarë që luftuan në rradhët e UÇK-së. Nga shumė vende tė Perëndimit, mërgimtarët tanë u mblodhën në Hagë për të t’i thënë botës se teatri i saj politik është. me të vërtetë absurd. Mjediset e burgut ku po mbahen luftëtarët e dikurshëm nuk ndryshojnë shumë nga burgjet e tanishme serbe: sigurisht nuk janë aq të errëta si qelitë serbe, por nuk mungon trajtimi i keq i të burgosurëve, sado që ka edhe diçka holandeze në këtë izolim, ku, për fat të keq, kudo mbishkrimet janë në një gjuhë që nuk është gjuha kryesore e Republikës së Kosovës. Ndryshimet nuk janë aq të mëdha, siç mendojnë shumë njerëz, megjithatë, ato ekzistojnë. Dikush do të mund të thoshte, të ishin të paktën këto mbishkrime në anglisht, kur s’bëka të jenë në gjuhën shqipe. Edhe me këtë paradoks duhet të jetojmë!!! Përshtypja e përgjithshme është se Serbia po përkëdhelet, kurse Kosova po trajtohet me njëfarë nënçmimi paradoksal, me njëfarë përbuzje institucionale. Ndoshta dikujt nuk i pëlqen ky konstatim, por faktet janë fakte dhe nuk lejojnë përfundime të tjera. Megjithatë, luftëtarët e dikurshëm mund t‘u bëjnë ballë edhe këtyre kushteve të këqija. Ata janë mësuar me të gjitha, me shiun dhe borën, me të ftohtin dhe acarim dhe me qiellin me raketa. Por të gjitha i përballuan. Ishte një kohë tjetër ajo, por ata kurrë nuk kishin menduar se në mes Europës do të fyheshin në këtë farë mënyrë.

Çlirimi i Kosovës nga forcat ushtarake dhe policore serbe, me sa duket, nuk është ka marrë fund përgjithmonë, sepse Serbia nuk ka ndêrmend ta njohë përgjegjësinë e saj historike për luftën dhe për politikën e saj represive para saj. Beogradi dhe elita serbe, politike, intelektuale dhe kishtare, bëri gjithçka që mundi për ta mbajtur Kosovën brenda Serbisë, por nuk mundi. Tani bën përpjekje ta njollosë luftën tonë përmes vënjes në lëvizje ingranazheve të shtetit, dmth. përmes intrigave. Para do ditësh trupi gjykues pranoi si dëshmitarë edhe punëtorë të Ministrisë së Brendshme të Serbisë, e cila e ka përgatitur një pjesë të aktakuzës. Nuk e di sesi mund të paraqiten këta njerëz në cilësinë e dëshmitarëve. Gjithçka duket qartë. Serbia, me intrigat e saj, po përpiqet ta ndërrojë kahun e historisë. A do të mundet, nuk e di. Deri më tani ajo nuk ka dështuar gjithkund në ndërmarrjet e saj. Por ajo gëzon njëfarë mbështetje të fshehtë politike, ndaj dhe sulmon parreshtur. Serbia nuk është e vetmuar, por, siç u pa sot, të vetmuar nuk janë as të burgosurit tanë të Hagës. Në fakt Aleksandar Vuçiqi (Aleksandar Vučić) dhe kamarilla e tij shërbehen me shpifje të ndryshme dhe fiksione, kurse në anën e luftëtarëve të UÇK-së janë faktet dhe vetëm faktet. Dhe, e drejta morale, pa të cilën nuk bëhet asnjë luftë çlirimtare. Ata, luftëtarët janë mbajtur mirë deri më sot. Ata që e bën historinë tonë kombëtare me luftën e tyre dje, po e bëjnë sërisht historinë tonë me qëndrimin e tyre stoik. Këta të burgosurë e dinë vlerën e lirisë! Tani, pas kësaj demonstrate, kanë arsye edhe më të forta për të qëndruar burrnisht. Mërgata u mblodh për t’i thënë botës se lufta jonë ishte e domosdoshme. Jo pse ne e donim atë, luftën, por pse ata që na kishin pushtuar dhe na sundonin me dorë të hekurtë nuk donin të hiqnin dorë nga shprehitë e tyre kriminale. Ali Ahmeti ka të drejtë kur thotë se „liria jonë nuk gjykohet!“

Serbia e mbajti Kosovën rreth një shekull nën sundimin e saj. Këtë sundim që na paraqitet në disa pamje në përfytyrimin popullor shqiptar si Serbia e Parë dhe Serbia e Dytë, Serbia e quan çlirim, kurse shqiptarët pushtim, ndaj dhe ata luftuan fillimisht politikisht dhe në disa vitet e fundit edhe me armë përmes UÇK-së. Në fakt pushtimi serb qysh në krye të herës, në fillim të shekullit XX u prit me armë. Shqiptarët nuk donin ta këmbenin pushtimin turk me pushtimin serb. Serbët e dinë mirë këtë gjë, nga penat serbe të Dimitrije Tucoviqit e Kosta Novakoviqit dhe nga ato të gazetarëve të tjerë europianë si Leo Trocki ( Leo Trotzki) e Leo Frojndlih (Leo Freundlich). Në fakt ata nuk kishin nevojë për përceptimin e të huajve, pasiqë e dininë seç bënin me duart e tyre. Për fatin tonë të keq, në këtë luftë nuk u lejua pjesëmarrja e Mirosllav Kërlezhës (Miroslav Krleža). Atë e pengoi Ushtria e Serbisë me arsyetimin se kroati i shquar ishte njeri i dyshimtë , sepse qe shpallur si spiun i austriakëve. Nëse Kërlezha do t’i shihte me sytë e tij krimet e të ashtuquajturit ushtar heroik serb mbi shqiptarët, ai do t’na kishte lënë shënime të rëndësishme dhe ne sot do të dinim detaje të tjera nga barbaria serbe.

Në Burgun e Hagës janë shumë shqiptarë. Në Katërshen e Madhe bëjnë pjesë: ish presidenti i Kosovës, zoti Hashim Thaçi, dy ish kryetarët e Kuvendit të Kosovës , zoti Jakup Krasniqi dhe zoti Kadri Veseli dhe ish deputeti i Kuvendit të Kosovës, zoti Rexhep Selimi. Këta jo vetëm që pas shpalljes së pavarësisë ushtruan detyra të larta në shtetin e Kosovës, por edhe gjatë luftës çlirimtare dhe para vitit 2008 patën funksione të rëndësishme shtetërore dhe politike. Këtu po përmendin i vetëm te një fakt domethënës, zoti Hashim Thaçi qe kryetari i Delegacionit Shqiptar në Konferencën e Rambujesë (Ramouillet). Vetëm ky fakt tregon se personat e nxjerrë para bankës së të akuzuarëve ishin personalitete politike e ushtarake me ndikim të madh publik. Thuhet në vazhdimësi se Gjykata Speciale nuk e po e gjykon veprimtarinë çlirimtare të UÇK-së, por krimet individuale të të akuzuarëve. Realiteti flet një gjuhë tjetër. Shumica e shqiptarëve mendojnë se këta njerëz u çuan në Hagë pikërisht për faktin se guxuan të luftojnë për çlirimin e vendit. Gjykata Speciale u themelua pas një Rezolute të Këshillit të Europës me kërkesë të senatorit zviceran, tashmë të ndjerë, Dik Marti (Dick Marty). Marti pati pretenduar se udhëheqësit e UÇK-së që tani ndodhen në Hagë ishin të involvuar në tregëtinë e organeve të robërve serbë. Kjo akuzë qe një shpifje e pastër, që në Kosovë s‘e besoi askush. Madje si shpikje me natyrë psikiatrike e pati shpallur edhe administratori i parë ndërkombëtar i Kosovës, Bernar Kushner (Bernard Kouchner), para gazetarëve në Graçanicë. Në Gjykatën Speciale kjo akuzë ra shumë shpejtë dhe pastaj vetë senatori Dik Marti qe ankuar se shërbimet e fshehta serbe po e kërcënonin me vrasje. Dik Marti i pati bërë thirrje shtetit zviceran që ta mbrojë atë dhe familjen e tij nga ky kërcënim. Pas disa muajsh ai vdiç, akuzat e tij s‘u vërtetuan kurrë, por udhëheqësit e UÇK-së dhe të shtetit të Kosovës mbetën në burg, tashmë me akuza të tjera. Shtëpia e Verdhë hyri në analet e gjyqësisë ndërkombëtare si një fiksion i tmerrshëm, si një akuzë e konstruktuar në zyrat e fshehta në Beograd.

Ka pothuajse pesë vjet që liderët kosovarë mbahen në burg, në mjediset e errëta të Hagës, me akuza të ndryshme. Gjyqi i tyre filloi vite të tëra pas arrestimit të tyre. Thuhet se u bënë hetime shumë të gjata në kohën që ishin në burg, por edhe para arrestimit të tyre.

Gjykata dhe Prokuroria Speciale qenë themeluar me një vendin të posaçëm të Kuvendit të Kosovës. Në pikëpamje formale kjo gjykatë edhepse në Hagë dhe me personel tërësisht jokosovar është pjesë përbërëse e sistemit gjyqësor të Republikës së Kosovës. Nasim Haradinaj që u lirua këtë vit nga Burgu i Hagës flet për një institucion që nuk përkon fare me përfytyrimin e përgjithshëm. Ai thotë se gjithçka në hapësirën e burgut është e shenjuar në serbisht, kështu që në fakt nuk mund të thuhet se ky institucion ndëshkimor nuk ngjan me një institucion të shtetit të Kosovës. Nasim Haradinaj si i ri e ka përjetuar edhe burgun serb, ndaj dhe mund tê bëjë krahasime me kompetencë. Pastaj edhe sjellja e gardianëve nuk të jep përshtypjen se kemi të bëjmë me një burg europian. Të burgosurit shqiptarë trajtohen keq. Pak a shumë e njëjta gjë po ndodh edhe në mjediset e sallës gjyqësore. Nuk kemi pasur mundësi të krijojmë bindjen se bëhet fjalë për një proces gjyqësor që vepron sipas standardeve europiane. Dëshmitari i rrejshëm, i shantazhuar dhe i joshur me beneficione tė ndryshme është pjesë e gjykimit, gjë që çdo jurist kosovar e trondit, sepse një njeri i tillë kurrë s‘do të duhej ta luajë këtë rol. Publiku kosovar do të kishte dashur një gjykim fer dhe gjetjen e protagonistëve të krimeve, por kurrësesi provim të fajit me këso stadarde të dyshimta. Ekziston një bindje e përgjithshme se këtu bëhet djalë më shumë për një politikë të caktuar sesa për drejtësi.

Ushtria jonë që luftoi për çlirim, nuk ishte një ushtri e rregulltë. Zingjiri komandues nuk mund të funksiononte si në një ushtri të rregulltë. Këtë gjë e kanë thënë edhe në Gjykatën Specisle në Hagë oficerë profesionistë si Fadil Maloku, të cilët kur ishin aktivë si oficerë nuk dinin si të silleshin me ushtarë të tillë që s’i zbatonin urdhërat në mënyrë automatike. Se në ushtri urdhëri përbën qendrën e çdo gjëje. Në luftrat çlirimtare ka situata të rënda dhe të paqarta ku përgjegjësia nuk ka një kierarki të definuar. Urdhëri është dhe nuk është urdhër. Diçka që në pikëpamje ushtarake nuk është i definueshëm lehtë si entitet, juridiksht nuk mund të ketë kontura të qarta. Vetëm politikisht ky entitet mund të fitojë qartësinë e dëshiruar, por kurrësesi juridikisht. Ne natyrisht mund t‘i thjeshtojmë dhe idealizojmë situatat, por kjo gjë nuk i lejohet një drejtësie që vepron me standarde të larta juridike.

Gazetari i BBC-së Tim Xhudah (Jim Judah) thotë se „Ushtria Çlirimtare e Kosovës duhet të renditet si njëra nga lëvizjet më të suksesshme guerile në historinë moderne. Brenda nëntëmbëdhjetë muajsh nga dalja e saj e parë publike, ajo i përmbushi qëllimet e saj-pasi arriti të nënkotraktojë aleancën më të fuqishme ushtarake për qëllimet e luftës së saj. Në fund të fundit nuk ka rëndësi si u dëbuan serbët nga Kosova. Ajo që ka rëndësi është se ata kanë qenë në Kosovë-dhe, nëse nuk do të kishte qenë UÇK-ja, ata do të ishin ende aty.“ Ali Ahmeti i referohet drejtpërsëdrejti këtij tubimi protestues kur thotë se „lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte e drejtë, çlirimtare dhe e mbështetur nga bota demokratike. Drejtësia për çlirimtarët nuk mund të ndërtohet mbi akuza politike dhe dëshmi të fabrikuara nga Serbia dhe Rusia. Sot, në Sheveningen të Hagës, bashkë me mërgimtarë dhe ish-pjesëtarë të UÇK-së, dëshmuam edhe një herë se liria jonë nuk gjykohet!“

Ish ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosh (Robert Bosch), iu drejtua demonstruesëve shqiptarë me fjalët se është „një ofendim i madh për NATO-n“, nëse e konsiderojmë „UÇK-më një organizatë kriminale“. Në fakt pikërisht këtë gjë duan ta arrijnë kritikët e NATO-së në arenën ndërkombėtare. Duke e paraqitur si një organizëm kriminal UÇK-në , synohet të goditet NATO-ja. Si ambasador ai duhet të bënte siç e porosiste Ministria e Jashtme e Holandës, por Z. Bosh ka thënë se nuk i pėlqente aspak ideje për themelimin e Gjykatës Speciale.

Disa javë më parë edhe në Prishtinë qe mbajtur në protestë e madhe. Ish hetuesja e Tribunalit të Hagës, Nevenka Tromp atëherë pati thënë se „drejtësia e vonuar, është drejtësi e mohuar. Kjo s’është parullë, por realitet i dhimbshëm me të cilin ju përballeni prej vitesh. Që drejtësia të pranohet ajo duhet të ketë legjitimitet. Në vitin 2020 udhëheqësit tuaj të kohës së luftës shkuan vullnetarisht në Hagë duke besuar si ju që drejtësia do të zbatohej shpejt dhe në mënyrë të drejt. Ata u siguruan që ky proces do të ishte transparent dhe i paanshëm. Dhe megjithatë ja ku jemi, 5 vjet me vonë ata janë ende në paraburgim, dhe ende nuk ka një vendim gjyqësor. Besimi i tyre në një drejtësi të shpejtë është thyer nga realitet i vonesave, dënimeve të ashpra dhe shkallës, dispropercionale të shpalljeve fajtor.“

Njëri nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës Ali Ahmeti në fillim të gushtit të sivjemë në Prishtinë pati thënë se “UÇK-ja është e përmbajtur në ligjet e luftës. Është e përkushtuar për mbrojtjen e komuniteteve nga gjenocidi, qëllimi i UÇK-së ka qenë çlirimtar.“

Mund të themi se tubimi protestues në Hagë e nënevizoi edhe një herë këtë mesazh.

Filed Under: Politike

Alba Life në Bronx hapi siparin e mësimit shiqp për gjithë Nju Jorkun për vitin akademik 2025-2026

September 14, 2025 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

Shkollat Shqipe “Alba Life” në gjithë Nju Jorkun dhe në Online hyjnë në vitin e 19-të të mësimit shqip. Është krenari tek i shikon nxënësit, prindërit, gjyshërit karvan karvan të ngjisin shkallët e shkollave dhe të drejtohen nëpër klasa tek i presin mësueset e nderuara të lincensuara nga shteti amë dhe New York dhe të jenë të integruara me dinjitet në Amerikë.

Tek i takoja dhe përqafoja me dashuri të gjithë nxënësit kokë më kokë më krijohej imazhi i flrorinjtë shqip. Ndoshta një arktitekt shpirtëror mund të ndërtojë urën më të gjatë në botë në këto 19 vite që shkollat kanë ecur pa u ndalur, pa u trembur nga sakrificat, pa dhënë vehten nga egot e sëmura për famë, pa u trembur nga manipulimet. Arktiekti shpirtëror nëse grumbullon orët e mësimit, numrin e nxënësve, ec e jaket nëpër gjithë shkollat e Nju Jorkut, suksesin e hapjes së shkollave nga pak nxënës në Staten Island që është fidanishtja e parë dhe më vonë arriti të hapë në gjithe Nju Jorkun deri në Albany me siguri do të hedh urën më të madhe në botë për të arritur në vendin amë, atje ku janë rrënjët tona, rrënjë që s’do të shkulen kurrë. Porta e hyrjes do të jetë me kurorën e Missit me shkronjat e florinjta te Alfabetit Shqip dhe kjo fal bashkëpunimit të hatashëm me mësueset e nderuara, prindërit, gjyshërit dhe nxënësit, sepse kalatë nuk ndërtohen vetëm ato bëhen vetëm dhe vetëm së bashku.

Dita e parë e shkollës kudo në botë është emocionante, e magjishme, me vështiësitë e veta, por mbahet mend përjetësisht nga ata që ulen pranë këtyre bangave në shkollën publike amerikane sidomos, kur vijnë për herë të parë.

Në këtë shkollë prestigjioze në Christofer Colombos që fal drejtoreshës së shkollës që ka hapur dyert për “Alba Life” na përshëndetën si në kor katër officer policie me një dashuri dhe ngrohtë si vëllazërore. Njeri prej tyre, polici amerikan nuk nguroi të merrte mikrofonin dhe të përshë deste: Mirëmëngjesi Alba Life! Ata vinë të shtunën për ne për programet pas mësimit amerikan që zhvillohen brenda kësaj shkolle shumë të dashur dhe profesionale.

Ne gjithmonë luftojmë fort për marrjen e mjediseve në shkollat publike, pasi filozofia jonë e drejtimit ka qenë: “Shkolla do shkollë, mjedis shkolle dhe jo gjithëfarë mjedisesh të tjera…

Prindërit me kamerat e tyre shkrap e shkrup bënin foto me fëmijët dhe mësueset pranë.

Fjalen e përshëndetjes e mbajti Zoti Qemal Zylo drejtor dhe themelues i TV dhe Shkollave Shqipe “Alba Life” i cili mban titullin e lartë Kalorës i Urdhrit të Flamurit nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë. Ai iu uroi mirë se ardhjen dhe vit të mbarë. Përshëndetje me dashuri dhe përkushtim dhanë mësueset profesioniste plot kulturë si Helena Ujkaj, Erinda Isufaj dhe më suesja më e re pranë kësaj shkolle Marsela Gega që mban grupin e më të vegjëlve dhe bëri betimin se do të vazhdojë me dashuri pranë kësaj shkolle Misionin Kombëtar.

Tek I dë gjoja kë to më suese npë r klasa Se ç’kisha një ndjesi gati gati hyjnore që kushdo që mbështet kauzën e mesimit shqip merr bekimin e Rilindasve të më dhenj, bekim gati si të Hyut të madh.

Me duartrokitje u mirëprit nxënësi Glauk Zef Ujkaj i cili përshëndeti me këngën aq të dashur kombëtare me vargjet e Naim Frashërit si” Shqipëri o nëna ime/ Ndonëse jam i mërguar/ Dashurinë tënde/ zemra kurrë se ka harruar.

Nëpër klasa të ndryshme nxënësit bëjnë pyetje gjithë kuriozitet, të bukura, të lehta dhe të vështira, por dhe ëndërrimtare.

Ka plot nxënes të suksesshëm “Alba Life” në gjithë New Jorkun dhe ajo që na bën të gjithëve krenar se ata duke mësuar shqipen arrijnë të prezantojnë Kombin e tyre nëpër klasat amerikane duke folur aq bukur shqip. Në vizionin tim dhe në ëndrrën time shpresoj se një ditë do të shohim në nxënës të kësaj shkolle të ulur në karrigen e presidentit të Amerikës.

Nxënësja e talentuar Lira Sinanovic në Bronx në klasën e më të rriturve kishte prezantuar me plot dinjitet dhe krenari në shqip para mësuesve, nxënësve amerikanë, kulturën shqiptare, vendin ku ka rrënjët e të parëve të saj. Prezantimi i saj në podium ishte mirëpritur me duartrokitje.

Tek bisedoja me të dhe duke dëgjuar vidion sjellë nga nëna e saj plot respekt për punën e mësueseve në mendje më vinin vargjet si: Shqipëria ime pse më je kaq larg?/ Malli për ty më djeg pak nga pak/ kur të rritem do të nderoj si biri yt/ sepse ti je Dielli që më ndriçon sytë.

Në këtë qytet te mrekullueshëm ne Bronxin tonë mikpritës me një larmi komunitetesh nga gjithë rruzulli është shumë i rëndësishëm dhe komuniteti shqiptaro amerikan të cilët kanë dekada që kanë emigruar dhe janë integruar plot dinjitet në botën amerikane.

Ndonëse shumica e nxënësve në Shkollën Shqipe “Alba Life” janë lindur dhe rritur ne Amerikë, prindërit e tyre kanë shumë interes që fëmijët, nipërit dhe mbesat mos ta harrojnë kurrë gjuhën shqipe.

Këta nxenes tashmë kanë nje mundësi të artë për 12 kredite kolegji për nxënësit shqiptarë të shkollave të mesme në New York

Psh nxënësve si Oresti Salillari dhe Sarah Bandilli të Alba Life iu njohën 12 kredite kolegji pasi kaluan testin shqip në New York, ata jo vetëm kursyen kohën në kolegj, por edhe paratë për 12 kreditet.

Sipas departamentit të gjuhëve të huaja në shkollën e mesme ku punoj në Susan E. Wagner ku dhe ishim të ftuar bashkë me Qemalin nga shefi i departamentit ai dha udhëzimet përkatëse dhe natyrisht dhe shprehu mirënjohjen për Alba Life që i përgatisim në gjuhen e nënës dhe ndikojmë shumë në këtë program. Për njohjen e gjuhës shqipe në shkollën e mesme, i referohet vendimit të Dygjuhësisë së Shtetit të Nju Jorkut (NYSSB), qe u lejon studentëve të fitojnë 12 kredite. Ky program njeh studentët që demonstrojnë aftësi të larta në anglisht dhe të paktën një gjuhë tjetër, përfshirë shqipen.

Shumë prindër dhe gjyshër më thanë se nuk mund ta shprehin dot mirënjohjen ndaj stafit të shkollës Shqipe “Alba Life” sepse jo vetëm që ju mësoni me dashuri dhe pasion gjuhën shqipe, por na shpëtuat fëmijët nga I-Pad-et të cilët ngelen me orë të tëra pa lëvizur duke luajtur lojëra koti…

Ishte një ditë e bukur e dielltë, e florinjtë si 36 shkronjat e Alfabetit Shqip, një ndër gjuhët më të vjetra në botë.

Dita e parë e shkollës u filmua nga Alba Life me kameraman Xhevit Picari dhe sëshpejti do të transmetohet në kanalin 27 “TV Alb”.

Së shpejti do të fillojnë dhe shkollat e tjera të Alba Life per të cilat po punojmë fort për t’i bërë gati për të filluar me plot sukses si gjithmonë vitin akademik 2025-2026.

Urime Alba Life, Ambasador i Kombit e njohur nga dy shtetet Shqipëria dhe Kosova, Parlamenti dhe Senati i Nju Jorkut si promotor dhe frymëzim në gjithë Diasporën!

Autorja e shkrimit mban titullin e lartë: Kalorës i Urdhrit të Flamurit nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Medaljen e Meritës Presidenciale dhënë nga Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani. Është publiciste, shkrimtare, autore e tetë librave, mësuese dhe bashkëthemeluese e Shkollave Shqipe “Alba Life” në New York, Ambasador i Kombit, Gruaja e Vitit 2022, NY dhënë nga Motrat “Qiriazi”.

Filed Under: Komunitet

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 336
  • 337
  • 338
  • 339
  • 340
  • …
  • 2946
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT