• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Come celebrate Albanian heritage with 100+ Albanian American organizations!

April 30, 2025 by s p

Join us for the 4th Annual Gjergj Kastrioti Skenderbeu Street Fair on Sunday, May 4th 12pm -6pm corner of Arthur Ave & Crescent Ave, Bronx

🗓️ When: May 4, 2025

📍 Where: Arthur Ave & Crescent Ave Bronx, NY

🕛 Time: 12pm–6pm

Info: skenderbeufair@gmail.com

347-398-6161

Looking forward to seeing you there!

Filed Under: Ekonomi

METAMORFOZA E PENËS SË GRUAS

April 30, 2025 by s p

Dr.Yllka FILIPI/

Ajo është më e çmuar se rubini, asgjë tjetër nuk mund të krahasohet me të. Jetëgjatësia rrjedh në dorën e saj të djathtë, në të majtën qëndrojnë pasuritë dhe

nderi. Mënyrat e saj janë të pëlqyeshme dhe të gjitha rrugët e saj të çojnë në paqe. Ajo është pema e jetës së atyre që e njohën; dhe ata që e vlerësuan, shpejt do të bekohen. (Psalm 3:15-18)

Ashtu si në ëndërr, nën një aureolë shtojzovallesh, veshur në të bardha, me leshërat e derdhura të një drite qiellore, kapur dorë për dore duke hedhur rreth e rreth vallen e metaforave, vijnë poeteshat që nga lashtësia, pa ndryshuar asnjë fije floku, përkundrazi, duke u bërë më të bukura, më të dhembshura, e pothuajse krejt të pavdekshme, njësoj si Perënditë. Në cilën fazë të evolucionit është sot pena femërore e zbritur si nga qiejt, drejt kësaj qasjeje?

Po t’i referohemi personazheve femërore biblike, bota e gruas është dëshmi e forcës shpirtërore që ka tronditur botën sot e mijëra vjet. Ruth dhe Naomi, dy karaktere të jashtëzakonshme, simbol i vetësakrifikimit, dhe dashurisë njerëzore; gruaja që lutej Elizabeta, kushërira e Marisë, simbol i bindjes në Zot, fuqia e lutjes të së cilës luajti rolin e vet thelbësor në vendosjen e embrionit në mitër dhe ngjizjen e Shpëtimtarit të Njerëzimit, Jezus; Hannan, simbol i besimit shpirtëror në fuqinë supreme, një grua e fortë që la pas mësime të çmuara për jetën njerëzore. “Bija mbretërish ka në shpurën tënde, një mbretëreshë në të djathtën tënde qëndron, stolisur me ar Ofiri.” (Psalmet 45:10-11 )

Në sintezën e civilizimit shoqëror, sipas Morgan që nga Greqia e Roma e Lashtë e deri tek qytetërimi Australio-Amerikan, është klasifikuar, evidentuar dhe vënë dukje progresi njerëzor që nga etapa e parë: 1-primitivizmi (savegery), 2- barbarizmi (barbarism/epokat e errëta) dhe deri tek 3-qytetërimi i vërtetë (civilization of urban society and agricultures). I bazuar mbi veprën e Morgan, babait të sociologjisë amerikane, Frederick Engels 1* i përmblodhi këto 3-etapa të rëndësishme duke hedhur dritë mbi zhvillimin e familjes e rrjedhimisht mbi figurën e gruas, rolin e saj në familje, pronën private dhe shtetin. Johann Jakob Bachofen 2* dhe vepra e tij frymëzoi shumë kërkime dhe shkrime mbi këtë çështje, e megjithatë argumentet që solli nuk e mbështetën dot mjaftueshëm teorinë e tij. Në një kohë kur shoqëria patriarkale dominonte, nevoja për të përqasur aspektin femëror të Perëndeshave dhe qënies njerëzore u bë reale.

Antropologu dhe sociologu zviceran, i mirënjohur për mbrojtjen dhe përkrahjen e teorisë së matriarkatit në veprën e tij si edhe rolin e gruas në shoqëri në periudhën e antikitetit, solli në vëmendje Perëndeshat e hershme si Afërdita dhe Demetra, figura këto frymëzuese në kulturën e antikitetit. Sugjerimi i tij se shoqëria duhej emancipuar duke sjellë modelin e Perëndeshave femra të cilat duhej të zevendësoheshin me versionin e gruas tokësore ishte nevojë dhe ekzaltim. Ky vlerësim i lartë për figurën femërore dhe sidomos për gruan krijuese ka mbërritur po aq i fuqishëm edhe në ditët tona. Nëpërmjet perceptimit tejet origjinal, ato të ashtuquajturat, Poeteshat, Muzat, ose Perëndeshat e Bardha, sipas veprës së Robert Graves 3* mbajnë një vend dinjitoz, midis Qiellit dhe Tokës, sikur duan të bashkojnë dorën që lutet për ndihmë të njeriut me dorën që i vjen në ndihmë, Zotit. Kjo vepër ka frymëzuar edhe një mori autorësh dhe librash të tjerë: Margaret St.Clair, Philip Hose Farmer, Joan de Vinge, të magjepsur nga imazhi i Perëndeshave Tokësore.

Autorja Kara Kooney, në veprën e saj Kur Gratë Sundonin Botën, risjell në kujtesë Nefertitin e Dinastisë 18 (1350-1295 B.C), si edhe Kleopatrën (69- 30 b.c), dy stereotipe, bukuritë e të cilave ishin të pavdekshme, por jo vetëm; ato zotëronin një aftësi të jashtëzakonshme femërore për të deshifruar shprehjen e fytyrave të burrave. Egjyptianët e lashtë mjeshtërisht e përdorën këto fuqi femërore për të shmangur gjakderdhjen dhe luftën në periudha krizash të mëdha, duke bërë të mundur të lënë pas një trashëgimi kulturore më shumë se 3.000 vjeçare.4*

Në epokën e lashtë ilirike gratë janë konsideruar të fuqishme për të marrë përsipër transaksione të larta shtetërore njësoj si burrat. Dëshmitë me mbishkrime në pllaka dylli e vërtetojnë më së miri një gjë të tillë. Shembulli më i mirë është Mbretëresha e Deteve, Teuta, (230 B.C) e cila udhëhoqi me dinjitet, forcë e mençuri shtetin, pas vdekjes së të shoqit, mbretit Agron. Ulje-ngritjet historike gjatë epokave të arta të lulëzimit apo të degradimit shoqëror kanë treguar se forca e gruas ka ditur të triumfojë. Pra, një tjetër këndvështrim shumë më largpamës ka sjellë historia duke hedhur poshtë përceptimin e ngushtë aristotelian sipas të cilit

“Gruaja është thjesht një vegël me shpirt:”5*

Megjithë dritën që derdhet nga shekujt gjatë epokave të ndryshme të historisë për kontributin e jashtëzakonshëm të fuqisë shpirtërore të gruas për të qeverisur familjen, shoqërinë e shtetin, raporti matrio-patriarkat, ende mbetet i pabalancuar edhe në kohët moderne.

Të privuara nga të drejtat mbi pronën, studimin, pjesëmarrjen në jetën shoqërore, privilegj ky i rezervuar vetëm për burrat, figura e gruas u denigrua në mesjetën e errët, e vazhdoi deri në fillim të shek.XIX në Francë 6*, ku i duhej ende të mbulonte kokën me shami, kur dilte në publik, ndërkohë që në disa krahina të Gjermanisë burri ende gëzonte të drejtën edhe ta shiste gruan. Në fillim të shekullit XX, gruaja nuk gëzonte të drejtën e votës jo vetëm në Evropë, por edhe në shumicën e shteteve të Amerikës. Gratë e martuara nuk kishin kontroll mbi fëmijët e tyre, ndërkohë që ende në ditët e sotme gruaja akoma privohet nga e drejta për të qenë e barabartë me burrin.

Porse, vizioni i shekullit dhe mijëvjeçarit të ri ka tjetër perspektivë për gruan. Udhëheqësja që revolucionarizoi këndvështrimin mbi figurën femërore, Betty Friedan evidenton se: Edhe pse Frojdi dhe bashkëkohësit e tij e konsideruan gruan inferiore, (e tillë nga Zoti apo ndryshe, vullneti i natyrës), shkenca ende nuk e ka vërtetuar një pikëpamje të tillë deri më sot. Inferioriteti të cilin ne njohim ishte shkaktuar nga mungesa e mundësisë për t’u edukuar, si edhe të qenurit nënë, e kushtëzuar nga lindjet e rritja e fëmijëve. Sot, kur inteligjenca e gruas është provuar shkencërisht, kur aftësia për të qenë e barabartë me burrin në çdo sferë të jetës, përveç forcës së muskujve, është demostruar botërisht, teoria eksplicite se gruaja është inferiore nga natyra, nuk është gjë tjetër, veçse hipokrizi.7*

Por perspektiva dhe restrospektiva historike e artit të krijimit nëpërmjet fjalës, dëshmon se forca e gruas është e jashtëzakonshme. Pena krijuese dëshmon se fuqia e shpirtit të gruas kuron plagët e njerëzimit, ter lumenjtë e dhimbjes dhe i jep ngjyra botës, jeta bëhet më e paqtë, më e magjishme. Poetesha e antikitetit grek Sappho 8*, (e lindur më 610 B.C.) e mirënjohur për poezinë e saj të ndjerë dhe e quajtur shpesh Muza a Dhjetë, është vlerësuar për aftësinë e jashtëzakonshme të vargut të saj për të impresionuar lexuesit me butësinë e një ndjenjë të pastër e të gjallë të personalitetit të saj krijues. Si krijuese, vepra e saj shpalos një përspektivë unikale në ndjeshmërinë e botës shpirtërore dhe përvojën e gruas gjatë kohës kur ajo shkroi.

Por, ulje-ngritjet mbi figurën e Perëndeshave tokësore, kanë origjinë më të hershme. Nëse do t’i referohemi antikitetit, perandori romak dhe filozofi i stoicizmit Marcus Porcius Cato (234-149 B.C), në retorikën e tij ai ka vënë në dukje se i trembej forcës shpirtërore të gruas. Shkrimtari i parë i prozës latine, pas një proteste masive të grave në kërkim të të drejtave të mohuara, bërtiti fort: “Nëse ato fitojnë tani, çfarë force mund t’i ndalë më tej? Sapo të barazohen me burrat , menjëherë do të bëhen superiore. 9* Polidimensionaliteti i figurës femërore në art e letërsi, ka sjellë një mbivendosje kuantike të shtresave e impulseve letrare të përcaktuara nga rrjedha e shekujve. Grimcat shpirtërore të çdo krijueseje grua të mbivendosura në sistemin kohor që rrjedha e shekujve ka formësuar sipas ndryshueshmërisë së gjendjeve është e ngjashme me valët dhe frekuencat e rrezatimit shpirtëror, asociuar kjo me gjatësinë e një vektori universal, dashurisë për krijimin, si mbi/krijesa e lindur për të krijuar jetën. Një thërrmijë e vetme e shpirtit të gruas mban mbi supe potencialin 3-dimensional të valëve që harmonizohen me energjinë më të lartë dhe një konstante të origjinës së lashtë të rishkallëzuar në një dimension të paarritshëm nga i gjalli. Rrahja e zemrës së gruas“ …më e çmuar se margaritarët, vlera e saj” (Fjalët e urta 31:10-31)

Madje deri në shekullin e XIX studiuesit burra në Evropë nuk e konceptonin dot lidhjen e gruas me letërsinë, e pavarësisht se statuja e më hershme e një gruaje me një libër në prehër, (rreth 2112-2004 B.C), dëshmon simbiozën grua-letërsi, pena mashkullore lidhur me këtë çështje ishte e paqartë. Autorja më e hershme e njohur deri tani, poetesha novatore Enheduanna, e bija e mbretit Sargon të Akadit, ishte (prijësja shpirtërore), priftëresha e lartë e Nannnas, nga Mesopotamia e largët. Nisur nga një perspektivë tejet personale, çka e bën veprën e saj unike, Enheduanna (3400-2000 B.C), shkroi “Himn për Inanna.”*10, himni më shumë se një mijëvjeçar, përpara Homerit, mbi 3-pllaka balte, (* Yale Babilonian Collection), me shkrimin kuneiform, (sistemi më i vjetër i shkrimit). Vepra e përbërë nga 3- pjesë, daton në periudhën e vjetër të Babilonisë, (rreth 1750 B.C). Edhe pse Enheduanna, renditet, si e para shkrimtare në historinë e njerëzimit e cila shkroi e kompozoi rreth 42-hymne për Perënditë, ende derdhet mjegull mbi autorësinë e saj. Poema “Hymn për Inanna.”, e cila u rizbulua nga arkeologët britanikë më 1927, shpalos një buqetë lavdërimesh për Perëndeshën e Dashurisë, Luftës, e Pjellorisë. Enheduanna e mbrojti të drejtën e autorësisë së saj me ngulm e ndër të tjera autorja i lutet Perëndeshës të kontribojë mbi rolin, fuqinë dhe rëndësinë e gruas në shoqërinë patriarkale.

Enheduanna e konsideron aktin e krijimit të një vepre letrare me aktin e lindjes dhe sjelljes në jetë të një fëmije. (Zonjë e të gjitha esencave, dritë e plotë/… unë linda, oh, e madhërishmja Zonjë,/ këtë Këngë Për Ty.)

Një pjesë e korteksit inspirues që del vetëm nga dora dhe pena e gruas, tashmë i aktivizuar prej aftësive ripërtëritëse të trupit dhe shpirtit femëror, ndez dritën e të menduarit dhe imagjinatës si dy procese të afërta dhe rrjedhimisht të ngjashme. Lev Simkhovich Vygotsky vë në dukje se në origjinën strukturore dhe funksionimin e aspektit integral të të menduarit, veçanërisht atij krijues, është shpjeguar se procesi i të menduarit përfshin edhe parashikimin, pra ngjarje të parashikuar. Vygotski besonte se aftësia njohëse e trurit njerëzor nuk është e përcaktuar nga faktorët biologjikë, por ajo merrte formë, skalitej e forcohej nëpërmjet procesit të bashkëveprimit të kulturës dhe mjedisit shoqëror të individit. 11* Pra, kur themi individ nënkuptojmë jo vetëm burrin, por paralelisht e denjësisht edhe gruan.

Duke folur për ligjin e realitetit emocional të imagjinatës, manifestimi kryesor i të cilit, shfaqet si derivat i proceseve njohëse, ndijimit dhe perceptimit për të gjetur një emërues të përbashkët midis dy realiteteteve, atij shpirtëror (aktivizimi i materialit energjik dhe shpirtëror të qënies (imazhi imagjinar, riprodhimi i formave, zgjimi i ndjeshmërisë, dhembshurisë), me realitetin e jashtëm, (tentimi, motivimi në gjetjen e forcës së brendshme dhe format e saj për të ndryshuar ose përshtatur imazhin e imagjinuar me jetën reale), na orientojnë drejt manifestimit të një përpjekjeje reflektive mbi krijimin ose rikrijimin e një rezultati përfundimtar, (nëse ka), ose fare pa rezultat, si përpjekjet boshe në pikturimin e ëndrrave utopike, nënndërgjegja e përpunimit të shumëllojshmërisë së informacionit në një formë imagjinare apo e fantazisë së pavullnetshme (halucinative), si efekte hipnotike nga një produkt mbi vetëdijen e ndryshuar. Një pjesë e konsiderueshme e procesit krijues përfshin aktivitetin e orientuar të imagjinatës arbitrare ku krijuesi është plotësisht i vetëdijshëm për motivet dhe qëllimet e krijimit të vullnetshëm të imazheve, pra një fantazi në “gjendje zgjuar” e krijuesit/krijueses artistit/-es, (si t’i teket), me karakter riprodhues e riformësues mbi besimin në mundësinë e realizimit të imazheve a situatave të krijuara si aftësia që ndërlidh kushtet strukturore, kulturore dhe historike në një sekondë të vetme, ku pulson shpirti.

Procesi i krijimit si një inisiativë shpirtërore për të shpërbërë, hidrolizuar produktin imagjinar individual i cili kalon nëpërmjet një filtrimi racional në vrazhdësinë e realitetit duke e transformuar lëndën bio- molekularo- emotive të shpirtit të thyer, në zëvendësim, eleminin ose copëtim nukleofilik të mjedisit ku gjallon gruaja si krijuese, rezulton në një reaksion purifikues (katarsis) të bashkësisë njerëzore në lojën virtuale 3-dimensionale (autori/lexues/vepër).

Pushteti femëror në artin e fjalës si tendencë për t’i shpëtuar rrethit postmodern të vdekjes apo përkohësisë synon një kah të vetëm, shenjëzimin e trajektores së jetës. Këtë gjë e fakton ekzistenca semiotike si narrativë e fjalës, nëse i referohemi Fointanille.12* Dekodifikimi i alkimisë së penës së gruas si pjesë organike e qenësisë, biologjikisht e brishtë dhe e dhembshur, nuk është një maratonë në kthim. Dora që përkedhel stuhitë e fashit zjarret në netët bartolemeane, mjeshtërisht ripërtërin lakonizmin e të gjithë postulateve filozofike të njerëzimit, diklishetizon duke rrokur dimensione te reja receptive, pa pasur asnjëherë nevojë të trillojë lashtësitë e ekzistencës së saj si krijuese në vetvete. Në rrjedhën e arkeo-paleologjisë së historisë së kombeve, gruaja ka qenë, është dhe do të jetë krijimi, në formën e tij më të lartë.

Për sa i përket penës femërore në letërsisë shqiptare vlen të konsiderojmë shek. XIX-XX, 13* e të përmendim Kristina Xhentile Mandalas (1856-1919) e cila mblodhi e botoi përralla arbëreshe. Gjithashtu, në Kalabri, rezulton një përmbledhje modeste me vjersha arbërisht nën titullin “Canti’ e cila daton në vitin 1917, me autore Maria Antonia Braile. Në qarqet letrare të diasporës arbëreshe spikatën motrat Qiriazi, Sevasti Qiriazi-Dako (1871-1949) dhe Parashqevi Qiriazi (1880-1970) që ngritën shkollën e parë shqipe të vashave, hartuan tekste shkollore, nxorën revistën “Ylli i mëngjesit” në SHBA. Por talenti letrar që spikati e bëri emër në letërsinë shqiptare, ishte ai i Musine Kokalarit (1917-1983). Zëri unik u dëgjua gjerësisht në letrat shqipe me veprat: “Sa u tunt bota” (1944) dhe “Rreth vatrës” (1944). Ndërkohë dorëshkrimi “Kolla e vdekjes” dëshmon panoramën më të dhimbshme të jetës dhe pozitës së rëndë të gruas në shoqërinë patriarkale shqiptare të asaj kohe. (… ) një zë i ngjirur që duhej të kishte thirrur dikur, pa lindur ende, po, po, atë të shkaktonte në shpirt, thirrjen. Mjerimin pasqyronte duke ngjarë edhe vetë e mjerë…e drejtpërdrejtë, si ngjarjet në rrugë, (…) rrëfime që kanë terr dhe uri… 14*

Pena e krijueseve si ekzistencë e artit femëror, ka trandur themelet e rrepta të patriarkalizmit e dominancës mashkullore duke u shpërfaqur si kronotop kohor e hapësinor Bakhtian për t’u bërë domosdoshmërisht zëri masiv i qenies që bie nga kohërat e vjetra të njerëzimit që shfaqën nevojën e vazhdueshme mbi risemantizimin e simbolikës së fronit të shenjtë të letërsisë jo vetëm shqiptare, por mbarë botërore, ku duhet të ulet denjësisht edhe kryesema -grua.

Natyrshëm vjen aftësia për të eksploruar ekstazën e mahnitshme të procesit krijues nëpërmjet penës së gruas së kohërave moderne, por vetë koha le ta bëjë hapin e parë. Aty, ku mendimi ekzaltohet dhe truri pulson në ujërat e kthjellëta të gjendjes fjollë që derdh e bashkon të gjithë lumenjtë në detet dhe oqeanet e fuqisë krijuese të gjithanshme femërore, vetëm aty shfaqet shpresa e rrjedhës së kanalizimit të energjisë kinetike drejt artit të fjalës që ka forcën të lejë gjurmë.

Bota shpirtërore e gruas, ashtu siç Zoti deshi dhe e krijoi, shpalos gjithë udhëtimet historike të protagonisteve, të cilat guxuan të sillnin ndryshimin e madh në shoqërinë e çdo kohe, imazhe këto që janë pasqyruar me simbole dhe tipografi të larmishme figurative, pasi në vetvete gruaja është e vërteta (Wendy Brown). Nga cilido shkëmb e çdo lartësi nga ku i ka hedhur jeta perëndeshat e penës, kanë rënë për t’u ngritur, janë vrarë e nuk kanë vdekur, kanë krijuar epokë. Duke i krijuar Zotit, pa e ditur, mundësinë “të kënaqet me bukurinë e paprishshme të një shpirti të bukur dhe të qetë.” (1Pjetrit 3:4)

________________________________________________________________________

1. Engels, Friedrich, 1884, The Origin of the Family, Private Property, and the State,

Pathfinder Press, p.27,36,381.

2. E. Bachofen, Johann Jakob, [1861], Mother Right: A Study ofthe Religious

and Juridical Aspects of Gynecocracy in the Ancient World. (English Translation

of Das Mutterrecht). Edwin Mellen, 2006

3. Robert Graves The White Goddess: A Historical Grammar of Poetic Myth,

Publication Date: 1966

4. Kara Kooney, When Women Ruled the World, National Geografic, Washington D.C, p.317-379 (përkth. i autores)

5. Padia, Chandrakala, Platoni, Aristoteli, Rusoi dhe Hegeli mbi gratë: një

kritikë, The Indian Journal of Political Science 55.1 (1994): 27–36.

6. https://www.britannica.com/topic/feminism/additional-info…

7. Betty Friedan, The Feminine Mystique, 50 years, W.W.Norton & Company, New York, London,1974, p.130

8. https://www.britannica.com/biography/Sappho/greek/poet

9. https://en.vwikipedia.orgbiography, Marcus, Aurelius

10. Becky Little, The Early Known Author, Washington D.C.https://www.history.com articles, Feb.22.2023

11. Kruthi Pedapati, (August 1, 2022), Piagetian and Vygotskian Concepts of

Cognitive Development: A Review, (PDF). I. J.of M H, 9 (3).

12. Jasques Fontanille, Les Spaces subjectifs, introduction à la sémiotique de l’observateur, Hachette, Paris, 1989, p.348

13. Nasho Jorgaqi, Zërat e Parë Femërorë të Letërsisë Shqipe, Tema, Tiranë, 27 maj 2018

15.Visar Zhiti, La Mia Vita Universitaria, e Musine Kokalarit, Viella, Romë, 2016 (parathënia))

Filed Under: LETERSI

VATRA PROMOVON MË 3 MAJ 2025 TE KISHA “ZOJA E SHKODRËS” NË NEW YORK LIBRIN “KRYQTARI I FUNDIT” TË DIPLOMATIT VIRGJIL KULE

April 30, 2025 by s p

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra në bashkëpunim me Qendrën Kulturore “Nënë Tereza” të Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” do të promovojë librin “Kryqtari i Fundit” të diplomatit Virgjil Kule.

Promovimi zhvillohet ditën e Shtunë më 3 Maj 2025 ora 11 Am në Qendrën Kulturore “Nënë Tereza” të Kishës Katolike “Zoja e Shkodrës” në adresën:

361 W Hartsdale Ave, Hartsdale, NY 10530.

Kumtuesit në promovim:

Dr. Elmi Berisha

Frank Shkreli

Gjekë Gjonlekaj

Dr. Iris Halili

Dr.Paulin Marku

Dr. Afrim Shabani

Akri Çipa

Virgjil Kule

Moderimi: Sokol Paja

Ju mirëpresim.

Filed Under: Komunitet

Faji i të pafajshmes, Eva!

April 30, 2025 by s p

“Kushedi sa gra janë në botë që kanë nevojë të humbin pafajësinë, për të ruajtur urtësinë”-kështu shkruante poeti Lirik i Greqisë së lashtë, Arkiloku.

E vendosur në SHBA-ës, aty nga fundi i shekullit të 20-ë, shkrimtarja shqiptaro-amerikane Raimonda Moisiu, ka shkruar mjaft libra; në gjininë e romanit, poezisë, përkthimit, gazetarisë dhe publicistikës.

Kam në dorë romanin “Pafajësia e Evës”, të cilin ajo e shkroi dhe e botoi për herë të parë në vitin 2009-ë, roman që u vlerësua ndjeshëm nga kritika e kohës, dhe në vitin 2021-ë ajo e rishkroi përsëri romanin për vete dhe për audiencën e admirueshme të lexuesve të krijimtarisë së saj.

Teksa e lexoja këtë vepër letrare, vura re se romani shquhej për stilin ideo-artistik dhe përmbajtjen thellësisht historiko-shoqërore. Autorja Moisiu dialogon me vetveten dhe me forcën e shpirtit njerëzor shpreh atë peshën e pafajsisë që e ka munduar tërë jetën, ajo rrëfen lirshëm për njerëzit e vërtetë dhe stinët e largëta të jetës, i afron ato sikundër afrohet edhe mosha, derisa i njehson në thelbin e tyre me kujtimet e mendimet e mefshta dhe përvojat jetësore, ndërmjet lindjes dhe agonisë, të cilat i ka pasqyruar në këtë vepër origjinale. Në roman, ngjarjet enden me fill historik, që sillet dhe përsillet në sfondin e gjerë jetësor dhe problemeve të mprehta shoqërore në segmente të ndryshme kohore nga diktatura komuniste që bazohej në diktaturën e proletariatit dhe luftën e klasave dhe më tej në tranzicionin më të gjatë.

Autorja Moisiu guxon dhe pasqyron sistemin në fuqi dhe shoqërinë shqiptare në atë botën surreale të Shqipërisë komuniste të viteve ’70-ë, e cila bazohej në një shoqëri dhe rregjim që synonte plotësisht të ruante stabilitetin e saj të gurtë, dhe e faktorizonte atë si antiteza e Europës Juglindore dhe Ballkanit Perëndimor, qysh prej vendosjes së rregjimit komunist pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore.

Leximi i romanit më shëmbëllen me një rrugë gjithë të papritura që kapërthejnë ngjarje nga më të cuditëshmet dhe episode nga më dramatiket që ka kaluar Shqipëria. Me gjenialitetin dhe vitalitetin e shkaqeve të vërteta, të cilat paraqiten në roman, autorja Moisiu, ato ngjarjet më kulmore ka marrë përsipër t’i përshkruajë nëpërmjet fatit dhe jetës së heroinës kryesore të romanit, që është Eva Suvaria, përmes fatit të babait të saj, Komandant Lirim Suvarisë, një ish-partizan i plagosur në kokë dhe i verbuar në luftën nacional-clirimtare, dhe përmes fatit të personazheve të tjerë, të cilët nga brezi në brez krijuan karaktere tipike në rrethana tipike historike dhe shoqërore, dhe përmes portretizimit të gjendjes shpirtërore të tyre dhe të ngjarjeve reale, me detaje të sakta, konkrete dhe ndonjëherë edhe alarmante.

Autorja ka ditur të hyjë thellë në sjelljet dhe qëndrimin e personazheve dhe zhvillimin e ngjarjeve, ajo di të ëndërrojë, të qajë për të kaluarën dhe të shpresojë ndoshta edhe në të ardhmen e saj të palumtur, sepse kjo është jeta! Madje ajo di të gjykojë, të akuzojë, dhe në momente të vecanta, ajo di të mbajë qëndrim kritik, apo edhe të falë që të vazhdojë të jetojë midis identitetit dhe botës së re që e rrethon.

Romani gati autobiografik ka një arkitekturë të shumë trajtëshme, ka një sërë karakteresh që gëlojnë nëpër faqet e tij, që i japin jetë dhe frymëmarrje, romanit. Me mjeshtëri ideo-artistike dhe filozofike, autorja Moisiu synon të pasqyrojë shkaqet e vërteta të gjendjes njerëzore dhe asaj sociale, dhe peshën e fajit e të pafajshmes, Eva Suvaria, -e cila është edhe strumbullari i ngjarjeve në tërë dramacitetin e romanit. Heroina e romanit përbledh në vetvete tërë tiparet e një vajze të bukur dhe të ciltër, me ata sytë e butë dhe përkëdhelës, vajza që vinte nga qyteti i Enkelanës; «…si princesha Harmonia e Enkelejve në pikturë!-shkruan autorja. Pavarësisht kohës se kur shtjellohen ngjarjet, autorja Moisiu e ka nisur rrëfimin aty nga mesi i jetës të Eva Suvarisë, e cila ishte rikthyer në vendlindje si turiste kësaj here, prej ku ishte larguar dhe kishte emigruar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ky truk i shkrimtares Moisiu ka jo vetëm një logjikë historike, porse inteligjenca ambicioze dhe shqetësimi i brendëshëm i saj (autores), e shtyrë nga motivet dhe emocionet, e kapërxejnë shqetësimin individual të saj në një shqetësim kolektiv, gjë që e bën lehtësisht dhe të thjeshtë, sikur po i rrëfen dikujt rishtas historinë e përgjumur të jetës së saj, strukur diku në cep të kujtesës. Kompozicioni i romanit paraqitet me prologun, dymbëdhjetë kapituj dhe epilogun, që zgjeron vështrimin e saj ideo-artistik me imazhet e gjalla sikundër e kërkon e vërteta dhe autorja ka aftësinë të dizenjojë se si të mësohemi të përballojmë dhimbjet e të jetojmë dashurinë. Ky është cmimi i pafajsisë, dhimbjes dhe dashurisë!

Romani i kushtohet rrugëtimit të fatit, historisë së dashurisë, divorcit të dhimbshëm dhe ndarjes të detyruar të Eva Suvarisë dhe Bardhyl Priskës. Nëpërmjet fatit të tyre autorja na zbulon përvojën e qindra cifteve dhe familjeve shqiptare që u divorcuan dhe u ndanë me detyrim dhe forcë, duke paguar edhe koston mizore të internimit të familjeve, të pushkatimit të prindërve apo të vetë atyre, bashkëshortëve dhe të shpalljes së tyre “armiq dhe tradhëtarë të kombit”. Arritja më e madhe e autores është ndërrthurrja e realitetit mizor historik dhe temës së spikatur të dashurisë. Kjo e fundit që bashkon njerëzit pavarësisht kalvarit të dhimbjeve, vuajtjeve, humbjeve njerëzore dhe sakrificave, porse kërkon, durim, ndjeshmëri dhe mirëkuptim.

Autorja Moisiu zhbiron brenda individualitetit të pafajsisë së Evës, duke ndjekur një rrugë koncize, dhe është aq e aftë në të menduar dhe analitike, sa ajo e paraqet rrëfenjën thellësisht emocionale, dhe e nxjerr atë vazhdimisht zbuluar nga pritshmëritë e ngurta dhe perspektivat e ngushta të luftës së klasave. Për më tepër, edhe protagonistët e sistemit totalitar prezantohen në mënyrën më të natyrëshme dhe transparente. E nisur nga pikësynimi ideor, autorja guxon dhe zbulon njerëzit e pushtetit komunist; që nga hetuesit, agjentët e policisë, pseudo-intelektualët dhe zhytjen e tyre në krime, vrasje, pushkatime, vese, hipokrizi, degjenerim dhe poshtërsi, deri në eleminimin e njëri-tjetrit, si ligji kryesor i sistemit në fuqi, duke na paraqitur kështu edhe kalbëzimin e rregjimit totalitar komunist. Portretin dhe jetën e Lirim Suvarisë, autorja e ka paraqitur me admirim, ndjeshmëri, respekt dhe mirëkuptim, me tonet e përthinjura dhe sytë cehrezbehta (të verbuar në luftë) e një komandanti trim të plagosur, që u qëndron viteve me shkëlqimin e një shpirti luftarak, por që cmon idealin dhe lirinë për të cilat luftoi dhe besoi.

Dashuria paralele e Evës me Lulin dhe me Remin dhe fatet tragjike të tyre janë një gjetje moderne e autores. Ky paralelizëm e mban lexuesin në tension dhe ngjarjet përputhen me dramat që ka kaluar Shqipëria, duke e bërë audiencën të reflektojë për ngritjen dhe të mendojë për urat midis së shkuarës, së tashmes dhe së ardhmes. Duke ndjekur linjat e romanit vëren se autorja Moisiu e konsideron poezinë dhe muzikën “gjuhën e ndjenjave”, që është njëkohësisht edhe gjuha komunikuese midis njerëzve; “ Eva pati dëgjuar se poetit i kishte vdekur gruaja disa vite të shkuara, dhe flitej se po përjetonte dashurinë e re me atë gruan që po shëtiste. Poeti kishte zgjedhur të ngushëllonte veten dhe ndante dhimbjen me gruan e re, dhe mbase kjo dashuri ishte shërim i vragës që kishte lënë pas humbjes së bashkëshortes, nënës së vajzave të tij. Dashuria e re e bënte poetin të ndjehej i ri në moshën e fisnikërisë, ripërtëritje dhe muzë për poetin, që thurrte vargje lirike aq të bukura për dashurinë”. Mbase kjo është edhe arësyeja që jehonën e vargjeve të Lasgush Poradecit do e prekim në thelbin e tyre të përbashkët edhe te ky roman, që janë vargjet lirike, të cilat zënë një vend të vecantë në krijimtarinë e autores edhe si poete. Interesante janë “fërshëllimat” dhe pjesët muzikore si “simfonitë baritore” që i flasin zemrës më fort se arësyes në momente të caktuara në udhëtimin e lumtur e të trishtë të jetës.

Shumë interesante në roman është dhënë edhe një nga sfidat që i është bërë diktaturës komuniste; Arratisja e 16 anëtarve të familjes Fezollari nëpërmjet liqenit të Pogradecit (Ohrit). Po ashtu edhe historinë mizore, prekëse, dhe tragjike të ciftit që u vra dhe u masakrua në kufi, në tentativë për t’u arratisur, autorja e ka rrëfyer me qasje profesionale, ideo-artistike dhe filozofike dhe zbulon një pasqyrë të jashtëzakonshme të kodit ndëshkues të diktaturës komuniste. Ndonëse ky roman ka qenë prova e parë e autores në gjininë e prozës, gjithësesi ai përbën një provë të suksesëshme, që mbi të gjitha reflekton një imagjinatë të zhvilluar të autores, dhe prirjen për një prozë të mbushur me ide, mendime dhe krijimtari artistike që padyshim më pas autorja solli prurje të suksesëshme dhe të rëndësishme në letërsinë shqipe dhe publicistikën shqiptare. Autorja Raimonda Moisiu ka meritën të jetë ndër të parat autore femra, që me kurajo, guxim dhe vendosmëri ka krijuar një mjedis thellësisht emocional dhe ka paraqitur një kronikë të gjerë historiko-shoqërore midis dy epokave; të një epoke që autorja përpiqet të na i japë në të gjitha aspektet, përvojat jetësore dhe në të gjithë kompleksitetin e saj, dhe ndërkohë të epokës së erës së re që po frynte, -atë të demokracisë.

Romani gati autobiografik, paraqet ngjarje dhe kronika historike e shoqërore të rëndësishme që të zgjojnë njëherësh ndjesitë, të cilat hedhin dritë mbi fajin e të pafajshmes, Eva, heroinës kryesore të romanit, dhe personazheve të tjerë që e rrethojnë atë, si një sfond njerëzor i domosdoshëm për të vërtetuar peshën e asaj pafajësie që ajo mbart në funksion të viteve dhe përvojave jetësore, të cilat u bënë për të (autoren), burim frymëzimi, muzë, dhe mjaft materiale krijuese për t’i hedhur në letër. Ndërsa anën ideo- artistike të romanit autorja e shoqëron me një rikthim dhe hulumtim të kujdesshëm njerëzor dhe historik, njëherazi, i thellë dhe bindës, që përcjell dhimbjen dhe dashurinë e vazhdueshme në sytë e lodhur të lexuesit. Duke e jetuar jetën në tërë shtrirjen e saj, autorja manovron si një “dizajnere grafike, në përdorimin i fjalëve dhe frazave shpërthyese”, duke u përpjekur kështu të ruajë harmoninë e tyre.

Me një intensitet të përsosur dhe me forcën e një shpirti unik njerëzor, shkrimtarja Raimonda Moisiu ka shkruar një libër shprehës dhe domethënës, ajo ka shkruar manifestin e dashurisë dhe divorcit të dhimbshëm, ku mbizotëron befasia e një harmonie të ëmbël në fund të romanit që është sa prekëse aq edhe emocionuese; Takimi mbas disa vite ndarje, i Eva Suvarisë dhe Bardhyl Priskës!

Te cdo fajtor ekziston sadopak një element i pafajësisë, -dhe për stilin dhe aftësinë e saj për të pasqyruar me vërtetësi ato ngjarje të qenësishme dhe përvojat jetësore të jetës së saj, ky roman do t’u rrëmbejë zemrën dhe hapë sytë për ta lexuar me respekt dhe admirim.

Shkrimtarja, Poetja, dhe Publicisjta shqiptaro-amerikane Raimonda Moisiu, aktualisht jeton në Florida të SHBA-ës, dhe vazhdon të shkruajë prozë, poezi, përkthim, dhe publicistikë bashkëkohore për lexuesit dhe admiruesit e krijimtarisë së saj. Nën rrezet e diellit Floridian, autorja Raimonda Moisiu po përkthen në gjuhën angleze romanin autobiografik “Pafajësia e Evës”, që tashmë ka marrë udhën e botimit.

Elsa XHAI

Gazetare/Lektore

Tiranë, Gusht, 2022

Filed Under: Interviste

Haga, betejë politike për të rishkruar historinë e Kosovës

April 30, 2025 by s p

Hisen Berisha/

Dhomat e Specializuara në Hagë, të krijuara në emër të drejtësisë, sot po funksionojnë në një hije të trashë të dyshimeve për mungesë balanci, selektivitet dhe përjashtim të parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare. Aty nuk po gjykohen vetëm individë – aty po vendoset edhe narracioni për luftën çlirimtare të një populli, për vlerat mbi të cilat është ndërtuar shteti i Kosovës.

Liderët politikë e ushtarakë të UÇK-së, që përfaqësojnë vetë zërin e shtetësisë së Kosovës, po trajtohen me standarde të dyfishta, në një proces që gjithnjë e më shumë po e humb legjitimitetin moral dhe juridik. Heshtja e institucioneve vendore, mungesa e presionit diplomatik, dhe indiferenca ndaj mënyrës se si po drejtohet kjo gjykatë, kanë krijuar një klimë frikësimi dhe diskreditimi të qëllimshëm të së kaluarës sonë kolektive.

Për më tepër, duhet theksuar çështja kontraverse e këtij gjykimi, se e drejta në pavarësinë e Kosovës, që është fituar me luftë me armë për liri, me luftë politike dhe diplomatike, është konfirmuar po ashtu, edhe nga vetë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, pas kontestimit që ka provuar t’ia bëjë Serbia. Prandaj, çdo përpjekje për ta gjykuar këtë të drejtë përmes përfaqësuesve të saj politikë dhe ushtarakë, është në thelb një përpjekje për ta rivlerësuar historinë nga një pozitë e rrezikshme e padrejtësisë.

Për këtë arsye, **është urgjente dhe e domosdoshme që proceset në Hagë të vendosen nën një **monitorim të rreptë ndërkombëtar, me përfshirjen e juristëve të pavarur, ekspertëve të drejtës ndërkombëtare, përfaqësuesve të organizatave të të drejtave të njeriut dhe institucioneve evropiane, që të garantohet drejtësi reale, jo hakmarrje e maskuar si drejtësi.

Çfarë po ndodh sot në Hagë nuk është një gjykim teknik, por një betejë politike për të rishkruar historinë e Kosovës. Kjo nuk mund të lihet në heshtje. Të gjithë ata që flasin për shtet të së drejtës, duhet të flasin tani – për të mos u bërë bashkëfajtorë në një padrejtësi të ndërtuar mbi heshtje.

Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar.

Monitorimi ndërkombëtar është hapi i parë për të shpëtuar atë pak besim që ka mbetur.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 364
  • 365
  • 366
  • 367
  • 368
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT