• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MARÇEZA KOTONI, NJË SHQIPTARE KANDIDATE PËR KËSHILLIN BASHKIAK TË CHELSEA DISTRIKTI 8 NË BOSTON

August 15, 2025 by s p

Intervistoi Editori i Diellit: Sokol Paja/

Marçeza Kotoni, një tjetër bashkatdhetare në mërgatën shqiptare të Shteteteve të Bashkuara të Amerikës që synon një post të rëndësishëm politik në Massachusetts. Ajo kandidon për Këshillin Bashkiak të Chelsea Distrikti 8 në Boston. Me një platformë elektorale që fokusohet te ndershmëria, drejtësia sociale dhe përfshirja e çdo zëri në vendimmarrje dhe me synimin e qartë për të mbështetur projektet dhe iniciativat që prekin jetën e çdo qytetari, nga siguria në distrikt tek mbrojtja e mjedisit, Marçeza Kotoni përbën një model guximi, krenarie, përfaqësimi dhe suksesi për të gjithë shqiptarët në Boston e më gjerë. Marçeza Kotoni ka studiuar master në politikë dhe marrëdhënie ndërkombëtare në New York University (NYU) dhe ka një eksperiencë frymëzuese si vëzhguese zgjedhjesh në vende të ndryshme të Europës Lindore dhe Azisë Perëndimore.

PLATFORMA ELEKTORALE: NDERSHMËRI, DREJTËSI SOCIALE DHE PËRFSHIRJA E ÇDO ZËRI NË VENDIMMARRJE

Platforma ime fokusohet tek ndershmëria, drejtësia sociale dhe përfshirja e çdo zëri në vendimmarrje. Jam kundër projekteve që dëmtojnë komunitetin, si fabrika e përpunimit të mishit dhe peshkut në 100 Justin Drive, dhe luftoj që komuniteti të dëgjohet dhe të ketë vend në tryezën e vendimmarrjes. Zotohem të mbroj shëndetin publik, cilësinë e jetës, si dhe interesat e familjeve të zakonshme sepse besoj se politika duhet të jetë e hapur, transparente dhe në shërbim të të gjithëve, jo vetëm të një grupi të privilegjuar.

ANGAZHIMI POLITIK NË DISTRIKTIN 8 NË CHELSEA: ZËRI I KOMUNITETIT PRIORITETI KRYESOR

Jam shumë e angazhuar në Distriktin 8 në Chelsea, aty ku jetoj, jam aktive dhe kam ndërtuar marrëdhënie të forta me fqinjët. Fokusi im është në ndalimin e projekteve të rrezikshme, siç është fabrika e përpunimit të mishit dhe peshkut, përmirësimin e cilësisë së ajrit dhe ujit, dhe ndërtimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë. Politika ime është e pavarur, pa lidhje me parti të mëdha, pasi besoj se zëri i komunitetit duhet të jetë prioriteti kryesor. Ftoj gjithë komunitetin shqiptar t’i bashkohet kësaj nisme për të pasur përfaqësuesin e vet në tryezë, për të qenë zëri i fuqishëm që ka munguar për një kohë të gjatë në Chelsea.

SUKSESI BAZOHET TEK PËRFSHIRJA E KOMUNITETIT, MBËSHTETJA MORALE DHE PRAKTIKE

Kandidatura për Këshillin Bashkiak të Chelsea Distrikti 8 është një mundësi shumë e rëndësishme për të sjellë ndryshimin e duhur. Ky pozicion vendos për projektet dhe iniciativat që prekin jetën e çdo qytetari, nga siguria në distrikt tek mbrojtja e mjedisit. Suksesi im bazohet tek përfshirja e komunitetit, mbështetja morale dhe praktike që kam marrë nga fqinjët, dhe puna e vazhdueshme për të qenë gjithmonë transparente dhe e hapur ndaj të gjitha shqetësimeve të tyre.

“NDER DHE PËRGJEGJËSI”, NJË SHQIPTARE KANDIDATE PËR KËSHILLIN BASHKIAK TË CHELSEA DISTRIKTI 8 NË BOSTON

Të qënët shqiptare që kandidon për një rol kyç publik është nder dhe përgjegjësi. Ndihem thellësisht e lidhur me rrënjët, vlerat, guximin dhe solidaritetin tonë si popull. Kam një ndjeshmëri të thellë për të gjitha familjet emigrante që kanë sakrifikuar për një jetë më të mirë, dhe dua të jem zëri i tyre. Dua të siguroj që asnjë grua apo njeri me prejardhje të huaj të mos ndjehet i trajtuar pa barazi dhe respekt në komunitet.

MOTO E FUSHATËS: ÇDO ZË KA RËNDËSI DHE VENDIMI DUHET TË JETË REZULTATI I DËSHIRAVE TË KOMUNITETIT

Fushata po ecën me entuziazëm dhe mbështetje të gjerë, megjithëse është ende në hapat fillestarë. Strategjia ime është komunikimi i hapur, takimet ballë-për-ballë, dëgjimi aktiv i çdo anëtari të komunitetit dhe transparencë e plotë. Synoj që edhe elektorati gri, ata që janë të paangazhuar, të ndihen të informuar dhe të përfaqësuar. Motoja ime: çdo zë ka rëndësi dhe vendimi duhet të jetë rezultati i dëshirave të komunitetit.

KUSH ËSHTË MARÇEZA KOTONI?

Kam përfunduar studimet master në politikë dhe marrëdhënie ndërkombëtare në New York University (NYU) dhe kam punuar në zyrën politike të OSBE-së në Shqipëri. Përveç kësaj, kam përvojë të gjerë si vëzhguese zgjedhjesh në vende të ndryshme të Europës Lindore dhe Azisë Perëndimore, duke kontribuar në mbrojtjen e standardeve demokratike. Karrierën e kam ndërtuar edhe në fushën e shërbimeve sociale dhe jam aktiviste për të drejtat e njeriut, duke shërbyer si anëtare e Komitetit të të Drejtave të Njeriut në Qytetin e Chelsea. Adhuroj librat si dhe natyrën. Motoja ime: Fairness matters – Drejtësia ka rëndësi. Çdo njeri meriton të dëgjohet.

HISTORIA E EMIGRIMIT NË USA

Në SHBA kam ardhur fillimisht si studente, falë një burse Fulbright, për të ndjekur studimet në NYU. Pas diplomimit, u ktheva në Shqipëri, dhe disa vite më vonë vendosa të rikthehem në SHBA si emigrante. Si grua dhe emigrante, rruga nuk ka qenë aspak e lehtë, ndaj ndihem me fat që banoj në Chelsea, një qytet i ndërtuar nga dhe për komunitetin e emigrantëve. Pjesa tjetër e familjes sime, me rrënjë të thella në kulturën dhe traditat tona, jeton ende në Shqipëri, tërësisht e integruar në jetën dhe komunitetin atje, pa plane për t’u larguar.
@followers@top fans

Filed Under: Politike

SAIMIR MALOKU, IN MEMORIAM…

August 15, 2025 by s p

SHPENDI TOPOLLAJ/

Kur miku im, intelektuali i shquar Bardhyl Adem Selimi, mes pikëllimit, dha lajmin e trishtuar të largimit nga jeta të shokut tim të shkollës së mesme ushtarake “Skënderbej” qysh nga viti 1960, Saimir Malokut, shtanga dhe nuk po u besoja syve. I shkëlqyer në mësime, me një sjellje plot sinqeritet dhe shumë i dashur me të tjerët, fotoja e këtij biri të një familjeje atdhetare, qëndronte përherë në tabelën e nderit. Kështu vazhdoi dhe në jetë kur shërbeu si oficer dhe inxhinier me përkushtim dhe ndershmëri, gjersa shpata e padrejtësisë së diktaturës komuniste, ia shkatërroi jetën, duke e burgosur në Ferrin e Burrelit, pa as më të voglin faj. I përballoi vuajtjet e viteve të gjata me burrëri, dhe kur fitoi lirinë, asnjëherë nuk shprehu ndenja hakmarrjeje. Por për të mos harruar brezat se ç`hoqëm në atë gjysmë shekulli, ai shkroi dhe na la librin me kujtime, për të cilin shkrova sa më poshtë dhe në nderim të jetës së tij po e botoj.               

   I lexova me trishtim kujtimet e shokut tim të mrekullueshëm në vitet e shkollës të mesme “Skënderbej” dhe atë të Oficerëve, Saimir Maloku, dhe gjëja e parë që më doli parasysh ishte ajo shprehja e Friedrich Nietzsches se “Të jetuarit është vuajtje, të mbijetuarit është gjetja e një kuptimi për vuajtjet”. Libri i tij voluminoz “Si mbijetova në Ferrin komunist”, botim i EMAL, viti 2020, me ato të vërteta rrëqethëse, jo vetëm që të trondit, por edhe synon të gjejë kuptimin e vuajtjeve trupore e shpirtërore të njeriut të ndershëm gjatë luftës për mbijetesë. Si i tillë, pra, për nga forca e argumentit dhe llogjika e të arsyetuarit rreth asaj që ngjau në Shqipëri, ai do të mbesë si një monument demaskimi për padrejtësitë dhe barbaritë e një sistemi despotik që sundoi mbi vendin tonë për mbi katër dekada. Kështu që trishtimit e tronditjes, ja zë vendin urrejtja ndaj atyre që sapo morën frenat e pushtetit në dorë, deklaruan pa ju dridhur qerpiku se do ushtronin diktaturën. Por pati një koincidencë mjaft domethënëse, pasi në kohën që shfletoja librin e shokut tim, një stacion televiziv, jepte historinë e botanistit të madh rus Nikollaj Ivanoviç Vavilovit i cili së bashku me ekipin e tij të shkencëtarëve patriotë, ruajtën me pedantizëm në “Svalbard” farat e bimëve për mbarështim, gjatë rrethimit të egër që ushtria e Vermahtit i bëri qytetit të tyre. Ata pranuan të vdisnin nga uria dhe të mos preknin asnjë kokërr nga ato drithra, pasuri perspektive e popullit të tyre. E megjithatë, Vavilovin, në moshën 54 vjeçare, vetëm pse kishte shfaqur kundërshti mendimesh me Trofim Denisoviç Lisenkon, që kishte përkrahjen e vetë Stalinit, policia e fshehtë e arrestoi dhe e torturoi në 400 seanca që bënin plot 1.700 orë hetime çnjerëzore. Koha tregoi se ai, dhe jo Kryetari i përkëdhelur i Akademisë së Shkencave kishte të drejtë. Çfarë ngjashmërie me Vavilovët tanë, se i tillë shkencëtar i radioteknikës dhe humanist ishte edhe Saimir Maloku. 

Saimiri vinte nga një prej familjeve më të shkëlqyera të kryeqytetit; babai i tij Reshiti, i njohur anë e kënd vendit për kontribute në ndërtime veprash të vështira, por edhe si Mjeshtër i Merituar i Sportit të Qitjes, ku ishte kampion, rekordmen dhe trajnier i ekipit kombëtar, gëzonte reputacionin e njeriut të kulturuar dhe të thjeshtë, kurse vëllai i madh, Agimi, një djalë mjaft simpatik dhe përherë i qeshur, ishte gjithashtu skënderbegas në maturë. Zgjuarsia, edukata qytetare dhe dashuria për shokët u lexohej të dyve në fytyrë. Në çdo shkollë që shkoi Saimiri, deri edhe në Universitetin Shtetëror për inxhinieri elektrike, fotografia e tij qëndronte në Tabelën e Nderit, pasi ai nuk njihte notë tjerër veç atyre maksimale. Ne të gjithë lexonim literaturë artistike, por Saimiri kishte dhe një pasion tjetër, atë të ndërtimit të radiove. Duke parë talentin e rrallë të tij dhe vullnetin e jashtëzakonshëm, ai fitoi dhe mbështetjen e trupës së mësuesve dhe oficerëve tanë. Natyrisht që në fillim të viteve 60 – të mungesat ishin të shumta, por një zot e dinte se nga i gjente Saimiri gjithë ato vegla e pjesë radiosh. 

Aq i aftë dhe i papërtuar ishte ai në këtë fushë, sa me të konsultoheshin dhe e thërrisnin për t`i ndihmuar edhe kapter Bezhani e Rexhepi, kino operatorët dhe përgjegjësit e teknikës radiofonike. I tillë kishte qenë në shkollën tonë vetëm një: austriaku, robi i luftës që quhej Karlo. Ne, nga ana jonë, Saimirit i thoshim se do të bëhej si Aleksandër Popovi që na kishin thënë se kishte shpikur radion, por ai na kundërshtonte duke shpjeguar se ai kishte studiuar vetëm valët elektromagnetike, kurse radion e kishte shpikur një italian, Gulielmo Markoni, i cili para gjysmë shekulli për valët e tij Herc, kishte fituar edhe çmimin “Nobel”. Dhe shtonte, se atij nuk i zihet emri me gojë se ishte fashist, por meritë ka pasur edhe Faradei, Tesla, Edisoni, edhe ky Popovi juaj me shokë. Por Saimiri, edhe për të kërcyer Rock and Roll në pushimin e gjatë me Maks Ruvinën, Bardh Kazazin, Tigër Godon, Ylli Dudushin me shokë, gjente kohë, duke i rënë me pëllëmbë në vend të xhazit, katedrës, por edhe për të ndihmuar ata që në mësime ishin më të dobët. Ai i donte shokët dhe nuk bënte dallime mes tyre. Por ja, pikërisht ky njeri me shumë kulturë duhej përndjekur, poshtëruar, torturuar, burgosur e mundësisht edhe vrarë nga të betuarit servilë të partisë, nga ata që e urrenin kulturën. Duke qëndruar në llahtarin e burgjeve komuniste, Saimiri, pa dhe njohu shumë. Ai, fare mirë mund të shkruante për plot të burgosur si Pjetër Arbnori, At Zef  Pllumi, Uran Kalakulla, Todi e Fatos Lubonja, Spartak Ngjela, Hajredin Fratari, Burhan Kalaja, Gëzim Çela, Hafiz Sabri Koçi, Adem Allçi, Sazan Hadëri, Dhori Gërnjoti e plot të tjerë që burrërisht i qëndruan diktaturës, duke na dhënë kështu një enciklopedi, por ai është mjaftuar kryesisht tek ato që i ngjanë vetë atij, pra, te padrejtësitë, intrigat, shpifjet, fyerjet, rrahjet, izolimi në biruca për muaj me radhë, dramat shpirtërore, kërcënimet për jetën e tij dhe të familjes, vuajtjet nga uria, të pa larët, të ftohtit, lagështia, depersonalizimi, linçimi publik, sëmundjet e deri shpërfytyrimi, sa i bërë kockë e lëkurë, pra tjetër njeri, nuk e njohu as nëna e tij. Dhe këto mjaftojnë, për të treguar fytyrën kriminale të atij sistemi, që arriti t`i hedhë trutë e gomarit shumicës nga ne dhe që fatkeqsisht, ende sot e kësaj dite, ka nga ata që e kujtojnë me mall. Në këtë këndvështrim, kujtimet e Saimiri Malokut, përsëri do të mbeten një enciklopedi e gjendjeve emocionale njerëzore, kur mbi të bijen rrufetë e padrejtësisë komuniste. 

Se lexuesit do të gjejnë në to, çudirat që ndodhin kur dikush bije në situata të ngjashme dhe që ky autor nuk ja uron askujt. Natyra njerëzore është një pus i pafund, ku po të futesh në të, do të ndeshësh gëzime e hidhërime, qeshje e lot, forcë e dobësi, thyerje e qëndresë, nënshtrim e revoltë, por lum ai që kur del prej tij, ka arritur të mbetet përsëri Njeri. Vetë Saimiri, duke folur për këtë, shprehet: “Vuajtjet e mëdha në qeli më mësuan të luftoja për jetën. Lëndimet nga torturat më mësuan të mos dorëzohesha, ndërsa dhimbjet që ndieja në trup më mësuan të isha i fortë. Prona më e madhe e njeriut është dinjiteti njerëzor”. Dhe Saimiri e ruajti trimërisht këtë dinjitet. E arriti këtë pasi ai ndoqi besnikërisht thënien e famshme të Shakespeares se “Frikacakët vdesin shumë herë para vdekjes së tyre, ndërsa guximtarët e provojnë shijen e vdekjes një herë të vetme”. Po përse kishte vajtur puna deri këtu? Babai i tij, Reshiti kishte studiuar në shkollën teknike të Harry Fulcit dhe kjo qe e mjaftueshme që rreth tij të mos ndahej hija e dyshimit. Puna që kishte bërë me aq përkushtim në interes të vendit, nuk kishte fare rëndësi. Pastaj, ai paskej shoqëruar disa turistë anglezë në Thethin turistik aty nga viti 1936, por edhe sikur t`i kishte shoqëruar ata në kohën e ilirëve, përsëri do i vihej një pikëpyetje e madhe. Kur ishte paralizuar, një anglez, mik partie i dërgonte ilaçe që këtu nuk gjendeshin. Por kush u besonte miqve, kur vetë Enveri nuk i zuri besë kunatit të tij, duke i futur një plumb pas koke, siç bëri me të gjithë bashkëpunëtorët, shumë nga të cilët ishin edhe Heronj të Populllit. Vetë Saimiri, merrej me koleksionime pullash, dhe për t`i shkëmbyer dërgonte letra në 17 shtete. Po sikur, me kod të fshehtë të çonte tek armiku sekretet tona të mëdha? Pastaj, ai na mësonka edhe gjuhë të huaja. E përse do t`i shërbejnë, veçse për agjenturë. 

Ka shpikur edhe një kanoçe për të parë stacionet e huaja televizive. Ne vërtetë e kemi marrë nga ai nga një të tillë, por ai po ja shpërndan kujtdo, duke futur kështu ideologjinë borgjezo – revizioniste. Apo nuk shkon derë më derë për t`ua rregulluar njerëzve çfarëdo, aparatet televizivë, pa pyetur fare për biografitë e tyre. Sikur të mos mjaftonte ajo që shtëpinë e tyre e kishte bërë si vatër kulture, ku mbidheshin gjithë rinia dhe shihnin deri në mesnatë, filma, koncerte e sporte perëndimore. Edhe në veshje ai na del si gagarel, me ca këmishë plot lule e ngjyra për të përhapur ideologjinë e huaj. Se edhe për të llapur, nuk i rri goja rehat, duke thënë ashtu si pa dashje se në vendet kapitaliste jetohet shumë më mirë se te ne. Po a e hamë ne atë. Partia jonë dhe Komandanti i treguan vendit Beqir Ballukut që ishte ministër i Mbrojtjes e jo një oficeri të thjeshtë të ndërlidhjes në Burrel, ku aq pranë është dhe ai burgu i llahtarshëm. Ti vemë hekurat njëherë, se na favorizon edhe situata politike, ku po kërkohet që t`i fshijmë me fshesë të hekurt e pa mëshirë armiqtë, se pastaj e bëjmë ne që t`i pranojë të gjitha si Çeçua. Dhe kështu nisi ndjekja, nga jo pak, por nga 120 oficerë sigurimi, përpilimi i atyre dosjeve të inkuizicionit 2 B e 2 A dhe më 13 maj 1976 arrestimi i tij. 200 ditë në birucën e nëndheshme të Degës së Punëve të Brendshme të Burrelit, ku kishte punë me lloj – lloj katilash e xhahilash dhe sikur të mos mjaftonin këta edhe me pisllëkun, zhulin, tartabiqet, mungesën absolute të higjienës dhe ajrimit, të ftohtin e llahtarshëm që s`kishte ç`ti bënte ajo gjysmë batania si leckë e ndotur dhe asnjë kontakt me prindërit e vëllezërit e tij. Po ç`mund të bënte një njeri i shndërruar në skelet, veçse t`i lutej Zotit dhe … ju s`do ta besoni, të këndonte këngët e ndaluara dhe të vallzonte, edhe pse e dinte se do ta merrnin për të çmendur. Kishte qenë pasioni i tij i hershëm kjo lloj muzike e cila kishte forcë ringjallëse. Se ishte ashtu sikurse thosh ai Nitçja, se pa muzikë, jeta do të ishte një gabim. Pastaj ajo muzikë shoqërohej me fjalë frymëzuese, ndaj dhe konti Leon Tolstoi e shihte si gjuha e shkruar e emocionit. 

Përfytyroni një fantazmë që si hije, vjen rrotull një qelie të nëndheshme, që nuk ja gjen shokun për ta krahasuar as edhe te fantazia aq e zhvilluar e mitologjisë. Schopenhaueri me atë mendjen e tij të fuqishme kishte thënë dikur: “Një njeri mund të jetë vetja vetëm për aq kohë sa ai është i vetëm; dhe nëse ai nuk e do vetminë, ai nuk do ta dojë as lirinë; sepse vetëm atëherë kur ai është i vetëm, ai është vërtetë i lirë”. Duke parë se hetuesit djallëzisht, dosjen e tij donin ta bashkonin me atë të babait, duke krijuar kështu grupin armiqësor që do përmbyste pushtetin popullor, për të përligjur dënimin me vdekje, ai vendos të rezistojë, se në vetminë e tij ndihej i lirë për të folur, duke e kthyer kështu gjyqin ndaj tij në një aktakuzë për regjimin mizor dhe duke demaskuar vetë Enver Hoxhën dhe politikën e tij të mbrapshtë prej Neroni. Kurrë ata qindra të pranishëm, nuk kishin dëgjuar të flitej kështu për partinë dhe udhëheqën e “pagabueshëm”. Ndaj ulërinin, talleshin, pështynin dhe qëllonin me shkelma e vezë të prishura në drejtim të tij. Kurse ai, duke mbajtur me njërën dorë pantallonat pa rrip, me frikën se mos i binin, pasi edhe mbathje nuk kishte veshur, kishte guximin të deklaronte: “Këta krimba janë udhëheqësit kryesor të saj si Enver Hoxha, Mehmet Shehu dhe Kadri Hazbiu. Enver Hoxha, duke pushkatuar Beqir Ballukun dhe shokët e tij, me arrestimet, burgimet dhe internimet masive që ka bërë, populli në të ardhmen pas vdekjes së tij, do ta quajë atë diktator të Shqipërisë si Stalini dhe ashtu siç ia bënë diktatorit komunist sovjetik do t`ia bëjnë edhe atij duke ia djegur trupin, veprat si dhe do të rrëzojnë dhe do të shkatërrojnë të gjitha monumentet e tij.” Fjalë profetike apo jo, dhe sidomos të padëgjuara ndonjëherë, para këtij tribuni të vegjëlisë. Dhe ndodhi ashtu siç kishte parashikuar ai. 

Pikërisht Saimir Maloku, pas atyre vuajtjeve barbare, tani i liruar nga burgu më 20 shkurt të vitit 1991, ku ndodhesha edhe unë, i printe turmës për rrëzimin e monumentit të diktatorit shqiptar dhe për të djegur te dyqani “Flora” veprat e tij të pështira. Kushdo i njeh kontributet e Saimir Malokut për shpëtimin e jatës së dhjetra qytetarëve të aksidentuar apo të sëmurë, ç`ka flet qartë për vlerat e tij të mëdha humane. Por kushdo duhet ta dijë se mbi të gjitha ai mbetet një atdhetar i devotshëm dhe i kulluar me prirje të hershme evropianiste. Nuk do ta harroj kurrë, ditën e Lumturimit të Madre Terezës, kur pas audiencës që i kishte dhënë familjarisht Papa Vojtila në Vatikan, e pashë atë, duke katalizuar entuziazmin dhe krenarinë e të gjithë shqiptarëve të pranishëm në shesh, duke i nxitur ata që të bënin fotografi me flamurin tonë kombëtar që e mbante një bukuroshe. O Zot, thosha me vete, këtë shqiptar të madh e dënonte diktatura si dikur Prometeun. Dhe Saimiri, anën e tij njerëzore e atdhetare vazhdon ta ruajë të paprekur, edhe në këto kujtime, ku predikon vetëm vëllazërim, jo hakmarrje dhe ku nuk përmend asnjë xhelat me emër, vetëm duke shpresuar se ndonjë ditë dikush do t`i kërkojë atij dhe bashkëvuajtësve të tij të pafaj, ndjesë. Kam parë se edhe Nelson Mandelës, rojet dhe ata që e dënuan, i kërkuan falje dhe ai vetëm buzëqeshte. Por në Shqipëri kjo qenka mjaft e vështirë. Ndofta se te ne, pra në mes të Evropës, krimet ndaj të burgosurve politikë kanë qenë edhe më të këqia se ndaj Mandelës në Jugë të Afrikës. Ja ç`thotë vetë ai për këtë: “…diktatori Enver Hoxha shpiku dhe i la si trashëgimi këtij populli para vdekjes së tij operën e famshme “Komunizmi shqiptar”, ku ai ishte “kompozitori dhe dirigjenti kryesor i saj”. 

Me rrëzimin e monumentit të diktatorit komunist më 20 shkurt 1991 muzika e kësaj opere famëkeqe komuniste ndaloi.” Por, për çudi, nostalgjikët vazhdojnë t`i bijen të njëjtit avaz, nga po ai pentagram i nxirë nga koha, pasi duam apo nuk duam, janë po ata që e pështynin Saimirin me shokë duke brohoritur në kor: “Vdekje armiqve të partisë”, janë ata që nxitonin t`i bashkoheshin me gëzim forcave militare që rrethonin, arrestonin, plagosnin dhe vrisnin ata tre djemtë që patën guximin të shpërthenin burgun mesjetar të Burrelit. Të vjen keq që shoqëria jonë, për hir të luftës politike dhe etjes për pushtet është kaq e çorientuar, dhe që ndihma e të huajve për dënimin e bëmave të komunizmit, thuajse nuk ndihet fare. Na dhimbset e ardhmja e Atdheut në familjen evropiane, se Saimir Maloku me nderimet që i janë bërë, mbetet ai që të porsa lindur, vajzat e lagjes e quajtën SA I MIR. Por në qoftë se ai ngre zërin, këtë e bën, se nuk harron asnjëherë mësuesen tonë të letrërsisë, Gjylizare Çiçon që duke cituar Victor Hygoin thosh: “Ngjitur me të drejtat e Njeriut, fare pranë tyre, janë të Drejtat e Shpirtit”. 

Filed Under: Politike

PALASA E PUSHTUAR…

August 14, 2025 by s p

Kastriot Fetahu/

Borgjezët e rinj nuk janë njerëz interesantë; ndërkohë që bota ju duket shumë personale, ata nuk duan që ajo të rrotullohet. E kam vizituar për herë të parë Palasën kur isha student. Ka qenë delta e lumit të atij fshati dhe profesori im i gjeologjisë, një njeri i jashtëzakonshëm si Servet Pasho, që na shpjegoi se ata gurët e bardhë të deltës janë shkëmbinj brekçiozë. Sekretari i Pablo Picassos thoshte se turistët amerikanë vijnë në Evropë pas Luftës së Dytë Botërore për të parë Papën, Pompein dhe Pablo Picasson. Sa do të më pëlqente që, meqenëse Picasso nuk jeton më, të zëvendësohej me Palasën në thënien e sekretarit të tij.

Deri para pak vitesh, kaloja shpesh në rrugën e Rivierës së Jonit për në Sarandë dhe asaj delte, që dukej nga Llogaraja aq e bukur, i gëzohesha si një fëmijë.

Këtë herë nuk mora kënaqësinë e njohur, se nuk ma rroku syri. Gjeta vetëm një pushtim urban, pushtim industrial, si derivat i një pushtimi detar. Kserksi “modern”, kështu mund ta shkatërronte Salaminën greke, mendova. Imagjinata është fragmenti më i bukur i jetës në të cilin ndërtojmë limitin e të ardhmes.

Nuk po e kuptoja imagjinatën e importuar në Palasë.

Para tre vitesh ishin vetëm dy lokale dhe unë preferova “Samoa”-n. Atëherë ishte mrekulli, pasi barbarët nuk kishin zbarkuar akoma dhe as bajlozi nga deti.

Para dy ditësh vizitova përsëri Palasën. Pas një shëtitjeje të shkurtër qëndrova në një lokal në atë “lagjen si pazari turk i Stambollit” dhe, edhe pse një ambient shumë i bukur, në të ishin gjithsej 4 njerëz në pikun e sezonit. Jemi në fillim të gushtit.

U riktheva përsëri dhe në mbrëmjen e sotme përrallore të bregdetit, u ula te dashuria e vjetër, lokali “Samoa”.

Unë nuk i tradhtoj gjërat që iu kam besuar dhe nuk u zhgënjeva as këtë herë, pasi u kënaqa; një kameriere e përkushtuar na e bëri të bukur “Samoa”-n. Pas pak shkova te një mol aty pranë. Nga natyra jam gjithmonë shumë kurioz, nuk qëndroj dot pa pyetur. Nuk e di nëse ka qenë kështu idhulli im Hemingway, amerikani nga Oak Park i Çikagos. Gjatë gjithë kohës së qëndrimit në Palasë më dukej fare pa kuptim aforizma e shkruar nga unë se “Liria ime është një drejtëz dhe askush nuk mund t’i vendosë skajet veç instiktit tim”.

Pasi erdhi një skaf dhe shkarkoi tre djem, pyes dikë nga ata nëse mund të xhironim me të në det?

Akoma i frikshëm më duket emri “skaf”, më ngjan me atë dragoin që ruante lëkurën e dashit të artë në ishullin Kolhidë. Ishte një djalë i qeshur dhe, me të qeshur, më tha se: “Të shkojmë te Shpella Blu, duhen 250 mijë lekë deri në katër persona, për rreth 1 orë e 30 minuta.” U zmbrapsa i trembur. M’u kujtua se kisha prenotuar një jaht në “Lake Michigan” të Çikagos për 25 dollarë orën – një jaht, jo një barkë me motor si në Palasë. Nuk dija çfarë t’i thoja qeshjes së këtij djali të qeshur. Ai e pa dhe e rriti intensitetin e qeshjes. Pas tij erdhi një djalë tjetër, që na dëgjoi dhe u shtruam në bisedë.

Doja të flisja me dikë që të mos më kujtonte dialogun e filmit “Dikush fluturoi mbi folenë e qyqes” me aktorin Jack Nicholson.

—McMurphy, pse dreqin i flet? Ai s’dëgjon fare!

— Po i flas vetes, jo atij. Më ndihmon të mendoj.

— Por s’po ndihmon atë.

— Keq s’po i bëj, apo jo?

— Si të shkon puna sivjet? – e pyeta atë djalë.

I pezmatuar, më tha se është gjysma e punës së vjetshme.

— I kupton arsyet? – vazhdova.

— Po, – më tha. – Parkimin këta e kanë 30 mijë lekë (të vjetra) ditë-natë, ndërsa për dy orë e kanë 5 mijë lekë, çadrat 30-70 euro dhe këtë e bëjnë ata që janë të pasur, se nuk duan të vijnë njerëz jashtë standardit të tyre.

— Në qendër të Bostonit, në Back Bay magjik, – i bëra me dije, – është 2 dollarë ora, kurse të dielave parkimi bëhet falas.

— A e kupton?

Të dielave është falas, ndërsa ditëve të tjera të javës ora e parkimit kushton 1650 lekë me kursin e dollarit në ditën e sotme.

Pasi folëm gjëra të përgjithshme, shfryu për një çast dhe u largua, duke më uruar gjithë të mirat.

Ndërkohë në errësirën që pushtoi vendin lëvizjet u intensifikuan, duke bërë që njerëzit e makinat të rralloheshin.

Palasa, ashtu si një vajzë që e di se është e bukur, por s’di ç’të bëj me bukurinë e saj, po e shkatërron veten me operacione plastike.

Duhet praktikë, mendim dhe aftësi për të jetuar pa pendime.

Lotët janë të parëndësishëm nëse gëzimi njerëzor harron se kufiri mes tij dhe krizave ekzistenciale është sa koha e “vendosjes së kalit grek në Trojën e festës së fitores”.

Në antikitetin klasik, shkrimtari romak Lucan regjistroi një vend të quajtur Palaeste në malin Ceraunian në Chaonia, të Ilirisë. Palasa, ka qene banuar nga fisi epirot i Kaoneve. Jul Qezari zbarkoi ushtrinë e tij në plazhin e Palasës, nga Brindizi në betejën kundër Pompeut, i cili ishte vendosur në Orikum. Qezarit iu bashkuan dhe Amantët e qytet shtetit ilir Amantia, ndaj Palasa është shumë më shumë se një plazh i pushtuar. Në vitin 1632 u krijua një shkollë shqipe në Palasë. Në vitin 1663 u krijua një shkollë greke.

Nuk e zgjidh dot enigmën nëse ka burgje më të tmerrshëm se sa fjalët, apo fjalë më të tmerrshme sesa burgjet?! Hije që nuk mbeten kurrë pas…Në Martinique, ku pushojnë bilionerët e botës, Jeff Bezos e Co., në qiellin e të cilës nuk lejohet të qarkullojnë avionë (një koloni franceze Martinika), nuk janë këto çmime. Atje do të gjejmë dhe statujën e vendases së atij ishulli, Joséphine de Beauharnais, gruaja e parë e Napoleon Bonapartit – ishull që bën pjesë në Antilet e Vogla të Karaibeve. Thënia e Bonapartit: “Të vetmet pushtime që janë të përhershme dhe nuk lënë keqardhje janë pushtimet tona mbi veten tonë”, më kumton se Palasa ngjan si një vend i marrë hua.

Toka e huaj zgjon ndjenjën e aventurës tek burrat, kurse toka jonë zgjon dashurinë për të dhe përtej saj, duke hapur dyert shqiptarisht për shqiptarët.

Filed Under: Reportazh

Moska në kurthin e vet: Pse Rusia nuk po fiton në Ukrainë!?

August 14, 2025 by s p

Nisur nga zhvillimet e fundit ndërkombëtare për ti dhenë fund luftës në Ukrainë, nuk duhet të harrojmë asnjëherë arsyet se pse kjo luftë filloi. Nga dita e parë e pushtimit të Ukrainës, më 24 shkurt 2022, ishte e qartë se operacioni ushtarak i Kremlinit ishte konceptuar mbi një premisë të gabuar, me idenë se kjo do të ishte një luftë e shpejtë. Vladimir Putin dhe rrethi i tij i ngushtë besuan se Kievi do të binte brenda disa ditësh, se udhëheqësia ukrainase do të dorëzohej ose do të arratisej, dhe se popullsia do të priste “çlirimtarët” rusë me lule. Historia na mëson se iluzione të tilla kanë qenë gjithmonë pararendëse të disfatës.

Tre agjencitë kryesore të inteligjencës ruse, FSB (Shërbimi Federal i Sigurisë), SVR (Shërbimi i Inteligjencës së Jashtme) dhe GRU (Drejtoria e Inteligjencës Ushtarake), ishin të përfshira thellë në planifikimin e agresionit. Në doktrinën e tyre, Ukraina dhe shtetet e tjera ish-sovjetike përbëjnë atë që quhet “të afërm të jashtëm” (near abroad), hapësira ku Moska pretendon interes të përhershëm politik, kulturor dhe strategjik.

Historikisht, Rusia nuk e kanë pranuar kurrë realisht pavarësinë e republikave ish-sovjetike. Për ta, këto vende janë thjesht provinca të humbura të një perandorie që duhet rikthyer. Ky mentalitet, i përforcuar nga retorika e Putinit se “shpërbërja e Bashkimit Sovjetik ishte katastrofa më e madhe e shekullit XX”, e përgatiti terrenin për një aventurë të rrezikshme.

Shërbimet ruse kanë qenë tradiconalisht tepër të afta për të organizuar operacione për elemimin e kundërshtarëve politik brenda e jashtë vendit, si edhe për të shtypur çdo formë rezistence të brendshme. Ato shfaqen shumë të afta në organizimin e represionit të brendshëm, por të paafta për analiza strategjike. Një paradigmë kjo e njohur për vendet ku mungon liria.

Një mësim klasik nga historia është se askush nuk e nis një konflikt të madh të armatosur nëse nuk beson se do ta fitojë shpejt. Nëse udhëheqësit do të parashikonin një luftë të gjatë e të kushtueshme, ata do të kërkonin rrugë alternative për të arritur objektivat. Por, pse Rusia ishte e bindur se do ta mposhte Ukrainën brenda pak ditësh? Pse ky parashikim doli krejtësisht i gabuar? Kush e ushqeu këtë iluzion? Përgjigjja gjendet në vetë zemrën e sistemit të inteligjencës ruse. Gjithçka fillon me keqvlerësimin e shpirtit të rezistencës ukrainase. Mjafton që të shikoni dokumentarin në Netflix “Winter on Fire: Ukraine’s Fight for Freedom”, për të kuptuar sadopak betejën për liri dhe shpirtin e pathyeshëm të ukrainasve.

FSB-ja, e ngarkuar me operacionet politike dhe të brendshme në Ukrainë, kishte ndërtuar një narrativë të rreme për dobësinë e shtetit ukrainas, korrupsionin e lartë dhe pakënaqësinë popullore ndaj udhëheqjes së Kievit. Informacioni ishte filtruar dhe “përshtatur” për t’i pëlqyer Putinit, jo për të pasqyruar realitetin. Nga ana tjetër, SVR e nënvlerësoi gatishmërinë e Shteteve të Bashkuara, BE-së dhe NATO-s për të mbështetur Ukrainën.

Supozimi ishte se Perëndimi do të reagonte me protesta diplomatike, por jo me ndihmë masive ushtarake. Supozimet e gabuara taktike të GRU-së, se operacioni “blitzkrieg” do të thyente shpejt mbrojtjen ukrainase dhe se njësitë elitare ruse do të hynin në Kiev pa rezistencë serioze, e thelluan më tej perceptimin e gabuar rus. Në realitet, logjistika ruse u rrëzua brenda pak ditësh dhe ofensiva ngeci.

Lufta në Ukrainë nxori në pah pasojat e kulturës së frikës që mbizotëron në Rusi. Mjafton që të rikujtoni dialogun e famëkeq midis Putinit dhe një siloviku, ish-shok i tij i klasës në shkollën e KGB-së, shefi aktual i SVR-së Sergei Naryshkin, pak ditë para fillimit të luftës në Ukrainë. Shërbimet ruse operojnë në një sistem ku e vërteta mund të ketë pasoja fatale për karrierën, madje edhe për vetë jetën. Kjo “kulturë e miratimit” të dëshirave të udhëheqjes, bëri që Putini të ishte i bindur se kishte përballë një Ukrainë të brishtë dhe një Perëndim të pavendosur. Por, realiteti në terren e rrëzoi shpejt këtë iluzion, duke kaluar nga dështimi i shpejtë tek lufta e gjatë.

Rezistenca ukrainase, mobilizimi i shpejtë i Perëndimit dhe dështimet e dukshme logjistike e strategjike e kthyen “operacionin special” rus në një luftë të gjatë e rraskapitëse. Këtë skenar nuk do të pranonte asnjë, nëse do ta parashikonte që në fillim. Rasti i Ukrainës është një kazus klasik për rreziqet që sjell informacioni i shtrembëruar dhe inteligjenca e politizuar. Ai tregon se edhe një fuqi e madhe ushtarake mund të futet në kurth nga iluzionet e veta, kur realiteti zëvendësohet me propagandë.

Shërbimet ruse, në vend që të ishin sytë dhe veshët e udhëheqjes, u kthyen në pasqyrë që reflektonte vetëm dëshirat e Putinit. Rezultati është një luftë e përgjakshme, një ushtri e dobësuar dhe një Rusi e izoluar, që po përpiqet sot e gjithë ditën që ta ndryshoj këtë situatë. Le të shpresojmë që takimi i Alaskës, do të shënoj një hap përpara në përfundimin e luftës dhe garantimin e një paqeje të drejtë…

Dr. Evarist Beqiri

Filed Under: Analiza

GONXHJA E SHKUPIT NË KURORËN E BOTËS

August 14, 2025 by s p

Si një simbol i paqes dhe shpresës, Nënë Tereza vazhdon të frymëzojë breza të tërë me mesazhin e saj të dashurisë dhe shërbimit ndaj të tjerëve. Pavarësisht kohës që kalon, filozofia e saj humane mbetet e pavdekshme dhe një udhërrëfyes për ata që dëshirojnë të bëjnë një ndryshim në botë. Për shqiptarët, ajo është një emër i paharruar, një model përulësie dhe dinjiteti

Nga Prof.dr Skender ASANI

Nënë Tereza, e njohur me emrin e lindjes Gonxhe Bojaxhiu, mbetet një nga figurat më frymëzuese dhe të ndritura të kombit shqiptar. E lindur në Shkup, ajo i dha kuptim të ri sakrificës dhe shërbimit ndaj njerëzimit, duke u shndërruar në një ikonë universale të dashurisë, paqes dhe humanizmit. Jeta dhe vepra e saj janë një dëshmi e fuqisë së bamirësisë dhe përkushtimit të pakushtëzuar ndaj të tjerëve. Si një figurë qëndrore e identitetit shqiptar, dhe si personazh kryesor i librit tim të posa botuar “GONXHJA E SHKUPIT NË KURORËN E BOTËS”,Nënë Tereza është një shembull frymëzimi për të gjithë ne. Ajo dëshmoi se madhështia nuk matet me pasurinë apo pushtetin, por me veprat e mira dhe gatishmërinë për t’u shërbyer të tjerëve. Në një kohë kur bota përballet me sfida të shumta, mesazhi i saj për dashurinë dhe dhembshurinë mbetet më i rëndësishëm se kurrë.

Trashëgimia e saj është një thesar shpirtëror për kombin tonë dhe për mbarë njerëzimin. Vepra dhe filozofia e saj na mësojnë se ndryshimi fillon me gjeste të vogla dashurie dhe mirësie. Prandaj, Nënë Tereza mbetet një figurë e pavdekshme, një dritë që vazhdon të ndriçojë rrugën e atyre që besojnë në fuqinë e dashurisë dhe shërbimit ndaj të tjerëve.

Në historinë e njerëzimit, pak figura kanë arritur të mishërojnë vlera universale si humanizmi dhe sakrifica në mënyrën që e bëri Nënë Tereza. Gonxhe Bojaxhiu – Nena Tereze, ajo ia kushtoi gjithë jetën ndihmës ndaj më të varfërve dhe të sëmurëve, duke u bërë një simbol i dashurisë dhe dhembshurisë pa kufij.

Humanizmi i saj nuk ishte thjesht një filozofi, por një mënyrë jetese. Duke themeluar Misionaret e Bamirësisë, ajo krijoi një rrjet global ndihme, duke u kujdesur për ata që shoqëria shpesh i harronte: të pastrehët, të sëmurët, fëmijët e braktisur dhe të vdekurit pa mbështetje. Për të, çdo njeri kishte vlerë dhe meritonte dashuri, pavarësisht fesë, kombësisë apo statusit shoqëror.

Por humanizmi i Nënë Terezës nuk do të kishte kuptim pa sakrificën e saj të jashtëzakonshme. Ajo la pas familjen, rehatinë dhe gjithçka personale për t’iu përkushtuar plotësisht të tjerëve. Kaloi vite të tëra duke punuar në kushte të vështira, shpesh mes sëmundjeve dhe varfërisë ekstreme, por asnjëherë nuk hoqi dorë nga misioni i saj.

Nënë Tereza është dhe mbetet një shembull frymëzimi për brezat e sotëm dhe të ardhshëm. Në një botë ku shpesh dominon egoizmi dhe materializmi, mesazhi i saj për dashurinë dhe shërbimin ndaj të tjerëve është më i rëndësishëm se kurrë. Ajo na kujton se lumturia e vërtetë nuk vjen nga ajo që marrim, por nga ajo që japim.

Nënë Tereza e jetoi misionin e saj jo vetëm si një akt bamirësie, por si një angazhim të përhershëm për të ndihmuar më të dobëtit. Themelimi i Misionareve të Dashurisë ishte një nga arritjet e saj më të mëdha, duke krijuar një rrjet ndihme që u shtri në të gjitha kontinentet. Kauzat e saj humane nuk mbetën thjesht pjesë e së kaluarës, por vazhdojnë të jenë një udhërrëfyes edhe për të ardhmen tonë, duke na kujtuar se rruga drejt paqes dhe drejtësisë nuk mund të ndahet nga vlerat që ajo promovoi.

Shkupi, qyteti ku lindi dhe u rrit Nënë Tereza, ka një histori të pasur dhe një rëndësi të madhe për identitetin shqiptar. Për shekuj me radhë, ky qytet ka qenë një qendër kulturore, historike dhe shpirtërore për shqiptarët, duke dëshmuar lashtësinë dhe qëndrueshmërinë e tyre në këtë rajon.

Që nga periudha ilire, Shkupi ka pasur rrënjë të forta shqiptare, veçanërisht përmes fisit dardan, i cili ndikoi në formësimin e kulturës dhe traditave të kësaj zone. Me kalimin e shekujve, qyteti u bë një pikë kyçe e zhvillimit gjuhësor dhe kulturor shqiptar, duke qenë një vend ku u ruajtën dhe u përhapën vlerat kombëtare.

Ndikimi i krishterimit, veçanërisht i Kishës Katolike Shqiptare, luajti një rol të rëndësishëm në ruajtjen e identitetit kombëtar. Figura të njohura si Pjetër Bogdani kontribuuan në mbrojtjen dhe përhapjen e gjuhës shqipe, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar letrare dhe shpirtërore. Përkundër periudhave të vështira si sundimi osman dhe represioni jugosllav, shqiptarët e Shkupit mbetën të vendosur në mbrojtjen e gjuhës, kulturës dhe traditave të tyre.

Shkupi nuk është thjesht një qytet, por një simbol i qëndresës shqiptare. Ai ka dhënë personalitete të mëdha që kanë ndikuar në historinë tonë kombëtare, duke përfshirë edhe Nënë Terezën, e cila u bë një figurë botërore e humanizmit. Përmes këtij qyteti, historia jonë dëshmon se identiteti shqiptar nuk është thyer asnjëherë, pavarësisht sfidave dhe ndryshimeve historike.

Prandaj, Shkupi mbetet një gur themeli për kombin shqiptar, një vend ku historia, kultura dhe identiteti kanë gjetur gjithmonë rrugën për të mbijetuar dhe për të ndriçuar të ardhmen.

Figura e Nënë Terezës është një nga më të ndritshmet jo vetëm në historinë botërore, por veçanërisht për kombin shqiptar. E lindur në Shkup me emrin Gonxhe Bojaxhiu, ajo u bë simbol i dhembshurisë, përkushtimit dhe humanizmit, duke ndikuar në miliona jetë në mbarë botën.

Ndikimi i saj kaloi përtej kufijve kombëtarë dhe fetarë. Përmes themelimit të Misionareve të Bamirësisë, ajo krijoi një rrjet të madh ndihme për të varfrit dhe të sëmurët, duke treguar se dashuria dhe kujdesi janë vlera universale. Jeta e saj ishte një dëshmi e sakrificës, duke e bërë atë një figurë frymëzuese për të gjithë njerëzimin.

Por për shqiptarët, roli i saj është edhe më i madh. Në një kohë kur kombi shqiptar kërkonte figura që ta përfaqësonin me dinjitet në botë, Nënë Tereza u bë një ambasadore e paqes dhe e humanizmit. Ajo e mbajti gjithmonë gjallë identitetin e saj shqiptar, duke e quajtur veten “një bijë e popullit shqiptar”. Kjo lidhje e saj me rrënjët shqiptare është një burim krenarie për kombin tonë.

Trashëgimia e Nënë Terezës vazhdon të ndikojë brezat e rinj. Ajo na mëson se madhështia nuk matet me pasurinë apo pushtetin, por me gatishmërinë për të ndihmuar të tjerët. Mesazhi i saj na kujton se secili prej nesh mund të bëjë diçka të mirë për të tjerët, duke e bërë botën një vend më të dashur dhe më të drejtë.

Prandaj, Nënë Tereza mbetet një figurë e ndritur, një simbol frymëzimi dhe një pasuri shpirtërore për shqiptarët dhe për mbarë njerëzimin. Roli dhe vepra e saj do të jenë gjithmonë një udhërrëfyes për ata që besojnë në fuqinë e dashurisë dhe të mirësisë.

Edhe pse pjesën më të madhe të jetës së saj e kaloi jashtë trojeve shqiptare, Nënë Tereza nuk e harroi kurrë origjinën e saj. Dashuria e saj për popullin shqiptar ishte e pakufishme, dhe ajo vazhdimisht e promovoi harmoninë dhe paqen. Vlerat që ajo përfaqëson – humanizmi, sakrifica dhe ndihma e pakursyer ndaj të varfërve – janë të rrënjosura thellë në kulturën dhe traditën tonë kombëtare.

Institucionalizimi i trashëgimisë së saj, siç po bëhet nga ITSHKSH përmes një departamenti të posaçëm, ndihmon në ruajtjen dhe studimin shkencor të figurës së saj. Shkupi, megjithëse përpjekjet për ta nderuar Nënë Terezën janë të dukshme, ka ende nevojë për përkujdesje institucionale më të thellë, si organizimi i meshave në gjuhën shqipe dhe ngritja e qendrave humanitare në emrin e saj.

Njerëzimi ka njohur shumë figura të mëdha, por pak prej tyre kanë ndriçuar botën me dritën e dashurisë dhe sakrificës si Nënë Tereza. Ajo mbetet një fanar ndriçues, jo vetëm për shqiptarët, por për gjithë botën, si simbol i përkushtimit dhe dhembshurisë.

Jeta e saj ishte një dëshmi e gjallë e humanizmit të pastër. Duke lënë gjithçka pas, ajo zgjodhi të jetonte mes më të varfërve të Kalkutës, duke u bërë nënë për ata që nuk kishin askënd. Me veprat e saj, ajo tregoi se dashuria nuk ka kufij dhe se çdo njeri, pavarësisht fesë, kombësisë apo statusit, meriton dinjitet dhe kujdes.

Nënë Tereza jo vetëm që ndihmoi qindra mijëra njerëz, por edhe frymëzoi miliona të tjerë që të ndjekin rrugën e saj të mirësisë. Ajo na mësoi se nuk ka rëndësi madhësia e veprës që bëjmë, por dashuria me të cilën e kryejmë atë. Çmimi Nobel për Paqen që ajo mori në vitin 1979 ishte vetëm një simbol i njohjes globale të veprës së saj, por shpërblimi më i madh ishte dashuria që la pas në zemrat e njerëzve.

Edhe sot, vite pas shkuarjes së saj në amshim, figura e Nënë Terezës vazhdon të na udhëheqë. Ajo na kujton se bota mund të bëhet një vend më i mirë përmes veprave të vogla të dashurisë dhe mirësisë. Prandaj, ajo mbetet një fanar ndriçues, një dritë shprese që nuk shuhet kurrë.

Historia e saj na kujton se, pavarësisht sfidave që mund të hasim, vlerat tona dhe rrënjët tona kombëtare duhet të mbeten të patjetërsueshme. Trashëgimia e Nënë Terezës na kujton se forca e shpirtit dhe dashuria për tjetrin janë vlerat që duhet të na udhëheqin drejt një bote më të mirë dhe më të drejtë.

Nënë Tereza mbetet një nga figurat më të ndritura të njerëzimit dhe një krenari e madhe për kombin shqiptar. Jeta dhe vepra e saj dëshmojnë se humanizmi dhe sakrifica nuk kanë kufij, por burojnë nga dashuria e vërtetë për tjetrin. Përkushtimi i saj ndaj më të varfërve dhe të sëmurëve është një shembull i jashtëzakonshëm i altruizmit dhe dhembshurisë, vlera që janë thelbësore për një shoqëri më të drejtë dhe më të bashkuar.

Si një simbol i paqes dhe shpresës, Nënë Tereza vazhdon të frymëzojë breza të tërë me mesazhin e saj të dashurisë dhe shërbimit ndaj të tjerëve. Pavarësisht kohës që kalon, filozofia e saj humane mbetet e pavdekshme dhe një udhërrëfyes për ata që dëshirojnë të bëjnë një ndryshim në botë. Për shqiptarët, ajo është një emër i paharruar, një model përulësie dhe dinjiteti, një fanar ndriçues që do të udhëheqë gjithmonë rrugën tonë drejt mirësisë dhe solidaritetit.

Filed Under: Sociale

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 378
  • 379
  • 380
  • 381
  • 382
  • …
  • 2938
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN
  • ÇËSHTJA KOMBËTARE NË POLITIKËN E TIRANËS TË VITIT 1920
  • Në ditëlindjen e Vaçe Zelës, legjendës së gjallë të këngës, zërit që i dha shpirt një epoke
  • 115 vjet nga Kryengritja e Malësisë së Madhe dhe ngritja e flamurit në Deçiq
  • GEORGE POST WHEELER, AMBASADOR I SHBA-SË NË SHQIPËRI (1934) : “SHQIPËRIA DHE BURRAT E SHQIPONJËS…”
  • Përshtypje nga Bashkëbisedimi i AFC-së dhe Mjekëve Gastroenterologë AAGA
  • Një princeshë evropiane përballë traditës shqiptare
  • Arkeologët shqiptarë nën vlerësimin e studiuesit anglez Nicholas Geoffrey Lemprière Hammond
  • E drejta për përdorimin e gjuhës amtare në arsimin e lartë në Maqedoninë e Veriut

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT