• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

ROMANI “LIVIA” MESAZH I PERTEJ KOHËS PËR DASHURINË, FAMILJEN DHE UNIN NJERËZOR QË GJAKON ENDRRËN SIZIFIANE

March 25, 2025 by s p

Mhill Velaj/

Romani “Livia” i Mark Pashkut është roman për dashurinë, i kundruar artistikisht nga një kënd krejt tjetër psikologjik. Intuita e autorit Pashku na zhyt në një diskurs e univers tjetër të lirisë e dashurisë, ku në epiqendër mbetet një femër, por edhe në unin e një burri peng, i cili çdo ditë është në kërkim të asaj dashurie pa adresë. Dhe siç thekson shkrimtari Vilson Culaj në analizën e tij “Romani në fjalë është një zbërthim eskatologjik i lidhur me shpirtin e lirinë njerëzore, por edhe diskurs i thellë filozofiko-letrar për dualizmin, kurthet e jetës në bashkëshortësi, karakteret njerëzore, orientimin seksual, indiferentizmin, karrierizmin, harresën kolektive dhe pasojat që sjell bota postmoderne’’.

Rrëfimi letrare zë fill në ambientet e qytetit mesjetar të Shasit, si një mjeshtri e autorit për t’i zhvendosur personazhet në kohë e hapësirë, ku ëndrra e kujtesa dhe një Platonizëm i zjarrtë zë vend në këtë rrëfim mbresëlënës, duke reflektuar për humbjet e mëdha të ndjenjave në kohë e hapësirë, në mënyrë që ta ridimensionojë dhe orientojë më pas rrëfimin të familja gjegjësisht te dy kryepersonazhet, Lekë Bardhi dhe Livia. Ata bartin në vete tërë barrën e rrëfimit dhe dramës në dashuri, dilemat dhe të papriturat, por edhe hijet e traditës, duke mos arrirë asnjëherë ta kapin orën e çastin e bekimeve në dashuri.

Autori Pashku me letërsinë e tij, krejtësisht unike, i ka dhënë vetës profilin e një romancieri të dalluar, ku rrëfimi postmodern e plotëson rrëfimin klasik, ndërsa temat me taban real marrin dimension universal.

Në romanin “Livia” gufon situata familjare, sa dramatike aq edhe groteske, ku si pasojë e një funksioni shtetëror, indoktrinimit dhe pasioneve të saj iluzioniste Livia investon verbërisht në disharmoninë e familjes. Ky cen jetësor kishte krijuar pasoja edhe për Luanin, birin e saj dhe të Lekë Bardhit, i cili vragën psikologjike e kishte bartur me vete. Punë e re, pasion i ri , e ëndërr e re e kishte pushtuar gruan e re prej se fuqia e pushtetit e parasë kishte filluar t’ia robëronte lirinë dhe përkushtimin familjar.

Është kulti i pengut në dashuri i përshkruar mjeshtërisht në këtë roman nga autori Mark Pashku, i cili, falë talentit te tij – planit të tij ideo artistik mbarështon dhe rrëfen letrarisht për vakumet e kujtesës në dashurinë e dy protagonisteve, e cila kërcënohet keq nga superegoja njerëzore dhe lakmitë verbuese. Është pra ky roman një lloj drame shpirtërore e dy të rinjve si një lloj pararoje ndaj hipokrizisë dhe kufizimeve njerëzore, zhytur në maskën e sistemit dhe ideologjisë së regjimit të dikurshëm.

Rrëfimi është i ngrohtë, nxitës, plot dilema e udhëkryqe që kërkon lexuesin për ta shqyrtuar dhe zbërthyer misterin e dramës romanore.

Në këtë strukturë të rrëfimit, shkak dhe pasojë e kësaj gjendjeje na del Livia ëndërrimtare. Protagonisti i këtij romani dikur kishte pikëtuar shumë vajza të bukura në atë ambient të zymtë shpirtëror, por ëndërr që ia vriste ëndrrën ishte Livia, jo si një vajzë që ushqente idealet në dashuri, por si një femër që kuptonte esencën e ikjeve të bardha në dashuri.

Ajo ushqehej me iluzionin e pasionin e saj ”unë dua të jem e lirë” dhe “jam rritur në karrierë”. Këtu zë vend theksi e mesazhi i këtij romani. Rrezikimi i familjes me mjete postmoderne siç janë materializmi, hedonizmi, poligamia, indiferentizmi etj. Këtu zë fill edhe drama shpirtërore e një burri fisnik, por pasionant i Lekë Bardhit, i cili merr mbi supe barrën e vuajtjes, kujtesës e dëshirës për ta mbajtur dashurinë gjallë.

Figura e Lekë Bardhit në këtë roman na del figura e një burrë të përgjegjshëm dhe ndërgjegjshëm, në aspektin familjar, por edhe melankolik, shpresëvrarë dhee i lodhur në brendinë e tij, përballë situatës dramatike në dashuri. Përdorimi i figuracionit të theksuar dhe të duhur, shpërfaq unin dhe universin origjinal letrar dhe të njohjes së autorit Mark Pashku.

Kjo strukturë komplekse narrative e ngre në nivel të lartë autorin prozën e Mark Pashkut, një karakteristikë e mendjeve të pjekura dhe intuitive letrare. Krijuesi Mark Pashku, edhe pse i ri në moshë ai i triumfalisht po hyn në radhën e shkrimtarëve më të shquar të letëesisë sonë më të re. “Livia” është romani trokitjeve të mëdha në ndërgjegjen e shumë brezave, me premisa të një romani psikologjik ku lexuesi dhe krijuesi përjetojnë të njëjtin akt shijimi e receptimi, por edhe të empatizmit në dashuri dhe dramat e mistershme që di t’i sjell ajo.

Këta përbërës letrar janë uji, dielli dhe mendimi; Optimizmi, fjala, shpresa, dashuria dhe kujtesa që dhemb. Autori është i aftë që të mbajë peshoren më delikate në sferën e kuptimit estetik, andaj vëmendja letrare ndaj tij është nderë për letërsinë shqiptare.

Romani “Livia” është një endëzim sa tokësor po aq qiellor e ideor, sepse ai nuk erdhi si krijesë nga dhimbja e emocionet spontane, por nga gjendja e kërkimit ideor dhe e shndërrimit të së pamundurës në të mundshme, nga e kaluara në të tanishmen dhe nga etja e zjarri për monolog në një kohë dialogu të pamundur, të cilin autori nuk mund ta ripërtërijë e rikthejë të kaluarën në shijim të së tanishmes.

Bota e tij e hapur, përvoja letrare dhe përvetësimi i shijeve artistike janë një dimension i hapur kulturor që i hap çdo lexuesi horizonte të reja udhëtimesh novatore, nëpërmjet metaforave, simboleve e sentencave të dendura, madje deri tek ato me mesazhe drithëruese. Mark Pashku nxjerr në pah aftësinë e tij për ta vënë lexuesin në rolin e protagonistit, duke e bërë atë të ndihet sa metaforik, po ashtu edhe real në materien e dukshme dhe të padukshme të universit emocional të përjetuar e të fisnikëruar, njëkohësisht.

Ai mediton për mollën e ndaluar dhe të kafshuar dhe realitetin virtual, kohën dhe plagët që sjell mendja e kujtesa. Rrënimtari është i farkëtuar e gravuar në sytë e dikujt, por edhe i lartësuar në dijet e tij. Krijuesi Mark Pashku – LucGjonaj është i rrethuar me detin e njohjeve e përjetimeve dhe Evës që tundon, por edhe me vetnjohjen e principet fisnike që nuk e zhysin në ujëra iluzionesh asnjëherë. Rrëfimet e tij letrare janë eklipse e harpë e Saulit, janë tinguj të ëmbël, por edhe horizonte të pamasa në sytë e veshët e lexuesve.

Brenda kësaj harmonie e valleje mistike që bart brenda vetes ky roman, lexuesi ndjen botën sentimentale në kontekste e dimensione të reja, ku fryma lirike vjen përmes tingujve shpirtërorë të violonçelit të të dashuruarve që ndjejnë bukurinë e jetës, në heshtje por duke e fisnikëruar jetën e dashurinë në të njëjtën kohë.

Shkrimtari Mark Pashku, duke qenë njohës i mirë i të shkruarit letërsi, ai di të “këndojë” kur ka elegji, di ta shijojë jetën, paqen, harmoninë dhe dashurisë. Mu në magjinë e kësaj përmase krijuese ai gjakon momentin e përjetuar e jo atë të nihilizmit dhe asaj që ndoshta nuk do të vij më kurrë.

Po e përmbylli këtë reflektim timin me thëne të Luis Brilante se “Estetika është e qartë, po aq e drejtpërdrejtë dhe e papërcaktuar, si dashuria, si shija e një fryti, si uji. Poezinë e ndiejmë njësoj siç e ndiejmë afërsinë e gruas apo aromën e maleve apo të thellësive të detit”. Kjo ndërlidhet edhe me metaforën letrare që bart e tërë proza e Mark Psshkut në romanin “Livia”.

Filed Under: ESSE

Prof. Dr. Selman Sheme – një nga figurat qendrore të studimeve gjeografike në Shqipëri

March 25, 2025 by s p

Prof.dr. Perikli Qiriazi -Prof.dr. Skender Sala – Prof.dr. Pal Nikolli/

Mes portreteve të spikatura të pedagogëve, që, me punën e tyre studimore dhe kërkimin shkencor bënë historinë dhe lartësuan emrin e Universitetit të Shkodrës, të Tiranës e më gjerë, është pa diskutim edhe ai i Prof. Dr. Selman Shemes.

Në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, profesor Selmani u bë pjesë që në vitin 1969, një vit pasi ai kreu studimet universitare në degën Histori-Gjeografi, pranë Fakultetit Histori-Filologji të UT-së.

Gjatë viteve 1969-1997, ai ka qenë pedagog i lëndëve Gjeografi Ekonomike e Përgjithshme, Gjeografi Ekonomike e Shteteve dhe Gjeografi Ekonomike e Shqipërisë, kohë kur përgatiti breza të tërë mësuesish tek të cilët, me modelin që ai përfaqësonte, u mundua të injektonte etikën e punës, korrektësinë në çdo lloj raporti dhe dashurinë për profesionin.

Vitet e punës në Universitetin e Shkodrës do të ishin për profesor Selmanin vitet gjatë të cilave ai do të ngjiste shkallët e karrierës shkencore. Zotërimi i disa gjuhëve të huaja, si: frëngjishtes, italishtes e rusishtes, përvoja e fituar tashmë si pedagog dhe puna sistematike kërkimore -shkencore i dhanë sigurinë për të fituar gradat shkencore njëra pas tjetrës. Kështu, në vitin 1987 profesor Selmani fitoi gradën “Kandidat i Shkencave Gjeografike”. Ky hap i parë u pasua nga një tjetër hap akoma më i madh. Ishte viti 1991 kur pas një pune disavjeçare përfundoi disertacionin me titull: “Dinamika, struktura dhe shpërndarja gjeografike e Industrisë së Energjitikës” dhe në vitin 1993 fitoi gradën “Doktor i Shkencave”. Shumë shpejt, në vitin 1995, do të fitonte edhe titullin “Profesor i asociuar”.

Njeri ambicioz dhe me dëshirë për të përqafuar risitë në fushën e gjeografisë, sidomos në drejtim të Gjeografisë Humane, në vitin 1992 do të përfshihej në një kurs kualifikimi për makro e mikro ekonomi, organizuar nga Universiteti i Nebraskës (SHBA) në Universitetin e Shkodrës. Një vit më pas, do të kryente një kurs kualifikimi pranë Universitetit të Bolonjës. Në po këtë vit, 1993, do të ishte pjesëmarrës në një kurs tjetër kualifikimi, në kuadër të programit “Tempus” organizuar pranë Universitetit të Triestes në Itali.

Përgatitja e lartë shkencore i mundësoi profesor Selmanit edhe një veprimtari botuese të shumtë dhe të larmishme. Një sërë botimesh, si: monografi,  tekste universitare dhe parauniversitare, artikuj shkencorë, referate dhe kumtesa, brenda dhe jashtë vendit i përkasin pikërisht kësaj periudhe të gjatë të punës së tij pranë Universitetit të Shkodrës. Kësaj periudhe i përkasin gjithashtu edhe shumë pjesëmarrje në projekte, udhëheqje, oponenca dhe juri për mbrojtjen e “Magjistraturave dhe Doktoratave” si dhe në veprimtari të tjera me karakter pedagogjik dhe shkencor.

Dimensioni i lartë shkencor dhe intelektual, si dhe përgjegjshmëria e lartë që e karakterizon në çdo nivel marrëdhëniesh kanë qenë imponuese për ngarkimin e detyrave të ndryshme. Kështu, nga viti 1993, ai është Anëtar i Komitetit Internacional të Fondacionit “Emanuel” për  Jugun e Botës, Lece, Itali; 1994-1997 Përgjegjës i Seksionit të Gjeografisë Humane në Departamentin e  Gjeografisë të Universitetit të Shkodrës; Sekretar shkencor i Revistës “Buletini i Shkencave Shoqërore”, botim i  USH-së si dhe Nënkryetar i Këshillit Kombëtar të Gjeografisë, pranë Ministrisë së Arsimit dhe Shkencave.

Pikërisht në momentin më të arrirë të karrierës së tij në Universitetin e Shkodrës, në vitin 1997, kur konteksti ekonomik dhe shoqëror tashmë ishte përmbysur, profesor Selman Sheme zhvendoset në Tiranë. Falë vlerave të tij si një pedagog i përmasave të larta intelektuale, ai bëhet pjesë e Departamentit të Gjeografisë së Universitetit të Tiranës.

Profesor Selman Sheme, një prodhimtar i lartë shkencor edhe në UT

Me të njëjtin pasion dhe përkushtim në mësimdhënie ai punoi nga viti 1997 deri në vitin 2013 si pedagog i brendshëm pranë këtij departamenti si titullar në lëndë kryesisht të drejtimit human, si: Hyrje në Gjeografinë Regjionale, Gjeografi e Industrisë, Gjeografi e Bashkimit Europian në programin Bachelor si dhe Gjeografi e Problemeve Globale, Vlerësimi dhe menaxhimi i resurseve,  dhe Gjeografia e sektorit dytësor në programin e studimit Master i Shkencave. Paralelisht ai ka qenë i angazhuar edhe si pedagog i jashtëm pranë Universitetit të Shkodrës, Universitetit Bujqësor të Tiranës dhe Universitetit të Tetovës në Maqedoni.

Angazhimi i madh në mësimdhënie nuk e pengoi profesorin në realizimin e synimeve të veprimtarisë shkencore, përkundrazi ajo u shtua akoma më shumë nxitur nga mundësitë më të shumta që ofronte Universiteti i Tiranës dhe ambicia e tij e pandalshme për punën. Tetë nga nëntë monografitë që ka botuar, si autor dhe bashkautor, janë realizuar nga viti 1998 e në vazhdim. Po kështu, katër nga shtatë tekstet universitare janë botuar në këtë periudhë, 8 nga 11 tekstet për shkollat e mesme dhe 9-vjeçare si dhe pjesa më e madhe e artikujve dhe kumtesave shkencore botuar dhe mbajtur brenda dhe jashtë vendit, udhëheqje studimesh “Master” dhe “Doktoratë” janë realizuar nga viti 1997 e në vazhdim.

Me pasionin e tij për gjeografinë dhe punën si pedagog, me ambicien e një kërkuesi shkencor të palodhur, profesor Selmani nuk e pati të vështirë të arrinte një tjetër titull të nderuar në hierarkinë e karrierës shkencore, “Profesor Doktor”, titull të cilin e fitoi në vitin 2010.

Realizimi shumëdimensional i Profesor Doktor Selman Shemes është vlerësuar vazhdimisht edhe nga kolegët dhe rrethet intelektuale në vend dhe jashtë vendit. Detyra si Përgjegjës i Seksionit të Gjeografisë Regjionale në Departamentin e Gjeografisë të UT-së (1997-1998); Kryetar i Shoqatës Shkencore Didaktike të Gjeografisë me qendër në Shkodër (1996-2004);  Përgjegjës i redaksisë së Gjeografisë Humane pranë Drejtorisë së Enciklopedisë ( Qendra e Studimeve Albanologjike) nga viti 2010 e në vazhdim; si dhe nga 2013 e në vijim Anëtar themelues i Këshillit Kombëtar pranë Federates së Paqes Universale, Prizren 17 nëntor 2013, shprehin qartë këtë vlerësim.

Edhe pas vitit 2013, vit kur  arriti moshën e pensionit, profesor Selmani ka qenë përsëri i pranishëm në auditoret e Fakultetit të Histori-Filologjisë, tashmë si pedagog i jashtëm. Respektimi i kufijve ligjorë mbi ngarkesën mësimore ia kufizoi mësimdhënien vetëm në programin “Master i Shkencave” me lëndët “Gjeografi e Problemeve Globale” dhe “Hyrje ne Gjeografine Regjionale”, por ai vazhdon të japë kontributin e tij nëpërmjet udhëheqjeve të magjistraturave dhe doktoratave në Universitetin e Tiranës dhe në Universitetin e Tetovës, nëpërmjet botimit të artikujve me vlerë për problematika aktuale të shoqërisë shqiptare, nëpërmjet hartimit të teksteve shkollore dhe studimeve monografike, sidomos për krahinën e Çamërisë.

Çamëria – Tema e preferuar

Si bir i një atdhetari të përzënë me dhunë nga trojet e vendlindjes së tij, fshatit Spatar, në Filat të Çamërisë, profesor Selmani, nuk i pati të rastësishme studimet rreth kësaj krahine. Menjëherë, sapo sistemi komunist ra, ai pati mundësinë të vizitonte truallin e stërgjyshërve të tij, vizitë që ndikoi edhe më shumë veprimtarinë e tij shkencore. Formimi i lartë shkencor dhe intelektual, së bashku me përfshirjen emocionale prodhuan një numër shumë të madh artikujsh dhe kumtesash me karakter historiko-gjeografik rreth kësaj krahine, botuar dhe mbajtur brenda dhe jashtë vendit. Thirrja që i vinte nga brenda për ta “bërtitur” me gjithë potencialin e tij shkencor historinë e Çamërisë martire i dhanë rrugën studimeve të njëpasnjëshme. Duke filluar nga viti 2005 e deri më sot, profesor Selman Sheme mban autorësinë e 6 monografive dedikuar kësaj krahine. Vepra  të tilla, si: “Çamëria-vendi, popullsia dhe jeta ekonomike”, “Monumente natyrore dhe kulturore të Çamërisë”, “Gjeohapësira e Konispolit”, studim regjional, “Epiri i Jugut, Çamëria”, “Çamëria – vështrim  gjeopopullativ dhe etnokulturor” dhe “Vendbanimet në hapësirën historike shqiptare të Çamërisë”, janë jo vetëm një vlerë e shtuar në fondin e studimeve gjeografike, por evokojnë dhe mbajnë gjallë kujtesën dhe vetëdijen kombëtare për brezat e ardhshëm.

Me 44 vite pune të devotshme në mësimdhënie dhe me një veprimtari të shumtë e të larmishme me vlera didaktike dhe shkencore të karakterit teorik dhe aplikativ, Profesor Doktor Selman Sheme, përfaqëson, sot, një personalitet të shquar shkencor dhe një ndër figurat shqiptare më të spikatura në fushën e gjeografisë.

Është ndarë më (23.03.2025) nga jeta në moshën 79- vjeçare akademiku Prof. Dr. Selman Sheme, bir i Çamërisë.  I shprehim ngushëllime të sinqerta familjes, miqve dhe te njohurve, per ndarjen nga jeta te prof. Selman Shemes, i cili do te mbetet gjithmone personifikimi i nje profesori të nderuar, modeli te dijes pa kufi dhe mesimdhënies plot përkushtim! Do ta kujtojmë gjithmonë me respektin më të madh, si mikun, profesorin, kolegun, studiuesin e patriotin e madh, i cili me perkushtim mbrojti e lartesoi çeshtjen çame me dije e argumente te pakundershtueshme!

Filed Under: Sociale

Dr. Elmi Berisha, President i VATRA-s, ligjëron mbi sigurinë ndërkombëtare me studentët e Sigurisë në UBT

March 25, 2025 by s p

UBTNews/

Dr. Elmi Berisha, presidenti i Federatës Panshqiptare VATRA në Amerikë, mbajti një ligjëratë tematike online për studentët e Sigurisë në UBT, duke u ofruar atyre një pasqyrë të thelluar mbi pikëpamjet amerikane për sfidat e reja në sigurinë ndërkombëtare.

Në ligjëratën e tij, Berisha theksoi rëndësinë e politikave dhe strategjive të sigurisë që Shtetet e Bashkuara po zhvillojnë për t’u përballur me kërcënime të reja globale, duke përfshirë mundësitë dhe rreziqet që paraqiten nga tensionet ndërkombëtare, armët bërthamore, dhe shtrirjen e ndikimit të fuqive të tjera si Kina dhe Rusia. Ai diskutoi gjithashtu ndikimin e teknologjisë në fushën e sigurisë, duke përfshirë kërcënimet kibernetike dhe rritjen e nevojës për mbrojtjen e informacionit të ndjeshëm në një botë gjithnjë e më të lidhur digjitalisht.

Studentët e Sigurisë në UBT kishin mundësinë të shtrojnë pyetje dhe të marrin përgjigje nga Berisha, i cili u përgjigj me detaje dhe saktësi për çështjet e ngritura. Ai u shpreh se këto biseda janë të rëndësishme për të ndihmuar brezat e rinj të kuptojnë më mirë politikat ndërkombëtare dhe mënyrat se si mund të kontribuojnë në forcimin e sigurisë globale.

Ligjërata e Berishës ishte një mundësi e shkëlqyer për studentët që të merrnin njohuri dhe perspektiva të vlefshme nga një ekspert i njohur, dhe pati një impakt të dukshëm në zhvillimin e mendimit kritik dhe të kuptuarit e sfidave të sigurisë ndërkombëtare. Kjo ngjarje është një tjetër hap në forcimin e lidhjeve midis institucioneve akademike shqiptare dhe diasporës, si dhe një mundësi për studentët të përfitojnë nga eksperienca e profesionistëve të njohur në fushën e sigurisë.

Filed Under: Opinion

VATRA PËRKUJTON 60 VJETORIN E LARGIMIT NË AMSHIM TË IMZOT FAN S. NOLIT

March 25, 2025 by s p

VATRA PËRKUJTON 60 VJETORIN E LARGIMIT NË AMSHIM TË IMZOT FAN S. NOLIT.

Filed Under: Vatra

NATO – Forcë Humanitare, Aleate e UÇK-së në luftë dhe garantuesja e paqes në liri

March 25, 2025 by s p

Hisen Berisha/

24 Marsi 1999 – Dita që ndryshoi historinë e Kosovës.

26 vjet pas ndërhyrjes së NATO-s kundër forcave të armatosura të RFJ-së/Serbisë, prezenca e aleancës më të fuqishme ushtarake në botë në Kosovë mbetet jetike për stabilitetin rajonal dhe sigurinë e vendit tonë.

Më 24 Mars 1999, NATO ndërhyri për të ndalur fushatën e spastrimit etnik të regjimit të Slobodan Millosheviqit, duke parandaluar një gjenocid të përmasave edhe më të mëdha ndaj popullit shqiptar.

Kjo ndërhyrje ishte një kthesë historike që jo vetëm shpëtoi mijëra jetë, por edhe konfirmoi përkushtimin e botës demokratike për të mbrojtur vlerat e lirisë dhe të drejtave të njeriut.

Ndërhyrja e NATO-s nuk erdhi rastësisht. Krimet e regjimit serb, të cilat kulmuan me masakrën ndaj Familjes Jashari në Prekaz më 5-7 mars 1998, ishin një sinjal alarmi për komunitetin ndërkombëtar. Qëndresa heroike e Komandantit historik Adem Jashari dhe sakrifica e familjes së tij treguan se populli shqiptar nuk do të nënshtrohej.

Ky akt i qëndresës u bë frymëzim për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe një faktor kyç në ndërgjegjësimin e botës mbi padrejtësitë që po ndodhnin në Kosovë.

Në këtë kontekst, një aleancë e fortë dhe e qëndrueshme në Kosovë dhe Ballkan nuk mund të imagjinohet pa praninë e SHBA-së dhe NATO-s.

Baza ushtarake e Forcave të Armatosura të SHBA-ve në Kosovë është një faktor kyç për stabilitetin afatgjatë, dhe ne duhet të punojmë që ky “kamp” të ndryshojë statusin në një “bazë” të përhershme, duke forcuar partneritetin strategjik me SHBA-në dhe duke garantuar një prani të përhershme e të qëndrueshme ushtarake, e cila parandalon çdo kërcënim ndaj Kosovës dhe rajonit.

Sot, kur rajoni përballet me sfida të reja të sigurisë dhe kërcënime hibride, Serbia vazhdon të luajë një rol destabilizues, siç u pa edhe në sulmin terrorist në Veri të Kosovës. Në këtë kontekst, roli i NATO-s dhe KFOR-it mbetet i domosdoshëm për të ruajtur paqen dhe sigurinë në Kosovë dhe Ballkan. Ndërkohë që qeveria duhet të investoj në forcimin e mbrojtjes, pa u kufizuar nga standardi buxhetor i vendeve anëtare të NATO-s, për ta bërë Kosovën “Izraelin” e Ballkanit.

Në këtë ditë historike, përveç përkujtimit të ndërhyrjes së NATO-s, nderojmë edhe nisjen e luftës së UÇK-së në Gllogjan dhe mbarë Dukagjinin me 24 Mars 1998, një moment kyç në rrugëtimin tonë për çlirim.

Me respekt dhe mirënjohje, kujtojmë të gjithë ata që ranë për liri nga radhët e UÇK dhe Forcave të NATO-s, viktimat civile dhe të gjithë dalëzotësit e atdheut. Kujtimi dhe lavdia e tyre do të mbeten të gjalla në historinë e Kosovës dhe në zemrat e atyre që vlerësojnë lirinë dhe dinjitetin njerëzor. Sakrifica e tyre mbetet udhërrëfyese për brezat e ardhshëm dhe një përgjegjësi e madhe për ne që të mbrojmë dhe forcojmë të arriturat e lirisë.

Lavdi të rënëve për liri!

Nder dhe respekt për aleatët që qëndruan me ne në ditët më të vështira dhe vazhdojnë të jenë garantuesit e paqes sonë!

Foto: https://www.geopolitica.info

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 421
  • 422
  • 423
  • 424
  • 425
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT