• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Një plagë e historisë sonë kombëtare

June 30, 2025 by s p

Arben Iliazi/

81 vjetori i gjenocidit ndaj popullsisë çame

Thuajse 31 vite më parë, në vitin 1994, Parlamenti i Shqipërisë e shpalli 27 qershorin si ditën e genocidit ndaj shqiptarëve të Çamërisë. 27 Qershori i vitit 1944, shënon një nga ditët më të errëta të historisë kombëtare shqiptare. “2770 jetë njerëzore u masakruan barbarisht në shtëptitë e tyre, 68 fshatra u dogjën, 159 fshatra të tjerë u grabitën dhe rreth 30 mijë shqiptarë të Çamërisë u dëbuan nga tmerret e bandave paramilitare të Napoleon Zervës. Rreth 2900 të tjerë vdiqën nga uria, etja dhe sëmundjet në një rrugëtim biblik drejt Shqipërisë dhe ata sot prehen në varrezat e Kllogjerit.

Të vërtetën e masakrave na e zbulon, dashur pa dashur, kronisti i Napoleon Zervës, Miridhaqi. Citojmë nga libri i tij “Agones Tis Filisi Ethiqi Antistasi EDES-EOEA”, 1941-1944, Athinë 1952,f.191: “Për pastrimin e gjithë krahinës (Çamërisë) nga çamët u caktuan Komanda e Përgjithshme nën udhëheqjen e Agoras dhe Gallanit, sidhe 11 Batalione të komandës së përgjithshme”. Historiani Jani Shara në librin (Istoria perihois Igumenicas 1500-1950, Athinë 1985, F.205) shkruan: “Ditën e parë të shpalljes së luftës, Metaksai i arrestoi gjithë myslimanët çamë dhe i internoi në Ishujt e Egjeut. Ky veprim i tij ishte një gabim i madh, sepse në këtë rast elementin mysliman e vendosi në kampin armik. (faqe 607). “Njerëzit e ndershëm grekë, nuk ishin dakord për veprimet e ndërmarra nga qeveria greke ndaj çamëve. Po ky autor vazhdon: “Vendimi se shqiptarët çamë do të bashkëpunonin me okupatorin bazohej vetëm në hipoteza”. (f.618). “Çamët, që ishin ushtarë në ushtrinë kombëtare greke, kërkuan armë për të luftuar okupatorin, por nuk u dhanë, veçse kazma e lopata”. (f.606).

Edhe shkrimtari dhe historiani grek Niko Zhango, në librine tij “Imperializmi anglez dhe lufta e popullit grek për liri”, jep dëshmi rrëqethëse: “Nuk është e mundur të jepet numri i saktë i shqiptaro-çamëve të Paramithisë që u ekzekutuan në grupe ose veças, sepse në këtë qytet kishin gjetur strehë edhe shqiptaro-çamëtë fshatrave përreth, por dua të theksoj atë çka më thanë edhe edhesitët (zervistët) nga ato çka mbajnë mend: “Më 27 qershor mbasdite u përhap nëpër shtëpitë e Paramithisë një hije e zezë. Andartët, me pushkë në dorë, hynin në shtëpitë e shqiptaro-çamëve dhe bënë atë që menduan dhe si deshën”. Zhango vazhdon: “Nga sa munda të mbledh mund të shikojmë fytyrën tonë në pasqyrën e historisë. Do të duhet të na vijë turp për të gjitha ato që nuk ngjajnë me krenarinë e popullit tonë dhe të krenohemi me vepra trimërie. Therjet e grave dhe të fëmijëve nuk përputhen me zemrën e madhe të popullit të Epirit, i cili do që në histori të mbetet i pastër e trim.” (f.87).

Me poshtë, po ky autor, thotë: “U ekzekutuan 18 veta te Përroi i Karjotit, 11 veta në Shën Panaja, 27 veta poshtë vendit të 49-ve dhe shumë të tjerë në shtëpitë e tyre, në rrugë e kudo që gjendeshin. U ekzekutua Hamdi Demi (me tre djemtë), Lih Pronjo (e veja e Azem Pronjos), Isuf Pronjo, Qazim Rexhepi, Salih Hafuzi dhe djemtë (Tati, Nuhu dhe nipi Haki Myftari), Meko Pronjo, motra e Lihut (të cilën e kryqëzuan me gozhdë). Bile vranë lypsarin bari, Dautin, i cili s’ishte në gjendje për asgjë , veçse tregonte mungesën e tij mendore dhe ia bënë rrobat copë e cikë. Ekzekutuan Myftiun (Hasan Avdullanë) me gruan dhe fëmijët”, (faqe 90-91). “Vranë Muharrem Bollatin me të birin, Brahon 12-vjeçar, dhe me të shoqen.Të shoqen e Rahmi Nurit, Sanijen,e dogjën të gjallë. Ekzekutuan Harun Iljazin, 14 vjeç, Agako Bollatin, Beqir Hysenin, Xhelal Bollatin dhe te birin, Fuatin. Qani Bollatin dhe të birin 11 vjeç. Djalin e Tahir Bilit, 8 vjeç. Rexho Berberinme gruan dhe vajzat, 8-10 vjeç. Avdo Himen dhe Abedin Bakon, Fejzo Bakiun, Rexhep Breken, Vesel Breken, gruan e Nuhut të Asim Dinos, me vajzën dhe djemtë (13 vjeç Lutfiu dhe 10 vjeç Asimi) fëmijët e vajzës.Omer Muratin, Omer Merxhushin, Vëllezërit Esat, Emin, dhe Enver Elezi. Met Elezin, Haxhi Shehun. Djalin e Agako Beqo Sadikut (Nedinin, 11 vjeç). Malo Kekeçin e therën si në oborrin e shkollës. Çafa dhe Haki Milen, Malo Salicën, Avdulla Salicën 17 vjeç, Hajri Kupin dhe shokun e tij Mustafa, Kupin e Dem Beqirit, Maksut Beqirin me të shoqen etj. (f.258-259).Në shtëpinë e Sali Hafuzit vdiqën mbi 30 fëmijë nën 3 vjeç.

Kurse pranë shtëpisë së Sali Hafuzit, shtëpia e Sulo Tarës, Zervistët ndanë një grup vajzash dhe nusesh të reja dhe i mbajtën në atë shtëpi për një natë, vetëm për një natë. Ne dëgjonim ulërimat e tyre…Të nesërmen i çuan edhe ato në shtëpinë burg të Sali Hafuzit. Jani Sharra tregon për masakra të tjera në faqet e librit që treguam më sipër (670.270.668, 87 etj.). (Në Filat, Vanër të Filatit, Zervistët vranë 65 çamë dhe të tjerët i hodhën nga ura e Nacit. Në Margëlliç gjetën të paralizuar Qamilin me gruan e tij, të cilët i vranë. Në Karbunarë gjithë çamët që u gjetën u hodhën nëpër kanale të vrarë. Vranë 3 vajza tëMuharrem Agushit, nusen e Hantos dhe Ajishe Agushin. Në Pargë shqiptaro-çamët e pambrojtur tek anglezët. Këta i dorëzuan te zervistët qëi pushkatuan në Kalanë e Pargës).

***

Ende sot, pas 81 vitesh, Çështja Çame përbën një plagë të historisë sonë kombëtare, një dhunim të rëndë të drejtave universale të njeriut. Është e papranueshme që sot e kësaj dite mbi anëtarët e komunitetit çam vazhdojnë pasojat e gjenocidit, duke bërë shkelje flagrante të të drejtave të njeriut, siç është lëvizja e lirë (pengimi i të moshuarve), mosgëzimi i pronës dhe kthimit në vendlindjen e të parëve të tyre. Greqia shkel Konventat Ndërkombëtare, të nënshkruara nga vetë ajo.

Ligjet, Aktet dhe Konventat Ndërkombëtare, në të cilat Republika e Greqisë është pjesë dhe i ka firmosur, nuk mund të parashikojnë diskriminime të padrejta, drejtpërdrejtë ose tërthorazi, për shkaqe të tilla si: gjinia, raca, feja, etnia, gjuha, bindjet politike, fetare, statusi i pronësisë etj.

Greqia, si anëtare e Këshillit të Europës, ka ratifikuar Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut e, megjithatë, ajo vazhdon të shkelë të drejtat e shqiptarëve të Çamërisë, duke i akuzuar pa të drejtë si “bashkëpunëtorë të nazifashizmit”. Në pikën 2 të nenit 6 të kësaj Konvente thuhet: “Çdo person i akuzuar për një shkelje të ligjit, prezumohet i pafajshëm deri sa fajësia e tij të provohet ligjërisht”. Në fakt, pafajësia e çamëve është provuar ligjërisht nga Gjykata e Diktimit të Janinës, në shkresën me numër protokolli 1837, datë 29 shtator 1976, dërguar Ministrisë së Rendit Publik, Drejtorisë së Shërbimeve Kriminale në Athinë.

Qeveritë shqiptare, njëra pas tjetrës, pajtohen me heshtjen zyrtare, ndaj ky problem mbetet i pazgjidhur ende sot, pas 81 vitesh. Heshtja zyrtare 45-vjeçare e komunizmit, krijoi një boshllëk në zgjedhjen e këtij problemi. Por edhe qeveritë shqiptare postkomuniste asnjëherë nuk e kanë ngritur çështjen Çame si një çështje dypalëshe, për një zgjidhje paqësore e të drejtë. Qeveritë e Greqisë dhe Shqipërisë duhet ta trajtojnë atë seriozisht. Gjithashtu duhet të shmangen veprimet që minojnë parimin e reciprocitetit dhe rregullat e fqinjësisë së mirë ose retorikën për çështje jo-ekzistuese.

Kuvendi i Shqipërisë më 8 prill 2004 miratoi edhe një rezolutë për çështjen çame, e cila hyri në fuqi pas botimit në fletoren zyrtare nëntë vite pas miratimit. Në kohën e miratimit, rezoluta vlerësonte se është koha që çështja e të drejtave të shtetasve shqiptarë me origjinë çame të rimerret në shqyrtim nga të dy palët, konkretisht nga Shqipëria dhe Greqia.

Rezoluta ngarkon Qeverinë e Republikës së Shqipërisë që këtë rezolutë t’ua bëjë të njohur qeverive dhe institucioneve ndërkombëtare që mund të kontribuojnë në zgjidhjen e problemit.

Shtetet me të vërtetë demokratike e njohin faljen. Forumet e larta ndërkombëtare, Europa dhe SHBA-të, duhet të kontribuojnë në gjetjen e një zgjidhjeje të çështjes çame.

Filed Under: Politike

Kryetari i VATRËS në Boston, z.Mentor Maksutaj, nderohet nga Policia e Gjakovës me Medaljen e Mirënjohjes!

June 30, 2025 by s p

🇺🇸
🇦🇱
🇽🇰

Kosovë, Gjakovë: Kryetari i Federatës Panshqiptare VATRA në Boston, z. Mentor Maksutaj, zhvilloi një takim zyrtar me Drejtorin Rajonal të Policisë në Gjakovë, Kolonel Lumni Graishta. Në këtë takim miqësor e vlerësues, Kolonel Graishta nderoi z. Maksutaj me Medaljen e Mirënjohjes së Policisë së Gjakovës, si shenjë respekti dhe mirënjohjeje për kontributin patriotik e kombëtar që ai jep për komunitetin shqiptar në Diasporë dhe në trojet shqiptare.

Vizita e z. Maksutaj në Gjakovë vjen në kuadër të përkushtimit të tij për kauza humanitare dhe sociale. Në bashkëpunim me organizatën Albanian Fighting Cancer, ai ka ndihmuar me dërgimin e medikamenteve të ndryshme për organizatën e grave në luftë kundër kancerit. Këtë herë, ai do të dorëzojë edhe donacione monetare për të mbështetur më tej këtë mision fisnik.

VATRA në Boston vijon të jetë një urë lidhëse mes shqiptarëve në Amerikë dhe trojeve tona, duke e kthyer dashurinë për atdheun në vepra konkrete.

Filed Under: Vatra

Koha për shtet, jo për spektakël

June 30, 2025 by s p

Ramiz Tafilaj/

Kosova gjendet në një situatë kritike. Pas zgjedhjeve të fundit parlamentare, Kuvendi i Republikës së Kosovës nuk ka arritur të zgjedhë Kryetarin e tij për 39 herë radhazi. Kjo nuk është më thjesht një krizë procedurale- është një bllokadë serioze që po paralizon shtetin, institucionet dhe jetën demokratike.

A mundet një vend të vazhdojë të funksionojë pa një Kuvend aktiv, pa një qeveri të re dhe pa një vizion të përbashkët politik?

Përgjigjja është e qartë:

Jo.

Në këtë kontekst, është e domosdoshme të ngrihet zëri qytetar dhe institucional kundër një situate që po i bën dëm Kosovës në të gjitha nivelet: politik, kushtetues, ekonomik dhe ndërkombëtar.

Asnjë parti nuk është mbi shtetin.

Partia që ka dalë më e madhe në zgjedhje- në këtë rast Lëvizja Vetëvendosje – gëzon legjitimitetin për të pretenduar drejtimin e institucioneve. Por asnjë parti, pavarësisht rezultatit zgjedhor, nuk ka të drejtë të mbajë peng institucionet kur nuk ka shumicën e nevojshme për të funksionalizuar Kuvendin.

Sistemi parlamentar nuk është sistem i sundimit të fituesit absolut, por i ndërtimit të shumicës, i kompromisit dhe i bashkëqeverisjes. Nëse nuk ka marrëveshje me partitë e tjera, nuk ka qeverisje të qëndrueshme.

Ky ngërç nuk është më çështje e partive – është çështje e shtetit. Pasojat janë të rënda dhe ndihen çdo ditë.

Kuvendi që nuk funksionon do të thotë:

* Nuk miratohen ligje të reja;

* Nuk ndahen buxhete për sektorët jetikë si arsimi, shëndetësia dhe siguria;

* Nuk përfaqësohen qytetarët që e kanë dhënë votën për ndryshim;

* Nuk ka kontroll mbi ekzekutivin aktual, që po mbetet me mandat të tejzgjatur.

Qytetarët po jetojnë me pasoja reale të kësaj bllokade: papunësia rritet, investimet ndalojnë, besimi në shtet bie, dhe e ardhmja bëhet e pasigurt. Ndërkohë, Komuniteti Ndërkombëtar po vëzhgon me shqetësim. Kosova që synon njohje dhe integrim nuk mund të dërgojë mesazhe pasigurie dhe mosfunksionimi.

Kompromisi është thelbi i demokracisë.

Është momenti për të kuptuar se kompromisi nuk është tradhti politike- por akt i përgjegjësisë shtetformuese. Demokracia nuk është art i imponimit, por i negociimit.

Partia më e madhe duhet të hapë rrugë dhe të tregojë gatishmëri për marrëveshje. Partitë e tjera duhet të ofrojnë mbështetje për zgjidhje të qëndrueshme. Presidentja dhe institucionet kushtetuese duhet të luajnë rolin aktiv për të ndihmuar në tejkalimin e krizës.

E gjithë klasa politike duhet të ngrihet në nivelin që kërkon momenti. Sepse shteti është mbi çdo interes partiak. Kosova është mbi çdo strategji elektorale.

Zgjidhja kërkon vullnet.

Çfarë duhet të ndodhë?

1.- Të krijohet një marrëveshje politike e përkohshme, që garanton funksionimin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve.

2.- Nëse kjo dështoi- të shqyrtohet aktivizimi i Gjykatës Kushtetuese për të interpretuar hapat kushtetues të zhbllokimit.

3.- Në skenarin më të fundit- të shkohet në zgjedhje të reja, por me kushte që sigurojnë që kriza të mos përsëritet.

Zgjedhjet janë zgjidhje demokratike, por nëse bëhen pa reflektim, do të çojnë në të njëjtin bllokim.

Mbyllje: Shteti nuk është terren për eksperiment politik.

Kjo që po ndodh nuk është thjesht ngërç parlamentar- është eksperiment me stabilitetin e shtetit. Në emër të një fitoreje relative, po rrezikohet legjitimiteti i institucioneve, besimi qytetar dhe rruga euroatlantike e vendit.

Kosova nuk mund të mbetet peng i asnjë partie politike.

Ajo i përket qytetarëve të saj, dhe Kuvendi duhet të punojë për ta, jo kundër tyre.

Është koha për zgjidhje, jo për hakmarrje politike. Koha për shtet, jo për spektakël.

Filed Under: Mergata

29 qershor 1920, një mbrëmje përjetësimi, studentët shqiptarë në Vjenë nderojnë Aleksandër Moisiun

June 30, 2025 by s p

Kjo fotografi e rrallë, e realizuar më 29 qershor 1920, përjetëson një ngjarje të jashtëzakonshme në historinë e diasporës shqiptare në Europë, një darkë solemne e organizuar nga studentët shqiptarë që studionin në Vjenë, në nder të artistit legjendar të skenës evropiane, Aleksandër Moisiu.

Nën dritën e qirinjve dhe pas pasqyrave të kristalta të salloneve vjeneze, rinia intelektuale shqiptare i kushtoi një homazh artistit që kishte kapërcyer kufijtë gjeografikë e kulturorë, por që kurrë nuk kishte humbur lidhjen shpirtërore me atdheun e tij të origjinës. Ishte një akt simbolik, por njëkohësisht shumë domethënës, një brez që po formohej në universitetet e Europës, zgjedh të afirmojë krenarinë kombëtare përmes përfaqësimit më të lartë artistik që kishte atëherë kombi shqiptar.

Kjo ngjarje, organizuar me kursimet e tyre modeste, është më shumë se një darkë nderi, është një gjest kulturor, një akt afirmimi identitar dhe një shenjë e qartë se rinia shqiptare e asaj kohe ishte, jo vetëm e ndërgjegjshme për vlerat që përfaqësonte Aleksandër Moisiu, por edhe për misionin e saj për të qenë bartëse dhe përçues i dinjitetit kombëtar në qarqet kulturore e akademike të Europës.

Aleksandër Moisiu, me zërin dhe trupin e tij skenik që përshkoi teatrin gjerman, austriak, italian e më tej, ishte jo vetëm një aktor i shquar, por një ambasador shpirtëror i shqiptarëve, në një kohë kur zëri i këtij populli dëgjohej ende me vështirësi në tryezat diplomatike dhe skenat ndërkombëtare. Për studentët shqiptarë të Vjenës, ai ishte mishërimi i mundësisë së përfaqësimit në nivelin më të lartë artistik, një model suksesi që frymëzonte dhe angazhonte.

Ngjarja e 29 qershorit 1920 nuk duhet parë thjesht si një episod festiv. Ajo është një kapitull i rëndësishëm në kronikën e vetëdijes kombëtare, ku krenaria për identitetin kombëtar dhe afirmimi i trashëgimisë kulturore bëhen një me përpjekjen për arsim, emancipim dhe integrim dinjitoz në jetën kulturore evropiane.

Fotografia që ruan këtë çast është e mbushur me fytyra që pasqyrojnë dinjitetin, respektin dhe përkushtimin e një brezi. Ndër ta janë emra që më vonë do të kenë rol në jetën intelektuale dhe shtetformuese të Shqipërisë, duke bërë që kjo darkë të marrë edhe vlerën e një simboli bashkimi mes artit dhe mendimit, mes famës së fituar jashtë dhe kujtesës që ruhet brenda.

Ky kujtim është më shumë se një kornizë në murin e historisë. Është një dëshmi e asaj çfarë do të thotë të duash vendin tënd jo vetëm me fjalë, por me vepra, me vetëdije dhe me përulësi ndaj atyre që i dhanë emër Shqipërisë në botë. Ai tregon fuqinë që ka kultura për të bashkuar, për të frymëzuar dhe për të afirmuar një identitet të denjë në përballje me kohën. Në këtë mbrëmje të qershorit të vitit 1920, Vjena ndjeu për një çast të rrahurat e zemrës shqiptare, nëpërmjet duartrokitjeve që i takonin Aleksandër Moisiut, por që në thelb i përkisnin gjithë një populli që ngrihej mbi hapat e tij.

Albert Vataj

Filed Under: Opinion

Rugova: “Serbët sërish vijnë si hakmarrës”

June 28, 2025 by s p

Prof. Dr. Sylë Ukshini/

Intervistë e Ibrahim Rugovës për revistën “Der Spiegel”. Ibrahim Rugova, 44 vjeç, profesor i letërsisë në Universitetin e Prishtinës, është kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës.

“Der Spiegel”: Këtë javë serbët përkujtojnë me pompozitet 600-vjetorin e betejës së Fushë –Kosovës, në të cilën perandoria mesjetare serbe u mundua nën sulmin e turqve: pritën mbi një milion patriotë serbë. E ndiejnë shqiptarët si provokim këtë festë?

Rugova: Natyrisht, është provokim. Është thjesht një festë shoviniste serbe. Unë do ta pranoja marshimin në qoftë se do të kishim të bënim me një vlerësim kulturor të kësaj beteje të rëndësishme me një vlerësim kulturor të kësaj beteje të rëndësishme për tërë Jugosllavinë.

“Der Spiegel”: Po ka qenë populli serb ai që luftoi atëherë kundër turqve?

Rugova: Ekzistojnë prova të mjaftueshme historikisht që në betejë morën pjesë gjithashtu hungarezë, kroatë, boshnjakë dhe, natyrisht, shqiptarë.

“Der Spiegel”: Por shqiptarët vetëm në anën e turqve…

Rugova: Jo, në anën e princit serb Lazar. Në fund të fundit shqiptarët në vitin 1389 ishin ende të krishterë dhe luftonin gjithashtu islamin. Besimin e myslimanëve ne e kemi marrë nën pushtimin turk. Miti shovinist i Fushë- Kosovës lindi në shekullin e 19-të, pas krijimit të shtetit serb.

Faksimili i revistës Der Spigel në Arkivin Politik të Ministrisë së Jashtme Gjermane në Berlin.

Filed Under: Interviste

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 437
  • 438
  • 439
  • 440
  • 441
  • …
  • 2946
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT