• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Përkujtim në 60-vjetorin e ndarjes nga jeta të Fan S. Nolit

March 14, 2025 by s p

Sot, më 13 mars 2025, në shenjë nderimi dhe kujtimi për 60-vjetorin e ndarjes nga jeta të Fan S. Nolit (1965-2025), kryetari i VATRA Boston, Mentor Maksutaj, dhe nënkryetari Theofan Koja vizituan varrin e dijetarit të madh shqiptar.

Fan S. Noli mbetet një nga figurat më të shquara të kombit—patriot, klerik, diplomat, shkrimtar dhe reformator. Si themelues dhe drejtues i Federatës Pan-Shqiptare VATRA, ai u përkushtua me mish e shpirt për çështjen shqiptare, për forcimin e diasporës dhe për zhvillimin kulturor e kombëtar të shqiptarëve.

Trashëgimia e tij është një udhërrëfyes për brezat e sotëm dhe të ardhshëm, duke mbetur një simbol i përkushtimit, dijes dhe atdhedashurisë.

Fan Noli nuk ishte thjesht një njeri i kohës së tij, por një figurë që e tejkaloi epokën dhe kufijtë. Mendimi i tij vizionar, përpjekjet për një Shqipëri më të drejtë dhe puna e tij për kombin do të mbeten të pavdekshme. Sot, teksa kujtojmë jetën dhe veprën e tij, le të frymëzohemi nga idealet që ai la pas dhe të vazhdojmë rrugën e ndritur që ai trasoi.

Lavdi jetës dhe veprës së Fan S. Nolit!

Filed Under: Opinion

Shqiptarët përballë një bote të trazuar

March 13, 2025 by s p

Prof.Asc.Dr. Gëzim MUSTAFAJ/

Lufta në Ukrainë dhe qëndrimet e fundit të Fuqive të Mëdha, kanë polarizuar edhe më tej skenën nërkombtare. Sot më tepër se kurrë po bëhet më e dukshme lidhjen dhe ndërvarësinë që ekziston ndërmjet aspektit demografik dhe atij gjeopolitik. Për vetë specifikën, vendin që zë, shtrirjen dhe veçanërisht statusin aktual të popullit shqiptar në Ballkanin Perëndimor, lidhja dhe ndërvarësia e mësipërme është, jo vetëm evidente, por mjaft e rëndësishme për zhvillimet në rajon dhe stabilitetin dhe paqen e tij. Ndarja e Ukrainës do të ketë një ndikim drastik në Ballkan. Ajo do të shtonte edhe më tepër orekset sërbe për të rrëmbyer territore në Bosnje-Hercegovinë dhe në Kosovë, prandaj zgjidhja përfundimtare e statusit të Kosovës sjell një situatë, cilësisht të re në faktorizimin e çështjes shqiptare në veçanti, por edhe jep garanci dhe siguri për stabilitetin e të gjithë rajonit, në përgjithësi. Në këtë kuptim, çështja kombëtare e shqiptarëve përfiton një “standard” të ri dhe mendoj se duhet parë e analizuar në një këndvështrim tjetër e në një optikë të re që është krijuar.  Mendohej që gjeopolitika e Ballkanit përfundoi rikonfigurimin me shtetin e Kosovës dhe të Malit Zi. Kjo e parë në zhvillimet e reja është një qasje e gabuar, pa ju dhënë fund problemeve të pazgjidhura në Kosovë, Bosnje dhe Maqedonin e Veriut.

Shqiptarët jetojnë të ndarë në disa shtete të Ballkanit Perëndimor. Ata janë një popullsi që e ka tejkaluar shifrën prej 7.5 milionë banorësh, duke u renditur ndër tre popujt më të mëdhenj të këtij rajoni. Rritja e popullsisë në të gjitha trojet shqiptare vazhdon të jetë ndër më të lartat në Europën e sotme. Me keqardhje duhet të themi se, në vëndin amë kjo dukuri vitet e fundit ka një rënje, pasi shumë shqiptarë po largohen nga vëndi, sidomos moshat e reja. Nga territoret historikisht të banuara nga shqiptarë etnikë autoktonë, emigracioni, për arsye politike historike, të shtypjes dhe represionit sistematik, ka qenë shumë më i lartë. Madje më shumë se gjysma e shqiptarëve të këtyre trevave jetojnë e punojnë në emigracion, kryesisht në Europën Perëndimore, në SHBA dhe Turqi. Sot më tepër se kurr, shqiptarët duhet të gjejnë pozicionin e tyre, dhe ky pozicion duhet të jetë një zë i unifikuar nga të gjithë. Eksperjenca e kaluar është shumë e hidhur në çeshtjen shqiptare. Sa për kujtesë le ti referohemi historisë. 

Çeshtja kombëtare shqiptare, qysh nga lindja e saj, u përballë me qëndrimet shoviniste të shteteve të reja kufitare, si ato greke, serbe, bullgare. Menjëherë apo paralel me krijimin e shteteve të tyre, në kushtet e së ashtuquajturës “Kriza Lindore”, (një situatë që po përsëritet sot), me një përmbajtje të theksuar nacionaliste, ato përpunuan, që në vitin 1844, platformat apo programet famëkeqe të emërtuara “Megali Idhea” (Greqia), “Narçetania” (Serbia), si dhe Traktati i Shën Stefanit për (Bullgarinë). Thelbi i tyre qëndronte në përfshirjen, në përbërjen të shteteve greke, serbe dhe bullgare, të viseve të vendeve fqinje. Ambicje më të theksuara ato kishin për trojet shqiptare, ende të pushtuara nga Perandoria Osmane. Parashikohej aneksimi i plotë i tyre me vijë takimi të përbashkët e vijëndarëse lumin Shkumbin. Fatkeqësisht, si gjithmonë, Lëvizja jonë Kombëtare, në momente të caktuara, por tepër jetësore në mbrojtje të viseve të veta, u përball edhe me indiferentizmin e Fuqive të Mëdha. Në mesin e shek. XIX, sipas shumë vëzhguesve të huaj, të cilët e njohën nga afër gjeografinë njerëzore të Gadishullit Ballkanik, trojet me popullsi etnike shqiptare kishin një shtrirje të gjerë. Në Veri deri në Nish, Leskovac dhe Vranjë; Në Lindje deri në Kumanovë, Perlep dhe Manastir; Në Jugë deri në Konicë, Janinë dhe Prevezë,(Akademia e Shkencave e RSH, “Platformë për zgjidhjen e çështjes kombëtare shqiptare”, botim i vitit 1998, Tiranë, f. 6). Sipas këtyre studimeve në këto krahina kishte edhe banorë të kombësive fqinje ballkanike (grek, vëlleh, maqednas, serbë, malazes, turq), por këto përbënin pakica shumë të vogëla, në kuadrin e shtrirjes së madhe të popullsisë shqiptare. Trojet me banim nga shqiptarë autoktonë, emërtoheshin me emrat e katër vilajeteve, Kosova, Shkodra, Manastiri, Janina. Trojet me popullsi shqiptare shtrihej deri në rreth 105.000 km2. Traktati i Shën Stefanit u konsiderua në të gjithë Turqinë si një dënim me vdekje i dhënë kundër Perandorisë. Një muaj pas armëpushimit të Edrenesë u nënshkrua në Shën-Stefan, më 3 mars 1878, Traktati i Paqes ndërmjet Perandorisë Ruse dhe Perandorisë Osmane. Ai do ti shkëpuste Perandorisë Osmane rreth 80 për qind të zotërimeve të saj në Gadishullin Ballkanik. Këtu u përfshinë edhe trojet shqipëtare. Brutaliteti i politikës perandorake ruse e mbështetur kjo nga fuqitë e tjera europiane do të dukej sidomos në trajtimin e problemit shqiptar. Shqiptarët nuk u trajtuan fare si kombësi më vete. Emri i tyre nuk zihej fare në gojë në Traktatin e Shën-Stefanit. Për Rusinë, Shqipëria nuk ekzistonte si subjekt të drejtash politike e kombëtare. Rusia nuk e njihte Shqipërinë as si shprehje gjeografike. Këtë e bënë jo se nuk kishin informacion për shqiptarët, por këtë e bënte më qëllim që t’ua mundësonte shteteve sllave zgjerimin territorial në këto vise pas shkatërrimit të Perandorisë Osmane. Trojet shqipëtare u copëtuan midis katër shteteve. Pjesa më e madhe nën sundimin e Perandorisë Osmane, kurse një mori visesh periferike u jepeshin aleatëve sllavë të Rusisë. Bullgaria do të merrte, përveç të tjerave, rrethet e Korçës, Pogradecit, Strugës, Dibrës, Kërçovës, Gostivarit, Tetovës, Kumanovës dhe Kaçanikut. Serbia do të aneksonte, viset veriore të Kosovës deri në afërsi të Mitrovicës. Mali i Zi do të përfshinte brenda kufijve të tij krahinat shqiptare të Ulqinit, Krajës, Anamalit, Hotit, Grudës, Tuzit, Kelmendit, Gucisë, Plavës dhe Rugovës, pra edhe toka të cilat nuk i kishte pushtuar ushtarakisht gjatë luftës. 

Të njejten linjë ndoqi edhe Kongresi i Berlinit, i cili u hap më 13 qershor 1878, me rend dite rishikimin e Traktatit të Shën-Stefanit. Në të morën pjesë 6 Fuqitë e Mëdha të Evropës; Gjermania, Anglia, Franca, Rusia, Austro-Hungaria dhe Italia. Sipas procedurës së vendosur paraprakisht, vendimet do të merreshin njëzëri. Punimet e Kongresit të Berlinit i drejtoi kancelari gjerman, Otto Bismark. Me ftesën e Fuqive të Mëdha, shtetet ballkanike (Serbia, Greqia, Bullgaria, Rumania, Mali i Zi) dërguan në Berlin delegacionet e tyre qeveritare, të cilat parashtruan dhe mbrojtën në seanca të veçanta të Kongresit kërkesat e tyre politike e territoriale. Shqiptarët, sidomos organizmat e Lidhjes së Prizrenit, i parashtruan Kongresit të Berlinit kërkesat e tyre. Në dhjetëra peticione e memorandume të dërguara gjatë muajve qershor-korrik 1878, përveç protestave kundër lakmive pushtuese të shteteve fqinje, që cenonin tërësinë territoriale të Shqipërisë, parashtrohej edhe kërkesa për t’i dhënë Shqipërisë disa të drejta autonomie. Megjithatë, Fuqitë e Mëdha, nuk i morën parasysh këto kërkesa të shqiptarëve. Si rrjedhim, çështja shqiptare nuk u përfill fare si çështje më vete nga Kongresi. Punimet e Kongresit të Berlinit vijuan plot një muaj, ato përfunduan më 13 korrik 1878 me nënshkrimin e Traktatit të Berlinit, i cili zëvendësoi atë të Shën-Stefanit. Ashtu si Traktati i Shën-Stefanit që nuk e pa Shqipërinë si një njësi politike të veçantë, por e trajtoi si një plaçkë tregu të destinuar për të përmbushur synimet e Fuqive të Mëdha dhe për të kënaqur lakmitë e shteteve ballkanike, Traktati i Berlinit nuk i njohu Shqipërisë asnjë të drejtë kombëtare, madje nuk e zinte fare në gojë emrin e saj. 

Konferenca e Ambasadorëve në Londër, mbajtur në 1912-1913, njohur ndryshe edhe si “Konferenca e Paqes në Londër”, ishte një takim ndërkombëtar i gjashtë Fuqive të Mëdha të asaj kohe (Britania e Madhe, Franca, Gjermania, Austro-Hungaria, Rusia dhe Italia). Copëtimi i 1913-ës la pasoja të rënda në kombin shqiptar dhe ishte tragjedia më e madhe kombëtare, duke përgjysmuar gjysmën e territorit të ngelur dhe më tepër se gjysmen e popullsisë. Në të gjitha trojet shqiptare u kryen masakra të mëdha në popullsinë civile dhe u kryen spastrime etnik me qëllim përzënien ose eliminimin e popullsisë shqiptare.

Vetëm ndërhyrjet amerikane të viteve 1919-1920 dhe ndërhyrja e NATO-s me SHBA në vtet 1999 kanë qënë vendimtare për kombin tonë.

Duke analizuar me kujdes këto procese dinamike mund të konkludohet se aktualisht përballë kësaj situate, faktorët demografikë të shqiptareve janë dhe mbeten, objektivisht, tepër ndikues në planin gjeopolitik, për të ardhmen e tyre dhe të popujve të tjerë në rajon. Natyrisht, këta faktorë mund dhe duhet të adresohen me pozitivizëm, si në dobi të shqiptarëve, ashtu dhe në dobi të rajonit, të konsiderohen me kujdes, të pranohen me realizëm dhe t’i hapet rrugë akomodimit e integrimit të tyre mbi bazën e ideve dhe vlerave europiane. Tranzicioni i zgjatur dhe problematik krijon shqetësime për aspektet demografike e gjeopolitike të shqiptarëve. Shkalla e ulët e demokracisë pluraliste, difektet në drejtim të zbatimit të të drejtave dhe lirive të njeriut, mosfunksionimi i shtetit ligjor, problemet në ekonominë e tregut të lirë dhe të hapur etj, shkojnë kundër interesave të shqiptarëve dhe të vlerave të tyre në rajon. 

Përfundimi i tranzicionit do të jetë, në fakt, një erë e re për të ardhmen dhe rolin e tyre, ku interesat kombëtare të shqiptarëve janë të lidhura me interesat e popujve të tjerë, në dobi të demokratizimit të Ballkanit Perëndimor dhe të integrimit të tij në strukturat euroatlantike. Sot më tepër se kurr duhet të kërkohet një unifikim Shqiptarë për çeshtjet kombëtare. Pozita gjeografike, dinamika etnografike dhe gjeopolitika e shndërrojnë faktorin shqiptar në një nyje qendrore drejt Europës, së bashku dhe si pjesë dinjitoze e Gadishullit Ballkanik. Sfida më e madhe është bashkëpunimi dhe integrimi i gjithanshëm ekonomik, kulturor, shkencor, financiar, në fushat prioritare energjetike, arsimore, lëvizjes së lirë, tregut të lirë e të hapur të përbashkët etj., mbi bazën e marrëdhënieve midis dy shteteve shqiptare, sovrane, të barabartë e në dobi të të gjithë shqiptarëve kudo në rajon, në frymën e parimeve ndërkombëtare e europiane dhe të prosperitetit kombëtar të shqiptarëve, në Ballkan, drejt të njëjtit objektiv; të integrimit në strukturat euroatlantike.  Në Neni 8 të Kushtetutes së Republikës së Shqipërisë theksohet se; 

1. Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj. 

2. Republika e Shqipërisë mbron të drejtat e shtetasve shqiptarë me banim të përkohshëm ose të përhershëm jashtë kufijve të vet. 

3. Republika e Shqipërisë u siguron ndihmë shtetasve shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë shtetit për të ruajtur e për të zhvilluar lidhjet me trashëgiminë kulturore kombëtare.

Mbi këtë bazë i takon shtetit amë që të udhëheqë këtë proces. 

Filed Under: Ekonomi

60 vjet më parë u nda nga jeta Fan Stilian Noli (06 Janar 1882 – 13 Mars 1965)

March 13, 2025 by s p

Burrë shteti, atdhetar demokrat, klerik i lartë, poet, përkthyes, publicist, dijetar, historian e muzikolog. Fan Noli është një nga figurat më të ndritura të kombit tonë. Fan Noli lindi në Ibrik Tepe në Edrene (Turqi), ku përfundoi dhe shkollën e mesme. Më 1903 shkoi në Egjipt, ku punoi si mësues e gjatë kësaj kohe u njoh me patriotë të shquar të kolonisë shqiptare të Egjiptit. Në këtë kohë përktheu në greqisht veprën e Sami Frashërit “Shqipëria ç`ka qenë, ç`është e ç’do të bëhet”. Më 1907, pas vajtjes së tij në Amerikë, krijoi shoqërinë “Besa-besë” në Boston. Më 9 shkurt 1908, Fan Noli u dorëzua dhjak dhe në mars 1908, kryeprifti ortodoks i Nju Jorkut e shuguroi prift ortodoks. Disa ditë më pas, Noli mbajti liturgji në gjuhën shqipe për herë të parë në Boston. Në korrik 1919, Noli u zgjodh Peshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë. Përpjekjet e Nolit për një kishë kombëtare shqiptare, u përmbushën më 1937, kur Patriarkana e Stambollit njohu zyrtarisht Kishën Ortodokse Shqiptare Autoqefale. Nga viti 1909 deri më 1911 botoi gazetën “Dielli” dhe së bashkë me Faik Konicën themeloi më 1912 Federatën Panshqiptare Vatra të Amerikës. Në vitin 1912 përfundoi studimet e larta në fakultetin e filozofisë në Universitetin e Harvardit dhe vite më vonë, më 1938 mbaroi studimet e larta në Konservatorin e Muzikës së Bostonit. Në vitin 1920 Noli u zgjodh kryetar i delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, ku nëpërmjet antarsimit të Shqipërisë në këtë lidhje, Shqipëria mori një njohje ndërkombëtare. Në 1921 ai botoi veprën e rëndësishme “Historia e Skënderbeut”. Në qershor 1924, Fan Noli u bë kryeministër. Përveç veprimtarisë shumë të rëndësishme politike, poetike e publicistike, gjatë këtij dhjetëvjeçari Noli përktheu tragjeditë e Shekspirit, Rubairat Omar Khajamit, romanin Don Kishoti të Servantesit etj. Fan Noli u shua më 13 mars 1965 në Ford Laurderdale, Florida të SHBA.

(Muzeu Historik Kombëtar)

Filed Under: Opinion

𝐌𝐞̈𝐬𝐢𝐦 𝐬𝐡𝐭𝐞𝐭𝐚𝐫𝐢𝐞 𝐝𝐡𝐞 𝐬𝐡𝐞𝐦𝐛𝐮𝐥𝐥 𝐟𝐫𝐲𝐦𝐞̈𝐳𝐢𝐦𝐢

March 13, 2025 by s p

Dr. Bledar Kurti/

Në këtë ditë, më 12 mars 1933, nisi ajo që mund të njihet sot si podcast-i parë, titulluar “Biseda Pranë Zjarrit,” një seri komunikimesh radiofonike nga presidenti amerikan Franklin D. Roosevelt.

I ulur pranë vatrës së zjarrit, duke simbolizuar kuvendimin e drejtpërdrejtë me njerëzit e thjeshtë, presidenti komunikonte me popullin e vet përmes radios, që ishte edhe i vetmi mjet mediatik që dispononte çdo familje amerikane në atë kohë.

Ky komunikim i një shtetari me popullin përmes radios zgjati nga viti 1933 deri në 1944, e çimentoi rëndësinë e komunikimit me publikun edhe në fushën politike, e cila sot, fatkeqësisht bazohet pothuajse e gjitha te imazhi dhe komunikimi.

“Biseda Rreth Zjarrit” nisi gjatë Depresionit të Madh, ku populli kërkonte siguri nga shteti mbi situatën e rëndë ekonomike e financiare që po kalonte vendi, si edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore kur njerëzit e thjeshtë kërkonin siguri nga lufta.

“Biseda Pranë Zjarrit” përveçse komunikim i drejtpërdrejtë u bë një burim shprese dhe sigurie për të gjithë amerikanët. Bisedat e thjeshta të Presidentit e ndryshuar tërësisht mendësinë dhe botëkuptimin amerikan, duke e ngritur moralin dhe sentimentin popullor nga ai i dëshpërimit në atë të shpresës.

Thënie të tilla të Presidentit Roosevelt, si: “E vetmja gjë nga e cila duhet të kemi frikë është vetëm frika – Kur të arrish në fund të litarit, lidh një nyjë dhe mbahu fort aty – Ne nuk mund të ndërtojmë gjithmonë të ardhmen për të rinjtë tanë, por ne mund të ndërtojmë rininë tonë për të ardhmen – Njerëzit nuk janë të burgosur të fatit, por vetëm të burgosur të mendjes së tyre,” e shumë thënie të tjera shpresëdhënëse, i dhanë kurajë popullit amerikan të përballonte me forcë e sukses sfidat e mëdha e të tmerrshme me të cilat po përballeshin.

Kjo quhet shtetari.

Ky është shembulli që duhet ndjekur edhe sot.

T’i japësh zemër popullit tënd tregon se vërtetë të rreh zemra për popullin tënd.

Filed Under: Emigracion

Në përvjetorin e vdekjes së Martin Camajt

March 13, 2025 by s p

Më 12 mars 1992, në moshën 67-vjeçare, u shua Martin Camaj, një nga figurat më të ndritura të letërsisë dhe kulturës shqiptare. Një zë i veçantë poetik, një studiues i palodhur dhe një ruajtës i trashëgimisë gjuhësore e shpirtërore të kombit, Camaj mbeti për dekada një simbol i lidhjes së pandashme mes atdheut dhe mërgimit.

Pesë ditë para se të largohej nga kjo botë, ai i drejtoi shqiptarëve një mesazh prekës, një testament shpirtëror që përçon mallin dhe dashurinë e tij të pashuar për vendin e tij:

“Të dashun miq e vëllazën shqiptarë, intelektualë, artistë dhe mbarë populli shqiptar, përshëndetjet e mija ju janë drejtue të gjithëve. Gëzohem pa masë se keni vendosur të vlerësoni veprën time: ky vlerësim na afron. Bátë burrninë të më shtini në rreshtin tuej. Ndonëse të ndamë për një gjysmë shekulli, unë jam i jueji e ju jeni të mijt.”

Në këto fjalë të fundit ndihet një përmallim i thellë, një dëshirë për të qenë pjesë e kombit të tij, ndonëse vitet dhe rrethanat e kishin mbajtur larg. Ai nuk ishte i huaj për Shqipërinë, as Shqipëria nuk ishte e huaj për të—ajo jetonte në poezinë e tij, në kërkimet e tij shkencore, në të folmen e pastër e të lashtë gegërishte, të cilën ai e ruajti me devotshmëri.

Martin Camaj nuk është më, por fjala e tij rron. Ai na fton të njohim e të vlerësojmë trashëgiminë e tij letrare dhe gjuhësore, të kuptojmë se një komb nuk e ndan dot gjuha, as historia, por vetëm harresa. Në këtë përvjetor, kujtojmë jo vetëm poetin dhe dijetarin, por edhe njeriun që, edhe në çastet e fundit, e ndjeu veten pjesë të pandashme të trungut shqiptar.

Albert Vataj

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 440
  • 441
  • 442
  • 443
  • 444
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT