• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

HASAN TAHSINI NJËRI NDËR PERSONALITETET MË TË SHQUARA TË RILINDJES KOMBËTARE SHQIPTARE

January 27, 2025 by s p

Dr.Nikollë Loka/

Hoxhë Hasan Tahsini ishte intelektual aktiv, drejtues i lobit shqiptar në Stamboll i cili, duke nisur nga viti 1867, përpiqej për shkrimin e gjuhës shqipe dhe mbrojtjen e interesave kombëtare. Ai ishte i pari që përhapi në Perandorinë Osmane shkencat natyrore dhe ligjet e gjithësisë, por edhe i pari që përhapi në popullatën shqiptare idenë e krijimit të një shteti të pavarur shqiptar. Në historinë e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, hyri si një nga figurat më të shquara të shekullit XIX.

Hasan Tahsini, (Hasan Osman Rushiti) lindi në fshatin Ninat të Konispolit më 7 prill të vitit 1811. Osman efendiu, i ati i Tahsinit, ishte njeri i arsimuar, me kulturë të gjerë , njohës i mirë i filozofisë dhe i letërsisë islame. Mësimet e para të birit ia dha në medresenë më të mirë të zonës, në atë të fshatit Pandalejmon dhe më pas në medresenë e Mustafa Pashë Bushatlliut në Shkodër. Shkollën qytetëse dhe atë fetare e vazhdoi në Janinë, dhe më pas, vazhdoi e përfundoi me sukses studimet në Medresenë “ Fatih”, një ndër më të njohurat e Stambollit. Në atë qytet ai shkoi në moshë të pjekur, ndoqi mësimet në medresenë “Fatih” dhe ngaqë shkëlqente, drejtori-dijetar me emër, hoxhë Mustafa efendiu prej Vidìni i dha cilësimin: “Tahsin” (i pëlqyeshëm, i lëvduar, shembullor), qw e mbajti gjatw gjithw jetws. Në përfundim të studimeve, Tahsinin e emëruan muderriz (mësues) të filozofisë dhe të matematikës po në atë medrese.

Nw moshw tw re, Hasan Tahsini ishte mësues privat i fëmijëve të Hajrullah Efendiut, Ministër i Arsimit i Perandorisë Osmane. Hajrullahu e emëroi pas diplomimit në shkollën osmane në Paris, duke qenë edhe imami i ambasadës osmane në kryeqytetin frëng dhe njëherit student i matematikës e shkencave natyrore në Universitetin e Parisit.

Pasi studioi në Paris për shkencat natyrore dhe humane, Hasan Tahsini mori titullin Doktor i Kërkimit në Shkenca Fizike. Tahsini qëndroi 12 vite në Paris. Në mesin e shkurtit 1868, Tahsini u kthye në Stamboll, në përbërjen e grupit qeveritar që shoqëroi kufomën e ish Kryetarit të Këshillit të Lartë të Sulltanatit Osman, Mehmed Fuad Pasha, i cili vdiq në spitalin e Nisës, ku qe dërguar për shërim.

Më 1870 u emërua rektori i parë i të porsathemeluarit Universitet të Stambollit ku dha leksione fizike, astronomie dhe psikologjie. Qeveria e emëroi aty duke besuar se Tahsini do të barazpeshonte metodat dhe idetë e Evropës Perëndimore me botëkuptimin islam. Megjithatë, në atë kohë kërkimet shkencore dhe liberalizmi pa rezervë i Tahsinit bëri që ai të sulmohej shpesh nga qarqet e ulemave konservatore. Sulmet kundër Tahsinit filluan kur ai kreu eksperimente për të ilustruar nocionin e vakumit për studentët e tij. Pas eksperimentit ai u shpall heretik përmes një fetvaje, u pushua nga universiteti dhe nuk lejohej të jepte leksione. Universiteti u mbyll gjithashtu për një periudhë sepse Jamal-al-Din Afgani, një tjetër profesor i ndikuar nga Tahsini, mbështeti teoritë e tij. Faktin pse ligjëratat e mbajtura nga Hasan Tahsini për shkencat e natyrës në Universitetin e Stambollit nuk ishin pëlqyer dhe ishin kundërshtuar nga disa qarqe fanatike islame të Perandorisë, studiuesi Iljaz Rexha e shpjegon me mungesën e dijes në shkencat e natyrës nga popujt që ishin nën sundimin osman (por edhe vetë qarqet vendimmarrëse nuk ishin me hapin e kohës). Sipas Iljaz Rexhës, “këto ishin arsyet pse këta popuj kishin mbetur jashtë rrjedhave bashkëkohore të kohës”.

Pas ngjarjeve të hidhura dhe me prishjen e shëndetit, Hasan Tahsini mori një sërë udhëtimesh në Shqipëri, ndër të cilat vlen të përmendet ai i vitit 1873-1874. Gjatë këtij udhëtimi ai shkoi në Ninat, në Filat, Konispol e Delvinë. Kudo shpërndau dhe u mësoi shqiptarëve alfabetin e vet në trajtën e një fletë palosje. Kështu në Filat, gjatë kohës që ai ndenji atje, shumë të interesuar mësuan prej tij të shkruajnë dhe të këndojnë shqip sipas abecesë që ai kishte formuluar vetë.

Në Delvinë Hasan Tahsini punoi së bashku me Naim Frashërin, i cili në këtë kohë ishte me detyrën e nëpunësit të doganës në Sarandë. Në Berat, nxënës dhe bashkëpunëtor i tij ishte Jorgji Karbunara, me të cilin përpiqeshin të hapnin këtu një shkollë shqipe. Në Tiranë ai strehohet në shtëpinë e patriotit Seit Toptani. Së bashku me Kristoforidhin që ndodhej aty, janë munduar të përhapin ndjenjat kombëtare shqiptare ndër muslimanët dhe të krishterët. Në Shkodër takohet me patriotët e atjeshëm: Zef Jubani, Isuf Tabaku etj. Hasan Tahsini ka qenë edhe në Dibër, Manastir dhe Vlorë. Në një dokument të gjetur në arkivat e Londrës dëshmohet se në vitin 1874 Hasan Tahsini arrestohet në Delvinë, sepse u predikonte lirinë kombëtare bashkëatdhetarëve dhe ka regjistruar cilido që përqafonte projektin e tij për lirinë e vendit.

Përpjekjet e intelektualëve shqiptarë për organizim dhe bashkëveprim kombëtar kishin filluar shumë më herët, sidomos tek ata që jetonin dhe vepronin në Stamboll, ku krahas Hasan Tahsinit, në vitet 1858-1875, dalin në skenën politike e kulturore Vaso Pasha, Konstandin Kristoforidhi, Ismail Qemali, Jani Vreto, Abdyl, Naim dhe Sami Frashëri, të cilët bënë përpjekje për formimin e një alfabeti të përbashkët të gjuhës shqipe dhe të shoqërive kulturore. Hasan Tahsini dhe Kostandin Kristoforidhi duhet të kishin këtu rolin drejtues. Sipas JaniVretos, “Hasan Tahsini po i ftonte shqiptarët në dhomën e tij të medresesë, për të dhënë mendime të reja rreth shkrimit të gjuhës shqipe”.

Sipas gazetës osmane “Muneyiz” u krijua një komision për hartimin e alfabetit të shqipes që në vitin 1869, do të thotë dhjetë vjet përpara “Shoqërisë për Shtypjen e Shkrimit Shqip”. Veziri i Madh i asaj kohe, Ali Pasha, duke ndjekur një politikë të afrueshme me shqiptarët, për të mos shtuar armiqësinë e tyre ndaj Perandorisë Osmane, “autorizoi dhe inkurajoi komisionin të vazhdonte mbledhjet e tij”. Shteti osman fillimisht shfaqi një politikë të moderuar kundër kërkesës për arsim shqip. Edhe pas shfuqizimit të Lidhjes së Prizrenit, Ministria e Arsimit sugjeroi që librat e leximit dhe gramatikës në gjuhën shqipe, të shkruara me shkronja arabe, të shpërndaheshin në shkollat shtetërore të rajoneve ku jetonin shqiptarët. Por Sulltan Abdyl Hamiti II e lejoi shkollimin shqip aq sa i nevojitej dhe në ato vende ku i duhej. Në kushtet e veprimtarisë së ethëshme të Patriarkanës së Stambollit dhe të shtetit grek në jug të vendit, Sulltani ishte i interesuar për zhvillimin e nacionalizmit shqiptar vetëm në trevat jugore, por kurrësesi nuk e lejoi në trevat veriore. Kur veprimtaria e Shoqërisë së Stambollit doli jashtë projekteve të tij, Sulltani ndryshoi mendje dhe filloi t’u krijonte pengesa anëtarëve të Komisionit, pastaj e ndaloi veprimtarinë e saj.

Tahsini ishte ndër shkencëtarët më të shquar të Perandorisë Osmane në shekullin XIX. Ai shkroi traktatin e parë në gjuhën turke mbi psikologjinë me titull “Psikologjia ose shkenca e shpirtit”, një vepër e ndikuar nga modernizmi, si dhe librin e parë në gjuhën turke mbi astronominë modern. ndër veprat e tjera të Tahsinit në gjuhën turke përfshihet edhe një përkthim i “Ligjit natyror” të Constantin François de Chassebœuf.

Hasan Tahsini ishte i pari që krijoi dhe përhapi idenë e krijimit të një shteti të pavarur shqiptar. Me punën e pareshtur në shërbim të popullit, kombit dhe atdheut, ai ishte njëri ndër rilindasit që hodhën themelet e pavarësisë së Shqipërisë.

Filed Under: Ekonomi

STRUKTURA E NDËRLIKUAR E NJË SHOQËRIE TË KRIMINALIZUAR

January 27, 2025 by s p

Kosta Nake/

Romani “Lavjerrësi i qytetit” ishte një zgjedhje rastësore por, edhe pse i botuar disa vite më parë, duke iu afruar fundit, m’u duk sikur ishte shkruar ditë pas dite në verën e nxehtë të vitit që shkoi. Duke trajtuar tematikën aktuale të ngarkuar me politikë e korrupsion, frymën e romanit duket sikur e shpreh saktësisht komediani dhe komentatori politik Jon Stewart kur shkruan: “Gjithë ideja se jemi në një betejë midis tiranisë dhe lirisë është një seri lëkundjesh të lavjerrësit.” Artistikisht ky dualizëm vjen në vepër si emërtim i një rruge me dy emra: Rruga Të Ndershmit dhe Rruga Të Pandershmit.

Zija Çela merr lapsin e llogaritarit kur e vështron Burgasin dhe karakteret e tij në organizimin e tyre ekonomik, kthehet në gazetar kur rrëfimin e kthen në vetën e parë duke u përqasur me Valer Jacën i cili punon për gazetën “Paralele dhe meridianë”, kthehet në njeriun hokatar duke u dhënë disa skenave nuanca satire dhe humori, siç është rasti i rojave që lëvizin si te vallja “Ra Faja nga fiku.” Autori mëton të zbulojë se si krimi i mbyllur brenda mureve dhe telave me gjemba, jo vetëm nuk është e mundur të pengohet për vazhdimin e aktivitetit kriminal, por ka mekanizmat e veta për ta kriminalizuar gjithë shoqërinë, pasi, siç vëzhgon ministri Dilaver Ahmarini, “Këta që janë jashtë, janë njëlloj me ata që janë brenda, prandaj janë solidarë.” Është Valeri që, kur diskutohet për ndryshimin e emrave të rrugëve, hedh idenë që të dy antagonistët të përfaqësoheshin me lavjerrësin që i ka dhënë emrin edhe krejt veprës.

Sipari i romanit hapet me turbullirat e të burgosurve që bëjnë aliteracion me emrin e qytetit Burgas, mes turmës identifikohet Emanuel Karabolli dhe Antonela Boeti, një italiane e shoqërisë civile. Familjarët ofronin para për t’i afruar të dënuarit në burgjet më pranë qendrës së banimit dhe ky akt korruptiv thërret në skenë të burgosurin Fabian Rudi Oketa dhe Todi Ristanin si drejtor të Institutit për Ekzekutimet Penale. Të burgosurit mbaheshin në gjysmën e hapësirës të parashikuar me ligj, prandaj ishte një ngacmues për protesta. Ministri i Brendshëm Dilaver Ahmarini shkon për bashkëbisedim me qytetarët e Burgasit, pasi qyteti mbahej si beniamin i Kryeministrit. Ishte krijuar një drejtori e veçantë “underground” që quhej Drejtoria e Sterilizimit që merrej me zhdukjen e provave dhe pastrimin e gjurmëve të krimit ndërkohë që ambasada amerikane kishte shprehur pakënaqësinë sepse policët kishin parcela me kanabis. Takimin duhej ta hapte kryetari i bashkisë, zoti Kosturi, por ia rrëmben prefekti Sazan Manzurani. Për të zgjeruar hapësirat e vuajtjes së dënimit, ministri u propozoi qytetarëve t’i merrnin të burgosurit në shtëpitë e tyre dhe ata pranuan. Ishte një sfidë e ideuar nga Kryeministri që përbën edhe pikën e lidhjes.

Ka një klasifikim të të burgosurve sipas krimeve të kryera: bllokim rrugësh, djegie dhe ndotje të mjedisit; ngarje makine në gjendje të dehur; armëmbajtje pa lejë; shpërndarës droge; mospagim i faturës së energjisë elektrike, dhunë në familje. Kur tërhiqen formularët e aplikimit, shfaqet Vlash Llazarani, pronari i fabrikës së bimëve mjekësore që e shfrytëzon strehimin në familje për t’i kthyer të burgosurit në krahë pune. Fillojnë manovrimet me shortin transparent që zhvlerësohet me spostimet me kryqe te listat, në vend që të vihej kryqi ndanë emrit që i korrespondonte numrit të thirrur, vihej ndanë emrave për të cilët kishte ndërhyrje. Futet në lojë kompania Diva’s Contruction e vëllezërve Karabolli e cila dyshohet se mbështet financiarisht studion ligjore “Peshorja”. Pronari i Shtëpisë së Beqarëve Blinar Disha zgjeron hapësirat e magazinimit. Shkëmbimi i të strehuarve i ngjan një tregu skllevërish. Të shkuarën mund ta blinin edhe disa nëpunës të vegjël e pedagogë që ishin burgosur për ngacmime seksuale, për doktoratura me plagjiatura, etj.

Emanuelin tentojnë ta vrasin, por plagoset lehtë. E quajtën si shkrepje e pavullnetshme të një polici dhe Todi Ristani u përpoq t’i bëjë vëllama. Pas pak kohësh polici u zhduk dhe u gjet vetëm makina. Ishte përgjigjja e parë e krimit. Familja Karabolli nuk tërhiqet: “Është koha që nga eksportues, të bëhemi edhe importues. Përderisa merremi me bimë mjekësore, përse të mos merremi edhe me frutat e shëndetshme ekzotike?”

Prokurori Nevil Zusi u bën presion disa tipave për t’i kthyer në spiunë brenda të burgosurve, shërbim që Fadil Selimi e përcakton kështu: “Në atë kohë punoja si kalë, haja si qen, vrapoja si lepur, fshihesha si mi.”

Projekti i strehimit familjar sjell zhvillim ekonomik të Burgasit dhe atje përurohet hoteli me pesë yje “Konaku” ndërtuar nga Diva’s Construction e vëllezërve Karabolli. Suksesi ndahet me pjesëmarrjen e disa ministrave dhe vetë Kryeministrit. Kompania fiton tenderin e privatizimit dhe të ndërtimit të korpusit të burgut, As-in e burgjeve ekzistues. Pushteti ekonomik zgjerohet kur kompania merr përsipër të paguajë pjesën e tirazhit ditor të gazetës që kthehet nga tregu, kurse Valerit i vendosin te Shtëpia e Beqarëve një Audi në vend të Opelit, kurse një zarf e njoftonte se Opelin do t’ia kthenin kur të bëhej edhe një herë i ri. Befas shtëpitë e strehuesve filluan të ktheheshin në bordello siç ishte rasti i Shtëpisë me Flamur.

Edhe fabrika e përpunimit të bimëve mjekësore dhe aromatike kishte fituar terren, kishte ardhur çasti që nga eksportuese e bimëve të kthehej në importuese të prodhimeve ekzotike prandaj porositet kontenieri me banane.

Në Burgas shfaqet gjyqtari Robert Spiro, Robespieri i drejtërisë që thoshte: “Nuk ka kënetë që të ketë aq baltë sa ajo e administratës shtetërore.” Por sapo filloi t’i vinte rrotull një ministri, e larguan nga Tirana.

Ngjarja merr impuls kur te dera e prefektit lihet një shportë me vezë me fund të dyfishtë ku e shoqja gjeti dy destina me rreth lastiku në të cilat kishte 100 kartmonedha me prerje 500 euro.

Krijohet Fakulteti i Lirisë për ta blerë të shkuarën dhe të ardhmen dhe për ta fituar lirinë automatikisht. Duheshin 43 pikë për t’u kualifikuar, prandaj filluan të mendonin “për lyerjen e rrotës”, pastaj kishte edhe “ingranazhe të tjera që duheshin vajosur.” Futet në lojë Mitrushi, nipi i prefektit. Fabiani, shok burgu i Emanuelit kishte thënë: “Ndiq rrugën e parasë, se ajo të shpie te vatra e krimit.”

Gjykatësi Robert Spiro autorizon prokurorin për kontroll të befasishëm në Shtëpinë me Flamur ku u gjet edhe kryetari i bashkisë, por u tha se kishte vajtur për të kapur me presh në dorë inspektorin e tatimeve. Kishte edhe katër prostituta vendase gjë që tregon për ekspansionin e krimit me mishin e bardhë. Tabori që humbi bordellon u përpoq të kalonte në parlament një ligj për legalizimin e shtëpive publike.

Sukesi i radhës është përfundimi i 6-katëshit spiral për VIP-at. Një ditë para Kurban Bajramit, Diva’s Contruction bën bamirësi, Emanuelit i akordohet Letra e Mirëkuptimit dhe e Shpërblimit. Mjedisi korruptiv krijon edhe tregun e sekserëve të kontrolluar nga Bec Selita ku ishin fiksuar çmimet për marrjen e një certifikate pronësie, për rikthim në detyrë, për kirurgjitë në spitalin publik, për mbylljen e dosjes në polici apo pushimin e çështjes në gjykatë. Formulat e komunikimit të sekserëve me viktimat: “Mos mendo se unë çoç fitoj. Pjesa e luanit i takon tjetërkujt, për mua një thërrime tepron.” “Veçse mos pandeh, zotrote, se unë fitoj plaçkë të madhe, një kafe tepron për mua.”

Në Burgas bëhet përurimi i institutit të ri penitenciar, por këtë herë dërgata nga kryeqyteti u përkiste profileve të mesme. Përshëndetja ishte: “Mirë se vini në Burg-As!” Që mund të lexohej: mirë se vini në asin e burgjeve. Në krye të kopesë, si dashi me këmborë, ishte Emanuel Karabolli. Kompania Diva’s Contruction e kishte blerë gazetën dhe po punonte për një kompani mediatike me kanalin e vet televiziv.

Në të katër anët e qytetit fillojnë zjarret e protestuesve të ndryshëm që i bashkon zemërimi. Boshtet e pankartave dhe shtizat e flamujve kthehen në armë sulmi. Në radhët e demonstruesve futen agjentë të infiltruar. Një pjesë e plaçkitësve u ndaluan. Në mbrëmje analistët nëpër studio. Të nesërmen gazetat me fjalët kyçe: revoltë, përgjakje, plaçkitje, zjarrvënie. Burgu po konkurronte me famën e qytetit.

Protesta shtypet dhe ministri i Brendshëm shkon në Burgas. “Maskarenj, hak e keni, vuajeni tani pasojën e liberalizmit tuaj! E ku dini ju ç’është toleranca, ç’janë liria, demokraia dhe mikpritja. A deshët më shumë të drejta për njerëzit e krimit? Ja si përfundoi, e këmbyet strehën tuaj me qelinë e burgut…” Një pasazh që tregon se si qeveria i shfrytëzon protestat për të instaluar një shtet autarkik.

Afron ora finale. Prefekti është në gjendje ankthi, priten arestime të zyrtarëve të lartë. Ia vënë prangat me akuzën: korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike dhe shpërdorim detyre. Po afron koha e zgjedhjeve dhe duket se kompania Diva’s Contruction mban anën e qeverisë, gazeta po ashtu. Nevoja për të fituar zgjedhjet justifikon edhe aleanca të tilla. Siç thotë Artur Shopenhauer “Opinioni është si një lavjerrës dhe i bindet të njëjtit ligj. Ai shkon nga qendra e gravitetit te njëra anë dhe duhet të bëjë të njëjtin hap në anën tjetër. Duhet një kohë e caktuar që të gjendet pika e vërtetë te e cila duhet të ndalojë për të pushuar.”

Linja e dytë e romanit lidhet me fatin e gazetarit, përfaqësuar nga Valer Jaca, të cilit i duhet të ndodhet në qendër të ciklonit. Është njeriu i zakonshëm me të mirat dhe dobësitë e veta, ai ka flirtet e veta me motrat Evelina dhe Floreta Sako, joshet ose sulmohet nga krimi dhe pushtetarët dhe vjen një moment që mund të hidhet në rrugë, pasi shefat ia kanë regjistruar të gjitha: Fillimisht drejtori është i pakënaqur se Valeri po çon më pak shkrime dhe e ka humbur nuhatjen e gazetarit, aq më tepër kur e lë t’i kalojë pasqyrimi i suksesit të kompanisë Diva’s Construction. Pastaj është lidhja me italianen që i përkiste dikujt tjetër, marrëdhënia e njëkohshme me dy motra, shpërdorimi financiar prej jetës hedoniste. Valeri e ndien se nuk është me askënd, prandaj i vjen një mendim i çuditshëm, t’ia mbathte vrapit nëpër pistat e qiellit. Që këtu zgjohet tërheqja për t’u bërë shkrimtar. A nis autorësia dhe krijimtaria aty ku fillon sovraniteti? Kjo pyetje e ka përgjigjen te kjo vepër që mbëshetet në tri shtylla, tri dorëshkrime mbi tryezë: dorëshkrimin e Todi Ristanit, dorëshkrimin studimor të Floretës dhe ditarin e Fabianit.

Filed Under: Opinion

Roli dhe rëndësia e Federatës Vatra gjatë udhëheqjes së Fan S. Nolit

January 27, 2025 by s p

Prof.Dr.Fejzulla BERISHA/

Vatra (Federata Pan-Shqiptare e Amerikës) është organizata më e rëndësishme të diasporës shqiptare në Amerikë dhe ka luajtur një rol kyç për çështjen kombëtare sidomos gjatë periudhës së udhëheqjes së Fan S. Nolit në vitet 1910-1920. Kjo organizatë është themeluar në vitin 1912 dhe pati një ndikim të madh në çështjet kombëtare shqiptare, si dhe në forcimin e lidhjeve midis shqiptarëve të diasporës dhe atdheut. Fan Noli, si udhëheqës shpirtëror, intelektual dhe politikan, e përdori Vatren si një mjet të fuqishëm për të mbështetur aspiratat për pavarësi dhe zhvillim të Shqipërisë.

Roli i Vatrës në periudhën e Fan S. Nolit:

•Mbështetje politike dhe diplomatike:

Një nga objektivat kryesore të Vatrës ishte sigurimi i mbështetjes ndërkombëtare për Shqipërinë e re. Vatra, nën udhëheqjen e Fan Nolit, ndërmori aktivitete diplomatike për të lobuar për njohjen e pavarësisë së Shqipërisë. Pjesë e kësaj ishte angazhimi i madh në Shtetet e Bashkuara dhe organizimi i takimeve me autoritete amerikane për të krijuar presion mbi qeverinë amerikane që të njihej pavarësia e Shqipërisë pas shpalljes së saj në vitin 1912. Për shembull, Noli organizoi takime me figura të larta politike, përfshirë senatoren e njohur të Nju Jorkut, Elihu Root, dhe diplomatë të tjerë amerikanë, për të promovuar kauzën shqiptare.

Një moment i rëndësishëm ishte angazhimi i Vatrës në vitin 1919, gjatë Konferencës së Paqes në Paris, ku përfaqësuesit e Vatrës, si Fan Noli dhe të tjerë, kërkuan të siguronin njohjen ndërkombëtare të shtetit shqiptar dhe të parandalonin ndarjen e Shqipërisë nga fuqitë e mëdha evropiane. Vatra loboi fuqishëm kundër planeve të tilla dhe për një Shqipëri të pavarur.

•Mbështetje financiare:

Një tjetër kontribut i rëndësishëm i Vatrës ishte mbledhja e fondeve për të mbështetur luftën për pavarësinë e Shqipërisë. Pas shpalljes së Pavarësisë në vitin 1912, Shqipëria kishte nevojë për ndihma financiare për të mbështetur ushtarakët dhe për të stabilizuar ekonominë. Vatra, nën drejtimin e Fan Nolit, organizoi shumë aktivitete dhe ngjarje për të mbledhur para, si koncerte, mbrëmje kulturore, dhe ngjarje të tjera që ndihmuan në financimin e luftës dhe në mbështetje të qeverisë shqiptare. Noli dhe Vatra i përdorën këto fonde për të blerë armë dhe për të ndihmuar forcat luftarake shqiptare, si dhe për të ndihmuar shqiptarët e dëbuar nga trojet e tyre në Ballkan.

•Promovimi i kulturës dhe arsimit shqiptar:

Vatra, nën udhëheqjen e Fan Nolit, ishte gjithashtu një forcë e fuqishme për ruajtjen dhe zhvillimin e kulturës shqiptare në Amerikë. Ajo organizoi shkolla, biblioteka dhe aktivitete kulturore për të mësuar shqiptarët e rinj të diasporës për historinë, gjuhën dhe traditat e kombit të tyre. Noli e kuptoi rëndësinë e arsimit dhe të ruajtjes së identitetit kulturor dhe nën drejtimin e tij, Vatra ishte e angazhuar në ngritjen e shoqatave kulturore dhe shkollave që ofronin mësime në gjuhën shqipe dhe që përhapnin kulturën dhe traditat shqiptare.

Një shembull konkret i këtij angazhimi ishte hapja e shkollave në qytetet e mëdha të SHBA-së, ku shqiptarët jetonin. Shumë fëmijë të emigrantëve shqiptarë kishin mundësi të mësonin gjuhën shqipe dhe të rriteshin me ndjenjën e identitetit kombëtar.

•Aktivizmi dhe lobimi për të drejtat e shqiptarëve në rajon:

Vatra, nën udhëheqjen e Fan Nolit, ishte gjithashtu e angazhuar për të drejtat e shqiptarëve në viset e tjera që ndodheshin nën sundimin e shteteve të tjera pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane. Noli dhe Vatra lobuan fuqishëm për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në Kosovë, Çameri dhe Maqedoni, të cilat në atë kohë ishin nën sundimin e Serbisë, Greqisë dhe Bullgarisë. Noli, duke qenë një intelektual i angazhuar për çështjen kombëtare, e shihte si detyrë të tij të përhapte informacion për trajtimin e shqiptarëve në këto zona dhe të sigurojë mbështetje ndërkombëtare për kauzën e tyre.

Një nga momentet e veçanta të angazhimit të Vatrës në këtë drejtim ishte angazhimi për të ndihmuar shqiptarët në Çameri, një rajon i cili ishte shumë i ndjeshëm për shkak të gjenocidit dhe shpërnguljes së shqiptarëve nga Greqia pas Luftës së Parë Botërore. Vatra, përmes lobimeve dhe mobilizimit të diasporës, tentoi të ndikonte në opinionin ndërkombëtar dhe të siguronte mbështetje për të drejtat e shqiptarëve në këto rajone.

Roli i Vatrës dhe i Fan Nolit gjatë periudhës 1912-1920 ishte shumëdimensional dhe i rëndësishëm për çështjen kombëtare shqiptare. Vatra, përmes mbështetjes politike, financiare dhe kulturore, ndihmoi në konsolidimin e shtetit shqiptar të pavarur dhe në forcimin e lidhjeve midis shqiptarëve të diasporës dhe atdheut. Kjo Federatë dhe Fan Noli, si lider i saj, kanë lënë një trashëgimi të vyer në historinë e shqiptarëve, duke kontribuar në realizimin e shumë objektivave kombëtare, përfshirë njohjen ndërkombëtare të Shqipërisë dhe mbështetje për shqiptarët në viset e tjera të banuara me shqiptarë.

Filed Under: Politike

E FSHEHTA E KRIZËS NË SERBI

January 27, 2025 by s p

Milazim KRASNIQI/

Serbia ka hyrë në fazën e pakthyeshme të konfliktit civil. Pasi ka kryer krime monstruoze në Kroaci, në Bosnje e në Kosovë dhe ka humbur tri luftëra në vitet e nëntëdhjetë të shekullit të kluar, Serbia e pati filluar me Gjingjiqin një proces denazifikiimi por ai dështoi shpejt, sepse Gjingjiqin e vranë. Regjimi Nikoliq-Vuçiq-Daçiq e riktheu shpejt politikën imperiale dhe rusofile. Vuçiqi e ka cimentuar tashmë. Me zgjedhje ai regjim më nuk çmonohet. E vetmja mënyrë e çmontimit u ka mbetur padëgjueshmëria qytetare, revolucioni, dhuna.

Jo rastësisht studentë e nxënës, kanë dalë në ballë të protestave, sepse ata e ndiejnë se edhe jetët e tyre do të jenë të shkatërruara, si të baballarëve e nënave të tyre. Por, protestat e tyre nuk janë të mjaftueshme. Nuk janë të mjaftueshme as protestat e punëtorëve. Pse? Në Serbi problem paraqesin shërbimet sekrete dhe ushtria, që nuk janë reformuar që nga koha e Rankoviqit. Aty fshihet fuqia e regjimit. Ato struktura kriminale e terroriste kanë kapacitete për të ushtruar terror brenda Serbisë, po edhe për të destabilizuar Bosnjen e Kosovën. Prandaj, në këtë format ekzistues konflikti civil në Serbi mund të zgjasë dhe mund të prodhojë jostabilitet e viktima, por epilogu mbetet i paqartë. Fati i Vuçiqit mund të jetë diçka ndërmjet Llukashenkos dhe Asadit.

Çka duhet të bëjë Kosova në raport me ato zhvillime në Serbi? Kosova duhet të rreshtohet qartë me SHBA-në e NATO-n, që duan shkëputjen e Serbisë nga influenca ruse. Asnjë veprim të njëanshëm nuk duhet ta ndërmarrë askush nga Kosova. Sidomos jo në veri. Ka shumë mundësi që po të mos inicohej ajo kriza me targa në veri, Vuçiqi mund të ishte ballafaquar me rrëzimin e tij me zgjedhjet lokale në Serbi, të cilat ai i vodhi masivisht. Por, kriza për targat në veriun e Kosovës frenoi akterët, që ta shtynin përpara projektin e rrëzimit të regjimit të Vuçiqit. U shndërrua në favor për regjimin e Vuçiqit. Prandaj nga administrata e re nuk do të lejohet të përsëritet më ai budallallëk.

Problemi i veriut të Kosovës, nga ana jonë duhet të minimizohet, jo të ekzagjerohet siç e ka zakon ta ekzagjerojë qeveria Kurti. Interesi strategjik i Kosovës është që veriu i vendit tonë në asnjë rast të mos ketë ndikim në stabilitetin dhe në rrugën euro-atlantike të Kosovës.

Filed Under: Analiza

BETEJA E NOKSHIQIT, SPROVA MË E SUKSESSHME USHTARAKE E LIDHJES SHQIPTARE

January 27, 2025 by s p

Prof. Dr. Skender Asani/

Vendimet e padrejta të Kongresit të Berlinit, që i njihnin Malit të Zi të drejtën për të aneksuar vise shqiptare, përfshirë Plavën dhe Gucinë, mobilizuan shqiptarët për të mbrojtur tokat e tyre stërgjyshore. Kjo rezistencë u udhëhoq nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit, e cila organizoi një qëndresë të fuqishme politike dhe ushtarake kundër vendimeve arbitrare të Fuqive të Mëdha. Beteja e Plavës dhe Gucisë, e zhvilluar në Nokshiq gjatë dhjetorit 1879 dhe janarit 1880, ishte një nga momentet kulmore të kësaj rezistence, duke u shtrirë edhe në disa pika strategjike të caktuara nga komandantët shqiptarë.

Kjo betejë e lavdishme shënoi dy fitore të rëndësishme për shqiptarët: zmbrapsi përpjekjet e Malit të Zi për aneksimin e këtyre tokave dhe ndërkombëtarizoi çështjen shqiptare, duke e kthyer atë në një luftë për autonomi brenda Perandorisë Osmane. Korrespondentët e huaj të kohës raportuan për heroizmin e shqiptarëve, duke e paraqitur atë si një përpjekje titanike për mbrojtjen e integritetit territorial, ndërsa dënonin vendimet e Kongresit të Berlinit si shpërfillje e të drejtave të shqiptarëve për liri dhe pavarësi.

Ndërsa historia njeh shumë beteja, ajo e Nokshiqit mbetet një shembull unik i suksesit, ku shqiptarët, pa aleatë të jashtëm, u përballën me një makineri diplomatike dhe ushtarake të fuqishme. Heroizmi i tyre ishte mbështetur vetëm nga vendosmëria për të mos lejuar padrejtësi. Në këtë betejë spikatën figura të shquara si Ali Pashë Gucia, Jakup Ferri, Sulejman Vokshi, Haxhi Zeka dhe Jusuf Sokoli, të cilët përfaqësuan shpirtin e pamposhtur të kombit shqiptar.

Beteja e Nokshiqit mbetet një mesazh aktual për politikën ndërkombëtare, duke dëshmuar se vendimet diplomatike që injorojnë vullnetin e popujve nuk mund të kenë sukses. Kjo është vërtetuar edhe nga raportet e diplomatëve të huaj, si ai i konsullit austro-hungarez në Shkodër, i cili shkruante se shqiptarët luftuan me një shpirt të vërtetë kombëtar dhe zmbrapsën forcat malazeze.

Në përvjetorin të kësaj beteje, historiografia shqiptare duhet të kalojë nga qasjet deskriptive drejt një studimi më të thelluar dhe të bazuar në analiza të mirëargumentuara. Kjo qasje do ta vendoste këtë ngjarje në vëmendjen e studiuesve ndërkombëtarë, duke nxjerrë në pah rëndësinë e saj në historinë kombëtare dhe më gjerë.

Filed Under: Fejton

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 522
  • 523
  • 524
  • 525
  • 526
  • …
  • 2781
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT