• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Sazani, nga një shkëmb me gjarpërinj në një “Havai Socialist”

January 24, 2025 by s p

Satirë nga Rafael Floqi

Në odën magjike të transformimit socialist, ku plehrat kthehen në florinj dhe llokmat e Shqipërisë bëhen kafshatë e ëmbël për miliarderët, historia e Sazanit po luhet si një opera groteske. Ishulli ynë, me gjarpërinj, shkurre dhe bunkerë ndryshkatarë, është veshur me aureolën e një thesaresh të padukshëm – por vetëm për sytë e Jared Kushner dhe klientëve të tij me jaht.

Rama, me shkopin magjik të “rilindjes” ekonomike, ka arritur të shesë edhe legjendat urbane: “Ç’duan shqiptarët me këtë copë shkëmb? Do ta shndërrojmë në një parajsë turistike për miliarderët, se s’kemi luksin t’i kemi turistët tanë të zakonshëm që vijnë me makinat e Kosovës dhe mbajnë byrek në çantë.” E gjithë propaganda duket sikur na pëshpërit: “Falenderoni kryeministrin, që e gjeti një të çmendur të marrë këtë gjë të pashpresë.”

Rrëfimi i Përsëritur: Nga “Pisllëku” në “Parajsë”

A ju kujtohet Porti i Durrësit? Dikur ishte turpi i qytetit, një qendër “qelbur pisllëku”. Kur Alabari u shfaq, Rama na tregoi se ishte gati të derdhte lot falenderimi për këtë investitor bujar që pranoi të merrte “për turp” një copë Shqipëri falas. Tani, është radha e Sazanit – me ndryshk, ferra dhe ndonjë bunker. Jared Kushner, një dhëndër që duket se ka të njëjtin sy për biznes si për politikë ndërkombëtare, tashmë ka nënshkruar martesën e tij të re: jo me një zonjë Trump, por me zonjushën Shqipëri.

Socialistët dhe Dashuria për Miliarderët

Ajo që bie në sy është adhurimi i socialistëve tanë për miliarderët. Nga Kushner te Alabar, çdo figurë me një jaht dhe një çek të madh shihet si Mesia i ardhshëm i ekonomisë shqiptare. Ndërkohë, qytetari i thjeshtë, ai që mbërrin me një makinë të lodhur dhe një çadër dielli të blerë me zbritje, shihet si pengesë për zhvillimin.

Sipas kësaj logjike, Shqipëria është një tokë që mund të shpëtohet vetëm nga miliarderët. Por nëse do të ndjekim këtë rrugë, do të përfundojmë si Havai, ku turizmi super-elitar ka kthyer banorët vendas në kamerierë, të pamundur për të blerë shtëpi në tokën e tyre.

Alternativa e Humbur: Nga Kushner te Sipërmarrësit Lokalë

A ishte e pamundur që Sazani të zhvillohej ndryshe? A nuk mund të krijonim një model turizmi të hapur dhe përfshirës, ku banorët e zonës të bëheshin sipërmarrës, dhe jo thjesht shërbëtorë? Në vend që Sazani të kthehej në një kafaz të artë për miliarderët, mund të kishte qenë një destinacion për të gjithë – nga turistët shqiptarë te ata të huaj.

Përfundimi: Një Parajsë që S’i Përket Shqiptarëve

Dhe kështu, për shqiptarët, Sazani nuk është më një ëndërr. Është një kujtesë e asaj që ndodh kur investimet politike maskohen si strategjike. Një tjetër copë Shqipëri që zhduket nga dora e qytetarit të zakonshëm dhe shndërrohet në një “parajsë” për të cilën shqiptarët duhet të punojnë, por nuk do ta shijojnë kurrë.

Kjo është satira jonë e përditshme: një qeveri që “dimonizoi” Sazanin për ta shitur si mrekulli. Shqipëria, si gjithmonë, është një tokë e bekuar – por, për fat të keq, e bekuar për të tjerët.

Filed Under: Ekonomi

Baballarët e kombit…

January 24, 2025 by s p

Artan Nati/

Në çdo 28 nëntor ne shqiptarët festojmë ditën e pavarësisë dhe bashkë me të ne kujtojmë e përkulemi me respekt ndaj figurave ose baballarëve të kombit tanë duke filluar me Skënderbeun dhe më tej me rilindasit e lufëtarët legjendarë e duke e kurorëzuar me shpalljen e pavarësisë nga plaku Ismail Qemali e patriotë të tjerë. Dua të theksoj se kontributet e tyre për kombin tonë janë madhështore dhe monumentale, por edhe gabimet e tyre njerëzore që shkaktuan kaq shumë dhimbje. Asnjë nga Etërit tanë themelues nuk ishte 100% hero ose 100% plangprishës. Ata ishin qenie njerëzore. Ata arritën diçka vërtet të jashtëzakonshme duke na dhuruar pavarësinë dhe lirinë tonë, por ata nuk ishin të përsosur dhe ne nuk duhet të pretendojmë se ishin. Unë jam mirënjohës për lirinë që gëzoj për shkak të punës së palodhur, urtësisë dhe sakrificës së Etërve tanë dhe shumë të tjerëve. Por unë nuk i adhuroj ata, por më pëlqen t’i shikoj me sy kritik, për të njohur më mirë veten, kulturën tonë si edhe këtë situatë ku ndodhet Shqipëria jonë sot. Nuk do të dëshiroja që këta drejtues, politikanë apo figura të kulturës dhe artit të ditëve të sotme, të konsiderohen si ëngjëj apo patriotë dhe legjendarë nga brezat e ardhshëm.

Atdhedashuria i frymëzon njerëzit, siç bëri sigurisht me Etërit tanë. Por edhe kur i frymëzon, ajo nuk ua heq aftësinë për të bërë gabime, madje edhe gabime serioze. Atdhedashuria i frymëzon njerëzit, por shpesh dëshira për status dhe interesi personal, i frymëzon ata më shumë. Kjo është si të thuash bekimi dhe mallkimi ynë, kjo është natyra njerëzore dhe shpesh ata që ne i quajmë etër të kombit bëjnë gabime monstruoze, të cilat për çudi ne i harrojmë me qëllim apo për naivitet. Etërit e kombit ishin qenie njerëzore me të meta si ju apo unë. 

Të qenit perfekt nuk është ajo që e bën diçka të bukur, por, janë papërsosmëritë që i bëjnë njerëzit perfekt.

“Sa më i përsosur të jetë personi nga jashtë, aq më shumë demonë ka nga brenda.”

Nën mbulesën e lëmuar të përsosmërisë shpesh shtrihet një tapiceri e emocioneve dhe dobësive të paeksploruara. Konstatimi i Frojdit penetron nëpër fasadë, duke na kujtuar se autenticiteti shfaqet kur ne njohim dhe integrojmë papërsosmëritë tona. 

Prandaj shpesh thuhet se një gënjeshtër qëndron në njërën këmbë dhe vërteta në dy, duke nënkuptuar se perfektja nuk ka kuptim pa bashkëegzistencën e joperfektes. Është fyese në fakt, biles djallëzore do të thoja, prezantimi i shumë figurave tona të shquara në fusha të ndryshme si ajo e politikës, artit, shtetformimit etj si perfekte, duke mos nxjerrë në dritë anën e tyre negative . Ky është shërbimi më i keq që ata mund t’i bëjnë kombit sepse sa më perfekte ata ta paraqesin të kaluarën dhe personazhet e saj, aq më shumë ata mbulojnë demonët e tyre dhe nuk i japin mundësi kombit të njohi demonët e tij, të sfidojë limitet e veta dhe të marri përgjegjësi për dështimet dhe problemet e krijuara. Ne si komb e kemi domosdoshmëri të përballemi me demonët tanë, me problemet dhe gabimet e heronjve tanë realë dhe imagjinarë dhe nuk kemi nevojë për të ashtuquajturit intelektualë, të cilët për shkak të injorancës apo djallëzisë së tyre injektojnë mentalitetin e skllavit tek shqiptarët, duke fajësuar gjithmonë fqinjët tanë, fuqitë e mëdha apo komunizmin( të cilin ne vetë e përqafuam). Ndërkohë që shumë nga analistët apo edhe atdhetarët tanë shajnë komunizmin dhe komunistët me të drejtë, po këta persona harrojnë të përmendin faktin se Fan Noli, si një nga figurat më të mëdha patriotike dhe kulturore të vendit, ishte përkrahës i Bashkimit sovjetik si edhe u bekua si kryepeshkop i vendit nga kisha ortodokse e Rusisë. Gabimi i Nolit ishte tërësisht njerëzor, po të kemi parasysh faktin se edhe një nga filozofët më të mëdhenj të shekullit të kaluar dhe pikërisht Jean Paul Sartre, ishte një mbështetës dhe avokat i socializmit dhe komunizmit. Kjo nuk e ul aspak figurën e Nolit, përkundrazi e bën atë më perfekte, më njerëzore dhe na tregon qartë se ne shqiptarët kishim dhe ndoshta kemi një tendencë jokoshiente për të përqafuar komunizmin apo të majtën, dhe kjo ndoshta edhe si pasoje e ndarjes kulturore dhe ekonomike nga europa perëndimore, për shkak edhe të pushtimit otoman. Kjo nuk na shfajëson, por përkundrazi na jep një mundësi të jemi koshient për kufizimet tona dhe na inkurajon të përballemi me këtë fakt në çdo hap tonin. 

Gjithashtu shpesh akuzohet perëndimi për neglizhencën ndaj Shqipërisë, sidomos pas luftës së dytë botërore, e cila përmbysi ëndërrën e patriotëve dhe intelektualëve shqiptarë të kohës. Gjithashtu akuzohen (me të drejtë) komunistët, të cilët u bënë vasalë të sllavo-komunistëve dhe si të tillë shkatërruan përfundimisht ëndërrën e bashkimit të Shqipërisë duke e futur vendin në periudhën më të zezë të historisë së Shqipërisë. Këto javët e fundit ka pasur shumë shkrime për figurat e nderuara të patriotëve, që luftuan me pushkë dhe penë për bashkimin kombëtar. Figura të tilla të nderuara si Mustafa Kruja dhe Ernest Koliqi etj, luftuan dhe punuan për bashkimin e vendit dhe përhapjen e dijes në vend dhe kjo përshkruhet në faqet e ndryshme të gazetave të vendit. Të krijohet përshtypja se fati ka qenë kundër tyre dhe vendit tonë, por le të ndalemi pak se askush nuk është ëngjëll e ndoshta edhe kanë gabuar. Në fakt, Kruja si kryeministër dhe Koliqi si ministër i arësimit, nuk bashkëpunuan me qeverinë e Zogut për interesin kombëtar, përkundrazi u munduan ta sabotojnë atë dhe kur nuk arritën synimet e tyre, u larguan në Serbi e më tej në Itali. Ata nuk pushuan së punuari për realizimin e qëllimeve të tyre patriotike, por ndoshta mënyra që zgjodhën ishte e gabuar. Ndoshta nga dëshira e madhe për ta parë Shqipërinë e bashkuar, ndoshta edhe nga dëshira e madhe e tyre për pushtet e lavdi, bëri që ata të ndihmojnë në pushtimin fashist nga Italia fashiste, duke e rreshtuar Shqipërinë me vendet totalitariste dhe kundër boshtit anglo – amerikan. Me qëndrimet e tyre bënë të mundur bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, por i dhanë indirekt ndihmën më të madhe komunizmit në Shqipëri. Komunistët, me mbështetjen direkte të jugosllavëve, shfrytëzuan urrejtjen popullore ndaj fashizmit dhe të gjithë e dimë çfarë ndodhi më tej. Gjithashtu ministri i arsimit ndaloi të gjitha shkollat e tjera, përveç shkollave fashiste, por pati meritë të madhe për përhapjen e shumë shkollave shqipe në Kosovë dhe dërgimin e 200 mësuesve atje. Të gjitha këto që thamë më lart nuk e zbehin aspak figurën e këtyre patriotëve të nderuar, por përkundrazi me imperfeksionet e tyre, i bënë edhe më të mëdhenj e njerëzor, duke na bërë ne të kuptojmë se ata ishin njerëz si të gjithë ne dhe duke njojtur imperfeksionet e tyre na japin neve mundësi të njohim demonët tanë dhe të reflektojmë. Të tillë shembuj ka shumë me figurat tona të pas viteve 90, gabimet e të cilëve kanë qenë fatale për vendin dhe tregojnë qartë se në shumicën e rasteve, këto figura janë motivuar nga interesat e tyre personale për pushtet e para dhe lavdi. I ngjashëm ishte rasti i Ramës kur i servilosej rekomandimeve të ndërkombëtarëve për idenë e Ballkanit të hapur, në bashkëpunim me Vuçiç-in e Serbisë, por kundër interesave të Kosovës dhe kombit. Po ashtu edhe rasti i PD-së, e cila mbështeti një kriminel dhe armik të shqiptarëve në zgjedhjet e Himarës, për interesa të ulëta personale, por antikombëtare.

Si është e mundur që një nga figurat më patriotike në vend, siç është Mid’hat Frashëri, shihet me urrejtje nga një pjesë e shqiptarëve dhe me adhurim nga një pjesë tjetër. Si ka mundësi që ne nuk arrijmë të vlerësojmë si komb vlerat e mëdha të tij, megjithë gabimet njerëzore të tij.

Në përgjithësi, Etërit e kombit tonë nuk duhet të shihen si supermen më të mëdhenj se jeta, por më tepër si qenie njerëzore me të meta por me arritje të mëdhaja për kombin. Ne mund  dhe duhet  të mësojmë pjesët e shëmtuara të historisë së kombit tonë, edhe nëse kjo i largon baballarët tanë themelues nga heronj të përsosur në qenie njerëzore të zakonshme. Le të jemi mirënjohës për të gjithë ata që sakrifikuan dhe punuan për lirinë tonë.

Filed Under: Fejton

Ambasadorët e BE-së konfirmojnë Sorensenin emisar për dialogun Kosovë-Serbi

January 24, 2025 by s p

Gjeraqina Tuhina/ RTK/ Bruksel/

Ambasadorët e shteteve anëtare të Bashkimit Evropian kanë miratuar emërimin e diplomatit nga Danimarka, Peter Sorensen për përfaqësues të veçantë për dialogun mes Kosovës e Serbisë.

Emrin e Sorensen si pasardhës të sllovakut Miroslav Lajçak, javën e kaluar e ka propozuar shefja e diplomacisë evropiane Kaja Kallas.

Sipas disa zyrtarëve të njoftuar me proces, roli i Peter Sorensen në dialog duket se do të pësojë ndryshime, në krahasim me funksionin që e ka bërë Lajçak në gati 5 vitet e fundit.

Përderisa Lajçak ka qenë i angazhuar në tërësi në procesin e dialogut, dhe atë në të gjitha nivelet, tani me ndryshimet në BE pritet që të ketë ndarje të përgjegjësive: emisari për dialog, në këtë rast Peter Sorensen, do të merret me dialog vetëm në nivel kryenegociatorësh, ndërsa Kallas e vetme do ta udhëheqë dialogun në nivelin më të lartë politik – atë të liderëve të Kosovës dhe Serbisë.

Përderisa procesi i caktimit të emisarit të ri për dialog ka kaluar nëpër të gjitha procedurat e domosodshme, emërimi formal i Peter Sorensen do të bëhet të hënën që vjen në takimin e ministrave të jashtëm të shteteve anëtare të Bashkimit Evropian.

Ai do e merr detyrën më 1 shkurt, meqë emisarit në largim Miroslav Lajçak i skadon mandati më 31 janar.

Filed Under: Analiza

ISMAIL QEMALI NË 106 VJETORIN E KALIMIT NË AMSHIM

January 24, 2025 by s p

Ismail Qemali, marrëdhëniet e tij me Italinë për Pavarësinë e Shqipërisë (në burimet arkivore diplomatike italiane)

Dr. Paulin Marku*

Ismail Qemali është ndër figurat kryesorë të veprimtarisë politike e organizative në fillim të shekullit XX. Ai nuk mbeti vetëm në suazën politike, por pati jehonë të madhe dhe në qarqet diplomatike. Ashtu si diplomatët e tjerë, edhe italianët interesoheshin për situatën në Perandorinë Osmane dhe për rrjedhojat e ngjarjeve në Ballkan, përfshirë dhe ato në viset shqiptare. Kancelaritë e huaja ndiqnin me interes zhvillimet politike të Portës së Larte si dhe të krerëve shqiptar.

Po ashtu, lëvizjet e Ismail Qemalit ndiqeshin me interes dhe nga autoritetet e larta të Stambollit dhe nga diplomacitë e huaja. Ai ishte një personalitet i rëndësishëm në procesin e gjatë dhe të vështirë të Pavarësisë së Shqipërisë. Italia ishte e interesuar për gjendjen e trazuar në Ballkan dhe për çështjen shqiptare. Në arkivin historik e diplomatik të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë gjenden dokumente të rëndësishme për çështjen shqiptare. Aty ka të dhëna të shumta për situatën politike, ekonomike e kulturore të shqiptarëve. Dokumentet arkivore italiane hedhin dritë mbi lëvizjet dhe organizimin e shqiptarëve, me të dhëna të shumta në spektrin politik, ekonomik kulturor-shoqërore. Po ashtu, gjenden materiale të shumta për elitën politike të kohës në shërbim të lëvizjes kombëtare shqiptare. Një vend të rëndësishëm zënë edhe takimet politike e diplomatike gjatë periudhës së Pavarësisë së Shqipërisë dhe Konsolidimit të Shtetit Shqiptar, kryesuar nga Ismail Qemali.

Italia informohej në mënyrë të vazhdueshme nëpërmjet diplomatëve e bashkëpunëtoreve të tyre për lëvizjet e elitës shqiptare dhe për politikën e brendshme të Perandorisë Osmane. Ismail Qemali, ishte njëri prej tyre që mbronte interesat e popullit shqiptar brenda parlamentit në Stamboll dhe ishte një zë i fuqishëm në politik-bërje, ndaj ngjallte interes veprimtaria e tij. Rikthimi i tij në jetën aktive politike në vitin 1908, falë rivendosjes së kushtetutës dhe legjislacionit perandorak që detyronte Portën e Lartë të shpallte zgjedhjet parlamentare, shikohej pozitivisht nga shqiptaret dhe ndiqej me interes dhe nga diplomatët e huaj. Rikthimi i Ismail Qemalit në atdhe për të marrë besimin e shqiptarëve me votë, për në parlamentin e Stambollit duke bërë fushatë elektorale në zonën Berat-Vlore u ndjek me shumë interes dhe nga Italia. Ai, e priste prej kohësh shpalljen e kushtetutës perandorake dhe daljen e një amnistie të përgjithshme që i lejonte rikthimin në vendlindje. Në takimin e Ismail Qemalit me ambasadorin italian në Londër, San Giuliano, ndodhur në gusht të vitit 1908, pohonte për Ministrinë e Punëve të Jashtme të Italisë rreth bisedës së tyre.

San Giuliano shprehej se ishte diskutuar për çështjen konstitucionale dhe për situatën e shqiptarëve gegë e toske të cilët dëshirojnë kushtetutën, lirinë, rendin dhe progresin. Në njoftimin e tij, diplomati italian e përshkruan Ismail Qemalin si një burrë inteligjent shqiptar, që e njihte prej vitesh. Ai i kishte folur dhe për programin politik. Bëhet fjalë për vitin 1908 kur San Giuliano mbanë postin e krye-diplomatit italian në Londër që më vonë transferohet në Romë me detyrën Ministër i Jashtme i Italisë. Programi politik i Ismail Qemalit ishte i gjatë, ku përshkruante gjendjen në vilajetet shqiptare, projekt me mendim politik për të ardhmen. Në vitin 1908 shprehej se ishte për një “autonomi të gjere administrative në suazën e Perandorisë”, faktorizim i çështjes shqiptare në qarqet ndërkombëtare dhe mbrojtjen nga copëtimi i territoreve shqiptare, themelimin e disa shkollave shqipe dhe shtypjen e shpërndarjen e librave në gjuhen shqipe dhe i kërkonte ambasadorit që vendi i tij të investoje në mënyrë sekrete dhe sa më parë, si dhe investime të kapitalit të huaj. Ndërkohë që Ismail Qemali mbante mandatin e deputetit dhe qëndrimet e tij opozitare ishin publike, bashkë me një grup deputetësh shqiptar në parlamentin e Stambollit, ai vazhdonte të mbante kontakte me diplomatët e huaj dhe herë pas here vizitonte përfaqësues të ndryshëm në Evropë.

Ismail Qemali nuk arriti të fitonte mandatin e II-të, të deputetit në vitin 1912. Ai gjithsesi nuk e ndaloi veprimtarinë politiko-diplomatike nëpër kancelaritë Evropiane për të lobuar në mbrojtje të drejtave kombëtare të popullit shqiptarë dhe përpiqej që të bindte diplomacinë e Vjenës, Romës, Londrës, etj, se ishte në dobi jo vetëm të shqiptarëve, por edhe të Perandorisë Osmane dhe të Fuqive Evropiane që të njihen sa më parë kufijtë dhe t’i jepej autonomia Shqipërisë. Dokumentet italiane paraqesin veprimtarinë intensive me informacione dhe raporte diplomatike të shumta për takimet dhe udhëtimet e intelektualëve shqiptar.

Përfaqësuesit shqiptarë kishin kërkuar ndihmë dhe mbështetje tek qeveria italiane edhe para 1912 por me daljen e pranverës gjendja në Ballkan ishte e tensionuar dhe shqiptaret përpiqeshin të krijonin aleat në mbrojtje të interesave kombëtare shqiptare. Italia tregohej e kujdesshme në qëndrimet zyrtare, duke i konsideruar probleme të brendshme çështjen e shqiptarëve me Perandorinë Osmane, si dhe për shkak të konflikteve të hapura në Tripoli.

Në një takim që Ismail Qemali kishte zhvilluar me diplomatin italian Labia, ishte shprehur se shqiptarët kishin shpresuar shumë tek ata, por nuk kanë marrë ndihmë nga Italia. Ai i kërkonte konsullit italian, që të komunikonte me Romën zyrtare dhe t’ju shpërndante shqiptarëve një sasi të konsiderueshme armatimesh. Sipas dokumentit diplomatik, thuhet se I. Qemali e motivoi kërkesën e tij me argumentin se, shqiptarët do t’i përdorin armët vetëm për vetëmbrojtje dhe jo për kryengritje sepse i frikësohej rrezikut të ndonjë ndryshimi territorial në dëm të programit shqiptar, pasi Lufta Italo-Turke e kishte dobësuar Perandorinë Osmane. Në gjykimin e tij situata ishte sa premtuese aq edhe e rrezikshme për të ardhmen e Shqipërisë. Në përfundim të takimit, Labia i kishte thënë Ismail Beut se qeveria italiane ishte e gatshme që në rrugë ligjore të nxiste Perandorinë Osmane që të siguronte kushte sa më humane për shqiptarët dhe këtë do të vazhdojë ta bëjë edhe në të ardhmen, ndërsa për pajisjen e shqiptarëve me armë nga ana e Italisë, i kishte dhënë një përgjigje negative. Sipas diplomatit ndihma e Italisë do të shkaktonte trazira të mëdha dhe do të jepte pretekste për interpretime Portës së Lartë.

Ai e këshillonte Ismail Qemalin që shqiptarët duhet të qëndrojnë të qetë dhe të evitojnë lëvizjet kryengritëse.

Citoj dokumentin e diplomatit italian, Labia dërguar Ministrisë së Jashtme të Italisë për takimin e zhvilluar me Ismail Qemalin, i klasifikuar telegram i rezervuar, nr. 230, nga Korfuzi, më 2 maj 1912: “Kam patur mbrëmë një intervistë me Ismail Qemal Beun. Në përfundim, pas të njëjtave deklarata dashamirëse kundrejt Italisë, ai shtoi se shqiptarët nuk kanë marrë deri më tani ndihmat e mëdha që prisnin prej saj. Ai më përsëriti se i kishte paraqitur Shkëlqesisë së Tij Markezit Imperiali, ambasadori ynë në Londër, kërkesën se meqë situata e vështirë në Turqi mund të sillte ndryshime territoriale në dëm të programit shqiptar gjatë dhe pas luftës italo-turke, Italia t’u shpërndante shqiptarëve një sasi të madhe armësh (nga ato të skartuarat e ushtrisë).” Por përgjigja ishte tepër diplomatike dhe e matur. Labia e falënderoi për ndjenjat në favor të Italisë, dhe ju përgjigja se, ishte në dijeni, se qeveria italiane ka bërë gjithmonë gjithçka ne mënyrë ligjore që të nxisë qeverinë osmane t’u siguronte kushte sa më humane shqiptarëve, dhe këtë do vazhdonte ta bënte me një interes të madh.

Diplomati italian pohonte nuk është e mundur të vendoset shpërndarja e armëve pasi kjo mund të krijojë pavarësisht gjithçkaje, një situatë të rrezikshme. Për më tepër elementë trazues shqiptarë nuk janë të gjithë të disiplinuar dhe të bindur. Ë shpërndarja e armëve nga ana e Italisë (që do merrej vesh shumë shpejt) do të jepte padyshim pretekste për interpretime dhe komente false dhe të rrezikshme.

Në qarqet diplomatike italiane situata në viset shqiptare konsiderohej shqetësuese. Këtë e konfirmonte një tjetër diplomat i Italisë nga Athina. Ambasadori pohonte se shqiptaret po bëjnë përpjekje për të siguruar armatime për popullatën. Në vazhdimësi të rendimit të situatës të shqiptarëve përpjekjet për të kërkuar ndihma dhe bashkëpunim me Italinë ishin të vazhdueshme të Ismail Qemalit. Këtë e konfirmon ambasadori italian në Paris nëpërmjet telegramit të tij, dërguar ministrit të Jashtëm San Giuliano, emërtuar, I rezervuar nr. 1564, telegram nr. 670. Në atë takim, Ismail Qemali kishte kërkuar ndihma nga Italia sepse revolta ishte në rritje dhe situata mund të përshkallëzohej dhe për pasoje rrjedhat e ngjarjeve mund të ndryshonin. Citoj: “Qemal Beu u përqendrua në lëvizjen aktuale shqiptare, duke u përpjekur që të marrë një ndihmë nga qeveria italiane. Sipas tij, revolta aktuale është e paracaktuar që të zgjerohet dhe të ketë ndikim të madh në qeverinë qendrore të Kostandinopojës aq sa të ndryshojë rrjedhën e ngjarjeve. Pavarësisht se Aloisi i kishte paraqitur deklaratat e përsëritura të Italisë për Ballkanin, Ismail Qemali ka këmbëngulur, duke treguar se ndërhyrja e Italisë mund të sillte një ndryshim të favorshëm për përfundimin e veprimeve ushtarake. Ai nuk kishte besim te udhëtimi i ministrit të Brendshëm Osman, Haxhi Adil beu për të kryer reforma në Shqipëri.”

Por, shpërthimi i kryengritjes së përgjithshme në vitin 1912 nxori në pah disa aspekte të rëndësishme të gjendjes së dobësuar të Perandorisë Otomane, shfaqjen haptazi për realizimin e qëllimit të shqiptarëve, si dhe nxjerrjen në pah të synimeve të fqinjëve ballkanik në dëm të tokave shqiptare.

Diplomacia italiane edhe pse në dijeni të ngjarjeve që ndodhnin në Shqipëri, ajo ishte shumë e kujdesshme në deklaratat zyrtare për situatën e rënduar në këto vilajete, madje evitonte të ndërhynte në punët e brendshme të Perandorisë. Qëndrimet zyrtare ishin për mos të hapur probleme të tjera me Stambollin si dhe për të mos ngjallur rivalitet me Austro-Hungarinë. Në komunikimet telegrafike që kishte patur ministri i Jashtëm i Italisë me diplomate italian, ai ishte shprehur se vendi i tij ishte në dijeni të trazirave që po ndodhnin dhe nuk mbështeste situatën e rënduar dhe masat e ashpra që po ndërmerrte ekspedita osmane në viset shqiptare. Italia pati edhe qëndrime jo zyrtare për përkrahjen e çështjes shqiptare, të cilat ishin iniciuar nga njerëz të pushtetshëm. Siç ishte rasti i vitit 1911 kur në Romë u themelua komiteti me lëvizjen “Pro Albania”, nën kryesinë e Ettore Ferrarit, që mbante postin e kryetarit të partisë Republikane. Komiteti u mbështet edhe nga i mirënjohuri Riciotti Garibaldi. Ai ishte edhe ndër nismëtarët që organizoi ekspeditën prej 500 vullnetarësh garibaldianë për t’u ardhur në ndihmë çetave shqiptare. Vullnetarët që do të niseshin nga vendi fqinj do t’i priste juristi arbëresh Terenc Toçi që ndodhej në Shqipëri, por në momentin e fundit kjo lëvizje u pengua nga qeveria italiane. Roma zyrtare deklaronte zyrtarisht se hiqte dorë nga lëvizja pasi dëmtonte interesat e politikes së jashtme të Italisë.

Tentativat e udhëheqësve shqiptarë për të siguruar ndihmë tek qeveria italiane ishin të vazhdueshme, por ato nuk përmbushen pritshmëritë e shqiptarëve. Ismail Qemali qe në marrëdhënie të mira me italo-shqiptaret. Ai kishte vizituar disa here komunitetin shqiptar në Itali. Edhe kur ishte pyetur në vitin 1907 nëse politika italiane përputhej me programin e popullit shqiptar, Ismail Qemali nuk kishte ngurruar të përgjigjej në mënyrë pohuese. Udhëtimet e Ismail Qemalit u shtuan në vjeshte të vitit 1912. Më 26 tetor 1912 Ismail Qemali niset nga Stambolli për në Bukuresht. Ai së bashku me Luigj Gurakuqin, e të tjerë prijës organizuan emigracionin shqiptar në Bukuresht, të cilët vendosen përgatitjen e një kongresi kombëtar shqiptar.

Gjithashtu, vendosen të dërgojnë telegrame në çdo cep të Shqipërisë se kishte ardhur koha që të realizohen aspiratat kombëtare. Pas takimit në Bukuresht, Ismail Qemali shkoi në Vjenë nga ku i dergoi edhe telegramin të birit rreth të ardhmes së Shqipërisë dhe të bënte të njohur lajmin e mirë në të gjitha anët e vendit. Biseda me Berchtoldin në Budapest, me miratimin e pikëpamjeve mbi çështjen kombëtare shqiptare, me përkrahjen gjithashtu edhe prej Italisë, Ismail Qemali u nis për Trieste ku e prisnin një grup shqiptarësh për t’u kthyer së bashku në Shqipëri. Më 28 nëntor 1912 u mblodh një asamble kombëtare, kryesuar nga Ismail Qemali dhe u shpall Pavarësia e Shqipërisë dhe u formua qeveria e përkohshme. Menjëherë u njoftuan me telegram Fuqitë e Mëdha për Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë.

Telegrami i kryetarit të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, Ismail Qemali, i datës 28 nëntor 1912, drejtuar Ministrive së Punëve të Jashtme të Italisë, Austro-Hungarisë, Francës, Gjermanisë, Rusisë dhe Britanisë së Madhe, me anë të cilit njoftonte për Shpalljen e Pavarësisë Kombëtare dhe kërkonte njohjen zyrtare nga ana e tyre.

Ndonëse shqiptarët nuk gjeten mbështetjen e pretenduar tek Italia, akti politik i Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë shënon fundin e procesit të komb-formimit modern te shqiptarët dhe i hap udhë procesit të ngritjes së shtetit shqiptar me mbështetjen kryesisht të Austro-Hungarisë dhe me përkrahjen e Italisë.

*Ribotim.

Filed Under: Politike

Përkujtojmë sot në 36-vjetorin e ndarjes nga jeta poetin dhe një prej figurave më të shquara të letërsisë arbëreshe, Vorea Ujko

January 24, 2025 by s p

QSPA/

Vorea Ujko (Domenico Bellizzi) lindi më 1931 në fshatin Frasnita (Frascineto), Kalabri. Studioi në Kolegjin grek të Romës dhe ka qenë prift dhe ka punuar si mësues i letërsisë në Firmo. U shqua me përmbledhjen Zgjimet e gjakut (1971). Spontaniteti i frymëzimeve të tij vijoi në mënyrë progresive duke u perfeksionuar në përmbledhjen Ankth (1979) dhe Këngë arbëreshe (1982). Poezia e Ujkos shquhet për përmallimin dhe krenarinë që ndien poeti për Shqipërinë. Ai bën përpjekje, ashtu si përgjithësisht të gjithë poetët e rinj arbëreshë, që t’i afrohen gjuhës së sotme shqipe. Krijimet e Ujkos janë publikuar në antologji dhe publikime në Itali, Shqipëri dhe Kosovë. Ai është pasardhësi i shkrimtarëve arbëreshë të shek. të 19-të, De Rada dhe Serembe, krijimet e të cilëve ai i njihte mirë dhe i admironte. Në krijimtarinë e Ujkos vihet re jo vetëm ndjenja atdhetare dhe romantike për Shqipërinë, veti kjo e shkrimtarëve shqiptarë në mërgim, por edhe ndjenja e forte e lidhjes së tij me kulturën dhe paraardhësit ballkanas, edhe pse ata kishin pesëqind vjet në dhe të huaj. Vorea Ujko vdiq në një aksident automobilistik në 24 janar 1989.

https://www.jemi.it/…/lettera…/83–sp-353/354-vorea-ujko

Në vegzën në vijim gjeni një letër që poeti Vorea Ujko ia ka dërguar mikut të tij Dritëro Agolli në një letërkëmbim rreth 10-vjeçar që kanë patur mes tyre: https://telegrafi.com/vorea-ujko-dritero-agollit…/

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 526
  • 527
  • 528
  • 529
  • 530
  • …
  • 2781
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT