• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

MARCO RUBIO – KRYEDIPLOMATI I RI I SHTETEVE TË BASHKUARA

January 23, 2025 by s p

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag

Description automatically generated

Marco Rubio, (53-vjeç) ish-Senatori republikan nga shteti Florida, jo krejt i panjohur për lexuesit — një yll i ri i Partisë Republikane të Amerikës për më shumë se një dekadë tani, përflitej për do kohë se do emërohej në ndonjë detyrë të lartë në mandatin e dytë të Administratës së Presdentit Donald Trump, megjithse kishte ssfiduar Z. Trump në fushatën e përzgjedhjes së kandidatit republikan për president 

—Frank Shkreli: Senatori Republikan antikomunist Marco Rubio në krye të Diplomacisë Amerikane? | Gazeta Telegraf

—Frank Shkreli/ Një yll i ri i partisë Republikane në SHBA? | Gazeta Telegraf – 

Ashtu edhe ndodhi, parashikimet u bënë realitet. Dy muaj më parë, Presidenti i zgjedhur Donald Trump e emëroi ish-Senatorin Marco Rubio në detyrën e Sekretarit të Shtetit – në krye të diplomacisë amerikane për katër vitet e ardhëshëm. Të hënën, menjëherë, pas betimit të Donald Trump në mandatin e dytë presidencial në Shtëpinë e Bardhë, Dhoma e plotë e Senatit amerikan, me vota unanime (99-0) konfirmoi emërimin e Z. Rubio në krye të Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH), ndërsa ditën e të martë ai bëri betimin në detyrën e re para Zevendës-presidentit J. D. Vance, duke u bërë kështu anëtari i parë i kabinetit të Zotit Trump në administratën e tij të dytë.  Sekretari i Shtetit, i emëruar nga Presidenti dhe me miratimin e Senatit, është këshilltari kryesor i Presidentit për politikën e jashtme. Me ndihmën e 80-mijë diplomatëve dhe nëpunsve të tjerë të DASH — të vendosur në Washington dhe në ambasadat amerikane anë e mbanë botës — Sekretari i Shtetit zbaton vizionin e politikës së jashtme të Presidentit.  Si ë tillë, këtë vizion, Kryediplomati i ri amerikan, Zoti Marco Rubio e njoftoi, publikisht, para Komisionit të Senatit për Punët e Jashtme, javën e kaluar  Opening Remarks by Secretary of State-designate Marco Rubio Before the Senate Foreign Relations Committee – United States Department of State,  angazhimin e tij për një politikë të jashtme të përqendruar tek interesat kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Duke folur në hollësi mbi sfidat kryesore të politikës së jashtme nga këpndveshtrimi I tij dhe administratës Trump, përfshirë kërcënimet nga Partia Komuniste Kineze, imigracioni në masë dhe konfliktet anë e mbanë botës, ndërsa paralajmëroi gjithashtu edhe për diktatorët në Moskë, Teheran e Phenian, që shkaktojnë destabilitet në botë.

Por, “Përfundimisht”, theksoi Z. Rubio, për administratën e Presidentit Trump, “përparësia numër një e Departamentit të Shtetit është interesi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, duke shtuar se. “Udhëzimi që ai (Presidenti Trump) ka përcaktuar për politikën e jashtme, është i qartë”, nënvijoi ai para Komisionit të Senatit për Punët e Jashtme. “Çdo dollar që shpenzojmë, çdo program që ne financojmë, çdo politikë që ne ndjekim, duhet të justifikohet duke iu përgjigjur këtyre tre pyetjeve:

A e bën Amerikën më të sigurt?

A e bën Amerikën më të fortë?

Dhe, a e bën Amerikën më të begatë?”

Z. Marco Rubio e zhdërvjelloi këtë ide disi më gjerësisht para Komisionit të Senatit të Punëve të Jashtme të mërkurën e kaluar:  “Të jesh i kujdesshëm në përpilimin e politikës së jashtme nuk do të thotë braktisje të vlerave tona. Por, s’do mend se ndërsa ne mbetemi kombi më i pasur dhe më i fuqishëm në botë, pasuria jonë nuk ka qenë kurrë e pakufizuar dhe forca jonë nuk ka qenë kurrë e pafund. Vendosja e interesit tonë thelbësor kombëtar, mbi të gjith tjerat, nuk është izolacionizëm; por është kuptimi i arsyeshëm se një politikë e jashtme e përqendruar në interesin tonë kombëtar nuk është ndonjë relikë e vjetëruar. Që nga shfaqja e shtetit-komb modern, mbi dy shekuj më parë, vendet kanë vepruar bazuar në atë që ata e perceptojnë si interesin e tyre kryesor kombëtar – kjo ka qenë normë, jo përjashtim. Dhe për vendin tonë, vendosja e interesit të Amerikës dhe e amerikanëve, mbi gjithçka tjetër, nuk ka qenë kurrë më e rëndësishme apo më e nevojshme se sa është sot. Sepse në fund të fundit, si mundet Amerika të promovojë sot kauzën e paqës në botë, nëqoftse nuk është vet e sigurt brenda kufijve të saj? Çfarë dobie ka Amerika për aleatët tanë nëse nuk është e fortë, për veten? Dhe si mund t’i japë fund Amerika vuajtjeve të fëmijëve të Zotit, anembanë botës, nëse, së pari, nuk është e begatë këtu ku jetojmë, në vendin tonë?”, theksoi ndër të tjera Marco Rubio, para Komisionit të Senatit për Punët e Jashtme.

Gjënë e parë që ai bëri ditën e martë, Sekretari i Shteteit Marco Rubio vajti në ndërtesën e Departamentit Amerikan të Shtetit për tu prezantuar dhe për të shprehur mirënjohjen për diplomatët amerikanë që shërbejnë në Washington dhe

anë e mbanë botës. Sekretari Rubio paralajmëroi, me atë rast se, po, “do ketë ndryshime por, ndryshimet nuk kanë për qëllim të dëmtojnë njeri, as të ndëshkohet ndokush”.

Gjatë seancës së miratimit në detyrën e tij të re, të mërkurën e kaluar, para Komisionit të Senatit për Punët e Jashtme dhe në fjalimin që mbajti në Departamentin Amerikan të Shtetit në Washington, Sekretari Rubio, i lindur në Amerikë, por me prindër nga Kuba – foli për familjen e tij dhe prindërit e tij të arratisur nga Kuba në vitin 1956, të cilët, sipas tij, erdhën në këtë vend pa asgjë, por vetëm me një ëndërrë, për një jetë më të mirë, tha Z. Rubio. Kjo ditë, shtoi ai, më kujton se ishin, prindërit e mi, të cilët nuk janë më me ne, ata të cilët përgatitën rrugën që më solli mua këtu ku jam sot. Falë atyre, nenvijoi ai, “unë kam pasur privilegjin që të kem lindur në vendin më të madhërishëm në historinë e botës”. Përveç mirënjohjes për prindërit dhe familjen e tij, Sekretari i ri i Shtetit – ndryshe nga shumë para-ardhës tij tij –në prak të fillimit të detyrës së re në krye të diplomacisë amerikane — falënderoi të Madhin Zot për bekimet që i ka akorduar atij në jetën e vet.

“Besimi im është kritik dhe është diçka në të cilën do të mbështetem dhe do të mbështetem shumë në muajt në vijim. Në një botë të trazuar – ne jemi thirrur të promovojmë kauzën e paqes dhe të mirën e përbashkët. Kjo detyrë është bërë më e vështirë se kurrë”. Si përfundim, vazhdoi Sekretari i Shtetit Rubio, “Unë do të mbështetem shumë në besimin tim dhe do të lutem për bekimet e Zotit, që ai të më japë forcën, mençurinë dhe guximin për të bërë atë që është e drejtë, në këto momente të vështira”, është shprehur Z. Rubio.

Në fjalimin e tij para Komisionit të Senatit për Punët e Jashtme, Z. Rubio vlerësoi se, me fundin e luftës së ftohët dhe me triumfin e demokracive perendimore mbi komunizmim, në Amerikë u krijua njëfarë konsensusi politik nga të dy partitë kryesore se, “Tani kishim arrijtur në fund të historisë”, siç u shpreh ai. “Se të gjitha kombet e botës tani do të bëheshin anëtarë të demokracisë të udhëhequr nga vendet perëndimore demokratrike. Se një politikë e jashtme që i shërbente interesit kombëtar, tani mund të zëvendësohej me një politikë që do t’i shërbente rendit të ri liberal botëror. Me besimin se i gjithë njerëzimi tani ishte i destinuar të braktiste sovranitetin dhe identitetin kombëtar dhe në vend të kësaj do të krijohej një familje e madhe njerëzore dhe të gjithë do bëheshin qytetarë të botës. Kjo nuk ishte, thjesht, një fantazi. Tani ne e dimë se ishte një mashtrim i rrezikshëm”, ka thenë Z. Marco Rubio në dëshminë e tij para Komisionit të Senatit për Punët e Jashtme, të mërkurën që kaloi, duke shpjeguar përparësitë e politikës së jashtme të administratës së Presidentit Trump.

Ndërkaq, Z. Rubio paralajmëroi mbi “krizën historike të migracionit” në masë, jo vetëm në Amerikë por anë e mbanë botës, që sipas tij, është një krizë që po kërcënon të destabilizojë shoqëritë dhe qeveritë e ndryshme në botë. Ndërkohë, që sipas tij, anë e mbanë botës perëndimore, “qeveritë tani censurojnë e madje ndjekin penalisht kundërshtarët e mbrendshëm politikë”, është shprehur Rubio.

Prandaj, “8 dekada më vonë, neve na kërkohet edhe njëherë që të krijojmë një botë të lirë nga kaosi aktual në botë, ndonëse kjo nuk do të jetë e lehtë. Një gjë e tillë do jetë e pamundur pa një Amerikë që beson në vetvete dhe që angazhohet në botë, duke vendosur, edhe njëherë, interesat tona themelore kombëtare, mbi çdo gjë tjetër”, theksoi Rubio, duke u mbështetur edhe në mandatin e dhenë administratës Trump nga zgjedhsit amerikanë:  “Ata duan një Amerikë të fortë – një Amerikë të fortë dhe të angazhuar me botën, një Amerikë me një objektiv të qartë për të promovuar paqën në botë dhe sigurinë e begatinë në vendin tonë, Amerikën… Një premtim i dhenë, një premtim i mbajtur që do jetë thelbi i misionit të Departamentit Amerikan të Shtetit”, ka thenë Z Rubio në fund të dëshmisë së tij para antarëve të Komisionit të Senatit që merret me Punët e Jashtme të Amerikës.

Duke reflektuar mbi fjalët e Sekretarit të ri të Shtetit, Z. Marco Rubio, drejtuar Senatit, punonjësve dhe diplomatëve amerikanë në Washington dhe anë e mbanë botës, është e pamundur të heq nga mendja aktualitetin e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane në përgjithsi dhe ato midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, në veçanti.  Sa i përket marrëdhënieve Tiranë-Washington, nuk e di se ç’të them, në këtë ndërrim të administratave në Washington. Nuk besoj se e ekzagjeroj kur them se ato vazhdojnë të jenë në nivelin më të ulët në këto tri dekada, ndoshta me përjashtim të vitit 1997. Frank Shkreli: Thikë m’u në zemër të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane!     | Gazeta Telegraf  Më duket si një ftohje e shëmtuar në marrëdhëniet midis dy vendeve tona — një pauzë e pashpjegueshme në marrëdhëniet dy-palëshe! Për mua, dikush ka vepruar sistematikisht dhe në mënyrë djallëzore që të sillnin marrëdhëniet shqiptaro-amerikane në këtë pikë dëshpërimi, pas aq shumë përpjekjesh për t’i vendosur ato në nivelin që duhej dhe që meritonin, historikisht. Kush dhe pse?! Keqëbërsit, kurrë mos bëfshin hajër!  Në pikën më të ulët ku janë sot – duke e goditur rëndë gjënë më të mirë, për shumë shqiptarë kudo në botë – rivendosjen e marrdhënieve të Shqipërisë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës 35-vjet më parë – pas pothuaj një gjysëm shekulli komunizëm.  Sidoqoftë, presim dhe shpresojmë që marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të nxirren nga absurditeti aktual dhe të sillen në normalitetin diplomatik, ashtu siç u ka hije dy kombeve, historikisht, mike. 

Fjalët e Sekretarit të Shtetit mbi vizionin e politikës së jashtme të administratës së Presidentit Trump janë të qarta. Se si dhe nëse ai vizion do mund të shëndërrohet në një realitet më të mirë për Shtetet e Bashkuara, për marrëdhënie më të mira midis Shqipërisë dhe Amerikës-Kosovës dhe Amerikës dhe për një Amerikë më të fortë, më të sigurt, apo më të begatë dhe për një botë në paqe – atëherë kjo mbetet për tu parë, në muajt dhe vitet e ardhëshme.

Zoti e bekoftë Amerikën dhe Kombin shqiptar në këtë kohë të vështirë!

Image

Presidentja e Republikës së Kosovës ishte ndër udhëheqsit e parë ndërkombëtarë që, në emër të popullit të Kosovës, dërgoi urimet e saj Sekretarit të ri të Shtetit (DASH), Z. Marco Rubio për detyrën e re në krye të diplomacisë amerikane. “Kosova pret me padurim të bashkpunojë me ju për fuqizimin e alancës tonë të fortë dhe për promovimin e vlerave tona të përbashkëta, përball sfidave të kohës në të cilën jetojmë”, shkruan e para e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në urimin e saj drejtuar Sekretarit amerikan të Shtetit me rastin e fillimit të punës në krye të diplomacisë amerikane në administratën e Presidentit Donald Trump. *Foto nga një takim i para disa muajve i Presidentes së Kosovës me Senatorin Marco Rubio në zyrën e tij në Kongres.

Filed Under: Politike

Avokat Elton Laska vizitoi Vatrën

January 23, 2025 by s p

Avokat Elton Laska vizitoi Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra. Ai u prit nga sekretari Dr. Pashko Camaj, anëtari i kryesisë Ilir Cubi, vatrani Bashkim Shehu dhe një grup atdhetarësh nga New York. Temë kryesore e diskutimit ishte pjesëmarrja e diasporës në zgjedhje dhe situata politike, ekonomike dhe shoqërore në Shqipëri. Dr. Camaj në fjalën e tij u shpreh se vota e qytetarëve është garanci dhe siguri për demokracinë funksionale dhe institucionet e qëndrueshme. Avokat Elton Laska, bashkëthemelues dhe Sekretar i përgjithshëm i Lëvizjes politike “Shqipëria Bëhet” vlerësoi punën e Federatës Vatra në çështjen kombëtare si një nga shtyllat kryesore të atdhëtarizmës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në të mirë të komunitetit shqiptar në Amerikë, të e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Av. Laska apeloi për shqiptarët e Amerikës që të jenë aktiv në procesin historik të pjesëmarrjes së diasporës në zgjedhje duke ndikuar drejtpërdrejtë në demokratizimin e jetës politike në Shqipëri. Aktivisti Laska vuri theksin te domosdoshmëria e rrëzimit të kësaj klase politike e cila e ka sunduar Shqipërinë në këto 34 vite duke detyruar shqiptarët që ta braktisin vëndin e tyre më shumë se asnjë komb tjetër në Europë në këto dekada.

Filed Under: Analiza

A janë reale ato që besojmë për veten tonë, për ditët tona?

January 23, 2025 by s p

Agim Baçi/

A janë reale ato që besojmë për veten tonë, për ditët tona? Ndoshta vetëm kur e bëjmë këtë pyetje nisim turin e dyshimit brenda kohës sonë të brendshme, duke u rrotulluar në cepat e gjithë historive që na kanë ndodhur, se mos shohim diçka që e kishim harruar. Dhe habitemi edhe vete se si një detaj i dikurshëm, është kthyer papritur në qendër historie për ne vetë.

Rrëfimet e Haruki Murakamit janë një udhëtim i nëndheshëm i përditshmërisë njerëzore. Ngjarje që thuajse mund t’i lëmë mënjanë, njerëz që ndoshta s’do të na bënin përshtypje kurrë apo histori që shpesh i kemi harruar në çastin e sapondodhur, Murakami na i sjelle të ndërthura me pikëpyetjet më më të mëdha të Njeriut.

Çfarë duhet të besojmë? A ka diçka përtej reales që duhet ta shohim? A mund të jetë reale vetëm ajo që shohim? A mundet që t’i besojmë vetëm realitetit? Apo duhet t’i jepemi ëndrrës, parashikimeve, hamendjeve?

Përmes 647 faqeve të romanit “Kronika e zogut kurdisës” Murakami arrin të ngrejë një trill përshkrues, ku e lidh si një fill të shkuarën dhe të tashmen, e ku njohja e vetvetes dhe tjetrit mbetet sfida e përhershme që nuk ka kohë, por ka gjithnjë nevojë për përgjigje.

“Fundja, një qenie njerëzore, a mund të arrijë ta kuptojë në mënyrë të përkryer një qenie tjetër njerëzore? Mund të harxhojmë kohë dhe energji të tepërt në përpjekje për të njohur dikë, por, në fund të fundit, vetëm sa i afrohemi thelbit të vërtetë të tij? Mund të bindim veten se dikë tjetër e njohim shumë më mirë, por a ia njohim vërtet gjërat e rëndësishme?”. (“Kronika e zogut kurdisës”, Hauki Murakami, Skanderbeg Books, përkthim nga Etta Klosi).

Okada, një 30 vjeçar ish jurist, i dalë i papunë, nis të quhet nga fqinjia e tij 16 vjeçare May Kasahara si “Zogu kurdisës”, një “zog” i cili më pas me “këngën e tij” na përcjell kronikat e ngjarjeve, njerëzve, historive, e sidomos atë të një marrëdhënie të pakuptueshme edhe pse dashurore me të shoqen, Kumikon. Kjo e fundit e braktis për një dashuri të pamenduar. Në fakt, një çmenduri seksuale. Por ky është veçse prologu. Marrëdhënia e saj me të vëllain, Noburu Wataya, është rrënja e thellë e perverses që kërkon të dalë në sipërfaqe. Përndryshe, mbetet një plagë që mund të të infektojë shpirtërisht për sa kohë nuk ke mundur ta pranosh se dëshiron të shërohesh. Noburu është një politikan, emrin e të cilit Okada i ka vënë maçokut si një shenjë moskuptimi me të. Madje, i gjithë përshkrimi i tij për kunatin nuk është veçse një protestë ndaj kotësisë dhe paturpërisë, që ka zënë rrugën drejt majave, si pjesë e një realiteti të trishtë, por fatkeqësisht të kudondodhur e kurdoherëndodhur.

Kreta Kano dhe Malta Kano janë dy personazhet ndërkaq që shëtisin shpirtërisht, njëra si parashikuese e tjetra si praktikuese e imagjinatës dhe banales njëkohësisht. Kreta është ëndrra që Okada nis ta shohë kur ende s’ish mësuar me braktisjen e së shoqes. Kreta ka të shkuarën, ka dhimbjen, ka dhunën, por ka edhe mbijetesën.

Hurakami vjen edhe në në një intermexo që përfshin parashikim, tradhëti e mbijetesë. Kjo është historia e përshkruar nga togeri Tokutaru Maiya, i cili sjell Okadës amanetin e ish fqinjit të tij, Hondës. Një histori më pas që përshkruan luftën dhe mbijetesë dhe jetën e çuditshme pas kësaj mbijetese. Maiya dhe Okada duken sikur vijnë nga e shkuara, por në fakt, nuk janë veçse një lidhje e përhershme me të tashmen, ashtu siç do të munden të udhëtojnë në kohë, ashtu siç udhëtojnë edhe nga Japonia e Nakamurës drejt jetëve tona, a thua se jetojmë të gjithë në një ishull. E për Nakamurën, toka është veçse një ishull, ku reales duhet të dimë t’i lexojmë nëntokën e saj, atë që qëndron fshehur në këmbët tona. A duhet të ëndërrojmë apo të ndjekim veç realitetin? Nëse bëjmë vetëm të parën rrrezikojmë të mbetemi pa kuptim. Nëse i dorëzohemi vetëm të dytit, veçse duhet të pohojmë vdekjen e ngadalshme përmes moskuptimit. Atëherë, a mundemi të ruajmë një vallzim plot ritëm brenda nesh mes ëdrrës dhe realitetit?

Duke vendosur edhe Okadën në një fund pusi, siç kish ndodhur me togerin Maiya përpara se të shpëtohej nga Honda prej vdekjes pas kapjes rob nga mongolët, Murakami jepe paralelen e pikës së fundme shpirtërore, ku për t’u ringritur kemi nevojë gjithnjë për një dorë, për një forcë të madhe, për një besim të madh. Dhe dora për Okadën vjen përmes letrave të 16 vjeçares Maya, me përshkrimet e saj për botën, që hapin derën e së ardhmes, madje edhe të dashurisë.

Haruki Murakami përshkruan dhe gjykon, rrëzon dhe ngren, jep gjirizet e fundme të botës njeriut, por harruar kurrë të shohë larg, e të besojë, se sa i fortë është ai që di të dojë veten dhe të tjerët. Përmes një stili të jashtëzakonshëm ai ndërfutet në ndjesitë më intime, duke sjellë përshkrime të jashtëzakonshme, herë perverse e herë plot jetë, plot ashpërsi e besim. Eshtë një arkitekturë e botës me fjalë, e ndërtuar sipas stilit të tij, por ku mund të jetojë kushdo. E siç thotë përmes një prej personazheve parashikuese (Malta Kanos), ajo që i ndodh Okadës “nuk është nga ato gjërat që kanë fillim dhe fund, të majtë dhe të djathtë, para dhe mbrapa” ( f 223). Rrëfimi i Murakamit, që vjen përmes kronikave të “Zogut kurdisës”, e ndarë në kapituj paralajmërues të asaj që ndodh, i përket vetëm “Kohës së Njeriut”.

Filed Under: ESSE

«Porta e fshehtë» e Lordit Bajron

January 22, 2025 by s p

Luan Rama/

Eshtë një e papritur e bukur kur gjendesh para atij hoteli të vjetër në Athinë, i lënë ashtu, siç ka qenë më shumë se dy shekuj më parë, kur gjatë vizitës në Greqi, pasi kishin zbritur nga Janina, Lord Byron (Bajron) dhe miku i tij Hobhouse, kishin qëndruar atje tre muaj. Portokallet për të cilat shkruante dikur Hobhouse në kujtimet e tij nuk ishin më aty, përveç atyre gurëve antikë në oborr dhe një obelisku që tregonte për qëndrimin e Bajronit. Dritaret dhe gjithçka përreth të fusnin menjëherë në mjediset e asaj shtëpie të dikurshme të vejushës Makri, gruas së zëvendës-konsullit anglez me tri vajzat e bukura të saj apo „tri hiret“ siç i quante Bajron, ku më e bukura ishte Tereza, e vogla, me flokët e saj të lëshuara që i derdheshin gjer ne bel. Në atë kohë, Bajroni shkruante këngët e para të poemës së gjatë „Childe Harold“, të cilën, siç do të shkruante ai, e nisi „në Janinë, Shqipëri, të filluar në 31 tetor 1809“. Në kujtimet e Bajronit „Memoires de Byron“, botuar nga miku i tij i afërt Thomas Moore, përshkruhet dhe gjithë udhëtimi i tij drejt Athinës.

Ai e kishte lënë Prevezën i shoqëruar nga 40-50 shqiptarë, kishte kapërcyer Akarninë dhe Etolinë dhe ishte nisur bashkë me mikun e tij drejt Moresë, duke ndaluar në Utraqi. “Në mbrëmje, – tregonte më pas ai, – meqë portat e fshatarëve ishin të mbyllura, bëmë përgatitjet të hanim darkën jashtë bashkë me shqiptarët tanë. Një dhi u pre dhe u poq e tëra në zjarr. Katër zjarre u ndezën dhe rreth tyre u ulën shqiptarët. Pasi hëngrën e pinë, ata u mblodhën rreth zjarrit më të madh, ku ne, më të vjetrit, qëndronim të ulur në tokë. Ndërkohë që qëndronim ashtu, ata i dhanë duart njëri-tjetrit dhe kërcyen rreth zjarrit me britmat e këngëve të tyre dhe me një energji të habitshme. (Subjekti i këngëve ishin gjithnjë bëmat e kleftëve, që këtu u thonë kaçakëve, hajdutëve, që në këtë kohë në Shqipëri e Greqi e kishin për nder. Po kështu quheshin edhe ata që kishin marrë malet e fshiheshin duke luftuar kundër tiranisë së Turqisë). Njëra nga ato këngë zgjati një orë. Ajo fillonte kështu: „Të gjithë kleftë nga Parga, ne ishim gjashtëdhjetë“… dhe pastaj vinte refreni: „Të gjithë kleftë nga Parga“…

Kur buçiste kjo strofë me gjithë forcën e mushkrive, ata ktheheshin me vrull rreth zjarrit dhe binin në gjunjë, duke përsëritur refrenin. Zhurma e dallgëve mbi gurët e vegjël të bregut ku ishim ulur, mbushte intervalet e këngës me një muzikë më të butë, por jo aq monotone. Nata ishte e errët, por nga dritat që hidhte zjarri shikoje drurët, shkëmbenjtë dhe pamjen e atyre valltarëve, çka i jepte atij vendi një pamje të habitshme dhe misterioze…“

Kur kishin mbërritur në Athinë, dy anglezët, kishin qëndruar tre muaj në shtëpinë e vejushës Theodhora Makri që priste e përcillte anglezë që kalonin andej. Ishte Theodhora me tri vajzat e bukura të saj, Katinka, Marjana dhe Tereza, ku më e bukura ishte e vogla me leshra të lëshuara. „Tereza, Katinka e Marjana, – shkruante Bajroni në kujtimet e tij , – kishin shtat mesatar dhe mbanin në kokë nga një kapuç të kuq shqiptar me një xhufkë blu, si dhe shami me ngjyra mbi kokë, kapur në tëmthat e tyre”. Atje, Bajroni dhe miku i tij kishin vizituar Akropolin që nderej mbi kokat e tyre. Madje Byron kishte shkuar dhe në Sunio, gjithnjë i shoqëruar nga shqiptarët e tij. Në kujtimet e tij ai shkruante sesi në Sunio, desh e kishin rrëmbyer ca kaçakë maniotë nga Mani i Peloponezit, por kur kishin parë dy shqiptarët pranë tij, ata kishin menduar se të tjerë shqiptarë vinin pas tyre dhe ishin larguar me shpejtësi, pasi me shqiptarët ishte e vêshtirë tê ndesheshin…“

Para se të largohej nga Athina për në Pire, për të marrë një anije angleze që shkonte në Smirnë, siç shkruante Thomas Moore, ai i ishte drejtuar vajzës së Theodhorës, duke i thënë: „O virgjëreshë e Athinës! Para se të ndahemi kthema zemrën time!…

Duke përsëritur këto vargje, mu shfaq gjithashtu dhe portreti i asaj vajze në tablonë e bukur të piktorit francez André Chalon, një francez i rritur në Londër, meqë ati i tij kishte mërguar atje. Ishte një piktor i njohur në rrethet aristokratike dhe i parapëlqyer i mbretëreshës Victoria, të cilës i kishte bërë disa portrete. Portreti i kësaj vajze adoleshente u pikturuar dhe nga shumê autorë tê tjerê, veçanêrisht anglezë.

Ishte kjo ditë plot diell rrëzë Akropolit në Athinë, që më solli në mendje Bajronin e madh dhe piktakimin e tij me shqiptarët. Vite më parë, në librin „Në udhëkryqet e kohës“ (Korrespondenca Paris-Tiranë), për Bajronin kisha shkruar një kapitull, që padyshim, duhej të vazhdonte…

«Porta e fshehtë» e Lordit Bajron

Adoleshenca jonë është përkundur me këngët e Çajld Haroldit, çka nuk ndodh tani. Ne ishim krenarë për vargjet e poetit anglez për Shqipërinë dhe shqiptarët, të cilët i shihte si një popull i virtutshëm dhe i veçantë nga të tjerët. Sigurisht ishte ndjenja jonë patriotike në një vend totalitar, ku si kishte mbetur gjë tjetër ku të kapej, veç disa adhuruesve të së kaluarës, si Xhorxh Gordon Bajron. A nuk shkruante ai në letrat dërguar mikut të tij John Moore se «I dua shumë shqiptarët… Arnautët ose shqiptarët, më kanë habitur me ngjashmërinë që kanë me skocezët e Hightlands… malet e tyre kanë një pamje si të Kaledonisë, me një klimë të këndshme. Edhe pse veshja e tyre ishte e bardhë, silueta e hollë dhe e shkathët, dialekti i tyre disi celtik në veshin tonë dhe jeta e tyre e ashpër, gjithçka më çonte në Morven»…

Kur isha kineast i ri dhe për herë të parë shkelja në kështjellën e Ali Pashë Tepelenës, imagjinoja çastin kur Bajroni kishte pikëtakuar me këto peizazhe të thyera, me kështjellën dhe zotin e asaj fortesë mitike, pashain që në atë kohë ishte një personazh nga më të pushtetshmit dhe më të dyshimtit jo vetëm për sulltanin, por dhe për kancelaritë e Europës. Për Bajronin do të mendoja dhe kur shkova në Delf, në Akropolin e Athinës dhe Maratonë, për të cilat ai kishte shkruar. Po kështu dhe kur shkova në Argos e Tripolica, ku ai takoi Veli Pashën, birin e Aliut, por dhe kur iu ngjita luginave të Kalamas e Çamërisë, atje ku Bajroni kishte shkruar se s’kishte parë vend më magjepës në jetën e tij, përveç Cintra-s së Portugalisë. Pra si të thuash kisha ecur në gjurmë të jetës së Bajronit jo thjesht për nostalgji të adoleshencës sime dhe dashurisë sublime që ai deklaronte për shqiptarët, por sepse ky njeri, ky bard i një epike moderne të asaj kohe, i cili adhuronte shkrimtarin Walter Scot, kërkoi të udhëhiqte botra të tjera drejt lirisë. Në këtë kuptim, Bajroni iu përkushtua Revolucionit grek jo për eksibicionizëm, por se ai donte të përçonte dritën e lirisë në popujt e robëruar, edhe kur ai e parandjente se ndoshta nuk do të kthehej më dhe se do të shuhej përgjithnjë. Ishte një lloj flake që jetonte brenda shpirtit të këtij bohemi që nuk mund të jetonte në dhomën e lordëve, kur ndërkohë Revolucioni e thërriste gjetkë.

Ky ishte imazhi që kishim krijuar ne dhe që ka mbetur ende ndër shqiptarët, gjer në tekstet e historisë. Por Bajroni ishte poet dhe artist, ishte njeri ku sensibiliteti i tejkalonte caqet e marrëdhënieve të zakonshme të një burri, duke kapërcyer shpesh në anën tjetër, atë të homoseksualitetit.

Madje dashuritë e tij kryqëzoheshin pa bërë dallimin e seksit para njeriut që ai adhuronte. Në Shqipëri duket ndoshta si një lloj tabuje të paraqesësh «portretin në hije» apo «portën e fshehtë» të Bajronit, atë që flitet në librat e kritikëve dhe biografëve dhe jo për publikun e gjerë, atë që një sy i vëmendshëm e lexon në rreshtat e letrave të tij dërguar miqve të tij Hobhouse, Moore, etj. A duhej prezantuar ky «portret-hije» i Xhorxh Gordon Bajron? Pse jo?! Homoseksualiteti nuk i ul asnjë vlerë as veprës dhe as figurës së tij, njëlloj si dhe bashkëpatriotit të tij anglez Oskar Uald, vite më vonë, e shumë të tjerë. Siç shkruante dhe një biograf i tij, Lesli A. Marchand, në librin Bajroni, portreti i një njeriu të lirë, “Në janar të vitit 1824, Bajroni kujtonte shpesh të kaluarën e tij dhe mikun e tij të vjetër të shkollës së Kembrixhit, koristin Edleston, i cili kishte vdekur në lulen e rinisë. Edleston ishte një nga dashuritë e tij perfekte, më shumë se për asnjë femër tjetër që ai kishte njohur”.

Duke shkruar për dëshpërimin e Bajronit përballë djaloshit që ai mbante me vete në Misolongj, Lukas Kalandrikanis, biografi Marchand shkruante: “Vallë a kishte gjetur ai tek Lukas diçka nga Edlestoni-i?… Por kësaj radhe, ndjesitë e tij komplikoheshin me një zhgënjim të ri: indiferenca e djaloshit të ri për dashurinë e tij. Ishte një dështim i hidhur që provonte tek ai se tani ishte “plakur në këtë botë vuajtjesh”… Të njëjtën gjë shkruante dhe kritiku Doris Langley Moore në librin The late Lord Byron: ”Ai kujtonte se në moshën 36 vjeçare dhe me një shëndet të keq, me shqetësimet dhe zhgënjimet e tij, ai duhej t’i dukej atij pesëmbëdhjetëvjeçari si një njeri i mbaruar; ai që kaq shumë njerëz e kishin dashur, në sytë e Lukas kishte vetëm një cilësi: që të mund të luftonte nën urdhërat e tij, me kostumin e praruar dhe xhepat plot para”. Pikërisht në këtë kohë Bajroni shkroi dhe një poezi, ku ndër të tjera shkruante:

“Eshtë koha që kjo zemër të pushojë së djeguri / sepse ajo s’mund të trondisë më një tjetër”.

Biografët duket se janë në një mendje: Dashuria për Lukas Kalandrianos e frymëzoi për poemën e fundit të shkruar nga dora e tij:

“Kur afrohej armiku dhe përgjoja mbi ty / Isha gati të qëlloja, të vriteshim të dy,

Pa mundur të shpëtonim dhe të ndanim së bashku, / Veç dashuri dhe liri…”

Edhe për shoqëruesin e tij Nicolo Argyri, që do ta angazhonte si drogman, ai do të shkruante mbi ndjenjat që kishte për të, siç lexojmë dhe në një nga letrat e shumta që i ka dërguar mikut të tij Hobhouse: “Me Nicolo-n, që është dhe profesori im i italishtes, ne jemi si filozofë. Unë jam “padroni” i tij, “miku” i tij dhe një Zot e di se çfarë. Dy orë pasi më kishte thënë se donte të më ndiqte gjer në fund të botës, për ta mbyllur, më tha se do të ishte mirë që ne jo vetëm të jetonim bashkë, por dhe “morire insieme” (“të vdesim bashkë”).

Në dhjetor të vitit 1824, të gjithë në Misolongj prisnin Bajronin. Koloneli Stanhope i shkruante mikut të tij Bowring se «Të gjithë këtu e presin Lord Bajronin si të ishte Mesia vetë». Dikush tjetër ka shkruar se ai u prit si një «Engjëll i shenjtë çlirues». Më 31 dhjetor, jo larg Misolongjit, i ndjekur nga anijet turke, Bajroni u detyrua të zbarkonte në breg. Po atë natë ai dërgoi drejt Anglisë një letër ku kishte shkruar: «Jam i shqetësuar jo për vete, por për këtë djalosh të ri që kam me vete. Do të preferoja ta bëja copa-copa atë dhe veten time, sesa të binim në duart e barbarëve». Ai ushqente një dashuri të jashtëzakonshme për të, ashtu siç kishte dashur dhjetë vjet më parë drogmanin që e shoqëronte ngado, Nicolo. Edhe ky e shoqëroi nëpër Greqi, Athinë, brigjet e Qefalonisë apo Moresë, në Patra e gjetkë.

Por le të kthehemi në piktakimin e tij me bukurinë mashkullore shqiptare. Në udhëtimin e tij të parë në Greqi e Shqipëri që në vitet 1809-1810, që ai bënte me mikun e tij Hobhouse nga Preveza në Misolongj e Janinë, ku takoi dhe kapitenin anglez Martin Leake, ai u habit me bukurinë dhe madhështinë e kostumeve shqiptare. Në Janinë, kur shkoi në hamamin e qytetit, ai nuk harroi të kujtojë në shkrimet e tij dhe ata «belli giovanni» (“djem të bukur”), të cilët i kishte parë me admirim. Në letrat e tij, Bajroni vë shpesh në dukje dashurinë e tij për shqiptarët. Ai i sheh ata pikësëpari si figura epike. Madje, pikërisht në Janinë ai filloi vargjet e para të asaj që më vonë do të ishte Çajld Harold.

Në letrat dërguar nënës së tij Katerina Gordon Bajron (12 nëntor 1809, Preveza), ai i shkruan se më 11 shtator ka lënë Maltën dhe bashkë me Hobhouse janë në Preveza tek konsulli anglez Strané. Pashai i ka dhënë një letër rekomandimi për djalin e tij të madh, Veliun, “që sundon në Moré, i cili ka influencë në Egjipt dhe që është një nga njerëzit më të fuqishëm të perandorisë osmane”. Pas 3 ditësh ai arriti në Janinë, ku mësoi se Ali Pasha ishte në Berat, ku kishte rrethuar Ibrahim Pashën e Beratit. Ali Pashës i kishin thënë se një anglez udhëtonte në trojet e tij dhe ai kishte urdhëruar komandantin e Janinës që t’i vinin në dispozicion një shtëpi me të gjitha komoditetet dhe gjithçka të ishte falas. Për nëntë ditë rresht ai udhëtoi me kuajt e pashait drejt Janinës, në një rrugë të vështirë plot përrenj e shkëmbenj që binin rrugës. “S’do ta harroj kurrë spektaklin e Tepelenës, – i shkruante ai nënës së tij. – Ishte ora pesë e mbrëmjes dhe dielli po perëdonte. Ky imazh më kujtoi përshkrimin që Skot i bënte kështjellës Bransksome me hiret e saj të Mesjetës. Shqiptarët ishin veshur me kostumin e tyre, që ishte më i bukuri në botë: fustanellë e bardhë, xhaketë e jelek veluri të praruar, pisqolla dhe kama të zbukuruara në argjend”…

Për të takuar Aliun, Bajroni kishte veshur kostumin e tij ushtarak, me shpatën ngjeshur. Djaloshi i ri ishte vërtet i bukur, dhe pashai, në sallën e madhe të veshur me pllaka mermeri, siç e përshkruante Bajroni, duke e pritur në këmbë, (çka tregonte shprehje respekti të veçantë), do të tërhiqej nga kjo bukuri gati femërore. “Një ditë më vonë takova Aliun, – vazhdonte Bajroni në letrën e gjatë të tij. – Ai më uli në të djathtë të tij dhe kishte si “drogman” një të quajtur Seculario, që dinte latinisht dhe përkthente krahas përkthyesit tim në greqisht. Aliu më tha se kapiteni Leake i kishte treguar se zbrisja nga një familje e madhe fisnike. Më përcolli nderimet për ty dhe më tha se e kishte dalluar se isha nga një derë e fisme, pasi kisha veshë të vegjël dhe flokë me bukla, dhe duart e vogla e të bardha. Veshja ime i pëlqeu. Më kërkoi që ta shikoja si një At dhe se ai më konsideronte si birin e tij… Në fakt, ai më konsideroi si një fëmijë. Njëzet herë në ditë më dërgonte bajame, ëmbëlsira, fruta dhe më thërriste të shkoja e të rrija me të, veçanërisht në mbrëmje kur ishte pak më i zënë. Aliu ishte rreth 60 vjeç, shumë i shëndoshë, jo i gjatë, por me tipare të bukura dhe sy blu të çelët dhe mjekër të bardhë. Fytyra nuk korrespondon me tipin e tij, sepse në fakt, ai është një tiran i pamëshirshëm. Por është dhe shumë trim. Dy herë Napoleoni i ka propozuar të bëhet mbret i Epirit, por ai parapëlqen më shumë aleancën me anglezët. Bonaparti i ka dërguar madje dhe një kuti “tabakoje” me portretin e tij. Por ai do më shumë origjinalin sesa kopjen e tij… Në fakt ai ishte një At për mua. Më dha letra rekomandimi, një eskortë dhe të gjitha lehtësirat që mund të imagjinohen. Bisedat tona të fundit ishin për luftrat, udhëtimet, politikën, Anglinë. Ai thirri luftëtarin e tij Vasili dhe e ngarkoi të më mbronte nga çdo rrezik. Si të gjithë shqiptarët, ai është trim dhe tepër i ndershëm… Raca e tyre është ndoshta me tiparet më të mira të njerëzve në këtë botë….”

Por dhe shqiptarët e deshën dhe e çmuan Bajronin, pasi ndryshe nga personazhet që vinin nga Perëndimi, Bajroni ishte ndryshe nga ata. Ai dinte ta falte menjëherë dashurinë dhe miqësinë e vërtetë. Interesant është fakti kur gjatë një udhëtimi, kur ai ishte në ishujt e Salaminës, Bajroni u sëmur, madje ethet e tij ishin të tmerrshme në Olimp. Ai donte të shkonte drejt Misolongjit, por gjendja e tij u rëndua aq shumë sa që dy shqiptarët që e shoqëronin, Vasili dhe çami Dervish Tahiri, u frikësuan për rrezikun e vdekjes së tij dhe i vunë koburen doktorit italian që po e mjekonte: ose ta shëronte, ose ndryshe do ta vrisnin. Në një nga letrat e botuara në librin për lordin anglez Bajroni, portreti i njeriut të lirë, shkruhej se “Pesë ditë ai vuajti në shtrat nga ethet. Më vonë ai do të thoshte se po mos të ishin dy shqiptarët që e kërcënuan për vdekje doktorin, ai do të kishte vdekur”. Më së fundi, më 2 tetor të atij viti, Bajroni shkruante se “Natyra e Jupiterit fitoi mbi doktor Romanelli-n”. Për dy shqiptarët, Bajroni ishte miku i shenjtë, apo miku i Zotit, dhe ata ishin betuar se do ta mbronin atë me jetën e tyre.

Biografët e Bajronit sjellin dhe një fakt tjetër interesant, kur Bajroni me dy shqiptarët bridhte nëpër Athinë, ngjitej në Akropol, shkonte gjer në Maratonë dhe më pas rikthehej të takonte miqtë e tij në Athinë. Një grup grekësh e kishin pikasur dhe ata e dinin se ai kishte para, me të cilat ndihmonte kryengritësit, por siç shkruan autori, “Kur panë dy shqiptarët e tmerrshëm, ata hoqën dorë nga plani grabitjes”. Ndeshja me shqiptarët do të kthehej padyshim në një gjakderdhje të tmerrshme. Në një rast tjetër, ai i shkruante mikut të tij, konsullit anglez në Patras, zotit Strané: “I dua shqiptarët… Para një jave, një shqiptar na ndihmoi të shpëtonim nga mbytja e anijes turke, pasi na ushqeu dhe na strehoi në breg (bashkë me Hobhouse, Fletcher, dy shqiptarët e tjerë, një grek dhe një prift që kishim në anije). Kur u ndamë, donim t’i jepnim ca para, por ai nuk i pranoi kursesi. U mjaftua vetëm me një fjalë se “ishim pritur mirë nga ai”, dhe se “është dashuria juaj që dua dhe jo paratë tuaja”. Këto ishin fjalët e tij”.

Por ngjarje më tronditse do të ishte ajo e ndarjes me dy shqiptarët e tij, para se ai të merrte anijen Hydra në Piré për tu nisur drejt Londrës, nga ku do të rikthehej dhjetë vjet më vonë në Misollongj, kur ishte vrarë Marko Boçari, për çlirimin e qytetit. Më keq e përjetoi këtë ndarje çami Dervish Tahiri.

Kur Bajroni i zgjati tufën e parave për ta shpërblyer për gjithë atë rrugëtim të lodhshëm në mbrojtje të tij, shqiptari ia kishte kthyer. Pastaj ai kishte kapur ballin me të dy duart dhe kishte filluar të qante me zë. Qante dhe klithte duke thënë në greqisht: “Më braktisi!”… Bajroni dhe ata që ishin përreth u përpoqën ta qetësonin shqiptarin e mjerë, duke mos e kuptuar këtë dënesë të tmerrshme të tij. Sigurisht, një skenë e tillë duhej të ishte si në skenat homerike, pasi ndarja me njeriun e dashur përjetohej si tragjedi, në një atmosferë të ndarjes së përjetshme, si një gjamë, kësaj radhe e jugut të Shqipërisë, jo për një të vdekur, por për atë që nisej në botën e largët për mos tu kthyer më. Ndryshe nga shqiptarët, greko-francezi Nicolo Argyri do t’i shkruante Bajronit letra të përlotura dashurie, ku i deklaronte se e dashuronte “fino alla morte” (“gjer në vdekje”). Dy dhembje të ndryshme, por që dallonin krejtësisht nga njëra-tjetra: në të parën, ndarja nga miku i shenjtëruar në lartësinë e Zotit; në të dytën, dashuria fizike e shpirtërore siç e gjejmë në të gjitha dashuritë midis dy sekseve.

Edhe Veli Pasha kishte qenë një personazh i çuditshëm në sytë e Bajronit, por dhe qejfli për meshkujt. Ja si i shkruante Bajron më 16 gusht të vitit 1810, mikut të tij Hobhouse (Lettres Intimes, Albin Michel, Paris): “Veli Pasha donte që të gjithë të moshuarit të shkonin andej nga i ati i tij dhe të rinjtë të shkonin me të, sipas shprehjes së tij “vechio con vechio, giovanne con giovanne” (“plaku me plakun, i riu me të riun”. Sigurisht kjo është gjë e mirë, por megjithatë, mënyra e tij që të përfshinte për beli dhe të shtrëngonte dorën në publik, ishte ngacmuese për “një të ri të dlirët” (pra për Bajronin, L.R.). Ai kishte një mjekër që i zbriste gjer në brez dhe më pyeti nëse nuk e çmoja dhe unë kështu këtë lloj rinie, duke shtuar dhe gjëra të tjera dhe duke i shqyer sytë nga Strané, aq sa më hutoi në përgjigjet e mia”.

Bajroni dhe konsulli anglez Strané, e dinin se pederastia në oborret e pashallarëve ishte normale dhe ata mbanin djem të rinj si “dylberë”. Nga Tripolica, në një letër drejtuar mikut të tij John Cam Hobhouse, më 11 gusht të vitit 1810, ai i kishte shkruar për takimin me djalin e Ali Pashës : “Veli Pasha më priti akoma më mirë se i ati. Më bëri dhuratë një kalë shumë të bukur dhe më nxiti me këmbëngulje që të takoheshim përsëri në Larisa. Kur mori vesh që s’do të shkoja në Larisa por në thellësi të tokave shqiptare, ai më tha: “Jo, mos e merr atë rrugë. Eja më mirë në Larisa, ku do të ndalem për pak kohë. Do hamë e do pijmë mirë dhe do të shkojmë bashkë për gjueti. Ai më nderoi duke më quajtur “mik” dhe “vëlla”, duke shpresuar që të ishim miq jo vetëm për disa kohë, por për gjithë jetën. Herën e parë që e pashë, ai më tha: “Djalosh trim dhe i bukur!”… Ai u tregua përbuzës ndaj shoqëruesve të mi, shqiptarëve Andrea dhe Vasili, dhe tha se do tu priste kokat po të silleshin keq me mua”.

Në vitin e fundit të jetës së tij, ose më mirë në gjashtë muajt e fundit, pas ardhjes së tij nga Italia e veriut, nga Gjenova dhe Venecia, Bajroni donte t’i jepte fund dashurisë së tij homoseksuale. Madje siç i shkruante në një letër dhe mikut të tij Hodgson, “ai do t’i braktiste veset e këqia të kësaj jete, se do t’i braktiste verën dhe kënaqësitë fizike, për tu lançuar në jetën politike dhe vepruar për të mirën”. Ndoshta dashuria që kishte ndjerë me Firencen, pas ndarjes me gruan e tij, dhe jeta aventureske që kishte kaluar më parë, e kishin bindur të fillonte një jetë të re. Udhëtimin e tij drejt Misolongjit ai e parandjente si një etapë të fundit të jetës së tij revolucionare. Por mjerisht, djaloshin Lukas nuk do mund ta harronte. Madje dhe në çastet e fundit, kur do të linte dëshirat e tij, ai kërkoi që paratë që i kishin mbetur t’ia linin djaloshit Lukas.

Javët e fundit të Bajronit midis suljotëve që e shoqëronin ishin të dhembshme. Patras kishte rënë në duart e turqve. Anijet turke patrullonin në det. Bajroni në atë kohë ishte vënë në krye të 500 suljotëve, që ishin larguar nga «trojet e tyre shqiptare», siç shkruante ai. Për të suljotët ishin shqiptarë dhe jo grekë, edhe pse ishin ortodoksë dhe të një feje me grekët. Madje, siç do të shkruante ai për Vasilin, «Ai ishte një ortodoks i bindur. Sa herë do të kalonte para ndonjë vendi të shenjtë apo kishe, ai do të bënte kryqin, por në fakt, priftërinjtë i konsideronte gjithnjë si batakçinj dhe hajdutë». Sidoqoftë, ideja e tij ishte të bashkonte prijësat e përçarë të këtij Revolucioni. Kur u sëmur në Misolongjin e lirë, Bajronin erdhi ta shikonte dhe Lukas Vaja, doktori i Ali Pashës, të cilin e kishte njohur dikur në oborrin e pashait të Janinës. Bajroni ishte në delir dhe herë pas here fjalët i thoshte disa në anglisht e disa të tjera në italisht. Pastaj bërtiste fort sikur të hidhej në luftë, duke thënë: «Përpara, kurajo!… Ndiqmëni pas! Mos kini frikë!… Bajronit i dukej se lufta kishte filluar dhe ai u printe suljotëve të tij trima. Më 19 prill të vitit 1824, zemra e tij pushoi. Atij i bënë homazhet ushtarake, siç i kishin bërë më parë dhe Marko Boçarit. Madje e vendosën në të njëjtën kishë ku kishin vendosur Boçarin. Pastaj trupin e tij e futën në një çisternë të mbushur me 800 litra alkool dhe më pas e nisën për në Angli me anijen Florida. Koloneli Stanhope, miku i tij, e shoqëronte drejt Zantes për të mbërritur pastaj në brigjet e lumit Tamise. Pikërisht pse njihej si njeri libertin, kisha nuk pranoi, që ashtu siç i takonte si lord që ishte, të varrosej në Westminster Abbey. Kështu ai u varros në varrezat e të parëve të tij, në kishën Hucknall.

Vdekja e Bajronit gjeti një jehonë të jashtëzakonshme në Europë. Ajo frymëzoi me dhjetra e qindra artistë francezë, gjermanë, italianë, anglezë, etj, duke filluar me të madhin Viktor Hygo, i cili i kushtoi poema të mrekullueshme suljotëve trima Marko Boçarit dhe Karaiskaqit, duke vazhduar me Delacroix dhe tablotë e tij mbi Markon dhe të suljotët që hidheshin si luanë në beteja. Lord Bajroni mund të kishte zgjedhur një jetë të paqtë, midis familjes së tij dhe Dhomës së Lordëve, por ai zgjodhi malet dhe stuhitë, trojet e revolucionit me heronjtë grekë e shqiptarë që ai i përjetësoi në vargjet e tij. E në këto stuhi të lirisë së popujve, homoseksualiteti i tij ishte si ajo porta e fshehtë që hapej veçse natën dhe ku përtej gjeje një tjetër Bajron, atë të dhembjeve dhe të dashurive të mëdha që siç thoshte ai, vazhdonte “fino alla morte”.

Filed Under: Kulture

TRAJTIMET E SPECIALIZUARA TË TË MBIJETUARVE TË MASAKRAVE DHE GJENOCIDIT NË KOSOVË 

January 22, 2025 by s p

AKADEMIA E SHKENCAVE DHE E ARTEVE E KOSOVËS – GJENOCIDI DHE MASAKRAT E SERBISË NË KOSOVË (1998-1999) – KONFERENCË SHKENCORE – (28 PRILL 2023).

Prof. ass. Mimoza Shahini

“Kur efektet e traumës nuk zgjidhen në një brez, kur injorohet dhe nuk ka mbështetje në trajtimin e saj, trauma do të kalojë nga një brez në tjetrin” – Prof. ass. Mimoza Shahini 2023.

Abstrakt

Kosova e pasluftës është përballur me vështirësinë e organizimit të shërbimeve mbështetëse për të mbijetuarit e masakrave. Natyrisht, mungesa e shërbimeve të specializuara e ka bërë edhe më të ndërlikuar vazhdimin e vuajtjeve psikologjike për të gjithë ata që kanë përjetuar ose kanë qenë dëshmitarë të ngjarjeve traumatike të lidhura me luftën, si vrasje, masakra, tortura, abuzime, humbje të pjesëve të trupit nga rënia në mina, dhuna seksuale, humbja e fëmijëve, zhdukja e familjarëve, si dhe shumë ngjarje që kanë lënë gjurmë në kujtesën dhe funksionimin e tyre në përgjithësi.

Intervenimi në të mbijetuarit e masakrave ka lidhje me eksplorimin e shumë ndjenjave si dehumanizim, humbje e shpresës, fuqia e se drejtës/padrejtësisë, përjetim ekstrem i traumës, drejtësia sociale, kuptimi që i jepet masakrave dhe të rënëve në ngjarje të tilla, faji i mbijetesës, kufiri midis jetës dhe vdekjes. Disa teori janë zhvilluar për t’u përballur me kompleksitetin e ndikimeve psikologjike të traumave që lidhen me ekspozimin ndaj luftës duke u munduar të ndërtojnë modele të reja të shpjegimit të reagimit ndaj traumës dhe ndërkohë të gjenden mënyra efektive të ballafaqimit me to. Këto modele marrin në konsideratë ndërveprimin kompleks të faktorëve psikosocialë të shumtë dhe reciprokë, të lidhur me politikat dhe ekologjike, të cilët njëkohësisht ndikojnë në fushat kryesore të jetës së të mbijetuarve. 

Kjo na bën ne profesionistëve të hulumtojmë sa më shumë në krijimin e një sistemi i cili nuk mbështet vetëm tek individi, por të ofrojmë shërbime të cilat prezantojnë dimensionet e kohës dhe marrëdhëniet ndërvepruese midis një të mbijetuari dhe mjedisit të tij/saj ekologjik, në diskutimin në lidhje me traumën duke qene të vetëdijshëm se sekuencat traumatike mund të ndryshojnë në kontekste të ndryshme dhe në kohë të ndryshme përgjatë jetës. 

 Ajo që duhet që profesionistë e fushës së shëndetit mendor, por dhe organizatave humanitare gjatë marrjes me të mbijetuar, të mbështetemi në provat shkencore që janë në dispozicion. Ka prova të forta që ndërhyrjet psikosociale ofrojnë lehtësim të konsiderueshëm të simptomave të çrregullimit Posttraumatik, depresionin, ankthin, shqetësimet psikosomatike, mendimet vetëvrasëse, vetëmjekimin apo abuzimi me alkool. Trajtimet kognitive-sjellëse, këshillimit mbështetës, terapia e ekspozimit është studiuar në numrin më të madh të provave dhe ka treguar vazhdimisht efekte të dobishme. Trajtimet e kombinuara të ekspozimit dhe terapisë njohëse tregojnë avantazhe të vogla por të qëndrueshme mbi secilën nga ndërhyrjet vetëm. Kuptimi i mekanizmave përkatës psikobiologjikë dhe mënyra se si ato shpalosen me kalimin e kohës është e rëndësishme për të kuptuar se si të identifikohet më mirë rreziku, të promovohet elasticiteti dhe të trajtohet aty ku është e nevojshme, si dhe si të përshtaten ndërhyrjet në mënyrë optimale.

Fjalët çelës: vuajtje, psikologjike, vrasje, masakra, tortura, abuzime, trajtim i specializuar.

Krimet si gjenocidi dhe masakrimi konsiderohen si aktet më të rënda kundër njerëzimit, pasi bazohen në besimin se aktet e lidhura me to prekin dinjitetin thelbësor të qenieve njerëzore. Dinjiteti njerëzor është vlera e qenësishme e çdo individi. Ajo thekson barazinë, autonominë, paprekshmërinë dhe respektin, duke udhëhequr qenien drejt mënyrës se si i trajtojmë të tjerët dhe veten në raport me ta. Tortura përshkruhet si “përdorim i dehumanizimit nga ana e pushtetit dhe është një instrument shtypjeje dhe dërrmimi në nivelin personal apo kolektiv. Masakrat dhe torturat zakonisht ndodhin në një kontekst ku faktorët socialë dhe psikologjikë janë bashkuar për të lejuar dehumanizimin dhe etiketimin negativ të grupeve të synuara dhe ku bindja e individëve që kryejnë veprime të tilla bëhet arsye për të vepruar, zakonisht nën petkun e patriotizmit.

Ky kontekst tregon se si të mbijetuarit e masakrave dhe krimeve kanë ndjenja lënduese dërrmuese dhe ndikime të qëndrueshme në mirëqenien e tyre. Mbështetja dhe ndjeshmëria ndaj tyre është thelbësore për mbijetesë dhe shërim. 

Edhe 23 vjet pas luftës, Kosova ende ka vështirësi për të arritur tek e vërteta e asaj që përgjaku dhe poshtëroi mjedisin tonë ku një pjesë e popullatës akoma edhe sot lufton për të vendosur drejtësi për krimet e kryera gjatë luftës. Pas përfundimit të luftës, evidencat tregojnë që trauma masive shkakton një shkatërrim kaq të larmishëm dhe kompleks, saqë vetëm një kornizë shumëdimensionale, shumëdisiplinore, integruese mund ta përshkruajë atë në mënyrë të përshtatshme dhe të formësojë ndërhyrje efikase.

Identiteti i një individi ngërthen një ndërveprim kompleks të sferave ose sistemeve të shumta, duke përfshirë, por pa u kufizuar në ato biologjike, intrapsikike, familjare, politike, ekonomike, kulturore, kombëtare dhe ndërkombëtare. 

Këto sisteme bashkëjetojnë në mënyrë dinamike përgjatë dimensionit kohor për të krijuar një konceptim të vazhdueshëm të jetës nga e kaluara në të tashmen e në të ardhmen. Kjo trajektore është edhe fokus i intervenimit psikiatrik dhe psikologjik duke u dhënë mundësi të mbijetuarve të krijojnë një kuptim të ri që u ndihmon të përballen me problemet që lidhen me traumën por jo vetëm. 

Intervenimet e fokusuara në të mbijetuarit e torturave, dhunimeve dhe masakrave, plagë që qëndrojnë të hapura për shkak të ndjenjave, si faji, turpi, nënçmimi, si dhe mungesa e ndjenjës së dobishmërisë janë burimi më i fuqishëm i ndalimit të kalimit të traumës nga një gjeneratë në tjetrën.

1.0 Intervenimet menjëherë pas përfundimit të luftës

Menjëherë pas përfundimit të luftës ndihma profesionale ndaj viktimave u ofrua nga Departamenti i Neuropsikiatrisë në Prishtinë, në kuadër të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës nga profesionistë të cilët kishin më shumë qasje biologjike, pa protokolle të trajtimit të të mbijetuarve të masakrave apo dhunës fizike dhe seksuale gjatë luftës dhe nuk kishin infrastrukturën për të mbështetur ata që nuk kërkonin ndihmë jashtë institucioneve. Shërbimet e shëndetit mendor përfaqësoheshin nga 19 neuropsikiatërë dhe shumë pak psikologë dhe punonjës socialë. Ndërkohë shërbimet profesionale në terren mbuloheshin nga më shumë se 700 OJQ ndërkombëtare dhe kombëtare, shumë prej të cilave punësonin punëtorë profesionistë të shëndetit mendor me kompetenca, përkushtim dhe ndjeshmëri të niveleve të ndryshme (Minear, van Baarda dhe Sommers, 2000). 

Ndërkohë intervenimet në krizë nuk janë shoqëruar nga protokollet për mjekët profesionistë për trajtimin, referimet dhe raportimin e të mbijetuarve të masakrave apo dhunimet. Kjo ka bërë që pjesa më e madhe e të mbijetuarve t’u drejtoheshin organizatave të cilat kishin më shumë orientim në mbështetje me materiale të cilat siguronin mbijëtesën sesa ofronin mbështetje psikologjike apo psikiatrike dhe, mbi të gjitha, nuk ishin të koordinuara në nivel nacional. Ka disa dëshmi (Jones, Rrustemi, Shahini dhe Uka, 2003) që nganjëherë janë bërë dëme së bashku me një përmirësim të situatës, kjo për shkak se jetëgjatësia mesatare e një projekti ndërkombëtar në Kosovë ishte nga një deri në dy vjet, shpesh me ndryshimin e burimeve njerëzore në më pak se gjashtë muaj. Kjo e ka bërë shumë të vështirë krijimin e besimit në mbështetjen që u ofrohej: 

“Ishte e vështirë që të mendoja për veten, për atë që më kishte ndodhur, më duhej të vrapoja gjithë ditën nëpër organizata për të siguruar ushqim, veshmbathje për fëmijët. Shtëpinë ma kishin djegur e nuk kisha mundësi për ta ndërtuar, na premtonin se do të na e rindërtonin, por duhet të presim kur të na vij rendi” ky është rrëfimi i një ish-veterani të luftës në Kosovë 5 vjet pas përfundimit të luftës.

Faza e parë e ndërhyrjes ishte me shumë mangësi:

  • Spitalet kishin mungesë të programeve dhe protokolleve të trajnimit për të gjithë personelin spitalor për të drejtat dhe nevojat e viktimave të krimit, si dhe respektimin e një kodi etik, i cili do t’i bënte të mbijetuarit të ndiheshin të pastigmatizuar. 
  • Pamundësi të përfshirjes së familjes dhe komunitetit për të drejtat e të mbijetuarve. 
  • Intervistat e përsëritura të viktimave nga profesionistë të ndryshëm. 
  • Mungesë e trajtimeve të specializuara për të mbijetuarit e dhunës nga stafi i shëndetit mendor. 
  • Mungesë e respektimit të konfidencialitetit dhe privatësisë së të gjitha viktimave, veçanërisht në rastet e dhunës seksuale.

Në një mjedis të tillë të mbijetuarit e masakrave kanë kaluar në një sërë fazash në procesin e tyre të rimëkëmbjes dhe shërimit edhe pse ato nuk janë rigjide në shpërndarje për disa të mbijetuar, përvojat unike dhe traumatike të masakrave mund të rezultojnë në faza të ndryshme të rikuperimit. Këtu janë disa faza të mundshme të cilat janë fokus i ndërhyrjeve terapeutike:

Trauma dhe dhimbja e thellë– të mbijetuarit e masakrave kishin përjetuar një shkallë të pashembullt të dhimbjes dhe humbjes. Kjo i bënte ata të kishin nivele të larta të ankthit, depresionit dhe simptoma të PTSD-së. Të mbijetuarit e krimeve në luftë shpesh kanë ndjenja të frikës dhe pasigurisë. Ata mund të jenë të frikësuar për sigurinë e tyre dhe të familjes së tyre, dhe kjo ndjenjë e frikës mund të ndikojë në aftësinë e tyre për të besuar në të tjerët dhe për të ndarë me ta emocionet dhe ndjenjat e tyre.

Vizioni negativ – i vetes te të mbijetuarit e torturave shpjegohet nga trauma dhe dhimbja që ata kanë përjetuar gjatë torturës. Në shumë raste, tortura mund të shkaktojë një ndjenjë të ndrydhjes dhe inferioritetit te të mbijetuarit dhe ata mund të ndihen se nuk janë më vlerë si njerëz ose nuk kanë më ndonjë kuptim në jetë. Kjo mund të ndodhë për shkak të ndjenjës së humbjes së kontrollit dhe autonomisë së tyre gjatë torturës, duke i bërë ata të ndjehen të dobët dhe të pavlefshëm.

Mënyra e mbijetesës – gjatë masakrave, shumë të mbijetuar u detyruan të përqendroheshin në nevojat e tyre themelore për mbijetesë, si gjetja e ushqimit, ujit, strehimit dhe sigurisë. Kjo mendësi mund të vazhdojë edhe pas përfundimit të luftës, pasi të mbijetuarit përpiqen të mbijetojnë dhe të përshtaten me një realitet të ri dhe të rindërtojnë jetën e tyre.

Tronditja dhe mosbesimi – pasi kishin përjetuar trauma dhe humbje të mëdha, të mbijetuarit ishin në përpjekje të pajtoheshin me atë që kishte ndodhur. Shumë prej tyre kishin vështirësi të besonin se ia kishin dalë të kalonin një ngjarje të tmerrshme dhe nuk mund të luftonin me fajin e të mbijetuarit. Problemet e komunikimit me të mbijetuarit e krimeve të luftës ishin ndjenjat e frikës dhe të mosbesimit, probleme në komunikimin me të tjerët, ndjesia e ndarjes nga shoqëria, probleme në marrjen e vendimeve dhe ndjenjat e izolimit dhe e vetmisë. Shumë prej tyre iu vinte keq të flisnin për ato që kishin përjetuar, që të mos shpërndanin ndjenjat e frikës dhe të mosbesimit të tyre te të tjerët.

Mpirja emocionale – disa të mbijetuar kishin përjetime të mpirjes emocionale ose shkëputje nga ajo që u kishte ndodhur duke e përdorur si një mekanizëm përballues. Kjo e bënte të pamundur shprehjen e emocioneve të tyre dhe në mënyrë të veçantë të kishin vështirësi në lidhjen me të tjerët. Ishte evidente në takimet grupore apo individuale që të mbijetuarit ishin të ndarë në mes botës emocionale dhe njohëse, mekanizëm ky që të mbijetuarit i ndihmon për të fituar kohë për t’i dhënë kuptim dehumanizimit të përjetuar. 

Kërkimi për drejtësi – shumë prej të mbijetuarve të masakrave dëshirojnë që kriminelët të ndëshkohen dhe të dënohen për veprat e tyre. Kjo ishte dhe vazhdon të jetë një pasojë e ndjenjave të pakompromis për drejtësi e cila kombinohet me ndjenjën e thellë të fajit që kanë mbijetuar dhe njëkohësisht ndjenjat e izolimit dhe mosmbështetjes nga institucionet. 

Riintegrimi – shumë të mbijetuar të masakrave duhej të linin shtëpitë, familjet dhe komunitetet e tyre. Ndërsa rindërtonin jetën e tyre, ata luftonin për t’u riintegruar në shoqëri dhe për të gjetur një ndjenjë përkatësie ndërkohë që disa prej tyre përballeshin me diskriminimin ose paragjykimin bazuar në përvojat e tyre si të mbijetuar të masakrave. Menjëherë pas përfundimit të luftës shumë prej tyre për shkak të frikës së paragjykimeve nuk kërkuan ndihmë as në organizatat e huaja si viktima, por përdorën kërkesën e ndihmës për mbijetesën dhe një fenomen që ka ndodhur po pas luftës, disa prej viktimave i drejtoheshin shërbimeve profesionale përmes një anëtari tjetër të familjes, në veçanti duke sjellë fëmijët e tyre, duke qenë se kjo ishte më pak stigmatizuese. 

Qëndrueshmëria dhe rritja – pavarësisht sfidave dhe pengesave të shumta, shumë të mbijetuar të masakrave kanë treguar qëndrueshmëri dhe forcë të jashtëzakonshme. Ata kanë gjetur mënyra për t’u lidhur me të tjerët që kanë ndarë përvojat e tyre, dhe të gjenin kuptimin e mbijetesë së tyre dhe të krijonin një ndjenjë të re qëllimi dhe identiteti.

Kjo fazë është gjithashtu e fokusuar në trajtimin e çrregullimeve, si stresi pas traumës, depresioni, ankthi, çrregullimet e gjumit, si dhe çrregullime të tjera psikiatrike. Qasja në këtë fazë ka qenë më shumë e fokusuar, në debriefing/ zbrazjen, si dhe mbështetje psikosociale të ofruar nga organizatat në terren. 

Trajtimi farmakologjik ka qenë mjaft i shprehur në atë fazë. Vlen të theksohet se në këtë fazë pothuajse të gjithë personat që kanë kërkuar ndihmë kanë pasur kërkesë për përdorim të medikamenteve dhe njëkohësisht kemi mjaft raporte të vetëmjekimit me benzodiazepina.

2.0. Faza e dytë

Në një kontekst të tillë ku shumë nga të mbijetuarit nuk kishin mundësi të merrnin shërbimet e duhura, disa iniciativa qenë nga organizatat ndërkombëtare për ngritjen e kapaciteteve vendore për trajtime të specializuara rreth përpunimit të traumës për viktimat e masakrave dhe të mbijetuarve të torturave. 

Për shkak se traumat e luftës dhe torturave janë shumë të ndryshme nga trauma e zakonshme, ato kërkojnë një trajtim të specializuar dhe të ndjeshëm ndaj kulturës dhe kontekstit në të cilin ndodhen të mbijetuarit, duke krijuar konfuzion te profesionistët të cilët trajnoheshin me teknika të cilat nuk ishin të aplikueshme për mjedisin tonë duke favorizuar në disa raste edhe traumatizim sekondar, për shkak të mungesës së kompetencës se profesionistëve. 

Studimet kanë treguar se efektet e luftërave në shëndetin mendor, shëndetin fizik, sigurinë ekonomike dhe stabilitetin politik janë afatgjata. Për këtë arsye ishte e qartë se shërbimet dhe trajtimet duhet të kenë një qasje holistike dhe të adresojnë të gjitha aspektet e shëndetit mendor dhe emocional të personit, duke përfshirë edhe nevojat e tyre të shëndetit fizik dhe ndihmën sociale. Specialistët u ballafaquan me sfida për t’i aplikuar ato teknika. Problemet të cilat filluan të ishin prezente te të mbijetuarit e masakrave dhe torturave ishin të shumëllojshme, si çrregullimi i stresit posttraumatik, ankthi, depresioni, abuzimi i alkoolit dhe substancave, rritja e shkallës së vetëvrasjeve etj. 

PTSD (çrregullimi i stresit post-traumatik): 

Çrregullimi i stresit post-traumatik (PTSD) mund të ndodhë te njerëzit që kanë përjetuar ose kanë qenë dëshmitar të një ngjarjeje traumatike, një seri ngjarjesh ose një sërë rrethanash. Një individ mund ta përjetojë këtë si emocionalisht ose fizikisht të dëmshme ose kërcenuese për jetën dhe mund të ndikojë në mirëqenien mendore, fizike, sociale dhe/ose shpirtërore. Manifestimet e sindromës së stresit post-traumatik mund të ndryshojnë sipas kulturës dhe gjuhës së personit që ka përjetuar ngjarjen traumatike. Shumë studime sugjerojnë se ashpërsia dhe lloji i simptomave të paraqitura mund të pasqyrojnë mënyrën se si masakra apo tortura është perceptuar nga i mbijetuari, natyra e faktorëve stresues pas atyre eksperiencave, si dhe shkalla e mbështetjes sociale të marrë nga i mbijetuari. Në Kosovë pas luftës ka pasur disa organizata të cilat kanë ofruar qasje të mbështetjes familjare, seancat e të cilave janë mbështetur në edukimin psikosocial të klientëve, si dhe fuqizimin e rrethit familjar për të mbështetur viktimat. 

2. Ankthi dhe depresioni – këto dy çrregullime janë raportuar me numër të rritur në popullatën civile pas luftës. Hulumtimet e kryera në kontekstin e Kosovës tregojnë se prevalenca e ankthit dhe depresionit sillet nga 33.6% në 47.6% o (Kamberi et al., 2019; Arenliu et al., 2016; Priebe et all., 2010). Të mbijetuarit e torturës mund të vuajnë nga ankthi dhe depresioni si rezultat i traumave të rënda që kanë përjetuar, si dhe kontekstit familjar, social dhe ekonomik që e formësojnë jetën e tyre. Kjo është konfirmuar edhe nga Kashdan, Todd B., Nexhmedin Morina dhe Stefan Priebe (2009) të cilët gjetën se çrregullimet psikiatrike u shoqëruan me shmangie më të madhe eksperimentale dhe shqetësim psikologjik dhe cilësi më të ulët të jetës. 

5. Probleme shëndetësore fizike – të mbijetuarit e torturës mund të vuajnë edhe nga probleme shëndetësore fizike, si plagët dhe lëndimet e marra gjatë torturave, sëmundjet infektive si pasojë e kushteve higjienike dhe mungesës së ujit dhe ushqimit. Një gjetje interesante në kontekstin e Kosovës në një studim të realizuar me veteranët e luftës 8 vjet pas përfundimit të luftës, ku shumë pjesëmarrës raportuan se kishin probleme emocionale dhe më shumë se një problem shëndetësor dhe se nuk kishin kërkuar ndihmë mjekësore. Studimi ka sugjeruar se kjo mund të vinte pikërisht nga vështirësitë në qasjen në shërbimet mjekësore në Kosovë, pasi nuk kishte institucione të specializuara për të punuar me veteranët dhe niveli relativisht i lartë i stigmës. Ndërkohë, që është raportuar nivel i lartë i përdorimit të medikamenteve pa përshkrim të mjekut, për të qetësuar dhimbjet e ndryshme.

Këto rezultate kanë qenë në përputhje me studimet e tjera (Schell & Marshall, 2008), të cilat zbuluan se barrierat ndaj kujdesit përfshinin, në mënyrë të përafërt, shqetësimet rreth konfidencialitetit dhe diskriminimit, preferencat për t’u mbështetur te familja dhe miqtë, shqetësimet për efektivitetin ose efektet anësore të trajtimeve. 

6. Abuzimi i alkoolit dhe substancave – disa të mbijetuar iu drejtuan alkoolit për të vetëmjekuar dhe përkohësisht ikin nga emocionet shqetësuese, kujtimet traumatike ose simptomat e kushteve të shëndetit mendor, si ankthi ose depresioni. Gjithashtu, mbështetja tek alkooli mund të sigurojë një ndjenjë afatshkurtër relaksimi dhe lehtësimi të stresit apo mund të sigurojë një arratisje të përkohshme nga sfidat ose përgjegjësitë e jetës, duke ofruar një ndjenjë lirie dhe lehtësimi. Është e rëndësishme të theksohet se ndërsa alkooli mund të ofrojë lehtësim të përkohshëm, ai nuk është një strategji e shëndetshme ose efektive e përballimit afatgjatë, pasi mund të çojë në një sërë pasojash negative, duke përfshirë varësinë, gjykimin e dëmtuar, çështjet shëndetësore dhe përkeqësimin e problemeve të shëndetit mendor ose mpirjen nga dhimbja e traumës së tyre.

7. Çështjet e marrëdhënieve – të mbijetuarit kishin vështirësi t’u besonin të tjerëve ose të krijonin marrëdhënie të ngushta për shkak të përvojave të tyre. Ata gjithashtu luftonin me ndjenjat e izolimit ose vetmisë. E kishin të vështirë të besonin të tjerët apo të krijonin lidhje përmbajtësore me të tjerët.

8. Humbja, vdekja dhe zhdukja e fëmijëve – në kohën e luftës në mungesë të tyre nuk ishte më një moment traumatik, por krijimi i një perspektive traumatike e cila ndikon në formësimin e besimeve familjare, këndvështrimin për domosdoshmërinë dhe mbikëqyrjen prindërore dhe formësimin jetësor të prindërve në kërkim të përmbushjes së hapësirës boshe që kishte krijuar humbja e fëmijëve. 

Humbja e fëmijëve në shumë familje kishte krijuar te prindërit një nevojë për të përmbushur ekzistencën përmes ripërtëritjes së emrit, lindjeve të reja me qëllim të kompensimit, por që, në të vërtetë, shpesh krijonte një burim stresi të vazhdueshëm. 

9. Suicidi dhe vetëvrasja – ekziston një debat i konsiderueshëm për arsyen e rritjes së rrezikut të vetëvrasjes te të mbijetuarit e traumës. Ndërsa disa studime sugjerojnë se rreziku i vetëvrasjes është më i lartë në mesin e atyre që përjetuan trauma për shkak të simptomave të PTSD-së (Ferrada-Noli, at all (1998); Amir, at all 1999), të tjerë pretendojnë se rreziku i vetëvrasjes është më i lartë te këta individë për shkak të kushteve psikiatrike të lidhura (Fontana, A., & Rosenheck, & Rosenheck 2004; Robison, B. K. 2002). 

Shumë nga klientët edhe pse kishin kaluar më shumë se 8 vjet pas përfundimit të luftës, vazhdonin të përdornin ndarjen në mes të të menduarit dhe emocioneve dhe bënin një përzgjedhje në mes tyre, duke u përqendruar vetëm në mendime me të cilat ‘shkëputeshin’ nga bota përreth, duke shmangur diçka që ua kujtonte traumën e tyre, edhe nëse ai objekt ose aktivitet nuk ishte i rrezikshëm ose kërcënues në vetvete. Ky mekanizëm ka qenë sfida më e rëndësishme në aspektin e trajtimit të viktimave, dhe që në fakt i krijonin vazhdimësi efekteve të traumës së përjetuar. Edhe sot mbas 23 vjetëve, profesionistët e shëndetit mendor vazhdojnë të punojnë me klientë që nuk e kanë përpunuar traumën. 

3.0 Zhvillimi i intervenimeve të specializuara
për t’iu përgjigjur kësaj sfide 

Terapia familjare – ndihmon të mbijetuarit e masakrave në përmirësimin e marrëdhënieve familjare dhe ndihmon në trajtimin e traumës së tyre nëpërmjet komunikimit dhe bashkëpunimit. Kjo lloj terapie përfshin të gjithë anëtarët e familjes dhe ndihmon në kuptimin e rolit që secili person luan në funksionimin e familjes. Terapia familjare ndihmon të mbijetuarit të mësojnë mënyra të reja për të komunikuar dhe për të zgjidhur konfliktet në një mënyrë të shëndetshme. Kjo terapi mund të ndihmojë në lehtësimin e simptomave të PTSD-së dhe në përmirësimin e cilësisë së jetës së të mbijetuarve të masakrave.

Trajtimi farmakologjik – ilaçet psikiatrike mund të ndihmojnë në trajtimin e simptomave të ankthit, depresionit dhe PTSD-së te të mbijetuarit e torturës. Këto barna mund të jenë të ndryshme, si për llojin e simptomave të trajtuara, ashtu edhe për dozat dhe efektet anësore.

Terapia kognitive-përballuese (CBT) – është një lloj psikoterapie që fokusohet në lidhjen midis mendimeve, sjelljeve dhe emocioneve. Synon të ndihmojë individë që të identifikojnë dhe ndryshojnë mendimet dhe sjelljet negative ose të padobishme, duke çuar në përmirësimin e rregullimit emocional dhe shëndetit mendor. Kjo qasje përmirëson aftësitë e tyre të komunikimit, të menaxhimit të konflikteve dhe të zhvillimit të marrëdhënieve më të shëndetshme. 

Terapia në grup – terapia grupore është një teknikë efektive e trajtimit që mund të ndihmojë në zbutjen e efekteve të traumave psikologjike. Kjo lloj terapie përfshin një grup të vogël njerëzish që kanë përjetuar traumën, të cilët punojnë së bashku me një terapist për të adresuar simptomat dhe ndjenjat e tyre.

Një prej përfitimeve të terapisë grupore është se pjesëmarrësit ndihen të lidhur dhe të kuptuar nga të tjerët që kanë përjetuar eksperiencën e njëjtë. Kjo mund të ndihmojë në zbutjen e ndjenjës së izolimit dhe në rritjen e besimit dhe ndjenjës së bashkëpunimit. Pjesëmarrësit mund të ndihen të ndihmuar dhe të inkurajuar nga të tjerët të cilët po përpiqen të përballen me të njëjtin problem.

Terapia e artit – terapia e artit mund të ndihmojë të mbijetuarit e dhunës seksuale të shprehin ndjenjat e tyre dhe të lehtësojë tensionin dhe ankthin. 

Trauma terapia – është një formë e ndihmës shpirtërore dhe emocionale që mund të ndihmojë të mbijetuarit e masakrave për të trajtuar dhimbjen dhe ankthin e tyre dhe për të ndërtuar një jetë të re të plotësuar me shpresë dhe qëllime. Kjo mund të bëhet nëpërmjet seancave të terapisë individuale ose në grupe dhe përfshin trajtimin e simptomave të ankthit, depresionit, gjumit dhe flashbacks, si dhe ndërtimin e marrëdhënieve të shëndetshme dhe të ndjehet në kontroll të jetës.

Trauma terapia mund të jetë një proces i vështirë dhe i ngarkuar, por me ndihmën e një terapeuti të specializuar në këtë fushë, të mbijëtuarit e masakrave mund të ndryshojnë mënyrën e tyre të të menduarit dhe të reagojnë ndaj ngjarjeve traumësore. Një aspekt tjetër i rëndësishëm i trajtimit të traumës është që të mbijetuarit të kenë një ndjenjë të sigurisë dhe besimit në mjedisin ku jetojnë, si dhe që të kenë mundësi të lidhen me komunitetin dhe me burime të tjera të ndihmës dhe mbështetjes.

4.0 Qëndrimet e shoqërisë formësojnë efikasitetin e qasjes multidisiplinare

Qëndrimet e shoqërisë ndaj mbijetuesve të masakrave të luftës mund të ndryshojnë gjerësisht në varësi të kontekstit kulturor, politik dhe historik. Në përgjithësi, është e rëndësishme që shoqëria të tregojë empati dhe respekt ndaj të mbijetuarve të masakrave të luftës dhe të ofrojë ndihmë dhe mbështetje. Kjo mbështetje mund të përfshijë trajtime dhe shërbime psikologjike të specializuara të ofruara mbështetur mbi evidencë shkencore, krijimi i një strategjie kombëtare për trajtimin e të traumatizuarve të luftës, krijimi i programeve mbështetëse në aspektet sociale dhe ekonomike dhe, mbi të gjitha, respektim të të drejtave të tyre dhe njohje të vuajtjeve të tyre pa u keqpërdorur politikisht.

Përballja me të kaluarën dhe kapërcimi i vuajtjeve psikologjike në një mënyrë të qëndrueshme është e mundur vetëm mbi bazën e të vërtetës dhe duke e shkundur paradigmën sipas së cilës vetëm një komunitet i caktuar është ndikuar nga krimet e ndodhura gjatë luftës.

E vërteta është pjesë e procesit të shërimit; ajo ndihmon në kthimin e dinjitetit personal, ndryshon perceptimin shoqëror, jep trajtim të barabartë për të gjithë dhe lufton pandëshkueshmërinë dhe mohimin publik.

Ja disa shembuj se si shoqëria ka reaguar ndaj mbijetuesve të masakrave të luftës në kontekste të ndryshme:

1. Bosnja dhe Hercegovina: pas Luftës së Bosnjës në vitet 1990, shumë mbijetues të masakrave të luftës u përballën me diskriminim dhe margjinalizim nga shoqëria. Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë (ICTY) u themelua për të ndjekur në drejtësi ata që ishin përgjegjës për krime lufte, por shumë boshnjakë ndjenin se drejtësia nuk po bëhej. Në vitet e fundit, ka pasur një lëvizje rritëse për të njohur dhe mbështetur nevojat e mbijetuesve të masakrave të luftës, duke përfshirë përpjekjet për të dokumentuar dhe komemoruar atrocitetet që ndodhën.

2. Ruanda – pas gjenocidit në vitin 1994, qeveria dhe shoqëria civile ruandeze kanë bërë përpjekje të rëndësishme për të mbështetur mbijetuesit e masakrave të luftës. Kjo përfshin ofrimin e këshillimit dhe shërbimeve të shëndetit mendor, si dhe themelimin e një programi kombëtar për riparim. Megjithatë, disa mbijetues vazhdojnë të përballen me diskriminim dhe stigmatizim në komunitetet e tyre.

3. Kamboxhia – mbijetuesit e regjimit Khmer Rouge në vitet 1970 fillimisht u përballën me stigmë dhe heshtje të rëndë nga shoqëria kamboxhiane. Megjithatë, në vitet e fundit, ka pasur njohje dhe mbështetje më të madhe për mbijetuesit e masakrave të luftës, duke përfshirë themelimin e një gjykate Khmer Rouge për të ndjekur në drejtësi ata që ishin përgjegjës për atrocitetet. Megjithatë, shumë mbijetues vazhdojnë të luftojnë me varfërinë dhe mungesën e qasjes në shërbime bazike. Në përgjithësi, përgjigjja e shoqërisë ndaj mbijetuesve të masakrave të luftës është komplekse dhe mund të ndryshojë gjerësisht në varësi të kontekstit.

Ka një numër në rritje të provave që mbështesin përdorimin e një qasjeje multidisiplinare në trajtimin e të mbijetuarve të masakrave të luftës. Një qasje e tillë përfshin një ekip profesionistësh nga fusha të ndryshme, duke përfshirë psikologjinë, psikiatrinë, punën sociale dhe mjekësinë, duke punuar së bashku për të ofruar kujdes të plotë për të mbijetuarit. Një studim i kryer në Bosnjë dhe Hercegovinë zbuloi se një qasje multidisiplinare për trajtimin e të mbijetuarve të traumave të lidhura me luftën çoi në përmirësime të rëndësishme në rezultatet e shëndetit mendor, duke përfshirë reduktimin e simptomave të depresionit, ankthit dhe PTSD-së (Priebe et al., 2010). Një studim tjetër i kryer në Kroaci zbuloi se një qasje ekipore multidisiplinare, e cila përfshinte ndërhyrje farmakologjike dhe psikologjike, ishte efektive në reduktimin e simptomave të PTSD-së te të mbijetuarit e traumave të luftës (Kraljevic et al., 2012).

Për më tepër, një rishikim i literaturës për trajtimin e të mbijetuarve të traumave të luftës zbuloi se një qasje multidisiplinare është më efektive sesa ndërhyrjet me një modalitet, të tilla si vetëm mjekimi ose psikoterapia (Mollica et al., 2007). Autorët e rishikimit vunë në dukje se një qasje shumëdisiplinore lejon përshtatjen e trajtimit me nevojat specifike të të mbijetuarit individual, gjë që është thelbësore për kujdesin efektiv.

5.0 Pse duhet qasje multidisiplinare?

Në përgjithësi, provat sugjerojnë se një qasje multidisiplinare për trajtimin e të mbijetuarve të masakrave të luftës është efektive dhe e nevojshme për ofrimin e kujdesit gjithëpërfshirës që adreson nevojat komplekse dhe të ndryshme të të mbijetuarve.

Sfida kryesore me të cilën institucionet e shëndetit mendor duhet të fokusohen janë trajtimi i specializuar i të mbijetuarve të krimeve të luftës për shkak të ndërprerjes së transmetimit të traumave nga një gjeneratë në tjetrën. 

Trauma ndër breza mund të përkufizohet si “përjetimi dhe kujtimi subjektiv i ngjarjeve në mendjen e një individi ose në jetën e një komuniteti, të kaluar nga të rriturit tek fëmijët në procese ciklike” (Atkinson, Nelson dhe Atkinson 2010).

Trauma masive shkakton një shkatërrim kaq të larmishëm dhe kompleks sa që vetëm një kornizë shumëdimensionale mund ta përshkruajë atë në mënyrë adekuate. Kellerman (2015) kur shpjegon traumën transgjenerative, bën dallimin midis procesit të transmetimit, duke iu referuar mënyrës se si trauma transmetohet nëpër breza dhe përmbajtjes së transmetimit.

Ky transferim mund të ndodhë përmes mekanizmave të ndryshëm, duke përfshirë:

1. Ndryshimet epigjenetike – trauma mund të shkaktojë ndryshime në shprehjen e gjeneve, të cilat mund t’u kalojnë pasardhësve. Këto ndryshime mund të ndikojnë në rregullimin e hormoneve të stresit, duke çuar në një rritje të ndjeshmërisë ndaj ankthit, depresionit dhe çrregullimeve të tjera të shëndetit mendor.

2. Sjellja e prindërve – të mbijetuarit që kanë përvoja traumatike mund të ndryshojnë ndjenjën e vetes dhe ndjenjën e besimit te të tjerët. Kjo perspektivë e re për botën e formëson negativisht stilin e tyre prindëror si autoritarian, neglizhues apo liberal. Stili prindëror ndikon në stilin e lidhjes midis prindit dhe pasardhësve. Stili i komunikimit familjar mund të ndikohet nga përvojat traumatike dhe mund të shprehet drejtpërdrejt apo tërthorazi tek anëtarët e tjerë të familjes. Kjo situatë ndikon në atmosferën e dialogut familjar. Në hulumtimet e mëparshme (Danieli, Norris, Lindert, Paisner, Engdahl, et al., 2015), identifikuan dallime të qarta midis:

stilit të viktimës (që karakterizohet me mbërthim në rupturën që ka shkaktuar eksperienca traumatike, paqëndrueshmëri emocionale dhe mbimbrojtje),

stilit të mpirë (shkëputje emocionale, konspiracion dhe heshtje brenda familjes dhe intolerancë ndaj dobësisë), dhe

stilit të luftëtarit (vlerësimi dhe ruajtja e identitetit dhe vlerësimi i mjeshtërisë dhe drejtësisë).

3. Socializimi – individët e traumatizuar mund t’ua përcjellin përvojat e tyre fëmijëve të tyre nëpërmjet socializimit. Kjo mund të ndodhë përmes transmetimit të besimeve, qëndrimeve dhe sjelljeve kulturore që përjetësojnë efektet e traumës.

4. Faktorët psikologjikë – individët e traumatizuar mund të përjetojnë vështirësi në rregullimin e emocioneve dhe sjelljes së tyre, të cilat mund të ndikojnë në stilin e tyre të prindërimit dhe të ndikojnë në zhvillimin emocional të fëmijëve të tyre. 

Të mbijetuarit me të cilët kemi punuar në Kosovë janë detyruar të kultivojnë ndjenjën stoike të heroizmit dhe të përkushtimit ndaj atdheut, por shumë prej tyre nuk kanë qenë në gjendje të përcjellin atë që realisht ndjejnë në lidhje me realitetin: qëllimin për të mbrojtur familjen e tyre dhe në veçanti fëmijët e tyre. Shumë prej tyre mbetën pa mbështetje institucionale. Ata siguruan mbijetesën e familjes së tyre me shumë vështirësi. Ne supozuam se ata zhvilluan një gjuhë të pashprehur që i mbronte nga presioni shoqëror, por në të njëjtën kohë i ndihmoi të bënin një dallim midis realitetit dhe botës së tyre të brendshme” (Shahini M, Ahmetaj A, Charles, 2016).

Konkluzione

Është thelbësore të theksohet se çdo individ është unik dhe ajo që funksionon më mirë për një të mbijetuar, mund të mos jetë aq efektive për një tjetër. Zgjedhja e trajtimit duhet t’u përshtatet nevojave, preferencave dhe rrethanave specifike të secilit person që ka mbijetuar. Për më tepër, një kombinim i qasjeve të ndryshme mund të jetë më i dobishëm për disa individë, pasi adreson kompleksin e eksperiencës traumatike dhe lidhshmërinë me mjedisin ku jeton dhe zhvillon veprimtarinë e tij/saj. Për rezultate më të mira, është thelbësore që trajtimi i të mbijetuarve të ofrohet nga profesionistë të kualifikuar të shëndetit mendor me përvojë në terapinë e traumës dhe praktikat e bazuara në dëshmi. Procesi i trajtimit duhet të jetë bashkëpunues dhe i bazuar në një aleancë të fortë terapeutike midis të mbijetuarit dhe ofruesit të tij të shëndetit mendor. Vlerësimi dhe monitorimi i rregullt i progresit janë gjithashtu të rëndësishëm për të siguruar efektivitetin e metodës së zgjedhur të trajtimit. Vëmendja ndaj faktorëve të rrezikut dhe ndërhyrja e hershme do të jetë e nevojshme për të parandaluar sëmundje të ngjashme psikologjike afatgjate. 

Në arritjen e një përfshirjeje sa më të gjerë të komponentëve integrues, është e domosdoshme që të kemi një strategji nacionale për trajtimin e të gjitha viktimave të luftës. 

Bibliographia

  1. Minear, Larry, Ted Van Baarda, and Marc Sommers. NATO and humanitarian action in the Kosovo crisis. Thomas J. Watson Jr. Institute for International Studies, 2000
  2. Jones, Lynne, Alban Rrustemi, Mimoza Shahini, and Aferdita Uka. “Mental health services for war-affected children: report of a survey in Kosovo.” The British Journal of Psychiatry 183, no. 6 (2003): 540-546
  3. Kamberi, Haxhi, Naim Jerliu, Vanesa Sefa, and Genc Burazeri. “Depression, anxiety and socio-demographic factors among hospitalized patients in Gjakova region, Kosovo.” Journal of Science, Humanities and Arts-JOSHA 6, no. 4 (2019).
  4. Arenliu, Aliriza, Kaltrina Kelmendi, and Dashamir Berxulli. “Gender differences in depression symptoms: Findings from a population survey in Kosovo–A country in transition.” Psychological Thought 9, no. 2 (2016).
  5. Priebe, Stefan, Marija Bogic, Dean Ajdukovic, Tanja Franciskovic, Gian Maria Galeazzi, Abdulah Kucukalic, Dusica Lecic-Tosevski et al. “Mental disorders following war in the Balkans: a study in 5 countries.” Archives of general psychiatry 67, no. 5 (2010): 518-528
  6. Kashdan, Todd B., Nexhmedin Morina, and Stefan Priebe. “Post-traumatic stress disorder, social anxiety disorder, and depression in survivors of the Kosovo War: Experiential avoidance as a contributor to distress and quality of life.” Journal of anxiety disorders 23, no. 2 (2009): 185-196
  7. Schell, Terry L., and Grant N. Marshall. “Survey of individuals previously deployed for OEF/OIF.” Invisible wounds of war: Psychological and cognitive injuries, their consequences, and services to assist recovery (2008): 87-115.
  8. Ferrada‐Noli, Marcello, Marie Asberg, Kari Ormstad, Tom Lundin, and Elisabet Sundbom. “Suicidal behavior after severe trauma. Part 1: PTSD diagnoses, psychiatric comorbidity, and assessments of suicidal behavior.” Journal of Traumatic Stress: Official Publication of The International Society for Traumatic Stress Studies 11, no. 1 (1998): 103-112.
  9. Amir, Marianne, and Rachel Lev‐Wiesel. “Time does not heal all wounds: Quality of life and psychological distress of people who survived the Holocaust as children 55 years later.” Journal of Traumatic Stress: Official Publication of the International Society for Traumatic Stress Studies 16, no. 3 (2003): 295-299.
  10. Fontana, Alan, and Robert Rosenheck. “Trauma, change in strength of religious faith, and mental health service use among veterans treated for PTSD.” The Journal of nervous and mental disease 192, no. 9 (2004): 579-584.
  11. Robison, Bryan Keith. Suicide risk in Vietnam veterans with posttraumatic stress disorder. Pepperdine University, 2002.
  12. Mollica, Richard F., Kathleen Rey Caridad, and Michael P. Massagli. “Longitudinal study of posttraumatic stress disorder, depression, and changes in traumatic memories over time in Bosnian refugees.” The Journal of nervous and mental disease 195, no. 7 (2007): 572-579.
  13. Atkinson, Judy, Jeff Nelson, and Caroline Atkinson. “Trauma, transgenerational transfer and effects on community wellbeing.” Working together: Aboriginal and Torres Strait Islander mental health and wellbeing principles and practice (2010): 135-144. 
  14. Kellermann, Natan PF. “Epigenetic transgenerational transmission of Holocaust trauma: A Review.” Retrieved October 8 (2015): 2016.
  15. Danieli, Yael, Fran H. Norris, Jutta Lindert, Vera Paisner, Brian Engdahl, and Julia Richter. “The Danieli Inventory of Multigenerational Legacies of Trauma, Part I: Survivors’ posttrauma adaptational styles in their children’s eyes.” Journal of psychiatric research 68 (2015): 167-175.
  16. Shahini, Mimoza, Adelina Ahmeti, and Laurie L. Charlés. “Family Therapy in Postwar Kosova: Reforming Cultural Values in New Family Dynamics.” Family Therapy in Global Humanitarian Contexts: Voices and Issues from the Field (2016): 65-76.

Filed Under: Ekonomi

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 528
  • 529
  • 530
  • 531
  • 532
  • …
  • 2781
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • QERIM VRIONI DHE FOTOGRAFËT QË SHKRUAN HISTORINË
  • Çamëria, kur e vërteta kërkon shkrim, përgjegjës dhe afat!
  • Dhurata, buzëqeshje dhe urime në shkollën shqipe “Skenderbej”
  • ROLI I PRESIDENTES OSMANI NË RIKTHIMIN E BESIMIT DHE BASHKËPUNIMIT TË KOSOVËS ME SHBA-NË DHE BE-NË
  • WHEN KOSOVA WORKS, AMERICA SPEAKS
  • Shkolla shqipe “Gjergj Fishta” – Long Island, New York festoi festat e fundvitit
  • Fotografia e Gjon Milit dhe CHARTRES CATHEDRAL -Një monument i entuziazmit Kristian
  • Lamtumirë legjenda jonë e mikrofonit në gazetarinë sportive Ismet Bellova!
  • Politika e mençur…
  • VEPËR NGA MË TË PASURAT E MË NJERËZORET NË MENDIMIN KRITIK
  • KOZMOPOLITIZËM
  • “Kur shpirti kthehet në gërmadhë lufte”
  • VATRA TELEGRAM URIMI AKADEMIKES JUSTINA SHIROKA PULA ME RASTIN E ZGJEDHJES KRYETARE E AKADEMISË SË SHKENCAVE DHE ARTEVE TË REPUBLIKËS SË KOSOVËS
  • Suzana Shkreli: “We can make history by electing Michigan’s first Albanian Secretary of State”
  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT