• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Në vendlindjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës valëvitet flamuri i Republikës së Kosovës

February 23, 2025 by s p

Shqiptarët në Philadelphia organizuan ceremoninë e ngritjes solemne të flamurit të Kosovës në bashkia e qytetit.

Nga dr. Sadik Elshani

Gjatë shekujve Kosova kaloi një rrugëtim të gjatë me plot vuajtje, sakrifica, përpjekje mbinjerëzore, luftëra të pandërprera e të përgjakshme për liri e pavarësi. Prandaj, shpallja e Kosovës shtet i lirë e i pavarur, i njohur nga fuqitë e mëdha e demokracitë më të përparuara të botës, është një ngjarje madhështore, shumë e gëzueshme që vështirë mund të përshkruhet me fjalë. Shkurt, në Kosovë ka ndodhur nje mrekulli, një ringjallje. Një Feniks i vërtetë, është ringjallur Dardania e lashtë në një shtet të ri.

Shoqata jonë, “Bijtë e shqipes”, i kushton një rëndësi të madhe kësaj ngjarje madhështore të kombit tonë. Ajo vazhdimisht me shumë veprimtari e ka shënuar çdo përvjtor të pavarëisë së saj. Nga viti 2023, në përvjetorin e 15-të të pavarësisë së saj, kemi filluar edhe me organizimin e ngritjes së flamurit të Kosovës në bashkinë e qytetit të Philadelphias. Nuk ka vend më solemn për ta festuar pavarësinë e një vendi sesa në Philadelphia, vendlindjen e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ku lindi një shtet i ri dhe një epokë e re për njerëzimin. është ky një nder i jashtëzakonshëm për komunitetin tonë, Kosovën, kombin tonë – është afirmim i vlerave të përbashkëta për liri, pavarësi, paqe, drejtësi e përparim.

Edhe pse ishte një ditë e ftohtë, në sheshin e bashkisë ishin mbledhur bashkatdhetarët e gëzuar e të qeshur për të festuar këtë Ditë të Madhe për Kosovën e kombin tonë. Mbretëronte atmosferë festive, ngazëllyese: valonin flamujt e Kosovës, dhe ata kuqezi e amerikanë; jehonte kënga e vallja shqiptare, ku mbizotëronin ato me motive nga Kosova dhe ngjarjet e lavdishme të historisë së saj: jehonte kënga “Mora fjalë”, kushtuar komandantit legjendar, Adem Jasharit, mishërimit të lirisë së Kosovës. Në këtë ceremoni merrnin pjesë edhe këshilltarët e Këshillit Bashkiak të qytetit të Philadelphias, zotërinjtë: Michael Driscol e Mark Squilla. Nga Zyra për Çështjet e Emigrantëve merrte pjesë z. Alain Joinville, drejtor për Komunikime Strategjike e Programe. Ishte e pranishme edhe zonja Krista Bard, Konsulle e Përgjithshme e Nderit e Lituanisë, njëherësh edhe kryetare e Organizatës së Konsujve të Nderit në Philadelphia.

Pas një blloku me këngë e valle shqiptare filloi ceremonia e ngritjes së flamurit të Kosovës, u kënduan himnet kombëtare të Amerikës dhe Kosovës. Gjatë këndimit të himnit të Kosovës ngritej në shtizë edhe flamuri i saj. Flamuri u ngrit nga z.Imer Dedja, një biznismen i sukseshëm dhe zonjusha Diarta Kabashi, studente e mjekësisë. është ky një nderim që shoqata u ben anëtarëve të saj të dalluar. Për shkak të kohës shumë të ftohtë, pas ngritjes së flamurit ceremonia vazhdoi në mjediset e brendshme të bashkisë, në Caucus Room.

Ceremoninë e hapi z. Dritan Matraku, kryetar i Shoqatës Mbarëshqiptare “Bijtë e shqipes”, i cili i përshëndet të pranishmit, duke ua uruar Festën e Pavarësisë së Kosovës. Gjithashtu ai i përshëndeti dhe u dëshiroi mirëseardhjen mysafirëve të cekur më lart. Ndër të tjera z. Matraku u shpreh se Pavarësia e Kosovës është një ngjarje e madhe jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë shqiptarët.

Në emër të shoqatës “Bijtë e shqipes” përshëndeti zonjusha Erona Shurdhiqi, ish-nxënës e e dalluar e shkollës sonë shqipe – tani ajo është Clinical Research Coordinator, The Children’s Hospital of Philadelphia. Në fjalën e saj të përgatitur bukur zonjusha Shurdhiqi foli për rëndësinë e kësaj ngjarje të shënuar të historisë sonë, përpjekjet e sakrificat e shqiptarëve ndër vite për liri e pavarësi: “Kjo ditë është një moment reflektimi për sakrificën, përpjekjet, dhe ëndrrën e brezave që luftuan për një Kosovë të lirë dhe të pavarur.Flamuri i Kosovës nuk është thjesht një simbol shtetëror, por një dëshmi e rrugëtimit të gjatë dhe të mundimshëm të popullit tonë drejt lirisë dhe demokracisë. Sot, ai valëvitet me krenari jo vetëm në trojet tona, por edhe këtu, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës – një vend që ka qenë dhe mbetet një aleat i palëkundur i Kosovës dhe shqiptarëve. Sot ky Flamur valvitet këtu i lire falë Presidentit te saj historik, Ibrahim Rugova, i cili me largpamësinë dhe urtësinë e tij udhëhoqi rrugën drejt pavarësisë. Ky Flamur valvitet i lire falë Ushtrise Çlirimtare të Kosovës, me në krye Komandantin Legjendar Adem Jasharin, duke flijuar tërë familjen e tij prej 59 anëtarësh. Ky flamur valvitet i lirë falë dëshmorëve që ranë gjatë luftës dhe gjithë popullit që sakrifikoi gjithçka për këtë liri e pavarësi” – u shpreh zonjusha Shurdhiqi. Ajo shprehu e dhe mirënjohjen e falenderimin për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për ndihmën e pakursyer që i kanë dhënë popullit tonë ndër vite: “Mirënjohja jonë ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës është e pamatshme. Pa mbështetjen e tyre vendimtare, sakrifica e popullit tonë do të kishte qenë edhe më e rëndë, dhe rruga drejt lirisë shumë më e vështirë. Ndërhyrja e SHBA-ve në vitin 1999 ishte një akt historik që i hapi rrugën lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.Në momentet më të errëta të historisë tonë Shtetet e Bashkuara te Amerikes dhe aleatët e tyre qëndruan përkrah Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe popullit tonë, duke mbrojtur të drejtën tonë për të jetuar të lirë”. Mirënjohje të veçantë zonjusha Shurdhiqi i shprehu edhe shoqatës “Bijtë e shqipes”, e cila ruan e promovon gjuhën, kulturën e traditat tona kombëtare, duke shërbyer si një urë që lidh diasporën me atdheun, si dhe një shembull i shkëlqyer i bashkimit e organizimit të shqipatrëve në mërgim. Gjithashtu, ajo u shprehu mirënjohje edhe Bashkisë e qytetit të Philadelphias që ndër vite e kanë mbështetur dhe mirëpritur komunitetin tonë: “Kjo dëshmon vlerat e mëdha të këtij qyteti dhe respektin për diversitetin e tij. Miqësia mes popullit shqiptar dhe atij amerikan është një lidhje e fortë, e pathyeshme, dhe e përjetshme” – u shpreh zonjusha Shurdhiqi,

Këshilltari Michael Driscol, miku i madh i shqiptarëve të Philadelphias u uroi të pranishmëve Ditën e Pavarësisë së Kosovës, duke theksuar përpjekjet dhe synimet e popujve për liri e pavarësi. Zoti Driscol theksoi se lidhja e thellë me Philadelphian, Kosovën e Shqipërinë është dëshira për të jetuar të lirë. Ai ceku edhe 250 Vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së ShBA-ve që do të festohet në vitin 2026, duke theksuar se kjo do të jetë një festë e të gjitha demokracive të botës. Ai foli edhe për rolin e emigrantëve në zhvillimin e Philadelphias, duke vlerësuar posacërisht emigrantët shqiptarë që në këtë qytet dhe anëmbanë Amerikës kanë sjellur talentet e tyre, vlerat familjare e njerëzore, etikën e lartë të punës e ndershmërisë. Nuk mungoi as porosia e tij për ta ruajtur gjuhën, kulturën e traditat tona kombëtare. Ai vuri në pah edhe vëllazërinë që Kosova, Shqipëria e Amerika ndajnë së bashku.

Konsullja e Nderit, zonja Krista Bard përshëndeti në gjuhën shqipe: Urime Kosovë! Ajo shprehu kënaqësinë që po merrte pjesë në këtë manifestim. “Faleminderit që festoni lirinë, demokracinë” – u shpreh zonja Bard. Ajo theksoi se edhe Lituania ka kaluar një rrugëtim të gjatë për ta fituar lirinë. Gjithashtu, ajo përcolli edhe urimet e Këshillit të Konsujve të Nderit në Philadelphia. Zoti Alain Joinville përshëndeti në emër të Zyrës për Çështjet e Emigrantëve (Office for Emigrant Affairs). Ai i njoftoi të pranishmit për punën që bën kjo zyrë për t’i ndihmuar emigrantët e rinj për t’u përshtatur në jetën e qytetit të Philadelphias, ndihmon në promovimin e vlerave, programeve, zhvillimin e komuniteteve. Po ashtu, ai e ceku se Philadelphia është qytet që i mirëpret zemërhapur emigrantët dhe ku emigrantët ndihen mire: të mirëpritur e të vlerësuar. Pastaj zoti Joinville lexoi pjesë nga Proklamata përmes së cilës kryebashkiakja, Cherelle Parker, e shpallte 14 shkurtin e vitit 2025, Ditën e Pavarësisë së Kosovës në Philadelphia. Një nder i madh ky për Kosovën, të gjithë shqiptarët dhe miqtë e tyre. (Kjo ceremoni ishte planifikuar për datën 14 shkurt, por meqenëse atë ditë zhvillohej parada për ekipin e futbollit, “Eagles”, fitues të Kupën së Super Boël, atëherë ceremonia u shty për datën 18 shkurt).

Kështu edhe këtë vit shoqata “Bijtë e shqipes” përmbylli me plot sukses manifestimet e Ditës së Pavarësisë së Kosovës. Të gjithë të pranishmit uruan: Gëzuar Ditën e Pavarësisë Kosova jonë e dashur!

Philadelphia, më 18 shkurt 2025

Filed Under: Reportazh

Koncerti bamirës për Nënën Terezë në Nju Jork, simbolika e besimit te përkujdesja njerëzore

February 23, 2025 by s p

Rafaela Prifti/

Koncerti kushtuar Nënës Terezë, një figure ekuivalente me dhembshurinë njerëzore, u prezantua në sallën e madhe koncertale Carnegie Hall në Nju Jork nga EGC Productions dhe Legato Arts mbrëmjen e ditës së shtunë. “Rrugëtimi i Besimit” (Journey of Faith) shprehu me anë të artit të muzikës jetën e saj në shërbim të njerëzimit “për të frymëzuar tek pjesëmarrësit ripërtëritjen e forcës së bamirësisë dhe dashamirësisë ndaj njëri tjetrit,” thanë organizatorët në pritjen e dhënë përpara koncertit. Miku i Nënës Terezë dhe autori i librit me kujtime personale për të To love and be Loved, Jim Towey tregoi se ajo e përjetonte bukurinë e Zotit përmes artit prandaj kjo formë dedikimi i shkon më së miri emrit dhe veprës së saj.

Pa dyshim prejardhja dhe kombësia e saj shqiptare ishin ato për të cilat krenoheshin më shumë të ftuarit e Federatës PanShqiptare të Amerikës VATRA: Presidenti Dr. Elmi Berisha, Kryetarja e Degës më të re VATRA Utah Erjola Xheko, Ilir Cubi, Anëtar i Kryesisë, Bardh Tomaj, Anëtar i Këshillit, Elio Ahmetaj, anëtar dhe aktivist, Editorja për anglisht e gazetës Dielli Rafaela Prifti, Vehbi Bajrami, veprimtar i respektuar, botuesi dhe pronar i gazetës Illyria. Në pritjen që i parapriu shfaqjes ishin ftuar mbështetës dhe personalitete të fushave të artit, biznesit, fesë e diplomacisë dhe përfaqësues të trupit diplomatik dhe ambasadore nga Kosova dhe Shqipëria.

Maestro virtuoz Dante Anzolini dirigjoi orkestrën me famë të St. Luke në një program rreth dy orë me soprano Catherine Wethington dhe bariton Sean Michael Plumb me shoqërime kori. I konceptuar si metaforë muzikore e jetës së saj, programi ndërthurte krijime klasike si St. John Passion nga Johann Sebastian Bach, Panis Angelicus nga César Franck me vepra bashkëkohore të artistit më në zë Nico Muhly. Pikat kulmore ishin premierat amerikane të dy kompozitorëve shqiptarë, Thoma Gaqi Vallja me Daire nga Valle Simfonike dhe Genc Tukiçi Valsi Hyjnor – Hymn për Nënën Terezë, i luajtur për herë të parë në ceremoninë e pranimit të saj si shenjtore në vitin 2016. Pas koncertit Kryetarja e degës së Vatrës Utah Erjola Xheko tha se kompozimet shqiptare i përcollën emocione të veçanta.

Programi ishte përzgjedhur për të ndriçuar momente kyçe të jetës së bamirëses së madhe që nga lindja në familje shqiptare në 1910 në Shkup, vajtja në Irlandë dhe pesëdhjetë vite pune misionare në Indi. “Meqë Bronksi ishte vendi ku ajo hapi qendrën e parë misionare në Amerikë, programi i jepte hapësirë lidhjes shpirtërore të Nënës Terezë me Nju Jorkun, duke sjellë premiera të kompozitorëve njujorkez si Philip Glass dhe Missy Mazzoli,” tha dirigjenti Dante Anzolini.

Sot Misionaret e Bamirësisë që ajo ngriti shërbejnë në 139 vende të botës. Nga fondet e mbledhura në koncertin bamirës do ndihmohen shoqatat misionare të Nënës Terezë në Nju Jork dhe në botë përmes organizatave që sigurojnë strehim, ushqim dhe ndihmë për të pastrehët, të sëmurët, të anashkaluarit, për të cilët ajo u kujdes gjatë gjithë jetës së saj. Në fund të mbrëmjes, Dr. Elmi Berisha kujtoi porosinë e saj për vlerën e ndihmës njerëzore atëherë kur pyetemi sesa kemi ndikuar apo kur na duket se nuk arritur mjaft sepse “vetë Nënë Tereza bënte krahasimin me një pikë uji në oqean, duke thënë se pa atë oqeani do kishte një pikë më pak.”

Filed Under: Opinion

#SiSot, më 22 shkurt të vitit 1933, u nda nga jeta Hilë Mosi

February 22, 2025 by s p

Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave*/

Rrugëtimi i tij gjithëkombëtar, ka kulmuar me pjesëmarrjen në lëvizje atdhetare, kulturore dhe politike. U lind në Shkodër, më 22 prill 1885, në një familje me theks patriotik. Mësimet fillore i ndoqi në shkollën italiane të vendlindjes. Më tej, iu drejtua shkollës teknike tregtare dhe Kolegjit Saverian të Jezuitëve. Ndërsa, në studimet e larta u profilizua në degën e Mësuesisë në Shkollën Normale të Klagenfurtit.

Nën kujdesin e tij botohej fletorja e titulluar “Vllaznija”, Mosi nisi t’i dedikohej letërsisë. Prozat dhe vjershat e tij atdhetare mbanin pseudonimin letrar “Sakoli”. Themeloi shoqërinë “Gegnija” dhe si përfaqësues i radhëve të saj, përkrah Gjergj Fishtës, Ndre Mjedës, Luigj Gurakuqit dhe Mati Logorecit, mori pjesë në punimet e Kongresit të Manastirit.

Mosi mbajti një sërë funksionesh shtetërore. Në segmentin katërvjeçar, 1920-1924, ushtoi detyrën e ligjvënësit. Po ashtu, shërbeu si senator i Senatit të Dhomës së Këshillit Kombëtar të Shqipërisë, nga marsi deri në dhjetor të vitit 1920. Gjatë qeverisë së Fan S. Nolit, përmbushi detyrën e prefektit të Korçës dhe të Gjirokastrës. Në kabinetin qeveritar të 1927-s, qe ministër i Punëve Publike. Ndërsa, në vitin 1930, mori postin e kreut të Ministrisë së Arsimit, detyrë që e ushtroi gjer në vdekje.

*Ribotim

Filed Under: Analiza

Elmi Berisha: Qeveria e re e Kosovës të jetë ‘shumë më e kujdesshme’ në marrëdhëniet me Uashingtonin

February 22, 2025 by s p

“Zëri i Amerikës”

  • Garentina Kraja

Elmi Berisha

Kryetari i Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra, Elmi Berisha thotë se qeveria e re e pritshme në Prishtinë, që do të dalë pas zgjedhjeve të fundit, duhet të tregojë kujdes në marrëdhëniet me administratën e re amerikane të Presidentit Donald Trump. Në një intervistë për Zërin e Amerikës me kolegen Garentina Kraja, zoti Berisha theksoi se nuk pret ndryshim të qasjes së Shteteve të Bashkuara ndaj Kosovës dhe Shqipërisë, por u bëri thirrje zyrtarëve të të dyja vendeve të angazhohen për të përmbushur detyrimet e tyre. Për Kosovën kjo do të thotë krijimi sa më i shpejtë i një qeverie të re të qëndrueshme dhe të gatshme të përballet me sfidat përpara saj. Ai nënvizoi edhe nevojën për bashkërendim të Prishtinës dhe Tiranës zyrtare me komunitetin shqiptaro-amerikan për lobim në emër të tyre në Uashington.

Elmi Berisha: Qeveria e re e Kosovës të jetë shumë më e kujdesshme në marrëdhëniet me SHBA

 EMBED SHARE

Elmi Berisha: Qeveria e re e Kosovës të jetë shumë më e kujdesshme në marrëdhëniet me SHBA

 EMBED SHARE

The code has been copied to your clipboard.


width  pxheight  px

  • Facebook
  • Twitter

The URL has been copied to your clipboard

  • Auto
  • 240p
  • 360p
  • 480p
  • 1080p
  • 720p

No media source currently available

0:007:200:00

Zëri i Amërikës: Zoti Berisha, këto ditë po qëndroni në Uashington për takime ndërkohë që në Kosovë kishim një proces zgjedhor për një kuvend dhe qeveri të re. Cili është vlerësimi juaj për këto zhvillime?


Elmi Berisha: Kemi ardhur këtu që të bëjmë disa takime si “Vatër” në Departamentin e Shtetit, në Kongres, që të takohemi me ca miq të vjetër dhe të rinj që kemi tani, që do të udhëheqin me administratën e re të Presidentit Trump. Patëm një takim shumë të mirë në Departamentin e Shtetit ku u bisedua rreth zgjedhjeve të fundit në Kosovë, që ishin të vlerësuara shumë lart edhe nga Departamenti i Shtetit, por edhe nga ne Vatra dhe shqiptaro-amerikanët. (Zgjedhjet kishin) një mbarëvajtje të suksesshme, të mirë dhe shumë demokratike. Ishte një bisedë shumë e veçantë dhe e gëzimit. Ramë dakord për vazhdimësinë e proceseve tona, të partneritetit të ‘Vatrës’ dhe shqiptaro-amerikanëve me Departamentin e Shtetit. Ju e dini që edhe në të kaluarën ne kemi bashkëpunuar me Departamentin e Shtetit dhe gjithmonë kemi qenë në të njëjtën linjë politike, zhvillimore dhe diplomatike. Do të vazhdojmë t’i forcojmë lidhjet tona dhe bashkëpunimin tonë me Departamentin e Shtetit për të mirën e Kosovës, për të mirën e popullit shqiptar, por në veçanti proceset e fundit në Kosovë, që sa më parë të fillojë formimi i qeverisë dhe të vazhdojmë në procese të mëdha, të cilat po e presin Kosovën me bisedime me Serbinë dhe përfundimin e tyre dhe fillimi i një epoke të re të zhvillimit ekonomik dhe krijimit të vendeve të punës.

Elmi Berisha
Elmi Berisha

Zëri i Amerikës: Duke marrë parasysh përvojën tuaj me administrata të ndryshme në Uashington, cilat janë pritshmëritë për këtë administratë të Presidentit Trump dhe cilat janë përparësitë e kësaj administrate ndaj rajonit dhe Kosovës në veçanti?

Elmi Berisha: Kjo administratë është pak më e veçantë. Ka patur edhe një administratë më të hershme të Presidentit Trump, por mendoj se kjo do të jetë më konçize, më e fuqishme, shumë më e organizuar, më e detajuar, por që do t’i ketë qëndrimet e veta më të rrepta ndaj vendeve ku mund të ketë konflikte dhe ka gjëra të cilat duhet të bisedohen dhe përfundohen në bisedime paqësore. Këtu vjen edhe Kosova dhe qeveria e Kosovës dhe institucionet e shtetit të Kosovës duhet të jenë shumë të ndërgjegjshëm. Sigurisht edhe ne si Vatër dhe shqiptaro-amerikanët duhet ta bëjmë një kujdes të veçantë, një përkushtim të veçantë rreth këtij katër vjeçari që është jetik për shqiptarët e Kosovës, për shtetin e ri të Kosovës – përfundimin e bisedimeve me Serbinë. Ne u pajtuam edhe në Departamentin e Shtetit që duhet të ketë njohje reciproke mes Beogradit zyrtar dhe Prishtinës zyrtare.

Zëri i Amerikës: Qeveria e Kosovës është kritikuar vitet e fundit nga administrata e kaluar e Presidentit Biden, por edhe nga zyrtarët e administratës aktuale, tani të re, të Presidentit Trump. Si i vlerësoni aktualisht marrëdhënie ndërmjet Uashingtonit dhe Kosovës?

Elmi Berisha: U pajtuam edhe sot gjatë bisedimeve me miqtë tanë në Departamentin e Shtetit, që qeveria e re e cila do të formohet në Kosovë dhe të formohet sa më parë nga partia që fitoi shumicën apo edhe në partneritet me ndonjë parti tjetër politike në Kosovë. Por është e domosdoshme që kjo qeveri të jetë e fuqishme dhe të mos ketë pengesa gjatë zhvillimit dhe punës së saj katërvjeçare. Uroj që të jetë katërvjeçare për të mirën e qytetarëve, jo të partive politike, por të shtetit të Kosovës. Duhet të mendohet, të punohet shpirtërisht dhe për të ardhmen e kombit, që të krijohet një qeveri sa më stabile, me partnerë seriozë, të ecim përpara dhe t’i shtyjmë proceset e kombit dhe zhvillimit të Kosovës.

Përsa i përket raportit Amerikë-Kosovë, tani do të jem shumë i vetëdijshëm. Kemi të bëjmë me një president i cili e mban fjalën, i mban premtimet, por që edhe nuk bën tolerime të panevojshme. Raporti me Kosovën duhet të ndryshojë dyqind për qind, jo 100 për qind. Uroj dhe dëshiroj që qeveria e re të jetë shumë më e kujdesshme në raport me marrëdhëniet dhe lidhjet diplomatike e politike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në veçanti, por edhe me Perëndimin. Uroj dhe besoj dhe ne premtuam gjatë bisedimeve sot në Departamentin e Shtetit me miqtë tanë, me partnerët tanë, që do të ndihmojmë në proces të zhvillimit të marrëdhënieve në nivelin më të lartë mes shtetit të Kosovës dhe Uashingtonit zyrtar.


Zëri i Amerikës: Duket që porosia juaj e ka një dozë paralajmërimi për një urgjencë. A mund të më tregoni ku po e bazoni këtë paralajmërim? Çfarë u shtyn ta bëni këtë paralajmërim, këtë qëndrim tuaj?

Elmi Berisha: Sepse Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe populli amerikan kanë investuar që 113 vjet tek shqiptarët, si në formimin e shtetit të parë shqiptar dhe ndalimin e copëtimit të tij deri tek shteti i fundit, shteti i Kosovës e këtu protagonistë jemi edhe ne, kjo pjesë e udhëheqjes së ‘Vatrës’ sot. Do të thotë jemi pjesë e këtij procesi dhe i dimë periudhat e zhvillimit si kanë shkuar dhe sa vështirë ka qenë që të bashkërendohemi dhe të bëhemi partner me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Siç thoshte Presidenti Rugova të krijojmë marrëdhënie vëllazërore, të përjetshme. Këto duhet të mbahen. Ky është investim 113 vjeçar, që populli amerikan e ka bërë për popullin shqiptar, tani në veçanti për Kosovën. Asnjëherë nuk duhet të lejohet që të cenohet.


Zëri i Amerikës: A mendoni që është cenuar ky raport?

Elmi Berisha: Nuk mendoj.

Zëri i Amerikës: Vitet e fundit, lobi shqiptaro-amerikan nuk ka qenë shumë aktiv. A do të ketë më shumë angazhim të lobit shqiptaro-amerikan duke i patur paraysh këto ndryshime që i paralajmëruat?

Elmi Berisha: Është një e vërtetë e madhe që pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, lobimi i organizuar – sepse lobimi shqiptar nuk është ndalur asnjëherë në Uashington, është bërë në mënyrë individuale dhe grupore, por nuk është ndalur asnjëherë dhe as që do të ndalet ndonjëherë. Por në mënyrë të organizuar, siç ka qenë në vitet 1990, nuk ka qenë. Realisht nuk e kemi marrë përkrahjen e qeverive në vazhdimësi, sepse edhe nuk ka qenë pjekuria e tillë. Nuk dua që t’i amnistoj ata, por unë mendoj që nuk ka qenë në nivelin e dëshirueshëm dhe të nevojshëm. Uroj që të kemi një bashkëpunim, një harmonizim i politikave të diasporës shqiptare, që kanë përvoja të mëdha politike dhe lobuese në Amerikë dhe qeverisë së Prishtinës dhe Tiranës zyrtare. Duhet që energjitë e Prishtinës dhe Tiranës zyrtare të fuqizohen, të kanalizohen dhe ne si shqiptaro-amerikanë, unë mund të premtoj se ne si Vatër do ta bëjmë ngritjen e nivelit të lobimit dhe do ta mbështesim fuqishëm që do të shihet dhe do të preket në të ardhmen e afërt.

Zëri i Amerikës: A keni marrë hapa konkret në këtë drejtim?

Elmi Berisha: Sigurisht që po.

Zëri i Amerikës: Ekspertë të ndryshëm gjatë javëve të fundit kanë vlerësuar se jemi në një moment të ri gjeopolitik dhe shpalosjes së përparësive të reja të administratës së Presidentit Trump. Cili është vlerësimi juaj për qasjen që do ta ketë konkretisht ndaj Kosovës dhe Shqipërisë kjo administratë?


Elmi Berisha: Lufta në Ukrainë, problemet e mëdha ekononime dhe politike me Rusinë dhe me Kinën nga perspektiva amerikane sigurisht që do të ndikojnë edhe në Kosovë. Nuk besoj që do të ketë paralele mes vendeve tjera në raport të marrëdhënieve diplomatike dhe politike. Qëndrimet e Amerikës ndaj Kosovës nuk do të kenë luhatje aspak, por që ne duhet të jemi të përgatitur që të bashkëpunojmë me administratën e Presidentit Trump, sepse do të jetë në favor të shqiptarëve, vetëm se ne duhet të jemi të kujdesshëm dhe t’i kryejmë detyrat tona të shëpisë.

Zëri i Amerikës: A mund të flisni më konkretisht për këto detyra të shtëpisë?


Elmi Berisha: Së pari duhet të krijohet qeveria e re. Nëse partia e parë që ka fituar mund ta bëjë qeverinë, ta bëjë sa më parë, të përgatitet për ngritjen e institucioneve dhe fillimin e punëve që kanë mbetur prapa. Nëse nuk ndodh një gjë e tillë, të bëhet një koordinim me partnerët e ri të mundshëm, që është punë e tyre, kjo nuk është një gjë që mua më intereson të thellohem. Por më intereson të kemi një qeveri të qëndrueshme, një qeveri e fuqishme, një qeveri premtuese dhe afatgjatë sepse kemi shumë agjenda të ngjeshura për avancim të kombit dhe zhvillim të shtetit të ri. Pastaj na duhet të përqëndrohemi në mënyrë të menjëhershme në politikën ndërkombëtare, politikën e jashtme, që të kemi edhe njohje të reja sa më parë sepse kemi ngecur me këtë çështje shumë. Këtu do të thotë shumë ndershmëria dhe largpamësia e qeverisë së ardhshme dhe raporti i tyre me Perëndimin dhe në veçanti me SHBA-të. Gjithmonë duhet të jemi në të njejtën faqe me Departamentin e Shtetit.

Filed Under: Politike

Figura poliedrike e studiuesit arbëresh Atë Emanuele Giordano

February 22, 2025 by s p

Figura poliedrike e studiuesit dhe priftit të njohur arbëreshë, Atë Emanuele Giordano, Papas Maoli (Emanuele) Giordano nga Frasnitë, që ndërroi jetë më 17 shkurtin e kaluar, në spitalin e Lungros, në moshën 95 vjeçare., në dëshminë e priftit kosovar, dom Lush Gjergjit. Kujtojmë se më 18 shkurtin e kaluar u kremtua Liturgjia e Shenjtë e dritës dhe funerali i të ndjerit Papas Emanuelit, udhëhequr nga ipeshkvi arbëresh imzot Olivero Donato, me një pjesëmarrje korale të botës arbëreshe e të gjithë atyre që e njohën, nderuar, deshën e respektuan dhe deshën shumë, duke dhënë lamtumirën me respekt të madh e mirënjohje ndaj Hyjit, për dhuratën e madhe që ishte për të gjithë papas Maoli.
Shtyllë e identitetit dhe studiues i kulturës arbëreshe, papas Maoli qe një ekspert e studiues i vëmendshëm i filologjisë, letërsisë italiane e arbëresheve, është autor i shumë veprave të rëndësishme si fjalori madh “Arbëresh-italiano”, për leksikografinë arbëreshe, veprat “Gramatike Arbershe”, “Mbledhje këndimesh arbëreshe çë këndohen në Ejaninë e Frasnitë”; “Gramatikë arbëreshe”, “Vangjeli” (Ungjilli) etj. Figurë poliedrike, papas Maoli u mor me histori, letërsi, folklor e muzikë arbëreshe liturgjike e kombëtare. Është kujdesuar për botimin kritik të veprës së shkrimtarit arbëresh Bernardo Bilotta, me titull “Shpata e Skënderbeut ndë Dibrët poshtë”, botuar nga Instituti i Historisë dhe Gjuhësisë, me rastin e 500 vjetorit të vdekjes së heroit tonë kombëtar.
Ja dëshmia e Don Lush Gjergjit,
Atë Emanuele Giordano(1920-2015) për herë të parë e kam takuar në Kalabri, në famullinë Ejanina në vitin 1970. Ishte Java e Madhe e Pashkëve. Me ftesë dhe përcjellje të Mons. Eleuterio Fortino, së bashku me Don Ndue Gjergjin, Don Aleksandër Kolën, udhëtuam prej Romës për Kalabri. Ishim studentë të Universitetit “Urbaniana.” Qëllimi dhe synimi ynë ishte për t’i njohur dhe takuar vëllazëritë tanë Arbëreshë, “gjakun tonë të shprishur” gjatë shekujve, por gjithnjë të gjallë dhe të ngrohtë. Ishim mysafirë të familjes së Mons. Eleuterio Fortino, në fshatin e njohur san Benedetto Ullano, vendlindja e tij. Ai na kishte mundësuar këtë vizitë, takim, njohje me botën arbëreshe.
Ndër takimet e paharrueshme, përpos vizitave gati të gjitha bashkësive arbëreshe, riteve të liturgjisë lindore, ishte edhe takimi, ndeja, bisedimi me atë Emanuele Giordano, njeri i ngritur, me kulturë të lartë, njohuri të thellë dhe dashuri të madhe, me fytyrë tipike dhe karakteristik arbërore.
Na bëri përshtypje erudicioni i tij për gjuhë, histori, letërsi dhe kulturë shqiptare. Biblioteka e tij ishte plot me libra. Mendova dhe vendosa: në duar dhe bibliotekë të tij ka vend edhe për botimet tona, për revistën fetaro-kulturore DRITA, që kishte filluar botimin në Prizrenin tonë të lashtë. Qysh prej takimit tonë të parë rregullisht ia kemi dërguar Dritën, më vonë edhe disa botime tjera, Roli i femrës shqiptare në familje dhe në shoqëri, Nëna jonë Tereze, Besëlidhja e Re… Çdo herë përgjigjej me fjalë të zgjedhura miradije dhe falënderimi, virtyt ky i njerëzve të mëdhenj dhe të mirë.
Takimi ynë i dytë ndodhi gjatë vizitës ndër Arbëreshë për mbledhjen e punimeve dhe krijimtarive kushtuar Nënës Tereze për monografinë “Lule për Nënën”. Ishim së bashku me Don Zef Gashin, famullitarin e atëhershëm të Prishtinës, tani arqipeshkvin e Tivarit, gjatë verës së vitit 1984.
Takim i ynë i tretë ishte prapë në Ejaninë, më 8 shkurt 1985. Me këtë rast ndër të tjera më tha kështu: “Ti ma dërgon rregullisht Dritën dhe shumë botime tjera … Unë të kam borxh… Ja, pra, Fjalori i Arbërshvet t’Italisë, 1963, fq. 592, me këtë përkushtim: “Mikut dhe Vëllaut të përdashur Lush Gjergjit. Me nderime dhe mall arbëresh. Papas Emanuil Jordani. Janinë, 8. II. 1985”.
Takimi ynë i katërt ishte me rastin e kremtimit të 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë në Kalabri, ndër Arbëreshë (11-13 maj 2013). Isha së bashku me vëllain tim, Don Ndue Gjergjin, misionar te “Kisha Zoja Pajtore e Shqiptarëve” në Southfield të Detroitit.
Para një viti mësove nga nipi i tij Augustin Giordano, drejtori i revistës “Jeta Arbëreshe”, pjesëmarrës në Seminarin për Gjuhë, Letërsi dhe Kulturë Shqiptare në Prishtinë, se atë Emanuel Giordano fatbardhësisht ishte ende gjallë dhe mirë me shëndet.
E përshëndeta dhe i dhurova disa libra nëpërmjet nipit të tij, Agustinit, me dëshirë që të shiheshim sa më pare për t’i përtërirë kujtimet tona.
Mezi prita të takoheshim prapë, pas shumë viteve.. E gjeta në tavolinë të punës, të rrethuar me libra dhe shkrime. Ishte mjaft i freskët me mend dhe shumë i lumtur që rishtas ishim së bashku. I thashë: “Atë Emanuel, dashuria jonë është më e forte se koha dhe rrethanat e jetës. Ta solla edhe kësaj radhe një libër me meditime: Të ftuar dhe të dërguar”.
Pas dy dite, u ktheva rishtas për ta parë dhe ftuar në manifestimin qendror të Pavarësisë së Shqipërisë. E gjeta më librin tim në tavolinë. Më tha: “Bukur, u kënaqa në lexim dhe meditim. Erdha deri te faqja 28. Gjithnjë lexoj ndonjë rresht, mendim apo faqe. Janë tekste të bukura dhe përmbajtjesore…”. U përgjigja unë: “Ti më do dhe shi për këtë edhe me çmon dhe nderon, I shijon edhe dromcat e vogla në sofër…”.
Pastaj ia shpjegova argumentin e ardhjes tonë dhe si në hoka i thashë: “Ti i përket asaj periudhe, sepse linde vetëm tetë vite pas Pavarësisë. Eja, pra, e na ndero me praninë dhe fjalën tënde!”.
Erdhi. Ishte shtrënguar mirë e mirë. Prania e tij i gëzoi shumë gjithë të pranishmit. I tha edhe dy fjalë rasti, dukshëm i emocionuar dhe ngazëllyer. Fjala e fundit ishte: “Urime, urime, dhe prapë urime!”.
Njeri për mrekulli në atë moshë! Mirë thotë populli ynë: “Nuk plaket zemra dhe dashuria!”.
Hera e pestë, e fundit, ishte kur pata përtëritjen shpirtërore për meshtarë dhe murgesha të Eparisë së Ungrit, me ftesë të Imzot Renato Oliverio (14 – 15 maj 2014).
Atë Emanuele Giordano qetë, ndërroi jetë; kaloi në amshim, u kthye në shtëpinë e Atit më 17 shkurt 2015, duke lënë pas vete një histori, shumë kujtime dhe botime, një jetë kushtuar Zotit, Kishës Katolike, Popullit Shqiptar, sidomos Arbëreshëve, shembull atdhedashurie nëpërmjet kulturës së jetës dhe qytetërimit të dashurisë. Miqësia dhe vëllazëria, komunikimi ynë tashmë vazhdon edhe në amshim.
Atë Emanuele Giordano ishte një prift arbëresh- i mirë dhe i njohur, mjaft i dalluar dhe afirmuar, intelektual i dorës së parë, i afërt dhe shumë i dashur, njeri që la gjurma të pashlyeshme në kulturën arbëroro-shqiptare, sidomos në lëmin e gjuhës dhe të liturgjisë. Zoti e shpërbleftë për shërbimin e madh flijues dhe dhurues, ndërsa kujtimi i tij lë të jetë ndër ne i gjallë dhe frymëzues për të gjithë, sidomos për brezet e reja. Pushoftë në paqe.
Don Lush GJERGJI

Filed Under: Kronike

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 641
  • 642
  • 643
  • 644
  • 645
  • …
  • 2947
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • VATRA URON BESIMTARËT ORTODOKSË: GËZUAR DHE PËRSHUMËVJET PASHKËT
  • Fan Noli, apostull i ringjalljes shqiptare
  • KOSOVA NË NATO DHE ASNJËHERË ASOCIACION SERB
  • ELIOT ENGLE DHE HARRY BAJRAKTARI: NJË BASHKËPUNIM QË FUQIZOI ZËRIN SHQIPTAR NË SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
  • “Ngërçi Presidencial në Kosovë Zbulon një Dobësi të Kushtetutës”
  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT