• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Festa e Pavarësisë së Kosovës dhe Promovimi i Librit “The Beauty of Choice” nga Wendy Steiner

February 17, 2025 by s p

Bora Balaj

Foto: “Noli Tv”/

Më 17 shkurt 2025, në Librarinë e Stamfordit, Connecticut, Shoqata “Skënderbeu” nga New York organizoi një event të veçantë për të festuar 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Ky event shënoi një reflektim mbi sakrificat e të kaluarës dhe një moment për të riafirmuar angazhimin për të ardhmen e Kosovës.

Mbrëmja u moderua nga Era Balaj, e cila e udhëhoqi këtë aktivitet me profesionalizëm dhe elegancë. Në fjalën e saj përshëndetëse, Bora Balaj, sekretare e Shoqatës “Skënderbeu” dhe autore e pesë librave, përkujtoi figurat kyçe të historisë së Kosovës, përfshirë Presidentin Ibrahim Rugova, i cili udhëhoqi me diplomaci përpjekjet për pavarësi, dhe Adem Jasharin dhe familjen e tij, të cilët dhanë jetën për lirinë e Kosovës. Bora gjithashtu përmendi kontributin dhe sakrificat e UÇK-së (Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës), që luajti një rol kyç në çlirimin e Kosovës. Një mirënjohje e veçantë iu drejtua edhe Presidentit Bill Clinton, i cili mbështeti çlirimin e Kosovës në momentet më kritike.

Eventi përfshiu gjithashtu promovimin e librit “The Beauty of Choice: On Women, Art, and Freedom” nga Wendy Steiner, një libër që trajton tema të rëndësishme mbi artin, lirinë dhe të drejtat e grave, përfshirë një kapitull të ndjeshëm mbi gratë e dhunuara gjatë luftës në Kosovë, një plagë e hapur në ndërgjegjen e kombit. Ky libër ka ndihmuar në ndezjen e një debati të rëndësishëm mbi sfidat dhe përpjekjet e grave në shoqërinë kosovare dhe më gjerë.

Një moment domethënës ishte shkëmbimi i librave mes Bora Balaj dhe Wendy Steiner, një akt simbolik që pasqyroi fuqinë e letërsisë për të krijuar lidhje mes kulturave dhe historive të ndryshme.

Në këtë ngjarje të rëndësishme morën pjesë mbi 100 të ftuar nga New Yorku, New Jersey dhe Connecticut, duke e bërë mbrëmjen të paharrueshme dhe të ngrohtë. Gjithashtu, Kryesia e Shoqatës “Skënderbeu”, përfaqësuar nga Bashkim Shehu, president, dhe Faton Zogiani, nënkryetar, kontribuan në realizimin e këtij aktiviteti, duke siguruar organizimin dhe mbështetje të vazhdueshme.Na nderuan me pjesmarrje antaret e kryesis Shoqatës shkrimtareve Shqiptaro-Amerikane, përfaqësuar nga Adnan Mehmeti dhe Mhill Velaj, na nderuan me praninë e tyre, si dhe Sabije Dervishi Veseli, kryetare e Shoqatës “Marigona” nga New Jersey.

Pjesë e aktivitetit artistik të eventit ishin Blerina Muqolli në piano dhe Pranvera Sula në kitarë, të cilat interpretuan pjesë instrumentale të zgjedhura, duke kontribuar në atmosferën e ngrohtë e kulturore të ngjarjes. Për konceptimin dhe organizimin artistik të eventit u kujdes Diar Xani, producent dhe pjesë e Kryesisë së Shoqatës “Skënderbeu”. Virgjil Kule, anëtar nderi i Shoqatës “Skënderbeu”, dha një dimension të veçantë, ndërsa profesor James yong i ftuar i veçantë, ndau mendimet e tij mbi përvojat e tij gjatë vizitës në Kosovë, duke reflektuar mbi Memorialin “Heroinat” dhe gjenocidin e ushtruar gjatë luftës. Fjalimi i tij ishte një pasqyrë e thellë mbi përpjekjet për të ruajtur kujtimin dhe nderimin e atyre që dhanë jetën për lirinë e Kosovës, si dhe mbi vuajtjet që pësoi populli kosovar gjatë periudhës së luftës.

Në këtë kontekst, Virgjil Kule ofroi një analizë shumëdimensionale të veprës së Wendy Steiner, duke u fokusuar në sakrificën e grave gjatë luftës. Ai falënderoi autoren për thellësinë dhe ndjeshmërinë me të cilën trajton temat e luftës dhe të drejtave të grave, duke theksuar rëndësinë e vazhdimit të kujtimit të historisë dhe dhënies së një platforme për ato që nuk janë dëgjuar mjaftueshëm.

Gjithashtu, Skender Pali dhe Nazim Salihu ishin të pranishëm me kamerat e tyre, duke realizuar xhirime dhe fotografi gjatë eventit.

Pjesë e rëndësishme e këtij aktiviteti ishte gjithashtu prania e Bexhet Asanit nga Shoqata e Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikane, një tjetër përfaqësues i nderuar i kulturës shqiptare në SHBA.

Në fund të eventit, për të pranishmit u organizua një kokteil, duke ofruar mundësinë për t’u relaksuar dhe për të vazhduar diskutimet dhe bashkëbisedimet mbi temat e ngjarjes, kulturën dhe lidhjet mes shqiptarëve të diasporës dhe atdheut. Ky moment shërbeu gjithashtu për të forcuar miqësitë dhe për të festuar bashkimin e shqiptarëve në këtë ngjarje të veçantë.

Filed Under: Kronike

Shkolla shqipe “Mëso Shqip” në Staten Island, New York, festoi 17 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

February 17, 2025 by s p

Arlinda Sukaliqi/

Shkolla shqipe “Mëso Shqip” në Staten Island, New York, festoi 17 vjetorin e Pavaresisë së Kosovës me një program te larmishëm patriotik, edukativ, atdhetar e kulturor. Në respekt, nderim e përkujtim të kësaj dite madhështore, nxënësit shfaqen talentin e tyre duke sjellë shumë emocione. Nxënësit e grup moshave të ndryshme nga ato 5 deri ne 21 vjeç shprehen shpirtin e tyre artistik duke performuar në mënyra të ndryshme, qofshin ato poezi që u recituan me aq dëshire dhe emocione të zjarrta patriotike, qofshin me vizatime, kënge e valle me motive patriotike. Kjo ditë ishte e veçantë për shkollën e komunitetin tonë sepse përveç projekteve shkollore dhe vallëzimet e kënget kushtuar Kosovës patëm mundësi të njihen më afër me sakrificën e patriotëve dhe heronjëve kombëtar siç është Adem Jashari e shumë të tjerë, pa të cilët liria që sot po gëzojmë nuk do ishte e mundur. Nderim perjetë sakrificave për lirinë e atdheut.

Përkushtimi i mësueseve të gjuhës dhe të vallëzimit, e këndimit e bënë që kjo ditë të jetë me festive dhe argëtuese për nxënësit por dhe për prindërit që mbështesin këtë shkollë.

Kosovë, Gezuar 17 vjetorin e shtetformimit, përjetë e mot.

Filed Under: ESSE

Në Boston u festua 17 vjetori i pavarësisë së Kosovës

February 17, 2025 by s p

Flamur VEZAJ/

Në sheshin e Bashkisë së Bostonit, nën kujdesin e Federatës Panshqiptare VATRA dhe organizatës shqiptare MAASBESA, u ngrit flamuri i Kosovës për nder të 17-vjetorit të Pavarësisë nga pushtimi serb!

Edhe pse moti ishte i ashpër, me shi e borë, zemrat e shqiptarëve rrezatonin ngrohtësi dhe krenari. Bashkatdhetarët u mblodhën për të nderuar këtë ditë të shenjtë, duke valëvitur flamurin e Kosovës krah atij amerikan – simbol i miqësisë dhe mbështetjes që ky vend i madh ka dhënë për popullin tonë. Ngritjen e flamurit të Kosovës e bënë me nder nxënësit Olsian Vezaj dhe Joni Maksutaj, të ndihmuar nga Jorid Çelaj, duke simbolizuar vazhdimësinë e brezave që do të mbajnë gjallë identitetin kombëtar shqiptar.

Për këtë përvjetor të lavdishëm, Guvernatorja e Massachusetts-it, Maura Healey, lëshoi dhe firmosi një Proklamatë, e cila u lexua nga atdhetari Faton Limani. Në këtë dokument historik, guvernatorja vlerësoi kontributin e komunitetit shqiptar dhe theksoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes Massachusetts-it dhe popullit të Kosovës.

Gjithashtu, kryetarja e Bashkisë së Bostonit, Michelle Wu, në një gjest domethënës, shpalli 17 Shkurtin 2025 si “Ditën e Kosovës në Boston”. Proklamata e saj, e lexuar nga përfaqësuesja znj. Lisa Menino, konfirmoi mbështetjen e qytetit të Bostonit për komunitetin shqiptar dhe vlerat e tij.

Pas intonimit të himneve të SHBA-së dhe Kosovës, në atmosferën e mbushur me emocion, vijuan fjalimet përshëndetëse të organizatorëve.

Kryetari i VATRA-s në Boston, z. Menor Maksutaj, shprehu mirënjohjen ndaj autoriteteve për mbështetjen e dhënë dhe falënderoi komunitetin për pjesëmarrjen. “VATRA do të vazhdojë traditën e shumë patriotëve që e ruajtën gjallë shqiptarinë në mërgim. Flamuri ynë nuk është thjesht një copë stofi, ai është gjaku dhe sakrifica e mijëra burrave e grave që luftuan për lirinë tonë. Sot, ne e ngritëm këtë flamur për të treguar se Kosova jeton në zemrat tona, kudo ku jemi!” – u shpreh Maksutaj me emocione të forta.

Në emër të organizatës MAASBESA, foli Eduard Lazri, i cili theksoi rëndësinë e bashkimit të diasporës dhe ftoi bashkatdhetarët të angazhohen në komunitetin shqiptar. “Ne jemi një komb që nuk dorëzohet! Historia jonë është histori qëndrese dhe sakrifice. Sot, më shumë se kurrë, kemi detyrën të ruajmë gjuhën, kulturën dhe identitetin tonë në çdo cep të botës ku jetojmë.” Duke ftuar komunitetin çdo të shtunë në qendrën shqiptare të hapur tashmë në Braintre MA.

Në emër të Albanian Bostonians Community Center, foli Endri Kume, i cili njoftoi se një qendër e re për komunitetin shqiptar në veri të Bostonit do të hapet së shpejti në Beverly, MA. “Një komb i fortë ndërtohet mbi baza të forta. Me qendrat tona kulturore, me gjuhën tonë, me flamurin tonë, ne tregojmë se shqiptarizmi nuk shuhet kurrë!”

Në emër të shoqatës “Laberia” në Boston, zv/kryetari Neviol Shukulli përshëndeti të pranishmit dhe uroi shqiptarët për këtë ditë të shënuar. “Jemi bij të shqipes, jemi populli që di të qëndrojë krenar në çdo kohë. Lavdi dëshmorëve të Kosovës! Rroftë Shqipëria, rroftë Kosova, rroftë Kombi Shqiptar!”

Ceremonia u pasurua me poezi patriotike të recituara nga Albulena Kastrati, Namik Selmani dhe një fëmijë i lindur në SHBA, Marti Ismailaj, i cili, me një shqipe të pastër dhe zemër plot dashuri për atdheun, emocionoi të gjithë të pranishmit.

Nuk munguan as këngët patriotike, të interpretuara nga rapsodët vëllezërit Delia, të cilët ndezën atmosferën me këngët e tyre që rrëfejnë historinë dhe krenarinë kombëtare.

Ceremoninë e moderoi studenti nga Kosova, Ledion Hoti, i cili me profesionalizëm dhe emocion përcolli mesazhin e kësaj dite madhështore: Pavarësia e Kosovës nuk është vetëm një datë, por një amanet i shenjtë që duhet ruajtur, nderuar dhe mbrojtur nga brezat e ardhshëm!

Boston, një qytet i madh, sot u bë edhe më i madh me zemrat shqiptare që rrahin fort për Kosovën dhe kombin. Ky flamur që valëvitet këtu nuk është vetëm simbol i një shteti – është simbol i gjakut, sakrificës dhe krenarisë sonë kombëtare.

Lavdi heronjve të Kosovës! Rroftë populli shqiptar.

Filed Under: Komunitet

Presidenti Trump e uron Presidenten Osmani për 17-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës

February 17, 2025 by s p

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pranuar letër urimi nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald J. Trump, me rastin e 17-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.

Në mesazhin e tij, Presidenti Trump ka përgëzuar popullin e Kosovës për rrugëtimin drejt pavarësisë, duke vënë në pah qëndrueshmërinë dhe vendosmërinë që e kanë shoqëruar këtë proces. Ai ka theksuar mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara për Kosovën dhe angazhimin e saj për ndërtimin e një shoqërie demokratike për të gjithë qytetarët, pa dallim.

“Lidhjet midis popujve tanë janë të forta dhe ne presim me padurim t’i zgjerojmë ato, veçanërisht përmes rritjes së mundësive për investime, me qëllim që të sjellim më shumë prosperitet për të dyja vendet tona. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojnë me Kosovën në forcimin e institucioneve demokratike dhe promovimin e rritjes ekonomike përmes një mjedisi të qëndrueshëm dhe të drejtë biznesi”, thuhet në mesazhin e tij.

Presidenti Trump ka nënvizuar gjithashtu rëndësinë e integrimit të mëtejshëm të Kosovës në komunitetin euroatlantik dhe ka vlerësuar mbështetjen e palëkundur të Kosovës ndaj Ukrainës përballë agresionit rus.

Në fund të urimit, Presidenti Trump ka theksuar se Dita e Pavarësisë së Kosovës është një moment për të reflektuar mbi arritjet e deritanishme dhe për të parë drejt një të ardhmeje edhe më të ndritur.

Të bashkëngjitur gjeni urimin e plotë.

Filed Under: Opinion

Cep më cep 17 Vjetori i Pavarësisë së Kosovës nga Shkollat Shqipe Alba Life, New York

February 16, 2025 by s p

Nga Keze Kozeta Zylo/

7 Shkollat Shqipe “Alba Life” Ambasador i Kombit si në Staten Island, Brooklyn, Queens, Bronx, Manhattan më parë, Online dhe Albany kjo e fundit shkolla më e re në Diasporë festuan cep më cep të Nju Jorkut Ditën e Shenjtë të Pavarësisë së Kosovës sonë martire.

TV dhe Shkolla Shqipe “Alba Life” u krijuan në funksion te Kombit dhe Kosovës 18 vjet më parë atëhere kur milloshevici, hitleri i ballkanit dhe shteti i tij nazist, vrau, therri, dënoi, dhunoi, ushtroi genocid mbi popullin e pafajshëm të Kosovës. Si themelues Qemal Zylo bashkë me familjen e ndjemë të nevojshme për të qenë një zë më shumë si media dhe shkolla shqipe në Diasporë.

Duke organizuar aktivitete në kolegj, apo duke marrë pjesë aktive në demonstrata, sheshe për Kosovën, ishte më se e domosdoshme për të krijuar TV dhe shkollat shqipe pasi mijëra fëmijë në këto aktivitete flisnin vetëm anglisht dhe të sensibilizonim mbarë opionionin.

Sivjet në 17 Vjetorin e saj kemi bekimin e Kosovës të patriotëve të mëdhenj dhe njerëzve të thjeshtë pasi nga një shkollë që ishte në fidanishten e Staten Island u bë dhe u përhap në 7 shkolla në gjithë Nju Jorkun. Nxënësit nën udhëheqjen e mësueseve profesioniste si: Entela Muda, Elona Shkreta, Fatlinda Bajçinca Gashi, Rozeta Hyseni, Helena Ujkaj, Albana Lazri, Erinda Isufaj, Vjollca Skënderi, Gresila Basha, Era Shkëmbi Çorbaxhi dhe Edvina Belishta dhanë koncerte të larmishme patriotike nëpër të gjitha klasat e tyre. Ata i kënduan Adem Jasharit, Kosovës, UCK-së, intepretuan poezi nga Ali Podrimja, Azem Shkreli, Agim Shehu dhe të tjerë që i kanë kënduar me aq dashuri Kosovës dhe Kombit.

Metodat e mësimdhënies janë të larmishme dhe studimi i historisë të Kosovës i ndihmon ata të respektojnë vërtetësinë e burimeve historike, dhe në të ardhmen jam e sigurtë se do ta kuptojnë historinë e falsifikatorëve serbë kundër shqiptarëve, ndryshe padija për të shkuarën na bën skllevërit e saj.

Mësuesit me klasat më të reja përqëndrohen kryesisht në informacionin e panjohur apo pjesërisht për nxënësin ku zhvillohet kompetenca e lëndës “analiza shkak – pasojë” .

Mësueset me profesionalizëm ushtrojnë komunikimin gojor dhe krijojnë ndërveprime në klasë që i ndihmon nxënësit të jenë më të përfshirë gjatë orës së mësimit dhe më të motivuar për të mësuar historinë.

Koncertet ishin të larmishme të bukura dhe atdhetare. Tek i shihja me flamujt e shtetit të Kosovës dhe të Kombit ndihesha tejet e emocionuar, e gëzuar dhe e motivuar për të punuar më shumë. Ata kërcyen vallen e Flamurit, vallen e Kosovës, vallen e Xhamadanit, Pogonishten, valle të tjera dhe natyrshëm shumë prej tyre duken sikur janë Ansambli i shtetit.

Vallja e Flamurit, Vallja e Çamërisë nga nxënësit në Staten Island dhe K’cimi i Tropojës nga nxënësit e Alba Life në Bronx u performua në Bashkinë e Nju Jorkut dhe Parlament ne Albany ku pjesëmarrësit i shoqëruan me duartrokitje të zjarrta. K’cimi i Tropojës pranuar nga UNESCO është krenari për ne që e performojmë për 18 vjet radhazi.

Të gjithë prindërit falenderojnë, shprehin mirënjohjen e tyre të pakufishme për themeluesit, mësuesit që punojnë papushuar dhe me një korrektësi të jashtëzakonshme sikur të jemi shkollë Harvardi pasi sipas tyre nuk falet një minutë të iki bosh.

Një gjyshe nga Kosova që më sjellë nipin dhe mbesën e saj pasi më uroi Gëzuar Pavarësinë e Kosovës më tha se nuk ka gëzim më të madh kur unë shoh gjithë këta fëmijë shqiptarë që mblidhen si zogjtë së bashku dhe cicërrijnë në gjuhen tonë hyjnore. sllobodani krimin e parë që bëri ishte të mbylleshin shkollat shqipe. Ndërsa mësuese Fatlinda Bajçinca Gashi nga Prishtina tha se unë gjithmonë prekem dhe sot kujtoj ditët e trishta të miat kur regjimi serb na mbylli shkollat shqipe dhe ne vazhduam nëpër shtëpia dhe nuk e lamë asnjhërë gjuhën tonë.

E meqënse jemi tek Pavarëia e Kosovës, për koicidencë sot Universiteti i Prishtinës ka 55 Vjetorin e krijimit të tij ku i ndjeri Prof. Isa Bajçinca është bashkëthemelues i tij. Ai ishte gjuhëtar shqiptar, ishte profesori më i dalluar i gjuhës dhe ish pjesëmarrës në Kongresin e Drejtshkrimit në Tiranë më 1972. Ai ka ligjëruar lëndën Kultura e Gjuhës si dhe Sintaksën e Gjuhës Shqipe. Ka qenë autorë e bashkautorë i shumë librave shkollorë. Ai ishte gardiani më i fuqishëm i gjuhës së unisuar shqipe.

Sjellë shembuj nga mësueset nga Kosova meqënse jemi në ditën e shenjtë të Kosovës dhe ne kemi fatmirësisht shumë nxënës, prindër që janë nga Kosova dhe që janë mbështetës shumë të fuqishëm të Shkollave Shqipe “Alba Life” .

Të dëgjosh nxënësit kur recitojnë poema është emocionuese. Ja disa poetë Ali Podrimja si: Me shekuj kam shitur gjakun e rritur jam me gjakun e shitur/ Me shekuj kam hëngër me veten/ e ditur s’kam të qesh me veten e tepruar… Miq, Kosova është gjaku im që nuk falet!

Apo Azem Shkreli si: Në vargun me krushq atdheu është krushku i pare/ Në të tëra meshat shenjte ai është Meshari/ dhe poeti i shquar tepelenas Agim Shehu si: Posi nga zër’ i perëndive

u zgjua kontinenti plak/ Nga cili akt i tragjedive/ sot mbi Kosovë kulloi kaq gjak?

Të gjithë nxënësit me seriozitetin sikur të jenë student universiteti e uruan Kosovën nga zemra e tyre dhe të jetë e pavarur përjetësisht. Në Bronx ishte ndarë dhe torta për Kosovën dhuruar nga prindi dhe mbështetëse e shkollave Mirela Arifaj.

Ndërsa shkruaj këtë reportazh për aktivitetete e Shkollave Shqipe “Alba Life” në të gjithë Nju Jorkun nuk e di pse nuk më ndahen nga mendja vargjet aq të dashura dhe të ndjera për mua dhe me këngë në buzë vazhdoj të bëj ritualin tim:

Dashkam sonte ta tund botën,

Pikën e lotit ta bëj krua,

Për Kombin të ngre Flamurin,

Me Kosovën mish e thua.

Gëzuar Kosova jonë dhe me shpirt e profesionalizëm e festuam Cep me cep 17 Vjetorin e Pavaresise së Kosoves nga Alba Life, Ambasadorit i Kombit Amerikë.

Gëzuar Kosova jonë!

Filed Under: Reportazh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 653
  • 654
  • 655
  • 656
  • 657
  • …
  • 2946
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT