• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Vatra Chicago fton të gjithë shqiptarët në festën e Flamurit Kombëtar

October 24, 2024 by s p

Filed Under: Sofra Poetike

Shqiptarët gjatë periudhës se krijimit dhe shpërbërjes së Jugosllavisë 

October 24, 2024 by s p

Mr.sc. Valent Qafleshi/historian/

Për zgjidhjen e aspiratave kombëtare, shqiptarët e Kosovës pranuan parimin bazë të Aleancës Anti-Fashiste gjatë Luftës së dytë Botërore, me aktet e nënshkruara nga fuqitë kryesore të kësaj aleance, në Kartën e Atlantikut, në Konferencën e Moskës e të Teheranit. Parimet e të cilave akte ishin: e drejta e pamohueshme popujve pjesëmarrës të kësaj aleancë, për vetëvendosje deri në shkëputje, andaj populli shqiptar zgjodhi si rrugë të vetme për realizimin e aspiratave të popullit shqiptar për bashkim kombëtar, të luftonte krah aleatëve antifashist. 

Se kjo nuk do të realizohet u pa në mbledhjen më 29 nëntor 1943, në Jajce në Bosnjë e Hercegovinë, ku u mblodh Këshilli Antifashist për Çlirimin Popullor të Jugosllavisë në seancën e tij të dytë, dolën me një deklaratë se, “Jugosllavia do të ndërtohej mbi një parim të “komunitetit federal, demokratik”, me kombe/popuj të barabartë që shprehën lirshëm dëshirën e tyre për të jetuar në Jugosllavi”, e quajtur Jugosllavia Federale Demokratike, e cila përfshin 6 republika të barabarta si, Sllovenia, Kroacia, Bosnja e Hercegovina, Serbia, Mali i Zi dhe Maqedonia. Kreu i rezistencës partizane, Tito u emërua në krye të qeverisë së përkohshme dhe u ngrit në gradën e Marshallit. Dy vite më vonë, më 29 nëntor 1945, në sesionin e ardhshëm të Këshillit Antifashist për Çlirimin Popullor të Jugosllavisë, mbreti Petri i II-të ia kaloi pushtetin Josip Broz Titos, si kryeministër i ri i vendit. Kështu, vendi pushoi së qeni monarki dhe u bë republikë, e cila u riemërua si Republika Federative Popullore e Jugosllavisë. Shqiptarët e Kosovës edhe pse morën pjesë aktive në Luftën Antifashiste dhe dhanë kontribut tyre si edhe popujt tjerë, ata në këtë mbledhje nuk ftuan e as u trajtuan si të barabartë me popujt tjerë.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore me 1944/45, shqiptarët nuk u pajtuan me politikën e udhëheqjes komuniste jugosllave, ngase Partia Komuniste e Jugosllavisë (PKJ) nuk i përfilli aspiratat shqiptarëve, për çlirim kombëtar dhe për barazinë e plot me popujt tjerë. 

Qeveria e re komuniste që nga viti 1945 u përpoq të afirmonte idenë e Vëllazërimit- Bashkimit midis popujve dhe pakicave (kombësive) jugosllave, me nxjerrjen e një ligji të miratuar në maj të vitit 1945, sipas këtij ligji ndalohej përhapja e urrejtjes dhe mosmarrëveshjes kombëtare, racore dhe fetare, me dënime shumë të ashpra për të gjithë shkelësit. Por me këtë komunistët jugosllavë fshehën shovinizmin antishqiptar, pas parullave për Vëllazërim-Bashkim, për barazinë e popujve, që shpërtheu po aq i egër dhe mizorisht si edhe në periudhat kaluara të para luftës. Pra, Partia Komuniste e Jugosllavisë u mohoi shqiptarëve, jo vetëm të drejtën për vetëvendosje, por edhe barazinë me popujt e tjerë të Jugosllavisë, si rrugën e vetme për zgjidhjen e problemit të tyre kombëtar. Pra, shqiptarëve ju mohua e drejta elementare kombëtare ngase ata u cilësuan dhe trajtuan si pakicë kombëtare edhe pse ishin populli i tretë në numër në Jugosllavi. Kështu, Kosova bashkë me Vojvodinën u përfshinë si qarqe autonom në kundër të Serbisë. Shqiptarët e Kosovës dhe të viseve të tjera të banuara me shqiptarë në republikat tjera jugosllave si në Maqedoni e Mal të Zi, vazhdonin të trajtoheshin si në kohën e borgjezisë serbe të para luftës, të cilët synonin asgjësimin fizik dhe shfarosjen e shqiptarëve sipas elaborateve serbo-mëdha të Andriqit e Çubriloviqit. 

Për realizimin e këtyre projekteve antishqiptare deri në vitin 1968, gjendja e shqiptarëve në Kosovë, ishte përkeqësuar së tepërmi nga terrori i Aleksandar Rankoviqit, i cili ishte shef i OZN-së (Odsjek za Zaštitu Naroda- Departamenti për Mbrojtjen e Popullit), Drejtoria e Mbrojtjes Popullore, Shërbim Informativ i Jugosllavisë, themeluar më 13 maj 1944, nën udhëheqjen e Aleksadar Rankoviqit bashkëpunëtori i Titos dhe anëtar i Politbyrosë Jugosllave. 

Në një raport dërguar Komisionit për realizimin e këtyre projekteve antishqiptare deri në vitin 1968, gjendja e shqiptarëve në Kosovë, ishte përkeqësuar së tepërmi nga terrori i Aleksandar Rankoviqit. Kështu në dimrin e vitit 1955/56, filloi aksioni famëkeq, gjoja se ishin zbuluar materiale për mundësimin e një rreziku të shpërthimit të një kryengritjeje të shqiptarëve kundër Vëllazërim-Bashkimit Jugosllav. UDB-ja (Uprava Državne Bezbednosti-Drejtoria e Sigurimit të Shtetit), themeluar në mars të vitit 1946,  kishte përgatitur plane të hollësishme veprimi. Veç me mjete dhune duhesh godit, frikësua e nënshtrua ky popull kryeneç dhe i pabindur, mundësisht edhe të largohej e të mos kthente kokën pas. Ideatori dhe zbatuesi i këtij aksioni ishte Aleksandar Rankoviqi. Ai nga Komisioni i Komitetit Qendror të Jugosllavisë, kishte kërkuar dorë të hekurt mbi shqiptarët e Kosovës, nga frika e madhe e bashkimit të tyre me Shqipërinë. Ai me një raport të tij, e njoftonte Komisionin e KQJ se, plani hyri në veprim në organizimin e aksioneve të ndryshme siç ishte edhe ai i grumbullimit të armëve. U mblodhën 27,000 pushkë, disa mijëra mitraloz, revole, bomba, minahedhës dhe madje edhe dy topa. Dihet se sa njerëzve në Kosovë i janë marruar armët, dhe gjithashtu është e qartë se cilat veprime janë ndërmarrë nga autoritetet e punëve të brendshme gjatë këtij aksioni. Paralelisht me veprimin tonë, inteligjenca shqiptare dëshironte që gjendja shpirtërore e popullatës të shfrytëzohej, dhe ajo e intensifikoi aktivitetin e saj, duke ekzekutuar më shumë spiunë dhe rekrutuar ushtarë në Kosovë për të krijuar një atmosferë për t’i përndjekur dhe terrorizuar shkruante në raportin e tij, Rankoviqi. Masat çnjerëzore që ishin zbatuar gjatë këtij aksioni famëkeq ishin: dajakë me shufra të forta, pastaj i mbani jashtë në ujë gjatë dimrit, lëndime nga më të ndryshmet fizike, vrasje e mbytje me ngulfatej në ujë etj., ngase shërbimit shtetëror i kishin duart e lira që të bënë çfarë të doni. Aksioni i grumbullimit të armëve i viteve 1955-56, është vetëm një pjesë shumë e vogël në historinë tragjike dhe heroike të Kosovës, që s’duhet lënë në harrës. Mjafton të përjetojmë pak krimet dhe masakrat e viteve 1998-1999, tokën e djegur, shpërnguljen biblike të një populli të tërë, ato mijëra viktima të masakruara, të dhunuara, të vrara, të mbytura e të djegura, shumë prej tyre të zhdukur e të mbetur pa varr. Në vitin 1968, në Plenumin e IV-t të Komitetit Qendror të Lidhjes Komuniste të Jugosllavisë (LKJ-së), i njohur edhe si Plenumi i Brioneve, shkarkohet nga pozita e ministritë të Punëve të Brendshme Aleksadar Rankoviqi, dhe gjërat nisin të ndryshojnë për të mirë por prapë se prapë ishin të diskriminuar në të gjitha fushat e jetës.

Me 6 tetor 1968, në Prizren shpërthyen demonstratat me kërkesën për avancimin e të drejtave të tyre kombëtare, me parullat: “Rroftë flamuri kuq e zi!”, “Rroftë populli shqiptar!”, “Duam Universitet!”, “Duam barazi!”, “Duam vetëvendosje”, “Askush të mos luajë me fatin tonë”, ”Poshtë politika kolonialiste ndaj Kosovës”. Demonstratat vazhduan edhe në muajit tetor, nëntor e dhjetor jo vetëm në Prizren por edhe qytetet tjera të Kosovës, madje edhe në Ulqin, Preshevë e Tetovë. Se barazia në Jugosllavi nuk vlente për shqiptarët, këtë e dëshmon shkrimi i gazetares Christine Von Kohl, në ditoren “Die Presse” të Austrisë, më 9 dhjetor 1968, në të cilin serbët thoshin haptas se “të gjithë shqiptarët duhet shpërngulur në Shqipëri”! Këto demonstrate zënë një vend të veçantë në historinë e Kosovës të cilat ndikuan që shqiptarët e Kosovës të fitojnë të drejtën e përdornit të flamurit kombëtar. Në këto rrethana, pushteti serbo jugosllav kishte për detyrë të paralizonte dhe të shuante çdo shprehje të pakënaqësisë së këtij populli kundër zgjidhjes të problemit të tij kombëtar. Por sidoqoftë këto demonstrata pas dy vite më 1970, dhanë rezultatet e para pozitive me themelimin e Universitetit të Prishtinës. Në vitin 1974 u miratua edhe Kushtetuta e re e Krahinës Autonome të Kosovës, duke e avancuar një hap më lartë si element konstituiv i Federatës Jugosllave me kompetenca të një republike. 

Por pas vdekjes se udhëheqësit të saj autokratik Josip Broz Tito në vitin 1980, federata jugosllave u zhyt në krizë, me mosmarrëveshje mes grupeve etnike dhe ndjenjave në rritje nacionaliste. Fillimisht nisi në Kosovë me revolta e 4 marsit të vitit 1981, kur studentët organizuan një protestë në Prishtinë për kushte më të mira në mensën e tyre dhe kjo protestë ishte shkëndija e  organizimit të demonstratave studentore të 11 mars të vitit 1981, që vazhduan edhe me 26 mars, mu ditën e manifestimit “Stafeta e Rinisë”,  të organizuar nga shteti jugosllav për të nxitur ndjenjën e “Vëllazërim-Bashkimit”, mijëra studentë e qytetarë protestuan në Prishtinë, kësaj radhe me kërkesa eksplicite politike, ku dominonin parullat: “Kosova Republikë”, “Për kë punon Trepça?”,  “Ne jemi shqiptarë, jo jugosllavë”, “Bashkim me Shqipërinë” etj. Edhe në vazhdimësinë e këtyre demonstratave me 1 e 2 prill, dominuan kërkesat me përmbajtje të gjerë kombëtare për realizimin e aspiratave të tyre shekullore për Republikën e Kosovës. Ushtria, milicia dhe shërbimet sekrete shtetërore në atë kohë të Serbisë ndërhyjnë me tërë brutalitetin e tyre gjatë tubimeve, ish-armata jugosllave pushtoi rrugët e Kosovës, duke u vendos në tërë territorin e Kosovës gjendjen e jashtëzakonshme, e më vonë edhe shtetrrethimi. Filluan arrestimet, maltretimet, rrahjet brutale të studentëve, burgosjet, vrasjet dhe izolimet e intelektualëve. Demonstratat gjithë popullore të marsit dhe prillit të vitit 1981, shënuan fillin e kthesës vendimtare të ndarjes definitive të shqiptarëve të robëruar nga ish-Jugosllavia, pra ishte një ndër ngjarjet më të rëndësishme të historisë kosovare.

Në kohën e rënies së Murit të Berlinit në vitin 1989, tensionet ndëretnike në Jugosllavi kishin arritur kulmin. Zgjedhjet e para shume partiake në republika të Jugosllavisë, të mbajtura më 1990, u fituan kryesisht nga nacionalistët. Republikat më të zhvilluara, Sllovenia dhe Kroacia, filluan të mbronin idenë e një decentralizimi më të madh të qeverisë jugosllave. Por republika më e madhe, Serbia, e udhëhequr nga Sllobodan Milosheviç mobilizoi serbët në gjithë Jugosllavinë, në një përpjekje për kontroll të centralizuar.

Shpërbërja e Jugosllavisë nisi në republikën më të zhvilluar jugosllave Slloveni, e cila më 25 qershor të vitit 1991, shpalli Deklaratën e Pavarësisë dhe ishte shteti i parë që u shkëput nga Federata Jugosllave. Në Slloveni lufta zgjati vetëm 10 ditë dhe atë nga 27 qershori deri më 7 korrik të vitit 1991. Populli slloven iu kundërvu me të gjitha mjetet agresionit të së ashtuquajturës “Armata Popullore Jugosllave (APJ)”. Sipas vlerësimeve sllovene, ushtria jugosllave kishte 44 të vrarë dhe 146 të plagosur, ndërsa sllovenët kishin 18 të vrarë dhe 182 të plagosur. Kështu me 25 tetor të vitit 1991, ushtari i fundit i Armatës Popullore Jugosllave e lëshon territorin slloven.

Po më 25 qershor 1991, edhe parlamenti i Kroacisë shpalli pavarësinë saj, i cili veprim solli si rezultat dislokimin e ushtrisë jugosllave të Beogradit në kufijtë dhe aeroportet e prekur. Sllovenia e tejkalojë lehtë ngase pas një konflikti 10 ditor, ushtria u tërhoq nga Sllovenia me popullsi homogjene. Por në Kroaci, trupat serbe u mbështetën nga kryengritësit serbë që ishin kundër pavarësisë, duke filluar kështu një luftë të përgjakshme që zgjati katër vjet. Qyteti lindor i Vukovarit u rrafshua gjatë një rrethimi nga forcat jugosllave në vjeshtën e vitit 1991, ndërsa qyteti mesjetar i Dubrovnikut mbi Adriatik, u dëmtua rëndë.

Në Bosnje, republika më e larmishme nga pikëpamja etnike dhe fetare, me 4 milionë banorë, myslimanët dhe kroatët organizuan një referendum për pavarësinë. Por kjo lëvizje u kundërshtua ashpër nga serbët e Bosnjës që mbështeteshin nga Beogradi, që përbënin mbi 30% të popullsisë se përgjithshme të Bosnje e Hercegovinës. Edhe pse  serbët e bojkotuan votimin, 60% e qytetarëve të Bosnjës votuan për pavarësinë e saj. Kjo bëri që në prill të vitit 1992, të shpërthejë lufta mes myslimanëve dhe kroatëve nga njëra anë dhe serbëve të Bosnjës nga ana tjetër. Bosnja fitoi edhe njohjen ndërkombëtare. Serbët e Bosnjës nën udhëheqjen e Radovan Karaxhiçit, të armatosur nga ushtria serbe, deklaruan se territoret nën kontrollin e tyre i takonin një njësie të quajtur Republika Serbe. Edhe kroatët e Bosnjës u kthyen kundër myslimanëve të Republikës së Bosnje e Hercegovinës. Trupat serbe të Bosnjës filluan menjëherë rrethimin e kryeqytetit boshnjak të Sarajevës që zgjati 44 muaj. Ku 350 mijë banorët e Sarajevës nuk arrinin dot të siguronin nevojat bazike dhe të paktën 10 mijë u vranë nga snajperët dhe bombardimet serbe. Në maj 1992 serbët e Bosnjës, kontrollonin dy të tretat e Bosnjës. Kështu në muajin gusht do të fillon një spastrim etnik, imazhet e para të të burgosurve që ishin bërë kockë e lëkurë në kampe, i hapën sytë botës për fushatën e spastrimeve etnike nga forcat serbe. Rreth 20 mijë gra, kryesisht myslimane, u përdhunuan, kurse në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës morën kontrollin e “zonës së sigurt” të mbrojtur nga Kombet e Bashkuara të Srebrenicës në Bosnjën lindore dhe masakruan deri në 8 mijë djem dhe burra myslimanë. Ky akt barbarë u cilësua nga dy gjykata ndërkombëtare si gjenocid, masakra ishte vrasja masive më e rëndë në Evropë që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore.

Në gusht 1995, pas rënies së Srebrencisës dhe bombardimit të një tregu në Sarajevë, ku u vranë 41 vetë, NATO-ja ndërmori goditje ajrore ndaj pozicioneve të serbëve të Bosnjës. Më 21 nëntor 1995, pas tre javësh bisedime në Deyton të Ohajos, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, udhëheqësit e Bosnjës, Kroacisë dhe Serbisë ranë dakord të nënshkruan një marrëveshje paqeje. Në dhjetor 1995, një forcë paqeruajtëse e NATO-s u dislokua në Bosnje, që ishte ndarë në një federate myslimane-kroate, në 51% të territorit të një entitet serb, Republika Serbe.

Praktikat e ndjekura në rastin e shpërbërjes së Jugosllavisë treguan se diplomacia ndërkombëtare jo vetëm rezultoi e pasuksesshme në përpjekjen e saj për të prodhuar konsensus midis palëve në konflikt, pati një ndikim të ndjeshëm, ndonëse jo në mënyrë të drejtpërdrejtë, në përshkallëzimin e konfliktit midis serbëve dhe shqiptarëve, e sidomos mos përfshirja e Kosovës në Konferencën e Dejtonit, mendohej që kishte hapur shtegun edhe për luftëra të reja në Ballkan, pra radha do t’i vinte Kosovës pas mbylljes së çështjes së Bosnjës. Mos pjesëmarrjen e Kosovës në Konferencën e Dejtonit, edhe ministri i jashtëm i Gjermanisë Joschka Fischer e kishte konsideruar si gabim trashanik, të cilën gjë e kishte shprehur në librin e tij, “Vitet Kuq e Gjelbër” ku konstatonte se pas Dejtonit shqiptarët e kishin kuptuar që pa luftë vështirë se do të mund t’i realizonin aspiratën e tyre për çlirim nga Serbia. Pra, si pasojë do kemi fillimin e luftës së përgjakshme në Kosovë me daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ushtria serbe nis një aksion spastrim e dëbim të popullatës civile nga vatrat e tyre stërgjyshore, kjo bëri që më 6 shkurt të vitit 1999, të fillojnë punimet e Konferencës së Rambujesë, që ishte e ndërmjetësuar nga fuqitë e mëdha i emërtuar si  Grupi i kontaktit (SHBA, Gjermani, Francë, Britania e Madhe, Itali dhe Rusi). 

Ky takim, i cili u mbajt në afërsi të Parisit synonte t’i jepej fund luftës në Kosovë dhe gjetjen e një zgjidhje për paqe afatgjatë. Iniciues të konferencës, që zgjati deri më 23 shkurt, ishte Grupi i Kontaktit, ndërsa ndërmjetës ishin Kristofer Hill nga SHBA-të, Boris Majorski nga Rusia dhe Volfang Petrich përfaqësues i shteteve të BE-së. Delegacioni i Kosovës kishte pranuar parimisht propozim-marrëveshjen për zgjidhjen e krizës në Kosovë, të cilën e kishte propozuar Grupi i Kontaktit. Delegacioni serb, sado që parimisht pranoi këtë propozim-marrëveshje, mbrojti qëndrimin që trupave të NATO-s të mos t’u lejohet kalimi nëpër Serbi dhe forcat ndërkombëtare në Kosovë të jenë në kuadër të Kombeve të Bashkuara. Edhe rrethi i dytë i bisedimeve që filloi më 15 mars në Paris përfundoi pa sukses. Delegacioni kosovar dhe ai serb kishin nënshkruar më 18 mars marrëveshje të ndryshme. Delegacioni i Kosovës kishte nënshkruar marrëveshjen e ofruar nga bashkëbiseduesit ndërkombëtarë, ndërkohë që delegacioni serb kishte nënshkruar projektmarrëveshjen politike- marrëveshjen për vetëqeverisjen në Kosovë.

As tentimi i fundit, më 22 mars 1999 i të dërguarit special të SHBA-ve, Richard Hollbruk nuk ishte i suksesshëm. Ai nuk ia doli ta bind presidentin e atëhershëm të Jugosllavisë Sllobodan Millosheviq që të pranojë  marrëveshjen për Kosovën dhe vendosjen e trupave ndërkombëtare. 

Më 24 mars 1999, aeroplanët e NATO-s filluan  bombardimin e trupave ushtarake dhe paramilitare të Serbisë. Bombardimet përfunduan më 6 qershor 1999, me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës që parashihte tërheqjen e trupave jugosllave nga Kosova dhe vendosjen e trupave paqësore ndërkombëtare. Më pas, Këshilli i Sigurimit i OKB-së  miratoi rezolutën 1244 me të cilën u vendos protektorati, prania ndërkombëtare në Kosovë, UNMIK-ut si mision civil dhe KFOR-it, mision ushtarak. Më 17 shkurt 2008, Kosova shpalli pavarësinë.

Si përfundim në vitin 1998 shpërtheu lufta në Kosovë mes shqiptarëve që donin pavarësinë dhe forcave të armatosura serbe. Luftimeve u erdhi fundi në vitin 1999, pas një fushate bombardimesh ajrore prej 78 ditësh nga NATO-ja, në fund të së cilës kishin humbur jetën 13 mijë vetë dhe qindra të tjerë kishin braktisur shtëpitë e tyre. Nga janari deri më 12 qershor 1999 janë vrarë ose evidentohen të zhdukur 1.396 fëmijë, nën moshën 18-vjeçare, apo më tepër se 11 për qind e viktimave të përgjithshme të të vrarëve në Kosovë. Kjo statistikë për dhunën mbi fëmijët është më tragjikja në historinë e re të Evropës. Sipas të dhënave të grumbulluara, në Kosovë nga janari 1998 deri më 12 qershor 1999, ka pasur 12.843 viktima të nacionalitetit shqiptar, prej tyre 1.741 femra, ndërsa në altarin e lirisë kanë rënë 2.261 dëshmorë, në mesin e tyre 68 dëshmorë e martirë nga Shqipëria. Veç vrasjeve, janë shkatërruar më se 188 mijë objekte banimi, janë dëbuar nga Kosova më se 1 milion banorë.

Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, dhe është njohur nga mbi 110 vende. Serbia ende nuk e njeh pavarësinë e saj.

Sistemi i drejtësisë ndërkombëtare me 1993, themeloi Gjykatën Penale për krime e lufte në Hagë, 

u ngritën padi ndaj 161 peronave, 83 prej tyre u dënuan, ndërsa 19 u liruan. Në mesin e të dënuarve ishin udhëheqësi i serbëve të Bosnjës, Karaxhiç, ndërsa Millosheviçi vdiq në burg para se të gjykohej, kurse Ratko Mladiç u dënua me burgim të përjetshëm.

Filed Under: Analiza

Onomastika e Pollogut të Epërm – pjesë e homogjenitetit të trashëgimisë kombëtare

October 24, 2024 by s p

Begzad Baliu/

Në studimet gjuhësore të shqipes në fushë të dialektologjisë, onomastikës, leksikografisë dhe së fundi sociolinguistikës, ka pasur një traditë të cilën e kemi trashëguar kryesisht nga studimet antropo-gjeografike kombëtare, rajonale dhe ndërkombëtare, ndikuar nga shkolla franceze, gjermane, austro-hungareze, serbe dhe italiane.

Në ndërkohë kryesisht në gjysmën e dytë të shekullit XX, kërkimet në fushë të dialektologjisë dhe të onomastikës u specializuan gjerësisht, ndërsa tani ky kërkim nga aspekti metodologjik e ndërdisiplinor me fusha të tjera të dijes është thelluar gjerësisht.

Profesor Izmit Durmishi është njëri prej studiuesve të kohës sonë, i cili ka trashëguar një njohje të gjithanshme të këtyre shkollave dhe të kësaj literature të dijes shqiptare, të rajonit dhe asaj europiane.

Vepra më e re e Profesor Izmit Durmishit është një kërkim dhe një qasje e re në studimet onomastike, në të cilën janë bashkuar në mënyrë komplementare: gjeografia e hartografia, dialektologjia e sociolinguistika, fonetika e morfologjia, fjalëformimi e semantika, të gjitha të strukturuara brenda dijes për onomastikën e një treve me interes në fushë të etnisë shqiptare e të gjuhës shqipe.

Në këtë rrjedhë monografia hapet me një përshkrim etno-gjeografik për Pollogun e Epërm, brenda të cilit janë sjellë veçoritë kryesore mbi pozitën gjeografike të vendbanimeve, relievit, strukturës topografike, veçorive demografike dhe disa karakteristikave të popullsisë, për t’u ndalur gjerësisht në veçoritë etno-historike, historiko-gjuhësore e etimologjike të prejardhjes së toponimit Pollog, një diskutim ky shumëdimensional, i cili mund të ndahej edhe si kapitull më vete.

Në kapitullin e dytë sikur shprehet autori është dhënë një pasqyrë e shkurtër e vendbanimeve të Pollogut të Epërm: Çegrani t, Forinës, Koritës, Çajlës, Balindollit, Turçanit të Vogël, Turçanit të Madh, Llakavicës, Sërmnovës, një fshati që të bën përshtypje me riemërtimin administrativ të administratës serbo-jugosllave Sërbinova, Tërnovës, Strajanit, Patalishtes, Banjicës së Epërme, Banjicës së Poshtme, Gjonovicës së Poshtme, Gjonovicës së Epërme, Simnicës, Zdunjës, Ravenit, Vrutokut, Reçanit, Orqushit, Jellovcës së Poshtme, Debreshit, Vrapçishtit, Toplicës, Dobërdollit, Llomnicës, Negotinit, Kalishtit, Sanakosit, Gjurgjevishtit, Gradecit dhe Gorjanit. Duke i lexuar emrat dhe trajtat e emërtimit të vendbanimeve të kësaj zone, nuk ka si të mos na kujtohet sistemi i standardizimit të tyre nga Jovan Cvejiqi dhe brezi i tij, të cilët për qëllime strategjike, ushtarake e politike, më parë se sa për qëllime gjuhësore e kanë vizituar, hulumtuar e studiuar jo një herë dhe jo nga një studiues i vetëm. Për më tej, duke lexuar emrat e vendbanimeve dhe sidomos mikrotoponiminë e kësaj zone, nuk ka si të mos na kujtohen vërejtjet e Norbert Joklit për veprën e Selishqevit në vitet ‘30. Përgjigja e Joklit që i dha Selishqevit, mbi raportin e ojkonimisë sllave me mikrotoponiminë shqipe, ka po ato vlera që do të kishin përgjigjet e Profesor Durmishit për studiuesit serbë e maqedonas për Pollogun, e kjo është se emrat e fshatrave nuk e përcaktojnë edhe përkatësinë etnike të banorëve, sikur propagandonin ata.

Kapitulli i tretë merret me toponimet e Pollogut të Epërm, vështruar nga pikëpamja leksiko-semantike, në të cilin toponimia përkatësisht mikrotoponima trajtohet në rrafshin morfologjik, duke filluar nga ata që formohen prej mbiemrave që përcaktojnë formë, madhësi, pozitë, ngjyrë, moshë, temperaturë dhe veçori të tjera, deri te mikrotoponimet që janë formuar prej numërorëve, foljeve, ndajfoljeve, parafjalëve etj. Veçanti e këtij kapitulli është diskutimi mbi shtresat leksikore të toponimisë së Pollogut.

Një kërkim dhe studim njëkohësisht jo shumë i pranishëm në studimet onomastike në fushë të shqipes është bërë objekt më vete dhe ky është kapitulli i katërt me titull: Vështrime fonetike dhe morfologjike. Njohës e studiues i të folmes së Pollogut dhe të shqipes së kësaj treve etnike shqiptare, Profesor Izmit Durmishi është kujdesur që mikrotoponiminë ta trajtojë edhe nga ky aspekt, pasi “toponimet, në radhë të parë, janë formime dialektore që në vete ruajnë trajtat më të vjetra të gjuhës së folur”, shkruan autori. Fjala është për praninë a shquarsinë e zanoreve a, e, ë, i, o, u dhe y. Po në këtë kapitull janë sjellë shembuj relevantë për hundorësinë e zanoreve, diftongjet dhe grupet e zanoreve, sistemin e bashkëtingëlloreve, dukuritë fonetike, dukuritë morfologjike në onomastikë, shquarsinë e emrave dhe lakimin.

Një kapitull më vete dhe një kërkim më vete është regjistri i mikrotoponimeve, hulumtimi dhe studimi i strukturës fjalëformuese të onomastikës së Pollogut të Epërm, brenda të cilit janë sjellë shembuj përfaqësues me prapashtesa, me togfjalësha emër + emër në gjinore, togfjalësha emër + emër në gjinore + gjinore (emër), togfjalësha emër + emër në gjinore + përcaktor (mbiemër), si dhe togfjalësha emër + mbiemër cilësor i nyjshëm. Megjithëse tradita e studimeve të fjalëformimit në fushë të mikrotoponimeve nuk ka munguar, kapitulli studimor i Profesor Durmishit, me prurjet e terrenit dhe me analizat e tij, e përplotëson ndjeshëm këtë fushë të gjuhësisë shqiptare.

Monografia e Profesor Izmi Durmishit, Socioonomastika e Pollogut të Epërm, përmbyllet me korpusin e fjalorit të mikrotoponimeve, një sinteze përfundimtare, literaturën, shkurtesat dhe listën e informatorëve. Si e tillë, kjo vepër sjell një pasuri të rrallë materiale nga tereni, një përshkrim të saktë e të detajuar, analiza të veçanta dhe sinteza mbi strukturën fonetike morfologjike të saj si dhe përpjekje historiko-gjuhësore e etimologjike për të përcaktuar prejardhjen e tyre veç e veç.

Prishtinë, shtator 2024

Izmit DURMISHI, Socioonomastika e Pollogut të Epërm, Gostivar, 2024

Filed Under: LETERSI

VATRA NË SHËRBIM TË ÇËSHTJES KOMBËTARE…

October 24, 2024 by s p

Letër e kryetarit të Federatës Pan-Shqiptare “Vatra”, Anastas Pandele, drejtuar delegatit të saj në Konferencën e Paqes në Paris Mid`hat Frashërit

Boston, më 25 janar 1921

The Pan Federation of America
The Hearth (Vatra) Inc
Headquartes: 456 Tremont Street
Zotit Midhat Frashëri, delegat i “Vatrës”
Hotel Campbell
Paris, France

I dashun zoti Midhat,
Me anë të kësaj letre kam nderin t’u vërtetoj marrjen e letrave tuaja datuar Paris, 24 nëntor, 26 dhjetor dhe 6 janar. Gjithashtu kabllo datuar Paris, 24 dhjetor, 7,1,9,3,17 janar.
4 janar – ju dërguam nji letër, besonjë ta kini marrë. Tani të vimë në përmbledhjen e letrave si dhe kabllove të sipër shënuar.
Është shum mirë ajo që juve bëni suggestion për shkolla që të hapen, mjerisht më duket që na ësht e pamundur tani për tani që të munt të bëjmë gjë mbi atë çështje.
Ju lutemi na shkruani se sa munt të bëhen harxhet që të munt të gjurmojm të drejtën, si në çështjen e të ndyerit Themistokli Gërmeni dhe të tjerëve, që ashtu të kemi nji bazë mbi të cilën të përfundojm.
Ju kablluam të 2 000 dollarë, edhe ju kablluam prap për vendimin e këtushëm që nuk do të dërgojmë të holla qeverisë gjer të na vinë bondet. Dje muarm nji kabllo tjetër ku na kërkojnë 50 000 dollarë, po mjerisht, sido që dëshëronj, nuk mundim të bëjm ndryshe kundër vendimit dhe marrëveshjtjeve që patmë.
Ju shkrova në letrën e fundit që “nesër” do t’u dërgojmë të gjithë ato që juve kërkoni, me vjen keq t’u thom, dhe t’u çfaq një mungim të madh, me qenë që edhe nuk i kena mbledhë ato që juve kërkoni. Shkaku është ndrrimi i sekretarëve, edhe mbyllja e huas (teftereve). Pa fjalë që, sa të lirohemi dhe të nisim me të gjitha në një vijim të mirë, do t’u dërgojm të gjitha sa juve kërkoni. Na ndieni për vonimin. Për zotin dita-ditën dëshironjë t’u shkruanj, po nuk di si shkon koha se menjëherë, pa mos parë dritën mirë, erret.
Mbyllur do të gjeni rekordin e mbledhjes të Këshillës Kombëtare mbajtur më 2-3 janar 1921, që të kuptoni rrjedhjen e bisedimeve edhe të veprimeve më mirë. Do të shikoni që Këshilla vendosi të dërgohet në Shqipëri z. Kirka me nji mision nga ana e “Vatrës”, i cili do të niset për pak ditë, sikundër ju lajmëruan më parë.
Nuk kemi as ndonjë të re këtu, po më ndieni se tani sa muarm një kabllo të çuditshme nga zoti Vrioni, ku na jep leje të dërgojm nji delegat “konditional”. Këto janë fjalët që përmban kabllo-ja: “Pas vendimit ministerial për zgjedhjen e një deputeti nga ana e “Vatrës”, Këshilla e Naltë pëlqen zgjedhjen e nji deputeti nga ana e “Vatrës”, po me kondita që kandidati të ndodhet të paktën prej tre vjetësh n’Amerikë dhe të gjindet tani atje”. Ipni leje ju lutem t’u thoni që ata të Tiranës mejtojn të bëjn edhe nji vepër ‘Capo D’Opera’ si atë që bënë me mos qasjen në Shqipëri të imzot Nolit.
T’u thom të drejtën, më duket që zotnit e Këshillës Naltë, ose nuk dinë, dhe ashtu që nuk meritojnë të mbajnë atë pozitë, ose nuk dojn të bëjn punëra pa “prapa – mejtime” dhe ca më tepër nuk meritojn atë pozitë. Neve muarm nji javë të shkuar kabllo nga zoti Vrioni si përgjigje të nji pyetje që i bëm, në qoftë se pranojn delegatë të “Vatrës” në bisedimet e mbledhjeve që do të bëhen në Shqipëri, ku na thoshte që pranonte dhe tani pas ca ditësh mir-mejtuan, edhe than- prit të vemë ca kleçka.
Komisioni i “Vatrës”, në mbledhjen e mbajtur më 16 janar, vendosi që përfaqësimi i shqiptarëve të Amerikës me anë të “Vatrës” t’i ngarkohet imzot Nolit, të cilin e lajmëruam mbi këtë vendim, ashtu edhe qeverinë.
Nuk kam tjatër, përveç lutjeve që të pranoni i nderuar zotni përshëndetjet tona plot nderime.
I juaji me besë,

Anastas Pandeli

AMPJ, V.1921, D. 52, fl.1-2.

Filed Under: Vatra

SHQIPTARË TË AMERIKËS REFUZONI TAKIMIN ME REGJIMIN E “ÇYRBES”

October 24, 2024 by s p

Sokol Paja/*

Pas disa ditëve në New York do të zhvillojnë një takim elektoral aktivistët e qeverisë, patronazhistët e partisë, rilindasit e 2013-tës dhe administrate shtetërore e Tiranës me kryeministrin Rama. Çdo shqiptar i Amerikës dhe diasporës duhet të refuzojë takimin me qeverinë më të keqe në historinë moderne të shtetit shqiptar. Shqiptarë të Amerikës, patriotë e atdhetarë respektojeni veten tuaj, refuzoni të takoheni me regjimin e “Tahirit, Beqes, Dakos, Tushes, Ahmetajt, Habilajve, Roshit, Bushit, Çyrbes, Nokës, Rakipit, Shukriut, Allës, Kokës, Gjicit, Xhafës, Peçit, Rrjepaj, Vodës, Avdylajve, drejtorëve të Ballukes” e dhjetëra drejtorëve e qindra abuzuesve e kriminelëve qeveritarë që vjedhin, zhvasin e grabisin pronat dhe paratë e shqiptarëve çdo ditë. Shfaqjet e neveritshme të spektaklit qeveritar duhet të refuzohen me përbuzjen më të thellë e neverinë e tejskajshme prej çdo shqiptari patriot në shenjë homazhi e revolte për shpopullimin e Shqipërisë dhe 1 milion shqiptarët që largoi qeveria Rama nga Shqipëria në 11 vite keqqeverisje. Skandalet e njëpasnjëshme shtetërore arritën kulmin kur para disa ditësh u zbulua një akt i tmerrshëm e skandaloz në Parlamentin e Shqipërisë sesi deputeti i Partisë Socialiste në pushtet Jurgis Çyrbja prej 8 vitesh në Parlamentin e Shqipërisë u shërbente bandave më të rrezikshme në Ballkan të instaluara në Durrës dhe Shijak nëpërmjet aplikacionit “Sky-Ecc”. Deputeti që shet sekretet e shtetit dhe orkestron bandat në fushatë për të mbledhur vota për Partinë në pushtet, kjo nuk duhet të ndodhë në një asnjë vend të botës së 17-të e jo më me një shtet që sapo ka çelur kapitujt e parë të negociatave me Bashkimin Europian. Fenomeni “Çyrbja” i orkestruar nga qeveria në pushtet është shtrirë në çdo qark nga Shkodra, në Fushë-Krujë, Shijak, Durrës, Elbasan, Tiranë, Dibër, Fier e Vlorë. Qeveria dhe krimi janë simbiozë e shkëlqyer. Parlamantarë e të zgjedhur vendorë që fatkeqësisht i shërbejnë krimit të organizuar në vend që ti shërbejnë institucioneve dhe qytetarëve të Republikës. Të fortët me mbështetjen e partisë socialiste caktojnë deputetët e zonës, zgjedhin kryebashkiakun, caktojnë tenderat publikë dhe përcaktojnë fatet politike, ekonomike, demografike e sociale të qyteteve në Shqipëri. Qeveria është dorëzuar para krimit të organizuar. Nën ethet e pushtetit dhe grabitjes së mandatit të katërt Rama po organizon takime hipokrizie me diasporën. Rama fton të takojë ata që vetë i ka dëbuar, një hipokrizi dhe paftyrësi. Qeveri që ngjall turp dhe neveri. Shqiptarët duhet me çdo mjet dhe çdo formë ta refuzojnë qeverisjen kriminale të Edi Ramës i cili për 11 vjet ka shkatërruar Shqipërinë në çdo aspekt.

Rama premtoi legalizime falas, jo vetëm që dështoi të kryejë procesin, por Kadastra Shtetërore është institucioni më i korruptuar në planet. Premtoi shëndetësi falas, njerëzit sot vdesin nëpër spitale pa ilaçe dhe shërbime. Shëndetësia është tmerri dhe fatkeqësia e shqiptarëve me superskandalet si “Onkologjiku”, “Sterilizimi”, “Check-Up” e vjedhje të tjera galopante nga njerëz të lidhur me qeverinë. Premtoi luftë kundër krimit të organizuar, fatkeqëisht sot policia dhe nstitucionet që duhet të luftojnë krimin, janë vënë në shërbim të së keqes. Premtoi rritje të ekonomisë, fatkeqësisht rriti borxhin publik. Premtoi zhvillim të arsimit dhe me qindra shkolla u mbyllën dhe universitetet në rrethe po ashtu. Premtoi ulje taksash dhe fatkeqësisht taksat për shqiptarët u rritën. Atëherë për çfarë na duhet një kryeministër që ka dështuar për 11 vjet në çdo aspekt? Jo të dashur shqiptarë, jo vetëm që refuzojeni por ndëshkojeni me votë keqbërësin Rama dhe eskortën e tij të patronazhisto-aktivistëve. Të gjithë bashkëpunëtorët më të afërt e më të ngushtë të Ramës gjenden pas hekurave dhe Rama nuk ka asnjë moral që të drejtojë më Shqipërinë.

Edi Rama dhe sekti i tij rilindas i kanë sjellë pasoja të tmerrshme Shqipërisë në ekonomi, arsim, siguri kombëtare, keqmenaxhimin e aseteve kombëtare e shtetërore. Shpopullimi i Shqipërisë, burgosja e opozitës, shpartallimi i shtetit ligjor, kontrolli i medias, presioni i vazhdueshëm mbi drejtësinë dhe skandalet e njëpasnjëshme si rasti “Xhaçka” ku partia – shtet shpërfill Gjykatën Kushtetuese duke mbrojtur mandatin e deputetes në papajtueshmëri me Kushtetutën, tregojnë gjendjen e Shqipërisë dhe katandisjen prej socialistëve.
Partia – shtet ka kryefjalë të vetme vjedhjen e çdo qindarke publike. Korrupsioni në Bashkinë e Tiranës, vjedhjet masive në çdo ministri e drejtori, ku “rrugët” dhe “tatimet” janë ferri, tmerri dhe gropa e zezë e parasë publike. Zhvatja është kthyer në sistem. Qelizat e partisë dhe të qeverisë janë kalbur totalisht. Shteti ka rënë. Partia është kthyer në shtet dhe shteti në parti individuale. Shteti ka rënë nën thundrën e partisë-pushtet-shtet. Vjedhjet e abuzimet janë kryefjala qeveritare që iu serviret në menu shqiptarëve. Është jetike për Shqipërinë dhe shqiptarët largimi i Edi Ramës dhe sektit të tij të grabitqarëve dhe ardhja në drejtimin e shtetit të një frymë të re, mentaliteti të ri e gjaku të ri politik e patriotik në politikën dhe institucionet shqiptare. Shqipëria dhe shqiptarët meritojnë reforma, shtet të së drejtës, zhvillim dhe dërgimin para drejtësisë të kryeministrit Rama dhe klanit të tij qeveritar.

Gazeta Dielli dhe Federata Vatra janë institucione kombëtare që qëndrojnë mbi partitë dhe individët, kurse qëndrimet individuale janë qëndrime personale të autorëve në respekt të lirisë së shtypit dhe informimit. Vatra është e unifikuar rreth misionit dhe qëndrimit të saj të palëkundur patriotik, kombëtar dhe vizionar të kryetarit të Vatrës Dr. Elmi Berisha, Kryesisë dhe Këshillit të Vatrës.

*Qëndrim personal i autorit të shkrimit dhe nuk përfaqëson institucionet dhe organizatat ku është i punësuar.

Filed Under: Komente

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 686
  • 687
  • 688
  • 689
  • 690
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT