• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Inteligjenca Artificiale, fati apo fundi i njerëzimit” 

October 14, 2024 by s p

 Gjeneral ® Piro Ahmetaj/

Në vijim gjeni përmbledhje strategjike mbi oportunitetet dhe rreziqet më kritike për individin, shkencën, shoqërinë njerëzore, kulturën dhe rendin botëror, pra rreth: “Inteligjencës Artificiale”, duke j’u referuar filozofit më të shquar të historisë moderne të njerëzimit, Prof. Yuval Noah Harari: 

Së pari, Inteligjenca Artificiale (Artificial Inteligence, shkurt AI), po arrin në kufijtë e shoqërizimit, duke influencuar ndjenjat/lidhjet emocionale, sociale, madje edhe vetë kuptimin e ekzistencës tonë. Nga ana tjetër, “një set pyetjesh të forta” ngrihen mbi AI, të cilat po dominojnë diskutimet akademike, shkencore, politike, zyrtare dhe shoqërinë njerëzore: çfarë oportunitetesh dhe kërcënimesh paraqet AI për ardhmërinë e njerëzimit ?; Referuar edhe Biblës: “A do përbënte AI një betejë kundër natyrës, bashkë me të, fundin e historisë së njerëzimit”? A është e mundur (?), A do të jetë në gjendje shoqëria njerëzore të prodhojë mekanizmat e duhura për të adresuar përfitimet si dhe për tu mbrojtur sa nuk është von nga AI?

Dekadën e fundit, Institucionet e sigurisë në rrafshin kombëtar dhe Global, mbeten të fokusuara mbi pasojat e riciklimit të luftës neonaziste të Rusisë – Putiniste për pushtimin e Ukrainës; përballjen me terroristët e pa Fe në Lindjen e Mesme; sfidat e paqes në Ballkanin Perëndimor; programet e armëve të shkatërrimit në masë në Korenë e Veriut, Iran, krizën ekologjike, me të cilat po përballet njerëzimi. Për mirë apo për keq, edhe AI po demostron peshë gjithnjë e me përcaktuese në të gjitha sa përmendëm, si dhe për të përmirësuar ose përkeqësuar edhe sistemin ekologjik 4 miliardë vjeçar të planetit Tokë.

Në fakt, frikësimi i njerëzimit nga AI ka nisur bashkë me epokën e kompjuterit nga mesi i shekullit të 20-të, me çfaqjen e filmave fantastiko-shkencor, Terminator ose Matrix.  Por ndërkohë që skenarët fantastiko-shkencor janë bërë pika referimi kulturore, ata nuk janë marrë seriozisht në debatet shkencore, politike, etj. 

Inteligjencës Artificiale (AI) po përparon frikshëm, deri në kufijtë për tu bërë e ndjeshme, pra zotërimin e ndjenjave dhe ndërgjegjes, ose të bëhet e aftë për të influencuar kulturën dhe botën fizike. Dhe ndoshta më shpejt seç mendohet, Robotët do të jenë në gjendje të lëvizin dhe të veprojnë në shtëpi, qytete, male, pyje, ekonomi, shkencë, mjekësi, hapësire, ushtri, polici, etj, edhe më me efikasitet sa dhe vetë Ne/njerëzit. Gjithësesi, edhe për Chat GPT apo të tjera teknologji të reja të AI, ende nuk kanë prova që ato të zotërojnë vetëdije, emocione, etj si p.sh, data që automjetet vetëdrejtuese, vazhdon të shtyhet. 

“Lajmi i keq” është se për të kërcënuar mbijetesën e qytetërimit tonë, AI nuk ka nevojë për ndërgjegje. Ndryshe nga sa mund të mendohet, AI është në gjendje të mësojë dhe përmirësohet vetë, deri në masën sa vetë zhvilluesit e këtyre mjeteve suprizohen me aftësitë e plota të AI !? Prandaj, Harari parashikon që me këto aftësi AI, rrezikon të “gllabërojë deri edhe kulturën njerëzore“. 

Tashmë jemi të familjarizuar për disa nga aftësitë më themelore që zotëron AI, si ato të shkrimit të tekstit, vizatimit të imazheve, kompozimit të muzikës, fjalimeve politike, hapjes së kodeve, etj. Por, ka shumë aftësi shtesë që po shfaqen si falsifikim i thellë i zërave dhe imazheve (Deep Fake), kontratat ligjore, deri aftësitë për të “rekomanduar” marrëdhënie intime mes qënieve njerëzore. 

Së dyti, aspekti më i rëndësishëm i revolucionit të AI, është zotërimi i gjuhës në një nivel që tejkalon edhe aftësinë njerëzore ! Por me zotërimin e gjuhës njerëzore, AI “kërcënon të depërtojë në çelësat” që ç’bllokojnë dyert e institucioneve, bankave, emailet, FB, etj. Ndërsa kështu, AI është shumë afër për të hakuar përdorim e gjuhës dhe për të krijuar mitologji, ligje, art, shkencë, politik, deri për të bashkëjetuar miqësisht me “njeriun tokësor”!  Nëpërmjet zotërimit të gjuhës AI gjithashtu mund të krijojë marrëdhënie intime (ndërvartësie) me njerëzit dhe për të ndikuar në opinionet dhe pikëpamjet tona mbi botën. Që AI të ketë ndërgjegje, nuk ka nevojë për ndjenjat e veta, pasi (keq) përdor vartësinë njerëzore ndaj AI.  

Kështu, AI ka ngritur një pyetje të madhe: “çfarë do të thoshte për qëniet njerëzore të jetonin në një botë ku ndoshta shumica e tregimeve, melodive, imazheve, ligjeve, politikave dhe mjeteve janë formëzuar nga Alienët, pra jo-njerëzore, të cilët ditën të shfrytëzonin me efikasitet, dobësitë dhe ka arritën të krijojnë marrëdhënie, madje intime me qëniet njerëzore” ?!

Sot, asnjë njeri nuk mund të shpresojë të mundë një kompjuter në lojën e shahut ! E njëjta gjë po ndodhë në art, në politikë, ekonomi, arsimim, sport, muzik, shëndetësi, etj. Çfarë do të ndodhë me sistemin arsimor kur fëmijët të shkruajnë esetë e tyre me Chat GPT (?), etj. Së shpejti mund ta gjejmë veten duke zhvilluar diskutime në internet për abortin, ndryshimin e klimës, apo përballjen me entitete që ne mendojmë se janë qënie njerëzore, por në të vërtetë mund të jenë Robotë të AI. A nuk do ishte krejtësisht e kotë, që ne të humbim kohën tonë duke u përpjekur të bindim një Robot të AI të ndryshojë pikëpamjet e tij, pasi sa më gjatë të kalojmë duke folur me Robotin, aq më mirë ai na njeh si dhe më lehtesisht i përpunon mesazhet për të na ndryshuar pikëpamjet tona politike dhe në çdo fushë tjetër.

Në qershor 2022 ndodhi një incident i famshëm kur inxhinieri i Google, Blake Lemoine, i cili deklaroi publikisht se Chatbot-i/AI, Lambda (për të cilin ai punonte) u bë një qënie e ndjeshme që reagoi ndaj tij. Por Profesori humbi punën shumë fitimprurëse, pikërisht kur mendonte se po mbronte Chatbot-in e AI.  Çfarë do të ndodhë me shoqërinë njerëzore ndërsa AI po përparon në një betejë për të krijuar marrëdhënie intime me Ne/njeriun, që më pas mund të përdoren për të na bindur të blejmë produkte të veçanta, ose të votojmë për Parti ose politikanë të veçantë apo deri edhe me kë të martohemi ?!

Së treti, sot njerëzit mund të përdorin një këshilltar të vetëm të AI, si Oracle me një ndalesë (one stop shop) dhe si burim për të gjithë informacionin që u nevojitet. Pse të shqetësoheni për të kërkuar diçka kur thjesht mund t’i kërkoni Oracle-it t’ju tregojë gjithçka që dëshironi ? Pra, ekziston mundësia që brënda një kohe të shkurtër e gjithë industria e reklamave të shembet, ndërsa AI si dhe pronarët dhe kompanitë që kontrollojnë AI do të bëhen jashtëzakonisht të pasur dhe rrjedhimisht më të fuqishëm. Pra kjo për të cilën po flasim, potencialisht nuk është fundi i historisë njerëzore, por fundi i pjesës së dominuar nga njeriu. 

Brenda pak vitesh Inteligjenca Artificiale mund të memorizojë/përvetësojë të gjithë historin e kulturës njerëzore, pra gjithçka u prodhua për mijëra e mijëra vjet. Mos të harrojme se Ne/njerëzit nuk kemi njëherë e përgjithmonë të drejtë për realitetin. Mjetet e mëparshme si shtypshkronjat, radiot, apo televizorët ndihmuan në përhapjen e kulturave, por ato kurrë nuk mund të krijonin diçka të re vetë. Një shtypshkronjë nuk mund të krijojë një libër të ri, atë e bën/nte vetëm njeriu. Prandaj, IA është thelbësisht e ndryshme nga makinat e shtypit, nga radiot, nga çdo shpikje e mëparshme në histori, pasi AI mund të krijojë ide, histori, imazhe, realitet krejtësisht të reja dhe kështu mund të krijojë një kulturë të re, apo Jo ? 

Së shpejti, Ne/njerëzit mund ta gjejmë veten duke jetuar brenda ëndrrave dhe fantazive që janë thelbësisht të ndryshme nga shumica e gjërave të imagjinuara në filma dhe libra fantastiko-shkencor. Më parë njerëzit kishin frikë nga kërcënimi fizik që paraqesin makinat inteligjente, që mund të vraponin rrugëve dhe qëllonin/vrisnin. Ndryshe nga disa teori konspirative, AI nuk ka nevojë të dërgojë Robotë vrasës, pasi AI mund t’i influencojë lehtësisht njerëzit të tërheqin këmbëzën nëse/kur ka nevojë …! 

Që nga kohërat e lashta, njerëzit kishin frikë se mos ishin të bllokuar në një botë iluzionesh. Në Greqinë e lashtë, Platoni tregoi alegorinë e shpellës ku një grup njerëzish të lidhur me zinxhirë gjatë gjithë jetës së tyre përballë një muri të zbrazët, ose ekrani le të themi.  Me vonë Buda tha se: “ajo që Ne normalisht e konsiderojmë realitet është shpesh vetëm trillim në mendjet tona”. Njerëzit kanë bërë luftëra të tëra duke vrarë dhe duke qenë të gatshëm të vriten vetë, për shkak të besimit të tyre në këto trillime!

Pra, revolucioni i AI do/po na sjell ballë për ballë me demonin e shpellës se Platonit dhe Buda-s, nëse nëse nuk do të jemi në gjendje ta heqim këtë perde iluzionesh duke menduar se ky është realitet. Megjithatë, këto mjete të Inteligjencës Artificiale kanë qenë të mjaftueshme për të krijuar këtë lloj perde iluzionesh që rrisin polarizimin shoqëror, minojnë shëndetin mendor dhe besimin te vlerat e shoqërisë demokratike. 

Mesazhe përmbledhëse, pa mëdyshje, që Inteligjenca Artificiale (AI) mbart potenciale të jashtëzakonshme positive, si p.sh në gjetjen e kurave ndaj kancerit, etj; zhvillimin e ekonomisë dhe mirëqënies, për paqen dhe sigurinë; kapërcimin e krizës ekologjike, etj sfida me të cilat po përballet shoqëria njerëzore.  Në 1945, në Hiroshima u provua fuqia shkatërruese e bombës atomike. Por a nuk do përfitonte njerëzimi duke prodhuar në vend të bombave energji të lirë dhe të bollshme ?  Kështu na duhet të mendojmë edhe për këtë armë të re (AI), që nëse nuk e vendosim nën rregulla/kontroll Sot, në vend të përfitimeve, mund të asgjësojë botën tonë mendore dhe bashkë me të njerëzimin. 

Prandaj Qeveritë duhet të ndalojnë përdorimin e çdo programi të ri përpara se AI të dali jashtë kontrollit. Hapi i parë është rregullimi ligjor i (sh) përdorimit të programeve të AI në shkollat publike. Ndërsa për çensurën në internet, Twitter, Facebook, Tik-Tok, etj, duhet marrë në konsiderat që vetëm qëniet njerëzore kanë lirinë e shprehjes, Robotët nuk e kanë gjithësesi. Kështu që nëse i vendosim nën kontroll që Sot, ose ju “mohojmë lirinë e shprehjes Robotëve”, mendoj se kjo duhet të jetë shume e mirë me të gjithë, apo Jo?

Në botën që rrokulliset me konflikte kaotike, AI perceptohet si: “zgjidhja/mallkimi jashtetokësor” drejt fundit të historisë njerëzore, edhe pse për të kërcënuar themelet e qytetërimit nuk ka gjithësesi nevojë për Inteligjencen Artificiale…! Diktaturat, Autokratët e moderuar (me kullaro dhe bejte demokratike), shtetet e dështuara, demokracitë fasade/burokratike (RSh = fanar ndriçues), ektremizmi i cdo lloj forme, rikthimi te lufta neo-Naziste, armët bërthamore, dezinformimi nga mediat, etj janë prova të vetë-mjaftueshme për të krijuar kaos social, politik, Qeverisës, vlerave si dhe hedhur në greminë shoqërinë njerëzore. 

Për më keq, zotërimi i fuqisë së AI, është arma e duhur që demokracitë të përthithen dhe përmiren nga diktatorët ose autokratët e veshur me kullaro perëndimore. Demokracia është një bisedë e lirë që mbështetet te gjuha/komunikimi. Kur AI hakeron gjuhën, mund të “burgosë lirinë” për të zhvilluar përgjegjësitë publike duke shkatërruar kështu demokracinë. Dhe nëse presim kaosin total, pasojë e pluralizmit fasadë (si në rastin e RSh), do të jetë tepër vonë që vendi dhe shoqëria të ri-sillet në shinat dhe vlerat demokratike.    

Padyshim që megjithë zhvillimet e sipërpërmendura, AI mbetet ende artificiale, në kuptimin që Ne/njerzit e prodhojmë. Por është po ashtu fakt që AI prodhon gjithnjë e më shumë vetveten, pra po del jashtë kontrollit tonë! Atëhere gjëja më e rëndësishme është të kuptojmë me të vërtetë se me çfarë po përballemi dhe të mos ngushëllojmë veten me mendime delirante, si p.sh: “AI është produkt Ynë/njeriut, pra është nën kontrollin Tonë të plotë, dhe nëse përpiqet të bëjë diçka të gabuar Ne e heqim nga priza …”, etj si këto. 

Përveç frikës se mund të na shkatërrojë qytetërimin, ende nuk dimë qartësisht për këtë “inteligjencë të huaj”. Prandaj duhet ndaluar zhvillimi i pakontrolluar i kësaj inteligjence, le ta quajmë Aliene, përpara se AI të na rregullojë apo shfarosë Ne/njerëzimin! Por kjo ka nevojë për vullnet dhe Leadeship i fortë si dhe fuqi kompjuterike shtesë, pra për më shumë para. 

Regjimet autoritare nuk dëshirojnë, ndërsa vendet e vogla me demokraci fasadë (përfshi RSh) nuk kanë as mundësi të vetëm-përballen me AI. Gjithësesi mbetem shpresëplotë se ShBA, BE-ja, UK, etj, po/do ndërtojnë aq shpejtë sa të mos jetë vonë, “armën/Sistemin pro/anti-AI”, pra strategji, kornizë ligjore, Institucione, kapacitete dhe aftësi globale për të mbrojtur shoqërinë nga një katrastrofë apokaliptike.  

Ndërsa si mesazh përmbyllës: “Inteligjenca Artificiale (AI) mbetet si një thikë me dy presa”, pasi mbart përfitime por edhe rreziqe të jashtëzakonshme për shoqërinë njerëzore.  Kështu që, fati apo fundi i njerëzimit varet nga vendimet dhe veprimet që shoqëria do ndërmarrë përpara se AI të dalë jashtë kontrollit. 

Autori: Gjeneral ® Piro Ahmetaj:

Ekspert për SK, Rajonin dhe NATO-n,

Zv/President i Këshillit të Atlantikut; & ish:

Këshilltar për Sigurinë Kombëtare në PD,

Këshilltar i Presidentit të RSh; Zv/ShShPFA,

Përfaqësues Ushtarak në SHAPE/NATO. 

Filed Under: Politike

Trupa profesioniste e Teatrit të Korçës vazhdon turneun nga Nju Jork në Worcester dhe Boston

October 14, 2024 by s p

Rafaela Prifti/

Mbrëmë ishte nata e tretë dhe e fundit e shfaqjes së komedisë Nuse Vetëm për Letra me autor dhe regji të Leka Bungos nga trupa profesioniste e teatrit të Korçës në Producers Club në Manhattan, NY.

Humori është gjini e vështirë por humoristi Lenka Bungo dhe interpretimi i aktorëve profesionistë zbavitën me të qeshura publikun shqiptar. Komedia sjell reagime që vijnë nga një tip skeme martese të një vajze me origjinë shqiptare, të lindur në Nju Jork, që me ndihmën e njerkut rekruton kandidatë të huaj dhe shqiptarë të cilët hyjnë në “komplikime kontraktuale” për të siguruar qëndrimin në Amerikë.

Gjergj Kovaçi, Drejtues e Pronar i USALB TV edhe organizator për ardhjen e trupës së Korçës për herë të parë në Nju Jork, përshëndeti publikun dhe falënderoi pjesëmarrësit, veçanërisht sponsorët Fredi Tolja si dashamirës të përhershëm të artit dhe artistëve shqiptarë.

“Përkrahja për artin dhe artistët tanë është parësore për gjithë shoqërinë,” tha regjisori shumë i suksesshëm Bujar Alimani.

Shfaqja është vënë në skenë në teatrin e Korçës vitin e kaluar dhe është bashkëpunimi i parë midis Leka Bungos dhe trupës A. Z. Çajupi. Fundjavën e ardhshme trupa do të japë shfaqje në Worcester dhe Boston.

Foto: Aktorja Zamira Kita fotografon trupën e komedisë Nuse Vetëm për Letra dhe publikun në natën e tretë të turneut në Nju Jork.

Filed Under: Kulture

ÇDO HERO KOMBËTAR ËSHTË I NJOLLOSUR NGA ANTIVLERAT E KOHËS SË TIJ

October 14, 2024 by s p

Artan Nati/

Largësia në kohë nuk jep vetëm nostalgji, por perspektivë, e ndoshta edhe objektivitet. Ne shpesh vlerësojmë më mirë një objekt fizik, qoftë një mal apo një monument dhe marrëdhënien e tij me ambientin rrethues, në një distancë të caktuar sesa nga afër. E njëjta gjë vlen edhe për figurat historike. Gjithashtu ne nuk duhet t’i gjykojmë figurat historike nga kulmi i tyre i përsosmërisë ose i suksesit, por nga distanca që ata kanë udhëtuar nga pika ku kanë filluar.
Me rastin e 200 vjetorit të vdekjes së Napoleon Bonapartit, një njeriu që ndan opinionet në Francë, Presidenti Emmanuel Macron, duke vendosur një kurorë në varrin e Napoleonit në “Les Invalides” në Paris, kaloi një vijë delikate, duke këmbëngulur se ishte një akt përkujtimor, jo festimi. Ishte një ambivalencë që pati jehonë në botë. Megjithatë, kur bëhet fjalë për figurat tona kombëtare, si për shembull Ismail Qemali, Ahmet Zogu, Nano, Berisha, Meta, Rama etj, ky kuptim i kompleksitetit historik shpesh zhduket. Në vend të kësaj, ne jemi përballur me një “luftë kulturore”. Është një kontrast që ndihmon në ndriçimin e mënyrave shpesh të ndërlikuara me të cilat ne kuptojmë marrëdhënien e ngatërruara të së kaluarës me të tashmen.
Në Francë, emocionet e përziera për Napoleonin janë të rrënjosura në një histori të ngjeshur. Pasi bëri emrin e tij si një udhëheqës ushtarak dhe strateg në Francën post-revolucionare, ai mori pushtetin si konsull i parë në një grusht shteti në 1799, duke e kurorëzuar veten perandor pesë vjet më vonë, pak a shumë si Zogu ose siç dëshironte Berisha, por nuk mundi, por e realizoi Rama me makinacione moderne.
Ata që lavdërojnë trashëgiminë e tij pretendojnë se ai e projektoi Francën në skenën botërore dhe hodhi themelet e një shteti të fortë. Kodi i Napoleonit, një grup i gjerë ligjesh që mbulojnë shtetësinë, të drejtat individuale, pronën, familjen dhe çështjet koloniale, krijoi një kuadër të ri ligjor për Francën dhe ndikoi në ligjbërjen nga Evropa në Amerikën e Jugut.
Përpjekjet për të rivlerësuar historinë shpesh dënohen si “jo patriotike”. Kundër kësaj janë politikat tronditëse reaksionare. Napoleoni rifuti skllavërinë në kolonitë franceze në vitin 1802, tetë vjet pasi asambleja kombëtare e kishte shfuqizuar atë, u imponoi barra të reja hebrenjve, duke u hequr të drejtat që kishin fituar pas revolucionit, forcoi autoritetin e burrave mbi familjet e tyre, duke privuar gratë nga të drejtat individuale dhe duke injoruar qeverinë republikane.
Në të djathtën ekstreme në Francë, Napoleoni është një hero i pashoq. Për shumë të tjerë,trashëgimia e tij është një trashëgimi shqetësuese. Megjithatë, trashëgimia komplekse e tij nuk është unike për Napoleonin. Është fati i shumicës së figurave historike, qoftë Churchill, Jefferson apo Roosevelt, Ataturk apo edhe figurave shqiptare historike, të gjitha veprimet dhe besimet e të cilëve mbeten të kontestuara. Biografitë rrallë ndahen mirë në “të mira” ose “të këqija”. Megjithatë, shumë njerëz ndiejnë nevojën për ta parë historinë në terma të tillë moralë, për të pikturuar heronjtë dhe të dështuarit bardhë e zi, për të thjeshtuar të kaluarën si një mjet për të ushqyer nevojat e së tashmes. Historitë kombëtare në Shqipëri janë zbardhur prej kohësh, aspektet më të errëta janë errësuar dhe ato më të lavdishme janë ndriçuar. Kompleksiteti i historisë bie në kundërshtim me nevojat politike dhe morale të së tashmes. Në Shqipëri, politika është sporti kombëtar. Njerëzit ndjekin çdo lëvizje me interes të veçantë dhe diskutojnë veçoritë e lojtarëve politikë. Debatet në Parlament, me batuta dhe kundërthënie, shpesh vulgare por edhe të koduara, ofrojnë argëtim për popullin e varfër dhe të pashpresë.
Politikanët tanë të kohëve moderne kanë ngjashmëri, por edhe veçantitë e tyre, për mënyrën si e qeverisën vendin dhe degradimin e pushtetit të tyre. Ahmet Zogu dhe diktatori komunist kanë ngjashmëri për nga mënyra si erdhën në pushtet, por ndryshojnë tërësisht për drejtimin në të cilin e futën vendin. Ata të dy ishin diktatorë dhe e drejtuan Shqipërinë, ashtu si drejtohet në diktaturë, me kontroll absolut e me denime te ashpra, me ndalim te cdo mendimi ndryshe, organizimi e veprimi, që mund të rrezikonte pushtetin e tyre. Të dy i likuiduan pa mëshirë kundërshtarët politike, secili me mënyrat e me metodat karakteristike për kohën e tyre. Por kur flasim për mbretin Zog duhet të kemi parasysh hapat e rendësishëm që u bënë në kohën e tij, në ndërtimin dhe kompletimin e institucioneve të shtetit dhe të një legjislacioni me frymë perëndimore (pavarësisht se funksionimi e zbatimi në praktikë la shumë për të dëshiruar,për shkak të korupsionit të pushtetarëve e të injorancës së tyre), në vendosjen e autoritetit të pushtetit qendror dhe të ligjit, në të gjithë teritorin e vendit, duke i dhënë fund përçarjeve, tendencave patriarkaliste te sundimtarëve të vegjël injorantë, cifligarë e bajraktarë, që kërkonin te qeverisnin feudet e tyre, pronat dhe cifliqet e tyre,sipas rregullave që i vendosnin vetë, pa pyetur për ligjin, për pushtetin qendror dhe për detyrimet ndaj tij. Enver Hoxha i ktheu mbrapsht të gjitha arritjet madhështore të kohës së Zogut, ai përfundimisht e ndau Shqipërinë nga kultura perëndimore, si edhe zhduku pronën private dhe depersonalizoi njeriun, duke e kthyer Shqipërinë në një burg dhe kamp përqëndrimi për qytetarët e vet. Rritja ekonomike dhe e standartit të jetesës pas luftës, në kurriz të shpronësimit dhe burgosjes shtresës së pasur dhe intelektualëve, vetëm se rriti një ekonomi monstër, që do të dështonte dhe do të fuste vendin në varfëri dhe si pasojë shteti u shëmb si një ndërtesë pa themele. Argumenti se komunizmi në Shqipëri, por edhe kudo në botë, ishte thelbësisht në kundërshtim me natyrën njerëzore, dëshmoi se tiparet e natyrshme njerëzore si ambicia, interesi vetjak dhe konkurrenca e bëjnë pothuajse të pamundur krijimin e një shoqërie të bazuar në pronësinë kolektive dhe shpërndarjen e barabartë të burimeve, siç parashikohet nga ideologjia komuniste. E vetmja arritje që mendoj se duhet përmendur është rreshtimi i Shqipërisë me aleatët dhe fitorja e luftës nacional çlirimtare, por edhe kjo në kurriz të unitetit kombëtar si edhe në bashkërendim me shovinistët serb. Po ashtu Sali Berisha e funksionarë publikë e politikë kanë merita për përmbysjen e komunizmin dhe afrimin e vendit me komunitetin europian, por kur morën pushtetin nuk ndryshuan shumë nga Ahmet Zogu, me gjithëse Zogu drejtoi vendin një shekull më parë. Berisha e Rama u shndërruan shumë shpejt në diktatorë si edhe drejtojnë vendin dhe partitë e tyre si pronë private. Eksperienca botërore, por edhe ajo kombëtare na tregon një dukuri të përsëritur dhe një fenomen tipik se siç thotë Hegel : “Historia na mëson se njerëzit nuk mësojnë asgjë nga historia” dhe se njerëzit ose edhe liderët historikë mund të kalojnë nga ëngjëj në djaj me një lehtësi të pakuptueshme, por që është pjesë e natyrës njerëzore dhe si e tillë e pashmangshme nga individi. Është kjo arësyeja që shoqëria perëndimore, duke kuptuar dhe analizuar natyrën njerëzore, ka ngritur sisteme politike, ekonomike dhe juridike të tilla që pa kufizuar liritë dhe të drejat e njeriut, të kanalizojnë njeriun e thjeshtë apo edhe drejtuesit e kombeve apo botërorë, drejt një të mire të përbashkët, sigurisht pa pretenduar përsosmëri, sepse ne jemi thjesht qënie njerëzore irracionale dhe nuk drejtohemi nga arësyeja, por nga pasioni dhe shpesh arësyeja jonë bëhet skllav i pasionit dhe ne pa e kuptuar përfundojmë në anën negative të fenomeneve. Është kjo arësyeja që perëndimi ka ngritur një sistem të kontrollit dhe balancave si edhe të kufizimit të mandateve dhe konkurimit të hapur të kandidatëve. Vija e betejës midis të mirës dhe të keqes kalon nëpër zemrën e çdo njeriu dhe në varësi të kushteve në të cilave ndodhemi njeriu shfaq anën pozitive apo negative të tij. Politika duke qenë ambienti më toksik për të shfaqur anën negative njerëzore kërkon rregulla të qarta loje si dhe vëzhgim e pjesëmarrje masive nga shoqëria si edhe organizmat e shoqërisë civile. Nqs njerëzit intelegjentë dhe të përgjegjshëm nuk do të marrin pjesë në jetën politike të vendit atëhere ata duhet të pranojnë të udhëhiqen nga inferiorët e tyre. Ky është ligji i shoqërisë njerëzore dhe ai nuk na lë shumë hapësira për të zgjedhur. Të kuptuarit e arsyeve, pse kaq shumë francez janë të dyzuar në lidhje me trashëgiminë e Napoleonit, është e dobishme. Do të mund të jemi ne në Shqipëri njëlloj përceptues për figurat dhe ngjarjet tona?

Filed Under: ESSE

VATRA DHUROI 50 FLAMUJ KOMBËTARË, 50 LIBRA SHQIP DHE 50 GAZETA DIELLI PËR FËMIJËT E SHKOLLËS SHQIPE “HASAN PRISHTINA” NË WATERBURY

October 12, 2024 by s p

Sokol Paja/

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra dhuroi 50 flamuj kombëtarë, 50 libra shqip e 50 gazeta Dielli për nxënësit e Shkollës Shqipe “Hasan Prishtina” të Qendrës Kulturore dhe Islamike Shqiptaro-Amerikane “Hasan Prishtina” Waterbury, Connecticut. Në një vizitë vëllazërore e të përzëmërt, zyrtarët e Vatrës arkëtari z.Besim Malota, vatrani z.Bashkim Shehu dhe editori i Diellit u pritën nga kryetari i Qendrës Kulturore dhe Islamike Shqiptaro-Amerikane “Hasan Prishtina” z.Agim Ismaili, z.Azmi Isaku – përgjegjësi i Xhamisë shqiptare të qendrës ” Hasan Prishtina”, Guri Rexhepi – nënkryetari i qendrës dhe Zimer Kaliqi, anëtar i kryesisë. Qendra Kulturore dhe Islamike Shqiptaro-Amerikane “Hasan Prishtina” u krijua në vitin 1983 duke dhënë një kontribut të çmuar e historik për kombin e komunitetin shqiptar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Që prej vitit 1983 pranë kësaj qendre funksion shkolla shqipe “Hasan Prishtina” duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në ruajtjen e gjuhës shqipe dhe identitetin kombëtar shqiptar. Kryetari i parë historik i qendrës që sot ka rreth 600 anëtarë ka qenë Zaim Kica, ndërsa z.Ismaili është kryetari i 18-të në historinë e qëndrës. Vatra ofroi mbështetjen dhe vlerësoi punën e shkëlqyer patriotike e komunitare të qendrës “Hasan Prishtina”. Drejtuesit e qendrës vlerësuan Vatrën dhe garantuan bashkëpunim të ngushtë në të ardhmen për kauzat kombëtare ku Vatra është lider i padiskutueshëm në mërgatën shqiptare të Amerikës. Vatra i qëndron afër dhe mbështet me çdo mjet përpjekjet dhe punën e shkëlqyer patriotike të shoqatave e organizatave patriotike për ruajtjen e gjuhës, historisë e traditës shqiptare nga asimilimi e përcjellja e trashëgimisë patriotike te fëmijët shqiptarë të lindur jashtë atdheut. Më herët Vatra ka shpërndarë flamuj, libra, abetare e gazeta edhe në shkollat shqipe New York e New Jersey.

Filed Under: Opinion

NË GALERINË E NEW YORK-UT DO TË EKSPOZOHEN PIKTURAT E ARTISTES KOSOVARE LULJETA RAMA – MUÇAJ

October 12, 2024 by s p

Prend Ndoja/

Në metropolin më të madh të artit, në New York, me pikturat e saj do të paraqitet edhe znj. Luljeta Rama Muçaj, pas disa ekspozitave të mëhershme në disa qendra europiane. Profesoresha dhe artistja nga Kosova me shumë krenari do ta prezentojë artin dhe kulturën shqiptare në Nju Jork. Znj. Rama, ndjenjat e saj të shkrira në pikturë, me një gjenialitet të veçantë do t’i shfaqë në Galerinë e Arteve, në adresën: 49 W, 52-end st., New York me datë 10-20-2024. Artdashësit shqiptarë si dhe ata të nacionaliteteve tjera do të ndihen të lumtur para kombinimit të ngjyrave të derdhura artistikisht në pikturat e saj. Në finesat e detajizuara reflektohet gjenialiteti i artistes, që në mënyrë të veçantë sjell kënaqësi shpirtërore te artadashësit e pikturës. Në brendinë e nivelit të krijimtarisë artistike të znj. Rama ka thellësi, përtej pamjes së parë dhe kërkohet njohje dhe kritere profesionale për t‘i hetuar të gjitha, andaj them se arti një pjesë të fatit e ka edhe se si e kuptojnë njerëzit atë. Megjithatë, përmes punimeve artistike të znj. Rama, pa dyshim se artdashësit e të gjitha fushave do të kenë mjaft piktura, ku do të ushqejnë lumturinë e tyre shpirtërore. Nëse i shikojmë nga këndvështrimi kritik, mund të thuhet se, sa më gjatë do të qëndrosh përballë tyre, pikturat e znj. Rama kurrë nuk do të bëhen të mërzitshme. Lartësia artistike në pikturat e saj dallohet, sepse punimet e saj artistike lindin nga nevoja shpirtërore, nga brendia për t’u dhuruar të tjerëve vlera. Thuhet se “edhe diamanti, edhe xhami shkëlqejnë në dritë”, por në krijimtarinë artistike të znj. Rama, reflektohet shumë qartë distanca mes diamantit dhe xhamit.

Jam i bindur se ekspozita e organizuar mirë për krijimtarinë e z. Luljeta Rama Muçaj do të mbetet në kujtesën e vizitorëve për një kohë të gjatë. Znj. Rama, të mirëpresim dhe të falënderojmë për prezantimin e krijimtarisë suaj artistike dhe të kulturës sonë kombëtare në Nju Jork.

Filed Under: Kulture

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 706
  • 707
  • 708
  • 709
  • 710
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • NDAA i SHBA-së dhe pozicioni i Kosovës në arkitekturën e sigurisë
  • Alis Kallaçi do të çojë zërin dhe dhimbjen e “Nân”-s shqiptare në Eurovision Song
  • Garë për pushtet…
  • Njëqind vjet vetmi!
  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT