• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

PRESIDENTJA E REPUBLIKËS SË KOSOVËS, DR. VJOSA OSMANI VIZITON KISHËN KATOLIKE SHQIPTARO-AMERIKANE NË NJU JORK

September 23, 2024 by s p

Në 35-vjetorin e vizitës së parë në Amerikë të Presidentit Historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova

Nga Frank Shkreli                

A person standing at a podium with a flag

Description automatically generated
No photo description available.

“Bashkë me mërgatën e jashtëzakonshme shqiptare në Amerikë, forca shtytëse e shumë proceseve historike për Kosovën. Faleminderit Dom Pjetrit dhe komunitetin tonë për mikpritjen!”   Kështu shprehet Presidentja e Republikës së Kosovës, Dr. Vjosa Osmani në faqën e saj zyrtare të rrjeteve sociale, ku edhe boton disa fotografi nga vizita e saj në Kishën e parë Katolike Shqiptaro-Amerikane, Kisha Katolike Shqiptare “Zoja e Shkodres” në Hartsdale, Nju Jork, ditën e dielë me 22, Shtator, 2024 – në kuadër të vizitës së saj në atë qytet për të marrë pjesë në mbledhjen vjetore të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.  

Është interesant fakti – që në kuadër të takimeve të tjera me komunitetin shqiptaro-amerikan në këtë qytet — Presidentja Osmani ka zgjedhur, që kësaj radhe, të vizitojë edhe Kishën Katolike Shqiptare, Zoja e Shkodrës në Nju Jork.  Ndonëse kanë kaluar 35-vjet, por ishte pikërisht kjo kishë, që kishte ftuar dhe pritur Profesorin dhe Kryetarin e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, në atë kohë — më vonë Presidentin historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovën për të marrë pjesë në seminarin e organizuar — me rastin e 300-vjetorit të vdekjes së Imzot Pjetër Bogdanit — nga Kisha Katolike Shqiptare, “Zoja e Shkodrës”, në Universitetin e njohur Fordham, të New Yorkut.

Ishte  pra, 35-vjet më parë (4 Tetor, 1989) që Dr. Ibrahim Rugova me kolegun dhe mikun e tij Dr Engjëll Sedaj – të ftuar nga Kisha Katolike Shqiptare, e para e tillë në Shtetet e Bashkuara – për të marrë pjesë me shumë akademikë të tjerë shqiptarë të ftuar — për të folur — në Seminarin përkujtimor që ishte organizuar nga Dom Rrok Mirdita dhe nga Këshilli i kësaj Kishe, me Kryetar Z. Tonin Mirakaj, me rastin e 300 vjetorit të vdekjes së Imzot Pjetër Bogdanit.  

Këtë ngjarje me rëndësi historike – Profesori i nderuar Dr Sami Repishti e ka cilësuar si, një “fitore të madhe e bashkësisë sonë”.  Këtë fitore, Kryetari i Këshillit të Kishës, në atë kohë, “Zoja e Këshillit të Mirë” – 35-vite më parë – Tonin Mirakaj e ka përjetësuar më vonë me botimin e një libri titulluar, “Imzot Pjetër Bogdani në New York”, ku janë përfshir historiku dhe fjalimet e mbajtura me atë rast.  Ky libër, me të drejtë, konsiderohet si një kontribut me vlerë, një manifestim kulturor dhe atdhetar, që jo vetëm ve në dukje dhe përshkruan kontributin e vet Z. Mirakaj, si Kryetar i Këshilli të Kishës dhe shumë bashkpuntorëve të tij në organizimin e tij.  Por, njëkohsisht, siç e dijmë, tashti, 35-vite më vonë, ajo vizitë shënon dhe dokumenton edhe fillimin e një udhtimi historik për Presidentin e ardhëshëm të Kosovës dhe të miqësisë së përhershme, siç preferonte të thonte ai vet, të një miqësie të përhershme midis dy kombeve tona, shiqptar dhe amerikan – një miqësi që gëzojnë sot shqiparët dhe amerikanët.  

Me 5 Tetor, 1989, një ditë pas arritjes së tyre në Nju Jork, dy profesorët nga Dardania Dr Ibrahim Rugova dhe Dr Emgjëll Sedaj, vizituan Kishën, “Zoja e Këshillit të Mirë”, ku u pritën nga administratori Dom Rrok Mirdita, (më vonë Kryeipeshkvi i Tiranë-Durrësit), nga ndihmësi i tij Dom Pjetër Popaj, diakon Marash Shkreli dhe nga kryetari i komisionit përgatitor të seminarit, Tonin Mirakaj, e të tjerë.   Dy ditë më vonë u mbajt seminari, kushtuar 300-vjetorit të Imzot Pjetër Bogdanit në Universitetin e njohur të jezuitëve, Fordham, të Nju Jorkut.  “Më lejoni që, në fillim, të përshëndes kishën Katolike Shqiptare të New York-ut, që mori kët hap për të shënuar 300- vjetorin e vdekjes së shkrimtarit të madh shqiptar, Pjetër Bogdani. E falenderojmë nga zemra për ftesën, që na, dy studiues nga Kosova, të japim ndihmesën tonë në kët drejtim”.  

Ashtu e ka hapur bisedën e tij, në atë kohë, Ibrahim Rugova para më shumë se njëmijë pjesëmarrsve në seminarin kushtuar Pjetër Bogdanit.  Sikur e kishte parashikuar rendësinë historike të vizitës së tij të parë në Amerikë, Dr Rugova fakënderoi për ftesën, duke u shprehur se “Nisma e Kishës Katolike Shqiptare, që të shënoj kët jubile, është një nismë e mirë, ashtu që të filloi një traditë bashkëpunimi midis shqiptarve në SH.B.A. dhe shqiptarve në Jugosllavi.”  Pjesa tjetër, e këtij bashkpunimi historik, në këtë 35-vjetor të vizitës së Dr Ibrahim Rugovës dhe Dr Engjell Sedaj, është tashti histori për brezat e ardhëshëm!

Sot, 35-vjet më vonë, me 22 Shtator, 2024, pasardhsja e denjë e të ndjerit President historik të Republikës së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovës – Presidentja aktuale e Republikës së pavarur të Kosovës, Dr Vjosa Osmani, vizitoi pikërisht atë kishë dhe atë qendër, e cila 35-vjet më parë kishte ftuar për vizitën e tij të parë, por jo të fundit, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës – arkitektin e Pavarësisë së Kosovës, Dr. Ibrahim Rugovën.  Me praninë e saj në Kishën katolike Shqiptare të Nju Jorkut – me dijeni ose jo – Preasidentja Vjosa Osmani shënoi dhe kujtoi, dinjitetshëm, 35-vjetorin e vizitës së para-ardhsit të saj të nderuar dhe shumë të respektuar nga komuniteti shqiptaro-amerikan, sidomos në atë kohë, por edhe sot — pa dallime feje as krahine – Dr Ibrahim Rugovën.  

Me vizitën tuaj sot në Kishën Zoja e Shkodrës, e nderuara Zonja Presidente e Republikës së Kosovës, Ju, Dr. Vjosa Osmani, me delegacionin tuaj, nderuat veten, nderuat dhe kujtuat Ibrahim Rugovën në 35-vjetorin e vizitës së tij të parë në Amerikë dhe, njëkohsisht, nderuat komunitetin shqiptaro-amerikan, në përgjithsi dhe pa dallime. Të lumt!

Frank Shkreli 

*Fotot për vizitën e djeshme të Preaiusentes Osmani në Kishën Katolike Shqiptare janë marrë nga faqja e saj zyrtare e rrjetit social Presidenca e Republikës së Kosovës | Facebook

                      ImagePresidentja e Republikës së Kosovës, Dr Vjosa Osmani duke u përshëndetur nga Dom Pjetër Popaj, famullitari i Kishës Zoja e Shkodrës, Nju Jork.
 

Image

Në oborrin e Kishës Zoja e Shkodrës, në Nju Jork, para monumentit të Gjergj Kastriotit-Skenderbe: “Bashkë me mërgatën e jashtëzakonshme shqiptare në Amerikë, forca shtytëse e shumë proceseve historike për Kosovën.  Faleminderit Dom Pjetrit dhe komunitetin tonë për mikpritjen!” (Dr. Vjosa Osmani)

Image

                Duke hyr në Sallën “Nenë Tereza” të Kishës Zoja e Shkodrës

May be an image of 7 people and suit

May be an image of 1 person and crowd

 Presidentja Osmani duke përshëndetur shqiptaro-amerikanët e mbledhdur në Kishën Zoja e Shkodrës

May be an image of monument

Gjergj Kastrioti -Skenderbeu dhe Shën Nena Tereze në oborrin e Kishës, Zoja e Shkodrës, në Nju Jork.

May be an image of monument

——————————————————————————————–

Fotot më posht nga vizita e parë e Presidentit Ibrahim Rugova në Shtetet e Bashkuara, Tetor, 1989 –si kujtim në 35-vjetorin e saj.

A group of men in suits

Description automatically generated
A group of people at a dinner table

Description automatically generated

                              Nga pritja në Nju Jork, Tetor, 1989 Nju Jork

Visual search query image

35-vjet më parë, nga vizita e parë e Dr. Ibrahim Rugovës në Washington, Tetor, 1989               

Our Lady of Shkodra - Albanian Church in 361 W Hartsdale Ave, Hartsdale ...

Kisha katolike shqiptaro-amerikane, Zoja e Shkodrës, në Nju Jork priti sot Presidenten e Republikës së Kosovës, Dr Vjosa Osmanin – e njëjta kishë që 35-vjet më parë, kishte ftuar për vizitën e tij të parë, por jo të fundit, në Amerikë, Dr Ibrahim Rugovën, 4 Tetor, 1989

Filed Under: Komente

DIARIO CRÍTICA (1939) / NËNAT ARGJENTINASE SOLIDARIZOHEN ME MBRETËRESHËN GERALDINË TË SHQIPËRISË

September 23, 2024 by s p


Geraldina Apponyi, mbretëresha e shqiptarëve (1915 – 2002)
Geraldina Apponyi, mbretëresha e shqiptarëve (1915 – 2002)

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 22 Shtator 2024

“Diario Crítica” ka botuar, të premten e 14 prillit 1939, në faqen n°4, një shkrim asokohe rreth solidarizimit të nënave argjentinase ndaj fatit tragjik të mbretëreshës Geraldinë, të cilin, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

Drama e mbretëreshës Geraldinë ka një ndikim të madh në shpirtrat e nënave argjentinase.

Burimi : Diario Crítica, e premte, 14 prill 1939, faqe n°4
Burimi : Diario Crítica, e premte, 14 prill 1939, faqe n°4

Me rastin e letrës që publikuam dje, drejtuar CRITICA-s nga një nënë argjentinase, ku kërkonte solidaritetin e të gjitha grave të vendit përballë situatës tragjike të Mbretëreshës Geraldinë të Shqipërisë, ne kemi mundur të marrim një ton të admirueshëm simpatie kolektive dhe mbështetje të përgjithshme përballë këtij episodi të dhimbshëm, i cili ka bërë përshtypje të thellë dhe tronditur fibrën emocionale të të gjitha mendjeve.

Që nga botimi i letrës në fjalë, gazetën tonë e kanë vizituar shumë nëna të cilat kanë ardhur të shoqëruara nga fëmijët e tyre të vegjël. Vizitat, letrat dhe telefonatat, në një numër të pazakontë dhe në vazhdimësi të pandërprerë, thonë qartë se mbretëresha Geraldinë nuk është e vetme në këtë orë ankthi dhe se krahas shtratit të saj të dhimbjes të gjitha nënat argjentinase, të gjitha zemrat femërore dridhen nga keqardhja, me merak, me trishtim.

Mesazhi që CRITICA do t’i dërgojë Mbretëreshës së Shqipërisë do të jetë një shembull i shkëlqyer i solidaritetit njerëzor dhe do të pasqyrojë, në të njëjtën kohë me dhimbjen e grave argjentinase, refuzimin e procedurave të dhunshme, të cilat nuk kursejnë asnjë mjet apo burim.

Filed Under: Analiza

Kujtojmë ideologun, diplomatin dhe strategun e UÇK-së, Fehmi Lladrovcin

September 23, 2024 by s p

Shkruan: Lulzim Nika/

Në 26 vjetorit të rëniës së heronjve të kombit, Fehmi Lladrovci, Xhevë Krasniqi-Lladrovci, dëshmorëve, Behxhet Karaxha, Milazim Karaxha, Hamit Lladrovci, Fatime Hetemi dhe Shefqet Zeka, të renë më 22 Shtator të vitit 1998.

Flijimi i tyre dhe luftëtarëve tjerë u bënë gur themel i Shtetit të Kosovës. Porosia e tyre dhe flijimi i tyre është përherë frymëzim për ne! Kujtojmë heroizmin e ideologut të UÇK-së, Fehmi Lladrovci, kur pakkush besonte në lirinë e Kosovës, por, fal idealistëve si Fehmiu, ideja e lirisë nuk u shua, përkundër brutalitetit të pushtuesit serb.

Fehmi Lladrovci pa dyshim është një nga figurat më të shquara në luftën për çlirimin e Kosovës e në funksion të këtij ideali, ai nuk kurseu angazhimin intelektual, mundin, pasurinë dhe as jetën.

Me nderim të thellë, kujtojmë të gjithë heronjtë, dëshmorët dhe martirët e lirisë tonë që ranë për të mos vdekur kurrë, gjatë shtatorit të përgjakshëm të vitit 1998 në komunën e Drenasit.

Roli dhe kontributi i jashtëzakonshëm i tij në organizimin e luftës se Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, konfirmohet qartë nga një mori dokumentesh dhe raportet e shërbimeve perëndimore, evropiane dhe amerikane të cilat dëshmojnë rolin e veçantë, në organizimin e luftës se armatosur që pati Fehmiu.

Nga viti 1980, në bisedimet me shokët e lëvizjeve kombëtare për lirinë e Kosovës, Fehmiu kishte proklamuar organizimin ushtarak, si të vetmen rrugë për të ardhur te liria e Kosovës.

Fehmi Lladrovci iu bashkua lëvizjes, duke përhapur idenë e luftës së armatosur për çlirimin e Kosovës dhe nga atëherë kishte gjetur përkrahje në mesin e shumë shokëve e idealistëve.

Nuk ishte zgjedhur rastësisht njeriu i parë i ngarkuar nga Lëvizja Popullore e Kosovës për organizimin e luftës së armatosur për çlirimin e Kosovës, qysh në pranverën e vitit 1984. Ëndrra e heroit do të bëhet realitet me luftën heroike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për organizimin e së cilës kishte punuar më shumë se një dekadë para shfaqjes së këtij organizimi të lavdishëm në historinë tonë. Pra, ai punoi edhe në përkrahjen e luftës për liri, duke dëshmuar se Kosova ishte marrë me forcë dhe vetëm me forcë, trojet etnike shqiptare, do të mund të çlirohen nga pushtuesi serb.

Fehmiu, me fillimin e luftës çlirimtare, u kthye në fshatin Gllanasellë, vendlindjen e tij, një kthim që rriti besimi në mobilizimin e Ushtrisë çlirimtare që beri krenar jo vetëm vendlindjen Drenicën por tërë Kosovën dhe kombin.

Nga ditari im, të cilin e kam mbajtur që nga fillimi deri në fund të luftës në Drenicë, po paraqes disa momente që e bëjnë të veçantë heroin Fehmi Lladrovci:

Ardhja e tij në Kosovë i dha frymë të re luftës për liri, ai ishte projektuesi i vijave të frontit, përkatësisht përcaktimit të pikave strategjike në terren dhe istikameve të para për ushtarët e UÇK-së, në mbrojtje te popullsisë civile që rrezikoheshin nga forcat kriminale serbe. Drenica dhe Kosova u ndien më të sigurt nga përvoja e tij që kishte në luftën kundër forcave serbe në Kroaci.

Në ditarin im kam shënuar edhe një pjesë të fjalës së tij para ushtarëve në Gllanasellë, në të cilën, Fehmiu thekson se duhet të lihen anash të gjitha dallimet dhe së bashku të jemi në shërbim të luftës sonë për liri, bashkimi na bën më të fortë në këto orë të historisë sonë për liri.

Ishte njeriu më vizionar që kisha takuar gjatë gjithë kohës së luftës. I kushtonte një rëndësi të veçantë mikpritjes së fotoreporterëve dhe gazetarëve të huaj, duke kuptuar mirë sa e rëndësishme është e vërteta për luftën tonë për liri. Këtë dëshmojnë gazetarët me të cilët ishte takuar gjatë luftës dhe kishin perkrahjen e veçantë të Fehmiut dhe shumë gazetarë të tjerë të huaj të mediave me ndikim ndërkombëtar.

Kur pak kush besonte se liria ishte shumë afër, ai me besim ju thoshte ushtarëve që lufta jonë do të triumfojë dhe ne duhet të jemi të kujdesshëm për veriun dhe mos të ndahet Kosova. Qëllim i Serbisë është ndarja e veriut. Atëbotë ky shqetësim nuk u kuptua sa duhet, është fjala për fjalimin e tij më 3 gusht 1998. Sot, ne jemi dëshmitarë të këtij paralajmërimi rreth veriut të Kosovës.

Roli i Fehmiut është i rëndësishëm edhe në shumë fusha të tjera për lirinë e Kosovës dhe do të na duhen shumë punë e studim për të dhënë të plotë portretin e tij historik. Këtu veçova vetëm disa aspekte të punës, të angazhimit dhe personalitetit të tij historik që së bashku me UÇK-në e ndryshuan rrjedhën e historisë sonë kombëtare. Sot, porosia e Fehmiut do të ishte e njëjtë me ato që ia tha gazetarit dhe opinionit botëror: Më e shtrenjtë është liria se jeta!

Lavdi e përjetshme heronjve, dëshmorëve dhe gjithë të rënëve për liri!

Lavdi!

Filed Under: Rajon

Dita e parë e shkollës shqipe “ Gjuha jonë” në Filadelfia

September 23, 2024 by s p

Bijtë e Shqipes/

Zyrtarisht fillimi i vitit të ri mësimor 2024-2025, u shënua në datën 15 shtator 2024, por faktikisht sot ishte dita e parë e mësimit në shkollën “Gjuha Jonë”. Gumëzhinte dhe ndihej në cdo kënd të shkollës sonë të re, ëmbëlsia dhe ngrohtësia e zërave të nxënësve . Nxënësit e klasave të para të ndrojtur, pak të frikësuar kërkonin mbështetje te një shok i njohur, apo te mësueset e tyre. Nxënësit e klasave të mëparshme gjenin shokët e klasës dhe grupoheshin së bashku. Rreth 80 nxënës u ulën sot në bankat e shkollës sonë. Mësueset e shkollës : znj. R. Bardhi, R. Bani, M. Sotiri, A. Muzhaqi, E. Janji mirëpritën dhe i drejtuan nxënësit në ambientet e reja. Në cdo klasë nxënësit treguan për pushimet me familjet e tyre dhe emocionet e përjetuara, kënduan këngët shqip që kishin mësuar u prezantuan me njëri- tjetrin, kujtuan ditët e javës, muajt, numëruan dhe gjenin gjëegjëza të bukura me ose pa foto. Ish- nxënës të shkollës sonë, Bora Vladi, Gabriel Liti, Sara Shehu, Abigail Rrapaj, dhe nje pjese e mire e prinderve ndihmuan vullnetarisht mësueset dhe nxënësit e rinj së bashku me anëtarët e Këshillit Drejtues të Shoqatës me regjistrimet e reja dhe me shpërndarjen e librave. Për herë të parë nxënësit tanë do të studiojnë me librat Gjuha Shqipe dhe Kultura Shqiptare për diasporën të ndarë në dy nivele. Këto libra do të siguroheshin nga shoqata nën kujdesin dhe ndihmën e cmuar të biznesmenit z. Arian Begaj dhe do të transportoheshin falas nga Kompania e transportit Monte Kristo Shipping, Inc. ne pronesi te biznesmenit z. Edmond Zykaj. ( Sa i madh dhe i gjerë është shpirti i shqiptarit të vërtetë!). Por dhurata të bukura do të merrnin nxënësit e klasave të para dhe nxënësit e rinj nga sipermarresi Z. Eldion Pajollari. Eldion Pajollari- State Farm Insurance Agent : cantat e shkollës dhe mjetet mësimore. Ky eshte viti i dyte qe Eldioni i dhuron falas femijeve çantat e shkolles. Falenderimi kalon në kufijtë e mirënjohjes për gjithë ata që mundësojnë mësimin e gjuhës shqipe gjeografikisht larg trojeve shqiptare.

Shumë emocione dalloheshin te prindërit të cilët këshillonin fëmijët e tyre që të ndiqnin rregullat e shkollës, të mësonin sa më shumë nga gjuha e trashëguar në breza. Faleminderit dhe të bekuar qofshi ju prindër që përpiqeni të ruani gjuhën tuaj te pinjollët dhe i besoni shkollës “ Gjuha Jonë”. Falenderojme znj. Aurora Pando qe mundesoi per sot sjelljen e pakove me patatina per nxenesit.

Pak të shqetësuar, por të qeshur dhe të gëzuar nxënësit tanë sot. Edhe pse dikush fliste më shpejt dhe më saktë shqip, edhe pse dikush duhet të mendohej para se të kthente përgjigjen, ata të gjithë e dinin sot se ishin shqiptarë dhe i përkisnin këtij komuniteti dhe rrënjët e tyre ishin përtej oqeanit.

Filed Under: Politike

Dr. Nexhat Rexha, mjeku i famshëm nga Gjakova

September 23, 2024 by s p

Arben Iliazi

nexhati

Në kongresin Botëror të Urologëve, Paris 2007, do të merrte pjesë edhe një mjek i vecantë nga Kosova, me punimin e tij origjinal “Trajtimi i gurëve me ESEWL në ureter”. Kongresistët botërorë mbajtën frymën nga ajo që panë: Dr. Nexhat Rexha demonstroi një risi në urologjinë evropiane, thyrjen e gurëve në veshka me një metodë jo-invazive, pa kirurgji, duke përdorur valë elektromagnetike. Ishte një teknologji mjekësore e avancuar dhe mjaft efikase, kurorëzim i një pune 7 vjecare. 

***

Për një arsye shëndetësore, që nuk e zgjidha dot në Tiranë, trokita një ditë në spitalin e thyerjes së gurëve në veshka në Gjakovë. Doktor Nexhat Rexhën e gjeta në studion e tij, të gatshëm për konsulta. Më priti me dashamirësi dhe me një qetësi të admirueshme, duke më sqaruar në detaje për gjithçka. M’u duk garanti i vërtetë shkencor i veshkave të mia dhe shkova menjëherë në sallën e operacionit, pa u menduar gjatë. Dhe pas një ore kuptova se fjalët që qarkullonin për këtë doktor të famshëm nuk ishin mit. Për mjekë të tillë, me potencial kreativ e human, ka shumë nevojë shoqëria e sotme shqiptare, që ta shndërrojnë talentin e tyre në art. Pasi ky lloj arti është në të vërtetë një tjetër fe, që i falet vetëm Njeriut!

Dr. Nexhat Rexha nuk është vetëm një veteran i UÇK-së, por edhe një veteran i mjekësisë në Kosovë. Një jetë e tërë kushtuar tërësisht urologjisë. U lind në Gjakovë më 18 dhjetor 1958. Shkollën fillore dhe Gjimnazin e ka kryer në vendlindje. Fakultetin e mjekësisë e ka kryer në Prishtinë në vitin 1984. Prej asaj kohe ka kryer detyrën e mjekut në shtëpinë e shëndetit në Gjakovë. Specializimin e ka filluar në klinikën e urologjisë në Prishtinë 1988-1990. Në vitet 1990- 1992 ka vazhduar dhe ka përfunduar në Lubjanë specializimin në urologji. Ka filluar punën si urolog në kuadër të kirurgjisë në spitalin e Gjakovës dhe pas një viti ka themeluar repartin e urologjisë, në kushte të okupimit. Në vitin 1998, Dr. Rexha ka marrë pjesë në kongresin e urologëve Sllovenë, me punimin “Trajtimi endoskopik me incisionit të obstruksioni primar i qafës së qeskës urinare”. Studimet post-diplomike i ka përfunduar në Zagreb më 2005 ku ka marrë titullin “Magjistër i urologjisë”. Ndër momentet më të rëndësishme të karrierës së tij veçojmë marrjen e titullit “Doktor i Shkencave”, si dhe emërimin si Shef i Shërbimit të Imazherisë së Urgjencës, pranë Spitalit të Ri në QSUT. Që prej vitit 1996 është anëtar i shoqatës europine EAU dhe pjesëmarrës në të gjitha kongreset: Londër, Paris, Stockholm, Milano, Vienë, Gjenevë, Stamboll, Munchen, Madrid etj. Edhe pse oferat për të punuar në vendet perëndimore nuk munguan, pa hezituar aspak, Dr. Rexha u kthye në Kosovë, megjithëse mundësitë për kërkime shkencore ishin shumë të pakta dhe në Perëndim mund të fitonte dhjetë herë më shumë. 

“Nuk mund të them se qëndrova vetëm për patriotizëm. Nuk e di, por në vendlindjen time, këtu te bashkëqytetarët e mi, e ndjej dhe e dashuroj më shumë profesionin tim”, thotë doktori me sinqeritet e modesti.

Puna për thyerjen e gurëve në veshka, ureter dhe qeskë urinare me valë elektromagnetike kish filluar vitin 2000 në poliklinikën private në Gjakovë. Më vitin 2011, Doktori hapi spitalin privat urologjik ”Mendja e Integruar Mjekësore” në Gjakovë, së bashku me zonjën e tij, Dr. Shpresa Rexha, anesteziologe-reanimatore, si dhe me Dr. Ardian Jusufi urolog dhe Dr. Avdyl Hoxha urolog. Në Tetor 2013, në bashkëpunim me urologët nga Hamburgu, Dr.Tobias Pottek dhe Dr.Rainer Schmidt, filloi punën në spitalin “M.I.M” në Gjakovë, me thyerjen e gurëve në veshka me URS fleksibil me Stone Laser dhe operimin e prostatës me Green Laser. Ndihmë të pa kursyer në ngritjen e nivelit profesional të spitalit M.I.M.ka dhënë Prof. Hendrik Van Poppel EAU Adjunct Secretary General – Education
University Hospitals of the KULeuven. Në Shtator 2016 Dr. Rexha mori pjesë me punimin për operimin e Prostatës me GreenLight LASER: Procedurë minimale invazive për trajtimin e hiperplazisë beninje të prostatës, duke përdorur teknologjinë GreenLight LASER për rezultate të shpejta dhe të sigurta. Thyerjen e gurëve në veshka me Endoskopi – StoneLight LASER: Metodë e avancuar për thyerjen dhe largimin e gurëve në veshka me ndihmën e endoskopit dhe StoneLight LASER. ESEWT.

Në Takimin e 4-të të Seksionit EAU të Urolithiasis (EULIS 17), i cili u mbajt në Vienë të Austrisë më 6 tetor 2017, Dr. Nexhat Rexha prezentoi sërish, me detaje të reja, punimin shkencor mbi “Trajtimi i gurëve ureteral me ESEWL”, e cila ngjalli jo pak interes në rrethet e urologëve.

Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.

Dr. Nexhat Rexha (i pari nga e djathta) në Kongresin Europian të Urologjisë, Milano 2023

Prof. Asoc. Dr. Baton Kelmendi: Kolegji i Kirurgëve të Kosovës, partneritet me Sanford Medical Center Fargo, North Dakota, SHBA, dhe Kolegjin Amerikan të Kirurgëve

Përshkrimi i fotografisë nuk është i disponueshëm.

“Mjekësia në Kosovë po bën përparim të dukshëm vitet e fundit. Tashmë duket se është definuar një platformë dhe rruga drejt transformimit, duke themeluar qendra të reja ekselence, dhe klinika specializimesh të avancuara”, thotë mjeku i njohur Prof.Asoc. Dr. Baton Kelmendi, me të cilin patëm një bisedë të lirë, në rrethana miqësie, në një bar të Prishtinës. 

Mund të themi se Kolegji i Kirurgëve të Kosovës, ku bën pjesë edhe Dr. Nexhat Rexha, është duke bërë punë të jashtëzakonshme jo vetëm në edukimin e vazhdueshëm, në perfeksionimin e teknikave dhe qasjeve moderne operative. Shëndetësia e Kosovës mund të përparojë kur të integrohet përvoja globale në vizionin dhe misionin e transformimit të shëndetësisë. Duhet të jetë partneritet i vërtetë, i ndërtuar përmes diplomacisë dhe miqësisë mjekësore”, thotë Baton Kelmendi, kirurg i fëmijëve dhe koordinator i kursit ATLS (Kursi i menaxhimit të traumës). Kolegji i Kirurgëve të Kosovës, në partneritet me Sanford Medical Center Fargo, North Dakota, SHBA, dhe Kolegjin Amerikan të Kirurgëve, po krijon formatin e kurseve të rregullta ATLS në Kosovë, që edhe në bashkëpunim me SHSKUK dhe autoritetet tjera përkatëse do të aftësojë dhe certifikojë profesionistët shëndetësor me standardet më të larta të dhënies së kujdesit shëndetësor.

Pikërisht nga ky partneritet me Stanford Medical Center Fargo, është duke u ngjizur Kursi “Advanced Trauma Life Suppor”, njofton Dr. Kelmendi, duke u shprehur se ky do të jetë fillimi i një bashkëpunimi të vazhdueshëm, që do të mundësojë trajtimin bashkëkohor të traumës në Qendrën Spitalore dhe Spitalet Rajonale. Në botën moderne, trajtimi i traumës është i paimagjinueshëm pa principet e ATLS, principe këto që shpëtojnë jetë.

Jemi shumë të gëzuar që në Kongresin e Katërt Klinik, që do të mbahet më  26-29 Shtator, do të prezantojmë programin shkencor më të pasur deri më tani, kumton më tej Dr. Kelmendi. Krahas prezantimit të përparimeve më të fundit klinike dhe shkencore, ne gjithashtu do të mbajmë gjashtë simpoziume të specializuara dhe ‘hands-on’ kurse mbi temat e mëposhtme: Kirurgjia e kancerit të gjirit, Trauma, Trajtimi bashkëkohor i plagëve, Endokirurgjia vaskulare, Kirurgjia estetike, Kirurgjia Maksillofaciale.

Kongresi do të jetë një mundësi të jashtëzakonshme për të përcjellë ligjëratat nga kirurgët liderë botërorë dhe për t’u lidhur me kolegët  anembanë globit, si dhe liderët e industrisë shëndetësore.

Për dekada të tëra, sistemi i pareformuar dhe i keqfinancuar shëndetësor në Kosovë, ka bërë që mjekët të punojnë në kushte të papërshtatshme dhe të mos ofrojnë shërbim cilësor. Sot mjekësia ka investuar në teknologji, ka udhëzues të praktikës klinike, të përshtatura me mundësitë që ka sistemi, ka protokolle të trajtimit të sëmundjeve dhe edukim në vazhdim. Por Kosova mbetet një vend që ka një nga densitetet më të ulëta të mjekëve në kontinent për kokë banori. Kjo do të thotë se vendi ka 2.3 mjekë për një mijë banorë, një nga normat më të ulëta mes 47 vendeve që përbëjnë Këshillin e Evropës.

Filed Under: Sociale

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 736
  • 737
  • 738
  • 739
  • 740
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT