• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Mitrush Kuteli, shkrimtari i shquar me origjinë nga Arta

September 13, 2024 by s p

Arben Iliazi/

117 vjet më parë, më 13 shtator 1907, lindi Mitrush Kuteli, pseudonimi letrar i Dhimitër Paskos. Kuteli është në të vërtetë një gjeni i letrave, një nga patriarkët e letërsisë shqipe, ndër shkrimtarët më origjinalë, që kaloi nëpër të gjithë purgatorët e regjimit komunist, i dënuar si “Armik i Popullit” dhe me mospërfillje, duke hequr vuajtje të shumta shpirtërore.

“Nëse merren në shqyrtim të gjitha fazat e jetës së tij (mërgimi i gjatë kryekreje në Rumani, kthimi në atdhe, koha e luftës dhe heshtja e gjatë deri në vdekje) kemi përshtypjen se prozatori i shkëlqyeshëm pat jo vetëm dy emra, por edhe dy jetë”, ka thënë Martin Camaj.

Prozator i shkëlqyer, poet e folklorist, publicist, e kritik letrar, përkthyes i majave të letërsisë botërore, njëherësh edhe studiues dhe financier me kontribute të mëdha për ngritjen e Bankës së Shqipërisë dhe zhvillimin e monedhës kombëtare, Kuteli i la që në të gjallë kulturës dhe mendimit shqiptar dhjetra botime letrare, si dhe 16 libra e broshura kryesisht për ekonominë e financën, por gjithashtu botime folklorike dhe polemika. Ai ka lënë edhe artikuj të shumtë në këto fusha dhe përkthime me vlerë nga rusishtja, rumanishtja, frëngjishtja dhe italishtja.

Mitrush Kuteli ishte mjeshtër i realizimit magjik, por edhe i realizmit grotesk. Veprat e tij rrëfejnë aftësinë e tij gjeniale për të kapur thelbin shqiptarisë. Kuteli krijoi personazhe tipikë në mjedisin tipik shqiptar. Ai diti të kuptojë thellë marrëdhëniet reale mes njerëzve. Po ashtu solli realitete që përsëriten, për të parë te e shkuara fytyrën e vet si në pasqyrë. Bota e ritreguar nga Kuteli është një botë tipike shqiptare, me heronj të virtytshëm, me akte të larta njerëzore, me atmosferën epike e fllade lirike, me nota tragjike e komike.

Disa studies e kanë mbiquajtur Kutelin “Babain e tregimit realist shqiptar”, pasi ai këputi vjegat që e mbanin letërsinë të lidhur me traditën e bejtexhinjve të pasmesjetës, duke e nxjerrë letërsinë nga ajo gjëndje miturie.

“E madhe është gjëma e mëkatit” është kryevepra e kryeveprave të tij. Ndërsa “Tregime të Moçme Shqiptar” përbën një libër klasik të të gjitha kohërave. Jo vetëm nga ngjarja dhe filozofia e madhe që mbart ajo, por edhe nga mënyra e të rrëfyerit si askush tjetër apo, figurat artistike e fantastike, stili i të treguarit e gjithçka të përsosur. Përmes atmosferës sociale që solli në veprat e tij, Kuteli vendosi ta përcillte ndarjen nga Mesjeta duke qeshur e duke e përqeshur, me stilin grotesk, siç e patën bërë edhe shkrimtarët e adhuruar prej tij: Rableja dhe Gogoli.

Kuteli ishte një magjistar i vërtetë i fjalës shqipe, duke na dhënë modele të mrekullueshme stilistike, që përbëjnë një shkollë të vërtetë të gjuhës letrare shqipe. Veprat e Mitrush Kutelit përbëjnë një pjesë mjaft të rëndësishme të letërsisë shqiptare, një frymëzim për një numër të madh veprash të tjera letrare që pasuan përgjatë dekadave. Nuk kam ndërmend të bëj një paraqitje të detajuar të përmbajtjes së veprave të tij. Këtë më mirë e kanë bërë dhe do të vazhdojnë ta bëjnë studiuesit e letërsisë.

***

Në biografitë që janë shkruajtur për Mitrush Kutelin thuhet se lindi në Pogradec më 13 shtator 1907, në qytetin liqenor ku mori dhe mësimet e para i mori, ndërsa studimet e mesme i kreu në Selanik, në Shkollën Tregtare rumune (1921-1928); U diplomua në Bukuresht, më 1931 dhe më 1934 mori doktoratën në shkencat bankare dhe monetare, me vlerësimin më të lartë. Në Rumani ka qenë funksionar në Ministrinë e Financave; drejtor i Bankës Nacionale të Rumanisë dhe i Bankës së Çernëucit. Arriti të kthehet në Shqipëri në shtator të vitit 1942, dy javë pasi kishte ndërruar jetë nëna e tij. Punoi pranë shoqërisë SASTEB, e pas shtatorit 1943 punoi këshilltar për çështje të monedhës pranë Bankës Kombëtare të Shqipërisë. U largua nga Banka në tetor të vitit 1944, pasi kundërshtoi planet gjermane për të nxjerrë një monedhë të re që do të varfëronte Shqipërinë.

Pas janarit 1945, si drejtor i Drejtorisë Qendrore të Bankës së Shtetit Shqiptar, kontribuoi për rimëkëmbjen e financave shqiptare; dha dorëheqjen në gusht 1946, pasi nuk u pajtua me vendimin e shtetit të atëhershëm për kursin e këmbimit lek/dinar jugosllav që dëmtonte ekonominë e vendit.

Në maj 1947 Kutelin e arrestuan; e dënuan me pesë vjet heqje lirie, pa asnjë akuzë konkrete, as si ekonomist, as si letrar dhe e dërguan në kampin-burg të Vloçishtit. U lirua “me falje” në prill 1949. Pas këtij viti Kuteli punoi si përkthyes pranë Shtëpisë Botuese ‘Naim Frashëri”, dhe për një kohë të gjatë iu hoq e drejta e botimit. Letërsisë i kushtoi kohën që i mbetej nga puna e normuar e përkthimit. U nda nga jeta nga një infarkt më 4 maj 1967.

Askush nuk e shpjegon dot faktin pse dosja e akuzës kundër tij është zhdukur dhe nuk gjendet as sot e kësaj dite.

Po ashtu në biografitë e tij shkruhet rëndom se familja e tij është me rrënjë nga qyteti i Artës, Çamëri, pa dhënë shpjegime të mëtejshme. A qëndron ky pohim? Po, është e vërtetë, Mitrush Kuteli është bir i Artës ose Gjirit të Ambrakisë, që i ka rrënjët qysh në lashtësi. Bir i kësaj treve me të kaluar të lavdishme. Qyteti i Artës (ose Nartës) njihet si një nga qytetet më të famshme shqiptare në histori. U bë realisht i famshëm në shekullin 13-14, kur ishte në zotërimin e princit shqiptar Pjetër Llosha. Ky më tej u bashkua me kryezotin çam princin Gjin Bua Shpata, i cili themeloi Despotatin e Artës, një nga formacionet shtetërore më të famshme shqiptare ne histori. Në shekullin XV Arta nxori një kolos të letrave, dijetar Mihal Artiotin, shenjtor i ndritur dhe dhe humanist i madh. Edhe sot Arta e ruan karakterin e vet shqiptar. Origjinën nga Arta të Familjes Pasko ma ka pohuar dikur, në një bisedë të lirë kolegësh, e bija e Mitrushit, gazetarja Atalanta Pasko, një zonjë me mjaft integritet njerëzor dhe profesional, e cila ka ndërruar jetë në vitin 2022. Kisha pak kohë që kisha mbrojtur diplomën me një studim mbi këngët popullore çame dhe ndikimin e tyre në krijimtarinë letrare të autorëve shqiptarë. Babai ishte me origjinë çame nga Arta, më pohoi me gojën e saj e bija e shkrimtarit. Dhe, si për t’i dhënë alibi shkencore rastit, më përmendi disa shprehje të nëndialektit çam, që Kuteli ka përdorur në veprat e tij. Te “Vjeshta e Xheladin Beut: “Burrë dërdëng”, “Xheladin Beu kish në dorë bukën e kopaçen” “ oda e madhe e konakut”, “i kish rënë leshi i kokës”, “kish hedhur oftikanë” etj. Te “Havadan më havadan:“ulku nuk e ha ulkun”!

Znj. Atalanta më shpjegoi si si tradita popullore çame kishte ndikur në krijimtarinë e Kutelit. Për shembull te libri “Në një cep të Ilirisë së Poshtme” përfshihen tregime me frymëzim nga lashtësia iliro -thesprote. Në disa tregime flitet me dashuri për Camërinë.

Po ashtu miku im, shkrimtari i njohur Enver Kushi, ruan në arkivin e tij personal një letër (shkruar me makinë shkrimi) të Pandeli Paskos, djalit të Dhimitër Paskos (Mitrush Kutelit), që i drejtohej Abaz Dojakës në vitin 1991nga Saragoza e Spanjës , pas krijimit të Shoqatës“Çamëria”, kur Dojaka ishte zgjedhur kryetar i kësaj shoqate. Në këtë letër Pandeli Pasko, pasardhës i denjë i Kutelëve, krenohet me rrënjët nga brigjet plot dritë të Artës.

Saragozë, 28.03.1991

Doc. Abaz Dojaka

Nismëtar i Shoqërisë “Çamëria”

I nderuar docent,

Lexova me gëzim intervistën tuaj në gazetën “Republika”. Me gëzim dhe me një farë drithërimi, sepse me gjithëse lindur në Tiranë, prej prindrish lindur në Pogradec e në Korçë, i ndjej rrënjët e mia në tokën çame, në Artë, nga ku të parët tanë, si shumë shqiptarë, u shpërngulën për ti shpëtuar shtypjes të atij qeni Ali Pasha.

Jam i sigurtë, se një ditë atje në Artë, do të gjenden dokumente me interes për familjen tonë Kuteli, për breza e breza priftinjsh e detarësh. Sot jemi të shpërndarë në Tiranë, Pogradec e Durrës.

Vitin e kaluar kreva një specializim në Francë, në INRA të Avinjonit, ku më vështruan me kuriozitetin e shqiptarit të parë që shihnin. Kohë më kohë më flisnin me admirim për profesorin turk Qazim Abak, i cili kishte kryer studime me interes e sot është nga më të njohurit në rrethet bujqësore turke. Aty kishin kaluar edhe studiusë të tjerë, po mua për Qazimin më flisnin.

Fati më solli të takoi Prof. Abakun nga Universiteti i Adanasë. Pasi shkëmbyemë përshëndetjet e njohjes Qazimi më drejtohet: “Si i thonë shqip feu – a i thonë zjarr? Po pain – a i thonë bukë? Mbeta i habitur, po Qazimi vazhdoi: “ Mos u habit. Jam gjysmë turk, gjysmë shqiptar. Shqiptar nga kjo pjesa këtu (dhe më tregoi anën e zemrës). Këto fjalë mi ka mësuar gjyshja nga Çamëria”. Me Qazimin u përqafuam shqiptarçe, kurse miqve francezë u thashë se nuk kam nderin të jem shqiptar i parë në Montjavet, sepse i pari kish qënë Prof. Qazim Abak.

Megjithse kanë kaluar disa breza, motrat e babajt dhe xhaxhi Pasko(Pasko Milo Pasko) vazhdimisht na tregonin për mjergullën e origjinës të fisit tonë. Ndjenjën e afërsisë me këtë vend origjinë ma kanë shtuar edhe ato pjesë të tregimeve të babajt (Mitrush Kuteli), ku flitet me dashuri e dhimshuri për Çamërinë. Për këtë dëshmon edhe nxitja që jepte dikur babaj Fatos Rapajt, mbledhësit atdhetar të folklorit çam.

Në përfundim, pranoni, Profesor kërkesën time për t’u pranuar antar i Shoqërisë “ÇAMËRIA”.

Me respekt

Pandeli Pasko

Në të vërtetë shkrimtarët e mëdhenj i kalojnë jo vetëm përmasat krahinore dhe të origjinës, por edhe përmasat kombëtare. Pra nuk i përkasin as vendit nga vijnë, as gjuhës, as racës së vet. Shkrimtarë si Mitrush Kuteli nuk mund të mbyllen në përkatësinë e tyre, pasi u shndërrohen në frymë kombëtare, në specie të pajisura me karakter të trashëgueshëm, të përhershëm dhe të pashlyeshëm. Vepra e Mitrush Kuteli padyshim është një burim krenarie kombëtare. Ajo nuk vjetërohet kurrë. Të paktë janë shkrimtarët shqiptarë që nuk vjetërohen kurrë. Ata mbeten të tillë se u bënë zëdhënës të kohës së tyre. Sot kur shohim se si barbaria ka pushtuar kulturën, letërsinë dhe artin duhet të ruajmë dhe të mbrojmë autorët tanë të shquar dhe veprat e traditës.

Vepra e shkrimtarëve si Mitrush Kuteli nuk mund të katandiset në stoli kallpe. Ajo i flet kohës në çdo kohë…

Mitrush Kuteli me familjen

DISA NGA VEPRAT E MITRUSH KUTELIT

“Rrjedhin lumenjtë”

“Vjeshta e Xheladin Beut”

“Lasgush Poradeci” (1937)

“Net shqiptare” (1938)

“Pylli i gështenjave” (1958)

“Ago Jakupi e të tjera rrëfime” (1943)

“Sulm e lotë” (1943)

“Shënime letrare” (1944)

“Havadan më havadan” (1944)

“Kapllan aga i Shaban Shpatës” (1944)

“Dashuria e berberit Artan” (1946)

“Xinxifilua” (1962)

“Tregime të moçme shqiptare” (1965)

“Tregime të zgjedhura” (1972)

“Baltë nga kjo tokë” (1973)

“Në një cep të Ilirisë së poshtme” (1983)

“Këngë e britma nga qyteti i djegur”

“E madhe është gjëma e mëkatit”

See insights and ads

Create Ad

Like

Comment

Share

Filed Under: LETERSI

T’U RRIT’ NDERA, O ÇUN MULA

September 13, 2024 by s p

Nga Ramazan Çeka/

        

16-gushti do të mbetet një ditë historike për Kullën e Bajraktarit të Hotit dhe për Malësinë e Madhe, ku lindën dhe u rritën trima që nuk kursyen asgjë për të mbrojtur trojet shqiptare.

   Kulla e Bajraktarit të Hotit, e njohur edhe si Kulla e Çun Mulës, ka kaluar shumë rrëbeshe e furtuna historike që në ndërtimin e saj, për të ardhur në një ditë si sot, me dt.16 gusht 2024 dhe për t’u ringritur me krenari në themelet e saj e për të treguar se historia dhe bijtë e Malësisë e mbajnë të gjallë si një dëshmi heroike për brezat e ardhshëm. 

  Kulla e Bajraktarit të Hotit, ndërtuar rreth 300 vjet më parë si një kala madhështore, qëndroj e paepur, pavarësisht përpjekjeve për ta injoruar historinë e saj dhe pati gjithmonë pranë trashëgimtarët që kurrë nuk e harruan historinë, por u rikthyen një ditë për ta ringjallur atë. 

   Kulla u dogj tre herë nga osmanët, serbo-malazezët, u sekustrua për gati 40 vjet nga rregjimi totalitar komunist, por qëndroi sfidante ndaj çdo pushtuesi dhe uzurpatori, dhe sot është kthyer në muze historik për gjithë Malësinë e Madhe dhe Kombin Shqiptar, duke e ruajtur misionin e saj fisnik, si Kulla e qëndresës, kuvendit dhe e bashkimit.

   Një ndër ata është edhe z. Arian Bajraktari, stërnip i të parëve të kësaj kulle, i cili është inisiatori i restaurimit të këtij monumenti të pavdekshëm të Malësisë së Madhe, të ideuar prej disa vitesh në një përpjekje titanike me familjen, bashkëpunëtorët e bashkëmalësorët e tij të palodhur, në këtë maratonë kontaktesh dhe konkretizimi, i cili ndan jeten e tij mes dy shtetesh: Belgjikës dhe Shqipërisë.  

   Z. Arian Bajraktari është drejtor i Shkollës Shqipe “Faik Konica” në Namur. Ai është organizator simpoziumesh dhe konferencash shkencore të përvitshme në Belgjikë e së shpejti edhe në Shqipëri, Kryetar i Shoqatës “Kulla e Bajraktarit të Hotit”, që mundësoi mbarëvajtjen në tërësi të proçesit. Ai është mjaft i angazhuar në jetën shoqërore në Malësi dhe është i vlerësuar me titullin “Qytetar Nderi” i Malësisë së Madhe.

  Këtë detyrë madhështore dhe të vështirë ai e mori përsipër në krye të një grupi pasardhësish të kësaj familjeje. Ai këtë e shpreh me shumë krenari e dashuri në fjalën hapëse të ceremonisë, që do të mbetet madhështore në historinë, jo vetëm të Hotit, jo vetëm të Malësisë, por në historinë e Shqipërisë. 

  Të flasësh për dinastinë e Bajraktarëve të Hotit dhe kontributet e tyre ndër shekuj, ndoshta do të duheshin netë të gjata dimri të Malësisë, por dhe hulumtimet e studimet që janë bërë, për të cilat foli mjaft bukur, veprimtari, patrioti dhe bashkëmalësori, prof. Lukë Junçaj.

   Në emër të bashkëpunëtorëve pjesëmarrës në realizimin e këtij projekti, përshëndeti familjen dhe gjithë ata që kontribuan në ringritjen e Kullës së Çun Mulës, biznesmeni dhe humanisti i njohur i Malësisë, Gjokë Martin Noni Junçaj. 

   Për restaurimin e këtij objekti me vlera të mëdha historike e etnografike, natyrisht që duhej një fond i konsiderueshëm monetar, të cilin do ta merrnin përsipër që nga trojet e Malësisë së Madhe, deri në “Malësinë” që ky komunitet ka krijuar në tokën amerikane.

   Ky aksion kulturor gjeti mbështetjen masive nga të gjithë bashkëmalësorët tanë në dy anët e kufirit shqiptar, por dhe në Michigan, Nju Jork, Kanada dhe në mbarë Europën, ndaj ne sot përulemi me shumë respekt përpara secilit që mundësoi këtë realizim historik.

   Me këtë mision, një komision i vogël i përbërë nga Luigj Dushaj, Maliq Çunmula, Mark Lucgjonaj dhe Arian Bajraktari, në emër të familjes dhe Shoqatës “Kulla e Bajraktarit” të Hotit, trokitën në dyert e bashkëmalësorëve tanë në SHBA. 

   Malësorët me banim në Michigan, ishin të parët që pritën ngrohtësisht organizatorët dhe mbështetën këtë projekt të madh kulturor e historik.

   Shoqata Atdhetare “Malësia e Madhe” në Michigan, me kryetar z. Ndrekë Gjolaj, “Jehona e Malësisë” me kryetar z. Vilson Sinishtaj dhe më pas Agron Dedivanaj, Fondi humanitar “Rapsha”, Lindon Lajçaj dhe  Anton Marku Junçaj, si dhe aktivistët: Gjokë Martin Noni Junçaj, Gjok Nikollë Preka, Gjok Junçaj, Gjergj Marku Junçaj, Peti Camaj e shumë të tjerë, i dhanë mbështetje të jashtëzakonshme këtij projekti.

   Edhe Shoqata “Malësia e Madhe” në Nju Jork me Kryetar Shaqo Gjokaj dhe Senad Lulanaj, me aktivistët Mark Gjoku Ulaj, Kola Cacaj, Ilir Çunmulaj, Nikollë Junçaj, Leonardo Berisha, Kiko Çelaj, etj., vetëm pak ditë më pas, organizoi një supër mbrëmje për grumbullim fondesh, që për nga entuziazmi dhe prezenca kaluan çdo parashikim. Të tjera Shoqata, si Hoti i Kujit, me përfaqësues Imer Hoti, Fondi Humanitar Trieshi, si dhe Federata Pan Shqiptare “Vatra”, me Dr. Pashko Camaj, kontribuan dhe mbeshtetën nismën sipas mundësive.

   Në emër të këtij komuniteti entuziast e patriot, përshëndeti eventin një ikonë e gjallë e burrnisë, simbol i malësorit patriot dhe besnik, që vjen nga familja me shumë emër e Bajraktarit të Kojes, Zoti Mark Gjoku Ulaj.

   Për realizimin e këtij projekti duhej dora e një inisiatori dhe organizatori. E kush më mirë se z. Ndrekë Gjolaj, Kryetar i Shoqatës Atdhetare “Malësia” në Michigan, mund ta kryente këtë mision kaq të vështirë e fisnik, mbështetur nga Shoqata “Jehona e Malësisë” me z.Agron Dedivanaj.

   Emrat e tyre u shfaqën me titra në ekranin e madh të skenës dhe lista fillonte me Gjergj Mark Junçaj, Gjokë Martin Junçaj, Gjokë Nikollë Lulaj, Familja Gjekë Gjoni Nikprelaj, Emina Çunmulaj e Semi Nazarian, Mark Gjoku me vëllezër, Pashko Martin Dedvukaj me familje, Martin e Rrok Noshi Junçaj, Kujtim Tom Lulaj, Peti Gjeto Camaj, Sokol Vushaj, kjo listë e gjatë shkon, mbi 445 emra, që janë të skanuar perjetësisht në hyrje të Kullës Muze. 

   Ju dhuruat 440 mijë dollar amerikanë, të gjithë së bashku 440 mijë falenderime, ishte fjala falenderuese e z. Arian Bajraktari.

   Kjo ngjarje e shënuar do të skalitet në memorjen e Malësisë, ashtu siç skaliten ngjarjet e shënuara historike në memorjen e një Kombi. 

   Ceremonia e prerjes së shiritit ishte madhështore dhe arriti kulmin në momentin kur pjesmarrësit në këtë festë, personalitetet e ftuar, u afruan pranë derës kryesore të Kullës, për të kryer ritualin e prerjes së shiritit, detyrë e cila u ishte ngarkuar përfaqsuesëve të Shtatë Bajrakëve të Malësisë.

   Shtatë copëza të vogla të këtij shiriti, janë shtatë flamuj të vegjël në Shtatë Bajrakë të Mëdhenj.

   Në këtë moment kulmor që do të mbetet i fiksuar në foto e video ishin të pranishëm Kryetari i Bashkisë “Malësia e Madhe” Tonin Marinaj, deputeti i zonës Paulin Sterkaj, kryetari i Komunës së Tuzit (Mali i Zi), Lindon Gjelaj, Rozeta Hajdari, Ministre e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë së Republikës së Kosovës, përfaqësues të Komuniteteve Fetare, deputetë dhe diplomatë nga Shqipëria, Kosova e Mali i Zi, përfaqësues të Shoqatave Kulturore në SHBA e Malësia e Madhe, si dhe Akademikë, historianë e studiues nga të gjitha trojet shqiptare.

   Në këtë tribunë nderi një vend të veçantë ka edhe arkitekti i mirënjohur Zef Çuni, me përvojë të gjatë profesionale, veçanërisht në fushën e monumenteve të kulturës, i cili me aftësitë e tij, ringriti dhe ringjalli edhe një herë një objekt të tillë historik të njohur si “Kulla e Çun Mulës”. Vlen për tu përmendur serioziteti, përkushtimi, dhe korrektesa e firmës “Curri” me President z. Faik Curri, të cilët mundësuan me profesionalizëm realizimin e rinovimit të këtij objekti madhështor për nga historia në një kohë rekord.

   Për zbulimin e pllakës përkujtimore të vendosur në këta mure shekullore të kësaj Kulle, ku shkruhet: Kulla e Bajraktarëve të Hotit, Muzeu “Malësia e Madhe”, nderin e pati Kryetari i Bashkisë z. Tonin Marinaj, i cili shumë i emocionuar falenderoi të gjithë ata që kanë dhënë kontribut në restaurimin e kësaj Kulle shekullore, që tashmë është kthyer në një Muze dhe që do të presë çdo ditë vizitorë nga të gjitha trojet shqiptare, deri në Diasporë.

   Një koncert madhështor e përcolli këtë ceremoni madhështore dhe ky koncert u bë edhe më madhështor, falë profesionalizmit të moderatorëve Linda Kavaja, Helena Lekaj dhe Lorenc Smajlaj.

   Artistë të mëdhenjë të fjalës dhe muzikës, këngëtarë e rapsodë, grupe e Shoqata Artistike nga të gjitha trevat shqiptare, deri në Amerikë, shpalosen para pjesmarrësve talentin dhe repertorin e tyre për rreth 6 orë, duke performuar para një auditori që në oborrin e Kullës ngjasonte si një amfiteatër gjigand me mbi 3 mijë pjesëmarrës, ku natyrisht veçohet performanca e aktorit të famshëm Çun Lajçi dhe “Mjeshtri i Madh” Nikollë Nikprelaj.

   Shtator 2024

Filed Under: Reportazh

KËSHILLTARJA E PRESIDENTES SË KOSOVËS DONIKA KADAJ BUJUPI VIZITOI VATRËN

September 12, 2024 by s p

Sokol Paja/

New York, 12 shtator – Këshilltarja e Presidentes së Republikës së Kosovës dhe 5 herë deputete e Parlamentit të Kosovës znj.Donika Kadaj Bujupi e shoqëruar nga diplomati Fatmir Zajmi zhvilluan një vizitë zyrtare në Federatën Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra. Ata u pritën nga sekretari i Vatrës Dr. Pashko Camaj, editori i gazetës Dielli, vatrani historik Marjan Cubi dhe anëtari i kryesisë së Vatrës Ilir Cubi. Vatra e përgëzoi delegacionin e Kosovës për prezantimin e shkëlqyer, punën e mirë, reformat dhe progresin e institucioneve në Kosovë. Vatra siguroi se mbështetja dhe lobimi i Vatrës e gazetës Dielli sidomos për çështjen e Kosovës në veçanti do të vazhdojë fuqishëm në institucionet e shtetit amerikan. Delegacioni i Kosovës ekspozoi rrezikun e shtuar me të cilin përballet Kosova prej regjimit serb, situatën e sigurisë në veri të Kosovës, bisedimet dhe shprehën mirënjohje për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Delegacioni i Kosovës gjithashtu falënderuan Vatrën e gazetën Dielli për punën kombëtare dhe komunitare dhe në veçanti mërgatën shqiptaro-amerikane për gjithçka i kanë dhënë kombit shqiptar e Kosovës në veçanti në çdo fazë të zhvillimit e sfidat me të cilat përballet shteti i Kosovës.

Filed Under: Politike

Ftesë nga Shkolla Shqipe në New Jersey

September 12, 2024 by s p

Filed Under: Sociale

VILI MINAROLLI RRËFEN VUAJTJET DHE DINJITETIN E KOSMAÇËVE

September 12, 2024 by s p

Shpendi Topollaj/

Kur i nderuari Vili Minarolli, si nëntitull të librit të tij monografik “Kosmaçët”, ka vendosur fjalët “Saga e një familje”, pa tjetër që ka pasur ndërmend sagën historike të shumë e shumë familjeve të ndershme e fisnike shqiptare që fati dhe sidomos diktatura komuniste ku jetuan, u shkaktoi aq shumë telashe e vuajtje, pa arritur asnjëherë t`u cënojë sado pak, njerzillëkun, ndershmërinë, dinjitetin dhe dashurinë për njëri – tjetrin dhe atdheun. Me vlerat dhe virtytet e tij të larta, ku krahas mençurisë, spikat thjeshtësia, ai fare mirë mund të merrte si sagë, rrugëtimin e familjes së tij që provoi goditje të pamerituara nga regjimi i asaj kohe, por ai ka zgjedhur të përshkruaj atë të një familjeje tjetër, pak a shumë bashkëvuajtëse, me të cilën ndanin atë barangën me dërrasa në Shijak, ku i kishin internuar. E ka bërë këtë pasi prejardhja e të parëve të Kosmaçëve, qysh nga Jaku prej Shkodre dhe shkuarja e tij në Plevlje, qendër e Sanxhakut të Novi Pazarit, bashkë me shokë të tjerë në kohën e pushtimit austro – hungarez, i jep dorë që ta zgjerojë tematikën dhe të ilustrojë më bindshëm, gjithçka ndodhi me pasardhësit e tij dhe si ndikojnë rrethanat politike, ekonomike dhe ushtarake në jetën e popujve. Prandaj ky autor, përpara se të ndalet te peripecitë e Jakut e gruas së tij Danës, për të mbërritur tek i biri Antoni, na përshkruan me hollësi ngjarjet madhore të kohës dhe si preçipituan ato pas vrasjes në 28 qershor të vitit 1914 të princit trashëgimtar Franc Ferdinadit dhe gruas së tij, dukeshës Sofie, nga dora e Danilo Principit, çka pasoi me atë Luftën e Parë Botërore që mori jetën e dhjetëmilion njerëzve. Përshkrimi dhe analiza që Vili Minarolli i bën ngjarjeve të fillimshekullit të kaluar, janë si prej një historiani të vëretë dhe jo prej një mësuesi matematike. Kjo vërteton kulturën e madhe që ky intelektual, politikan dhe diplomat zotëron dhe që di të futet deri në hollësi e kuriozitete nga ato që jo vetëm e bëjnë leximin mjaft tërheqës, por edhe mbahen mend gjatë. Dhe këtu nuk është fjala vetëm sesi u prit Princi në Xhaminë e Madhe në Sarajevë, ku Kryemyftiu nuk e la të hiqte këpucët apo gjesti burrëror i tij pas atentatit të parë me granadë, për të takuar Kryetarin e Bashkisë të cilin e përshëndeti me fjalët “Ju faleminderit për mikpritjen me bomba” e deri vajtjen në spital për të vizituar kolonelin adjutant të plagosur, por për të na dhënë të shkoqitur mendimet e tij për kontradiktat dhe armiqësitë që kishin etnitë, vendin që zinin fetë ortodokse, katolike dhe myslimane, dhe mendimin e tij se shkak për kundërvënie ishin synimet ekonomike dhe etja për pushtime. Sherret mes vendeve ballkanike, të nxitura nga interesat e Fuqive të Mëdha, natyrisht që do të përfshinin edhe Shqipërinë dhe në gjithë ato që autori na parashtron, shfrytëzon kujtimet e lëna nga vetë Antoni i cili pasi braktisi seminarin për prift, vijoi studimet për Drejtësi, ku dhe mbrojti disertacionin për të fituar gradën doktor. Dhe Antoni në shënimet e tij është tepër i saktë në ato që thotë dhe për këtë mjaft të ndalemi te ndryshimet që shihte ai mes boshnjakëve dhe shqiptarëve, ku për të dytët thotë se janë më të zgjuar: “Ai mburret dhe vdes si shqiptar”. Dhe shton se “Boshnjaku ka arsye të tjera që mund të jenë në radhë të parë fetare, mandej ato janë atdhetare”. Dhe në qoftë se shqiptari e ka ndryshuar ndonjëherë fenë, këtë e ka bërë për pragmatizëm, pra për mbijetesë. Sipas tij “Fshehja pas petkut fetar shërben gjithnjë si motiv për shtresat e prapambetura të shoqërisë”. Dhe ja, këtë intelektual me prirje perëndimore e thërresin në atdhe për të dhënë kontributin e tij, pasi Shqipëria kishte shumë nevojë për burra të tillë. Ai, duke u kujtuar edhe se i kishte premtuar arkipeshkvit të Shkodrës Lazër Mjeda, që e kishte ndihmuar për akordimin e bursës gjatë studimeve universitare, se do të kthehej, vjen në Tiranë ku e ngarkojnë me detyra të rëndësishme si jurist në Elbasan, Kryetar Gjykate, Kryetar i Këshillit të Shtetit, sekretar ministrie, Prefekt dhe ministër Drejtësie. Punoi me profesionalizëm dhe ndershmëri, por do përfytyruar koha kur shërbeu. Vendi u pushtua si nga italianët, ashtu dhe nga gjermanët. Dhe ata, po të shohësh dokumentet që i boton në librin e tij ish drejtori i arkivave të shtetit zoti Gjet Ndoj Tarazhi, i lejuan qeveritë shqiptare që të të kryenin funksionet e tyre. Kjo ishte mënyra më oportune për të vijur normaliteti i jetës në vend. Por edhe ata që nuk u përzien fare me kahjet politike, në ato kohë të vështira, sapo u çlirua vendi ose e nuhatën hakmarrjen dhe u larguan, ose qëndruan ngaqë mendonin se nuk kishin bërë ndonjë krim. Dhe njëri nga këta që nuk kishte pse ta vriste ndërgjegja, ishte dhe Anton Kosmaçi. Ai tani do shihte punë tij dhe të familjes, ku kishte gruan Maria, hungarezja që lexonte libra pa fund dhe që e thërrisnin Mici dhe fëmijët Xheku dhe Ana ende të parritur. Antoni kishte qenë dëshmitar në luftën për çlirimin e Tiranës dhe kishte parë edhe sesi arrestoheshin dhe pushkatoheshin intelektualë dhe nacionalistë, por as që dyshonte se shumë shpejt do t`i vinte radha edhe atij vetë. E thirrën tek ajo ndërtesa e famshme te Selvia dhe e akuzuan si “armik të popullit”. Ai ishte jurist dhe veç absurdit të akuzës, kur mendonte se kush do ta gjykonte, e ndau mendjen se jeta e tij tani e tutje do të merrte një drejtim tjetër. Dhe merakun e kishte për të shoqen dhe djalin e tij. E shihte sesi po venin punët me këto farsa gjyqësore, ku Enveri që nuk kishte kursyer as jetën e kunatit të tij Bahri Omarit që e kishte strehuar, financuar dhe ndihmuar për t`u punësuar, dënimi për të dhe të akuzuarit e tjerë do të ishte i pamëshirshëm. Analfabetët e zbritur nga mali, tani dënonin kokat e ditura të këtij vendi, gjoja si bashkëpunëtorë me armikun. Sot është e lehtë ta gjykosh, por të provoje hetuesinë barbare të atyre militantëve komunistë që i urrenin për vdekje të pasurit, të shkolluarit, nacionalistët dhe antikomunistët, pra t`u nënshtroheshe torturave psikike dhe fizike të tyre, duke menduar jetën dhe atë se ç`do të ndodhte me familjet e tyre, atëherë, është mëse i justifikuar qëndrimi që mbajti Antoni në gjyq dhe që na jepet nga procesverbali i mbajtuar me atë rast. Ai e përshëndet Luftën Nacional – Çlirimtare, se fundja ashtu ishte, dhe shpreh mendimin se nuk kishte ndonjë simpati për Ballin Kombëtar që qëndronte në pritje. Por e thotë hapur se nuk ka bërë ndonjë gjë të keqe, për popullin ose njerëz të veçantë, dhe se gabimi i tij ishte se nuk e gjente me vend instalimin e komunizmit në Shqipëri. Nuk e pushkatuan, por i dhanë vite të gjata burgimi në të tmerrshmin burg të Burrelit. Dhe autori me të drejtë, nuk lë pa na kujtuar se ai regjim gjakatar, më pas i shkoi në plumb dhe burg edhe vetë ata që e gjykuan; Koçi Xoxen dhe Bedri Spahiun, të akuzuar edhe gjithashtu si armiq të partisë dhe të popullit. Kjo qe tragjikomedia shqiptare e cila do të çudiste edhe vetë Aleksandër Sollzhenjicinin. Vili na tregon sesi “…me Micin nuk kishin mbaruar ende. Pa i dhënë asnjë shpjegim, e hipën në karocerinë e një kamioni dhe pas disa orësh udhëtimi cfilitës mori vesh se e kishin internuar në një vend që quhej Tepelenë. Asnjë lajm për djalin dhe të jëmën e sëmurë të lënë në mëshirë të fatit, në mes të rrugës”. Vetëm pas dy – tre vjetësh bashkohet me të birin, Xhekun, por përsëri vjen internimi tjetër, tani në Shijak. Ç`kishte bërë ajo grua e huaj që kishte sakrifikuar për dashurinë që të përjetonte drama të tilla shpirtërore? Por për hir të së vërtetës, populli i Shijakut, me qëndrimin dhe trajtimin human, ua lehtësoi disi vështirësitë me të cilët familja e Antonit u përball. Mici me sjelljen dhe kulturën që manifestoi, u bë shembull edhe për gratë e tjera të asaj qyteze. Ja sesi e portretizon Vili këtë grua: “Ajo u fliste të vegjëlve për vendin e saj që e kujtonte me mall, për Sarajevën e bukur, për Vjenën dhe muzikën që rrezatonte ky vend, por mbi të gjitha për letërsinë botërore që ajo nuk hoqi dorë së lexuari deri në ditët e fundit të jetës. Jo vetëm të gjithë pjestarët e familjes kishin një dashuri të veçantë për të por edhe qytetarët e Shijakut kishin respekt për këtë grua me kulturë, prandaj ata të gjithë e quanin zonja Mici, megjithëse kjo fjalë para emrit ishte e huaj dhe e ndaluar të përdorej atë kohë”. Në Shijak Xheku krijoi familjen e tij, me grua Anën, me të cilën lindi dy fëmijët e tij, Aleksandrin (Sandrin) dhe Silvanën. Ana, vajzë e bukur nga Durrësi, kampione noti dhe gjimnastike e cila u dashurua me Xhekun punëtor e simpatik dhe pranoi t`i qëndronte atij në krah edhe kur i caktuan të punonin atje te fabrika primitive e tullave. Babanë e saj oficer që kishte studiuar në Akademinë e Vjenës, pushteti komunist e shihte shtrembër; e kishin internuar në Shtyllas, deri sa arkeologu emër e shpirtmadh Vangjel Toçi e mori si roje te Muzeu i qytetit, ku edhe unë e kam njohur teksa me një buzëqeshje të trishtë, kujdesej për lulet e shumta që rrethonin oborrin. Në libër, një pjesë të mirë, autori ia kushton asaj ikjes për jetë më të mirë, duke u ndalur te Sandri dhe vëllai i tij Blendi. Ata nuk kishin kohë për të humbur; ikën sapo iu krijua mundësia për një jetë më të mirë, pasi këtu e dinin se kjo nuk mund të vinte me shkopin magjik. Mjaft kishin vuajtur dhe tani donin t`i gëzoheshin lirisë. Asaj lirie për të cilën gjyshi i tyre Antoni kishte shkruar aq bukur. Asaj lirie për të cilën autori i librit Vili Minarolli shprehet teksa flet për shkuarjen e Sandrit e më pas të gruas së tij Ritës, në Kanada: “Tani po e kuptonte se kuptimi i lirisë ishte shumë më i gjërë dhe i ndryshëm nga ai që kishte menduar më parë. Tani të jesh i lirë do të thoshte të ishe i vërtetë, të mos ishe peng i gënjeshtrës, të ishe vetvetja dhe të mos shtireshe, për të qënë i dyfishtë, të mendosh ç`të duash dhe të thuash atë që mendon pa cënuar lirinë dhe krenarinë e tjetrit”. Dhe falë asaj lirie, ata ditën ta rregullojnë për bukuri dhe pa kokëçarje jetën e tyre. Ky është edhe paradoksi që kërkon të na japë autori i librit: Të njëjtit njerëz, vuajnë në atdheun e tyre dhe e gjejnë lumturinë në një vend tjetër. Mos kishin të drejtë romakët e vjetër kur thoshin “Ubi bene ibi patria”, pra “Ku është mirë është Atdheu”? Dhe ja kështu shkoi e po shkon jeta e kësaj familje të nderuar, nisur qysh nga Jaku e Dana e deri te nipat e mbesat e fëmijëve të Xhekut dhe që aq mjeshtërish ka ditur të na i paraqesë autori Vili Minarolli i cili me personazhe të tilla, na ka dhënë atë çka ngjau me shumë familje shqiptare.

Filed Under: LETERSI

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 751
  • 752
  • 753
  • 754
  • 755
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT