• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Ohri, një imitim i i zbehtë dhe joserioz i Traktatit gjermano-gjerman 1972

September 8, 2024 by s p

Prof. Dr. Sylë Ukshini/

Egon Bahr (RFGJ)dhe Michael Kohl (RDGJ) duke shkëmbyer dokumentet e inicialeve për të ashtuquajturën marrëveshje bazë midis Republikës Federale të Gjermanisë dhe RDGJ.

Vetëm kjo fotografi se krahasimi i nismës franko-gjermane të vitit 2023 për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, e cila u “finalizua” në Ohër, tregon se sa larg janë këto raporte dhe se Ankesi i Ohrit, ka qenë i dizajnuar, jo për normalizim, por për Asociacionin, si kompromis i radhës.

Pra, Ankesi i Ohrit ishte vetëm një imitim i zbehtë dhe joserioz i Traktatit gjermano-gjerman të vitit 1972.

Objektiv kryesor i këtij traktati ishte ribashkimi i dy shteteve gjermane. Traktati shënonte hapin e parë për “ndryshimin përmes afrimit.”

Edhe pse dy shtetet do të krijonin përfaqësime të përhershme në kryeqytetet respektive. Në një letër të dorëzuar para nënshkrimit, Bahr thekson se marrëveshja “nuk është në përputhje me objektivin politik të Republikës Federale të Gjermanisë për të ndikuar në një gjendje paqeje në Evropë, në të cilën populli gjerman në mënyrë të lirë dhe të vetëpërcaktuar e rikthen unitetin e tij”. Një letër të tillë e ka bërë edhe Beogradi në dhjetor të vitit 2023, e për të cilën Lajçak bëhet sikur e ka tërhequr pala serbe.

Në në diplomaci ndëshkohet ai që është naiv.

Filed Under: ESSE

“DIJA“ E VJENËS 120 VJET NË ALTARIN E PROGRESIT KOMBËTAR

September 8, 2024 by s p

Hazir Mehmeti

Vjenë/

“I vetmi shtet që ka mbajtur një politikë të mençur në Shqipëri ka qenë Austria merhume e Habsburgëve. Austria e bazonte politikën e saj mi shqiptarët nacionalistë dhe ngarkonte me punët e Shqipërisë ata njerëz që e dinin shqipen më mirë se çdo arnaut” – Fan Stilian Noli – Vjenë, 8 gusht 2024.

Sundimi i gjatë turk e kishte dëmtuar çdo gjë shqiptare, në radhë të parë gjuhën, trashëgiminë kulturore, fetare, zakonet. Pa ndërprerë në trevat shqiptare filloi të ndihet rritja në kërkim të identitetit kombëtar për çka duhej liria dhe shteti i lirë. Idetë e tyre natyrshëm i shkruan e rishkruan gjithandej shtypit të kohës duke ndikuar në ngritjen e ndërgjegjes kombëtare. Shqiptarët kudo që u gjendeshin jashtë territoreve etnike; në Evropë, Amerikë e Azi, në fillim shekullin e njëzet kishin përqendruar veprimtarinë në jetësimin e idealeve të rilindësve për hartimin e alfabetit dhe shtetit shqiptar.

… në Vjenë

Vjena duke qenë vendqëndrimi i perandorëve e mbretërve që sunduan Evropën apo pjesët kryesore të saj ishte po ashtu qendër me ndikim të madh në kulturën evropiane. Këtu duhet veçuar Dinastia e Habsburgëve e kohës së Austro-Hungarisë si monarki me një histori disa shekullore e cila kishte një qëndrim përparimtar ndaj kulturave të kombeve të ndryshme përfshirë këtu edhe kulturën shqiptare. Qe nga kohë të lashta hasim në dokumente ku shihen lidhjet e kulturave në lëmin gjuhësor, kulturo-artistik dhe shkencor. Në fillim shekullin e njëzet, studionin shumë të rinj shqiptarë dhe kishte intelektualë që jetonin e vepronin jo vetëm në kryeqytet por edhe në qytet tjera në Austri. Ata fillimisht e fillojnë me formimin e “Kolonisë Shqiptare të Austrisë” e cila pas një kohe të shkurtër themelon “grupit nismëtar” për themelimin e shoqërisë “Liria”. Vet emri i saj ishte synonim qëllimi. Nga jeta e kësaj shoqate kemi pak shënim dhe pas pak vitesh do ndërron emër në Shoqëri “Dija”, ditëlindja e së cilës është 27 dhjetori i vitit 1904. Nga bashkëthemeluesit, kryetar i saj zgjidhet Dr. Gjergj Pekmezi, kurse Hilë Mosi, sekretar, kurse Nikollë Ivanaj i degës në Raguzë. . Sipas deshifrimit të nënshkrimeve, pseudonimeve, inicialeve del se në takimin themelues morën pjesë 15 anëtarë tjerë, mes tyre: Dervish Hima, Gaspër Beltoja, Gaspër Mikeli, Kristo A Dako, Kolë Kodheli, , Ndue Paluca (Batusha), Kolë Rrota, Kolë Margjini, Lec Çurçia Simon Kadarja, dhe të tjerë emra të respektuar në letërsinë, kulturën e historinë kombëtare. Shoqëria e intelektualëve shqiptarë i kishte vënë vetit qëllime patriotike.

Shoqëria e re “Dija” për një kohë do jetë shoqëri gjysmë ilegale deri në krijimin e rrethanave të favorshme shoqërore e juridike kur do veproj legalisht. Sipas letrës që Hilë Mosi dërguar Asdrenit në Bukuresht, regjistrimi i “Dija”-së ishte bërë e mundur tek pas katër vjetëve, me 29 mars 1907.

… statuti

Statuti i shoqërisë i ruajtur në Bibliotekën Kombëtare të Austrisë (Österreichische National Bibliothek) i botuar në fletushkë i cili dallohet për nga rregullsia e shkrimit dhe renditjes së neneve në shtrirjen e tyre sipas ligjeve dhe strukturës përcaktuese funksionale e praktike. Neni i parë në statut shkruan: “Shoqëria “Dija” e ka selinë e saj në Vjenë me degën e saj në Raguzë”. Pika dy: ”Qëllimi i Shoqatës është ngritja e arsimimit të shqiptarëve duke e kultivuar gjuhën e letërsinë shqipe”. Nga këtu shihet lidhja e intelektualëve të Vjenës me intelektual në Raguzë (Dubrovnik) në krye me Nikollë Ivanaj, një veprimtar i çështjes kombëtare i lindur në Triepsh të Grudës, i shkolluar një kohë në Vjenë dhe mbrojtës i platformës së Rilindjes kombëtare për formim të shtetit shqiptar. (Stuten des Vereines “Dija”, Nr:455.360-A f.1,2/ -1904 Wien)

Për kohë të shkurtër nëndegët e Shoqatës “Dija” do formohen edhe në Prizren, Shkodër, Tiranë krahas atyre në disa qytete brenda Austrisë ku vepronin aktivistë të njohur për çështjen shqiptare, si në Grac, Kllagenfurt, Strebendorf. Çdo vit shtohen degët e “Dija”-es ku dy vjet më pas, mbas një letërkëmbimi intensiv mes Vjenës dhe Bukureshtit. Asdreni i dërgon Vjenës procesverbalin e plotë mbi formimin e degës së “Dija”-es në Bukuresht më 16 dhjetor 1906 në përbërje prej njëzet anëtarëve. Dyvjetori i kësaj date historike, 27 dhjetori i themelimit të “Dijes”, shënohet solemnisht në Shkup ku formohet dega së saj më 27 dhjetor 1906.

Do ishte jetëshkurtër veprimtaria pa intelektualë të rinj e të shkolluar po të mos sjellshin studentë të rinj nga trevat shqiptare për studime në universitetet austriake Vjenë, Grac, Insbruk. Ky aktivitet u mbështet fuqishëm nga miqtë e shumtë austriak dhe të personaliteteve të njohura shqiptare si Faik Konica, Hilë Mosi, Aleks Drenova, Visar Dodoni, Nikollë Ivanaj, Petro Nini Luarasi, Luigj Gurakuqi e të tjerë.

Nga shkrimet e kohës shihen efektet e fuqishme të “Dija” es në qendrat e tjera të kohës ku kishte shoqëri të fuqishme shqiptare, si në Bukuresht, Stamboll, Raguzë, Boston, Kairo. Duke e parë veprimin legal të “Dija”-së dhe përkrahjen e saj nga autoritetet austriake kishte edhe propozime që shoqëritë shqiptare të shkriheshin në një të përbashkët me emrin “Dija”.

Kështu kryetari i shoqërisë “Djalëria Shqiptare” do propozonte në një mbledhje me kryepleqësinë e “Dija”-së se do bëhet një degë e saj me qëllim unifikimi të veprimtarisë kombëtare. Ose, letra e “Dija”-së dërguar shoqërisë patriotike shqiptare “Bashkimit” të Bukureshtit me propozimin për bashkimin e tyre. Edhe pse kjo nuk ndodhi ishte një ide e bashkimit të qëndrimeve dhe veprimeve me interes kombëtar në atë periudhë.

Hilë Mosi (sekretar i “Dijes”) shkrimet e tij i botonte nën pseudonimin Sokoli ashtu siç bënin edhe shumë veprimtarë të tjerë për shkak të përndjekjeve nga autoritet pushtuese turke të kohës në territoret shqiptare. Nën përkujdesjen e “Dija”- së u botuan tekste në shqip për trevat shqiptare aq të nevojshme.

Ndër të parat “Abetarja” me autor Ndue Palucen, kalendari “Shqiptari”, “Këndime për shkollat e para shqipe”, “Gramatika…për përdorim t’femijve”, “Libri i dytë i knoitorës shqype për shkollë në Shqypni” etj. Në vitet 1910 e 1911 në drejtimin e Shoqërisë “Dija” kemi emra të rinj; Asdreni, Manek, Kolë Rrota, Zef Harapi, Hessler, Kolë Kamesi. Do shënohen emra të rinj në donacione ndaj “Dijes”, mes tyre Baron Nopça, Spiro Dine (Egjypt), Nikollë Ivanaj (ShBA), etj.

Shoqëritë shqiptare në Austri dhanë kontribut të madh në ngritjen e vetëdijes kombëtare shqiptare. Ato gjetën ambient të volitshëm miqësor ku vepruan duke lënë gjurmë të fuqishme në ndërtimin e urës së mirëkuptimit mes kombit shqiptar dhe atij austriak.

Asnjë përpjekje e forcave të errëta ideologjike, pa marrë parasysh nga vjen, nuk do ta luhatin frymën e miqësisë mes dy popujve tanë e nderuar shekujve.

Burimi:

Statuten des Vereines, Dija Nr.455.360-A, f.1,2, 1904, Wien

Gazeta, Vellaznija, nr.1, Kallënuer 2016, Vjenë.

”Studiues austriakë e shqiptarë në Austri”, Prishtinë, 2021

Gazeta,Vellaznija, nr.59, Maj 1917, Vjenë.

Uran Asllani, Studentët shqiptar të Austrisë dhe veprimtaria e tyre, 2000, Tiranë, f.111.

Kalendar i Shoqnisë, Dija, 1906, f.18,19.

Shoqëria, Dija, Wien, 1906, Kalendar, Manastir, 1910. Kalendar, 1910, f. 26,27.

Statuten des Vereines, Dija, nr.455.360-A f.1,2, 1904, Wien.

Akademia e .Shkencave e Shqipërisë, Fjalori Enciklopedik Shqiptar-2” f.1055/1056, -2008, Tiranë.

Akademia e .Shkencave e Shqipërisë, Fjalori Enciklopedik Shqiptar 3, f.1976/1977,f.1804, 2009, Tiranë

Filed Under: Histori

ERNEST KOLIQI DHE SAMI REPISHTI PËR ROLIN E FAN NOLIT NË ARENËN NDËRKOMBËTARE: NJË PËRFAQËSIM I DENJË!

September 8, 2024 by s p

“Ata e dinin ku t’a vjerrnin pushkën e ku t’i mbanin shpresat për të ardhmen e kombit të vet.”

 “Fan Noli në Kombet e Bashkuara në New York më 9 shtator 2024”  

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag

Description automatically generated “Fan Noli në Kombet e Bashkuara në New York më 9 shtator 2024” – ky është titulli i një njoftimi botuar në gazetën Dielli të Federatës Pan-Shqiptare Vatra në Nju Jork.  Search Results for “fan noli në kombet e bashkuara” – Dielli | The Sun (gazetadielli.com). Në njoftim thuhet se ky organizim, për herë të parë në Selinë e OKB-së, realizohet me iniciativë të Bibliotekës Fan Noli në Boston, VATRA dhe degës së saj në Boston, gazetës “Dielli,” dhe me mikpritjen dhe mbështetjen e ambasadorëve të Shqipërisë në Amerikë dhe në Kombet e Bashkuara.  Thuhet se ky simpozium përkujtimor dhe historik mbahet me rastin e 100-vjetorit të përfundimit të misionit të Fan S. Nolit në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë.  Sipas njoftimit, për publikun, në gazetën Dielli thuhet se në simpozium do të flasin ambasadori i Shqipërisë në Washington si dhe ambsadori i Shqipërisë në OKB, përfshir  drejtuesit e VATRËS, gazetës “Dielli”, akademikë, studiues dhe autorë të ndryshëm shqiptarë që kanë shkruar për të madhin Fan S. Nolin.  Ky simpozium përkujtimor dhe historik do të mbahet me rastin e 100-vjetorit të përfundimit të misionit të Fan S. Nolit në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë.

Për rolin e Fan Nolit në arenën ndërkombëtare — subjekt i këtij simpoziumi të henën në OKB — është folur e shkruar edhe më përpara.  Kanë folur e shkruar gjatë dekadave të kaluara shumë figura të njohura dhe personalitete të diasporës shqiptare të pas Luftës së II Botërore, si Ernest Koliqi e Sami Repishti, ndër të tjerë.  Në një shkrim të botuar 10-vjet më parë –  Frank SHKRELI/ Fan Noli, diplomati që përfaqësoi denjësisht Shqipërinë në arenën ndërkombëtare | Gazeta Telegraf –kam pasqyruar, shkurtimisht, vlerësimet e Ernest Koliqit dhe Sami Repishtit, mbi rolin ndërkombëtar të Fan Nolit, që besoj se ia vlen t’i kujtojmë, me këtë rast — sa për ilustrim.

Mbi të gjitha, Fan Noli ishte promovuesi dhe vazhdon të jetë simbol i marrëdhënieve të ngushta e miqësore, shqiptaro-amerikane. Por pa harruar rolin e rëndësishëm që ka luajtur edhe At Gjergj Fishta – si njëri prej arkitektve kryesorë të këtyre marrëdhënieve, veçanërisht, rolin që ka luajtur Gjergj Fishta në njohjen e pavarësisë së Shqipërisë nga Shtetet e Bashkuara dhe në lidhjen diplomatike midis dy vendeve tona.  Frank Shkreli: At Gjergj Fishta, arkitekt i marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, vazhdon të jetë i padëshiruar në vendin e vet | Gazeta Telegraf

Fan Noli ishte promovuesi dhe vazhdon të jetë simboli kryesor i  marrëdhënieve të ngushta, e miqësore, midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Ai i vuri themelet këtyre marrëdhënieve, mbi të cilat ndërtuan edhe brezat e shqiptaro-amerikanëve pas tij, por sidoqoftë, ato mbeten deri diku, trashëgimia e tij, megjithse edhe të tjerë kanë luajtur rol të rëndësishëm, gjatë dekadave të shekullit të kaluar, në zhvillimin e këtyre lidhjeve midis dy kombeve tona. 

Simpoziumi që mbahet të henën në Nju Jork me 9 shtator, 2024 më kujtoi vlerësimet e dikurshme të dy figurave kombëtare, Ernest Koliqit dhe Sami Repishtit, mbi rolin diplomatik ndërkombëtar të Nolit dhe kontributit të tij në fushën e diplomacisë midis dy popujve tanë, por edhe në fushën ndërkombëtare, në përgjithsi, gjithmonë në mbrojtje të interesave kombëtare të Shqipërisë dhe të shqiptarëve, mbi interesat personale.

Është i mirënjohur tanimë roli dhe përpjekjet e Nolit për të bindur Presidentin amerikan Udrou Uilson që të mbështeste pavarësinë e shtetit të ri shqiptar.  Ai ia doli të siguronte mbështetjen e Udrou Uilsonit në përkrahje të Pavarësisë së Shqipërisë, i cili sipas Nolit, i kishte thënë atij se: “Një zë do të kem në Konferencën e Paqes dhe atë zë do e përdor në mbrojtje të Shqipërisë”. Ishte ky një angazhim i Presidentit Uilson që ndaloi copëtimin e mëtejshëm të Shqipërisë dhe një akt tepër i rëndësishëm i Fan Nolit në fushën e diplomacisë.  Ishte oratoria që thuhet se e dalloi atë në Konferencën e Lidhjes së Kombeve në Gjenevë, në mbrojtje të interesave të kombit të vet, siç kisha shënuar 10-vjet më parë, në shkrimin e lartë përmendur. Oratoria e Nolit në Gjenevë kishte tërhequr vëmendjen e gazetës angleze ‘London Daily Mail’, ndërsa ajo ka përmendur zotësitë e Nolit në fushën e diplomacisë dhe e kishte cilësuar atë si burrështetasin më të aftë të Ballkanit të asaj kohe.  Ndërsa, gazeta amerikane “Nju Jork Times” e datës 16 Mars 1965 në njoftimin me rastin e kalimit të tij në amshim vdekjen në Florida, në mënyrë të veçant thekson rolin që Noli ka luajtur në krye të delegacionit shqiptar në Konferencën e Lidhjes së Kombeve në Gjenevë. Gazeta e njohur amerikane shkruante se ai kishte habitur delegatët në atë konferencë me një fjalim të ashpër dhe kritik ndaj vet Lidhjes së Kombeve, duke e cilësuar veprimtarinë e Lidhjes si, “flluska që i merr era”. Dhe se, “Sekretariati i Lidhjes së Kombeve ishte si një varr ku vdesin të gjitha idetë konstruktive”.

Ndërsa me rastin e vdekjes së Nolit, Ernest Koliqi  kishte shkruar një nekrologji të gjatë në 3-4 faqe të revistës së tij ‘Shëjzat’ e vitit 1965, mbi veprimtarinë dhe jetën e Fan Nolit dhe veçanërisht mbi, atë që Koliqi e cilëson si “fytyrën vigane të Emzot Nolit nëpër kumbim të ligjëratës së Tij historike n’Asamblenë e Lidhjes së Kombeve”.  Ernest Koliqi shkruante se përfaqsuesi i Serbisë në atë konferencë, i përkrahur nga përfaqësuesi i Greqisë, duke përdorur “një frëngjishte të dobët e çaluese, paraqiste një grumbull arsyenash për t’i bindë përfaqsuesit e shteteve pjesëmarrëse për të mos pranue Shqipninë”.  Përfaqësuesi serb dhe ai grek, sipas Koliqit, paraqisnin, “Nji ndër arsyenat ma të rrezikshme”, se Shqipërisë duhej t’i mohohej antarësia, “mbasi Shqiptarët në shumicë ndiqshin besimin muhamedan, se me krijimin e shtetit shqiptar do t’u krijonte nji Turki e re midis Ballkanit, në të cilin të krishtënët do të psojshin salvime.”  Për të hedhur poshtë pretendimet e Serbisë dhe të Greqisë, ka shkruar Ernest Koliqi, para Konferencës së Lidhjes së Kombeve, “Ngrihet Emzot Noli, me kamilaf në krye e me veladon të zi episkopal, ku vezullonte nji kryq i madh ari… që vetvetiu në pamje rrëzonte pohimet e të dërguemvet serb e grek”.

Ernest Koliqi ka vlerësuar mëtej rolin diplomatik të Nolit në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë, të “Një prelati shqiptar, i krishtënë, që kërkonte nji Shqipni të lirë dhe të hynte dorëzanë, se ndjeksat e tri besimeve (në Shqipëri) do të rrnjoshin vëllaznisht në harmoni të plotë vullnetesh e qellimesh.  Prania e Tij ishte nji përgnjeshtrim i akuzave t’anmiqvet”, të kombit shqiptar, shkruante Ernest Koliqi.  Koliqi vazhdon duke thënë se të pranishmit në Konferencën e Lidhjes së Kombeve nuk e pritshin një ligjëratë të Peshkopit shqiptar, i cili përdorte një anglishte klasike me plot argumente e fakte historike dhe me një përgatitje të jashtëzakonshme kulturore.  “Si mos me pranue nji shtet që nxierte njerz me gjithë ato veti të rralla?”, si Fan Nolin pyeste Profesor Ernest Koliqi duke shprehur bindjen e tij se: “Atë ditë Shqipnija, për hir të zotsisë së Emzot Nolit, siguroi të drejtat e veta dhe doli faqebardhë.  Kurrgja tjetër mos me pas ba Noli për atdheun tonë, veç këtë mrekulli, meriton mirënjoftjen e përjetshme të Shqiptarvet”, përfundon Ernest Koliqi vlerësimin e tij për rolin diplomatic të Fan Nolit në konferencën e Lidhjes së Kombeve.

Ndërsa Profesor Sami Repishti në vlerësimin e jetës dhe veprimtarisë së Nolit, në një shkrim botuar në gazetën ‘Dielli’ me rastin e 100-vjetorit të lindjes ka shkruar se, Noli ishte një person shumë dimensional, i cili i kalonte kufijtë e botës shqiptare, duke u përpjekur të ngrejë subjektin e vet në horizonte më të larta, në nivelin e mbarë njerëzimit, duke kërkuar, thotë Profesor Repishti, që vlerat universale të jenë gjithashtu pikësynime edhe për kombin shqiptar. Sami Repishti shkruante se Noli u përpoq të hapte portën nëpër të cilën shqiptarët, ende të vetmuar e të izoluar, të mund të hyjshin në familjen e madhe njerëzore, trashëgimtare e qytetërimeve të kaluara dhe ndërtuese e botës së re, përfundon Profesor Sami Repishti.

Kjo “portë”, për hapjen e së cilës punoi aq shumë Fan Noli, pothuaj gjatë gjithë jetës së tij, fatkeqësisht mbetet ende e mbyllur për Shqiptarët dhe për aspiratat e tyre të integrimit, kjo më pak nga kundërshtimet e të huajve, por më shumë për arsye të një politike përçarëse në radhët e vet klasës politike shqiptare të këtyre 30-viteve të kaluar. Përveç kësaj, në vend të përpjekjeve për të hapur “portën” drejtë integrimit europian, sot diplomacia shqiptare fletë shumë për “partneritete strategjike” me një numër vendesh të ndryshme, një politikë kjo, të cilës, fatkeqësisht, i vjen era interesa persosnale e partiake, në kurriz të partneriteteve, vërtetë, strategjike të Shqipërisë dhe të kombit shqiptar, të provuara gjatë historisë. Kur një vend shprehet për marrëdhënie të partneritetit strategjik me aq shumë vende, atëherë ai vend s’ka partneritet strategjik me asnjë.  

Fan Noli kishte një politikë konsekuente diplomatike të interesave të kombit shqiptar. Shqiptarët në fillim të shekullit të kaluar e kishin punën ngushtë me shumë armiq, të cilët ishin të vendosur të copëtonin vendin, por pa shumë miq, në krahasim me situatën e sotme. Suksesi i Fan Nolit në mbrojtjen e Shqipërisë dhe të Shqiptarëve në Konferencën e Lidhjes së Kombeve në Gjenevë, e vërtetoi dhe e ngriti atë në një diplomat të rangut botëror dhe e bëri Nolin si njërin prej udhëheqësve më të dalluar të jetës politike dhe diplomatike shqiptare ndoshta i të gjitha kohërave. Kujtojmë pra një burrështeti dhe diplomatin shqiptar, i cili me veprat e tij kombëtare, në vazhdimësi, nderon kombin shqiptar dhe sipas një komenti të gazetës britanike, ‘Manchester Guardian’ të vitit 1924, kujtojmë, “një burrë me të cilin do krenohej çdo vend, një diplomat i përkryer, një ekspert i politikës ndërkombëtare, një debatues i aftë, i cili la një përshtypje mbresëlënëse në Gjenevë.  Ai, me një mjeshtëri të pazakontë, i mundi kundërshtarët e tij ballkanikë, gjithmonë duke u qeshur”, shkruante gazeta britanike, një shekull më parë.

Për fatin e mirë, Shqipëria atëherë mbijetoi si shtet falë atdhedashurisë dhe patriotizmit pa interesa personale e partiake të burrave si Fan Noli, Faik Konica, At Gjergj Fishta, Ernest Koliqi e Sami Repishti, ndër të tjerë,  të cilët gjatë jetës së tyre, mbrojtën vet me punën e tyre interesat kombëtare në nivel ndërkombëtar, por edhe vlerësuan të gjithë ata që vazhduan të mbrojnë interesat e vërteta të Kombit dhe lidhjet e ngushta me partnerët, historikisht, të sprovuar strategjikë dhe miq të shqiptarëve. Fan Noli i përkiste një brezi viganësh të Rilindjes së vërtetë të Kombit shqiptar, të cilët “dinin ku ta vjerrnin pushkën e ku t’i mbanin shpresat për të ardhmen e kombit të vet”. 

Frank Shkreli

Two men holding a sign

Description automatically generated
Two men standing on a street holding a sign

Description automatically generated

Fan Noli ka thënë se Shqipëria i ka shumë borxhe Amerikës. Edhe komuniteti shqiptaro-amerikan – i vjetër dhe i ri –i kishte borxh Fan Nolit, një detyrim moral, në të vërtetë që, pjesërisht, po shpërblehet.

“O Shqiptarë, Nënës mos ia bëni varrë!” “Jepni, Nënën të shpëtoni, Komb e vatra të nderoni. Mbahu, Nëno, mos kij frikë se ke djemtë n’Amerikë”. Fan Noli 1917. (Autori duke mbajtur fjalën kryesore të rastit në ceremoninë e emrimit të një rruge në Bronx të Nju Jorkut me emrin: Fan Noli – Prill, 2022)

Rruga “Fan Noli” në Nju Jork | Imzot Fan Noli jetësohet me emrin e një ...
A group of people posing for a photo

Description automatically generated

Me Senatorin e Nju Jorkut, Charles Schumer në ceremoninë e emrimit të rrugës “Fan Noli në lagjën Bronks të Nju Jorkut (Prill , 2022).

Filed Under: Politike

Aleks Buda, in memoriam…

September 7, 2024 by s p

Sot ditëlindja e themeluesit të shkollës moderne të historiografisë shqiptare, bashkëthemeluesit dhe kryetarit historik të Akademisë së Shkencave, Aleks Buda

#Ashsh

#institutetealbanogjise

#AleksBUDA

Kryesia e Akademisë së Shkencave nderon sot, në ditën e lindjes, figurën shumëplanëshe të Aleks Budës, me emrin dhe veprën e të cilit lidhet lindja dhe shndërrimi në shkollë i albanologjisë vendëse; formulimi e argumentimi i tezave themelore të saj; ngritja e institucioneve të specializuara për kërkime të thelluara në historiografi, etnogjenezë, arkeologji dhe disiplina të tjera; prijës i studimeve shqiptare për Mesjetën, lashtësinë dhe momentet kyçe të historisë kombëtare, duke përfshirë Lidhjen Shqiptare të Prizrenit dhe luftën antifashiste; “i martuar me historinë e i dashuruar me arkeologjinë”; personifikim i arritjeve më cilësore të dijes shqiptare në gjysmën e dytë të shekullit të 20-të e në vijim; mentor i disa brezave të historianëve në Shqipëri e Kosovë; figurë referenciale për albanologjinë në Botë; bashkëthemelues dhe kryetar historik i Akademisë së Shkencave prej fillimit deri sa ishte në jetë.

Filed Under: Fejton

Fillim i shkëlqyer në “Ligën e Kombeve”, Shqipëria mund 2-1 Ukrainën

September 7, 2024 by s p

Sokol Paja/

Kombëtarja shqiptare e Futbollit filloi në mënyrë të shkëlqyer ndeshjet në kompeticionin e futbollit “Liga e Kombeve” duke mundur me rezultatin 2-1 Ukrainën. Një Shqipëri që zhvilloi një lojë të bukur, një ekip që tregoi rritje, pjekuri, siguri dhe mirëadministrim. Freski nga krahët, cilësi individuale, siguri në qendër e pasime, garanci të shtuar në çdo repart janë tregues që ekipi ka arritur një nivel shumë të lartë.

Një ndeshje e luftuar dhe e fituar tekniko-taktikisht, solli emocion dhe shpresë për të vazhduar serinë e rezultateve pozitive. Një ndeshje ku në pjesën e parë Shqipëria u mbrojt dhe nuk rrezikoi, në pjesën e dytë Shqipëria luajti gjithçka për gjithçka sidomos pas golit të disavantazhit të ukrainasve.

Shqipëria ishte e fuqishme dhe fituese në dyluftimet në ajër, topat e gjatë, pasat e shkurtra, dublimet dhe triblimet ndaj kundërshtarëve.

Ardjan Ismajli dhe Jasir Asani shpërblyen me tri pikë përpjekjet e kuqezinjve në një ndeshje ndaj një rivali shumë të vështirë, zgjojnë oreksin për ndeshjen e 10 shtatorit në “Air Albania” kundër Gjeorgjisë. “Magjistari” Silvinho i ka dhënë ekipit një mentalitet fantastik fituesish ku lojtarët luajnë pa frikë, të barabartë dhe ndërlidhja e fenomenale e reparteve janë garanci për lojën ekipore. Shqipëria u bë kohë që luan bukur e ëmbël, jo vetëm që fiton, prodhon lojë, por mbi të gjitha emocione të forta. Kombëtarja e futbollit është shndërruar në një kombëtare të kombit dhe përkrahja e tifozëve është një mbështetje e jashtëzakonshme sidomos në ndeshjet në transfertë. E bekuar qofsh Kombëtarja jonë, krenarë për ju çuna kuq e zi.

Filed Under: Sport

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 759
  • 760
  • 761
  • 762
  • 763
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT