• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Simpozium në nder të Martin Camajt

July 24, 2024 by s p

Lavdie Bakiu/

Qendra Kombëtare e Librit dhe e Leximit bani burrninë me e shti Camajn n’mesin tonë.

Të martën e 23 korrikut 2024 Qendra Kombëtare e Librit dhe e Leximit organizoi simpoziumin në nder të shkrimtarit Martin Camaj, me rastin e 99 vjetorit të lindjes. Simpoziumi u organizua në Tirana International Hotel, salla “Metropol” nën kujdesin e znj. Alda Bardhyli, drejtoreshë e QKLL-së. Pjesëmarrës në këtë simpozium ishin profesorë e studiues të veprës së Camajt si : Vjola Isufaj, Ledi Shamku Shkreli, Jorina Kryeziu Shkreta, Elsa Skënderi Rakipllari, Primo Shllaku, Bujar Hudhri, botues i veprës së Camajt, Aleksandër Çipa, Ben Andoni, Ilir Shyta, Namik Dokle.

SImpoziumi u hap nga znj. Alda Bardhyli, drejtoreshë e QKLL-së. Botuesi i veprës së Camajt, z. Bujar Hudhri, theksoi vetminë e dyfishtë të Camajt, duke u ndalur te mungesa e lexuesve. Z. Hudhri vuri theksin te shkolla, e cila duhet të ushtrojë një rol më të dukshëm e më të fuqishëm për njohjen e veprës së Camajt nga brezi i ri. Në mbyllje të fjalës së tij, z. Hudhri i bëri thirrje shtetit që në 100 vjetorin e lindjes, Camajt t’i jepet vendi që meriton.

Presidenti i shoqatës “Martin Camaj” , prof. Christian Voss, përshëndeti të pranishmit me një videomesazh nga Berlini. Fjalën e tyre mbajtën edhe Aleksandër Çipa; prof. Viola Isufaj,pedagoge e letërsisë bashkëkohore shqipe, e cila u ndal në “Kumte universale camajane”; dr. Ledi Shamku Shkreli, pedagoge, gjuhëtare, e cila solli dy “ndoret” e Martin Camajt, si gjuhëtar e poet. Kontributin e Camajt si gjuhëtar në kumtesën e saj e solli edhe dr. Jorina Kryeziu Shkreta. Dr. Belfjore Qose përshëndeti të pranishmit me një videomesazh. Veprimtaria vazhdoi me fjalën e dr. Ilir Shytës, i cili u ndal në “Rrungaja në mars, letërsi utilitare që na bēn më të mençur.”

Primo Shllaku në fjalën e tij polemizuese, u ndal në receptimin e Martin Camajt “Vështrim i shkurtër polemik rreth receptimit të Martin Camajt”.

Martin Camaj është një nga shkrimtarēt më të rëndësishëm të letërsisë bashkëkohore shqipe. Poet modern që ruan një bazë të fortë të traditës, Camaj jetoi i dyzuar mes Gjermanisë , ku ishte fizikisht, dhe Shqipërisë, që e mbante në zemër; mes modernitetit dhe traditës, mes Mynihut dhe Temalit të Dukagjinit; mes lirisë dhe veçimit. Në një botë të lirë, por i veçuar shpirtërisht, një jetë ndërdyzash, njeriu me vete e me tjerë, pleqnohej me vete dhe shkruante për një lexues, që s’e receptonte dot….

Njohja dhe studimi i veprës së Camajt është detyrë e institucioneve duke filluar nga shkolla, universiteti dhe qendrat studimore. Bashkëpunimi mes tyre do të ishte një ndihmë e mirë për të përçuar këtë autor të rëndësishëm të letërsisë shqipe te brezi i ri. Që Martin Camaj të mos mbetet një autor i pareceptuar, i moskuptuar, një rol të fuqishëm duhet të ketë shkolla. Por shkolla e vetme , pa një nxitje konkrete, do ta përçonte Camajn në 4-5 orë mësimore sa janë të planifikuara në program. Ndaj, si mësuese që përballem çdo ditë me nxënësit dhe me dëshirën e tyre për të marrë pjesë në aktivitete, kujtoj se viti i ri shkollor po fillon dhe ky vit (2025) do të përkojëme 100 -vjetorin e lindjes së Martin Camajt.

Le t’u kujtojmë organeve përgjegjëse, qendrave të librit, qendrave kulturore, Ministrisë së Arsimit planifikimin e aktiviteteve që do ta afrojnë më shumë lexuesin e ri, nxënësin 18-vjeçar, me këtë autor të rëndësishëm të letërsisë shqipe. Le të shpresojmë që aktiviteti i ditës së sotme të jetë fillimi i një viti aktivitetesh të planifikuara nga institucione të ndryshme për autorin që na ka lënë një porosi: “ Ndonëse të ndamë për një gjysmë shekulli,

Unë jam i jueji e ju jeni te mijt”.

Po, Camaj është yni! Le ta bajmë burrninë ta shtijmë n’mesin tonë gjatë vitit shkollor 2024-2025 ! Në shkollë e në çdo institucion kulturor!

Filed Under: LETERSI

Vatra Chicago mori pjesë në promovimin e librit “Flower of Vlora” të Dr.Anna Kohen

July 24, 2024 by s p

Kryesia e Vatrës Chicago dhe shumë anëtarë të Vatrës sonë morën pjesë në promovimin e librit “Flower of Vlora” të autores Dr.Anna Kohen që u organizua nga Albanian- American National Organization në ambientet e Kishës Ortodokse Shqiptare. Ky libër që ka ngjallur shumë interes është një autobiografi e Dr. Kohen që lindi dhe u rrit në një komunitet hebre në Vlorë. Ajo dhe familja e saj përjetuan së bashku me shqiptarët vështirësitë e komunizmit dhe nëpërmjet librit të saj na udhëton në atë periudhë të errët të historisë sonë, por këtë radhë e sjellë nga këndvështrim i i një të huaje. Dr. Kohen ka sjellë me aq vërtetësi dhe dashamirësinë që ka ndjerë nga familjet shqiptare gjatë periudhës së luftës së dytë botërore ku familjes së saj u vendosën emra myslimanë për të mos i dorëzuar tek nazistët.”Të gjithë e dinin që ishim hebrenj, por askush nuk tregoi” tha ajo. Janë pikërisht këto vepra të thjeshta në dukje që bashkojnë njerzimin. Dr. Anna Kohen nuk e harroi kurrë Vlorën e saj edhe pse u largua në vitin 1966 në fillim për në Greqi dhe me vonë në New York. Midis të pranishmëve fjalën e mori dhe kryetarja e Vatrës Chicago Zj. Mirela Kanini e cila pasi i uroi mirëseardhjen e përgëzoi Dr. Kohen për librin e saj dhe midis të tjerave tha :

“ Ju e dashur Dr. Kohen jo vetëm keni sjellë për çdo lexues një libër kaq të fuqishëm dhe inspirues por ju keni shkruar historinë nëpërmjet historisë suaj. Ju keni vulosur gjëra të vërteta dhe fakte që duhet ti mësojnë të gjithë, pse jo të studiohet ky libër edhe nëpër shkolla. Ju keni shkruar për tmerret e Holokaustit që nuk mund të krahasohet sigurisht me komunizmin për nga përmasat. Holokausti është sot turpi i botës së civilizuar që e lejoi atë të ndodhte, por komunizmi nga ana tjetër ishte Holokausti jonë dhe ju i keni përcjellë aq mjeshtrisht këto tragjedi njerzore në librin tuaj. Duke lexuar këtë libër ne ndjejmë gjithashtu dashurinë tuaj për popullin tonë por më lejoni t’ju them se ne ju duam ju edhe me shumë dhe ky libër ju bën ju më shqiptare se shqiptarët( Dr. Anna buzëqesh). Ne të konsiderojmë dhe të çmojmë vërtet si një lule e Vlorës që jeni”. Më pas mbrëmja vazhdoi me biseda të ngrohta midis të pranishmëve dhe Dr. Anna Kohen. Ju sugjerojmë ta keni në duart tuaja këtë libër të jashtëzakonshëm i botuar në shqip, anglisht dhe së shpejti në greqisht…

Filed Under: Komunitet

14 vjetori i GJND dhe njohja e pasaportave ilegale nga BE

July 24, 2024 by s p

Prof. Dr. Sylë Ukshini/

Është pak e besueshme se bëhet fjalë për një koincidencë të rastit, që Këshilli i Bashkimit Evropian mori vendim për t’i njohur pasaportat ilegale të lëshuara nga Drejtoria Koordinuese e Serbisë për qytetarët serbë të Republikës së Kosovë të ndodhte mu në 14 vjetorin e venmdimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND). Vendimi i BE-së ishte goditja më e rëndë ndaj shtetësisë së Kosovës e bërë nga BE-ja, e cila është fasilitues e dialogut Kosovë-Serbi. Me këtë vendim, që në fakt ishte kërkesë e vazhdueshme e Serbisë, BE-ja ka legalizuar një lloj dualizmi juridik dhe shtetëror brenda Kosovës: Një Kosovë për serbët dhe një Kosovë tjetër multietnike, por jo shqiptare. Ky vendim është mashtrues dhe sui generis, sepse u morë gjoja si vendim për heqjen e regjimit të vizave për qytetarët serbë, të cilët që nga momenti i liberalizimit të vizave kishin shfaqur më shumë interesim për pasaportën kosovare. Ky vendim i nxitur ka pak edhe elemente raciste, sepse derisa në këtë rast tregohet një zell dhe nguti që përmes legalizimit të pasaportave të shtetit serb t’u ruhet fytyra strukturave ilegale serbe të trashëguara nga regjimi i Milosheviqit, në rastin e shqiptarëve të Kosovës u solle me indiferencë dhe pa asnjë arsye e prolongoi për vite të tëra procesin e heqjes së vizave.

Sipas këtij vendimi të Këshillit të BE-së, një qytetar serb dhe një tjetër shqiptar, që vijnë nga Republika e Kosovës, mund të ketë të njëjtin vend të lindjes, por derisa në pasaportën e shqiptarit nga Prishtina, Kllokotii apo Leposaviqit i figuron se është shtetas i Republikës së Kosovës, qytetarit tjetër të përkatësisë etnike serbe nga Prishtina apo qytetet tjera të Kosovës do t’i figurojnë se ky qytet ndodhet në Republikën e Serbisë. Meqë kjo situatë do të krijojë konfuzion, sigurisht që BE do të bëjë ndonjë kampanjë informuese për zyrtarët dhe doganierët e pikave kufitare për të qartësuar se kemi të bëjnë me një situatë si zakonisht neutrale. Ky vendimi i BE-së natyrisht që është ndëshkim jo vetëm ndaj politikave të Qeverisë Kurti, por edhe ndaj Kosovës në përgjithësi.

Vendimi i Këshillit të BE-së është edhe një mesazh për Kosovën dhe në veçanti për qeverinë e vendit, se nëse nuk përmbushet premtimi i dhënë për asociacionin, atëherë ata mund ta legalizojnë në mënyrë të njëanshme pa e pyetur fare qeverinë e Kosovës. Në këtë mënyrë, BE-ja po tregohet e gatshme dhe e vendosur fortë për ta legalizuar ndarjen e brendshme të Kosovës, ngjashëm si në Bosnjë. Ndarjet e tilla të brendshme territoriale e dobësojnë dhe e pengojnë funksionalizimin e Kosovës si shtet. Një simbol i vazhdimit të politikës për ndarjes së brendshme territoriale të Kosovës është ura mbi lumin Ibër, e cila ka mundësi që këto ditë të bëhet tema më e nxehtë në vend.

Ngjashëm si rastin e Bosnjës, bashkësia ndërkombëtare e sheh Kosovën si shtet mysliman brenda kontinentit evropian. Prandaj, nuk është e rastësishme që pala serbe e përdor retorikën kundërmyslimane, duke e përdorur me mjeshtëri gjoja rrezikun e “Transversales së Gjelbër.”

Për më tepër, kjo qasje e BE-së është në frymën e angazhimit të vendosur edhe për përmbushjen e kërkesës së Beogradit për legalizimin e valutës së shtetit serb, dinarit, brenda territorit të shtetit të Kosovës, me justifikimin më absurd se aplikimi i euro-së nga Qeveria e Kosovës paraqet “presion për spastrim etnik”!

E nëse BE-ja flet budallallëqe të tilla, çfarë mund të pritet nga ajo në zgjidhjen e problemit madhor, e ai është normalizimi i vërtetë i raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Aktualisht, këto raporte janë më pak normale sesa që ishin para se të fillonte dialogu i Brukselit në fillim të vitit 2011. Natyrisht përgjegjësia për këtë bie mbi BE-në, e cila edhe pse është ndërmjetësuese e këtij dialogu nuk e ka idenë se edhe sa kohë do të vazhdojë.

Prandaj, ndoshta në këtë situatë shkon parafrazimi ish- presidentin George Bush në Tiranë me 10 qershor 2007, kur pati thënë: “dialogu në lidhje me arritjen e pavarësisë për Kosovën nuk mund të zgjasë përgjithmonë…”, mendoj se edhe dialogu i Brukselit nuk mund të zgjasë pafundësisht, aq më tepër që ky dialog ka dështuar në çdo pikëpamje.

Dhe nëse qëllimi kryesor i dialogut të Brukselit ishte anëtarësimi i Kosovës në organizata evropiane dhe ndërkombëtare dhe normalizimi i plotë i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, atëherë lind pyetja, për çfarë i duhet Kosovës ky dialog i Brukselit, nëse Gjermania, Franca dhe Italia i dalin në krah të Serbisë për t‘i pamundësuar Kosovës anëtarësimin në Këshillin e Evropës (KiE) dhe nëse thuhet se Serbia nuk është e obliguar ta njoh Kosovën. Në këtë mënyrë, është shumë e qartë se BE-ja nuk ka interes të madh për të arritur normalizimin e plotë të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, pro se preferencë kryesore mbetet ruajtja e status quo-së. Kështu humbi më mi madh është Kosova, ngase s BE-së dhe as Serbisë nuk i ngutet për asgjë!

Prandaj, deshën ta pranojmë apo jo, pa rikthimin e SHBA-së në rolin drejtues, sikurse në Rambouillet, në fushatën ajrore të NATO-s dhe në procesin për adresimin e statusit final të Kosovës, rajoni i Evropës Juglindore nuk të dalë nga status quo-ja aktuale politike!

Filed Under: Analiza

“Lulja e Vlorës” si produkt i humanizmit dhe besës shqiptare

July 24, 2024 by s p

Artan Nati/

Humanizmi është një sistem mendimi që përqendrohet te dinjiteti i qenieve njerëzore dhe vlerat e tyre. Gjithashtu në filozofi, humanizmi është një qëndrim që thekson dinjitetin dhe vlerën e një individi. Një premisë bazë e humanizmit është se njerëzit janë qenie racionale që posedojnë brenda vetes aftësinë për të vërtetën dhe mirësinë. Ne të gjithë duhet shohim veten si një qenie humaniste në jetën e përditshme. Gjithmonë të përpiqemi të shohim të mirën tek një person kur ai/ajo na zemëron ose na mërzit dhe të mendojmë se ndoshta ai person ka pasur një ditë të keqe dhe të jetosh jetën për momentin është e vështirë. Sokrati ishte madje një lloj humanisti i hershëm. Ai mund të citohet të ketë thënë: “Të njohësh të mirën do të thotë të bësh të mirën”. Ai besonte se askush nuk kryen vullnetarisht një vepër të keqe, sepse e keqja vjen nga injoranca, injoranca nuk është marrëzi, por mungesa e njohurive. Nëse të gjithë njerëzit do të mendonin si humanistë, a do të përhapej paqja në të gjithë globin? Ishte pikërisht kjo pyetje që secili prej nesh mendonte dhe u bë tema qendrore e bisedave, pyetjeve e përgjigjeve, pas takimit të komunitetit Shqiptar në ambientet e kishës ortodokse shqiptare në Çikago. Në këtë takim të drejtuar dhe organizuar nga përfaqësuesi i AANO Prof. Dr Jani Gjoni, ku morrën pjesë kryesia dhe shumë anëtarë të Vatrës, dega Çikago, foli autorja e librit “Lulja e Vlorës”, Dr. Ana Kohen.” Lulja e Vlorës” fokusohet në traditat romaniote të familjes së Dr. Kohen, të cilat ata duhej t’i kremtonin në fshehtësi për shkak të shtypjes së fesë nga diktatura shqiptare. Të mbetur pa shtetësi, pasi nuk kishin asnjë dokument dhe nuk do të anëtarësoheshin në Partinë Komuniste, familja kishte një skemë të guximshme për t’u larguar nga Shqipëria për në Perëndim, pikërisht nën sytë e policisë sekrete. Kohen përfundimisht u bë dentiste në Greqi dhe më pas në qytetin e Nju Jorkut, duke mësuar zanatin e implanteve dentare nga shpikësi i tyre dhe duke krijuar praktikën e saj shumë të suksesshme. Jeta e saj mori një dimension humanitar si Presidente e Organizatës së Grave Shqiptaro-Amerikane, duke ndihmuar refugjatët, gratë dhe fëmijët, veçanërisht gjatë Luftës së Kosovës. Pyetja qëndrore e takimit ishte se si ishte e mundur që Shqipëria kishte më shumë hebrej pas luftës krahasuar me periudhën para lufte, si edhe përkrahja e madhe morale dhe materiale që shqiptarët i dhanë kësaj popullsie, në rastin konkret familjes së autores së librit. Mendoj se kjo është një pyetje që e ka shpjegimin në historinë e veçantë të kombit tonë krahasuar me vendet e tjera europiane, por edhe me ato të lindjes së mesme. Nevoja për të mbijetuar, si një komb i vogël i rrethuar nga një aleancë ortodokse nën ndikimin e Rusisë dhe e ndihmuar kjo nga një neglizhencë e Perëdimit për rajonin tonë, kërkonte një angazhim të ri për mbijetesë. Shqipëria e ndarë në tre besime të ndryshme fetare i tregoi botës se nuk ishte një identitet i ndarë më tresh, por kishte tre përbërës të një identiteti ashtu si Pashko Vasa shkruante “Feja e shqiptarit është shqiptaria”.Ata filluan të identifikohen fillimisht si shqiptar dhe së dyti si besimtar i një feje të caktuar, pra fillimisht ishin qënie njerëzore me përkatësi të caktuar kombëtare që respektonin besimin fetar të gjithsecilit. Në këtë mënyrë shqiptarët treguan një mentalitet racional, por që vinte njeriun në qendër të racionalitetit të tyre dhe të besimit të tyre fetar . Kjo mënyrë racionale e të menduarit dhe të vepruarit krijoi një fenomen të ri në mënyrën e të menduarit në Shqipëri duke vënë në qendër të vëmëndjes njeriun dhe vlerat e tij humane si edhe racionalitetin në funksion të kombit, duke tejkaluar kështu ndasitë fetare dhe duke vënë vlerat humane në funksion të racionalitetit. Gjithashtu tradita shqiptare e besës e shprehur qartë në kanunin e Lekë Dukagjinit , jo vetëm ndaj mikut, por biles ndaj kujtdo që trokiste në derë për ndihmë ishte një virtyt i lartë i shqiptarit. Kanuni i Lekë Dukagjinit konsiderohet si një nga format e para në botë të sistemit të drejtësisë dhe organizimit shoqëror. Pikërisht ishin këto vlera shqiptare të krijuara dhe evoluara në shekuj që gjetën zbatim në ndihmën humane, sakrifikimin e jetëve të tyre për të fshehur popullsinë hebreje ndaj persekutimit nazist. Popullsia hebraike e ndodhur në Shqipëri, por edhe ajo e ardhur nga vende të tjera, u trajtuan nga populli ynë si qënie njerëzore të barabarta, por edhe si miq në vendin tonë. Dhe ky fenomen nuk ishte rastësi dhe as për koniukturë, por ishte pikërisht reflektim i atyre vlerave shqiptare të mbrujtura në shekuj si edhe i ‘besës” shqiptare. Duke përjetuar këto vlera njerëzore dhe mikpritje të veçantë deri në sakrifikim, popullsia hebraike pas lufte ishte shumë më e madhe se ajo para lufte. Kjo vlerë shqiptare u tregua përsëri ndaj ndihmës që iu dha ushtarëve pushtues italianë kur ata iu drejtuan për ndihmë shqiptarëve si pasojë e persekutimit të tyre nga nazistët. Pikërisht janë këto vlera që përshkruhen me realizëm dhe mjeshtëri te libri “Lulja e Vlorës” si një shenjë respekti dhe mirënjohje të thellë ndaj vlerave më humane të treguara nga populli ynë. Mirënjohja e Dr Ana Kohen ndaj ndihmës që iu dha komunitetit hebre në Shqipëri dhe anasjelltas ndihma e madhe e saj ndaj komunitetit tonë në Amerikë tregon se Lulja e Vlorës u shndërrua në lulen e humanizmit e të mirëkuptimit. Lulja e Vlorës na tregon të gjithë ne shqiptarëve, por edhe njerëzve, popujve të besimeve fetare të ndryshme apo kombësive të ndryshme se në rradhë të parë duhet ta shikojmë njëri tjetrin si qënie njerëzore, si tipari kryesor që na bashkon të gjithëve duke respektuar besimet fetare, idetë, mendimet e traditat e komuniteteve të tjera, në funksion të ndërtimit të një të ardhshme më të mirë individuale dhe të përbashkët.

Filed Under: Komente

Pickimi i mushkonjave, mbrojtja më e efektshme nga kruarjet dhe irritimet e lëkurës në stinën e verës

July 24, 2024 by s p

Rafaela Prifti/

Sezoni i këtyre insekteve fluturuese është në fazën e vet intensive që do të thotë se tek shumë prej nesh vërehen tashmë vendet e pickuara prej tyre. Mjeket japin rekomandimet e tyre per mbrojtjen me te mire nga mushkonjat gjate stines se veres. Pickimi i mushkonjës shkakton kruarje të lëkurës sepse këto insekte lënë pas një sasi të vogël të pështymës që shkakton inflamacion në vendin e pickuar dhe si rezultat aktivizon përgjigjen e sistemit tonë imunitar.

Si të zgjidhni kremin më të mirë mbrojtës nga mushkonjat?

Ka një shprehje të vjetër angleze që thotë se mushkonjat janë njësoj si njerëzit e shtëpisë – janë boll të bezdizshëm por kanë gjakun tonë. Mushkonjat femër kanë në pjesën e aparatiti të gojës një si sondë me anë të së cilës shpojnë lëkurën, thithin gjaun dhe lëshojnë sekrecionin që mund të shkaktojë skuqje, fryrje dhe irritim. Qendra për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve njofton se këtu qëndron edhe rreziku i infektimit me parazitë si malaria dhe viruse të tilla si denge, Nili perëndimor dhe Zika. Qendra rekomandon kremra që kanë përbërës aktiv: DEET, IR3535, Picaridin, ose vaj limoni të eukaliptit, të cilat gjenden në listën e Agjencisë së Mbrojtjes së Mjedisit (EPA).

Hidrokortizoni mund të zvogëlojë inflaminimin dhe kruajtjen por mjekët thonë se fëmijët, gratë shtatzëna ose persona me infeksione të lëkurës duhet të kenë kujdes të posacëm ndaj tyre. Në përgjithësi, kremrat hidrokortizone duhet të përdoren vetëm për periudhave të shkurtra, ose me rekomandim të mjekut.

Për të ndierë lehtësim të shpejtë, mund të vendosni akull në vendin e pickuar sepse temperaturat e ftohta ngadalësojnë shkallën e inflamacionit. Rekomandahohet që akulli mos vendoset direkt në lëkurë, por së pari në një pako plastike ose pëlhurë të hollë.

Një nga efektet e aloe verës është trajtimi i lëkurës së acaruar ose inflamacioni nga pickimet e mushkonjave. Sipas rekomandimeve, pjesa e tulit ose xheli i saj aplikohet në zonën e acaruar. Nga “ilacet popullore”, mjalti konsiderohet si një ‘ndihmë e shpejtë’ për të lehtësuar irritiminnga pickimi i mushkonjave sepse mund të ndihmojë në parandalimin e infeksionit.

Pickimi i mushkonjave mund të shkaktoj rreziqe jo vetëm në lëkurë por dhe për organizmin

Nëse shqetësimet nga pickimi i mushkonjave zgjasin më shumë se një javë ose vërehen shenja të infeksionit apo reaksione alergjike duhet kërkuar kujdes i menjëhershëm mjekësor. Në rast se shfaqen probleme të frymëmarrjes, enjtje në zonën e pickuar, të përziera, të vjella apo marrje mendsh duhet të drejtoheni patjetër tek mjeku.

A mund ta parandalojmë pickimin nga mushkonjat?

Ndonëse shmangia është e vështirë, një nga mënyrat më të thjeshta të mbrojtjes nga pickimet e insekteve është mbulimi i lëkurës se ekspozuar sa më shumë që të jetë e mundur, vecanerisht oret e agimit dhe muzgut jane koha me aktive e tyre, spërkatja me esencë limoni e dyerve dhe dritareve, përdorimi i rrjetave kundër mushkonjave gjatë natës, si dhe mbajtja thatë e vendeve sepse mushkonjat shumohen me shpejtësi ne ujra të ndenjura.

Filed Under: Sociale

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 840
  • 841
  • 842
  • 843
  • 844
  • …
  • 2776
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community
  • U zhvillua veprimtaria përkujtimore shkencore për studiuesin shqiptaro-amerikan Peter Prifti
  • Dashuria që e kemi dhe s’e kemi
  • “Jo ndërhyrje në punët e brendshme”, dorëheqja e Ismail Qemalit, gjest atdhetarie dhe fletë lavdie
  • Arti dhe kultura në Dardani
  • Gjon Gazulli 1400-1465, letërsia e hershme shqipe, gurthemeli mbi të cilin u ndërtua vetëdija gjuhesore dhe kulturore e shqiptarëve
  • “Albanian BookFest”, festivali i librit shqiptar në diasporë si dëshmi e kapitalit kulturor, shpirtëror dhe intelektual
  • VEPRIMTARI PËRKUJTIMORE SHKENCORE “PETER PRIFTI NË 100 – VJETORIN E LINDJES”

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT