• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“Amaneti” i Fatos Arapit për t’u prehur në Konispol

October 10, 2024 by s p

Arben Iliazi/

Një qiri i ndezur diku në gjithësi

Për kë digjet vallë?

Me Fatos Arapin, poetin, shkrimtarin, dramaturgun dhe humanistin e shquar, na lidhi një miqësi e gjatë, 43 vjecare, derisa ai, bashkë me poezinë e tij, u ngjit në krahët e Perëndive. Arapi shënjoi rrugën time të artit, duke u interesuar për botimin e cikleve të para me poezi në gazetat dhe revistat e kohës, qysh në vitin 1981, kur isha maturant në gjimnaz. Isha i lumtur në shoqërinë  e tij. Për mua mbeti një poet e shkrimtar gjenial, një shpirt i dëlirë, me energji të pashtershme. Nuk u mor me politikë, madje kishte neveri për politikën, megjithëse pati oferta. Fatosi vazhdonte të mbetej skeptik për gjithçka, por njëkohësisht shumë i vëmendshëm ndaj ngjarjeve. Në vitet e para të demokracisë, 1993 – 1994, së bashku me prof. Pandeli Çinën e disa personalitete të tjerë, krijoi  “Forumin e Intelektualëve të Pavarur Shqiptarë”, që pati mjaft jehonë në hapësirën mbarëshqiptare, duke bërë thirrje e promemorje për t’u orientuar drejt në momentet historike që po kalonte vendi. Por disa vite më pas veprimtaria e Forumit u fashit e u shua dalëngadalë, si pasojë  e trysnisë që ushtronte tërthoras politika zyrtare. Fatosi dhe kolegët e tij bënë një tërheqje të butë nga misioni i tyre intelektual e atdhetar.

– Pse kaq i tërhequr profesor? – e pyesja shpesh në vitet 2000. Mendimi juaj  do ishte mjaft i vlefshëm në demokracinë tonë të re.…Që njerëzit të shohin të vërtetën në sy. Kush mund ta tregojë më mirë të vërtetën se një shkrimtar i njohur, një intelektual i pavarur?

– Njerëz të pavarur nuk ka…Njeriu është i varur nga historia… ma kthente shkurt, duke filozofuar. E po, demokraci është kjo? Kjo është një vorbull ku jemi ngatërruar keq…Nuk e duroj dot anarkinë me pronat e me gjithçka…

***

Fatos Arapi u lind më 1930 në Zvërnec të Vlorës, nga një familje patriote. I ati, Tol Stavre Arapi, kish luftuar me pushkë në dorë për lirinë e atdheut, kurse i vëllai, Vllasi, u zhduk pa nam e nishan në vitet e para të diktaturës komuniste. Fatosi ndoqi studimet për ekonomi në Sofje, mandej punoi në Tiranë, në fillim si gazetar dhe më vonë, për një kohë të gjatë, si pedagog. 

Nisi të shkruante që në vitet e studimeve dhe, rreth viteve 60, emri i tij iu bashkëngjit autorëve si Kadare e Agolli, që po tentonin ta emanciponin poezinë e deriatëhershme. Vargjet në shqip nisën të ishin më të lirë edhe falë Fatos Arapit. Ai e shpalli që në fillimet e kredos së tij poetike se “qenia është liri dhe liria është qenie”.

I përballur me një jetë të stuhishme Arapi, në mbi 60 vjet aktivitet krijues, synoi krijimin e një poezie që zë fill te njeriu, duke refuzuar objektivizmin e mermertë e të akullt të realizmit socialist. 

Në vitet 1962 e 1966 botoi vëllimet “Shtigje poetike” dhe “Poezi e vjersha”. Që në hapat e parë ai paralajmëroi një zë të veçantë në artikulimin gjuhësor të botës dhe të njeriut, një vizion të vetin mbi realitetin. Poezia e tij, për gjatë gjysmë shekulli, arriti ta ruajë tërësinë e qëndrueshme estetike dhe etike, me thellësí dhe hapësira universale përfytyrimi, duke e vendosur objektivin poetik brenda konteksteve ekzistenciale, ku shquhet mprehtësia e mendimit dhe figuracioni i freskët, e ngarkuar me përmbajtje dhe ndjeshmëri të papërsëritshme. Më 1971 i botohet në Prishtinë vëllimi “Kaltërsira”. Vëllimin “Më jepni një emër” ia ndaloi diktatura. Pas tij ai shkroi vëllimet: “Drejt qindra shekujsh shkojmë” (1977), “Fatet” (i botuar në Prishtinë më 1979), “Duke dalë prej ëndrrës” (1989). Në anën tjetër pas rënies së diktaturës botoi vëllimet: “Ku shkoni ju statuja”, Tiranë 1990, “Dafina nën shi”, Tiranë 1991, “Ne, pikëllimi i dritave”, Tiranë 1993, “Unë vdiqa në brigjet e Jonit”, Shkup, 1993, “Më vjen keq për jagon”, Tiranë 1994, “In tenebris”, Tiranë 1996. 

Vepra e Fatos Arapit është e pasur në llojet e zhanret e ndryshme që ai lëvroi. Përveç poezisë, ku ai qëndron në rreshtat e parë dhe ku u kritikua disa here për  hermetizëm dhe modernizëm , Fatos Arapi ka shkruar edhe disa novela: Patat e egra, 1969; Cipa e borës, 1985; Gjeniu pa kokë, 1999 etj; disa romane: Dhjetori i shqetësuar,1970; Shokët,1977; Deti në mes,1986; ka bërë disa përkthime: Këngë për njeriun, Nikolla Vapcarov, 1981; Poezi, Pablo Neruda, 1989; Safo, 1990; Antologji e poezisë turke etj; si dhe ka shkruar një numër të madh artikujsh e studimesh të ndryshme. 

Fatos Arapi ka dhënë ndihmesë edhe në lëvrimin e dramaturgjisë, duke shkruar disa drama si: “Drama e një Partizani pa emër”,1962; “Qezari dhe ushtari i mirë Shvejk, në front diku”,1995, etj.

“Drama e një Partizani pa emër” u vu në fokus të goditjeve apokaliptike në Plenumin e XV të KQ të PPSH, për letërsinë dhe artin (25 qershor 1965). Pleniumi, me kritika të rrepta, e paraqiti autorin si kundërshtar të ideologjisë së partisë, kundërshtar të letërsisë dhe artit të realizmit socialist. Madje edhe shtrembërues i së vërtetës për Luftën Antifshiste Nacional Çlirimtare”. Heroi i dramës së Fatos Arapit ngrihej mbi heronjtë e dramave të tjera socreale, të cilët portretizoheshin si butaforikë.

Pasuan privacione të shumta. Autori u godit dhe, si rrjedhojë, Fatos Arapin e hoqën nga puna si pedagog dhe e degdisën në një nga shkollat tetëvjeçare të qytetit të Vlorës. Por megjithë largësinë e pakapërcyeshme që ndante talentin e tij të rrallë me nivelin e ulët të kohës që jetoi, Fatos Arapi mbeti gjithmonë i frymëzuar, i papërmbajtshëm, me një temperament të etshëm e plot tallaze. Poezia e tij sa universale aq edhe filozofike dhe ekzistenciale, edhe sot e kësaj dite mbetet një enigmë, me një shkëlqim engjëllor, me një forcë të jashtëzakonshme, magjiplotë. 

***

Në maj të vitit 2015 ishte takimi ynë i fundit, te kafja pranë  Teatrit të Operas dhe Baletit. Binte një shi i hollë me plogështi. Sa u ul në tavolinë filloi të më lexonte i emocionuar, si rrallëherë, në mënyrë gati patetike, disa vargje për Konispolin, që i kish shkruar atë mëngjes në një copë letër:

“Një qiri i ndezur diku në gjithësi

Për kë digjet vallë?

Konispoli si një re lulebajamesh

varur rri 

në perëndimin e allët.

Shoh yjet pellazgjikë

që shuhen mbi Qafë Botë

me ahet e ngurosura të çamëve…

Kur të vdes

Atje më shtini

Mes reve me bajame…”

Mbeta i shtangur dhe menjëherë i ngulita në mendje këto vargje brilante. Nuk di ku ka përfunduar kjo poezi, që fare mirë mund të futej në çdo antologji. M’u lidh gjuha për disa çaste. Edhe Fatosi ishte tepër i emocionuar. Iu mbushën sytë me lot. (Aso kohe profesori mallëngjehej shpejt).

 – Profesor?…Jeni mirë? –  belbëzova.

-Oh, jam shumë mirë…Miku im! Dhe filloi të fliste shpenguar: Do shkojmë bashkë në Konispol, të ngjitemi në Çukën e Aitoit, pastaj kafen e pimë lart në Buar, përmbi Qafë Botë, të shohim detin e Sajadhës, ku vjen aroma e peshkut dhe e kripës së bardhë. Aty ku fryjnë erërat e Jonit dhe mblidhet gulsh malli për Çamërinë…

U kujtova se Fatosi, vite më parë, kish shkruar për Konispolin reportazhe e skica. Madje ngjarjet e një novele të tij zhvilloheshin atje. Por kjo kërkesë e tij, e shprehur poetikisht, më la pa mend.

-Edhe Zvërneci është po aq i bukur, i lashtë dhe i magjishëm…i thashë. 

-Nuk më pëlqen të shkoj në vendlindje, ma preu shkurt. – Tokat tana i kanë zaptuar “peshqit e mëdhenj” me dokumenta false…Nuk e ke marrë vesh se ç’bëhet te Gryka e Pashës? Atje dua të prehem…në Konispil! Konispoli është hyjnor…Nis që nga koha e Paleolitit. Edhe atje është një vend që quhet Mali i Nartës. Zbulimet arkeologjike dëshmojnë se vendbanimet i përkasin shek. III para Krishtit. Konispoli është i vetmi që na ka mbetur nga Çamëria. E ku ka më mirë se të prehem atje? Të thërras në ndihmë mitologjinë… Çamëria është toka e shenjtë e Shqiptarisë!

Kaq do të mjaftonte që ky personalitet i shquar kombëtar të shpallej “Qytetar Nderi i Konispolit” pas vdekjes.

Ashtu u ndamë atë ditë dhe nuk e pashë më rrugëve të Tiranës. Telefoni  dilte jashtë linje. Kur pyeta më thanë se gjendja e tij shëndetësore ishte rënduar dhe nuk dilte nga shtëpia. Vitet më pas nuk komunikoi me njeri, derisa u shua mbrëmjen e 10 tetorit 2018, në moshën 89-vjeçare, për të mbetur i pashlyeshëm në kujtesën e brezave.

Si s'të desha pak më shumë – poezi nga Fatos Arapi – Revista ...

Filed Under: LETERSI

APOSTAZIA E MIGJENIT

October 10, 2024 by s p

Zija Vukaj/

Ka qenë Skënder Drini lexuesi i parë i kësaj eseje.

Meqenëse i kam kushtuar Migjenit një numër të konsiderueshëm esesh letrare, duke mos përdorur asnjë referim të mëparshëm prej askujt, duke dashur të jem i lirë të gaboj sipas mënyrës sime, e shoh veten t’i kthehem shpesh këtij autori. S’më interesojnë fare gjeneralitetet e asnjë shkrimtari. Kjo nuk duhet të jetë kurrë punë letrarësh të njëmendët. Ka punonjës të zejeve të tjera që duhet dhe mund të merren me jetën dhe çdo grimcë të një autori. Me miqtë e mi dua të ndaj këtë ese, për të cilën askush mund të mos jetë i mendimit me mua. Dhe kjo më pëlqen më shumë se përgëzimet.

Në dimensionin e mësimdhënësit mësuesi Migjen, ka disa çaste humori por mjaft të çuditshme me nxënësit e vet. Nxënësi dhe mësuesi shpalosin vetveten herë si objekte dhe herë si subjekte të njëri- tjetrit. Mësuesi është i gjithëdituri, shpjeguesi dhe shpëtimtari i situatës; nxënësi është objekti i tij. Nganjëherë edhe shkak humori. Por shpesh rolet këmbehen dhe mësuesi paraqitet i hutuar nga situata e paparashikuar dhe bëhet ai objekt humori. Te proza “Në sezonin e mizave” mësuesi shpall para nxënësve luftën me mizat, duke thënë: “… kush mbyt një mizë në pranverë, ka mbytë me mija miza që do të ishin pjellë nga ajo një, deri në verë. E kur një nga nxansit pyeti a duhet me mbytë mizën femën a mashkull, mësuesit nuk di si iu ngatrrue gjuha dhe mezi tha cilado qoftë, duhej mbytë.” Ky çast m’u kujtua këto ditë, kur edhe unë, si mësues u gjenda në një situatë paksa të ngatërruar ku më futën pyetjet e nxënësve të mi: “Si mendon ti, profesor, ka besuar Migjeni në Zot? Nëse po, cili ka qenë Zoti i tij?” Përgjigjja ime ishte e vagullt, pak rrëshqitëse, duke thënë se askush nuk e di mirë pastërtisht nëse është apo nuk është besimtar dhe të gjithë i kanë pak të ndërlikuara marrëdhëniet me Zotin dhe me besimin në tërësi. Së këtejmi, secili prej nesh ka një turbullirë për të shpjeguar ndërgjegjen e vet dhe aq më i vështirë, në mos i pamundur bëhet shpjegimi për dikë tjetër, qoftë ky tjetri edhe Migjeni. Thjesht kjo që bëra unë është një dalje dinake dhe elegante nga situata. Por jo vetëm kaq. Për ta zgjeruar argumentin dhe për t’i dhënë karakterin e përgjithshëm, aspekti i marrëdhënies së Migjenit me Zotin është mjaft problematik. Por është më problematik për lexuesin se sa për autorin. Lexues të ndryshëm, mësues e pedagogë me formime standarde apo të avancuara e kanë emërtuar me mënyra të ndryshme këtë marrëdhënie. Disa e kanë quajtur thjesht ateizëm, disa, gjasme më të avancuar dhe modernë, mohim konvencionesh, kurse i pari që e ka përcaktuar me gjysmë zëri, por në formë figurative si apostazi, ka qenë studiuesi Arshi Pipa. Apostazia është braktisja formale dhe e vullnetshme e individit nga feja e vet. Kjo mund të ndiqet pastaj qoftë nga bashkimi me një fe tjetër, qoftë nga afetaria. Që këtu ne mund të përpiqemi të arsyetojmë në mënyrë më të thjeshtë. Së pari, a dëshmon në mënyrë kohezive gjithë vepra e Migjenit apostazi? Apo fragmente të ndryshme japin përshtypje të ndryshme, gjë që flet më shumë për dinamikën e një procesi dhe gjendjeje të papërfunduar, e madje as të filluar, por të keqkuptuar nga lexuesi, sidomos mesatar. Dhe është e vërtetë se lexuesit mesatar dhe bashkë me lexuesin edhe mendimit kritik tradicional, me naivitetin, skematizmin, zhdanovizmin dhe cektësinë e tij Migjeni o i ka përvëluar gishtat, o i ka rrëshqitur duarsh. Mjafton të kujtojmë “diellin alegorik” e mjaft interpretime të tjera, që sot na bëjnë të skuqemi. Është folur shpesh për burimet filozofike të formimit të Migjenit, duke përmendur sidomos Niçen dhe ndikimi niçean është krejt i dukshëm. Ky filozof poet u bë frymëzim brezash të tërë dhe pozicioni i tij profetik ka qenë një lloj apostazie me rrjedhojë aderimin në një fe zjarrputiste të Zarathustrës, të mbinjeriut ose edhe të vetvetes si mëkëmbës dhe është e njohur kundërvënia e tij ndaj njerëzve dhe sistemeve të mendimit “pa dashuri për njerëzit, por me dashuri për Zotin”. Ndikimin e këtij filozofi në mënyrën e të menduarit tek Migjeni e dallojmë lehtësisht tek figuracioni poetik dhe veshja gjuhësore me sintagma të regjistrit biblik, të përdorura nganjëherë edhe si tituj: “Moll’ e ndalueme”, “Bukën tonë të përditshme falna sot”, “Zoti të dhashtë”, “Idhuj pa krena”, “Blasfemi”, “Rezignata” ose shprehje, si: “hokus-pokus”, “Zoti që kujdeset edhe për zogjtë e qiellit…”, si dhe një arsenal të tërë të fushës leksikore të fesë. Dhe në përgjithësi gjithë elementët e këtij arsenali, mbushur me kryqe, minare, paçavra ndër tempuj, hoxhallarë, murgesha që çojnë dashni me shenjtënt, sorra të smuta, trumcakë e prifën shikohen me përbuzje, ironi e përçmim. Dhe poeti del nga ky lloj lavazhi me dëshirën skandaloze prej Zarathustre: “Mos u lut për mue, se due pash më pash t’i bij ferrit.” Mos vallë ky aversion ndaj sendeve, objekteve dhe personazheve aksesorë të teatrit fetar është edhe aversion ndaj Zotit, divorci me Zotin, apostazia deri në heterodoksi e Migjenit? Dhe këtu na del si refren sërish thënia e Niçes: “pa dashuri për njerëzit, por me dashuri për Zotin”. Një gjë është e sigurt: Migjeni është i pozicionuar brenda njeriut. Këtë më së qarti e tregon dhimbja për njeriun, që fillon si dhimbje krenare dhe bëhet dhimbje pa kushte për vuajtjen e qenies njerëzore. Kjo dashuri për njeriun dhe kjo ndjeshmëri ndaj dhimbjes së tij marrin përmasat e një adhurimi thuajse fetar, ku kulti është tashmë njeriu dhe jo objektet tradicionale të kultit: “Merreni dhe çonie në qytet kët’ shtatore. (…) Kushtoniani atij që ka ma shumë merita për kët’ vend! Po, ndoj ministri a deputeti o ndokujt tjetër… E në rast se nuk gjeni ndonjë njeri që ka merita të mjaftueshme, atëherë kushtonia atij që ka merita ma pak: perëndisë klasike.” (“Bukuria që vret”) Dhe shtatorja nuk është pjesë e ikonografisë dhe as rekuizitë e objektit të kultit që nuk ka mundur ta bëjë kryefjalën e saj “perëndi klasike” të ketë efekte konkrete mbi njeriun dhe dhimbjen apo fatet e tij; shtatorja është trupi i fëmijës së ngrirë në kasollen e ftohtë fshatare. Dhe Zoti është lart, në sferat e epërme qiellore. Askund nuk shohim që autori ta ketë braktisur, por lidhjen me Zotin Migjeni nuk e sheh të mundur nga ndërmjetësimi i punonjësve të fesë dhe objektet e tyre. Për ta shqyrtuar më mirë mund të krahasojmë dy lutje të dy llojeve të ndryshme: lutjen e autorit, heroit lirik, drejtuar perëndisë pa medium te poezia “Lutje”: “Të lutem o perëndi,/ për një simfoni,/me tinguj t’argjantë/ e akorde t’artë. Të lutem o perëndi,/ për një simfoni-/ plot dashuni/ të nxehtë si te vasha gjitë/ kur vlojnë ndjesitë.” Dhe lutjet e murgeshës te “Kanga skandaloze”: “Prej lutjesh (jo tallse!) duel dhe në lutje prap po shkon…/ Lutjet i flejnë gjithkund: ndër sy, ndër buzë, ndër gishta./ Pa lutjet e saj bota kushedi ç’fat do kishte?/ Por edhe nga lutjet e saj ende s’i zbardhi dita.” Pra kemi një lutje njerëzore dhe një lutje hyjnore. E para ka freskinë dhe natyrshmërinë, hijeshuar bukur me afshin e trupit vajzëror deri në sensualitet dhe aromë tokësore. E dyta, lutje institucionale, rutinore, e mykur deri në zbehjen e tipareve dhe shpresave të njeriut, mishëruar në një ngjyrë gri vrastare, produkt i së cilës është zhgënjimi, pritja e kotë, vrasja e shpresave deri në devijacione perverse: “O murgeshë e zbehtë që çon dashni me shenjtënt, /që n’ekstazë para tyne digjesh si qiriu para lterit/ dhe ua zbulon veten… Smirë ua kam shenjtënvet: Mos u lut për mue, se due pash më pash t’i bij ferrit” Si poet me shpirt të lirë, të ri e vullkanik Migjeni revoltohet edhe ndaj Perëndisë. Që këtej mund të themi se edhe revolta është marrëdhënie. Por marrëdhënia si proces (marrje dhe dhënie) në raportin e Migjenit me Zotin nuk funksionon si e tillë. Zoti i Migjenit është një hyj që nuk përgjigjet. Dhe shpesh optika poetike dhe filozofike e Migjenit përqendrohet në boshllëkun e mospërgjigjes së hyut, gjë që pastaj pasqyrohet edhe në mungesën e plazmimit të vizionit të vërtetë hyjnor dhe konfondimi i monoteizmit me idolatrinë. Kjo shurdhëri hyjnore ka dhënë edhe surrealizëm. Madje mund të ketë dhënë surrealizmin e parë në letërsinë shqipe. Këtë operim artistik, që tek “Vetëvrasja e trumcakut”, Migjeni e quan kapërcim logjik, i bindur për vështirësinë e komunikimit me lexuesin e asaj kohe dhe të atij niveli, e gjejmë edhe tek idhuj pa krena. Dhe ky vizioni i idhujve pa krena mund të jetë alegoria jo vetëm e arsenalit të një idhujtarie tokësore, por mund të ketë të përfshirë edhe gjithë vegimet që burojnë nga teozofia e autorit, sepse në një etimologji të vetë termit të lashtë grek “idhull”, gjejmë rrënjën e fjalës “ide” (ἰδέα), duke përfshirë këtu edhe vetë idenë e Theos. “Një tufan i tmerrshëm i shembi idhujt. Disa i bani pluhun e disa i la pa krena. Tufani i tmerrshëm nuk fryni as nga nji anë e horizontit dhe as nga qiella, por duel nga zemra e dheut. E çdo gja që del nga zemra e dheut asht ose përkëdhelëse si andja ma intime, ose e tmerrshme si tufani që shemb idhujt. (…) Idhuj pa krena! Shëmtim i natyrës! (…) Kush mund të adhurojë të shëmtuemen? Kush mund të besojë në një zot pa krye?” Kjo skenë surreale e një teatri absurd, është finalja e një rrugëtimi të gjatë meditues në kushtet e një lëkundjeje të bazave të besimit. Ai tufan që shemb idhujt dhe nuk vjen nga jashtë, nga asnjë anë e horizontit, në fakt është vrulli i një bindjeje të re që del nga shpirti i poetit, për t’u plazmuar në formën e asaj që ne mund ta emërtojmë edhe si fillim apo rast apostazie.

Filed Under: Interviste

Besueshmëria kundrejt përmbajtjes: mbi zgjedhjet Parlamentare 2025

October 10, 2024 by s p

Dr. Faton Bislimi/

Gjerësa Kosova përgatitet për zgjedhjet parlamentare më 9 shkurt 2025, skena politike po gjallërohet përsëri me premtime për ndryshim, reforma dhe përparim. Partitë politike e koalicionet do të paraqesin platformat e tyre, duke ofruar programe të dizajnuara për të adresuar zhvillimin ekonomik të vendit, shëndetësinë, arsimin dhe marrëdhëniet me Bashkimin Evropian e Shtetet e Bashkuara. Ndërsa këto platforma janë thelbësore për procesin demokratik, pyetja kryesore që duhet të bëjnë qytetarët e Kosovës është kjo: A janë këto premtime të besueshme, apo janë thjesht retorikë? Diferenca kryesore midis një programi politik dhe besueshmërisë së atyre që e ofrojnë atë mund të vendosë të ardhmen e Kosovës.

Fuqia e Besueshmërisë në Lidershipin Politik

Max Weber, një nga teoricienët më me ndikim të politikës, theksoi në esenë e tij të famshme “Politika si Profesion” se lidershipi politik është po aq i lidhur me karizmën dhe besueshmërinë sa është edhe me politikat vetë. Weber argumentoi se autoriteti karizmatik, i bazuar në cilësitë personale dhe besueshmërinë e liderit, luan një rol vendimtar në mobilizimin e mbështetjes publike. Në kontekstin e zgjedhjeve të ardhshme të Kosovës, ky mendim duhet t’ia kujtojë votuesit se besueshmëria e kandidatëve dhe partive shpesh është një parashikues më i saktë i suksesit politik sesa specifikat e programeve të tyre zgjedhore.

Skena politike e Kosovës ka parë liderë karizmatikë dhe premtime ambicioze, por hendeku midis retorikës gjatë zgjedhjeve dhe realitetit pas zgjedhjeve mbetet i gjerë. Ndërsa vendi përpiqet të forcojë themelet e tij demokratike, qytetarët duhet të vlerësojnë në mënyrë kritike jo vetëm atë që propozon çdo parti, por edhe karakterin dhe përvojën e atyre që qëndrojnë pas këtyre propozimeve.

Programet Politike: Përmbajtja ka rëndësi, por ka edhe përcuesi/prezantuese i përmbajtjes

Programet politike shërbejnë si plane për të ardhmen e Kosovës, duke përfshirë strategji për rritjen ekonomike, integrimin në institucionet evropiane dhe përmirësimin e shërbimeve publike. Por, siç kishte vërejtur Niccolò Machiavelli në librin e tij të famshëm, “Princi,” perceptimi për besueshmërinë e një lideri shpesh e tejkalon përmbajtjen e vërtetë të propozimeve të tij. Machiavelli argumentoi se reputacioni i një udhëheqësi sa i përket besueshmërisë dhe integritetit mund të jetë më vendimtar për sigurimin e pushtetit sesa politikat specifike që ai mbështet.

Kjo është një pikë e theksuar edhe nga teoricieni bashkëkohor politik Francis Fukuyama në librin e tij “Rendi Politik dhe Dekadenca Politike.” Fukuyama argumenton se institucionet dhe liderët e tyre duhet të ndërtojnë besimin e publikut për të arritur stabilitetin dhe reformat afatgjata. Në Kosovë, ku besimi te institucionet politike shpesh është sfiduar nga akuzat për korrupsion dhe keqmenaxhim, zgjedhjet e ardhshme do të testojnë nëse votuesit i japin prioritet integritetit dhe llogaridhënies po aq sa premtimeve ambicioze.

Hendeku i Besueshmërisë në Kosovë

Në arenën politike të Kosovës, hendeku i besueshmërisë mbetet një çështje e rëndësishme. Shumë parti politike kanë premtuar në të kaluarën reforma dhe përparim ekonomik, por kanë hasur në vështirësi për të ofruar rezultate të prekshme. Ndërsa vendi përballet me papunësi, një sistem shëndetësor të dobët dhe me nevojën për integrim në BE, pyetja është nëse liderët që propozojnë zgjidhje kanë përvojën e faktuar për të realizuar këto ndryshime.

Analiza e Thomas Piketty në librin e tij “Kapitali në Shekullin e Njëzetenjëtë” mbi pabarazinë ekonomike ndërlidhet këtu, pasi ai sugjeron që përparimi i qëndrueshëm kërkon jo vetëm politikat e duhura por edhe liderët që me të vërtetë besojnë dhe janë të përkushtuar për zbatimin e tyre. Në Kosovë, votuesit duhet të jenë të kujdesshëm ndaj politikanëve që premtojnë transformime të shpejta ekonomike, por që më parë kanë dështuar të adresojnë çështjet sistematike si krijimi i vendeve të punës dhe qeverisja transparente.

Sfidat me të cilat përballet Kosova nuk janë unike; ato pasqyrojnë përpjekjet e shumë demokracive të reja. Në librin e saj “Kjo Ndryshon Gjithçka: Kapitalizmi kundër Klimës,” për shembull, Naomi Klein argumenton se edhe politikat më të mira dhe më të sinqerta mund të dështojnë pa lidershipin e besueshëm për t’i udhëhequr ato. Kjo ide është veçanërisht e rëndësishme ndërsa Kosova synon të luftojë korrupsionin dhe të ndërtojë një mjedis të përshtatshëm për zhvillim të qëndrueshëm. Besueshmëria dhe vullneti politik janë themelet e arritjes së këtyre qëllimeve ambicioze.

Besueshmëria si Gurthemeli i së Ardhmes së Kosovës

Filozofi politik i Harvardit, Michael Sandel, në “Drejtësia: Çfarë është Gjëja e Duhur për të Bërë?”, thekson se lidershipi etik dhe karakteri moral i politikanëve janë thelbësore për të ndërtuar rezultate të drejta në shoqëri. Për Kosovën, gjerësa ecën përpara në rrugën drejt një shteti të qëndrueshëm, demokratik dhe të begatë, karakteri i liderëve të saj do të jetë një faktor vendimtar. Në këto zgjedhje të ardhshme, votuesit duhet të fokusohen në integritetin dhe llogaridhënien e atyre që synojnë të udhëheqin, përtej thjesht atraktivitetit të programeve të tyre politike, si dhe oratorisë nganjëherë edhe mbresëlënëse.

Gjerësa Kosova vazhdon përpjekjet për integrim më të madh në Bashkimin Evropian dhe angazhim më të thellë me partnerët ndërkombëtarë, besueshmëria e lidershipit të saj politik do të luajë një rol vendimtar në përcaktimin e drejtimit të ardhshëm të Republikës sonë të re. Liderët që kanë demonstruar transparencë, konsistencë dhe përkushtim ndaj parimeve demokratike kanë më shumë gjasa të fitojnë besimin e elektoratit dhe të komunitetit global.

Përgjegjësia e Elektoratit të Kosovës

Në fund të fundit, suksesi i procesit demokratik të Kosovës varet nga qytetarët e saj. Siç argumentoi John Locke në veprën e tij themeltare “Dy Trajtesa mbi Qeverisjen,” legjitimiteti i çdo qeverie qëndron te pëlqimi i të qeverisurve, i cili duhet të bazohet në vendimmarrjen e informuar dhe racionale. Në këto zgjedhje, votuesit e Kosovës kanë përgjegjësinë të shohin përtej slloganeve të fushatës dhe të shqyrtojnë besueshmërinë e atyre që bëjnë premtimet.

Populli i Kosovës ka fuqinë për të kërkuar jo vetëm programe të detajuara politike, por edhe liderë të besueshëm dhe të përgjegjshëm, të cilët do të qëndrojnë pas fjalës së tyre dhe do të punojnë pa u lodhur për të realizuar premtimet e tyre. Vetëm duke zgjedhur liderë me integritet, Kosova mund të shpresojë të mbyllë hendekun e besueshmërisë dhe të hapë rrugën për një të ardhme më të ndritur dhe më të begatë.

Përfundim

Ndërsa afrohen zgjedhjet parlamentare më 9 shkurt 2025, kosovarët duhet të kenë parasysh se diferenca midis një programi politik dhe besueshmërisë së atyre që e ofrojnë nuk është një çështje e parëndësishme—ajo është vetë thelbi i qeverisjes efektive. Siç thotë Max Weber, politika është një “shpim i fortë dhe i ngadaltë i dërrasave të forta,” që kërkon durim, integritet dhe liderë premtimet e të cilëve mbështeten nga besueshmëria dhe bindja. Që Kosova të ketë sukses në këtë moment vendimtar, qytetarët e saj duhet të votojnë jo vetëm për programe, por për lidership parimor që mund t’i shndërrojë premtimet në realitet.

Filed Under: Ekonomi

“Arti ndjell një mister pa të cilin bota nuk do të ekzistonte” – René Magritte (1898 – 1967)

October 10, 2024 by s p

Dr. Bledar Kurti/

Magritte ishte artist belg, surealist. Artistët surealistë, të ndikuar nga psikologjia frojdiane, u angazhuan me idenë se ka të vërteta që qëndrojnë nën sipërfaqen e gjërave. Për ta, forma nuk është krijuar për të kënaqur syrin, por për të stimuluar mendjen që të njohë veten dhe gamën e fshehtë të aktivitetit të saj. Në artin e surealistit, bota objektive refuzon të mbetet një realitet i ndarë, por bashkohet në mënyrë aktive me imagjinatën tonë për të shembur muret kufizuese të këtij mashtrimi të thjeshtë racional, duke e çliruar mendjen për të përfshirë botën e arsyes me kuptimet e veta komplekse. Si rrjedhojë, ne shohim me sy ndryshe e me një vështrim të freskët, mbi objektet e hapësirës dhe me një kuptim të ri mbi hapësirën e mistershme të mendjes sonë.

Pikturat e Magritte kanë një logjikë të pamëshirshme, aq të pamëshirshme sa që shkatërrojnë vetë logjikën duke treguar se sa i varfër është një element për të kuptuar si perceptimin shqisor ashtu edhe imazhet e mendjes. Çdo pikturë më vete e bën shikuesin të vetëdijshëm mbi problemin pamor, idenë iluzive, dhe mbi imazhin provokues që duket transparent dhe i thjeshtë, por mbetet problematik në vetvete. Më tej, ato na bëjnë të vetëdijshëm për habinë e spekulimeve të mendjes sonë dhe jo thjesht një realitet personal i fantazisë që i përket vetëm artistit.

Mendja e dashuron të panjohurën, dhe shpirti i njeriut yshtet nga e paditura. Zemra e njeriut tërhiqet nga bukuria e mjegullës. Instinkti i njeriut i përgjigjet të përtejmes. Ndaj edhe Magritte krijoi imazhet më sfiduese për perceptimin njerëzor. Ato janë ftesë për një udhëtim drejt së panjohurës. Ato përmbajnë mister, iluzion, gjëzë, dhe poezi.

Filed Under: Kulture

KARDINALI SHQIPTAR ERNEST SIMONI – “MARTIR I GJALLË” I DIKTATURËS KOMUNISTE VIZITON SHTETET E BASHKUARA

October 10, 2024 by s p

             

Nga Frank Shkreli

A person standing at a podium with a flag

Description automatically generated

Kardinali Ernest Simoni (Troshani) — i cili vuajti burgimin, persekutimin dhe kërcënimet me vdekje për më shumë se 28 vjet gjatë regjimit sllavo-komunist në Shqipëri — ishte i pranishëm të djelën që kaloi në kishën katolike shqiptaro-amerikane, “Zoja e Shkodrës”, në Nju Jork. Kardinali shqiptar, ndonëse në moshë të shkuar 95-vjeçare, celebroi dy meshë në kishën shqiptare dhe u prit nga qindra besismtarë që kishin ardhur për të takuar “matirin e gjallë” dhe dëshmitarin e vuajtjeve dhe persekutimeve të regjimit komunist të Enver Hoxhës. 

Eminenca e tij, Kardinal Simoni u prit me nderime nga famullitari i kishës “Zoja e Shkodrës”, Dom Pjetër Popaj ndërsa është përshëndetur nga shumë besimtarë që kishin ardhur për të takuar klerikun e lartë shqiptar, i cili edhe sot, sipas Papa Françeskut, është simbol i vuajtjeve të burgjeve komuniste, “vazhdon të dëshmojë dhe të punojë për Kishën, pa u shkurajuar”.  Pas celebrimit të dy meshëve në kishën e parë katolike shqiptare në Amerikë, për nderim të vizitorit të lartë, u shtrua një drekë nga Keshilli i kishës në Qëndrën Nënë Tereza të Kishës Zoja e Shkodrës,  në Nju Jork.  Kardinali Ernest Simoni shprehu kënaqësinë e tij për mundësinë e takimit me komunitetin katolik shqiptar në Nju Jork, duke bekuar më në fund, besimtarët e mbledhur aty, të cilët i uruan atij ditëlindjen me një tortë të rastit dhe me urimin — “Zoti e bekoft Kardinalin tonë” — në prag të 96-vjetorit të lindjes — vizitorit të lartë nga Evropa dhe dëshmitarit të gjallë të vuajtjeve dhe persekuitmeve të klerikëve të pafajshëm nga regjimi komunist sllavo-aziatik i Enver Hoxhës.

Para se të shkonte për vizitë dhe shërbime fetare në kishën Zoja e Shkodrës në Nju Jork, Kardinal Ernest Simoni ka marrë pjesë në ceremoninë e ndarjes së diplomave studentëve të Universitetit Saint Leo, një kolegj i urdhërit jezuit në qytetin Tampa të shtetit Florida. Para të diplomuarve të këtij universiteti, Kardinali shqiptar mbajti një fjalim të rastit dhe ofroi bekimin për të diplomuarit. Kardinali Simoni vizitoi edhe qytete të tjera si Jacksonville të Floridës për tu takuar me bashkatdhetarët e vet.  Është vërtetë e mrekullueshme që Kardinal Simoni, ndonëse në prag të 96-vjetorit të lindjes është aq aktiv dhe siç duket mirë me shëndet sa që mund të udhtojë përtej oqeanit, madje edhe në Amerikën e largët dhe të marrë pjesë në aktivitete të ndryshme fetare e shoqërore. 

Ndonëse kanë kaluar pothuaj 35-vjet nga lirimi i tij nga burgjet komuniste, emri i Ernest Simon (Troshanit) nuk njihej aq shumë, sidomos nga brezi i ri i shqiptaro-amerikanëve, por ndoshta as në Shqipëri, përveç një rrethi të ngusht, ndoshta. E ndërkombtarisht, ai nuk njihej fare, deri në shtator të vitit 2014, kur Papa Françesku vizitoi Shqipërinë, vizita e tij e parë në një vend të Evropës, si udhëheqës i Kishës Katolike Universale. Gjatë asaj vizite, Papa Françesku takoi, ndër të tjerë vuajtës të komunizmit edhe Dom Ernest Simonin, nga i cili dëgjoi me shumë vëmendje dëshminë e tij të vuajtjeve nën regjimin komunist – ndërsa, me lotë në sy, e cilësoi në atë kohë, Dom Ernest Simonin, si “martir dhe shenjtë i gjallë”.  

Dy vjet pas vizitës së tij në Shqipëri, Papa Françesku i ka dhenë Dom Ernest Simonit titullin kardinal duke e ngritur atë në nivelin më të lartë të Kishës Katolike. Ernest Simoni (Troshani) e ka thenë shpesh herë se emërimin kardinal nga Papa Françesku e konsideron si një nderim për të gjithë martirët dhe katolikët e përndjekur në Shqipërinë komuniste, me ligj të vet-shpallur ateiste, kundër Zotit. I tillë ishte edhe emrimi i kardinalit të parë shqiptar në histori nga Papa Gjon Pali II, në vitin 1994, klerikun e njohur por shumë të vuajtur, Mikel Koliqi (1902-1997), bashk-qytetari i Ernest Simonit nga Shkodra edhe ai, i burgosur për 31 vite të jetës së tij në burgjet komuniste të Enver Hoxhës.

Papa Françesku, ashtu si edhe Papa Gjon Pali i II nuk kanë munguar kurrë së përmenduri vuajtjet dhe krimet e komunizmit në Shqipëri kundër një populli të pafajshëm të zenë rob në vendin e vet. Ashtu ndodhi edhe në fillim të këtij viti (shkurt 2024) që gjatë një audience publike në Vatikan për vizitorë dhe udhëheqës fetarë nga mbarë bota, ndërsa ka folur për martirët e fesë në të kaluarën, Papa Françesku përmendi në mënyrë të veçant Kardinalin shqiptar Ernest Simonin i cili ishte aty i pranishëm, duke thenë se edhe sot ka shumë martirë të persekutuar të fesë e të ardheut, në mbarë botën duke përmendur rastin e Ernest Simonit: “Më lejoni të përshëndes në mënyrë të veçantë një martir të gjallë. Ai, si meshtar, përjetoi 28 vjet burg, në burgun komunist të Shqipërisë, ndoshta persekutimi më mizor, më mizor”, nënvijoi Papa Françesku. Sot kardinali shqiptar, “vazhdon të japë dëshmi…Tani, është 95 vjeç e vazhdon të punojë për Kishën, pa u shkurajuar. I dashur vëlla, të falënderoj për dëshminë tënde. Faleminderit!”, i është drejtuar Papa kardinalit shqiptar, Ernest Simonit, para një audience të vizitorëve nga mbarë bota, shkurtin që kaloi në Vatikan ndërsa ka folur para një audience ndërkombëtare për vuajtjet e klerikëve por edhe për persekutimet si rradhë kund në botë, në “burgun më mizor” komunist në Shqipëri — për të gjithë, pa dallim dhe pa përjashtim.

Kanë kaluar pothuaj 35-vjet nga shembja e Murit të Berlinit dhe nga koha kur bota Perëndimore demokratike festonte fitoren mbi komunizmin ateist, duke harruar shpejt krimet kundër njerzimit që ajo ideologji solli mbi mbarë botën shekullin e kaluar e që në disa vende të botës, në emër të komunizmit, krimet dhe vuajtjet e atyre që nuk pajtohen me të, edhe sot. Prandaj me të drejtë, disa analistë dhe komentues, por edhe ente dhe organizata shoqërore, kanë arsye të shqetësohen se shumë persona dhe regjime në vendet ish-komuniste – me kalimin e kohës — po i harrojnë shumë shpejt të këqiat dhe krimet e komunizmit ndaj personave të pafajshëm, siç është kardinali shqiptar Ernest Simoni. Jo vetëm që shoqëria në përgjiithsi, por siç duket as shteti e qeveritë “post-komuniste” nuk dëshirojnë të përballen me të kaluarën komuniste. Në nivel zyrtar në Shqipëri, është e qartë se nuk duan të merren aspak me krimet, vuajtjet dhe persekutimet më mizore të regjimit komunist në Shqipëri ndaj personave siç është Kardinal Ernest Simoni. Por, çfarë është edhe shumë më keq, gjatë viteve të fundit, në Shqipëri vihen re përpjekje aktive zyrtare dhe mbështetje në heshtje të asaj që Kisha Katolike shqiptare ka cilësuar si përjetësim i komunizmit dhe i simboleve të tij në atë vend, duke kërkuar nga ana e saj si ent fetar, dënimin e “apologjisë së komunizmit”.  

 Frank Shkreli: Kërkohet dënimi i “Krimit të Apologjisë” të Komunizmit në Shqipëri | Gazeta Telegraf

Prej më shumë se tre dekadash të ashtuquajturit “tranzicion” politik — autoritetet zyrtare në Tiranë refuzojnë të njohin dhe të dënojnë krimet më mizore e barbare të komunizmit në Shqipëri. Heshtja e vazhdueshme dhe refuzimi i klasës politike shqiptare — pozitë dhe opozitë — për t’u përballur me të kaluarën kriminale komuniste në vend dhe për të dënuar krimet e komunizmit, ashtu siç ka bërë pjesa tjetër e Evropës ish-komuniste – megjithë kundërshtimet e tyre politike, të pakën në sipërfaqe — duket se është e vetmja gjë që dy partitë kryzesore politike në Shqipëri bien dakort me njëra tjetrën.

Por qëndrimet zyrtare — pozitë dhe opozitë në Shqipëri — për të mos u marrë, zyrtarisht, me krimet e komunizmit më mizor në Evropë e ndoshta në botë, nuk ndalon të tjerët e sidomos viktimat e pafajshme që kanë përjetuar vet krimet e sllavo-komunizmit aziatik, siç është Kardinali Ernest Simoni, t’i tregojnë, jo vetëm shqiptarëve, por të dëshmojnë edhe para botës mbarë krimet e regjimit komunist prej pothuaj gjysëm shekulli në Shqipëri.  Zbulimi i së vërtetës dhe nevoja për t’a dëshmuar atë para botës, detyron sot një klerik katolik shqiptar – siç është Kardinali Ernest Simoni, që për më shumë se 25 vite me radhë ka bërë punë të detyrueshme në tunelet e errta të minierës së Spaçit dhe më pas, në kanalizimet e Shkodrës – që në prag të 96-vjetorit lindjes së tij – të udhtojë matanë oqeanit për të dëshmuar dhe për të treguar të vërtetën e krimeve të komunizmit në Shqipëri. Zoti t’i falë shëndet Kardinal Ernest Simonit që të vazhdojë misionin e tij në shërbim të së Vërtetës historike dhe Drejtësisë. 

Siç e kam thenë shumë herë në të kaluarën, po e prësiris edhe njëherë, se pa dënimin zyrtar të krimeve të komunizmit dhe pa distancimin serioz të Shqipërisë nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, aktualiteti politik dhe zhvillimet në vend po tregojnë, se rrugëtimi euro-atlantik i Shqipërisë, jo vetëm që ka marrë një rrugë, historikisht të gabuar, por për fat të keq, ai rrugëtim nuk është më as i sigurtë dhe as i besueshëm nga vet shqiptarët, por as nga miqt e Shqipërisë dhe të shqiptarëve.

Frank Shkreli

May be an image of 9 people and text

      Fotot nga faqja e “Our Lady of Shkodra” — Credit Vilson Lleshaj

May be an image of 1 person and text
May be an image of 3 people, the Basilica of the National Shrine of the Immaculate Conception and text
Pope Francis with Cardinal Simoni following the General Audience

            Papa Françesku: “Vëlla i dashur, të falënderoj për dëshminë tënde”.

Filed Under: Opinion

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 871
  • 872
  • 873
  • 874
  • 875
  • …
  • 2940
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT