• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

Disa nga veprimet që duhet të bëjmë, për të pasur një jetë të suksesshme

October 4, 2024 by s p

Prof. Milazim Krasniqi/

1. Nuk ka gjëra ideale në jetën tonë reale. Duhet të mësohemi me idenë se nuk jemi të përkryer, por ta kemi synim përmirësimin e vazhdueshëm.

2. Nuk ka gati asnjë punë që mund ta kryejmë vetëm, prandaj duhet të kultivojmë raporte sa më të mira me njerëzit.

3. Më së shumti dhe në çdo rast na duhet ndihma e Zotit. Zoti u ofron ndihmë atyre që e kërkojnë, por që e kërkojnë sinqerisht dhe në mënyrën qysh Zoti e ka përcaktuar.

4. Familja ngritet me vështirësi, mund të prishet me lehtësi. Prandaj duhet shumë vëmendje, shumë kujdes, shumë durim, shumë dashuri.

5. Këshillat me ata që dijnë për problemet shoqërore janë obligim. Refuzimi i konsultimit ka rrezik që është egoizëm e mendjemadhësi, ndërsa egoizmi e mendjemadhësia shpien në gabime.

6. Vdekja mund të vjen kur nuk e mendojmë, prandaj duhet të jemi gati çdo herë që të dalim nga kjo botë me bilanc sa më pozitiv e duke lënë një emër e kujtim të mirë.

Filed Under: ESSE

Historiku i kërkimeve të fortifikimeve prehistorike në Shqipëri

October 4, 2024 by s p

Dr. Ervin Kujtila/

Deri në mesin e viteve 60’ të shekullit të kaluar, dihej fare pak mbi fortifikimet e periudhës së hershme të hekurit në Shqipëri. Ato pak vendbanime të fortifikuara të kësaj periudhe,që ishin konstatuar nga arkeologët austriak C. Praschniker e A. Schober në vitet e luftës I botërore, kufizoheshin vetëm në Shqipërinë veriore. Mangësitë në njohjen e materialit dhe mungesa e gërmimeve, i çuan ata edhe në ndonjë përfundim të gabuar, si p.sh. datim i fortifikimit me gurë të papunuar të Gajtanit në periudhën antike, kur teknikat e fortifikimit ishin shumë më të avancuara.  Ndërsa në Gajtan ata shohin “përfaqësuesin e parë të një qendre banimi ilire të lashtë, të painfluencuar nga teknika greke e ndërtimit”, fortifikimet antike me blloqe kuadratik izodomik, i konsideronin të ndërtuara nga mjeshtër grekë“ose të paktën nën ndikimin e teknikës greke të ndërtimit”.

Rreth 10 vjet më vonë, M. Shuflay përmblodhi dhe sintetizoi të dhënate deriatëhershme mbi qytetet dhe kështjellat e Shqipërisë. Në këtë studim ai arrin deri në supozimin se “ilirët e jugut kanë filluar shumë herët ndërtimet me gurë,” ndonëse siç shprehet ai “deri më sot në Shqipëri nuk është gjetur ndonjë gjurmë ndërtimesh të tilla”.

Pikëpamja e gabuar që ua atribuuan ndërtimet ilire mjeshtërve grekë, është ruajtur deri vonë tek ndonjë studiues i huaj, që muret rrethuese të Oshanicit, qytet ilir në territorin daors, ua atribuon“mjeshtërve jo ilirë” .

Gërmimet e suksesshme në Gajtan në vitet 60’ shënuan një kthesë cilësore në studimin e vendbanimeve të këtij tipi. Intensifikimi i kërkimeve në këtë fushë ka sjellë të dhëna të reja arkeologjike dhe kulturore që ndihmojnë për klasifikimin kronologjik, teknik dhe tipologjik të fortifikimeve prehistorike në Shqipëri.

Aktualisht në ndërtimin e këtyre fortifikimeve mund të veçohen tri faza kronologjike.

Faza e parë më e hershme mund t’i referohet fazës së vonë të Bronzit të Hershëm, siç kanë dëshmuar dy shembuj të prezantuar në literaturën tonë arkeologjike. Është fjala për vendbanimin e fortifikuar në qytezën e Ganjollës në Shqipërinë Veriperëndimore dhe atë të Kukumit në Shqipërinë Jugperëndimore. 

Faza e dytë i referohet fazës fundore të Bronzit të Vonë, kur mendohet se ngritja dhe fortifikimi i tyre erdhi si reagim ndaj rrezikut të dyndjes egjeane dhe i nevojës për mbrojtje të banorëve protoilirë të kësaj periudhe.

Faza e tretë lidhet me periudhën e hershme të epokës së Hekurit, kur këto fortifikime bëhen vendbanimi karakteristik për popullsinë ilire. 

Vendbanimet e fortifikuara të këtij tipi në literaturën shqiptare janë njohur si të tipit Gajtan, për faktin se në qytezën eponyme u kryen gërmimet e para sistematike në vitet 1961-1962. Gërmimet treguan se këtu kishim të bënim me një vendbanim ilir shumështresor, dy nga të cilat (Gajtan I-II) iu atribuan Bronzit të vonë dhe Hekurit të hershëm, ndërsa shtresat III-IV, respektivisht shek.IV-III p.Kr. dhe periudhës helenistike – romake. Përsa i përket kronologjisë të mureve mbrojtëse të Gajtanit, sot nuk vihet në dyshim karakteri prehistorik ose pararaantik i tyre. 

Sikurse është vënë në dukje, muret rrethuese të qytezës së Gajtanit, i referohen fazës Gajtan II, që stratigrafikisht qëndrojnë mbi shtresën Gajtan I të Bronzit të Hershëm. Teknikisht muret janë të ndërtuara me blloqe gurësh të papunuar, të renditur në dy këmisha anësore, pa material lidhës, ndërsa bërthama midis tyre është e mbushur me gurë të vegjël. Përveç kritereve tipologjike dhe teknike primitive të ndërtimit të këtyre mureve ato që i përcaktojnë këto si parahistorike, edhe pozicioni stratigrafik i tyre i lidhur me horizontin e furrave, i referohet periudhës kalimtare nga epoka e Bronzit në atë të Hekurit, përkatësisht (shek.XI-X p.Kr).  Këto mure të quajtura “tip Gajtan” kanë shërbyerpër një kohë të gjatë si një pikë e rëndësishme referimi për studimet krahasuese të fortifikimeve parahistorike në Shqipëri.

Vendbanimet e fortifikuara të tipit Gajtan janë të përhapura në të gjithë Shqipërinë dhe njihen me emrat qytezë, gradishtë, gradinë etj. Ato janë të përqendruara në vendet më strategjike dhe formojnë sisteme fortifikimi për zona të veçanta gjeografiko – kulturore, si për zonën e Shkodrës (Gajtan, Marshejë, Ganjollë, Samobor, Drisht, Beltojë, Mokset)  atë të Lezhës (Akrolisi), të Peshkopisë ( gradishta e Peshkopisë), të Shqipërisë së Mesme (qyteza e Lleshanit), të Shqipërisë juglindore (Tren, Ventrok, Trajan, Bilisht, Bellovodë, Lumalas, Hollm, Gjonomadh, Bllacë, Drenovë etj), të Shqipërisë jugperëndimore (Badhër, Karos, Kalivo, Kukum, Kepi i Stillos etj ku janë kryer gërmime arkeologjike si dhe kalaja e Pirgut, kalaja e Gjipesë, ajo e Gjinovlashit, e Borshit, e Gashnjarit etj). 

Vendbanimet e fortifikuara të periudhës së vonë të Bronzit, janë vendosur gati gjithmonë në maja kodrinash strategjike, pranë rrugëve natyrore dhe luginave që përshkojnë territorin tonë, zakonisht në vende të larta që dominojnë mbi fusha pjellore apo kullota të mira. Ata janë ndërtuar mbi kodra me formacione shkëmbore, ku sigurohej guri në vend dhe me mbrojtje të mirë natyrore.

Ngritja e këtyre fortifikimeve gjatë Bronzit të Vonë, përveç zhvillimeve të brendshme ekonomike e sociale në gjirin e bashkësisë fisnore ilire, e cila po shkonte drejt thurjes së marrëdhënieve fisnore, duket se është edhe reflektim i popullsisë vendase për mbrojtje ndaj rrezikut në rritje të dyndjeve egjeane të fazës fundore të kësaj periudhe. Në periudhën e hekurit, diferencimi shoqëror dhe luftërat ndërfisnore të kësaj periudhe bëhet një fenomen i zakonshëm dhe qendrat e fortifikuara të kësaj periudhe një faktor i domosdoshëm mbrojtës. Prandaj nuk është e rastit pse në këtë periudhë kemi një intensifikim të fortifikimeve dhe një përparim të teknikës së ndërtimit të tyre. Vendbanimet e fortifikuara pasqyrojnë jo vetëm nivelin e zhvillimit të forcave prodhuese, por edhe konceptin ndërtimor dhe veçoritë teknike e stilistike të fortifikimeve të kohës. Në zhvillimin e tyre të kushtëzuar nga një kompleks faktorësh ekonomik, historik, topografik e ushtarak mund të ndiqet evolucioni i tyre i brendshëm drejt fuqizimit të sistemit mbrojtës.

Fortifikimet prehistorike janë të përqendruara në rajonet më strategjike të vendit, ku formojnë sisteme të organizuara fortifikuese. Sot në Shqipëri, mund të përvijohen 5 zona kryesore, ku janë përqendruar vendbanimet e fortifikuara:

  • Zona e Shqipërisë veriperëndimore (pellgu i Shkodrës)
  • Zona e Shqipërisë Lindore (lugina e Drinit të Zi)
  • Zona Qendrore (lugina e Shkumbinit)
  • Zona Juglindore (pellgu i Korçës)
  • Zona Jugperëndimore (bregdeti jonian).

Në zonën përreth Ultësirës shkodrane janë fiksuar këto vendbanime të fortifikuara: Gajtani, Marsheja, Mokseti, Ganjolla, Samobori, Drishti, Beltoja, Akrolisi. 

Në zonën e Shqipërisë lindore, si fortifikime të këtij tipi janë: qyteza e Krajkës dhe e Sofraçanit, Skudrinës dhe e Koxhaxhikut(Dibër e Madhe), Peshkopisë, Selishtës, Lurës etj.

Në zonën e Shqipërisë Qëndrore përmendim: fortifikimet eOrenjës, Zdranshit, Lleshanit, fortifikimit të Shkëmbit të qytetit, Drogostunjës, Qukësit, Valshit, Bodinit, Tervolit etj.

Në zonën e Shqipërisë Juglindore përmendim fortifikimet e Trenit, Ventrokut, Trajanit, Shuecit, Bilishtit, Bellovodës, Podgories, Lumalasit, Gjonomadhit, Bllacës, Hollmit, muri i Zvezdës etj.

Në zonën e Shqipërisë Jugperëndimore përmendim: fortifikimet e Badhrës,  Karosit, Kukumit, Kalivosë etj. Gjithashtu në zonën e bregut jonian gjenden edhe vendbanimet e fortifikuara të Gjipesë, Gjinvlashit, Pirgut, Borshit, Gashnjarit etj.

Gërmimet sistematike që janë kryer në disa nga këto vendbanime, si dhe një tok të dhënash me vlerë që janë fituar nga një varg ekspeditash informative të kryera në një pjesë të mirë të territorit tonë, kanë bërë të mundur që të njihet sistemi i fortifikimit të këtyre vendbanimeve e të ndiqet deri diku edhe një farë evolucioni në zhvillimin e tyre. Shembulli më i mirë dhe më i studiuar i vendbanimeve të fortifikuara është qyteza e Gajtanit, në afërsi të Shkodrës, prandaj është bërë zakon që këto vendbanime të quhen të tipit Gajtan. Kufijtë e vendbanimit përcaktohen nga muret e rrethimit, të cilat ndjekin linjën e terrenit, prandaj dhe format planimetrike të tyre nuk janë gjithnjë të njëjta. 

Tipar dallues i ndërtimeve mbrojtëse të kësaj periudhe janë muret e ndërtuara me gurë mesatar e të mëdhenj, pa fasadë të rregullt dhe me lartësi të ulët. Në shumicën e tyre muri formohet nga dy këmishat anësore të ndërtuar me gurë të mëdhenj e mesatar të papunuar, me boshllëqe të konsiderueshme midis tyre, dhe bërthama e murit midis tyre, që mbushej me gurë të vegjël.  

Në këtë sistem të hershëm fortifikimi mungojnë kullat dhe në përgjithësi kthesat me kënde të drejta të mureve për të siguruar një mbrojtje anësore. Hyrjet janë të thjeshta, të formuara nga ndërprerja e murit rrethues. I vetmi kujdes për ruajtjen e tyre është vendosja e tyre në vende me mbrojtje natyrore, ose në shumë raste rruga për në hyrje kalon bri murit rrethues duke qenë kështu nën kontrollin e mbrojtësve. Lartësia e ruajtur e këtyre mureve përgjithësisht është e vogël, gjerësia rreth 2.50 – 3.00m, dhe duket se lartësia fillestarenuk a qenë e madhe. Sipërfaqja e rrethuar e këtyre fortifikimeve është e ndryshme dhe lëviz nga 1 – 2 ha, ndërkohë që ka edhe fortifikime më të më të mëdha si Gajtani 4 – 5ha. Zgjerimet e mëvonshme kanë bërë që brenda mureve rrethuese të përfshihej një sipërfaqe më e madhe, siç është rasti i kalasë së Trajanit(Korçë), që arrin deri në 22 ha. Në këto raste vendbanimet paraqiten me 2 – 3 unaza rrethuese. Më poshtë po paraqesim disa nga format më të zakonshme të këtyre fortifikimeve:

Format më të thjeshta të tyre janë ato kur muri mbrojtës rrethon vetëm pjesën më pak të mbrojtur të kodrës. I tillë është fortifikimi pranë shpellës së Trenit(Korçë) ku murri arin gjatësinë 90m, gjerësinë 3.50 m, është ndërtuar mbi një kodër me lartësi 6-8m mbi nivelin e fushës. I njëjti sistem fortifikimi, por me lartësi më të madhe është krahina të tjera të Shqipërisë siç janë kalaja e Ganjollës(Shkodër), kalaja e Lleshanit(Elbasan), kalaja e Karosit(Qeparo) etj.

Një nga format mbizotëruese të fortifikimeve është ajo me planimetri ovale. Shembulli më tipik është kalaja e Bilishtit, muri mbrojtës i të cilës me planimetri eliptike, rrethon pjesën më të lartë të kodrës së saj. Forma të ngjashme planimetrike paraqesin kalaja e Kakaçit dhe ajo e Gjonomadhit(Korçë), kalaja e Hollmit(Kolonjë) etj.

Në disa raste, pjesa më e mbrojtur e platformës së kodrës së rrethuar me mure, ndahej nga një mur tërthor, që krijonte një farë “akropoli”, që shërbente si vendstrehim i fundit, siç ndodh në kalanë e Bellovodës. Në kalanë e Podgories “akropoli” ndodhet në skajin më të mbrojtur nga natyra të platformës dhe formon një rrethim të pavarur.

Një zgjidhje tjetër planimetrike e fortifikimeve me akropol është ajo kur muret rrethuese formojnë rrathë koncentrikë.Rrethi i parë zë majën e kodrës, ndërsa tjetri më i madh shpatet e saj. Shembuj të këtij tipi janë kalaja e Hadërajt(Vlorë), kalaja e Luarasit(Korçë), kalaja e Bllacës(Pogradec) etj.

Ka edhe fortifikime të ndërtuara në shpatin e një kodre dhe kjo ndodh kur njëra faqe e kodrës bie me pjerrësi të butë dhe krijon shpesh tarraca të përshtatshme për banim, ndërsa anët tjera i besohen mbrojtjes natyrore. Këto fortifikime zakonisht kanë dy a më shumë rrethime. Muret krijojnë gjysmërrathë që pasojnë njeri tjetrin. Këtu përfshihen kalaja e Drishtit(Shkodër) ku ka dy mure rrethuese, prej të cilëve, muri i parë zë majën e kodrës, ndërsa muri tjetër linjën e kontureve të shpatit. Në kalanë e Karosit(Qeparo)fortifikimi përbëhet nga 3 harqe muresh në anën lindore, që komunikojnë me hyrje të thjeshta. 

Kalaja e Trajanit paraqet tipin më të ndërlikuar me shumë rrethime. Fortifikimi me perimetër 3km përfshin brenda mureve 22 ha. Në rast rreziku këtu mund të strehohej e gjithë popullsia e zonës përreth. Kjo është një nga vendbanimet e fortifikuara prehistorike më të mëdha të territorit të Ilirisë. Ajo ngrihet mbi një kodër 400 m të lartë. Faqet e kodrës kanë një pjerrësi të madhe me përjashtim të anës jugperëndimore, ku hapet një tarracë e gjerë natyrore e përshtatshme për banim. 

Në literaturën tonë arkeologjike janë bërë disa herë përpjekje për një klasifikim tipologjik e deri diku edhe kronologjik të vendbanimeve të fortifikuara ilire të periudhës pre e protohistorike të territorit të Shqipërisë.Meqenëse studimet janë nisur nga kritere të ndryshme, edhe përfundimet e arritura ndryshojnë midis tyre. Një vështirësi në lëtë drejtim paraqet edhe fakti se në pjesën më të madhe të këtyre vendbanimeve nuk janë kryer gërmime sistematike gjë që do të mundësonte përcaktimin kohor më të saktë të tyre. 

M. Korkuti, duke patur parasysh të gjithë vendbanimet e fortifikuara ilire të periudhës së hershme të hekurit në territorin e Shqipërisë, duke u nisur nga pozicioni i këtyre vendbanimeve, madhësia e sipërfaqes dhe lloji i fortifikimit, dallon dy faza evolutive në ngritjen e vendbanimeve të fortifikuara, faza Tren dhe faza Gajtan.

S. Islami mendon se këto karakteristike, edhe pse në ndonjë rast mund të jenë të vlefshme, nuk janë të mjaftueshme për një diferencim kronologjik të fazave të përmendura.  Ai mendon se vendbanimet e tipit Gajtan “kanë qenë qendra të fiseve të ndryshme, por akoma jo qytete”

Më vonë, M. Korkuti i është rikthyer këtij problemi, duke gjurmuar dhe studiuar vendbanimet e fortifikuara të Shqipërisë jugperëndimore, ku ka bërë edhe gërmime arkeologjike në kalanë e Badhrës. Pas këtyre gërmimeve ai veçon tri faza zhvillimi të vendbanimeve të fortifikuara në këtë pjesë të Shqipërisë, që përfshijnë kohën nga bronzi i vonë (1500 p.e.s) deri në shek. VI p.e.s, të emërtuara: 

  • Faza Badhër
  • Faza Karros
  • Faza Kalivo

Meqenëse këto faza njihen qoftë edhe të shkëputura edhe në krahina tjera të Shqipërisë, M. Korkuti këtë klasifikim e ka shtrirë për të gjithë territorin e vendit, duke i shtuar klasifikimit të tij të mëparshëm prej dy fazash edhe një fazë të tretë, si më poshtë:

  • Faza Tren(Badhër) i përket periudhës së vonë të bronzit dhe fillimit të asaj të hershme të hekurit(shek. XII-IX pes)
  • Faza Gajtan(Karos) tipike për fazën e zhvilluar të periudhës së hershme të hekurit(Shek. VIII-VII pes)
  • Faza Kalivo ose protourbane, tipike për fazën e vonë të periudhës së hershme të hekurit(shek. VI-V pes).

N. Ceka, duke u marrë me problemin e vendbanimeve të fortifikuara të periudhës së hekurit, dallon dy tipe vendbanimesh :

  • Vendbanime të tipit Trajan-Gajtan, ose preurbane
  • Vendbanime të tipit Kalivo ose protourbane.

K. Zhegu duke u nisur nga kriteri i teknikës së ndërtimit të mureve rrethuese, dallon dy faza në zhvillimin e vendbanimeve të fortifikuara:

  • Faza I më e hershme përfshin vendbanimet e rrethuara me gurë të papunuar të lidhur në të thatë, që ai e emërton”mur i thatë me gurë të papunuar”.
  • Faza II më e vonë dallohet nga përdorimi i gurëve të punuar me çekan në faqen mbështetëse dhe në ato anësore, që ai e quan” mur i thatë me gurë të punuar me çekiç”.

Funksioni i këtyre vendbanimeve është i dyfishtë. Ata kanë shërbyer si vendbanime për një pjesë të banorëve të fisit, kryesisht për aristokracinë fisnore dhe si vendstrehime në raste rreziqesh për të gjithë banorët e zonës. Këto lloj vendbanimesh janë të organizuara në bazë të lidhjeve të gjakut dhe shërbejnë si vendbanime për formacione të ngushta fisnore. Në rastet kur disa prej tyre janë të grupuar në një sistem të vetëm fortifikimi të një zone të caktuar, siç janë vendbanimet rreth Shkodrës, Elbasanit apo Korçës, ato i përgjigjen më mirë organizimit fisnor federativ.

Në fazën II dhe III të periudhës së hershme të hekurit një pjesë e këtyre vendbanimeve kthehen në qendra të prodhimit zejtar dhe fitojnë tipare të reja, që i bëjnë ato të qëndrojnë më afër një qendre urbane se sa një vendbanimi prehistorik, prandaj me të drejtë janë quajtur qendra protourbane.

S. Islami, F. Prendi dhe M. Korkuti kanë shprehur mendimin se vendbanimet e fortifikuara të tipit Gajtan janë vendet ku zhvilloheshin proceset ekonomiko-shoqërore që përgatisnin lindjen e qytetit dhe se ato në një etapë të caktuar të zhvillimit historik shërbyen si baza kryesore e procesit të urbanizimit të vendit. Më qartë se kudo ky fenomen duket në Lis dhe Zgërdhesh, ku ruhen gjurmët e fortifikimeve të banimeve paraqytetare, dhe ku të dhënat stratigrafike dhe tipologjike të mureve dëshmojnë për një vazhdimësi të pandërprerë nga vendbanimi i tipit protourban në atë urban.

Sipas N. Ceka, “mendimi arkeologjik shqiptar bashkohet me pikëpamjen se ishte pikërisht ky tip vendbanimi (vendbanimi i fortifikuar) ku u zhvilluan proceset ekonomiko-shoqërore që  përgatitën klushtet për zhvillimin e jetës qytetare në Iliri”.

Duke u marrëme këtë problem, N. Ceka ka tërhequr vëmendjen mbi ekzistencën e fazës protourbane dhe të qendrave protoqytetare, “ku u vendosën elementët shoqëror të shkëputur nga rendi fisnor, të lidhur me ekonomin  e prodhimit dhe të shkëmbimit të mallrave”. Ai ka sqaruar gjithashtu se “ky proces zhvillohet njëkohësisht si në vendbanimet e fortifikuara ashtu edhe në ato të hapura, që përmbanin premisat për formimin paralel të qytetit dhe të fshatit antik”.

Fortifikimet me mure guri njihen edhe në krahinat qendrore e veriore të Ilirisë. Rrafshnalta e Glasinacit në Bosnje, përveçse ka një mbrojtje të fuqishme natyrore, rrethohet edhe nga një zinxhir fortifikimesh dhe vendbanimesh të fortifikuara, që zënë pikat dominuese, mbyllin vendkalimet dhe grykat e luginave. Deri tani në Glasinac njihen 47 vendbanime të fortifikuara prehistorike. Në pllajën e Durmos(Bosnje) në territorin e banuar nga fisi ilir i dalmatëve, janë konstatuar 37 vendbanime të tilla të fortifikuara.

Vendbanimet e fortifikuara i gjejmë të vendosur në njëmjedis të pasur me toka buke e kullota, që formonin bazën e ekonomisë së tyre. Në disa raste, siç tregojnë të dhënat arkeologjike, në to zhvillohej edhe një veprimtari e kufizuar zejtare. Rreth tyre gjendeshin vendbanimet e hapura fshatare, me të cilat formonin së bashku njësi të caktuara ekonomiko – shoqërore.  

Filed Under: Politike

Pritje madhështore Kryeministrit Albin Kurti nga komuniteti shqiptaro-amerikan “Hasan Prishtina” në Waterbury, Connecticut, SHBA

October 3, 2024 by s p

Miradije Rizvani Klenja/

Me datë 29-09-2024 në qytetin e Waterbury të Connecticut, komuniteti shqiptaro-amerikan “Hasan Prishtina” priti në vizitë kryeministrin e Republikës së Kosovës z. Albin Kurti dhe Ministren e Punëve të Jashtme dhe Diasporës znj. Donika Gërvalla Szhwartz.

Pritja e ngrohtë dhe e përzemërt e aq madhështore u shoqërua me një ceremoni artistike ku grupi i valltarëve të vegjël të veshur me kostume tradicionale shqiptare përforcoi me këngë e valle nga folklori popullor shqiptar. Në sajë të mërgatës shqiptare në Amerikë fjalë rasti mori kryetari i komunitetit z. Agim Ismaili i cili mes tjerash u shpreh duke falenderuar kryeministri përzemërsisht që ndodhej midis nesh.

Më pas fjalë rasti mori znj. Miradije Rizvani Klenja e cila shpalosi themelimin e Komunitetit formuar nga viti 1983 dhe kontributin e kësaj shoqate në ruajtjen e vlerave dhe traditave kombëtare ndër breza për ata fëmijë që lindin dhe rriten në SHBA si dhe kontributin e mërgimtarëve shqiptarë në mbrojtjen e Kosovës dhe financimin e UÇK-së për lirinë e Kosovës. Momenti më frymëzues dhe më i veçantë ishte kur kryetari i qytetit të Waterbury Paul K Pernerewsky Jr. kryeministrit Kurti ia dhuroi çelësin e qytetit në shenjë mirënjohje.

Më pas fjalë mbështetëse për kombin tonë foli edhe senatori amerikan Richard Blumenthal i cili shpalosi mbështetjen e pareshtur të SHBA -ve për pavarësinë e Kosovës nëpërmjet ish ambasadorit dhe mikut të përjetshëm të shqiptarëve Wiliam Walker. Falemenderime të përzemërta në emër të komunitetit tonë dhe gjithë shqiptarëve që jetojnë në Waterbury dhe rrethinë, edhe për zëvendësministren Gërvalla Schwartz, bijen e veprimtarit të shquar Jusuf Grvalla, zëvendësen e saj Liza Gashi, Konsullin e Përgjithshëm të Kosovës në New York Blerim Reka për vizitën dhe momentet e bukura që kaluam bashkë.

Foto: Geralld Nikoliqi

Filed Under: Emigracion

𝗭𝗴𝗷𝗲𝗱𝗵𝗷𝗲𝘁 𝗽𝗿𝗲𝘀𝗶𝗱𝗲𝗻𝗰𝗶𝗮𝗹𝗲 𝗻𝗲̈ 𝗦𝗛𝗕𝗔: 𝗽𝘀𝗲 𝘀𝗼𝗻𝗱𝗮𝘇𝗵𝗲𝘁 𝗴𝗮𝗯𝗼𝗷𝗻𝗲̈ 𝗱𝗵𝗲 𝗽𝘀𝗲 𝗔𝗺𝗲𝗿𝗶𝗸𝗮 𝗸𝗮 𝘀𝗶𝘀𝘁𝗲𝗺 𝘂𝗻𝗶𝗸 𝘁𝗲̈ 𝘇𝗴𝗷𝗲𝗱𝗵𝗷𝗲𝘀 𝘀𝗲̈ 𝗣𝗿𝗲𝘀𝗶𝗱𝗲𝗻𝘁𝗶𝘁!

October 3, 2024 by s p

𝗗𝗿. 𝗕𝗹𝗲𝗱𝗮𝗿 𝗞𝘂𝗿𝘁𝗶

(𝗔𝗹𝘂𝗺𝗻𝗶 𝗶 𝗗𝗲𝗽𝗮𝗿𝘁𝗮𝗺𝗲𝗻𝘁𝗶𝘁 𝗔𝗺𝗲𝗿𝗶𝗸𝗮𝗻 𝘁𝗲̈ 𝗦𝗵𝘁𝗲𝘁𝗶𝘁)/

Keni dëgjuar nga media se Trump apo Harris kryeson në sondazhe? Se amerikanët do votojnë më shumë për njërin apo tjetrin? Mos u besoni shumë sondazheve nëse nuk e njihni se si funksionon sistemi i zgjedhjes së Presidentit të SHBA. Nëse nuk e njihni këtë sistem, mos u shqetësoni, mos u ndjeni të paditur sepse shumica e botës nuk e di. E përse? Sepse është unik në glob dhe nuk ka asnjë shtet tjetër që i përafrohet.

Si fillim, amerikanët nuk votojnë drejtpërdrejtë për Presidentin. SHBA përbëhet nga 50 shtete, e secili shtet ka një numër të caktuar delegatësh në varësi të popullatës. Qytetarët votojnë për delegatët e më pas delegatët votojnë për Presidentin. Shteti me delegatët më të shumtë është Kalifornia. Me 54 të tillë. Partia që merr numrin më të madh të votave i merr të gjithë këta delegatë. Humbësi merr zero. Edhe pse mund të ketë marrë me miliona vota të qytetarëve. Kush merr Kaliforninë siguron më shumë kandidatë se sa kundërshtari që mund të fitojë 10 a më shumë shtete të tjera me numra të paktë delegatësh, si Alaska – 3, North Dakota – 3, South Dakota – 3, Delaware – 3, Vermont – 3, Idaho – 4, Hawaii – 4, Maine – 4, Montana – 4, Idaho – 4, New Hampshire – 4, Rhode Island – 4, etj.

Ky quhet Kolegj Zgjedhor. Që do të thotë që edhe nëse një kandidat për President merr më shumë vota në rang kombëtar nuk bëhet President sepse kundërshtari ka siguruar numrat e mjaftueshëm të delegatëve, që është mbi 270. 5 nga 46 presidentë u ulën në Shtëpimë e Bardhë edhe pse nuk fituan votën popullore kombëtare. Ndaj edhe sondazhet kombëtare nuk vlejnë aspak. Përdoren vetëm për të ndikuar te opinioni publik. Sondazhet e sakta që vlen të ndiqen janë brenda shteteve, jo te të gjitha pasi shtetet janë të pozicionuara tashmë në republikanë apo demokratë, por më saktësisht “swing states” ato që lëvizin nga njëra parti te tjetra. Për zgjedhjet e nëntorit 2024, këto shtete lëvizëse të votës konsiderohen Arizona, Georgia, Michigan, Nevada, North Carolina, Pennsylvania, Wisconsin. Të marra së bashku këto shtete lëvizëse përbëjnë 93 vota të Kolegjit Zgjedhor. Këto janë përcaktueset e Presidentit të ardhshëm.

Konfuz? A po mendon se Kolegji Zgjedhor duhet hequr?

Janë bërë shumë përpjekje ndër dekada për heqjen e Kolegjit Zgjedhor, e madje ka ndodhur që është aprovuar në Dhomën e Përfaqësuesve por është rrëzuar në Senat. Arsyeja është e thjeshtë. Ky sistem ka funksionuar më së miri për afro dy shekuj e gjysmë. Demokratët kërkojnë ta heqin, Republikanët ta ruajnë, por nuk është zhbërë pasi ka funksionuar e mbi të gjitha ruan pavarësinë e çdo shteti të SHBA, ruan moton “E Pluribus Unum” – Nga shumë një. 50 shtete me autonominë e tyre e megjithatë një.

Etërit amerikanë ishin njerëz tejet të zgjuar e vizionarë. Ata ngritën një sistem balancash midis shteteve të SHBA dhe qeverisë federale, dhe krijuan filtra që mbrojnë popullin nga qeveria por edhe qeverinë nga populli. Ata krijuan një shtet Republikë e jo Demokraci ku shumica sundon. Një temë që do e shtjelloj në një shkrim të mëvonshëm.

Por ajo që duhet theksuar është që çdo sistem që siguron balanca të pushtetit funksionon. Çdo sistem që forcon pushtetin e një individi është i destinuar të dështojë.

Filed Under: Ekonomi

Protesta masive për arsimin në vjeshtën e ‘97 ës në Kosovë

October 3, 2024 by s p

Fatlinda Bajçinca- Gashi/

E drejta për arsim shprehet në një numër të madh dokumentesh të Kombeve të Bashkuara dhe të të drejtave të njeriut, përfshirë Paktin Ndërkombëtar të të Drejtave Ekonomike, Shoqërore dhe Kulturore (neni 14), dhe Konventa për të Drejtat e Fëmijës (neni 28,29). Pasuruar me dokumente të tjera në lidhje me të drejtën për arsimim, si Deklarata Botërore për Arsim për të Gjithë( neni I,III, IV, VI, VII). Arsimi është e drejtë themelore. Është investimi i vetëm më i mirë që vendet mund të bëjnë për të ndërtuar shoqëri të begata, të shëndetshme dhe të barabarta ( neni 26), i Deklaratës Universale të të drejtave të Njeriut 1948. Më 1990- 1991 pushtuesit serbë vënë dry nëpër çdo institucion arsimor të Kosovës duke synuar ta ndalonin arsimimin në tërësi. Pa të drejtë arsimimi nëpër institucione, pa të drejtën e shërbimeve mjekësore nëpër ambulanta, spitale, pa të drejtë pune për kategoritë si: industri, miniera-xehtari, ekonomi, juridiksion, arsim, mjekësi, presioni sa vinte e rritej. Përdornin çdo mjet duke pretenduar ta nënshtronin popullin liridashës shqiptar dhe ta arrinin dorëzimin para pushtetit barbar serb.

Në vjeshtën e 1997’s afërsisht 30.000 studentë, shumë profesorë e intelektualë të tjerë me në krye prof. dr. Ejup Statovci( 1940-1999), bashkë me mbi 100.000 qytetarë marshuan- protestuan në mënyrë paqësore rrugëve të Prishtinës.

Kërkesë e jona ishte lirimi i pakusht i hapësirave arsimore universitare të okupuara padrejtësisht nga regjimi i dhunshëm serb. Në pranverën e vitit 1990 me datë 21 dhe 23 mars në ambientet e shkollave ku zhvillonin mësimin nxënësit shqiptar, u hodh helm (dimetil-phosphoditionat, sarin), dhe helme tjera të rrezikshme nëpër shkollat e qyteteve kryesore të Kosovës: Prishtinë, Podujevë, Ferizaj, Gjilan, Vushtrri, Mitrovicë etj. Gjithsej ishin 8 mijë nxënës të helmuar. Sulm tronditës dhe një ndër aktet më antinjerëzore që i njeh historia që pas luftës së Dytë Botërore.

Sërish më 1 shtator të vitit 1991 në oborrin e shkollës fillore “ Dardania” në lagjen Dardania, Prishtinë u atakuam me një akt brutal. Mbi 400 nxënës u bllokuam në objektin e shkollës si presion të pranohej planprogrami mësimor i Serbisë.

Rrugës për në protestën e 1 tetorit të ‘97- ës secili nga studentët jam e bindur që kishim përvoja po kaq të hidhura në raport me regjimin serb. Andaj s’kishte frikë nëpër rrugët e Prishtinës. Kishte këmbungulje e besim, pavarësisht faktit që protesta zhvillohej përballë policisë serbe të armatosur rëndë. Protestuesit ishin paqësorë dhe vazhdonin rrugës për në lagjen Velania ( Prishtinë), por të vetëdijshëm se ishim përballë një regjimi që e njihnim mirë për represionin, për të bëmat e llahtarshme ndaj nesh dhe nëpër Ballkan. Shpërtheu ndërhyrje e dhunshme, hedhje e gazit lotësjelles dhe dhunë brutale nga policia serbe mbi studentët dhe të gjithë protestuesit.Ne nuk ndaleshim, nuk dorëzoheshim. Me të drejtë na quajnë brezi i sakrificës dhe kthesës historike. 1 Tetori ishte akt sublim.

Filed Under: Reportazh

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 881
  • 882
  • 883
  • 884
  • 885
  • …
  • 2940
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • The Alliance That Doesn’t Exist
  • MAXIMILIAN LAMBERTZ – DIJETARI AUSTRIAK QË IA KUSHTOI JETËN STUDIMIT TË GJUHËS DHE FOLKLORIT SHQIPTAR
  • Shkodër, 8 prill 1937, kur vetëdija jonë kombëtare u lartësua nga “Lahuta e Malcis”, rrokaqielli i eposit në vargje i At Gjergj Fishtës
  • MASAKRA E TIVARIT DHE AJO NË FRONTIN E SREMIT – KRIM KUNDËR NJERËZIMIT!
  • MËRGIM KORҪA – “HISTORI TË PASHKRUARA”
  • Një jetë në shërbim, një dekadë në bashkim
  • MBRESAT E MIA ME KOMUNITETIN SHQIPTAR KËRÇOVAR NË OLLTEN TË ZVICRRES
  • Misioni i Madh i Studentave të Shkupit! Shqiptar bashkohuni studentave!
  • NJË GJUHË, NJË IDENTITET – STUDENTËT DALIN NË MBROJTJE TË SHQIPËS
  • “Shqiptarët e Amerikës” ndjekin me shqetësim të thellë zhvillimet e fundit në Maqedoninë e Veriut
  • Eshtrat e Hasan Tahsinit duhet të sillen në atdhe
  • “Irani dhe Siguria Kombëtare”!
  • Pamja e Hënës të cilën nuk jemi mësuar ta shohim
  • Analizë strategjike: Roli i SHBA-ve dhe ndikimi i NATO-s në suksesin operacional ushtarak
  • MICKOSKI DHE POLITIKA E KAMUFLUAR NË BALLKAN

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT