• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

A ËSHTË SHËNDETI MALL ?

June 18, 2024 by s p

Dr. Shefqet Deliallisi/

Iniciativa private, tregu i lirë, konkurenca, privatizimet, shpesh paraqiten si “çelsi i artë” për zgjidhjen e problemeve të sistemit shëndetsor. Sigurish që është një kundërpërgjigje radikale ndaj super-centralizimit të sistemit që lamë pas, apo ndryshimeve mbresëlënese të sektorëve të tjerë, në sajë të forcave të tregut. Por a janë forcat e tregut mekanizmi i vetëm i regullues i sistemit shëndetsor?

TË GJITHË TË PAKËNAQUR, TË GJITHË NË REFORMË..

Të gjithë vendet janë të pakënaqur me sistemin shëndetsor. Dikush kërkon më shumë mekanizma tregu, dikush më shumë solidaritet social. Dikush thotë sistemi vuan nga mungesa e konkurencës, dikush konkurenca e tepërt e dëmton. Ndryshe mendojnë ekonomistët, që e shohin kujdesin shëndetsor si një industri shërbimesh dhe fokusohen në aspektin “industri,” duke nënkuptuar treg, konkurencë, por dhe pabarazi. Ndryshe politikëbërësit dhe qytetarët, që fokusohen në aspektin “shërbim,” duke nënkuptuar nevojë, detyrë, drejtësi sociale Të gjitha vendet janë në reformim të sistemit shëndetsor. Reformim pambarimisht i gjatë. Në reformë sitemi shëndetsor Amerikan, Kanadez, Britanik. Në reformë sitemi në Gjermani, Danimarkë, Hungari, Greqi, Turqi, Bullgari, Kroaci, Qipro, Estoni, Kazakistan, Rumani, Sllovaki, etj, etj.

Në shumicën e vendeve, politikat shëndetsore janë në gjendje fermentimi, tronditje dhe konfuzioni … asnjë zgjidhje e lehtë nuk propozohet, mbasi, asnjë e tillë nuk egziston.

Duke u përballur nga njëra anë me presionin e financimit të sistemit shëndetsor, nga ana tjetër me dështimin në shpërndarjen e tij, politikëbërësit kërkojnë zgjidhje radikale.

REVOLUCIONI DHE KUNDËREVOLUCIONI

Në librin “E ardhmja e politikave shëndetsore” , më tërhoqën vëmendjen dy kapituj, renditur njëri pas tjetrit. “Revolucioni i konkurencës i viteve 80-të” dhe “Kundërevolucioni i financimit të kujdesit shëndetsor.” Në kapitullin e parë flitej për “revolucionin” e sistemit shëndetsor të viteve 80, funksionimin e tij sipas koncepteve të industrisë, ligjeve të tregut të lirë, konkurencës. Në të dytin, 20 vjet më pas, bëhej fjalë, tashmë për nevojën e një “kundërrevolucion”, mbasi “revolucioni”…. kish dështuar!!!

Po le të kthehemi në vitet 80-të. Ishte koha kur në vendet e zhvilluara mjeksia shkencore, pa zhurmë po zhvendoste funksionin social dhe “apostolik” të mjeksisë, rolin ngushëllues, këshillues, me pak fjalë efektin placebo, apo “ilaçin doktor”. Ishte koha kur si pasojë e shpërthimit të dijeve mjeksore, komercializimit të praktikës mjeksore, sistemi shëndetsor doli jasht kontrollit. U bë më i pabarabartë dhe shumë më i shtrenjtë…… Ishte koha kur Regani në Amerikë dhe Thatcher në Britani, adoptuan ideologjinë ekonomike sipas të cilës kontrolli dhe drejtimi i gjithë aspekteve të jetës mund të realizohej nëpërmjet e forcave të tregut, të cilat mund të kontrollonin rezultatin, shpërblenin apo penalizonin ekonomikisht individët për arritjet apo dështimet. Principet e tregut u konsideruan universale. Madje u shkua deri aty sa, nëse diçka ishte gabim, “ishte jo-mjaftueshëm si tregu!!!”. Kjo ideologji ekonomike u aplikua edhe në sistemin shëndetsor. Avokati më i fuqishëm i saj ishte këshilltari i Reganit, sekretar i Shëndetit, Edukimit dhe Çeshtjeve Sociale(1977-79) Joseph Califano, i cili idetë e tij i shprehu në librin “Revolucioni Amerikan i Kujdesit Shëndetsor” Kush jeton? Kush vdes? Kush Paguan ?” (1986).

Califano impononte një set levash ekonomike si promovimi i fuqishëm i pagesave DRG, menaxhimin e kujdesit shëndetsor, kontrollin e mjekëve nëpërmjet incentivave ekonomike. Sipas tij, zgjidhja ishte : më shumë treg, më shumë konkurentë, dhe më shumë presion konkurence. Califano u përpoq që “sëmundjen” e sistemit shëndetsor ta shëronte duke përdorur ”ilaçin” treg. Por koha tregoi se ky “ilaç” nuk e përmirësoi gjëndjen. Gabimi themelor ishte mos-konsiderimi i shëndetit si një mall i veçantë.

SHËNDETI MALL, PO EDHE NJË E DREJTË NJERËZORE

Në sistemin kapitalist shëndeti, si çdo gjë tjetër, kthehet në mall mbasi hyn në përdorim, furnizimi me të nuk është pa kufi, kërkesa për të është në raport të zhdrejtë me çimin e tij. Duke u konsideruar mall, përdoruesi duhet të paguajë për të. Por, shëndeti ndryshe nga mallrat e tjera është më pak i qartë, është vështirë të tregtohet ndërmjet personave, në masë të madhe vetë-prodhohet, kërkon bashkëpunimin njerëzor mjek- pacient, dhe jo mardhënie të ftohta komerciale shitës-blerës, ndikohet fuqishëm nga konsumimi i mallrave të tjera. Të gjitha këto vështirësojnë matjen, vlerësimin e shëndetit. Bëjnë që tregu i shëndetit të jetë jo një treg i regullt konkurence, sipas modelit tradicional të konkurencës së pastër që përshkruhet në tekstet e ekonomisë.

Në të njejtën kohë, sipas shumicës, shëndeti konsiderohet një e drejtë njerëzore. Si e tillë nuk duhet të alokohet si mallrat e tjerë, në bazë të aftësisë për të paguar. Dhe, kur një shërbim shpërblehet si e drejtë, pa u siguruar në treg, de-mallizohet. Por ndërsa mallizimi i plotë i shëndetit në sistemin kapitalist është i mundur, de-mallizimi i plotë i tij jo. Konsiderimi i shëndetit si mall pa çmim (“I pa çmuar” siç zakonisht thuhet) krijon probleme në prodhimin dhe furnizimin me të.

Pra, njëkohësisht kërkohet që shëndeti të gëzojë edhe atributet e drejtës njerëzore, edhe ato të mallit. Të jetë si një “ishull” socialist në “oqeanin” kapitalist.

Është pikërisht ky dualizëm që e bën shëndetin mall të veçantë dhe ndërlikon problemet.

ROLI I TREGUT

Sipas ideve neo-liberale, tregu i lirë i bazuar në kërkesë-ofertë, rregullon në mënyrë natyrale prodhimin dhe furnizimin me shërbimin e kujdesit shëndetsor. Në sajë të konkurencës natyrale ai siguron shërbim cilësor, madje me kosto të ulët. Ndonëse idetë neo-liberale janë përqafuar gjerësisht, asnjë sistem shëndetsor perëndimor nuk është plotësisht i rregulluar sipas sistemit të tregut të lirë (madje edhe Amerika ka kujdese shëndetësore publike si Medicaid dhe Medicare). Ende në vende të ndryshme perëndimore sitemet shëndetsore janë të organizuar rreth vlerave të solidaritetit.

Në Europë zakonisht flitet për një sistem shëndetësor “quasi-market,” ku sigurimi i kujdesit shëndetsor i është lënë konkurencës së tregut, ndërsa financimi, dhe në disa raste edhe shitja e tij, bëhet nga shteti. Kjo për faktin se tregu i lirë e ka të pamundur të sigurojë një alokim social optimal të resurseve.

ROLI QEVERISË

Ajo që sot tërheq vëmendjen është se pothuaj në të gjitha vendet e industrializuara vërehet zgjerimi i ndërhyrjes së qeverisë në sektorin shëndetsor. Ndonëse këto vende kanë përqafuar politika liberale, tregun e lirë, privatizimin, etj, kur flitet për sigurimet shëndetsore dhe kujdesin shëndetsor, qeveritë e tyre luajnë një rol të konsiderueshëm regullues si subvencionuese, rimbursuese, blerëse direkte apo prodhuese të kujdesit shëndetsor, apo shpërndarëse të tij. Dhe kjo ndodh ndonëse dihet që kontrolli burokratik që shoqëron ndërhyrjen e qeverisë, nuk favorizon një kujdes shëndetsor kosto-efektiv me cilësi të lartë, kur është provuar se kontrolli i gjithanshëm i qeverisë mbi kujdesin shëndetsor nuk ka mirëfunksionuar në asnjë vend.

Në fakt ekonomistët i kanë kushtuar vëmendje ndërhyrjes së qeverisë dhe pasojave. Ndërsa M.Fridman e ka argumentuar ekspansionin e qeverisë, si një politikë mjaft të gabuar, Stigler(1975) është më racional : “ Nëse një politikë ekonomike përqafohet nga shumë komunitete, apo ndiqet nga shoqëria në mënyrë të vazhdueshme, për kohë të gjatë, është mirë të pranohet, mbasi tashmë efektet reale të saj janë të njohura dhe të dëshiruara.” Madje edhe Von Hayek (2000), një prej avokatëve më të mëdhenj të noe-liberalizmit, mendon se fushat ku shteti mund të luajë një rol të rëndësishëm, pa dëmtuar liritë individuale janë pikërisht shëndeti dhe arsimimi. Problemi, sipas tij, krijohet kur shteti,qeveria, kalojnë masën si ridistributor i të mirave materiale, shërbimeve dhe të ardhurave.

SI PËRFUNDIM…

Sigurisht, tregu është një mekanizëm i fuqishëm regullues, konkurenca një komponent i rëndësishëm që ai të funksionojë mirë. Por konkurenca në kujdesin shëndetsor duhet të menaxhohet, dhe qeveria duhet të jetë menaxhuesja kryesore.

Të gjithë vendet moderne përdorin kombinimin e mekanizmave rregullues tregut dhe qeverisë. Por, propocioni ndryshon së tepërmi nga një vend në tjetrin, madje, dhe nga një kohë në tjetrën, në të njejtin vend. Ruajtja e një ekuilibri të domosdoshëm ndërmjet rolit të qeverisë (politikës), dhe rolit të tregut (ekonomisë), është e domosdoshme.

Në librin

“Në labirintin e reformës shëndetsore (ONUFRI 2013)

Filed Under: Sociale

SEMANTIKA E VARIETETIT – KËRKIME NË FJALËSIN E VEPRËS LETRARE TË BEQIR MUSLIUT

June 18, 2024 by s p

Prof. Begzad Baliu – Dr. Faton Krasniqi/

Beqir Musliu (Gjilan, 1945 – 1996), i takon brezit të krijuesve të gjysmës së dytë të shekullit XX, kryesisht viteve ‘60-’80, i cili në letrat shqipe paraqitet me poezinë, prozën, dramën dhe kritikën letrare, përkatësisht teatrore. Shkrimtari Beqir Musliu, që në vitet ’60 paraqitet me krijimet letrare duke botuar në fund të kësaj dekade njërën prej vëllimeve më të mira me poezi “Bukuria e zezë“ (1968). Me këtë vepër dhe me veprat që do t’i pasvinë deri në fund të viteve ’70 (Rima të shqetësuara“ (1965); “Lulëkuqet e gjakut“ (1966); “Skënderbeu ose shqiponja e maleve“ (1968); “Sezamet“ (1972); “Parabola“ (1976); “Darka e magjisë“ (1978); “Skënderbeu“ (2004) dhe “Orfeiana“ – Shtatë Libra Anatema (2004), Beqir Musliu do të shënojë majat më të larta të poezisë moderne shqipe.

Në vitet ’70 Beqir Musliu iu bashkohet shkrimtarëve të cilët në mënyrë të veçantë do të merren me krijimtarinë romanore, për të vazhduar edhe në vitet ’80, kur krahas romanit shkruante edhe dramën. Kështu, ai gjatë këtyre viteve ka shkruar disa vëllime me tregime dhe romane, por disa nga këto i ka botuar gjatë viteve ’70 e ’80, e pjesën më të madhe në vitet 2000: Vegullia“ (1979); “Mbledhësit e purpurit“ (1982); “Kori i gjelave të vdekur“ (2002); “Makthi“ (2004); “Amullia“ (2004), “Krupa“ (2004), “Skërluta“ (2004) dhe “Ndeshtrasha“ (2004). Në jetën letrare dhe kulturore Beqir Musliu do të veçohet në mënyrë të veçantë me shkrimin e dramave, një gjini letrare jo shumë e arrirë në letrat shqipe në Prishtinë dhe në Tiranë. Kjo sigurisht edhe është arsyeja pse veprat e tij dramatike do të botohen në Prishtinë dhe në Shkup.

Dramat e tij do të botohen veç e veç në revistën letrare të Prishtinës “Jeta e re” dhe në revistën letrare të Shkupit “Jehona”, do të shfaqen në Teatrot e këtyre qyteteve dhe do të realizohen edhe në televizionin e atëhershëm të Prishtinës. Ato gjithashtu do të botohen edhe në dy vëllime të përbashkëta: “Shtrigani i Gjel-Hanit“ – libër-teatër, tetralogji” (Prishtinë, 1989), brenda të cilit ishin janë përfshirë dramat: “Unë Halil Garria” (1989); “Faustiana” (1989); “Ora e Kukuvajkës” (1989); “Panairi i Gjilanit” (1989); si dhe në vëllimin “Rrakullima“, II (teatër – libër, tetraptik) (Shkup, 1990), në të cilin janë përfshirë dramat: “Murana” (1990), “Kori i Korbave” (1990), “Familja e Shenjtë” (1990) dhe “Antifona” (1990). Gjatë gjithë kësaj kohe Beqir Musliu është marrë edhe me kritikën letrare dhe sidomos me kritikën teatrore, të cilat në veprën tonë nuk kanë qenë objekt hulumtimi.

Gjuha e krijimtarisë së tij në poezi dhe në prozë është e pasur në shumë aspekt: në kontekstin gramatikor, leksikor, sintaksor dhe stilistik e semantik. Megjithëse e vjelë nga tri gjini letrare: poezia, proza dhe drama, gjuha e poezisë së tij, struktura leksikore, gramatikore, sintaksore dhe madje stilistike nuk dallon shumë as në planin morfologjik as në rrafshin sintaksor e stilistik.

Në këtë vëllim objekt i kërkimit gjuhësor në krijimtarinë letrare të Beqir Muslit janë bërë veprat letrare të tij (poezia, proza dhe drama) dhe në këtë mënyrë ka mbetur jashtë kritika letrare, kritika teatrore dhe publicistika. Prandaj nga korpusi e veprës së tij janë bërë kërkime të përzgjedhura disa nga njësitë leksikore dhe semantike të tij, por jo edhe tërësia gjuhësore e pasurisë leksikore të tij.

E parë në tërësinë leksikore, semantike dhe kontekstuale kërkimet në veprat letrare të Beqir Musliut reflektojnë gjuhën e veçantë, madje togfjalëshin i veçantë dhe temën e poezisë së referencë më vete. Qëllimi kryesor i kërkimit leksikor në poezinë e Beqir Musliut ishte përshkrimi i sistemit fjalëformues, semantik e stilistik i leksikut të poezisë, prozës dhe dramës së tij. Në kërkimet tona gjuhësore në leksikun e Beqir Musliut, kishim parasysh tre prëbërës themelorë: leksikun dhe strukturën gramatikore të tij, përbërësin semantik dhe atë funksional.

Filed Under: LETERSI

Statusi i gruas shqiptare sipas “Statuteve të Shkodrës” dhe një krahasim me gruan serbe në “Kodiku i Dushanit”

June 18, 2024 by s p

Ndriçim Kulla/

Edhe përsa i përket pasurisë së përbashkët brenda familjes, gruaja kishte një status të favorizuar, përderisa brenda familjes gruaja dhe burri kishin të njëjtat të drejta mbi pasurinë e përbashkët. Nëse një burrë e një grua pasi martoheshin dëshironin të jetonin veçmas nga familjet e tyre atërore, gjithçka që fitonin duhet të konsiderohej si e barabartë: gjysma i përkiste bashkëshortit dhe gjysma bashkëshortes. Kjo vlente edhe për dëmet (“Statutet e Skodrës”, kap. 166).

Kur ishte fjala për të punuar jashtë shtëpisë, gratë ishin më pak të favorizuara sesa burrat. Ashtu si kudo në Evropën mesjetare, puna e burrave konsiderohej si më me vlerë sesa puna e grave. Po kështu, gruaja konsiderohej si inferiore në proceset gjyqësore. Ajo nuk lejohej të ofronte ndonjë garanci, dhe në këtë drejtim nuk dallonte nga shërbëtorët, të varfërit, kriminelët apo grupe të tjera që për ndonjë arsye apo një tjetër ishin të margjinuar. Edhe përsa i përket përgjegjësisë për fëmijët, babai kishte shumë më tepër autoritet sesa nëna, duke qenë se ai mund të dëshmonte për çdo fëmijë, vajzë apo djalë, kurse nëna vetëm për djemtë, por jo për vajzat (“Statutet e Shkodrës”, kap. 135).

Përsa i përket moshës së marrjes së përgjegjësisë sociale, sistemi funksiononte si kudo në Evropë. Përsa i përket aftësive për të shkruar, vajzat mund të dëshmonin me shkrim më herët se djemtë. Ndërsa djemtë nuk lejoheshin të shkruanin testament para moshës 14 vjeçare, vajzat mund të shkruanin një të tillë që në moshën 12-vjeçare, (“Statutet e Skodrës”, kap. 160) moshë kjo që korrespondon me atë të martesës sipas të drejtës kanonike. Përgjegjësitë e gruas fillonin gjithashtu herët në jetën e saj, dhe standarde të dyfishta përdoreshin për të matur përgjegjësitë e saj përkundrejt përgjegjësive të burrit, sidomos përsa i përket seksualitetit. Ishte përgjegjësi e gruas të ishte e kujdesshme dhe të ruhej nga rreziqet jashtë shtëpisë. Në raste dhunimi, i vetmi rast kur gruaja besohej plotësisht dhe mbrohej nga ligji ishte kur dhunimi bëhej nga një klerik. Nëse një grua e martuar ankohej që ishte dhunuar nga një klerik, ajo besohej edhe pa pasur dëshmitarë, dhe kleriku duhet të paguante një taksë (“Statutet e Skodrës”, kap. 200).

Koncepti i turpit dhe nderit nuk dalin direkt në pah në statute, por nëse llogarisim Kodin e Lekë Dukagjinit, seksualiteti i gruas sigurisht që ishte nën kontrollin e krerëve të familjes, ndërkohë që seksualiteti i burrit nuk kontrollohej nga askush. Kodi i Stefan Dushanit ishte shumë më i rreptë përsa i përket dhunimit të gruas: “Nëse një fisnik merr me forcë një grua fisnike, le t’i priten të dyja duart dhe hunda. Por nëse një njëri i thjeshtë merr me forcë një grua fisnike, le të varet; nëse ai merr me forcë një grua të sojit të tij, le t’i priten duart dhe hunda”(157). (“Kodiku i Dushanit”, kap. 51). I njëjti nivel brutaliteti aplikohej edhe për gratë: “Nëse një grua fisnike kryen marrëdhënie seksuale me një burrë të një statusi më të ulët, le t’i priten duart dhe hunda” (po aty). (“Kodiku i Dushanit”, kap. 52). Seksualiteti i gruas fisnike ishte pra simbol i nderit dhe i turpit në elitën sociale.

Filed Under: Ekonomi

Bertrand Russell shpjegon se cili është ndryshimi midis filozofisë antike dhe mesjetare?

June 18, 2024 by s p

“Nëse pyesim veten se cili është ndryshimi kryesor midis filozofisë antike dhe asaj mesjetare, mund të themi se të parës i mungonte ndjenja e mëkatit. Për Grekët dhe Romakët e Lashtë, njeriu nuk dukej i prekur nga një ngarkesë personale e trashëguar e mëkatit. Ata me të vërtetë mund të vërejnë se jeta në tokë ishte një gjë e pasigurt që mund të dërrmohej nga ndëshkimi i perëndive. Por kjo në asnjë mënyrë nuk mund të interpretohej si një pjesë e drejtë dhe e barabartë për të këqijat e kryera në të kaluarën. Nga kjo rrjedh se për mendjen greke nuk kishte asnjë problem shëlbimi apo shpëtimi. Prandaj, të menduarit etik të grekëve është, në tërësi, një çështje mjaft jometafizike. Në kohët helenistike, veçanërisht me stoicizmin, një notë pranimi e refuzuar depërton në etikë dhe më vonë u transmetua në sektet e hershme të krishtera. Sidoqoftë, në përgjithësi, filozofia greke nuk u përball me probleme teologjike dhe për këtë arsye mbeti tërësisht laike.

Kur feja e krishterë pushtoi Perëndimin, situata në çështjet etike pësoi një ndryshim rrënjësor. I krishteri e konsideronte jetën tokësore si një përgatitje për një jetë më të madhe që do të vinte, dhe mjerimin e ekzistencës njerëzore si sprova të imponuara ndaj tij për ta pastruar atë nga barra e lindur e mëkatit, të cilës ai ishte trashëgimtar. Por kjo ishte fjalë për fjalë një detyrë mbinjerëzore. Për t’i mbijetuar me sukses provës, njeriu kishte nevojë për ndihmë hyjnore dhe kjo mund të ndodhte ose jo. Aty ku një virtyt grek ishte shpërblimi i tij, i krishteri duhet të jetë i virtytshëm sepse kështu i thotë Zoti. Edhe pse ndjekja e rrugës së ngushtë të virtytit nuk mund të siguronte në vetvete shpëtimin, ai ishte gjithsesi një parakusht. Sigurisht, disa nga këto parime duhet të merren me besim dhe këtu ndërhyn fillimisht ndihma hyjnore. Sepse kërkon hirin e Perëndisë që njeriu të fitojë besimin dhe që këtej e tutje të respektojë artikujt e tij. Ata që nuk mundën të bënin as këtë hap të parë, u mallkuan në mënyrë të pariparueshme.

Në këtë kontekst, filozofia filloi të kishte një funksion fetar. Sepse edhe pse besimi e kapërcen arsyen, besimtarit i takon të forcohet sa më mirë që të mundet kundër dyshimit duke e lënë arsyen të hedhë mbi besimin aq dritë sa të mundet. Filozofia, pra, në kohët mesjetare, bëhet shërbëtore e teologjisë. Për sa kohë që ky qëndrim mbizotëronte, filozofët e krishterë ishin domosdoshmërisht njerëz të kishës. Mësimi laik, për aq sa mbijetoi fare, u ruajt nga klerikët, dhe shkollat, dhe më vonë universitetet, drejtoheshin nga njerëz që i përkisnin njërit apo tjetrit rend të madh fetar. Aparati filozofik që u fut në lojë nga këta mendimtarë shkon prapa tek Platoni dhe Aristoteli. Më konkretisht, lloji Aristotelian fiton epërsinë në shekullin e trembëdhjetë.

Edhe pse, sigurisht, Zoti i hebrenjve dhe të krishterëve është një gjë shumë e ndryshme nga hyjnia aristoteliane, megjithatë është e vërtetë që Aristotelianizmi përshtatet shumë më mirë në skemën e krishterë sesa platonizmi. Teoria platonike është llogaritur të frymëzojë doktrina panteiste, si për shembull, me Spinozën, megjithëse marka e tij e panteizmit është thjesht logjike. Ky bashkim midis filozofisë dhe teologjisë mund të zgjasë për aq kohë sa lejohet që arsyeja të mund të mbështesë besimin në një farë mase. Kur studiuesit françeskanë të shekullit të katërmbëdhjetë e mohuan këtë mundësi dhe e konsideruan arsyen dhe besimin si të parëndësishme reciproke, përgatitet skena për një zhdukje graduale të pikëpamjes mesjetare. Nuk mbetet punë e mëtejshme për filozofinë në fushën teologjike. Duke çliruar besimin nga të gjitha lidhjet e mundshme me kërkimin racional, Uilliam i Okamit e vendosi filozofinë në rrugën e kthimit drejt sekularizmit. Nga shekulli i gjashtëmbëdhjetë e në vazhdim Kisha nuk dominon më në këtë fushë.

Është e lehtë të kuptohet pse Aristoteli është më i adaptueshëm me teologjinë e krishterë sesa Platoni. Duke përdorur gjuhën skolastike, mund ta vendosim çështjen kështu: një teori realiste nuk i lë shumë hapësirë një fuqie hyjnore me ndonjë funksion jetësor në drejtimin e gjërave.

– Bertrand Russell, Urtësia e Perëndimit: një studim historik i filozofisë perëndimore në mjedisin e saj social dhe politik (1959), Ch. V: Scholasticism, fq 168-9

━━

Imazhi i majtë: Portret mermeri romak/kopje e bustit të Platonit nga origjinali grek, me Gorgias (dialog), shekulli i 12-të. Gorgias është një dialog Sokratik i shkruar nga Platoni rreth vitit 380 pes.

Imazhi djathtas: Piktura e Shën Thomas Aquinas; i atribuohet Sandro Botticelli (1481–82) me dorëshkrim Summa Theologiae, Italia e shekullit të 13-të.

Marrë nga https://www.facebook.com/russellbertie

Përgatiti: Albert Vataj

Filed Under: Analiza

Umberto Galimberti – “Rënia e Perëndimit në leximin e Heidegger dhe Jaspers”

June 18, 2024 by s p

Saimir Kadiu/

“Rënia e Perëndimit në leximin e Heidegger-it dhe Jaspers” nga Umberto Galimberti është një vepër që zhytet në thellësi të filozofisë perëndimore, duke eksploruar interpretimet e dy prej mendimtarëve më me ndikim të shekullit të XX. Galimberti, me prozëe tij depërtuese, na udhëzon në një udhëtim që heton kuptimin e rënies kulturore dhe shpirtërore të Perëndimit. Libri është strukturuar si një dialog me idetë e Martin Heidegger dhe Karl Jaspers, dy filozofë që trajtuan konceptin e “perëndimit të diellit” jo vetëm si një fenomen historik apo kulturor, por si një gjendje ekzistenciale e qenies njerëzore.

Galimberti eksploron vizionin e tyre për një Perëndim që ka humbur kontaktin me kuptimin autentik të ekzistencës, i bllokuar në një cikël teknologjie dhe konsumizmi që e ka zbrazur jetën nga kuptimi.

Autori përshkruan se si Perëndimi, në nxitimin e tij drejt përparimit dhe dominimit teknologjik, është distancuar nga çështjet themelore të ekzistencës, duke çuar në një krizë vlerash që kishin parashikuar Heidegger dhe Jaspers.

Galimberti nënvizon se si manifestohet kjo krizë në nihilizmin bashkëkohor, ku kërkimi i kuptimit është zëvendësuar nga efikasiteti dhe funksionaliteti.

Galimberti nuk kufizohet në një analizë kritike; ofron gjithashtu një perspektivë shpresëdhënëse, duke sugjeruar se njohja e perëndimit të diellit mund të jetë hapi i parë drejt një fillimi të ri. Nëpërmjet leximit të Heidegger-it dhe Jaspers-it, ai propozon një reflektim mbi mundësitë e rinovimit kulturor dhe shpirtëror që mund të dalin nga njohja e gjendjes sonë aktuale.

Me një kuptim të thellë të veprave të Heidegger-it dhe Jaspers-it, Galimberti arrin të bëjë të arritshme koncepte komplekse filozofike, duke i ftuar lexuesit në një meditim personal mbi drejtimin e qytetërimit tonë.

Prandaj, “Rënia e Perëndimit” është një tekst thelbësor për këdo që është i interesuar të kuptojë sfidat ekzistenciale dhe kulturore me të cilat po përballet Perëndimi në shekullin e 21-të.

Umberto Galimberti, lindur në Monza më 2 maj 1942, është një filozof, psikanalist dhe profesor universiteti italian. Ai njihet për kontributin e tij në studimin e mendimit simbolik, si student i Emanuele Severinos dhe përkthyes i veprave të Karl Jaspers.

Filed Under: ESSE

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 905
  • 906
  • 907
  • 908
  • 909
  • …
  • 2778
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • “Shënime për historinë antike të shqiptarëve”*
  • Si funksionon sistemi juridik në Shqipëri dhe pse ai ka nevojë për korrigjim?
  • Emisionet postare festive të fundvitit në Kosovë
  • JAKOBSTADS TIDNING (1939) / MBRETI ZOG, SHUMË BUJAR ME BAKSHISHE. — EMRI I TIJ NUK DO TË HARROHET KAQ SHPEJT NGA PRONARËT DHE PERSONELI I HOTELEVE NË VARSHAVË.
  • HAFIZ SHERIF LANGU, DELEGATI I PAVARËSISË TË CILIT IU MOHUA KONTRIBUTI PËR 50 VJET ME RRADHË, KLERIKU DHE VEPRIMTARI I SHQUAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE
  • RIPUSHTIMI I KOSOVËS – KUVENDI I PRIZRENIT 1945
  • Nikola Tesla, gjeniu që u fiksua pas pëllumbave dhe u dashurua me njërin prej tyre
  • Bahamas njeh Kosovën!
  • Legjenda e portës shkodrane, Paulin Ndoja (19 dhjetor 1945 – 16 prill 2025) do të mbushte sot 80 vjeç
  • “Roli dhe kontributi i diplomacisë shqiptare në Maqedoninë e Veriut nga pavarësia deri sot”
  • Marie Shllaku, kur një jetë e re u shndërrua në përjetësi kombëtare
  • Në sinoret e Epirit…
  • Mbrëmë hyri në fuqi Ligji i SHBA për autorizimin e mbrojtjes kombëtare
  • Skënderbeu “grek”, ose si të bëhesh grek pa e ditur
  • A historic moment of pride for the New Jersey Albanian-American community

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT