• Home
  • Politics
  • Opinion
  • Culture
  • Sports
  • Economy
  • Interview
  • Reporting
  • Community
  • Vatra

Dielli | The Sun

Albanian American Newspaper Devoted to the Intellectual and Cultural Advancement of the Albanians in America | Since 1909

“5 përgjigje ndaj turfullimeve të z. Vućič për të shpallur luftë”?!

September 14, 2024 by s p

Gjeneral ® Piro Ahmetaj/

Sigurisht e ndjek me interes strategjik, disi edhe me keqëardhje riciklimin e oshilacioneve si dhe trimërimin mbas lufte të z. Vuçič, Presidentit të Serbisë (ish-Ministrit të Milosheviçit) si dhe ushtarit të axhendës së Rusisë – Putiniste, se: “do të shpallte luftë për kthimin e gjendjes së mëparshme (para 1999) gjeopolitike në Kosove dhe Metohi … ” !!

Ndërsa këto trufullime, gjithësesi, kanë gjetur një interes të shtuar jo vetëm mbarëkombëtar, por edhe në Washington, Bruksel, etj në “kapacitetin e Ekspertit të Sigurisë Kombëtare, Rajonit dhe NATO”, do perpiqem, të përcjell publikisht disa gjetje dhe përgjigje/mesazhe strategjike, jo vetëm ndaj Beogradit të pushtuar nga oshillacionet e Millosheviçit:

Së pari, të zgjohet dhe të harrojë endrrat neo-staliniste në Rajon dhe posacërisht për Kosovën martire, pasi përtej të gjithave: “prej datës së çlirimit nga pushtuesit Serb (12 Qershor 1999) Republika e Kosovës, sigurisht që nuk është por dhe nuk ka për tu kthyer më kurrë si pjesë e jurdiksionit territorial dhe hartës gjeopolitike të Serbisë”. Pikë.

Së dyti, të lëri përrallat me/pa mbret që nuk i beson as më as Moska, as Dodik, dhe sigurisht as ushtria e radikaleve në Beograd. E vërteta, pra kufijtë dhe harta gjeopolitike e patjetërsueshme janë rrenjosur dhe skalitur me gjakun e dëshmorëve të kombit në shekuj si dhe nga fuqia ushtarake e Aleancës Euroatlantike në 1999. Kështu “përsa kohë të ketë edhe Shqiptarë si dhe prezencë të USA/NATO-s në Kosovë, Serbia ka ZERO shance për të “shpallur luftë”, por dhe ka ZERO fuqi/këllqe për të sulmuar ushtarakisht sovranitetin si dhe tërsinë teritoriele të Kosovës”.

Thënë këtë, përsëris thirrjen miqësore për aktorët mëndjehapur në Beograd: “të mos lejojnë që qeveria e Vućič, etj mbas Tij, të shpenzojnë kot stër koti mbi 1.5 miliard € në vit nga mundi i popullit serb (për armatatosjen nga me Tanke; Mig-29, Rafale, Helikopter, raketa dhe dronë vrases) pasi e vërteta është se asnjë nga vendet ndërkufitare (përfshi Kosovën) apo Aleancë nuk e rrezikon sovranitetin e Serbisë”.

Së treti, riciklimi manktheve të Millosheviçit (Eprorit) apo trimërimi Juaj (z.Vucic) 25 vjet mbas humbjes së luftës gjakatare, mund të ushqejë militantët si dhe axhendën e radikalëve në Beograd; interesat e krimit të organizuar, apo “laraskat dhe sorrat rreth liqenit Ujmanit …”, por kurrësësi nuk munden të trembin kombin Shqiptar si dhe as fuqinë e sprovuar ( që gjunjëzoi makinerine kriminale tç Millosheviçit në 1999) të Aleancës Euroatlantike (USA/NATO/UK/BE) !

Së katërti, pa mëdyshje, që edhe 25 vitet pas çlirimit të Kosovës apo 31 muajt e luftës neo-naziste të Putinit në Ukrainë: “oshilacionet e Beogradit Zyrtar, i gjej të sikronizuara me interesat gjeopolitike të Rusisë në Ballkan”. Por Kremlini ka dështuar për të hapur një front të ri lufte si dhe për të mbajtur ndezur frymën antiperëndimore/USA në rajon. Po ashtu z. Vuçiç, ka (keq) dështuar për të bërë viktimën apo për të pirë nga 5 nëna (Moskë, Washington, Bruksel, Pekin, Paris)!

Së pesti, përtej dhe përfshi këtë rast (kërcenimin për shpallje lufte ndaj Kosovës dhe NATO-s..!!) përsëris se megjithë përpjekjet dhe progresin 25 vjeçar për tu larguar nga urrejtja dhe gjakëderdhja shekullore, fatëkeqësisht paqja, siguria, stabiliteti demokratik dhe ardhmëria euroatlantike për 6 vendet e ballanit perëndimor, mbetet ende të kërcënuara kryesisht nga Serbia.

Në shtesë, gjeni edhe “tre rekomandime strategjike” për faktorët shtetërorë si dhe ekspertet/kolegët mendjehapur në Prishtinë, Tiranë, USA/NATO, etj:

1. Përkundër “dogmave internacionaliste dhe kakofonisë sovraniste”, Prishtina Zyrtare kurrësesi nuk do duhej/t të marrë (pa u konsultuar) vendimmarrje me impakte strategjike, që minojnë themelet e besimit me “çlirimitarët e vërtetë/USA/NATO, që prej 25 vitesh vijojnë të mbajnë peshë kritike për sigurinë dhe ardhmërinë e Kosovës”. Për më tepër: “riciklimin e dalldisjes/kërcënimeve ushtarake të Serbisë ndaj Kosovës”, të mos i konsiderojnë si oportunitete populiste, por si “përgjegjësi e lartë shtetërore për të ndërtuar Kosovën moderne”, përtej prezencës së NATO-s (që nuk do të jetë e përjetshme); vendin ku, qytetarët pavarësisht përkatësive etnike, fetare dhe politike të ndihen të barabartë para ligjit, si dhe faktorizimin me dinjitet të Kosovës nga konsumatore në kontribuese për sigurinë si dhe integrimin e rajonit në NATO dhe BE!

2. Tirana dhe Prishtina zyrtare, e kanë përgjegjësi të lartë shtetërore dhe historike njëherësh, të zhvillojnë projektin: “2-Shtete Sovrane, 1-Komb i vetëm”, duke mos u fshehur prapagandës egocentrike që vjen nga fuqia e mbipushtetit dhe mbas “gishtit të përkujdesjes diplomatike”, por duke harmonizuar dhe garantuar SHBA/NATO/BE se kjo “qasje e vonuar” do të kontribuojë për paqen afatgjatë në rajon, sigurisht përfshi edhe Serbinë.

3. Aktorëve me peshë strategjike si dhe Ekspertëve/kolegëve në rajon, Washington, Bruksel, etj do t’i ri-sugjeroja që perspektivën e paqes dhe stabilitetin e Rajonit, ta para-kushtëzojnë me rikthimin e vetëm dy Masave të Mirëbesimit Reciprok (CSBM), nëpërmjet të cilave Beogradi “të imponohet” se: (a) do të ruajë balancat e fuqisë ushtarake duke mos kërcënuar integritetin teritorial të Kosovës; (b) nuk do të vendos instalime dhe as aktivitete ushtarake (25 km distancë ajrore dhe 10 km tokësorë), në kufijtë shtetërore mes vendeve. Këto dy kushte gjithësesi duhen të monitorohen nga USA/NATO/BE, që mbeten faktor kritik për paqen në rajon.

Ndërsa, përkundër riciklimit të urrejtjes dhe gjakëderdhjes shekullore, besoj edhe më fortë se këto trufullime staliniste për luftë mbeten një këmbanë alarmi, për të mbajtur zgjuar kujtesën e popujve të ballkanit se: “paqja mbetet misioni i vetëm, në interes të bashkëjetesës paqesore, sigurisë, mirëqënies së qytetarëve si dhe ardhmërisë euroatlatike të Shqiperisë, Kosovës, MV, Malit të Zi, Bonje-Hercegovinës dhe Serbisë”!

Autori: Gjeneral ® Piro Ahmetaj:

Ekspert për SK, Rajonin dhe NATO-n,

Zv/President i Këshillit të Atlantikut; & ish:

Këshilltar për Sigurinë Kombëtare në PD,

Këshilltar i Presidentit të RSh; Zv/ShShPFA,

Përfaqësues Ushtarak në SHAPE/NATO.

Filed Under: Kronike

VATRA DHUROI 100 FLAMUJ KOMBËTARË, 100 LIBRA SHQIP DHE 100 GAZETA DIELLI PËR FËMIJËT E SHKOLLËS SHQIPE NË RIVERDALE

September 14, 2024 by s p

Sokol Paja/

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra dhuroi 100 flamuj kombëtarë, 100 libra shqip e 100 gazeta Dielli për nxënësit e Shkollës Shqipe pranë

Qendrës Kulturore Shqiptare Amerikane Struga në Riverdale New Jersey. Në një vizitë vëllazërore e të përzëmërt, zyrtarët e Vatrës sekretari Dr. Pashko Camaj, editori i Diellit dhe anëtari i kryesisë Ilir Cubi u pritën nga kryetari i qendrës z.Sinan Alimi, drejtoresha e shkollës shqipe Gonxhe Meta, sekretari Fitni Istrefi, përgjegjësi i fesë islame të qendrës Nafis Vlashi, anëtari i bordit Shkëlqim Toska dhe mësueset Valdete Cenalia, Eglantina Mataj, Orkida Agaj, Fatjona Limani, Rabela Mlloja, Fatbardha Kapo, Labinota Zhaku, përgjegjësja për eventet e shoqatës Fatmire Mante dhe përgjegjësja për eventet e shkollës Mirjeta Dauti. Qendra Kulturore Shqiptare Amerikane Struga është themeluar në vitin 1977, ndërsa Shkolla Shqipe ka rreth 40 vite që ruan gjuhën shqipe, kulturën kombëtare dhe identitetin shqiptar. Shkolla Shqipe aktualisht ka 120 nxënës të regjistruar dhe zhvillon mësimin me dy turne çdo të shtunë nga 2 orë mësimi të gjuhës shqipe e kulturës kombëtare. Shkolla Shqipe zhvillon kurse vallëzimi, muzike e këngësh dhe aktivitete sportive duke u shndërruar në një qendër të fuqishme, sociale, edukative, kulturore e atdhetare. Kryetari i qendrës z. Sinan Alimi i shpjegoi zyrtarëve të Vatrës rrugëtimin historik të qendrës dhe përpjekjet e vazhdueshme për të ruajtur gjuhën e kulturën kombëtare. Vatra i përgëzoi mësuesit dhe drejtuesit e shoqatës për punën e shkëlqyer patriotike e komunitare dhe garantoi mbështetje maksimale e pjesëmarrje të gjerë në aktivitetet edukative e atdhetare të Qendrës Kulturore Shqiptare Amerikane Struga. Ky ishte një aktivitet i shkëlqyer komunitar, edukativ e atdhetar ku Vatra i qëndron afër dhe mbështet me çdo mjet përpjekjet dhe ruajtjen e gjuhës, historisë e traditës shqiptare nga asimilimi e përcjellja e trashëgimisë patriotike te fëmijët shqiptarë të lindur jashtë atdheut.

Filed Under: Featured Tagged With: Sokol Paja

“VOTA E DIASPORËS DO BËJË NDRYSHIMIN E SHQIPËRISË”

September 14, 2024 by s p

Federata Pan-Shqiptare e Amerikës Vatra dega Michigan bashkoi komunitetin shqiptar në Detroit në pritjen e ish-ministrit të shëndetësisë dhe kryetarit të demokristianëve shqiptarë z.Nard Ndoka. Ai u takua me një pjesë të rëndësishme të drejtuesve të komunitetit shqiptar të Michiganit: Babain e Teqesë Bektiashiane në Taylor Dr. Eliton Pashaj, nënkryetari i Federatës Vatra z.Alfons Grishaj, drejtori i degëve të Vatrës në USA dhe Canada z.Mondi Rakaj, drejtori i AlbTVUSA z.Gani Vila, patrioti dhe aktivisti i çështjes kombëtare z.Ben Pllumaj, anëtari i Këshillit të Vatrës gazetari z.Rafael Floqi.

Në këtë takim të përzemërt u fol në veçanti për votën e diasporës, e cila do të jetë deçizive për ndryshimet pozitive në Shqipëri. Z.Ndoka vlerësoi punën e mërgatës së Amerikës dhe figurën e Sali Berishës, si një lidër historik por edhe si një qendrestar kundër manipulimit dhe izolimit fals të përgatitur nga pushteti politik. Z. Ndoka theksoi se e ka përkrahur kryeminstrin shqiptar Rama, kur ka menduar se i ka shërbyer Shqipërisë. Por tani, sipas z.Ndoka Rama është konsumuar keq dhe po i bën dëm Shqipërisë.

Zoti Grishaj kujtoi momente të viteve 1990 dhe më vonë kur bashkëpunuan për levizjen për demokraci në Shqipëri.

Filed Under: Politike

Kërcënimet e Vuçiqit, rreziku i destabilizimit në rajon dhe nevoja për ndërhyrje ndërkombëtare

September 14, 2024 by s p

Hisen Berisha/

Kërcënimet e fundit të Aleksandar Vuçiqit në raport me Kosovën janë pjesë e një strategjie të vazhdueshme të Serbisë për të ushtruar presion politik dhe diplomatik, veçanërisht kur vijnë tensione apo zhvillime të rëndësishme në dialogun mes dy vendeve.

Këto deklarata shpesh bëhen për të krijuar një atmosferë frike dhe për të demonstruar forcën ndaj komunitetit ndërkombëtar dhe brenda Serbisë. Vuçiq shpesh përdor retorikë kërcënuese për të shfokusuar vëmendjen nga problemet e brendshme në Serbi, si protestat dhe pakënaqësitë ekonomike, dhe për të rritur mbështetjen për të në mesin e opinionit publik serb. Kjo është shkolla e vjetër e Millosheviçit.

Vuçiq ka një histori të përdorimit të tensioneve me Kosovën për të fituar simpati brenda vendit dhe për të portretizuar veten si mbrojtës i interesave serbe në rajon.

Këto kërcënime gjithashtu shërbejnë për të minuar përpjekjet e Kosovës për të konsoliduar sovranitetin e saj, sidomos në veri të vendit, dhe për të krijuar një narrativë që Serbia është viktimë e padrejtësive ndërkombëtare.

Kam shumë dilema se ky hap i Vuçiqit e tjerë që po paralajmërohen, të jenë vazhdimësi e skenarit Banja ‘24!? Nëse nuk ka një qeveri të shpëtimit kombëtar, që do ta përmbyllte dialogun me njohjen dhe ratifikimin e kufirit me Serbinë, atëherë këto faza para e pas zgjedhjeve do të jenë shqetësuese, nëse nuk eliminohen politikisht autorët e skenarit të 24 Shtatorit. Ndryshimet ideologjike pas zgjedhjeve në SHBA janë determinuese të proceseve politike dhe të sigurisë globale edhe në rajon.

Aleksandar Vuçiq, zëdhënësi i shtetit dhe regjimit të Millosheviçit që sulmoi popullin slloven, kroat, boshnjak dhe shqiptar, regjimi i të cilit u shpall shtet gjenocidial nga OKB-ja, vazhdon të ndjekë të njëjtën linjë kriminale. Vuçiq është një imitator i ulët i Hitlerit nazist, që me thënie si “për një serb të vrarë, do masakrohen 100 boshnjakë apo shqiptarë,” po përpiqet të mbjellë frikë dhe destabilizim. Nëse ky kriminel lufte dhe zëdhënës i regjimit gjenocidial nuk arrestohet tani, atëherë BE-ja, NATO-ja dhe Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë po shkelin mbi parimet dhe vlerat që ato promovojnë në procesin e integrimeve.

Vetëm Serbia në rajon ushqen ambicie ndaj shteteve fqinje, i kërcënon ato dhe diskriminon minoritetet kombëtare brenda juridiksionit të saj, qoftë shqiptarët në qytetet jugore të Serbisë apo gjermanët dhe hungarezët në veri të Serbisë, në rajonin e Vojvodinës, të cilët i ka asimiluar plotësisht përmes diskriminimit.

Një pyetje shqetësuese që duhet ta shtrojmë sot është se, nëse Serbia ndërmerr një hap ushtarak të pamatur, siç po kërcënon krimineli Vuçiq, ashtu siç bëri në Banjë më 24 shtator 2023, duke shkelur parimet bazë të Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së që mandaton NATO/KFOR-in atje, a do të sulmojnë këto shtete të fuqishme të Evropës e Azisë, investimet e tyre miljardëshe që po i bëjnë në Serbi?

Tolerimi i këtij regjimi është një fyerje për viktimat e luftërave në Ballkan dhe një tradhti ndaj drejtësisë ndërkombëtare. Arrestimi i Vuçiqit është i domosdoshëm, përndryshe këto organizata dhe shtete do të jenë bashkëfajtore në legjitimimin e një regjimi që vazhdon të kërcënojë paqen dhe sigurinë në rajon.

Filed Under: Ekonomi

KONGRESI I ELBASANIT I VITIT 1909 – VEPËR KULTURORE DHE POLITIKE E LËVIZJES KOMBËTARE SHQIPTARE

September 14, 2024 by s p

Dr. Luan Zyka/

“U dha urdhër për me u këndue gjuha shqipe ashiqare”

Para 115 vitesh, më 9 shtator 1909, u mbyllën punimet e Kongresit Kombëtar të Elbasanit. Një ditë më parë, dhe pikërisht më 8 shtator të vitit 1909, gazeta “Journal d’Salonique» e cila botohej në Selanik në frëngjisht prej hebreut Levy, botonte në faqen e parë një shkrim të Mithad Frashërit me titull “Le congres Albanais. Lettre d’Elbassan” (Kongresi Shqiptar. Letër nga Elbasani). Mithad Frashëri e dërgonte letrën nga Elbasani, si pjesmarrës në Kongresin e Elbasanit, i cili kishte filluar punimet më 2 shtator në qytetin që ka hyrë në histori me thënien e Luigj Gurakuqit “Elbasani, sikundrë asht mezi i Shqypnies landore, ashtu do jetë mezi i Shqypnies mendore”. Në letrën e shkurtër dhe me informacion”me pikatore” të Frashërit të bën përshtypje një shprehje “Ju thashë tashmë se Kongresi ynë është thjesht GJUHËSOR, dhe se nuk merremi me POLITIKË”. (Gërmat kapitale janë të LZ).

Por, a ishte e mundur që djali i Abdylit, nipi i Samiut dhe i Naim Frashërit, i rritur në djepen dhe magjën e mbrujtjes dhe zgjimit të vetëdijës kombëtare shqiptare të mos kuptonte se Kongresi i Elbasanit nuk ishte thjesht një kongres gjuhësor, por thellesisht një vepër politike themelore e përnjehsimit (unifikimit) kombëtar shqiptar ?!

Natyrisht që biri i Avdylit, ideologut që i dha përmasën kombëtare Lidhjes së Prizrenit të vitit 1878, jo vetëm që ishte i qartë për rolin thelbësor të gjuhës shqipe në formimin arsimor të shqiptarëve por edhe një si një truall i domosdoshëm për ngritjen dhe zhvillimin e kombit shqiptar.

Koha ishte e tillë, kur Xhon Turqit i zhgënjyën shpresat e shqiptarëve për më shumë liri ekonomike dhe kombëtare, duke shtypur me dhunë cdo lëvizje të shqiptarëve qoftë me karakter ekonomik, apo me karakter kombëtar, si mësimi i gjuhës shqipe etj.

Ndaj Mithadi duhej të shprehej publikisht me kujdes për karakterin dhe synimet kombëtare të Kongresit të Elbasanit të vitit 1909, për të mos acaruar pushtetin e Turqëve të rinj që po ovateshin të pengonin zgjimin e shqiptarëve, por për të vepruar me shpejtësi në drejtimin e zgjimit dhe përnjehsimit të kombit shqiptar, që me zor po dilte nga mugëtira e konstruktimit etnik ashtu siç kishin bërër kombet fqinje; serbët, grekët, bullgarët etj.

Thjesht, nacionalizmi shqiptar po bënte atë që fqinjët e kishin bërë dhjetra vite më parë, vetëidentifikimin e tyre në një njësi të veçantë kombëtare shqiptare, të dallueshme si nga kombet fqinjë, ashtu edhe nga otomanët.

Nga ana tjetër, do mjaftonte vetëm fakti se objekti kryesor i Kongresit të Elbasanit ishte gjuha dhe arsimi shqiptar, dmth çështja thelbësore e kulturës së një kombi në kushtet e shqiptarëve, dëshmon se ishte kongres i nivelit me të lartë politik, sepse vetë politika kulturore e një kombi është politika e politikave të tij kombëtare dhe shtetërore.

Aq më shumë në rastin e shqiptarëve, inteligjenca politike dhe kulturore shqiptare, i “kishte borxh” rracës nga e kishte prejardhjen, zgjimin dhe formësimin e plotë të vetëdijes dhe identitetit të tyre shqiptar. Ashtu siç po bënin kombet e tjera ballkanike nën frymën e ideve të Revolucionit francez dhe të interesave të Fuqive të Mëdha në këtë pjesë të Perandorisë Otomane.

Duke qenë i bindur se në arkivat e vendeve të ndyshme, duke përfshirë edhe ato shqiptare, gjenden të pahapura thesare faktesh dhe dokumentacioni për historinë e shqiptarëve, gjithsesi edhe me ato fakte që njohim deri tani, jemi në gjendje të përvijojmë rrugëtimin e çështjes së ideologjisë kombëtare shqiptare deri në Kongresin e Elbasanit të shtatorit të 1909.

Para afro 300 vjetësh, dhe pikërisht në vitin 1734, ishin arbërëshët e Siçilisë ata që hapën shkollën fetare shqiptaro-orodokse të Palermos, me qëllim përgatitjen e klerikëve të rinj arbërëshë, të cilët do shërbenin në kishat e Sicilisë me popullsi arbëreshe. Themeluesi, drejtuesi dhe frymëzuesi i kësaj shkolle ishte Pader Giorgio Guzzetta. Frut i kësaj fare të mbjellë dhe të kultivur nga At Guzzetta, ishte manifesti i nxënësit dhe bashkëpuntorit të tij, Paolo Marrini, i shkruajtur në vitin 1738 me titull “De studiis necessariis ad recte instituendos SiculoAlbanensis Collegii canditatos. Oratio ad rerum albanorum studiosos” (Mbi studimet e nevojshme për formimin e duhur të kandidatëve për Kolegjin Siculo Albanensis. Një doracak për të interesuarit për çështjet shqiptare).

Që nga kjo kohë e në vazhdim, gjatë shekullit të 18-të e deri në fund të shekullit 19-të, çështja e identifikimit kombëtar të shqiptarëve u bë objekt i shumë studjuesve dhe pionerëve të idelogjisë kombëtare të shqiptarëve midis arbëreshëve të Italisë si Nicola Chetta, ish – kryeministri i Italisë Crispi, studjuesi Bidera dhe nxënësi i tij, i mirënjohuri De Rada, pastaj Dhimitër Kamarda etj. Kjo plejadë e pionerëve të zgjimit kulturor të shqiptarëve frymëzoi me dhjetra stjudues dhe veprimtarë në Greqi, Shqipëri, Rumani Turqi etj. si edhe të huaj si grekë, gjermanë, austriakë etj.

Midis intelektualëve etnikë shqiptarë ishte konsoliduar idea se gjuha dhe arsimi shqip ishte mjeti i domosdoshëm për ngritjen e nivelit emancipues të shqiptarëve për tu ngritur në nivelin e shoqërive të qytetëruara. Ashtu siç shkruante Zef Jubani, “për shvillimin e shqiptarëve, duhet përkthyer në shqip kodi ligjor osman dhe të shqiptarizohej arsimi”. Dhe jo vetëm kaq, të shkruajturit dhe mësimi i gjuhës shqipe përbënin palcën kurrizore të krijesës kombëtare shqiptare.

Në këtë shtrat të konsolidimit të etnogjenezës shqiptare, përgjatë shekullit të 19-të, do të shtoheshin përrenjtë e krijimit kulturor për gjuhën dhe kulturën shqiptare, krijimet e mbi 35 alfabetëve të shqipes, përkthimet e Biblës në shqip, si ato të Anonimatit të Elbasanit, të Tedodor Haxhfilipit (Dhaskal Todri i shkolluar në Akademinë e Voskopojës), të At Grigor Gjirokastritit në Korfuz, të Naum Veqilharxhit, Zef Jubanit etj.

Duke e pasur të qartë domosdoshmërinë kulturore dhe kombëtare të njehsimit të alfabetit dhe të shkrimeve në gjuhën shqipe, në tetor të vitit 1879 do të themelohej në Stamboll, në shtëpinë e Abdyl Frashërit, Shoqëria e të Shtypurit të Shkronjave Shqip. Viti 1879 mendoj se është stacioni i parë i veprimit të organizuar të politikës kombëtare kulturore të shqiptarëve me Kongresin Gjuhësor të Konstandinopojës.

Historia dihet me punën e kësaj Shoqërie, si edhe përndjekjen e persekutimin e drejtuesve të saj prej pushtetit otoman. Një tjetër përpjekje e organizuar e veprimtarëve të Lëvizjes Kombëtare shqiptare u shënua në vitin 1898 në Bukuresht me Kongresin Kombëtar kushtuar shkollave shqipe, nga ku iu drejtua një kërkesë sulltanit për të futur “…mësimin e detyruar të gjuhës shqipe në të gjithës shkollat e Shqipërisë, pa përjashtim”. Nuk dimë asnjë përgjigje nga pushteti Otoman, dhe nuk kishte se si, kur lexojmë se cfarë i tha Dervish Pasha sulltanit pasi u kthye nga luftimet kundra kryengritësve shqiptarë: “Nëse u lejohet shqiptarëve që të mësojnë gjuhën e tyre së bashku me të krishterët, atëherë jo vetëm shqiptarët dhe Shqipëria do t’ju shpëtojnë nga dora, por edhe Stambolli do të jetë në rrezik. Gjuha shqipe jo vetëm që nuk duhet shkruar e lexuar, por çdo kujtim i këtij kombi gjithashtu duhet të fshihet dhe të harrohet”

Nga ana tjetër e frontit, ishte Sami Frashëri, ideologu i Lëvizjes Kombëtare shqiptare që shkruante se “…edhe shqiptarët të zënë e të shkruajën e të këndojënë gjuhën e tyre që të mundinë të rujnë kombinë”.

Çështja Lindore po kalonte në nja etapë tjetër. Pas krijimit të shteteve Serbe, Greke dhe Bullgare tani ishte për zgjidhje problemi maqedon, dhe më pak problemi shqiptar.

Çështja shqiptare “ishte harruar” në sirtarët e politikave të Fuqive të Mëdha, dhe shqiptarëve nuk u kishte mbetur asgjë tjetër, përveçse të kalonin në fazën tjetër të zhvillimi të proçeseve të brendshme të konsolidimit të identitetit të tyre kombëtar nëpërmjet arsimit dhe kulturës kombëtare.

Përbën temë studimi më vete fakti që zhvillimi i arsimit kombëtar, ndonëse që në fillimet e shfaqjes së lëvizjes kombëtare ishte një nga çështjet kryesore për të cilat u kujdesën frymëzuesit e saj që nga Guzzetta etj , vonoi të korrte frytet përkatëse. Në këtë vonesë ndihmuan pengesat që vinin kryesisht nga pushteti osman dhe Patriarkana Ekumenike, por edhe një sërë dobësish të brendshme, që lidhen me realitete të formuar prej shekujsh dhe dasitë e ndryshme midis shqiptarëve në besimet e ndryshme fetare, në dialektet e ndryshme gjuhësore në trevat e tyre, sidomos ne dy grupet kryesore gegnisten dhe toskërishte, në interesat ekonomkie të krerëve feudalë që e kishin lidhur ekzistencën e tyre me pushtetiti otoman etj. Është pra e qartë pse zhvillimi i arsimit kombëtar shqiptar ishte në thelb dhe praktikisht një çështje politike, si kusht dhe pararendës i pavarsisë së Shqipërisë në 28 nëntor 1912.

Pas shpalljes së Hyrijetit nga Turqit e Rinj, të cilët erdhën në fuqi më së shumti me ndihmën e shqiptarëve të Kosovës u ndezën shpresat e shqiptarëve për zhvillim ekonomik por për elitën intelektuale nacionaliste kishte ardhur ora për veprime praktike të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.

Në këtë hulli u mbajt me sukses Kongresi i Manastirit edhe pse nuk vendosi për një alfabet të vetëm, por përjashtoi alfabetet arabe dhe greke duke përcaktuar orientimin perëndimor të shqiptarëve.

Një kongres i dytë u mendua të zhvillohej në Janinë, por siç duket pas ndërhyrjeve të faktorëve të jashtëm, ku pëshpëritet se luajti rol edhe Ismail Qemali, ky kongres nuk u zhvillua.

Nga ana tjetër Turqit e Rinj, ose grupimi më radikal mes tyre, të cilët në thelb nuk mendonin për liberalizimin e shoqërise multietnike osmane por turqizimin e saj tërësor, po bënin çdo përpjekje për shuarjen apo devijimin e Lëvizjes Ideologjike dhe Kulturore të Shqiptarëve.

Për këtët qëllim, menjëherë pas kongresit të Alfabetit të Manastirit të viti 1908, Turqit e Rinj mblodhën krerët e shqiptarëve të Jugut në një kuvend në një teqe bektashiane në Tepelenë në dimrin e vitit 1909. Synimi i tyre ishte që ti ti bindnin shqiptarët e Jugut që të përdornin vetëm alfabetin arab në shkrimin dhe këndimin e gjuhës shqipe. Por shqiptarët nuk i dhanë rëndësi këtij halli diplomatik të radikalëve Xhonturq, duke u interesuar vetëm për bashkimin e 4 vialjateve me popullsishqiptare në një të vetëm.

Turqit e Rinj vazdhuan përpjekjet e tyre duke zhvilluar në korrik të vitit 1909 Kongresin e Dibrës, me synim ti mbushnin mendjen shqiptarëve që të shkruanin gjuhën e tyre me alfabetin arab që ishte alfabeti i shenjët i besimit islam. Por edhe Kongres i Xhonturqve dështoi në saj të qëndrimit patriotik shqiptar të shumicës së pjesmarrësve midis të cilëve edhe përfaqsues të besimit islam të Serbëve, Bullgarëve etj.

Veç punës bindëse duke ofruar “kulaçin” e besimit fetar për të penguar zhvllimin e arsimit shqiptar sipas zgjedhjes së tyre më gjuhën dhe alfabetin latin, Turqit e Rinj përdorën edhe politikën e “kërbaçit” duke dërguar në viset shqiptare ushtrinë ndëshkuese otomane me Xhavit Pashën në krye i cili u deklaronte gazetarëve se kam ardhur të përhapur arsimin të cilin nuk e pëlqenin kosovarët dhe shqiptarët. E njëjta tezë qarkullonte edhe në politikën e jashtme britanike, si mbështetëse atëhere të Turqve të Rinj. Kur në fakt shqiptarët po bënin të kundërtën, ishin zgjuar dhe ngritur për të zhvilluar arsimin në gjuhën e tyre dhe në alfabetin latin.

Shkolla shqipe, mësonjëtore të fshehta apo Normale si ajo drejtuar nga Nikoll Naço në Rumani, ishin ngritur dhe funksionin sado mes problemeve të tyre.

Nga ana tjetër sistemi arsimor otoman i prapambetur dhe i cunguar në dije dhe i kufizuar në lëndë mësimore, nuk zhvillonte një rini të ditur dhe të emancipuar si nxënësit që dilnin nga shkollat greke apo italiane etj., në Shqipëri.

Në këto kushte, faktori shqiptar po fermentonte hapin e tij të mëtejshëm, ku sipas botimit të thirrjes së gazetës Liria të Selanikut, më 14 mars 1909 me titull “Kongres për Shkollat Shqipe”, dhe më 16 maj të apo atij viti, e njëjta gazetë, që botonte Mithat Frashëri në Selanik, lajmëronte se “është vendosur që Kongresi i Elbasanit të mbahet më 20 gusht”. Data 20 gusht me kalendarin otoman i përket datës 2 shtator.

Në këtë shkrim theksohet midis të tjerave se “Gjer më sot shqiptarët kanë bërë shumë punë veç e veç po nëse bashkohemi të gjithë, atëhere do bëjmë më shumë punë, dhe do të jemi më të fuqishëm…”.

Nuk është e rastësishme përzgjedhja e Elbasanit si vendi i mbajtjes së këtij Kongresi themelor të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.

Edhe pse Mithat Frashëri, në shkrimin e tij për gazetën “Journal d’Salonique” përshkruan përzgjedhjen e Elbasanit si një qytet i qetë me njerëz të emnancipuar, është e qartë se kjo është gjuha diplomatike e tij përkundrejt faktorëve të jashtëm, kundërshtarë të çëshjtes shqiptare.

Për idelogogët e Lëvizjes Kombëtare shqiptare, Elbasani, qysh pas Lidhjes së Prizrenit ishte vendi i takimeve të fshehta të tyre për çështjts kombëtare shqiptare. Elbasani kishte formuar tashmë një traditë më shumë se një shekullore të veprimtarisë dhe zgjimit kulturor kombëtar shqiptar, me veprat e Teodor Haxhifilipit (Dhaskal Todri) për alfabetin gjuhën dhe arsmin shqiptar. Me dorëshkrimet e gjetura në gjuhën shqipe në Manastirin e Shën Gjonit Elbasani, me mësuesit shëtitës të gjuhës shqipe si Simon Shuteriqi, dhe Hasan Ceka, me veprat e Luterit shqiptar Kostandin Kristoforidhi etj. Bile në Elbasan gjuha shqipe përdorej edhe në marrëdhëniet me shkrim të tregtrëve të Elbasanit. Është për tu shënuar thënia e Edhit Duram kur vizitoi Elbasanin se “njerëzit e këtij qyteti kanë një prirje të lindur për të mësuar”. Gjithashtu Elbasani ishte më pak i ndikuar dhe i kontrolluar nga faktorët e jashtëm si Patriarkana e Stambollit apo edhe Austria dhe Italia. Në politikën greke ishte konstatuar prej kohësh fakti se drejtuesit e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, pas pengesave që po ndeshnin në Korçë, kishin përzgjedhur Elbasanin si qendër tjetër të Lëvizjes së tyre Kombëtare.

Kur u hap lajmi se me fitoren e Xhonturqve u rivendos Kushteuta me premtimin se mileti do ksihte më shumë të drejta ekonomike shoqërore dhe kulturore në Elbasan tellall Xhepi, si agjensi e sotme lajmesh, jepte siahriqin “U dha urdhër për me u këndue gjuha shqipe ashiqare”

Edhe vetëm ky fakt do të ishte i mjaftueshëm për të kuptuar të interesuarit se vetëdija shqiptare po merrte trajtë, formë dhe funksion në jetën shqiptare.

Pa hyrë na faktet e ditura rreth pjesmarrjes së gjerë të klubeve, personaliteteve të njohura dhe të panjohura të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, po ashtu edhe mungesave të veprimtarëve të tjerë si nga Kosova dhe Vlora, apo Gjergj Fishta me veriorët e tjerë (të cilët lajmëruan se do të ishin në një mendje me vendimet e dala nga Kongresi i Elbasanit) mund të vërejmë disa kulme të këtij Kongresi.

Edhe pjesmarrja e delegatëve ishte me synim gjithëpërfshirës si gjeografik ashtu edhe fetar disa mungesa të faktorëve të tjerë shqiptarë dëshmojnë mungesën e një qendre të vetme, të pranuar nga të gjithë si drejtuese dhe koordinuese e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.

Megjithatë, në politikë, shpesh qëllimi justifikon mjetin, dhe ky qëllimi u arrit me ndihmën e patriotëve elbasanas si Dervish bej Biçakshiu, Aqif Pashë Elbasani, Lef Nosi etj. të cilët jo vetëm organizuan mikpritjen e kongresistëve por mobilizuan edhe forca të armatosuara të popullit nga Shpati, Gramshi atej për të raujtur rendin dhe qetësinë nga kundërshtarët e Lëvizjes Shqiptare me mercenarët e tyre shqipfolës.

Në fillim Kongresi i Elbasanit nuk u pa me ndonj rëndësi të veçantë nga mjaft të interesuar, siç shkruan edhe Gjergj Qiriazi “nuk kisha dëshirë, por në fund vendosa të shkoja me Sevastinë” apo siç raportonte konsulli austriak se “…nuk shikonte ndonjë gjë të madhe në Kongresin e Elbasanit”. Ndoshta austriakët nuk ishin të informuar mirë për substratin dhe rëndësinë e Kongresit, ndoshta për faktin se frymëzuesi i Kongresit, Mithad Frashëri ishte kundër ndërhyrjeve të huaja dhe sidomos të Austrisë.

Megjithatë ashtu siç shkruan edhe Noli “Kongresi i Elbasanit i tejkaloi pritshmëritë tona”. Sepse vetë ngjarjet që pasuan Kongresin, me ngritjen e shkollës Normale të Elbasanit si e para shkollë shqiptare në Shqipëri dhe në gjuhën shqipë për përgatitjen e mësuesve shqiptarë, me hapjen e dhjetrave shkollave dhe shoqatave në gjithë trojet ku jetonin shqiptarë dëshmon fuqinë rrezatuese të Kongresit të Elbasanit.

Dhe nga ana tjetër, reagimi i faktorëve të huaj kundër kësaj lëvizjeje ishte i mënjershëm, si nga Greqia, ashtu edhe nga gazeta serbe Vardar e islamistëve serbë në Shkup, por sidomos nga Xhonturqit që në vitin 1910 mbyllën me vendim të gjykatës së Dibrës Normalen e Elbasanit, dhe dërguan ushtri represive në Elbasan duke dhunuar dhe torturuar publikisht patriotët elbasanas të arsimit shqip, duke dërguar bile Lef Nosin të lidhur me zinxhirë në Ohër. Ndërsa patriotët Aqif Pash Elbasani, Dervish Biçakçiu etj morën arratinë në Itali.

Në datën 19 shtator të vitit 1909 Mithad Frashëri shkruan korespodencën e tij të fundit për Kongresin e Elbasanit, duke pasqyruar të 15 vendimet e marra në atë Kongres. Rast i rrallë që mes shqiptarëve merren me unimitet kaq shumë vendime !!!

Vendimet e Kongresit të Elbasanit pasqyrojnë jo vetëm domosdoshmërinë e ngritjes së strukturës arsimore të shqiptarëve nëpërmjet gjuhës shqipe, jo vetëm unifikimin e përdorjes së një alfabeti, atë latin, jo vetëm të mësuarit në shkollat shqipe dhe ato të huaja ku do futej mësimi i gjuhës shqipe me një së njëjtit dialekt unik, atë të Elbasanit, jo vetëm të ngritjes së një shkolle për përgatitjen e mësuesve nga gjithë trevat shqiptare, atë të shkollës Normale të Elbasanit, jo vetëm të përgatitjes së një brezi të arsimuar në gjuhën shqipe të cilët do të ishin kuadrot e institucioneve të shtetit të ardhshëm shqiptar.

Por më tepër se kaq; në atë mugëllim të identifikimit kombëtare të shqiptarëve, Kongresi i Elbasanit do të ishte një nga shtyllat kryesore të ideologjisë dhe politikës së Lëvizjes Kombëtare shqiptare në përnjehsimin e shqiptarëve në një njësi kombëtare dhe në formimin e shtetit të tyre të pavarur.

Filed Under: Analiza

  • « Previous Page
  • 1
  • …
  • 918
  • 919
  • 920
  • 921
  • 922
  • …
  • 2946
  • Next Page »

Artikujt e fundit

  • KUJTIME PER ITALIANIN DOM ANTONIO SHARRA
  • MASAKRA E TIVARIT MARS-PRILL 1945
  • Kuptimi i Pashkëve Ortodokse – midis ritualit dhe ringjalljes së ndërgjegjes
  • RIKTHIMI I MUSTAFA MAKSUTIT NË FAQET E HISTORISË
  • Shqipëria në politikën ballkanike të Austro-Hungarisë
  • Eliot Engel, in memoriam…
  • VATRA TELEGRAM NGUSHËLLIMI PËR NDARJEN NGA JETA TË ELIOT ENGEL, MIKUT TË MADH TË KOMBIT SHQIPTAR
  • Përkujtojmë në përvjetorin e lindjes një nga figurat e Rilindjes Kombëtare, Aleksandër Stavre Drenova
  • GËRSHËRA E ARGJENDTË
  • Përgjithmonë vetëm mirnjohës për Kongresmenin Eliot Engel
  • PËRKUJTIM PËR ELIOT ENGEL, NJË MIK I PAZENDËVËSUSHËM, ZËRI I SHQIPTARVE NË SHBA
  • Meditim para varrit të Faik Konicës
  • Bashkimi i Diasporës Shqiptare të Greqisë
  • “Fortifikimi ilir i Komlikut në Fregen dhe Ungrej të Lezhës (Mirdita Etnografike)”
  • “The Real Thing”: A Conversation with Luljeta Lleshanaku

Kategoritë

Arkiv

Tags

albano kolonjari alfons Grishaj Anton Cefa arben llalla asllan Bushati Astrit Lulushi Aurenc Bebja Behlul Jashari Beqir Sina dalip greca Elida Buçpapaj Elmi Berisha Enver Bytyci Ermira Babamusta Eugjen Merlika Fahri Xharra Frank shkreli Fritz radovani Gezim Llojdia Ilir Levonja Interviste Keze Kozeta Zylo Kolec Traboini kosova Kosove Marjana Bulku Murat Gecaj nderroi jete ne Kosove Nene Tereza presidenti Nishani Rafaela Prifti Rafael Floqi Raimonda Moisiu Ramiz Lushaj reshat kripa Sadik Elshani SHBA Shefqet Kercelli shqiperia shqiptaret Sokol Paja Thaci Vatra Visar Zhiti

Log in

This website uses cookies to improve your experience. We'll assume you're ok with this, but you can opt-out if you wish. Cookie settingsACCEPT
Privacy & Cookies Policy

Privacy Overview

This website uses cookies to improve your experience while you navigate through the website. Out of these cookies, the cookies that are categorized as necessary are stored on your browser as they are essential for the working of basic functionalities of the website. We also use third-party cookies that help us analyze and understand how you use this website. These cookies will be stored in your browser only with your consent. You also have the option to opt-out of these cookies. But opting out of some of these cookies may have an effect on your browsing experience.
Necessary
Always Enabled
Necessary cookies are absolutely essential for the website to function properly. This category only includes cookies that ensures basic functionalities and security features of the website. These cookies do not store any personal information.
Non-necessary
Any cookies that may not be particularly necessary for the website to function and is used specifically to collect user personal data via analytics, ads, other embedded contents are termed as non-necessary cookies. It is mandatory to procure user consent prior to running these cookies on your website.
SAVE & ACCEPT