Lek Mirakaj/
Vazhdimisht gjatë intervistave e debateve politike në studiot televizive, shtrohet si argument, që qeveria përdoret gjatë fushatave elektorale. Konstatim më se i vërtetë, thjeshtë më lind e drejta të pyes, mbi çfarë kriteresh një parti është në pozita qeverisese? Përgjigjja është mbi premtimet e saj gjatë fushatës elektorale.
Partitë opozitare kanë gjithë të drejtën që ta godasin partinë në qeverisje, gjatë fushatës elektorale, për mos realizimet, ndërsa qeveria gjatë të njëjtës periudhë të caktuar nuk paska të drejtë të investojë në arritjet e saj. Partitë gjatë fushatave mbeshteten, (vazhdimisht opozitat), mbi kritikat për dobësitë e mos realizimet e premtimeve të qeverisë, ndërsa qeveritë mbi realizimet e premtimeve dhe prespektivat e të ardhmes. Nëse një qeveri i jep pensionistit, shtresës më të diskriminuar të shoqërisë një bonus, është e drejta e saj ta bëjë kur të dojë, po ashtu do kuptohesh edhe opozita nëse me argumente do provonte se qeveria me bonusin e saj nuk ka shfrytëzuar mundësitë financiare që ka shteti, se bonusi duhet të ishte pesë apo dhjetë herë më i madh dhe ndoshta permanent. Këtë lloj opozite do e kuptonte çdo pensionistit, po ti bësh presion qeverisë që gjatë fushatës mos ti jap bonusin pensionistit, që me atë bonus mund të ushqehet disa ditë, kjo është e pa kuptueshme edhe e pa pranueshme për çdo njeri normal, po mund të thoja dhe e pa moralshme.
Opozitat fitojnë kur elektorati humbet besimin te qeveria dhe kur opozitat ofrojne zgjidhje për hallet e elektoratit.
Sado i shëmtuar të jetë kryeministri, sado i koruptuar apo i pa aftë të jetë ekipi drejtues, sa kohë që opozita do kërkojë alibinë për humbjen e radhës, te vjedhja e votës, te blerja e votës se pensionistit me bonusin apo favore që mund ti bëhen qytetarit gjatë fushatës, asnjëherë nuk do jetë në gjendje të fitojë besimin e elektoratit. Qeveritë vijnë në pushtet me premtime, arritjet është drejta e tyre ti përdorin kur ato e shohin të arsyeshme, ashtu si është drejta e opozitës ti shfrytëzojë tërë dobësitë e të metat e qeverisjes, kur e sheh ajo të arsyeshme. Fatkeqësisht, ne nuk kemi opozitë, ta quejsh vehten opozitë se lakmon pushtetin e tërë ditën grindesh se kush është burrë më i mirë, kësaj nuk i thonë opozitë. Një opozitë që nuk arrin të ketë parasyshe, se elektorati që vendos për fatet e qeverisjes është me i ri se gjithë periudha e palo demokracisë, e demokracisë në “tranzicjon” term i turpshëm për tu përdorur mbas 32 vjetësh, është thjeshtë miopi politike. Quaje si të duash, po ajo opozitë nuk është. Ti flasësh të riut të sotëm me të njëjtën gjuhë si në vitet 90-të, që na ngrinte në këmbë neve qe nuk kishim pase asnjë të drejtë, më e pakta është jo bindëse, për mos të thënë qesharake. Kjo që kemi sot, nuk është opozitë, është i mbyturi që kapet pas fijes së kashtës.
Një ekip drejtues i opozitës, ku njëra palë pret që geshtenjat do ja nxjerrë nga zjarri “miku i madh” dhe një ekip drejtues që shkon dhe han në torbën e bariut, nuk kanë asnjë shans që ti sjellin asgjë të mirë vendit, aq më pak të bindin elektoratin, vetëm konsolidojnë pushtetin autokrat që e kanë krijuar vetë me veprimet e mos veprimet e tyre, autokracinë që qeverisë vendin.