
Avokati Redi Ramaj, këshilltar ligjor i grupit parlamentar të opozitës në Kuvendin e Shqipërisë, i shoqëruar nga Medi Hoxha dhe anëtari më i ri i Vatrës Ardit Mekshiqi, vizituan Selinë Qëndrore të Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra. Ata u pritën nga sekretari i Vatrës Dr. Pashko Camaj dhe editori i gazetës Dielli. Temë qëndrore e diskutimit ishte vota e diasporës, situata politike në Shqipëri dhe potenciali e kapacitet e jashtëzakonshme të mërgatës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Avokat Ramaj sqaroi me detaje aspekte të reformës zgjedhore e modeleve që mundësojnë votën e diasporës, ndërsa sekretari i Vatrës Dr. Camaj theksoi se Vatra e mbështet me çdo kusht të drejtën e votës së çdo shqiptari pavarësisht ku ndodhet si e drejtë kushtetuese e pa mohueshme dhe e patjetërsueshme. Sipas Dr.Camaj Vatra do ushtrojë trysninë e saj me qëllim që të dëgjohet, lexohet dhe vlerësohet vullneti i çdo shqiptari nëpërmjet votës së tij. Më tej editori i Diellit shpjegoi për të pranishmit historinë dhe rolin e jashtëzakonshëm që ka luajtur Federata Vatra dhe gazeta Dielli në momentet më të rëndësishme të historisë së shtetit e kombit shqiptar.