Artan Nati/
Në çdo 28 nëntor ne shqiptarët festojmë ditën e pavarësisë dhe bashkë me të ne kujtojmë e përkulemi me respekt ndaj figurave ose baballarëve të kombit tanë duke filluar me Skënderbeun dhe më tej me rilindasit e lufëtarët legjendarë e duke e kurorëzuar me shpalljen e pavarësisë nga plaku Ismail Qemali e patriotë të tjerë. Dua të theksoj se kontributet e tyre për kombin tonë janë madhështore dhe monumentale, por edhe gabimet e tyre njerëzore që shkaktuan kaq shumë dhimbje. Asnjë nga Etërit tanë themelues nuk ishte 100% hero ose 100% plangprishës. Ata ishin qenie njerëzore. Ata arritën diçka vërtet të jashtëzakonshme duke na dhuruar pavarësinë dhe lirinë tonë, por ata nuk ishin të përsosur dhe ne nuk duhet të pretendojmë se ishin. Unë jam mirënjohës për lirinë që gëzoj për shkak të punës së palodhur, urtësisë dhe sakrificës së Etërve tanë dhe shumë të tjerëve. Por unë nuk i adhuroj ata, por më pëlqen t’i shikoj me sy kritik, për të njohur më mirë veten, kulturën tonë si edhe këtë situatë ku ndodhet Shqipëria jonë sot. Nuk do të dëshiroja që këta drejtues, politikanë apo figura të kulturës dhe artit të ditëve të sotme, të konsiderohen si ëngjëj apo patriotë dhe legjendarë nga brezat e ardhshëm.
Atdhedashuria i frymëzon njerëzit, siç bëri sigurisht me Etërit tanë. Por edhe kur i frymëzon, ajo nuk ua heq aftësinë për të bërë gabime, madje edhe gabime serioze. Atdhedashuria i frymëzon njerëzit, por shpesh dëshira për status dhe interesi personal, i frymëzon ata më shumë. Kjo është si të thuash bekimi dhe mallkimi ynë, kjo është natyra njerëzore dhe shpesh ata që ne i quajmë etër të kombit bëjnë gabime monstruoze, të cilat për çudi ne i harrojmë me qëllim apo për naivitet. Etërit e kombit ishin qenie njerëzore me të meta si ju apo unë.
Të qenit perfekt nuk është ajo që e bën diçka të bukur, por, janë papërsosmëritë që i bëjnë njerëzit perfekt.
“Sa më i përsosur të jetë personi nga jashtë, aq më shumë demonë ka nga brenda.”
Nën mbulesën e lëmuar të përsosmërisë shpesh shtrihet një tapiceri e emocioneve dhe dobësive të paeksploruara. Konstatimi i Frojdit penetron nëpër fasadë, duke na kujtuar se autenticiteti shfaqet kur ne njohim dhe integrojmë papërsosmëritë tona.
Prandaj shpesh thuhet se një gënjeshtër qëndron në njërën këmbë dhe vërteta në dy, duke nënkuptuar se perfektja nuk ka kuptim pa bashkëegzistencën e joperfektes. Është fyese në fakt, biles djallëzore do të thoja, prezantimi i shumë figurave tona të shquara në fusha të ndryshme si ajo e politikës, artit, shtetformimit etj si perfekte, duke mos nxjerrë në dritë anën e tyre negative . Ky është shërbimi më i keq që ata mund t’i bëjnë kombit sepse sa më perfekte ata ta paraqesin të kaluarën dhe personazhet e saj, aq më shumë ata mbulojnë demonët e tyre dhe nuk i japin mundësi kombit të njohi demonët e tij, të sfidojë limitet e veta dhe të marri përgjegjësi për dështimet dhe problemet e krijuara. Ne si komb e kemi domosdoshmëri të përballemi me demonët tanë, me problemet dhe gabimet e heronjve tanë realë dhe imagjinarë dhe nuk kemi nevojë për të ashtuquajturit intelektualë, të cilët për shkak të injorancës apo djallëzisë së tyre injektojnë mentalitetin e skllavit tek shqiptarët, duke fajësuar gjithmonë fqinjët tanë, fuqitë e mëdha apo komunizmin( të cilin ne vetë e përqafuam). Ndërkohë që shumë nga analistët apo edhe atdhetarët tanë shajnë komunizmin dhe komunistët me të drejtë, po këta persona harrojnë të përmendin faktin se Fan Noli, si një nga figurat më të mëdha patriotike dhe kulturore të vendit, ishte përkrahës i Bashkimit sovjetik si edhe u bekua si kryepeshkop i vendit nga kisha ortodokse e Rusisë. Gabimi i Nolit ishte tërësisht njerëzor, po të kemi parasysh faktin se edhe një nga filozofët më të mëdhenj të shekullit të kaluar dhe pikërisht Jean Paul Sartre, ishte një mbështetës dhe avokat i socializmit dhe komunizmit. Kjo nuk e ul aspak figurën e Nolit, përkundrazi e bën atë më perfekte, më njerëzore dhe na tregon qartë se ne shqiptarët kishim dhe ndoshta kemi një tendencë jokoshiente për të përqafuar komunizmin apo të majtën, dhe kjo ndoshta edhe si pasoje e ndarjes kulturore dhe ekonomike nga europa perëndimore, për shkak edhe të pushtimit otoman. Kjo nuk na shfajëson, por përkundrazi na jep një mundësi të jemi koshient për kufizimet tona dhe na inkurajon të përballemi me këtë fakt në çdo hap tonin.
Gjithashtu shpesh akuzohet perëndimi për neglizhencën ndaj Shqipërisë, sidomos pas luftës së dytë botërore, e cila përmbysi ëndërrën e patriotëve dhe intelektualëve shqiptarë të kohës. Gjithashtu akuzohen (me të drejtë) komunistët, të cilët u bënë vasalë të sllavo-komunistëve dhe si të tillë shkatërruan përfundimisht ëndërrën e bashkimit të Shqipërisë duke e futur vendin në periudhën më të zezë të historisë së Shqipërisë. Këto javët e fundit ka pasur shumë shkrime për figurat e nderuara të patriotëve, që luftuan me pushkë dhe penë për bashkimin kombëtar. Figura të tilla të nderuara si Mustafa Kruja dhe Ernest Koliqi etj, luftuan dhe punuan për bashkimin e vendit dhe përhapjen e dijes në vend dhe kjo përshkruhet në faqet e ndryshme të gazetave të vendit. Të krijohet përshtypja se fati ka qenë kundër tyre dhe vendit tonë, por le të ndalemi pak se askush nuk është ëngjëll e ndoshta edhe kanë gabuar. Në fakt, Kruja si kryeministër dhe Koliqi si ministër i arësimit, nuk bashkëpunuan me qeverinë e Zogut për interesin kombëtar, përkundrazi u munduan ta sabotojnë atë dhe kur nuk arritën synimet e tyre, u larguan në Serbi e më tej në Itali. Ata nuk pushuan së punuari për realizimin e qëllimeve të tyre patriotike, por ndoshta mënyra që zgjodhën ishte e gabuar. Ndoshta nga dëshira e madhe për ta parë Shqipërinë e bashkuar, ndoshta edhe nga dëshira e madhe e tyre për pushtet e lavdi, bëri që ata të ndihmojnë në pushtimin fashist nga Italia fashiste, duke e rreshtuar Shqipërinë me vendet totalitariste dhe kundër boshtit anglo – amerikan. Me qëndrimet e tyre bënë të mundur bashkimin e Shqipërisë me Kosovën, por i dhanë indirekt ndihmën më të madhe komunizmit në Shqipëri. Komunistët, me mbështetjen direkte të jugosllavëve, shfrytëzuan urrejtjen popullore ndaj fashizmit dhe të gjithë e dimë çfarë ndodhi më tej. Gjithashtu ministri i arsimit ndaloi të gjitha shkollat e tjera, përveç shkollave fashiste, por pati meritë të madhe për përhapjen e shumë shkollave shqipe në Kosovë dhe dërgimin e 200 mësuesve atje. Të gjitha këto që thamë më lart nuk e zbehin aspak figurën e këtyre patriotëve të nderuar, por përkundrazi me imperfeksionet e tyre, i bënë edhe më të mëdhenj e njerëzor, duke na bërë ne të kuptojmë se ata ishin njerëz si të gjithë ne dhe duke njojtur imperfeksionet e tyre na japin neve mundësi të njohim demonët tanë dhe të reflektojmë. Të tillë shembuj ka shumë me figurat tona të pas viteve 90, gabimet e të cilëve kanë qenë fatale për vendin dhe tregojnë qartë se në shumicën e rasteve, këto figura janë motivuar nga interesat e tyre personale për pushtet e para dhe lavdi. I ngjashëm ishte rasti i Ramës kur i servilosej rekomandimeve të ndërkombëtarëve për idenë e Ballkanit të hapur, në bashkëpunim me Vuçiç-in e Serbisë, por kundër interesave të Kosovës dhe kombit. Po ashtu edhe rasti i PD-së, e cila mbështeti një kriminel dhe armik të shqiptarëve në zgjedhjet e Himarës, për interesa të ulëta personale, por antikombëtare.
Si është e mundur që një nga figurat më patriotike në vend, siç është Mid’hat Frashëri, shihet me urrejtje nga një pjesë e shqiptarëve dhe me adhurim nga një pjesë tjetër. Si ka mundësi që ne nuk arrijmë të vlerësojmë si komb vlerat e mëdha të tij, megjithë gabimet njerëzore të tij.
Në përgjithësi, Etërit e kombit tonë nuk duhet të shihen si supermen më të mëdhenj se jeta, por më tepër si qenie njerëzore me të meta por me arritje të mëdhaja për kombin. Ne mund dhe duhet të mësojmë pjesët e shëmtuara të historisë së kombit tonë, edhe nëse kjo i largon baballarët tanë themelues nga heronj të përsosur në qenie njerëzore të zakonshme. Le të jemi mirënjohës për të gjithë ata që sakrifikuan dhe punuan për lirinë tonë.