Nga Frank Shkreli/
Javën që kaloi në Kosovë u shënua 17-vjetori i masakrës së Reçakut, aty ku me 15 Janar të vitit 1999 forcat kriminele ushtarake dhe policore të Serbisë masakruan lartë nga 45 shqiptarë civilë të pa-armatosur. Ishte kjo një masakër që lau me gjak Recakun. Ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara, William Walker i cili në atë kohë kryesonte Misionin Verifikues të OSBE-së në Prishtinë, me të marrë vesh lajmin e hidhur të kësaj masakre, vajti në vendin e ngjarjes. Dëshmia e ambasadorit Walker për masakrën tragjike që kishte parë në Reçak, njëkohsisht tmerroi botën e qytetëruar dhe zgjoi ndërgjegjen e diplomacisë ndërkombëtare, sidomos asaj amerikane se diçka duhej bërë dhe shumë shpejt për të ndaluar masakrimin e një populli të tërë nga forcat kriminale të Millosheviqit në Kosovë.
Qeveria dhe populli i Kosovës me të drejtë nderuan Ambasadorin Walker me rastin e 17-vjetorit të masakrës në Reçak. Respekti dhe nderimi për William Walker javën që kaloi nga institucionet dhe nga populli i Kosovës nderon mbarë kombin shqiptar kudo. Duhet thekësuar nuk dihet se si do të kishin rrjedhë punët në Kosovë në vitin 1999 po të kishte qenë në Prishtinë një përfaqësues jo amerikan, si kryetar i Misionit të OSBE-së.
Kosova me të vërtetë nderoi këtë hero të drejtësisë, mbrojtjës i të drejtave të njeriut dhe mik i shqiptarëve, miqësi të cilën ai e dëshmon edhe tani pas 17 vjetësh, ndërkohë që nuk pushon së punuari për të mirën dhe mbarvajtjen e Republikës së Kosovës.
Ashtu si edhe në vitin 1999 kur ai alarmoi botën dhe diplomacinë perëndimore mbi masakrën e Reçakut dhe mbi politikën e Millosheviqit prej gjenocidi ndaj shqiptarëve në trojet e veta shekullore, William Walker, në vizitën e tij javën që kaloi në Kosovë për të shënuar 17-vjetorin e masakrës së Reçakut – nuk ngurroi të shprehte merakun e tij të madh ndaj gjëndjes aktuale politike atje duke bëri një thirrje prej miku dhe një paralajmërim ndërsa ka shprehur shqetësimin e tij të thellë me gjëndjen politike të Kosovës.
Ishte ky një paralajmërim prej një miku të madh të Kosovës dhe të shqiptarëve në përgjithësi. Besoj se dëshmitari i masakrës së Reçakut as nuk mund të paramendonte në Janarin e vitit 1999 se sot, 17-vjetë më vonë do të detyrohej të deklaronte se Republika e Kosovës — shtet i lirë dhe i pavarur pas aq shumë vuajtjesh e sakrificash njerëzore dhe humbjesh materiale prej dekadash, e udhëhequr nga vet shqiptarët — “Është në rrugën e gabuar.”
Për gjëndjen politike të krijuar gjatë vitit të kaluar, William Walker ia tha troç klasës politike në Prishtinë duke e ngarkuar atë me fajin më të madh për aktualitetin dhe për grindjet dhe mosmarrveshjet politike në vend, duke thekësuar se, “Klasa politike është një prej problemeve më të mëdha me të cilat përballet sot Kosova”, dhe si e tillë shtoi ai, “Kjo klasë politike nuk është e aftë të zgjidhë problemet me të cilat përballet Republika e Kosovës” dhe si përfundim sugjeroi ai, në atë vend duhet të ketë një ndryshim brezash politikë të cilët të jenë të aftë për tu përballur me sfidat e reja të Kosovës. Ndërkohë që ish-ambasadori Walker mbështeti protestat e fundit si një shprehje e lirisë dhe demokracisë në vend, duke iu referuar protestave të fundit dhe dhunës së përdorur, ai nënvijoi se nëqoftse ao “teprohen, atëherë diçka nuk është në rregull dhe është një problem që duhet të zgjidhet”. Por, ai deklaroi se problemet serioze me të cilat përballe sot Kosova, “nuk mund të “zgjidhen nga klasa e tanishme politike”, citohet nga media e Kosovës, të ketë thënë William Walker. Ai ka thënë se edhe qeveria i ka përgjegjësitë e veta në këtë mes, duke thënë se ajo mund të ishte sjellur më mirë gjatë protestave, citohet të ketë thënë Z. Walker.
Ambasadori Walker u shpreh se komentet e tija shqetësuese mbi gjëndjen në Kosovë dhe sidomos mbi klasën e tanishme politike atje, pasqyrojnë njëkohsisht edhe, “Mendimet e shumë shqiptarëve që jetojnë në Amerikë e me të cilët pajtohem”, ka pohuar ai, “se një prej problemeve më të theksuara në Kosovë është klasa politike, e cila mendoj unë, nuk po ndjekë një rrugë e cila do ta çonte Kosovën në drejtimin e duhur”, ka theksuar Walker. Ambasadori Walker dhe komuniteti shqiptaro-amerikan, që për dekada punuan dhe shpenzuan, madje dhe luftuan, për ta parë Kosovën të pavarur, të lirë dhe demokratike, janë të zhgënjyer nga ngjarjet e muajve të fundit në Kosovë, ngase duke marrë parasyshë historinë moderne të Kosovës, nuk prisnin kurrë krijimin e një situate si politika aktuale në Prishtinë. Shpresohej për një politikë dhe për politikanë ndryshe!
William Walker, gjatë qëndrimit të tij në Kosovë javën që kaloi, hodhi poshtë sugjerimet se problemet dhe grindjet e tanishme politike midis përfaqsuesve të kësaj klase politike, duhet të zgjidhen nga ndërmjetës ndërkombëtarë. Ai ka thënë për median se ndërkombtarët mund të kenë ndonjë rol tjetër, por jo rolin e ndërmjetësit në politikën e mbrendëshme politike të Kosovës.
Fatkeqsisht, në trojet shqiptare, qoftë në Tiranë, qoftë në Prishtinë ose në Maqedoni dhe në Mal të Zi, politikanët shqiptarë presin që — në grindjet dhe mosmarrveshjet e shumëta politike midis tyre, të cilat politikisht dhe ekonomikisht por edhe në fusha të tjera, kanë paralizuar botën shqiptare — ndërkombtarët të luajnë rolin e ndërmjetësit, me shpresë që të huajt të mbështesin qëndrimin e njërës ose tjetrës palë. E vërteta është se askush nuk mund dhe nuk duhet as të përpiqet të zgjidhë problemet politike të mbrendshme të shqiptarëve, as në Tiranë as në Prishtinë. Është kjo klasë politike në të gjitha trojet shqiptare që vet duhet të bëjë një gjë të tillë – me një dialog politik dhe tolerancë politike midis tyre — nëse me të vërtetë dëshirojnë të krijojnë shoqëri të lira e demokratike, pikëspari në frymën e vlerave dhe traditave jetike arbënore, për të cilat ndërkombëtarët nuk kanë asnjë ide, por edhe në përputhje me vlerat e botës moderne në të cilën jetojmë.
Ambasadori William Walker shprehi me këtë rast shqetësimet e tija për gjëndjen aktuale në Kosovë, por do të shtoja se edhe gjendja aktuale politike dhe grindjet e pafund midis partive në Shqipëri dhe kudo në trojet shqiptare, pasqyrojnë gjithashtu edhe shqetësimet e komunitetit shqiptaro-amerikan, e si përfundim edhe shqetësimet e shprehura nga politika zyrtare amerikane, se punët e shqiptarëve — 25-vjetë pas shëmbjes së Murit të Berlinit – nuk janë në rrugën e duhur.
Ne dëshirojmë që Atdheu i të parëve tanë — me këtë kam parasyshë mbarë trojet shqiptare në Ballkan — të realizojë një nivel të kulturës politike dhe një shkallë qytetërimi politik që do të siguronte një bashkjetesë kombëtare midis grupeve të ndryshme politike për të mirën, lavdinë dhe përparimin e të gjithë shqiptarëve. Për ndryshe, stuata e tanishme dhe ngërçi politik dhe bojkotet politike në mbarë botën shqiptare, sidomos në Kosovë dhe në Shqipëri, fatkeqsisht thonë disa se gjëndja e krijuar, vërteton pretendimet shekullore të armiqëve të kombit shqiptar se shqiptarët nuk mund të vetqeverisen. Sa i tmershëm do të ishte vërtetimi i këtij konkluzioni!
Sot për sot, fatkeqsisht, kombi shqiptar gjëndet në një udhëkryq. Falë kësaj klase politike, duket se shqiptarët nuk po dinë të gjëjnë rrugën e tolerancës dhe bashkjetesës kombëtare dhe politike midis tyre që do t’a çonte atë në udhën që ia ka caktuar Perëndia dhe historia — drejtë realizimit të idealeve kombëtare. Është e vërtetë se gjatë shekullit të kaluar, Shqiptarët u gjëndën, ndoshta si asnjë popull tjetër në Europë, i hudhur, i përbuzur, i shkelur e i harruar dhe i përsekutuar nga një ideologji e huaj e imponuar sllavo-aziatike dhe nga fqinjtë që kurrë nuk ia deshtën të mirën këtij kombi. Mirëpo, anë e mbanë trojeve shqiptare, për këtë situatë aktuale absurde mosmarrveshjesh e grindjesh të pafund të klasës politike — sot për sot — nuk mund të fajësohet komunizmi, as sllavi, as greku, as turku dhe as ndonjë tjetër, por vetë shqiptarët. Pa një ndjenjë dhe realizim për nevojën e doemosdoshme të bashkjetesës politike dhe kombëtare – pa një diskurs politik i denjë për shekullin 21 në radhët e klasës politike të shqiptarëve kudo, që do t’i jepte një hov të ri jetës kombëtare, politike, dhe ekonomike të shqiptarëve, sot për sot nuk mund të thuhet se, “Bacë u kry”, jo vetëm në Kosovë por askund tjetër në trojet shqiptare. Zemreku i orës së historisë së kombit shqiptar po pret gjithnjë të këthehet në rrugën e duhur. Kjo mund të arrihet vetëm nga vetë Shqiptarët.