*TE MARTEN, KOSOVA NE DITE ZIJE/
*Misionet Diplomatike të Kosovës hapin librin e ngushëllimeve/
PRISHTINË, 21 Gusht 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Ka ndërruar jetë sot në mëngjes ish-kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi, në një spital në Turqi.
Bajram Rexhepi u zgjodh kryeministër në 4 mars 2002 pas zgjedhjeeve të para nacionale në Kosovën e lirë që u mbajtën në 17 nëntor 2001. “Gjithçka në Kosovë është me përparësi”, theksonte ai në deklaratën e parë si kryeministër.
“Natyrisht, nuk duhet harruar kurrë se ne duhet t’i ndërtojmë institucionet tona demokratike dhe të krijojmë kushte të domosdoshme që statusi final i Kosovës në fund të jetë aq i lartë”, theksonte kryeministri Rexhepi duke u përgjigjur në pyetjen që bëra si kryeredaktor i gazetës tradicionale të Kosovës Rilindja, pasi fillimisht urova për zgjedhjen, në 4 mars 2002, pas seancës së Kuvendit të Kosovës, ku u votua.
Ndërsa, në një intervistë ekskluzive që kam zhvilluar për Agjencinë shtetërore-zyrtare të lajmeve të Shqipërisë-ATSH në 13 shkurt 2003 kryeministri Rexhepi theksonte se Pavarësia, çështja më madhore për të ardhmën e Kosovës, kërkon “çastin më të volitshëm” dhe që subjektet kryesore politike të vendit ta vlerësojnë një gjë të tillë në mënyrë unanime, “në pajtim edhe me faktorin ndërkombëtar, në veçanti me SHBA-në dhe fuqitë e mëdha europiane”.
I pyetur se, “si e shihni perspektivën e serbëve dhe të komuniteteve të tjera në një Kosovë të pavarur”, ai përgjigjej: “Si perspektivën e të gjithë qytetarëve të Kosovës, ku të gjithë do të jenë të lirë, të sigurtë dhe të mbrojtur nga ligji”.
E, i pyetur “në veçanti, si i vlerësoni marrëdhëniet dhe bashkëpunimin me Shqipërinë”, kryeministri Rexhepi përgjigjej: “Nuk ka dyshim se raportet e Kosovës me Shqipërinë janë raportet më të mira se me të gjitha vendet e tjera fqinje. Ky është edhe një realitet i natyrshëm. Shqipëria e ka ndihmuar gjithmonë Kosovën, por, ka dëshmuar gjithashtu se politika e saj e Jashtme është në përputhje me rregullat dhe normat ndërkombëtare. Lidhja e Kosovës me Shqipërinë është në interes të zhvillimit ekonomik mbi të gjitha, sepse përmes Shqipërisë ne dalim drejtpërdrejt në kufi me vendet e Bashkimit Evropian, siç është Italia dhe Greqia. Do të thoja se ky është një privilegj i natyrshëm, i cili duhet shfytëzuar në maksimum”.
Bajram Rexhepi ka lind në Mitrovicë në 3 qershor1954. Ishte mjek-kirurg, gjatë luftës edhe në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e në Kosovën e lirë edhe kryetar i Mitrovicës, si dhe ministër i Punëve të Brendshme në Qeverinë e Kosovës.
Qeveria e Kosovës themeloi Komisionin për organizimin e ceremonisë mortore për ish-Kryeministrin, Bajram Rexhepi
Nën udhëheqjen e kryeministrit Isa Mustafa, Qeveria e Republikës së Kosovës mbajti mbledhje pas marrjes së lajmit për vdekjen e ish-kryeministrit Bajram Rexhepi.
Pas një minutë heshtje, kabineti qeveritar ka aprovuar vendimin për themelimin e Komisionit të Veçantë për organizimin e ceremonisë mortore për ish-Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Bajram Rexhepi.
Ky Komision do të udhëhiqet nga zëvendëskryeministri i parë Hajredin Kuçi, ndërsa anëtarë do të jenë: ministrja për Kulturë, Rini dhe Sport, Vlora Dumoshi, ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli, ministri i Punëve të Brendshme, Skënder Hyseni, ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, shefi i Kabinetit të Kryeministrit, Sokol Havolli, një përfaqësues nga familja, kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, si dhe përfaqësues nga Protokolli i Shtetit. Kryesuesi i Këshillit mund të emëroj edhe anëtarë të tjerë, nëse e konsideron të nevojshme.
Me këtë rast kryeministri Isa Mustafa tha se Kosova sot ka humbur një personalitet, një njeri të devotshëm, një mjek të mirë dhe një aktivist të lirisë e të pavarësisë, pjesëmarrës i luftës çlirimtare të Kosovës.
“Bajram Rexhepi do të mbetet në historinë më të re të Kosovës, si kryeministri i dalë nga zgjedhjet e para të mbajtura pas luftës duke kontribuar në avancimin e agjendës shtetndërtuese”, tha kryeministri Mustafa.
PRESIDENTI THAÇI E KRYEMINISTRI MUSTAFA NGUSHËLLOJNË FAMILJEN REXHEPI/
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi i ka dërguar një telegram ngushëllimi familjes Rexhepi, pas vdekjes së parakohshme të ish kryeministrit të Kosovës, Bajram Rexhepi.
“Me dhembjen më të madhe e pranova lajmin për vdekjen e mikut tim, kolegut tim, Bajram Rexhepit, kryeministri i parë i Kosovës, burrështetas dhe politikan që ka prekur jetët e të gjithëve me urtinë e tij”, thuhet në telegramin e Presidentit.
Në këtë telegram thuhet se me guximin, maturinë dhe durimin e tij, Rexhepi ishte shembull për të gjithë. Më tej thuhet se afërsia dhe respekti i Rexhepit ishin shembull për të gjithë miqtë e tij.
“Të gjithëve do të na mungojë si mik, si koleg, si shembull. Me mendjet dhe me zemrat tona jemi me familjen e Bajramit, duke i shprehur ngushëllimet më të thella e duke i uruar forcë e durim, por edhe krenari në këto ditë të vështira”, thuhet në telegramin e ngushëllimit të presidentit Thaçi drejtuar familjes Rexhepi.Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka ngushëlluar Familjen Rexhepi, pas ndarjes nga jeta të ish-kryeministrit Bajram Rexhepi.
Në telegramin e kryeministrit Mustafa thuhet:
E nderuar Familje Rexhepi,
Me pikëllim të thellë mësuam lajmin për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit dhe veprimtarit të dalluar Bajram Rexhepi.
Ndjehemi thellësisht të prekur nga kjo humbje e madhe për Ju dhe për tërë Kosovën.
Ish-kryeministri Rexhepi ishte një personalitet dhe veprimtar i shquar i cili dha kontribut të veçantë para, gjatë dhe pas luftës çlirimtare.
Bajram Rexhepi do të mbetet në historinë më të re të Kosovës, si kryeministri i dalë nga zgjedhjet e para të mbajtura pas luftës, si dhe si kryetar i Mitrovicës, duke kontribuar në avancimin e agjendës shtetndërtuese të Kosovës.
E nderuar Familje Rexhepi,
Më lejoni që në emrin tim dhe të Qeverisë së Republikës së Kosovës t’ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta.
I qoftë i lehtë dheu i Kosovës!
Isa Mustafa,
Kryeministër i Republikës së Kosovës
NGUSHËLLIMET E AMBASADORIT TË SHBA DELAWIE
Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Greg Delawie:
Ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjen, miqtë dhe kolegët e ish-kryeministrit Bajram Rexhepi, i cili ka punuar në emër të Kosovës për shumë vite.
My sincerest condolences to the family, friends & colleagues of former PM Bajram Rexhepi, who worked on #Kosovo‘s behalf for many years.
Diten e stome, e mart 22 pusht Presidenti Thaci e ka shpalle dite Zije Kombetare.
Misionet Diplomatike të Kosovës hapin librin e ngushëllimeve
-Komunikatë për medie e MPJ: Misionet Diplomatike të Republikës së Kosovës do të hapin librin e ngushëllimeve për ish-Kryeministrin, Bajram Rexhepi/
Prishtinë, 22 Gusht 2017 -Gazeta DIELLI/ Pas ndarjes nga jeta të ish-Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Bajram Rexhepi, të gjitha Misionet Diplomatike të Republikës së Kosovës në botë janë udhëzuar që të hapin librin e ngushëllimeve në shtetet ku ata janë të akredituara.
Libri i ngushëllimeve do të jetë i hapur për tre ditë radhazi sipas orareve të caktuara paraprakisht nga vet Misionet Diplomatike në shtet respektive.
Veç kësaj, në mbështetje të vendimit të Presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, i cili e shpalli ditën e martë si ditë zie në Republikën e Kosovës, të gjitha Misionet Diplomatike janë udhëzuar që flamujt shtetëror të ulen në gjysmështizë në vendet ku ata shërbejnë.