NGA ALMA LIÇO/
Kanë kaluar gati tre dekada nga rënia e regjimit, dhe shumë pak është bërë për të vlerësuar në aspektin historik dhe atë human, atë periudhë të tmerrshme, që shkatërroi jetët e qindra mijëra personave e familjeve të pafajshme. Këtë fakt dëshpërues evidentoi edhe Konferenca e disa ditëve më parë, me Tematikë “Ditët e Kujtesës”, organizuar nga IDMC, mbajtur në Tiranë në datat 13-21 shkurt .
Unë kam përvojën dhe opinionin tim lidhur me këtë mungesë të theksuar vullneti për rivlerësimin e asaj periudhe të errët dhe aspak të largët të historisë së vendit tonë.
Së pari, do të thosha se për fat të keq pas rënies së regjimit, Shqipëria është qeverisur me të njejtën mendësi diktatoriale dhe përjashtuese ndaj kundërshtarëve politikë, madje kjo dukuri është prezente në nivelet më të larta drejtuese, nga të njejtët persona, bij ose familjarë të afërt të tyre.
Së dyti, dëshiroj të theksoj se nuk pati asnjë iniciativë apo angazhim shtetëror që të mbështeste rikthimin dhe riintegrimin e familjeve të internuara në vendet e origjinës. Të lënë në mëshirë të fatit, largimi nga vendi i internimit ishte një hap që çdo familje e ndërmori me forcat e veta. Shumë prej tyre u strehuan në godina të pabanueshme, siç ishte rasti i ish-shkollës së Partisë së Punës. Cinik dhe fyes strehimi në atë ndërtesë të katandisur në gërmadhë, e cila në dhjetra vite kish përgatitur dhe nxjerrë kuadrot kriminalë të diktaturës. Disa familje mundën të strehohen tek të afërm, që me zemërgjërësi ju hapën dyert, si dhe një numër i konsiderueshëm, të pashpresë ndoqën rrugën e emigracionit. Madje ka ende familje që në pamundësi fizike e ekonomike rikthimi, vazhdojnë të jetojnë në vendet e internimit.
Vitet e para të post-komunizmit, me mbështetjen e disa donatorëve u ndërtuan një numër i kufizuar apartamentesh për strehimin e kësaj kategorie, tërësisht i papërfillshëm për nevojat imediate të tyre. Gjithashtu pati dhe një planifikim për trajtim me të drejta studimi të një numri të limituar të rinjsh që vinin nga kjo kategori të dënuarish. Pothuajse të gjithë këta të rinj kishin lindur në internim.
Si fillim përpiqesha të justifikoja neglizhencën e theksuar ndaj kësaj shtrese. Mendoja se kjo ndodhte pasi Shqipëria ishte në varfëri ekstreme dhe pamundësi ekonomike për masa rehabilituese të atyre përmasave. Mirëpo nuk rezultoi që të ishte varfëria shkaku. Vitet në vijim dëshmuan një mungesë permanente vullneti për integrimin e të përndjekurve politikë, madje u punua për të përçarë dhe sabotuar çdo përpjekje të organizuar në kërkim të të drejtave të tyre.
Rënia e regjimit u pasua nga zhgënjimi që solli mos bërja e drejtësisë për krimet e tmerrshme që përjetuan. Të cfilitur nga jeta, bashkëvuajtësit e mi, sigurisht ata që ende nuk ja kanë mbathur nga Shqipëria, po i zvarritin këto vite dyerve të gjykatave, në kërkim të një strehe, të një prone që nuk ka gjasa t’u kthehet kurrë, ose në pritje të lëmoshave të kompensimit të turpshëm e mjeran. Kam parë të moshuar që teksa shtrëngonin ca dokumente dhimbjeje në duar, kanë humbur ndjenjat në dyert e atyre zyrave. Kam përjetuar lotët e nënave të kampit të Tepelenës, që besonin se ligji që parashikonte dëmshpërblimin e tyre, do të zbatohej ndonjë ditë. Por kjo kurrë nuk ndodhi.
Ende pas 30 viteve, ne ndjejmë nevojën e dekomunistizimit të shoqërisë shqiptare, proçes ky tejet i vonuar.
Të obliguar nga marrëveshje ndërkombëtare, në muajin tetor të vitit 2006, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar Rezolutën “Për Dënimin e Krimeve të Kryera nga Regjimi Komunist në Shqipëri”, në votimin e së cilës, deputetët e Partisë Socialiste, prej gati shtatë vitesh në pushtet, dolën nga salla duke e bojkotuar atë. Si rrjedhojë, pothuajse asnjë prej 17 pikave të saj nuk është realizuar, megjithëse kanë kaluar pothuajse 14 vjet nga koha e miratimit.
Gjashtë vitet e fundit situata është përkeqësuar më tej. Janë qindra ish të persekutuar të regjimit të flakur nga puna, pasi nuk janë militantë të partisë në pushtet. Kjo situatë përjashtuese dramatike kulmon me kërcënimin me jetë të Drejtorit të Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit, si dhe familjes së tij, me pasojë arratisjen e tyre, kërcënim ky për shkak të detyrës. Kërcënuesit nuk janë anonimë. Ata janë figura të errëta që vijnë nga labirintet me kriminale të diktaturës, që për ironi dhe absurditet qëndrojnë ende në majë të pushtetit legjislativ, apo edhe institucioneve të tjera. Asnjë reagim nga sistemi i drejtësisë, ndërkohë që kërcënimi për shkak të detyrës, përbën vepër penale.
Perspektiva paraqitet shumë e zymtë. Jemi kaq të vonuar në procesin e reformimit demokratik. Jemi kaq larg bërjes drejtësi për krimet e tmerrshme të diktaturës si dhe atyre që pasuan. Nuk kemi arritur ende të rishkruajmë në mënyrë të paanshme historinë e Shqipërisë të periudhës së komunizmit, bazuar në dokumente dhe dëshmitë e viktimave. Po edukojmë një brez të ri në konfuzion të plotë për këtë periudhë të errët të historisë. Si rrjedhim, po shkasim me shpejtësi marramendëse drejt një rregjimi autoritar, ku institucionet drejtohen në mënyrë arrogante e të korruptuar nga të njëjtët individë. Rezultati…një popull i pashpresë, në arrati. Pa orientim.
Mbi të gjitha demokracia është shkallë qytetërimi…dhe ne jemi ende kaq larg.