Shkruan:Ilir Levonja-Florida/
1) Sa më shumë që njoh të drejtat civile qytetare të Amerikës, në administrate, qoftë kjo tek shteti apo tek privati, më i përvuajtur më bëhet vështrimi. Poshtë e më poshtë më çon trishtimi. Të paktën nga meditimi më i parë. Mjafton të kujtojë se si, dhe sa punuan prindërit e mi. Çfarë kanë, çfarë lanë, si e jetuan pleqërinë? Sidomos babai. Fanatizmi i tij mbi valixhen me dekorata. Dashuria me shkumë inati karshi partisë. Një jetë e çuar kot. E të tjera si këto. Mbasandaj vitet e tanishme, këto të drejta qytetare nga e sotmshja.
Ndofta nuk është krahasimi i duhur. Por unë do vazhdojë ta bëj. Pasi shpesh kam nga ata kundërshtarë të mire që më shkruajnë në inbox, duke më kujtuar pikërisht këtë krahasim. Ne dhe Amerika. Nuk qëndron. E ke gabim.
Nga ana tjetër edhe pse e ëndërrojmë, edhe pse e mbipopullojmë sportelin me kërkesa për në Amerikë. Prapë e kemi gabim të krahasohemi në realitet. E kemi gabim ta marrim si shembull për të tashmen atje në vendin amë. Këtë vendin që e ëndërrojmë.
Ndërkohë që panelet e studiove dominohen nga zëdhënës partish, edhe pse profesorë, doktora etj.., me metoda bashkëkohore të Amerikës.
Pyetja është, a i thonë për të treguar kulturë, apo për t’i aplikuar në të përditshmen? Në qeverisjen e radhës?
2)Në kohë stuhish, këtu stacionet informative njoftojnë qytetarët gati një javë përpara që të mos gjënden gafil. Dhe zakonisht njerëzit nuk blejnë ushqime të freskëta, por të konservuara. Mund të mos ketë drita, mund të mos ketë qarkullim për ditë me radhë. Unë e provova këtë situate me harrikenin e famshëm Katrina , vera e 2005-ës. Ndenjëm dy javë pa drita e të tjera. Megjithatë mbaj mend diçka, e para dhe më e rëndësishmja gjë qe uji. Kur shkuam të blenim atë, radha qe kilometrike. Çuditërisht edhe pse për orë të tëra, askush nuk doli nga aty. Askush nuk e theu atë. Të gjithë ne ishim njerëz emigrantë. Thuajse të gjithë.
Kam pyetur veten? Përse jemi kaq të sjellshëm këtu. Dhe aspak në vendet nga vimë?
Sigurisht për së pari shteti, e sigurisht për së dyti njerëzit.
Megjithatë historia e këtij shteti, është një e tillë si marrëveshjet e mëdha. Mjafton të përmendimin luftën civile midis veriut dhe jugut. Fundin me marëveshje të mëdha. Jo me rrahje të vazhdueshme gjoksi etj.
3)Sot në Selenicën e Vlorës, rinia komuniste, kryetari rinor socialist, kryetari lësëist,. Aleati djathtist, paterica e Berishës, depozita e Ramës. Aleati i Ramës. Aleati i aleancës së qelbësirave sipas Berishës, etj. Që ju i dini më mire se unë. Tallet me ballistët.
Aq kollajllisht sa njerëzit në Shqipëri besojnë se luftën e ka bërë Ilir Meta. Se lufta është ajo që thotë Ilir Meta. I lexuari, i kënduari. Të tjerët nuk dinë të lexojnë. Beson edhe vet Iliri se është kështu. Edhe pse në panelin e së përditshmes, pare me atë syrin plot trishtim. Pra se ku ndodhet populli yt përballë këtij populli këtu. Të drejtat, mirëqia, apo të ardhurat, apo edhe jetesa me popullin atje. Që qeveriset nga Iliri. Ballisti modern i provinces shqiptare.
E thënë thjesht, në fushata elektorale flitet për arredimin e shoqërisë në lidhje me çfarë është bërë mire. Çfarë nuk është bërë mire. Si mund të përmisohet etj. Nuk flitet për lavdi historie. Lavdia, fjalët e mëdha, janë ideollogji. Ne dështuam njëherë si vend. E vërteta praktike nuk është lavdija e rreme, por mubndja e skamjes aty.
4)Përse vazhdoni t’i mallkoni ballistët? Për të përmisuar mirëqënien e Selenicës, apo mirëqënien tuaj? Ç’lidhje ka një histori e uzurpuar, denigrimesh, mashtrimesh, përballë perspektivës së një qeverie lokale si Selenica. Ç’lidhje kanë ballistët, me të cilët u tallëm gjysmë shekulli, duke i parafytyruar si pijanecë, pulaxhinj, petullaxhinjë etj…, përballë shifrave të të ardhurave tuaja, që po shohim përditë nëpër faqet e gazetave. Po ashtu përballë shifrave të të ardhurave të një qytetari. Përballë azilkërkuesve të dita ditës. Përballë mallkimit që i bëjnë vetes shqiptarët se, pse linden aty?
5)Një poet, një dramaturg shqiptar me emrin Hekuran Zhiti, shok i Tutulanëve, i Sterjo Spases, Nondës, Petros etj. Shkruan një poemë përqafimesh për kundërshtarët. Qëllimi, të shmange dasimet, vëllavrasjet etj. Çuditërisht një zë i tillë dënohet nga të gjithë sistemet. Dënohet ai, apo dënohen idetë e tija. Këtë le të na i shpjegojë Iliri.
Tjetër detaj…Para se të vdiste, ai që ideoi Ballin Kombëtar la me testament që pasuria e tij, të bëhej një Instituti i studimeve të shqipes. Që librat e tij, biblioteka e tij…. të bëhej Biblioteka Kombëtare.
Edhe ky një i denigruar, i dënuar nga disa regjime. Edhe pse vjen nga ajo derë ku ti sot mban si medallion Rilindjen. Epokën që bëri familja e tij e frashërllinjëve.
6) Po e mbyll me ato fjalë që e nisa. Sa më shumë e njoh administratën këtu, të drejtën civile, të drejtat e punëtorit me punëdhënësin, nënpunësit me shtetin etj. Aq më tepër trishtohem për njerëzit aty. Për vendin tim. Vendin e liderëve që janë kopja e përkryer e atyre që krijojnë për t’i sharë.