Nga Zaim Kuçi/
U thanë dhe stërthanë, u karikaturizuan dhe u qeshëruan ato që ndodhën në stadiumin serb, por le të sjellim një tjetër kënd vështrimi se çfarë fshihej pas kësaj loje futbolli, a ishte rezultat trazire tifozash apo skenarë i mirëpërgatitur serb?
Sipas meje, ajo që ndodhi në këtë stadium dhe qëndrimi i mëpastajshëm zyrtar serb, tregoi se situata e krijuar ishte një fushë betejë me skenarë të përgatitur për t’u zhvilluar, para/gjatë dhe pas ndeshjes që, ushtarakët mbi këto skenarë ndërtojnë vlerësim situate. Në këto skenarë ndërrthureshin qendrime politike dhe diplomatike të një historie të shkuar që sa vjen dhe trazohet në hapsirën e gjeopolitikës konfliktuale serbe.
Ajo që u bë keq në këto skenarë ishte prezenca me forca në ekstremitet në të gjitha situatat; e cila tregoi më shumë paaftësinë e rendit serb për ta demostruar këtë force, më pas dhe për të menaxhuar një situatë të pritshme të mundshme. Ajo që ndodhi në Beograd erdhi nga mbimobilizimi, mjete dhe forca, gati në kufijtë e një situate të vlerësuar- Shtetrrethim. Stacionimi i kësaj force para fillimit të ndeshjes zbuloi atë që parashikohej të zhvillohej nga vet serbët në këtë lojë, ku dihej se tifozët shqiptarë ishin teje të limituar kohë më parë nga vet shteti serb. Në këtë lojë, sigurisht serbët e dinin se « kundërshtarë » kishin pjesëtarët e ekipit të futbollit, të medias dhe të ftuarit vip. U dhunuan futbollistët nga tifozët të ndihmuar nga ata që duhej t’i mbronin siç parashikojnë rregullat e zhvillimit të lojës. Ateherë, kujt i sherbeun, ato më shumë se katër mijë forca të rendit? Ushtarakisht, e pakuptimtë…planifikuan forca me kundërshtarë imagjinarë.
A ishte balona shkak për të filluar betejën kundër shqiptarëve? Terreni antishqipar tashmë u duk se kishte kohë që përgatitej. Duhet kuptuar se irritimi serb kishte filluar qekur ata u nisën për të ardhur në stadium, pra ishte një organizim. Është e turpshme të merret në konsideratë për t’u vlerësuar irrituese një ballonë si ato të fëmijëve ku varej një banderolë me simbole kombëtare. Dhuna e ushtruar mbi sportistët ishte barabare që zor bota e civilizuar do ta gëlltisë atë. Kemi parë irritime huligantësh në stadiume por ata janë të veçuar, të grupuar por kurrë nuk kemi parë një urrejtje në kor në një stadium të tërë me thirrjen “vdekje shqiptarëve”. Ata vepronin të orkestruar, të mirëdirigjuar, kjo është për të analizuar, kjo duhet t’i sherbejë Evropës si analizë për veprim. Sa herë u shkelën hapsirat ajrore të shteteve elitë nga avionët gjuajtës luftarakë rus, edhe pse ishin shumë larg kufirit të tyre, edhe pse Rusia ishte në gjendje lufte, dhe u mjaftua me notë proteste simbolike midis shtetesh- kjo në emër të ruajtjes së paqes.
Serbët nuk u trembën aq shumë as dhe nga avionët gjuajtës dhe bombardues më të sofistikuar të vendeve më elitare dhe demokratike të botës, të marsit -99 tës, se sa u trembën nga ballona lodër fëmijësh e cila nuk ishte as helikopter apo dron zbulimi.
Flamuri ishte një revoltë e një pakice tifozësh shqiptarësh që nuk mundën të hynin si qytetarë të ballkanit për të parë një loje futbolli. Teknologjitë kanë avancuar dhe banderola simbolike në këtë stadium sherri tregoi sa larg dhe sa e vjetëruar është sjellja serbe në sofrën ballkanike dhe europiane.
Serbët përfundimisht e kanë humbur Kosovën, histeria serbe e shumë mediatizuar në botë përforcoi edhe më shumë të padëshirueshmen, kthim mbrapa, duke rritur distancën Prishtinë-Beograd.
Postndeshja. Ajo që duhet të na shqetësoj ne shqiptarët është fakti se serbët janë ekspert manipulues të kontinentit tonë. Ata dinë të transformojnë lajmin, imazhin të cilin e kanë prodhuar me kujdes në laboratoret e sajimeve duke futur në lojë kartën e nacionalizmit shqiptar edhe me fqinjët tanë. Më keq se kaq, ata kanë organizma dhe shtete në Europë dhe më gjerë që i mirëlobojnë. Diplomacia e jonë është ende larg këtij lobingu të kërkuar edhe pse kemi çfarë të shesim për imazh, atë që ndodhi dhe të tjera sjellje modele shqiptare ndaj të huajve.
Realisht pamjet filmike e vendosin shtetin serb absolutisht në bazën e akuzës, kjo varet edhe nga sa të aftë jemi në vijimësinë e çuarjes deri në fund të kësaj situate që sipas meje diskreditoi serbinë dhe lartësoi krenarisht qëndrimin paqësor të atyre sportistë përballë një tifozerie rebele dhe një force të madhe sigurie por totalisht inegzistente. Asgje nuk nxiti dhe turp të analizosh veprimin paqësor të marrjes së simbolit kombëtar nga ana e sportistëve tanë dhe t’ia dorëzosh personit zyrtar te fushës së lojës, kjo është qytetare, më tepër patriotike. Qëndrimi zyrtar shqiptar ishte real, politikisht i qartë, kurajues, me vlera që distancuan të keqen e këtij shteti, më tepër është një qëndrim europian. Shqiptarët në Beograd fituan autoritet, më tepër kulturë, më tepër qytetari, më tepër jemi europian.
Vizita e pritshme e Kryeministrit shqiptar në Beograd.
Janë dy pamje per t’u vlerësuar, së pari pala serbe ende është larg për t’u afruar në sofrën e shtruar për diskutime ballkanike. Ata, mendoj se sajuan mediatikisht edhe këtë çorpë të prishur për të qënë larg këtij bashkëpunimi, më tepër se kaq udhëheqësit aktual serb thirrën në skenë kartën nacionaliste shqiptare për të dalë nga paaftësia e tyre ku ata janë vendosur dhe së dyti, ata kanë një aleat të vetëm strategjik, ajo është Rusia. Aktualisht, Serbia për Rusinë është një prioritet emergjence, ajo do të luajë të gjitha kartat e mundshme (me te ndjeshmen- ekonomike për të cilën serbia ka nevojë) për të forcuar interesat e saj.
Pa rivlerësuar tradicionalen serbe, urrejtjen ndaj nesh, duhen marrë në konsideratë edhe lëvizjet e fundit të suksshme të Kryeministrit shqiptar drejt Evropës sigurisht ato nuk janë sukses apo të vlerësohen të tilla për politikën serbe. Edhe në fushën e luftimit palët ndërluftuese organizojnë bisedime për kompromise apo dhe vijim lufte.
Guzhina propagandistike serbe nxitoi dhe prodhoi fabrikime të pallogjikshme madje edhe qesharake duke na dhënë pamje të dyshimta ndaj vizitës së pritshme të kryeministrit tonë, por kjo nuk duhet të jetë pengesë për palën shqiptare, koha ka ardhur që të kuptohet mirë se 7.5 miljon shqiptar, brenda dhe jashtë kufirit, tashmë janë faktor në rajonin e ballkanit.
Vizita në Beograd, në situatën e krijuar, nuk është e lehtë për t’u zhvilluar, por është e domosdoshme për t’u realizuar, ai shkon atje politikisht i qartë, me kufij tashmë të kthyer imagjinarë me shtetin kosovar, me aleatë të fuqishëm evropiane, me politika të konsoliduara integruese NATO-BE. Kryeministri Shqiptar i del për detyrë qe të zhvillojë vizitën në Beograd duke afruar modelin moderator shqiptar për një Ballkan me më shumë paqe, që do të jetë jo shumë vonë, vlerë dhe interes padyshim dhe për popullin serb.
Së fundmi, por kryesore, vizita e pritshme e Putinit….Ndeshja u zhvillua pak kohë më parë kur Beogradi përgatitej për paradën ushtarake për vizitën « buj » të Putinit, të sajuar apo e programuar sigurisht pas një triumfi të tij të rihapjes luftë në Ukrainë. I kundërshtuar tërësisht nga gjithë bota mbarë Putini si udhëheqës shpirtëror i serbëve gjen mbështetje tek shteti serb, i cili është e vetmja bazë apo burim ku mund të turbullohen ujrat në ballkan dhe më gjerë.
Ballkani vazhdon të hallakatet në të kaluarën e tij historike, herë herë e shikojmë larg atë dhe herë herë ajo është shumë pranë….kjo kërkon maturi dhe kthjelltësi diplomatike.
astrit says
Nje analize brilante, reale.Vertet shume bukur.
Profesor Kuçi, te falenderoj per kontributin, Bravo!
kastrioti says
E bukur! analize qe te afron nje mori probleme qe vertet jane mire trajtuar dhe realisht kerkohet kujdes me kete shtet bastard