
Dr. Nikollë Loka/
Gjatë Mesjetës, në territorin e Zetës së dikurshme (sot Mali i Zi), dallohen Balshajt dhe Cërnojeviçët, dy familje fisnike që kanë rolin e tyre të rëndësishëm në zhvillimet politike dhe shoqërore të shtetësisë malazeze. Familja e Balshajve ka qenë objekt i një vëmendjeje të veçantë në historiografinë shqiptare. Në këtë kuadër, edhe studimi i Hajrullah Hajdarit “Balshajt dhe objektet kishtare në gorricat e Liqenit të Shkodrës” ofron të dhëna me vlerë, të mbështetura në burime dhe prurje të reja historiografike. Për të nderuar këtë studiues të ndjerë, unë kam sjellë në këtë simpozium shkencor disa të dhëna për origjinën etnike të Gjuraj – Cërnojeviçëve.
Në përgjithësi, përkatësia etnike ka qenë gjithmonë e politizuar, që nga lindja e shtetit, madje edhe më parë. Ndërsa identiteti kombëtar i shqiptarëve, që rrjedh nga ilirët autoktonë jo të romanizuar, nuk ngre asnjë dyshim të madh në fushën e shkencës, gjendja e njohurive për origjinën e kombit modern malazez është paksa e ndryshme. Ilirët kanë pjesën e tyre në etnogjenezën e sllavëve të Jugut dhe e kaluara e kultura e tyre janë një element i historisë kombëtare të kroatëve, malazezëve, sllovenëve, pjesërisht serbëve dhe, mbi të gjitha, shqiptarëve (Bojović, 2019:19). Miroslav Ćosović, duke iu referuar disa disiplinave shkencore, del në përfundimin se “malazezët janë popull autokton që romakët i quanin ilirë”. Procesi i përdorimit të gjuhës sllave nga ata zgjati deri në fund të shek. XV dhe ishte shkaktuar nga fakti se sllavët kishin avantazh kulturor (Morozova, 2019:309), me njohjen nga Selia e Shenjtë të gjuhës së tyre si gjuhë liturgjie në kishë, krahas latinishtes dhe greqishtes. Megjithatë substrati i lashtë ilir mbeti një faktor përcaktues në marrëdhëniet historike shqiptaro-malazeze edhe gjatë shekujve të parë të Mesjetës.
Studimet arkeologjike dëshmojnë për një vazhdimësi kulturore në trevat e Shqipërisë së Veriut dhe të Malit të Zi të sotëm (Dioklea, Zeta), e cila vijoi edhe pas depërtimit e vendosjes së popullsive sllave. Në këto zona, ndikimi sllav nuk arriti të zhdukë apo të zëvendësojë plotësisht shtresën vendase, siç ndodhi në disa rajone më veriore. Në dritën e këtyre gjetjeve, janë vënë seriozisht në pikëpyetje tezat e mëparshme mbi etnogjenezën e kësaj pjese të Ballkanit Perëndimor, të formuluara kryesisht nga një këndvështrim serbocentrik, duke hapur rrugë për një rishqyrtim më të balancuar e të mbështetur në të dhëna shkencore (Xhufi, 2012:125–126). Sipas perandorit dhe historianit Konstantin Porfyrogjeneti, Dioklea nuk përfshihej në territoret ku u vendosën popullsitë sllave gjatë kohës së perandorit Herakli. Ndërsa Dalmacia deri në Grykën e Kotorrit u sllavizua, Dioklea mbeti në orbitën bizantine, në kufi me vendet sllave. Kjo situatë ndikoi në formimin e një identiteti të veçantë të saj që në mesjetën e hershme (Xhufi, 2012: 125 – 126).
Ndryshe nga debatet mbi origjinën etnike të malazezëve dhe mënyrën se si ata janë vetëidentifikuar historikisht, studiuesit e historisë dhe politikës së Malit të Zi priren të bien dakord mbi ekzistencën e dy traditave të dallueshme protokombëtare: serbizmit dhe malazezizmit. Ideja për një prejardhje të veçantë të malazezëve në raport me serbët, pra koncepti i malazezizmit, u artikulua kryesisht nga elitat politike dhe kulturore, ndërsa përhapja e tij në masën e popullsisë mbeti më e kufizuar (Erdem, 2023:60).
Sllavët u shfaqën për herë të parë në Ballkanin Perëndimor pas kalimit të tyre në shkallë të gjerë nga përtej Danubit, në fund të shekullit VI dhe fillim të shekullit VII. Ata ranë në kontakt me popullsinë vendase parasllave, që u quajt nga bizantinët “slaveni”. (Hladkỳ, 1895:18).
Që nga kohët e lashta e deri në ditët e sotme, kanë qarkulluar gojëdhëna të ndryshme popullore mbi origjinën e përbashkët të disa fiseve malazeze dhe shqiptare dhe sipas këtyre traditave, këto fise rrjedhin nga një paraardhës i përbashkët. Megjithëse rrëfimet mbështeten në legjenda, nuk mund të përjashtohet plotësisht mundësia që ato të përmbajnë një bërthamë të së vërtetës. Edhe etnologu serb Jovan Erdeljanoviq ka shprehur mendimin se këto tregime mbështeten mbi një “bazë të vjetër” dhe se në to gjendet “diçka e vërtetë”. Vetë malazezët janë të vetëdijshëm për një traditë tjetër që hedh poshtë idenë se malazezët ortodoksë janë serbë dhe, në vend të kësaj, pretendojnë se përbëjnë një grup etnik të veçantë me origjinë të përzier shqiptaro-sllavo-vllehe, duke theksuar rëndësinë e historisë divergjente të Malit të Zi.
Një sociolog i shquar malazez, Srdjan Darmanoviç, e përshkruan gjendjen malazeze si atë të një “homo dupleksi kombëtar, një viktimë e vetëdijes së tij të dyfishtë ose të ndarë”(Roberts, 2007:47). Edith Durham, para një shekulli, shprehet: “Jam shumë e prirur të besoj se gjuha dhe kombësia e tanishme e fiseve të tilla, pra qofshin sot serbofone, malazeze, apo shqiptarofone, është përcaktuar kryesisht nga përkatësia fetare, varësisht prej rrethanave, nën ndikimin e kishës ortodokse serbe apo të kishës katolike romane” (Durham, 2010:453–472). Ndërsa Carleton Stevend Coon pohon se “malazezët e vjetër ishin shqiptarë që u sllavizuan në një moment: gjuhësisht ata janë serbë, por nuk mund të vihet në dyshim se, në një masë të madhe, janë shqiptarë të sllavizuar; vazhdimësia kulturore midis dy popujve është e habitshme, të vetmet dallime reale janë ato të gjuhës dhe të fesë” (Coon, 1939:154).
Lidhjet farefisnore që ekzistojnë midis banorëve me antroponimi shqiptare dhe sllave, dëshmon se edhe ata ishin të përkatësisë etnike shqiptare, si dhe tregon se çfarë emrash sllavë ishin në përdorim në etnosin shqiptar gjatë shekujve XIII–XIV(Gashi, 2020).
Në ndihmë të një prejardhjeje të përbashkët shqiptaro-malazeze është edhe tradita e tyre zakonore. Mali i Zi, i cili ishte i përbërë kryesisht nga fise fillimisht shqiptare, drejtohej nga ligje tradicionale shumë të ngjashme me Kanunin. Rregullimi u zbatua gradualisht nga princat, të cilët, me këmbëngulje, mençuri dhe për një kohë mjaft të gjatë, arritën ta pajisin territorin me një drejtësi të vërtetë qeveritare (Martucci, 2008, 2011:338).
Sipas Shuflajt, “në kohërat paraturke, Shqipëria ekzistonte (edhe pse jo si koncept politik me kohëzgjatje), si një koncept etnogjeografik, paralel me konceptin politik të Bullgarisë dhe të Serbisë. Mali i Zi, nisur nga pikëpamja historike, mund të konsiderohet si një fëmijë i mbrapshtë i Shqipërisë”(Shuflaj, 2012:80). Albanologu Shuflaj i ka cilësuar grumbujt kompaktë të shqiptarëve që gjendeshin në afërsi të Raguzës dhe Kotorrit në shekullin XIII si “mbeturina ilire autoktone, të shkëputura nga bërthama shqiptare” dhe ka zbuluar përhapjen e fortë të elementit shqiptar në Zetë, të dëshmuar nga emrat e disa vëllazërive të vjetra të Zetës, si: Matagushët afër Podgoricës, Mahinët nga Pomerania, Malonshiçët nga Lugina e Zetës, Matarugët nga Grahovi, Golemadhët etj. (Pulaha, 1974:35). Edhe në një kartë të Cërnojeviçit, sundimtarit të Cetinës në vitin 1485, përreth Cetinës së sotme përmendet, ndër të tjera, një territor ku shkon rruga nga Cetina për në Vërtelc, në anën e djathtë nga Kodra e Gjinit.
Fisi Gjuraj Cërnojeviç e ka origjinën në fshatin Kalogjurgje Crnojev, në brendësinë veriperëndimore të Kotorrit(Pijović, 2018:115). Hapësira territoriale ku themelohet dhe merr formë dinastia Cërnojeviq, sipas burimeve materiale, konsiderohet si njësi tokësore e përzier etnikisht, megjithatë, elementi arbëror duket të jetë mbizotërues, për shkak të toponimisë, regjistrave dhe kujtimeve popullore malazeze mbi prejardhjen. Shumica e vendbanimeve të evidentuara nuk kanë kuptim në gjuhën sllave, përderisa shumë lehtë vërehet rrënja shqipe në to.
Dyshimet mbi rrënjën arbërore të fjalëve plotësohen edhe nga vetë kujtimet malazeze të botuara në leksikonin historik nga “Vijesti” në Podgoricë më 2006, ku thuhet se shumica dërrmuese e mbi 12 fshatrave të fisit Ceklin derivojnë nga Leka (Prelvukaj, 2019). Shumica e vendbanimeve të evidentuara nuk kanë kuptim në gjuhën sllave: Cetina, Ceklina, Barutana, Goljemade, Brezina, Arbanasi, Progonoviçi, Bridje (Brigje), Kornet, Kruse, Lekiçi, Kosijeri, Sinjdon (Shingjon), Vranina, Bobija, Lajkovici, nuk kanë të bëjnë me gjuhën sllave në asnjë dialekt, përderisa lehtësisht vërehet rrënja shqipe në të gjitha (Prelvukaj, 2019).
Meqenëse familja Cërnojević “kishte prona në Katunska nahija”, është e mundur që Lješev Stup të ketë marrë emrin nga Ljesh Cërnojevic, si ish-pronar i tokës në atë vend. Ljesh është një variant i sllavizuar i emrit mashkullor shqiptar Llesh. Nga burimet historike dihet se Lleshi ishte njëri ndër fisnikët e njohur të familjes feudale Cërnojeviç, dhe kjo mund të nënkuptojë vërtetimin e pohimeve të Erdeljanoviqit se “emri Lješev Stup është kujtim i ndonjë personazhi të lashtë, të cilit i përkiste vendi” (Malja-Imami, Popović, 2021:97).
Mbështetur në dokumentet e Arkivit të Kotorrit, Llesh Gjurasheviç-Cërnojeviç, në vitin 1403, së bashku me vëllain e tij Gjuragjin (Gjergjin), me ftesë të popullit të Raguzës, shkatërruan zotërimet e sundimtarit boshnjak Sandalj Hraniç, të cilin e konsideronin armik, për shkak të pretendimeve të vjetra për territoret e Zetës(Jovov, 2014:211). Si baronë të Zetës (Barona Zentae), vëllezërit Llesh dhe Gjuragj dalin në dokumentet venedikase në mes të viteve 1403-1435, si nipërit e Gjurash Ilijiçit(Jovov, 2014:211).
Në Njegush ekziston “Lješev Stup” si emërtim i një trualli të vogël. Ka edhe toponime të tjera si: Lješnica, Lješno, Lješani, Ljeshanska, Ljeshkopolje etj.(Malja-Imami, Popović, 2021:97). Ndalemi edhe pak te Spiro Kulisić, i cili pati shkaktuar valë reagimesh në Jugosllavinë e dikurshme me librin e tij “Mbi etnogjenezën malazeze” (O etnogenezi crnogoraca). Sipas tij, duke përpunuar regjistrat e shekullit XIV, katundi Bostur, në afërsi të Lovçenit, popullohej nga individë të cilët, bazuar në emrat e tyre, paraqesin qartë një përzierje të elementit të vjetër ballkanik me të ardhurit sllavë. Po sipas tij, edhe në dy katunde të vogla në afërsi të Lovçenit, të quajtura “Zanjev Do” dhe “Bogoje” më 1326 janë regjistruar banorë me emra si Gjin apo Bardonje, që janë të arbërve etnikë. Pikërisht rrethina e Lovçenit, si pika më veriore, konsiderohet nga një pjesë e studiuesve sllavë si vendi i origjinës së hershme të familjes fisnike Cërnojeviç (Prelvukaj, 2019).
Burimet historike i përcaktojnë Gjurasheviqët (Gjurajt) – Cërnojeviçët në periudhën mesjetare si familje katolike, për dallim nga bashkësitë popullore serbe ose boshnjake, të cilat në kohën për të cilën flitet ishin të gjitha ortodokse. Është shumë e vështirë që ndonjë studiues të provojë se në hapësirën territoriale të sotme malazeze (Lovćen e më pas Zhabljak Crnojevića), ku është ngritur bashkësia fisnore Cërnojeviqç, të ketë pasur ndonjë komunitet të rëndësishëm serb të konfesionit katolik. Gjithashtu, në këtë territor, që shtrihet deri në Grykën e Kotorrit, prania e fortë arbërore është e dëshmuar në të gjitha materialet historike mesjetare. Në shekullin XIV, Dioklea-Genta (Zeta), veçanërisht pjesa e sipërme e saj, u shfaqej të huajve si një vend “me popuj e fe të ndryshme”. Gjithsesi, gjatë gjithë Mesjetës, krahina dhe bashkësi të tëra si Kuçi, Markajt (Markoviqët), Pastroviqët, Piprët, Gjurashët (Cërnojeviqët) etj., njihen si shqiptarë(Roberts, 2007:6).
Mbështetur në burime serioze historike, historiografia shqiptare i ka trajtuar Gjuraj-Cërnojeviqët si arbër dhe ka pasqyruar hollësisht veprimtarinë e tyre. Kështu, kur flitet për mosmarrëveshjet midis Balshajve dhe venedikasve, në librin “Historia e Popullit Shqiptar”, botim i Akademisë së Shkencave, shkruhet: “Republika e Shën Markut vazhdonte të ndiqte me mosbesim fuqizimin e zotërve shqiptarë të Gentës dhe u mundua të krijonte fshehurazi një grupim kundërshtar të Balshajve me krerët shqiptarë nga familjet Gjurashi (Cërnojeviçi), Dukagjini, Zaharia, Dushmani, Shestani, të cilët Balshajt i kishin privuar nga pushteti dhe nga privilegjet e dikurshme.” Po kështu, duke folur për luftën e dyerve të mëdha shqiptare kundër sundimit serb, në këtë libër thuhet: “Përballë fuqisë së papërballueshme osmane, një pjesë e fisnikëve shqiptarë ngurruan në fillim t’i rrëmbenin armët, kurse kundër pushtuesve serbë ata u ngritën të gjithë, Gjurashët në radhë të parë, zotërimet e të cilëve shtriheshin në rrethinat e Grykës së Kotorrit dhe në të gjithë Gentën, Zahariajt, Dukagjinët, Kastriotët etj.” (Historia e Popullit Shqiptar, vëll. I, 2002:301). Gjuragj Cërnojeviç, vëllai i Ivanit, nganjëherë quhet edhe Gjuragj (Gjergj) Shqiptari (Seymour,1862:92), ndërsa Stanisha Cërnojeviç u njoh me emrin Skënderbej(Seymour,1862:99-100).
Gjuraj-Cërnojeviqët sunduan në një territor shumëetnik, ku jetonin shqiptarë, vllahë dhe sllavë. Edhe sot, popullsia e rajonit nga ku kishin origjinën Gjuraj-Cërnojeviçët nuk e konsideron veten serbe, madje as sllave, pasi, sipas tyre, ata janë pasardhës të popullsive të vjetra ilire ose ilire të romanizuara, të cilat më vonë përvetësuan gjuhën sllave dhe besimin ortodoks. Ata përmenden në shekullin XIV si zotër të rajoneve mbi Budvë dhe Bokën e Kotorrit(Jovović, 2007), një territor që përfshin edhe vendbanimin Kalogjurgje Crnojev. Në vitin 1351, Mihail dhe Radoslav Cërnojeviç u deleguan nga perandori Dushan për të përcaktuar kufijtë e komunës së Kotorrit(Jovović, 2007). Si të dërguar të perandorit, ata ishin pjesë e fisnikërisë, pasi në këtë periudhë fisnikëria e Gjuraj-Cërnojeviçëve ishte e konfirmuar plotësisht. Kjo dëshmohet edhe përmes lidhjeve martesore. Sipas Shuflajt, “të gjithë dinastët katolikë shqiptarë ishin në lidhje farefisnie me familjet princore ortodokse të Balshajve, Cërnojeviqëve, si dhe me familjet sllave të Lazareviçëve, Brankoviçëve, Zharkoviçëve, e me familjet perandorake bizantine” (Shuflaj, 2004:134).
Për të forcuar pushtetin e tij, Stefan Cërnojeviç u martua me Marën, vajzën më të madhe të Gjon Kastriotit (Zivković, 1989:341). Gjuragj Cërnojeviç u martua fillimisht me Gojislavën, motrën e zotit shqiptar Gjergj Arianiti, dhe më pas me Vojisllavën, vajzën e princit shqiptar Lekë Dukagjini (“Žene u Crnoj Gori”). Një Gjuragj tjetër Cërnojeviç u martua me vajzën e Karl Muzakës, Jelën. Ka edhe shumë lidhje të tjera martesore midis Gjuraj-Cërnojeviçëve dhe princave të tjerë shqiptarë.
Në përfundim, të dhënat historike, toponimike dhe etnografike tregojnë se origjina e Gjuraj-Cërnojeviçëve lidhet ngushtë me elementin arbëror në hapësirën e Zetës mesjetare. Prania e fortë shqiptare në këto troje, e dëshmuar nga burime të ndryshme, mbështet tezën e një përbërjeje etnike të përzier, ku elementi vendas ka luajtur rol përcaktues. Traditat, dokumentet dhe kujtesa historike sugjerojnë një vazhdimësi kulturore dhe lidhje të hershme shqiptaro-malazeze.