Pertefe Leka/
Fotografia e ruajtur nga Rashela, dokumenti që i ribashkoi pas 50-të viteve Z.Shalon Adixhes me banim në Haifa ka thënë: ”Sa të jem gjallë do ta kujtoj dhe do t’ia lë amanet edhe pasardhësve, mikëpritjen dhe Besën e popullit shqiptar. Jam strehuar disa kohë në Shkodër, më vonë kam punuar si druvar në “Pyjet e Mamurrsit”. Të gjithë e dinin se ne na kërkojnë nazistët por nuk u gjend një shqiptar të na kallxojë, a të na spiunojë”. Nuk ishte e thjeshtë që pas një periudhe 50 vjeçare të rilidhësh zemrat e atyre që u miqësuan në vatrat e ngrohta shqiptare, gjatë periudhës së Hollokaustit. Për t’i përjetësuar këto lidhje, në Tiranë ishte ngritur “Shoqata Shqipëri -Izrael” e cila korrespondonte me të njejtën shoqatë të formuar në Izrael. Koha e gjatë e ndarjes ishte e lidhur me kohën e shtypjes komuniste në Shqipëri, që ndikoi duke lënë stres në kujtesën e njerëzve. Kështu pas shumë përpjekjesh edhe familjet shkodrane i gjetën njerëzit, që kishin strehuar në një kohë, kur edhe ata nga Izraeli ishin vënë në levizje për të kërkuar shpëtimtarët e tyre. Këto lidhje po e plotësojnë përditë librin “The Jews of Albania” ku do të ravijëzohet edhe kontributi i familjeve shkodrane në këte sakrificë për dashurinë njerëzore. Për këte hedh dritë një letër e shkruar nga kryetari i degës së Shkodrës për Shoqatën “Shqipëri -Izrael” Z. Vehbi Hoti. Me rastin e dhënies së dekoratës që i ishte akorduar babait tij, Hasan Hoti, në fjalën e mbajtur ai theksoi: ”50 vjet më parë, ne strehuam dhe i ndihmuam izraelitët, jo me mendimin se këta të fundit do t’na e shpërblejnë një ditë, por sepse ndihma jonë ishte një pjesë e pandarë e traditës së mirëfilltë shqiptare.
Takimi ishte organizuar në Tiranë me 9 Maj 1995, me rastin e 50-Vjetorit të fitorës mbi nazismin. Në këte mbledhje solemne, këshilltarja e Ambasadës Izraelite në Romë, Miriam Ziv, dorëzoi dekoratat me titullin më të lartë për qytetarët e huaj, akorduar nga Izraeli për familjet shqiptare: Bahrije Boriçi, Hasan Hoti, Nora Imami, Zyra Kasapi. Ky vlerësim për fisnikët, kalonte nepër filtrat e verifikimit që ata të merrnin satisfaksionin moral për veprën e lartë që ata kishin bërë në rrethana të vështira. Ja si e paraqet me shumë modesti Zoti V. Hoti këte ndihmesë të familjes tij: “Në ditët e tmerrshme të luftës, kur nazizmi gjerman po bënte kërdinë mbi popujt dhe veçanërisht mbi izraelitët, vjen nga Prishtina në Shkodër,familja e Asher Asheroviq Kutjel me katër vajzat e tij, të shoqëruar nga Abdullah Podgorica. Njëra nga vajzat e Asherit (në Shkodër e thërrisnim Ashim), Rashelen e strehuan në shtëpinë tonë dhe të gjithë ne e thërrisnim Shpresa .Vajzën më të madhe, Bukicën e dërguan në familjen e Dr. Bahri Koplikut. Prindërit me vajzën më të vogël, 14-15 vjeçare i strehuan në Krebe, fshat afër Shkodrës. Vajzën, me emrin Jafica e çuan në familjen e Hamdi Beg Bushatit, e thërrisnin Nexhmije. Kjo ndarje e vajzave në disa familje, që numerikisht ishin familje të mëdha, u siguronte në të vërtetë jetën e tyre, por rrezikonte shumë jetë njerëzish, në se ata do të zbuloheshin. E pra kjo sakrificë ishte pjesë e nderit të shqiptarit, ishte forcë e karakterit të tij, që mbronte dashurinë njerëzore pa dallim religjioni, race, apo etniteti. Ndër të tjera Zoti Hoti shkruante se, kur ata kishin strehuar Rashelen, oborri i shtëpisë tyre ishte i mbushur me automjete gjermane dhe oficerë të lartë, të cilët kishin me vete dhe shumë ushtarë italian të zënë rob. Në këto rrethana, babai vendosi t’i largonte vajzat, motrën dhe Rashelen, të cilat i dërgoi te halla që jetonte vetëm, pasi kishte martuar dy vajzat e saj. Shtëpia, ku ata u trehuan nuk ishte shumë larg nga shtëpia e Hasan Hotit, por kishte pozicion më të mirë për të siguruar fshehtësinë. Zoti Vehbi mban mend një moment, kur Rashela kërkoi të vizitonte motrën e vet në shtëpinë e Hamdi Beg Bushatit. Rashela kur delte jashtë shtëpisë, vishte çarçaf( veshje që përdornin gratë myslimane). Gjatë rrugës dalloi hipur mbi kalë oficerin gjerman që i kishte bastisur shtëpinë në Prishtinë. Ajo me një frikë të madhe kishte shtangur në vend dhe nuk mundi të arrinte në destinacion. Si në ekran i kaluan në mendje torturat e SS-it, që i kishte detyruar ato të kallxonin, ku e kishin floririn. Ditët kalonin dhe Rashela ambjentohej në familjen e re.Ajo gatuante lloj lloj bukësh, bënte punë dore, qepte me mjeshtëri pantofla me shoje të trasha që i përdornin për të fshehur paratë. Ajo komunikonte me njerëzit, pasi njihte gjuhë të huaja. Ky adaptim i shpejtë i mysafirëve u krijonte mundësinë atyre që të lidheshin shpirtërisht dhe të jetonin si në një familje. Pas këtyre lidhjeve të ngrohta, dita e ndarjes që pritej në çdo çast, nuk ishte e lehtë për të dy palët. 9 Maji i 1945 në Shkodër u shoqërua me të shtëna pushkësh dhe me thirrjet, kapitulloi Gjermania. Njerëzit ishin mpirë nga lufta dhe nuk e dinin akoma se çfarë po i priste nga diktatura e re. Kështu gëzonin për ditën e fitores mbi nazizmin. Kjo fitore gjallëroi të gjithë ata që ishin strehuar gjatë luftës për të vazhduar rrugën deri në destinacion.Të grumbulluar të gjithë në oborrin e gjimnazit u përcollën nga familjarët, ku ata ishin strehuar dhe morën udhën drejt Maqedonisë. Ndarjet qenë shumë emocionuese, sepse strehimi i tyre në Shkodër nga bukëdhënësit e qytetit të lashtë, i kishin afruar shumë shpirtërisht. Mirënjohja dhe admirimi i izraelitëve ndaj shpëtimtarëve, ishte pa kufi, prandaj përqafimet e fundit u shoqëruan me lot në sy dhe me dashuri në zemër nga të dyja palët. Koha e gjatë e izolimit Komunist i errësoi shpresat e komunikimit: Fjala e urtë popullore se mali me malin nuk takohen, por njerëzit takohen një ditë, u bë realitet vetëm me fitoren e demokracisë në Shqipëri. Rashela, nënë dhe gjyshe, fill pas ngjarjeve të përmbysjes së komunizmit, dergoi mesazhe të përzemërta familjes së Hasan Hotit, veçanërisht vajzave të shtëpisë, me të cilat ishin si motra, mikesha e shoqe të ngushta, që ruanin kujtimet e ditëve, kur ishin të rrezikuara. Si e realizoi kontaktin, Zonja e moshuar?! Fotografitë ishin dokumenti më identifikues për të bërë rilidhjen me familjen në kërkim. Foton e dergoi Rashela tek Z. Refik Veseli,( kryetari i shoqatës Shqipëri -Izrael, shqiptari i parë që vendosi flamurin kuq e zi në Jadvashen, pasi kishte strehuar e shpëtuar 7 izraelit, në familjen e tij në Krujë). Interesimi i saj ishte në Shkodër, për emrin e kryefamiljarit “Hasan “, pasi kishte harruar mbiemrin (Hoti). Për të realizuar kërkesën e Zonjës Izraelite, u ngarkua mësuesi A.Parruca , i cili me fotografinë në dorë duhet të gjente në Shkodër familjen e kërkuar prej saj. Së pari Z.Agim Parruca njofton Radio- Shkodrën dhe gazetën lokale “Shkodra”. Duke publikuar kërkesën e Zonjës në fjalë, ai vinte në dukje fisnikërinë e familjeve shkodrane, mikpritjen e përzemërt, ”Bukë e Krypë e Zemër “, zakonin e Beses, virtyte të të gjithë shqiptarëve. ( shenim: Shkodranët që shpëtuan njerëzit e pafajshëm nga gjenocidi më i egër në historinë botërore, nuk i shpëtuan dot gjenocidit komunist, ishte qyteti më i përsekutuar në kohën e diktaturës. Në së ata strehonin, njerëzit e pafajshëm të familjeve të tyre, të cilët mendonin ndryshe nga komunistët, i pushkatonin së bashku me të strehuarit. Po, edhe në ate terror, shkodranët qëndruan, ata e vazhduan traditën, pranuan të flijohen, për të dashurit e tyre, luftëtarë të lirisë). Nepërmjet gazetës, u realizua lidhja me Zonjën Izraelite, Rashelen, e cila edhe pse e moshuar, e hapi kutinë e memorjes dhe çfarë kishte ruajtur në zemër, për të shprehur mirënjohjen, admirimin, respektin dhe dashurinë për ate familje të fisme, humane dhe mbi të gjitha të Besës.