
Në prill të vitit 1920, banda kombëtare “Vatra” mbërriti në Shqipëri për të marrë pjesë në zhvillimet vendimtare të kohës, në mbështetje të përpjekjeve për çlirimin e vendit, së bashku me “Trupin vullnetar” të drejtuar nga Aqif Pashë Përmeti (1884–1945). Para angazhimit të saj në Luftën e Vlorës, kjo bandë zhvilloi një sërë koncertesh në qytetet kryesore të Shqipërisë, si Korça, Elbasani, Shkodra, Gjirokastra, Tepelena, Përmeti, Berati, Durrësi dhe Tirana, gjatë muajve prill–maj 1920.
Këto veprimtari artistike përçuan një frymë të lartë optimizmi dhe gjallërie, duke ndikuar ndjeshëm si në moralin e popullsisë, ashtu edhe në vetë anëtarët e bandës. Mbështetja e federatës “Vatra” për çështjen kombëtare u shpreh jo vetëm në këtë aspekt kulturor, por edhe përmes ndihmës së vazhdueshme financiare.
Pjesëmarrja e bandës në Luftën e Vlorës nuk u kufizua vetëm në kontributin simbolik: përmes muzikës së saj, ajo u shndërrua në një instrument të fuqishëm mobilizimi dhe frymëzimi. Siç dëshmohet nga burimet e kohës, pjesëtarët e saj shkonin disa herë në ditë në front për të interpretuar për luftëtarët shqiptarë, duke mbajtur lart moralin e tyre.
Dokumentacioni fotografik dhe burime të tjera historike konfirmojnë praninë e bandës “Vatra” në Vlorë në ditën e çlirimit, së bashku me rreth 250 vullnetarë nga qarku i Korçës, ndër të cilët edhe 120 të ardhur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Shtypi i kohës evidenton rolin e rëndësishëm të kësaj bande në zhvillimet e luftës. “Gazet’e Korçës”, në numrin e datës 4 shtator 1920, përshkruan ndikimin e saj në betejën e Drashovicës, ku përmes marshimeve patriotike u rrit ndjeshëm fryma luftarake e forcave shqiptare. Në çastet kulmore të fitores, ngritja simbolike e flamurit u shoqërua me tingujt e himnit kombëtar, interpretuar nga banda “Vatra” dhe banda “Afërdita” e Elbasanit, duke i dhënë ngjarjes një dimension të veçantë ceremonial dhe kombëtar.
Veprimtaria e bandës “Vatra” në Vlorë shënoi fillimin e një rrugëtimi të gjatë në historinë kulturore shqiptare. Përmes krijimtarisë së Thoma Nasit dhe veçanërisht kompozimit të këngës-himn “Vlora-Vlora”, me tekst të Ali Asllanit, kjo bandë kontribuoi në formësimin e identitetit simbolik të Luftës së Vlorës si një luftë kombëtare e mirëorganizuar. Anëtarët e saj nuk ishin thjesht muzikantë, por përfaqësues të një misioni të qartë kulturor dhe atdhetar, në përputhje me idealet e kohës për një Shqipëri të lirë dhe të zhvilluar.
Në vitet 1920, falë veprimtarisë së Thoma Nasit dhe bandës “Vatra”, roli i muzikës dhe artit në shoqërinë shqiptare njohu një zhvillim të ri. Një ndër arritjet më të rëndësishme ishte krijimi i orkestrës së parë simfonike në Shqipëri, me qendër në Korçë, koncerti premierë i së cilës u zhvillua në prill të vitit 1924. Ky hap u parapri nga një vizion i qartë teorik dhe organizativ, i shprehur nga Nasi në artikullin “Përmi organizimin e një orkestre simfonike” (1923), duke dëshmuar kapacitetet artistike dhe institucionale të vendit.
Banda “Vatra” ishte gjithashtu pjesë aktive në ngjarje të rëndësishme shqiptaro-amerikane. Në prill 1922, ajo mori pjesë në ceremoninë inauguruese të Shkollës Teknike Amerikane në Tiranë (Shkolla e Fultzit), si dhe në ceremonitë e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në vitin 1925, banda u transferua në Tiranë dhe u shpall “Bandë Presidenciale” e shtetit shqiptar, ndërsa në vitin 1928 mori statusin “Bandë Mbretërore”. Ndikimi i saj u shtri në të gjithë vendin, duke shërbyer si katalizator i zhvillimeve kulturore dhe artistike. Ajo kontribuoi në themelimin e jetës muzikore në qytetet shqiptare, në futjen e edukimit muzikor në sistemin arsimor dhe në nxitjen e botimeve muzikore në Shqipëri.
Në vitin 2021, Akademia e Shkencave e Shqipërisë botoi veprën “Banda kombëtare ‘Vatra’: një histori unike shqiptaro-amerikane” të akademikut Vasil S. Tole. Kjo vepër i kushtohet historisë së ardhjes së vullnetarëve shqiptaro-amerikanë në vitin 1920 dhe rolit të tyre në forcimin e ndjenjës kombëtare, në një periudhë vendimtare për konsolidimin e shtetit shqiptar, pas Kongresit të Lushnjës dhe gjatë përpjekjeve për mbrojtjen e sovranitetit territorial të vendit.