Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit
Pas 44 vitesh publikon për herë të parë koleksionin me skica, portrete dhe pejsazhe, të realizuar gjatë viteve të internimit, ’77-’90.Instituti i Studimit për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK) ka organizuar, ditën e premten, në galerinë “Zenit”, ekspozitën e “Barakat përballë” të piktorit, shkrimtarit e muzikantit Lekë Tasi. Janë punë që publikohen për herë të parë, pas 44 vjetësh nga realizmi i tyre gjatë periudhës së internimit në vitet 1977-1990. Ky koleksion i zotit Lek Tasi, me skica, portrete, pejzazhe mund të konsiderohet si ditari vizual i 15 viteve të tij të internimit në fshatin Grabjan të Lushnjes, vite të cilat, ai i përshkruan me mjeshtëri në librin e tij “Grabjani rrëzë kodrave”. Kjo seri punimesh është realizuar në kushte të pazakonta gjatë mbrëmjeve në barakë në kampin e internimit, pas ditëve të stërmundimshme të punës dhe presionit të vazhdueshëm psikologjik dhe izolimit ekstrem, me qëllimin e vetëm, për të dëshmuar një histori padrejtësie, një nga të shumtat e asaj epoke, dhe përmes saj për t’i dhënë ndoshta një kuptim vetë ekzistencës së tij në rrethana kaq absurde.Autori shprehet: “…Kur e gjeta veten të internuar në Tetor të 75-ës, i detyruar të bëj ciklin mes shatës e lopatës dhe dyqanit e pyllit për ushqim dhe dru zjarri, më mbetej vetëm mbrëmja për të bërë diçka për veten. Televizioni dhe leximi nuk mjaftonin. Sado i lodhur,duhet të zgjidhja mes bllokut e lapsit para meje dhe dritave të ekranit që më joshnin anash. E ndjeja detyrë ndaj vetes, të zgjidhja bllokun para meje!Lekë Tasi u lind me 1929 në Athinë (Greqi). Gjatë periudhës 1941 – 1945, kreu gjimnazin në Tiranë dhe mori mësime në pikturë dhe vizatim nga Nexhmedin Zajmi dhe Abdurrahim Buza. Në vitet 1939 – 1943, ai studioi violinçel nën drejtimin e pedagogut Ealter Caletti, dhe më pas me Ymer Skenderin, në Liceun Artistik në vitet 1949-1952. Punoi çelist i parë në Orkestrën e Radios dhe të Teatrit të Operas, ku u pushua për motive politike në vitin 1967. I ati, Koço Tasi, avokat me profesion, i njohur në vitet ’20, si Anëtar i Parlamentit të Parë Shqiptar pas Kongresit të Lushnjës, pas Revolucionit të Qershorit, emigroi për 17 vjet në Greqi. Xhaxhai, Akile Tasi, me karrierë të ngjeshur politike në kohën e Luftes, vdiq në burgjet e diktaturës komuniste. Si pasojë, Leka u pushua nga puna, u dërgua me punë të detyruar, dhe në vitin 1975 deri në vitin 1990, u internua familjarisht në Grabjan të Lushnjës. Jetën e kësaj periudhe, Leka e ka rrëfyer në librin autobiografik “Grabjani rrëzë kodrave”, të botuar fillimisht në vitin 2009 dhe të ribotuar nga Instituti i Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit në vitin 2018, libër që u shpall edhe ‘Fitues i Panarit të Librit ‘Tirana 2019’. Aktiviteti i tij kryesor është piktura. Megjithëse autodidakt, ai ka ditur të përfitojë nga mjeshtërit e mëdhenj, duke u praktikuar në heshtje dhe duke e trajtuar pikturën si një bashkëshoqëruese dhe formë të ekzistencës së tij. Pas internimit, me kthimin e tij në Tiranë në vitin 1990, ai i rikthehet me përkushtim pikturës dhe ekspozimit gjërësisht të veprave të tij.