Prof.Dr.Roland Gjini/
Të shkruash një artikull e të pasqyrosh në mënyrë të plotë kontributin e një njeriu që tërë jetën ia kushtoi arsimit, forcimit të shkollës dhe studimeve në fushë të pedagogjisë e të historisë, nuk është edhe aq e lehtë. Për më tepër, në rastin tonë, vështirësia rritet më tepër sepse duke njohur nga afër të tëra përmasat e personalitetit dhe të aktivitetit të Prof. i asoc. Dr. Bardhyl Gracenit e kemi të pamundur t’i shpalosim tërësisht ato.
Bardhyl Graceni i përket asaj plejade të apasionuar normalistësh elbasanas të viteve ‘50, që pas përfundimit të Normales, filluan me zell e përkushtueshmëri profesionin sa fisnik aq edhe të vështirë të mësuesit. Militoi si mësues në çdo shkollë ku e emëruan, jashtë qytetit të lindjes. Edhe më pas, për vite të tëra, me familjen e re që krijoi, banoi larg shtëpisë së tij dhe pranë shkollës ku mësonte nxënësit e tij.
Kudo, si mësues, u dallua për dashuri ndaj profesionit e ndaj nxënësve, për profesionalizëm e korrektësi në punë. Paralelisht me ushtrimin e profesionit të mësuesit ndoqi e përfundoi studimet e larta në fakultetin Histori-Filologji të Universitetit të Tiranës në degën histori-gjeografi me rezultate të mira.
Si mësues gëzonte respektin dhe dashurinë e nxënësve, të kolegëve si dhe të njerëzve të shumtë që e njihnin dhe e nderonin si mësues të aftë e të përkushtuar. Për këtë mjafton të bisedosh me banorë të qytetit të Cërrikut ku ai punoi gjatë si mësues, duke u vendosur në këtë qytet megjithë familjen e tij.
Që herët, në vitet ’60-të, Bardhyl Gracenin e ka tërhequr jo vetëm profesioni i mësuesit por, edhe fusha e kërkimeve dhe e studimeve shkencore. Që nga kjo kohë e deri në fund të jetës së tij, ai ka dhënë një kontribut të gjerë në fushën e studimeve pedagogjike dhe të shkencës historike. Veprimtaria shkencore e Bardhylit është shumëplanëshe. Nga vitet ‘70 e deri në vitin 1997, kur ndërroi jetë, Bardhyl Graceni mund të renditet si një nga studiuesit e botuesit më të njohur e më të zellshëm të qytetit të Elbasanit në fushat e mësimdhënies, të historisë së arsimit e të shkencës historike.
Studimet e tij ai i ka referuar e kumtuar në mjaft simpoziume e konferenca shkencore jo vetëm lokale por edhe kombëtare e ndërkombëtare. Ka botuar nga artikuj deri në tekste e monografi. Ka dhënë një kontribut të vyer në kualifikimin e mësuesve të historisë, duke referuar me dhjetra kumtesa e informacione të karakterit pedagogjik e shkencor. Studimet e shkrimet e tij në fushën e arsimit, rrokin problematika të tilla, si të metodave të mësimdhënies, të përmirësimit e ristrukturimit të planeve, programeve e teksteve shkollore dhe universitare. Për t’u përmendur në këtë rast, është kontributi i tij në fillim të viteve ‘80, së bashku me grupin e punës, për konceptimin dhe ndërtimin e kurrikulumit (planeve e programeve) të degës së re që përgatitmësues me arsim të lartë për klasat I-IV të shkollës 8-vjeçare.
Është për t’u theksuar edhe këmbëngulja e tij për hapjen e degës së re Histori-gjeografi në Institutin e Lartë Pedagogjik të Elbasanit, sot Universiteti “Aleksandër Xhuvani”. Ai me argumenta, pranë hallkave shtetërore, shtroi me forcë domosdoshmërinë e hapjes së kësaj dege edhe në Elbasan. U arrit kështu që në vitin shkollor 1990-1991 të hapet pranë Universitetit të Elbasanit dega e mësuesisë për lëndët histori-gjeografi.
Një përkujdesje dhe vullnet të veçantë Bardhyli tregoi për tërheqjen si pedagogë të kësaj dege të një stafi të aftë e të kualifikuar. Në marrëdhënie me ta ai nuk rreshti për t’i ndihmuar e për t’i nxitur në rrugën e kualifikimit të mëtejshëm dhe në punën shkencore. Një drejtim tjetër i aspektit arsimor që tërhoqi vëmendjen dhe interesin e Bardhyl Gracenit, veçanërisht pas vitit 1990, ishin problemet e edukimit qytetar të brezit shkollor.
Periudha e tranzicionit, pas shembjes së regjimit totalitar, krijoi probleme të reja sociale. Situata e re kërkonte edukimin e mentaliteteve të reja, veçanërisht në moshat shkollore. Bardhyli gjykonte se shkolla do të kishte rolin parësor për edukimin qytetar të brezit të ri në kushtet e një shoqërie demokratike. Ai mbështeste mendimin që edukimi qytetar në shkollë realizohet me sukses atëhere kur janë përgatitur kuadrot me mësues të aftë dhe të specializuar. Ishte pikërisht iniciativa dhe përkushtimi i tij për të hapur në Universitetin e Elbasanit një degë të re, që krahas përgatitjes së mësuesve të historisë e të gjeografisë, të përgatiste edhe specialistë për edukimin qytetar për shkollat 8-vjeçare. Nga kontributi i tij dhe i pedagogëve të departamentit të historisë që ai drejtonte, u arrit të hartohet një modalitet i plotë dhe një kurrikulum i arrirë për degën histori-gjeografi-edukatë qytetare. Ministria e Arsimit, duke gjykuar dokumentacionin e paraqitur nga Universiteti i Elbasanit në vitin shkollor 1999-2000, miratoi hapjen e kësaj dege të re, e para degë kjo në universitetet e Shqipërisë për këtë profil.
Veprimtaria e gjerë studiuese e Bardhylit në fushën e arsimit dhe të mësimdhënies u pasqyrua edhe në shtypin shkencor të Institutit të Studimeve Pedagogjike. Në Revistën pedagogjike, organ shkencor i këtij Instituti, ai botoi artikuj si “Veçori të shkollës shqiptare në vitet e Luftës Nacionalçlirimtare” në vitin 1978, “Aleksandër Xhuvani mbi sistemin e ri arsimor” në vitin 1979, “Mbi përgatitjen me arsim të lartë të mësuesve të ciklit të ulët’, 1982 etj. Mjaft artikuj pedagogjikë ai botoi edhe në gazetën “Mësuesi” si dhe në shtypin lokal.
Bardhyl Graceni ka qenë një bashkëpunëtor i afërt i Shtëpisë Botuese të Librit Shkollor. Ai ka marrë pjesë si bashkëautor në hartimin e disa librave shkollorë të historisë si “Historia e kohës së sotme” (për shkollat e mesme profesionale) botim i vitit 1970,“Histori e kohës së re” (për shkollat e mesme të përgjithshme) botime të viteve 1983 dhe 1988. Në fund të viteve ‘80-të bashkëpunoi me grupin e punës të caktuar nga ministria e Arsimit për të rikonceptuar programin dhe tekstin e Historisë së Shqipërisë për klasën e IV të shkollës 8-vjeçare. Ishte një ideator aktiv në hartimin e programit të ri të kësaj lënde që historia të trajtohej me koncepte e njohuri më të thjeshta e më të kuptueshme për nxënësit e kësaj moshe shkollore. Ai mori pjesë edhe në hartimin e tekstit të kësaj lënde, i cili u titullua “Të njohim historinë e popullit tonë”, botuar në vitin 1989 dhe ripunuar në vitin 1990, tekst i cili është ende në përdorim (viti 1999). Me ideimin dhe ndërhyrjen profesionale të Bardhylit,materiali mësimor i këtij teksti u ndërtua duke ndërthurur trajtimin shkencor me paraqitjen e letrarizuar të ngjarjeve e proceseve historike.
Në vitin 1988 ishte bashkëautor në hartimin e tekstit universitar “Historia e Shqipërisë” për studentët e degës së mësuesisë së klasave I-IV të shkollës 8-vjeçare. Gjithashtu leksionet, që Bardhyl Graceni përgatiste dhe mbante me studentët e tij, ishin të një niveli të lartë shkencor e pedagogjik. Ka punuar vazhdimisht që kurrikulumi i degës Histori-gjeografi të përmirësohet duke iu referuar edhe standarteve e modeleve të përparuara botërore.
Prof. i asoc. dr. Bardhyl Graceni ishte edhe një shkencëtar i zellshëm dhe i apasionuar pas shkencës së historisë. Ai është marrë me një sërë studimesh, një pjesë të të cilëve i ka botuar apo referuar nëpër konferenca e simpoziume shkencore. Fushat e studimeve të tij janë të ndryshme. Ai ka ndërmarrë studime për probleme të rëndësishme të historisë së trevës së Elbasanit si dhe të rrafshit kombëtar, për figurat kryesore të historisë sonë kombëtare, për historinë e arsimit shqiptar etj.
Në organin shkencor të Institutit të Historisë, “Studime historike”, ka botuar artikujt “Kriptokristianizmi në Shpat në fund të shekullit XIX deri në vitin 1912” në vitin 1984 dhe “Laramania e shpatarakëve dhe ndërhyrja e tri kishave të huaja” në vitin 1987. Pas vitit 1990, një drejtim i rëndësishëm që tërhoqi vëmendjen e tij si studiues ishte studimi dhe rivlerësimi i jetës dhe aktivitetit të mjaft personaliteteve të kulturës së qytetit të Elbasanit që rregjimi komunist i kishte harruar apo denigruar.
Një pjesë e mirë e studimeve të Bardhyl Gracenit janë botuar, por duhet thënë se mjaft të tjera ai i la në mes, mjaft dokumenta historike të mbledhura në arkiva e burime të ndryshme nuk mundën të interpretohen e të studiohen deri në fund, megjithëse ai punoi në mënyrë intensive deri ditët e fundit të jetës së tij. Aleksandër Xhuvani, një ndër personalitetet e kulturës së Elbasanit e mbarë kombit, për vite të tëra tërhoqi vëmendjen e Bardhylit si studiues. Pas një pune disa vjeçare, ai arriti që në vitin 1980 të botojë monografinë për këtë figurë të shquar të kombit tonë. Në vitin 1995 së bashku me një mikun e tij francez, studiuesin Dr.Gerard Gardes botuan një libër njohës për Shqipërinë, “Le guide de L’Albanie” që u prit mirë në opinionin lexues të Francës. Ky libër është ribotuar tri herë në Francë dhe në një konkurs të zhvilluar në Lion në vitin 1996 ka marrë çmim të parë.
Ka qenë pjesëmarrës në disa studime të ndërmarra nga institucionet shkencore të vendit. Kështu, ai ka marrë pjesë në grupin e punës të ngritur nga Instituti i Studimeve Pedagogjike dhe ka kontribuar dukshëm në kryerjen e studimit për historinë e arsimit në Shqipëri. Ka qenë pjesëtari më aktiv ndër historianët e Elbasanit në hartimin e Fjalorit Enciklopedik Shqiptar, të ndërmarrë nga Akademia e Shkencave.
Ishte i përkushtuar dhe i aftë për organizimin dhe zhvillimin me sukses të veprimtarive shkencore. Me një aftësi dalluese përcaktonte problematikat e konferencës apo simpoziumit shkencor, mbante kontakt me personalitete të shkencës historike jo vetëm brenda vendit por edhe me historianë të huaj. Përpiqej që të realizonte pjesëmarrjen e tyre në aktivitet. Janë disa veprimtari shkencore të ideuara e të organizuara nga Bardhyl Graceni. Por ne po përmendim njërën prej tyre, që pati një sukses të dukshëm.
I propozoi kolegëve të vet të departamentit të historisë për mbajtjen e një simpoziumi shkencor për çështjen e feve në Shqipëri. Idenë e tij e thelloi më tej duke ftuar historianë nga Akademia e Shkencave, Instituti i Historisë dhe Arkivi Qendror i shtetit. Duke shfrytëzuar njohjen e vet personale me disa studiues të huaj, të njohur për trajtimin e problemeve fetare në Ballkan e Shqipëri, hyri në lidhje me ta dhe i ftoi për të kumtuar. Në fillim të viteve ‘90-të, sapo kishte dalë nga botimi studimi i profesorit italian Roberto Maroko dela Roka “Kombësia dhe feja në Shqipëri 1920-1944”, i përkthyer edhe në shqip. Megjithëse me këtë studiues nuk kishte njohje të mëparshme, hyri shpejt në lidhje me të dhe arriti të marrë premtimin e tij për të kumtuar në këtë aktivitet. Kështu që në 6-7 qershor të vitit 1994 në ambientet e Universitetit “A.Xhuvani” mbahet kolokiumi (simpoziumi) ndërkombëtar me temë “Rrënjët historike të tolerancës fetare të popullit shqiptar”. Në këtë aktivitet, që është ndër më seriozët e më cilësorët të zhvilluar në këtë universitet, iniciuar e organizuar nga Bardhyl Graceni, referuan e kumtuan studiues jo vetëm nga departamenti i historisë dhe historianë të njohur nga Tirana, por edhe personalitete shkencore nga shqiptarët e Kosovës e Maqedonisë, studiues të huaj nga Franca, Gjermania, Italia e Greqia.
Në vitet ‘90 ishte ndër të parët studiues të Elbasanit që ndjeu nevojën e përgjegjësinë e rivlerësimit dhe të rishkrimit të historisë sonë kombëtare për mjaft probleme që gjatë viteve të sistemit totalitar ishin shmangur ose ishin deformuar. Me modesti bisedonte me çdo koleg, edhe me ne më të rinjtë, kërkonte mendime, ballafaqonte ide, shtronte sipërmarrje të reja në fushën e studimeve. Ndërkohë forconte lidhjet me miqtë e tij studiues të huaj, kërkonte nga ata literaturë dhe mendime.
Me respekt e nostalgji e kujtoi, pas vdekjes, prof Bardhylin një nga miqtë e tij të ngushtë, studiuesi grek Teodoris. Madje ai na nxiti që ne të shkruajmë sa më shpejt këtë shkrim. Por kujtimin dhe respektin më të madh profesor Bardhyli e la te kolegët e shokët e vet, te studentët dhe populli i Elbasanit, te familja e tij për të cilën ai u përkushtua deri në fund, te të gjithë ata që e njihnin dhe e nderonin.