-Duke çmuar përkushtimin e Kosovës në rrugën euroatlantike, baronesha Ashton, sot në Prishtinë në takim me kryeministrin Isa Mustafa, theksoi edhe rëndësinë e vazhdimit të dialogut si mënyra më e mirë e normalizimit të relacioneve ndërmjet shteteve në rajon dhe më gjerë/
-Serbia ka intensifikuar provokimet dhe qasjen agresive ndaj Kosovës, tha sot ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, në takim me ish-Përfaqësuesen e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, baroneshën Catherine Ashton, ku foli për situatën aktuale dhe marrëdhëniet e acaruara me Serbinë, ndërsa theksoi se Kosova do ta mbrojë sovranitetin e saj/
PRISHTINË, 17 Janar 2017-Gazeta DIELLI-B.Jashari/ Ish-përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, baronesha Catherine Ashton, e cila ka ndërmjetësuar dialogun Prishtinë-Beograd në Beuksel, vlerësoi të arriturat në Kosovë gjatë kësaj periudhe. Duke çmuar përkushtimin e Kosovës në rrugën euroatlantike, baronesha Ashton, sot në Prishtinë në takim me kryeministrin Isa Mustafa, theksoi edhe rëndësinë e vazhdimit të dialogut si mënyra më e mirë e normalizimit të relacioneve ndërmjet shteteve në rajon dhe më gjerë.
Gjatë takimit, kryeministri Mustafa ka shprehur mirënjohjen e qeverisë dhe të qytetarëve për kontributin që Baronesha Ashton ka dhënë për Kosovën gjatë mandatit të saj si përfaqësuese e lartë e BE-së.Duke vlerësuar përkushtimin e Baroneshës Ashton gjatë procesit evropian të dialogut të zhvilluar në Bruksel ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë, kryeministri Mustafa, e njoftoi edhe për zhvillimet e fundit në këtë proces.
“Republika e Kosovës është e vendosur për fqinjësi të mirë me të gjitha shtetet në rajon. Përkundër zvarritjeve dhe provokimeve të shkaktuara nga pala serbe, Kosova edhe gjatë procesit të dialogut në Bruksel, po dëshmon se është model rajonal dhe më gjerë i përkushtimit për dialog, për paqe dhe stabilitet”, tha kryeministri.
Kryeministri Mustafa, po ashtu, foli për zhvillimet e fundit, duke e njoftuar për punën që po bëhet në fuqizimin e shtetësisë, subjektivitetit ndërkombëtar, zhvillimin ekonomik dhe integrimet euroatlantike.Gjatë takimit, kryeministri Mustafa shprehu mirënjohje edhe për përkrahjen e madhe të Mbretërisë së Bashkuar, duke theksuar besimin e plotë se Londra do të vazhdojë mbështetjen për shtetin e Kosovës, e cila tashmë është konfirmuar edhe nga Sekretari Boris Johnson.
HOXHAJ: SERBIA KA INTENSIFIKUAR PROVOKIMET DHE QASJEN AGRESIVE NDAJ KOSOVËS
Serbia ka intensifikuar provokimet dhe qasjen agresive ndaj Kosovës, tha sot ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj, në takim me ish-Përfaqësuesen e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, baroneshën Catherine Ashton, ku foli për situatën aktuale dhe marrëdhëniet e acaruara me Serbinë, ndërsa theksoi se Kosova do ta mbrojë sovranitetin e saj.
“Serbia ka nisur gamë të gjerë dhe intensive të provokimeve dhe një politikë agresive kundër Kosovës. Një sjellje e tillë është kërcënim jo vetëm për Kosovën, por për paqen në tërë rajonin. Por, pavarësisht se çfarë kërcënime do të vijnë nga Serbia, Kosova do t’u përgjigjet duke mbrojtur sovranitetin dhe integritetin territorial të saj”, deklaroi Hoxhaj. Ministri i Jashtëm kosovar e falënderoi Baroneshën Ashton për kontributin e saj për Kosovën në procesin e integrimit evropian, ndërsa konfirmoi se Kosova është e palëkundur në orientimin e saj perëndimor.
BARONESHA CATHERINE ASHTON DEKOROHET ME MEDALJEN PRESIDENCIALE TË MERITAVE
Ish-Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri e Bashkimit Evropian, baronesha Catherine Ashton, sot në Prishtinë, dekorohet me Medaljen Presidenciale të Meritave, për kontributin e saj në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, pret në takim pasdite baroneshën Ashton, me ç’rast zhvillohet edhe ceremonia e dekorimit. Baronesha Catherine Ashton në procesin drejt normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, të kryesuar nga BE e mbështetur nga SHBA, në të cilin janë zhvilluar 30 raunde kryeministrore, duke nisur nga 19 tetori 2012, është pasuar nga Federica Mogherini.
Në 19 prill 2013 është nënshkruar në Bruksel Marrëveshja për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e vlerësuar historike, e parafuar nga kryeministrat e atëhershëm Hashim Thaçi e Ivica Daçiç, si dhe ndërmjetësuesja, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së në atë kohë, baronesha Catherine Ashton.
Në Bruksel, 23 takimet kryeministrore Thaçi-Daçiç janë pasuar me 7 raunde të tjera të kryeministrave Isa Mustafa e Aleksandar Vuçiç të qeverive të reja të zgjedhjeve 2014 në të dy vendet, që u mbajtën më parë në Serbi e pastaj në Kosovë.Para një viti, në 27 janar 2016, është zhvilluar raundi i fundit, i 30-të, i bisedimeve Kosovë-Serbi në nivel kryeministrash, të cilat kanë pasuar dialogun teknik, të filluar në 8 mars 2011, poashtu në Bruksel, ku në krye të delegacionit kosovar ishte Edita Tahiri atëherë zëvendëskryeministre, tash ministre e Dialogut.
Ministrja Edita Tahiri priti Baroneshën Ashton dhe Gjeneralin Jackson/
Prishtinë, 17 janar 2017-Ministrja Edita Tahiri ka pritur sot në një takim dreke ish-përfaqësuesen e Lartë të BE-së Baroneshën Catherine Ashton dhe ish-Gjeneralin e parë të KFOR-it në Kosovë, Sir Mike Jackson. Ministrja Tahiri i falënderoi të dy këto personalitete për kontributin e tyre dhe të Britanisë së Madhe në të gjitha fazat e lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit të Kosovës, duke filluar me çlirimin në vitin 1999 e deri në konkretizimin e procesit të integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në NATO.Në këtë takim u evokuan kujtime të bashkëpunimit nga koha e hyrjes së NATO-s në Kosovë dhe roli historik i Gjeneralit Jackson në vendosjen e trupave të KFOR-it në Kosovë, si një moment shumë i rëndësishëm në largimin e përhershëm të forcave serbe nga Kosova dhe ndaljen e gjenocidit serb mbi shqiptarët.
Po ashtu u fol për rolin udhëheqës të znj. Ashton në dialogun e Brukselit për paqe, fqinjësi të mirë dhe integrime euroatlantike, proces ky që ka sjellë për herë të parë marrëveshje të nënshkruara në mes të dy shteteve dhe i cili ka mundësuar që Kosova të hyjë në marrëdhënie kontraktuale me BE-në duke e nënshkruar marrëveshjen e Stabilizim Asocimit dhe pasuar nga avancimi i raportit integrues me NATO-n.Ministrja Tahiri me këtë rast tha se dy personalitetet kanë zënë vend të dinjitetshëm në historinë e re të Kosovës dhe kombit shqiptar.Ministrja Edita Tahiri tha se Kosova do të mbetet e përkushtuar për vizionin euroatlantik të Kosovës, dhe po punojmë fuqishëm për ndërtimin e shtetit demokratik, të integruar në BE, NATO dhe OKB. Kosova po dëshmohet si faktor paqeje e stabiliteti në rajon dhe qëndron fuqishëm me aleancën amerikane dhe perëndimore në të gjitha sfidat globale të sigurisë, tha ajo, duke shtuar se Kosova përherë do të jetë e vendosur në anën e drejtë duke e fuqizuar edhe më tej partneritetin strategjik me SHBA-të, Britaninë e Madhe, BE-në dhe NATO-n.