Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha deklaroi nga Brukseli ku po merr pjesë në samitin e PPE-ve se ndërkombëtarët janë të zhgënjyer se zgjedhjet e 21 qershorit u prishën nga mazhoranca qeverisëse.
Basha u shpreh se pas mbylljes së procesit të numërimit, PD do të nisë një betejë frontale për të vënë para përgjegjësisë politike dhe ligjore ata që guxuan të deformojnë vullnetin e zgjedhësve shqiptarë.
Lulzim Basha: “Nuk ka dyshim që instrumenti që shkatërroi dhe deformoi zgjedhjet e 21 qershorit përbën një kërcënim real për demokracinë shqiptare, për të sotmen dhe të nesërmen e Shqipërisë. Lufta për të çmontuar këtë instrument të oligarkisë që ia doli të deformonte edhe zgjedhjet në 21 qershor, është misioni kryesor i PD dhe imi si kryetar i saj. Sot apo nesër besoj do të jetë dita e fundit e përmbylljes së procesit të numërimit, në të cilin pavarësisht gjithë këtyre parregullsive, ne morëm pjesë dhe u bëmë thirrje numëruesve tanë të ishin të kujdesshëm në zbatimin e ligjit. Me përfundimin e këtij procesi, PD do të nisë një betejë frontale për të vënë para përgjegjësisë politike dhe ligjore ata që guxuan të deformojnë vullnetin e zgjedhësve shqiptarë. Kjo është një betejë misionare dhe pa fitimin e kësaj beteje, Shqipëria nuk mund të bëjë asnjë hap përpara, jo vetëm në drejtim të integrimit europian të vendit por as në përballimin e sfidave imediate dhe akute që kanë të bëjnë me jetën e përditshme të qytetarëve shqiptarë, me gjendjen ekonomike në vend, me vrasjen e shpresës, me eksodin që rritet e shtohet dhe që ishte një ndër shqetësimet kryesore që diskutuam edhe në samitin e PPE, në Bruksel”
Duke iu referuar letrës që kryeministri i Hungarisë Victor Orban i ka drejtuar presidentit të Komisionit Evropian Jean Claude Juncker dhe presidentit të Këshillit të Ministrave Donald Tusk, ku kërkon që të organizohet një samit në Budapest për emigracionin nga Ballkani Perëndimor, zoti Basha tha se liderët kryesorë të Europës janë jashtëzakonisht të shqetësuar për përmasat në rritje të emigracionit i cili vjen si rezultat i marrjes peng të demokracisë nga oligarkia, dëshpërimit dhe krizës ekonomike.
Lulzim Basha: “Janë jashtëzakonisht të shqetësuar dhe mund t’ju them se liderët kryesorë të Europës që janë të pranishëm në këtë samit u shprehën qartë se për Shqipërinë dhe vende të tjera të Ballkanit, ku oligarkia ka marrë peng demokracinë dhe ka bërë të mundur që një vend i cili para pak vitesh u bë anëtar i NATO, pak vite më vonë mori të drejtën që qytetarët të lëvizin pa viza e pak muaj më parë mori statusin e vendit kandidat, të ketë shkaktuar një dëshpërim kaq të madh mes qytetarëve të vet, jo vetëm për shkaqe ekonomike por edhe për shkaqe të zhbërjes së standardeve civile, qytetare, demokratike, saqë ata të dynden masivisht në portat e Gjermanisë dhe vendeve të tjera të BE”