-Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha,në Kosovë takime me drejtuesit institucionalë e politikë. Ka shprehur mbështetjen totale të tijën dhe të Partisë Demokratike për të gjitha qëndrimet e krerëve të institucioneve dhe politikës në Kosovë/
-Basha: Unë ndodhem gjithmonë me kënaqësinë shumë të madhe në Prishtinë që është në fakt edhe qyteti im i dytë pas Tiranës, jo vetëm për faktin se gjatë periudhës 2000-2004 kam jetuar, ka qenë shtëpia ime, por edhe sepse e bëtë të tillë me vendimmarrjen tuaj për të më shpallur Qytetar Nderi të Prishtinës, para disa vitesh/
-Nga takimet me liderët politikë: Të dyja vendet, Shqipëria dhe Kosova, do të vazhdojnë së bashku në rrugën euroatlantike, në aleancë të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës/
Gazeta DIELLI nga korrespondenti në Kosovë Behlul Jashari*
PRISHTINË, 20 Korrik 2020/Shqipëria dhe Kosova kanë potenciale të shumta për bashkëpunim, tha sot në Prishtinë kryetari iPartisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, në vizitën pas ftesës së kryeministrit të Kosovës Avdullah Hoti, me të cilin kishin takim edhe në 3 korrik në Tiranë.
Në vizitën në Kosovëme liderin e opozitës në Shqipëri Lulzim Basha janë edhe Edi Paloka, nënkryetar i PartisëDemokratike, Besnik Mustafaj, ish-ministër i Jashtëm dhe kryetar i Këshillit të Ambasadorëve Shqiptarë, Kreshnik Çollaku, anëtar i Kryesisë së PDSH, Arben Çejku, ish ambasador dhe drejtues i Qendrës Shqiptare për Mirëqeverisje.
Në axhendën e vizitës në Kosovë sot ishin takimet e veçanta me kryeministrin Avdullah Hoti, presidentin Hashim Thaçi, kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje Albin Kurti, kryetaren e Kuvendit Vjosa Osmani, kryetarin e AAK Ramush Haradinaj, kryetarin e Nismës Fatmir Limaj, me drejtuesit e LDK-së dhe tëPDK-së.
Të martën, kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, takohet me Kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, dhe me Kryetarin e Komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri.
Gjithashtu, Basha do të zhvillojë homazhe pranë varrit të Presidentit historik Ibrahim Rugova në Velani-Prishtinë, varrit të Isa Boletinit në Boletin, si dhe te Memoriali i Jasharëve në Prekaz.
THAÇI-BASHA, PËR ZHVILLIMET POLITIKE NË KOSOVË E SHQIPËRI
Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka pritur në takim Kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Bashën, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet në Kosovë e Shqipëri dhe për mundësitë e bashkëpunimit më të mirë ndërshqiptar.
Presidenti Thaçi ka theksuar se destinacioni i Kosovës është që sa më shpejt të bëhet pjesë e NATO-s, dhe Bashkimit Evropian.
“Çdo përvojë pozitive nga Shqipëria dhe përvojë personale në këtë proces, në veçanti për liberalizimin e vizave, është i rëndësishëm për ne si institucione të vendit”, ka thënë presidenti Thaçi.
Ai ka theksuar se është e rëndësishme që të vazhdohet me krijimin e një konsensusi sa më të gjerë në angazhimet për perspektivë evropiane, për hapat konkretë, në veçanti tash për liberalizimin e vizave dhe për dialogun me Serbinë.
“Për neve është me rëndësi jetike që të kemi një koordinim mes spektrit politik në Kosovë, një konsensus sa më të gjerë, sa më gjithëpërfshirës, në mënyrë që të jetë një angazhim i unitetit të qytetarëve, shoqërisë civile, politikës, partive, institucioneve. Gjithmonë kontributi i Shqipërisë ka qenë i mirëseardhur”, ka theksuar presidenti Thaçi.
I pari i vendit ka thënë me tej se është jetike që faktori ndërkombëtar të jetë i koordinuar.
“Gjithashtu është jetike për neve që faktori ndërkombëtar të jetë i koordinuar, së pari Bashkimi Evropian të jetë unik, por edhe një koordinim i ngushtë mes Uashingtonit dhe Brukselit, në mënyrë që të jetë një proces i sigurt, i besueshëm dhe pastaj edhe i pranueshëm prej qytetarëve të Kosovës, i cili duhet të përmbyllet jo në aspektin teknik, sepse aspektet teknike i kemi diskutuar tash e nëntë vite 2011-2019, por të përmbyllet me njohje reciproke sa më shpejt që është e mundur”, ka thënë presidenti Thaçi.
Ndërsa, Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, ka shprehur mbështetjen e tij për presidentin Thaçi dhe për qëndrimet konsekuente në mbështetje të dialogut dhe në mbështetje të krijimit të unitetit në mes të të gjithë forcave politike në Kosovë.
“Është pikëpamja ime dhe e Partisë Demokratike se bashkërendimi midis gjitha forcave politike të Kosovës dhe bashkëpunimi i tyre vetëm e forcon dhe e fuqizon Kosovën me sfidat me të cilat po përballet aktualisht”, ka thënë Basha, duke vijuar me tej se si parti e orientimit euroatlantik thekson bindjen dhe besimin se bashkërendimi i ngushtë midis Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian ka qenë dhe mbetet një parakusht për suksesin e çdo iniciative në raport me stabilizimin përfundimtar dhe perspektivën evropiane dhe euroatlantike të të gjitha vendeve të rajonit tonë.
“Shpreh bindjen së një bashkërendim i tillë do ta fuqizojë dhe do ta përshpejtojë procesin e dialogut me synim njohjen reciproke midis Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë”, ka thënë Basha.
Lideri i opozitës së Shqipërisë ka shprehur mbështetjen totale të tijën dhe të Partisë Demokratike për të gjitha qëndrimet e krerëve të institucioneve dhe politikës në Kosovë.
“Shpreha mbështetjen totale timen dhe të Partisë Demokratike, të opozitës së bashkuar, për të gjitha qëndrimet e krerëve të institucioneve dhe politikës në Kosovë, në veçanti për ata që kanë sakrifikuar për 22 vite për lirinë e Kosovës dhe që ju duhet të vazhdojnë të sakrifikojnë në plan personal për të siguruar vazhdimësinë e fryteve të lirisë, pavarësisë dhe dinjitetit njerëzor për gjithë qytetarët e Kosovës, e në veçanti për presidentin Thaçi dhe për të gjithë bashkëpunëtorët e tij”, ka shtuar Basha.
Presidenti Thaçi e ka falënderuar kryetarin Basha për kontributin e tij për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, por edhe për kontributin në procesin e konsolidimit të shtetit të Kosovës dhe atë të njohjeve ndërkombëtare dhe anëtarësimit të Kosovës në organizata të ndryshme ndërkombëtare.
HOTI-BASHA: KOSOVA, VETËM DIALOG POLITIK ME SERBINË PËR NJOHJE RECIPROKE
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti priti sot kryetarin e Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, me të cilin, pas takimit, mbajti një konferencë për media. Me këtë rast, kryeministri Hoti tha se ndihet i nderuar për prezencën e z. Basha sot, të cilin e quajti “mik shumë të shtrenjtë”.
“Unë sot isha i nderuar që bashkë me zëvendëskryeministrat dhe anëtarët e kabinetit të presim kryetarin e opozitës dhe mikun tim shumë të shtrenjtë, z. Lulzim Basha. Ndamë me të shqetësimet tona edhe për menaxhimin e situatës me COVID, edhe për çështjet e rimëkëmbjes ekonomike, dy prioritetet tona kryesore si Qeveri”, tha kryeministri Hoti, i cili njoftoi se e kishte informuar z. Basha në detaje për aktivitetet që po i bëjnë ekspertët shëndetësorë për menaxhimin e situatës me COVID, të cilën, fatmirësisht, ditëve të fundit kemi filluar ta sjellim nën kontroll.
Në fjalën e tij para mediave, kryeministri Hoti tha se e informoi kryetarin e PD-së, z. Basha edhe për aktivitetet që po i bëjmë për t’ju dalë në ndihmë bizneseve dhe qytetarëve, me një program të pasur të rimëkëmbjes ekonomike dhe për proceset e rëndësisë nacionale, siç është procesi i dialogut dhe proceset e tjera, nëpër të cilat po kalojmë si klasë politike në Kosovë dhe se ndau me të shqetësimet për këto procese.
“E falënderoj edhe një herë shumë për vizitën dhe për mbështetjen që gjithmonë e kemi pasur nga z. Basha personalisht në momente kyçe të shtetndërtimit të Kosovës, në funksione të ndryshme që ka pasur në Qeverinë shqiptare”, deklaroi kryeministri Hoti.
Ndërsa, lidhur me dialogun Kosovë–Serbi, kryeministri Hoti tha se ky proces ka filluar pas më shumë se 20 muajsh të bllokadës dhe se në ditët e para të qeverisjes sonë e kemi qartësuar platformën dhe qasjen tonë për procesin e dialogut dhe e kemi komunikuar me publikun, e kemi komunikuar me Kuvendin, me partitë opozitare me të gjithë.
“Është etabluar pozicioni i Republikës së Kosovës në këtë proces dhe është mirëkuptuar plotësisht nga partnerët tanë ndërkombëtarë. Kemi filluar me Samitin e Parisit dhe me video-konferencën të dielën e javës që shkoi dhe mandej takimin e fundit në Bruksel të enjten, për dy tema specifike, duke ditur gjithmonë se cili është synimi final i procesit të dialogut që është vetëm njohja reciproke dhe normalizimi i marrëdhënieve. Normalizimi i marrëdhënieve është derivat i njohjes reciproke. Çdo zgjidhje që ne e bëjmë në marrëveshjen finale për normalizim të marrëdhënieve duhet të jetë derivat i njohjes reciproke. Pra, si dy vende të pavarura se si i adresojnë çështjet që i kanë në mes tyre”, vijoi ai.
Siç e bëri të qartë kryeministri Hoti, dialogu është vetëm politik për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve dhe se të enjten është një takim tjetër në Bruksel, ku do të jetë prezent Koordinatori shtetëror për dialog, të cilin do ta emërojë së shpejti për të biseduar dhe për të draftuar marrëveshjen finale për njohje reciproke.
“Ky është objektivi ynë i vetëm në këtë proces. Çdo koment tjetër që dëgjoni, unë besoj që ose nuk janë të informuar plotësisht, ose dëshirojnë vetë t’i shtrembërojnë gjërat ashtu se si dëshirojnë ata. Sot, unë kam dërguar ftesat për takimin e nesërm për Forumin e liderëve të partive politike, gjithashtu kam dërguar shkresë në Kuvendin e Kosovës për ta informuar Kuvendin për Samitin e Parisit dhe për të gjitha zhvillimet deri më tash në proces të dialogut. Ashtu siç e kam thënë prej ditës së parë do të jem plotësisht transparent në këtë proces. Por, dialog teknik nuk ka. Ka vetëm dialog politik për njohje reciproke dhe normalizim të marrëdhënieve”, përfundoi kryeministri Hoti.
Ndërsa, kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha, e falënderoi kryeministrin Hoti për ftesën dhe për bashkëbisedimin shumë të hapur, miqësor dhe vëllazëror.
“Unë ndodhem gjithmonë me kënaqësinë shumë të madhe në Prishtinë që është në fakt edhe qyteti im i dytë pas Tiranës, jo vetëm për faktin se gjatë periudhës 2000-2004 kam jetuar, ka qenë shtëpia ime, por edhe sepse e bëtë të tillë me vendimmarrjen tuaj për të më shpallur Qytetar Nderi të Prishtinës, para disa vitesh”, u shpreh kryetari i PD-së, Basha.
Z. Basha foli edhe për masat që Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë për ta menaxhuar sa më mirë pandeminë me COVID-19 duke thënë se me pakon ekonomike që është njoftuar në raport me prodhimin e brendshëm bruto të Kosovës me buxhetin e Kosovës, një paketë e tillë e vendos Kosovën në krye të vendeve të rajonit dhe përbën një shembull edhe për Shqipërinë ku situata është po kaq kritike.
Ndër të tjera, z. Basha e përgëzoi kryeministrin Hoti për lidershipin dhe rinisjen e dialogut me Serbinë në shinat dhe kornizën për të cilën ky dialog u konceptua duke shprehur mbështetjen tij të plotë dhe të Partisë Demokratike të Shqipërisë në këtë përqasje parimore që, siç tha ai, ka dhe mund të ketë vetëm një përfundim, njohjen reciproke.
Po ashtu, kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Lulzim Basha ritheksoi se, se pas zgjedhjes së tij si kryeministër në zgjedhjet e ardhshme, vendimi i parë që do të ndërmarrë do të jetë heqja e taksës dhe traut në “Rrugën e Kombit”.
“Ky është vendim i padrejtë që rëndon në ekonominë e Kosovës dhe Shqipërisë dhe ngadalëson shkëmbimin ekonomik dhe shanset për bashkërendim të faktorëve ekonomikë mes dy vendeve tona”, theksoi z. Basha.
DEKLARATA E KRYETARES SË KUVENDIT TË KOSOVËS VJOSA OSMANI
Ishte kënaqësi që të mirëpres në shtëpinë e tij të dytë, zotin Lulzim Basha, Kryetarin e Partisë Demokratike. Natyrisht, që patëm një diskutim shumë të mirë për punët tona të përbashkëta, për sukseset që kemi arritur në të kaluarën, për frytet e këtij bashkëpunimi, për pozitat që ai mbante në të kaluarën, por edhe ashtu të flasim edhe si mund të rrisim këtë bashkëpunim më tutje. Natyrisht, që është e domosdoshme që Kosova edhe Shqipëria të bashkërendojnë veprimet e tyre në shumë aspekte. Ka aq shumë hapësira ku mund të përmirësojmë raportet tona bilaterale, qoftë në aspektin ekonomik, tregtar por mbi të gjitha ajo që diskutuam ishte bashkërendimin e raporteve tona ndërkombëtare, pra raporte me shtetet e tjera, sepse një bashkërendim në politikën e jashtme ndërmjet Kosovës edhe Shqipërisë, gjithnjë është treguar i suksesshëm, kur ai ka qenë i sinqertë edhe kur ai ka qenë në linjë të plotë me interesin e shtetit tonë edhe interesin e qytetarëve tanë. E falenderova zotin Basha për qëndrimin e tij konsekuent dhe të Partisë Demokratike dhe zërin e tyre të çmuar kundër ideve dhe aventurave të rrezikshme për ndryshim kufijsh. Është tejet e nevojshme që çdokush në Shqipëri të flasë me zë po aq të qartë kundër ideve të tilla, të cilat jo vetëm që shkojnë kundër interesit të Republikës së Kosovës, kundër sakrificës së shumëvjeçare të popullit të Kosovës për të jetuar në një shtet sovran dhe të pavarur, por edhe shkojnë kundër investimit ndërkombëtar që Kosova të jetë shtet i suksesshëm në kufijtë e saj aktual, si shtet sovran por edhe funksional përbrenda. Prandaj edhe njëherë mirë se keni ardhur në Prishtinë! Shpresoj shumë që do të keni vizitë produktive dhe dyert e Kuvendit të Kosovës do të jenë gjithnjë të hapura për një bashkëpunim të mirë dhe të sinqertë me ju dhe natyrisht, me secilin qytetar të Shqipërisë.
DEKLARATA E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA
Faleminderit zonja Kryetare. Për mua është nder dhe kënaqësi e veçantë që ndodhem sot në ambientet e Kuvendit të Kosovës dhe të pritem nga ju, në cilësinë e Kryetares së Kuvendit të Kosovës. Së pari, për atë që përfaqësoni si një drejtuese politike e brezit të ri, drejtuesja e dytë zonjë në drejtim të institucioneve kushtetuese të Kosovës, dhe, natyrisht edhe në rrafshin personal, për njohjen tonë për gati 20 vjeçare.
Është kënaqësi t’ju takoj sot në zyrën e Kryetares së Kuvendit dhe t’ju uroj edhe njëherë personalisht: Suksese në detyrën sfiduese të drejtimit të një nga institucioneve më të rëndësishme të Republikës së Kosovës.
Dua t’ju falenderoj, po kështu, për qëndrimet tuaja të qarta në mbështetje të axhendës së të gjithë forcave politike të Kosovës, sa i përket procesit të dialogut midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë dhe t’ju rishpreh dhe njëherë ju, atë që shpreha dhe në takimet me Presidentin e Republikës dhe me Kryeministrin Hoti, se për mua dhe për Partinë Demokratike, për opozitën e bashkuar, mbështetja totale e axhendës së institucioneve të Kosovës dhe e forcave politike të Kosovës dhe e qytetarëve të Kosovës, është orientimi dhe parimi kryesor i qëndrimeve tona. Padiskutim, ne konsiderojmë se dialogu ka qenë, është dhe duhet të jetë rruga për të ecur përpara, porse objektivi i pandryshueshëm i këtij dialogu, është njohja reciproke midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë.
Në këtë kontekst zhvillimet e këtyre 10 viteve të fundit na kanë mësuar me sukses edhe me sfida, ajo që është e rëndësishme është që siç jemi bashkë në gëzime, të dimë të jemi bashkë edhe në sfida, dhe në këtë kontekst ju garantoj se për ne është e qartë si drita e diellit, se ndihma më e mirë që Shqipëria mund të japë, ashtu sikundër në ditët e pavarësimit të Kosovës dhe njohjes së saj ndërkombëtare, apo të koordinimit të projekteve të mëdha infrastrukturore që bashkuan dhe afruan vendet tona, duke çarë malet e duke bërë të mundur qarkullimin e lirë të njerëzve, ashtu dhe në sfidat e tanishme, roli i Shqipërisë sot duhet të jetë edhe nesër me patjetër do të jetë mbështetje totale për Republikën e Kosovës, për institucionet e Kosovës dhe për qytetarët e Kosovës, duke respektuar plotësisht pavarësinë, sovranitetin dhe duke bërë gjithçka për ruajtjen e integritetit territorial të Republikës së Kosovës si vlera dhe investime të përbashkëta kombëtare të shqiptarëve, si shprehje e vullnetit të drejtpërdrejtë të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe si një investim esencial i partnerëve tanë Euroantlantikë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian, jo thjesht dhe vetëm për zgjidhjen e krizës së Kosovës, por për paqtimin e Rajonit të Ballkanit dhe integrimin e vendeve të Ballkanit dhe në NATO. Edhe një herë ju falenderoj nga zemra për pritjen e ngrohtë sot dhe ju uroj shumë suksese në detyrën tuaj!
Pyetje: Në këtë kohë pandemie sa janë të mirëseardhur kosovarët në Shqipëri gjatë turizmit, meqënëse e thatë se në Shqipëri është situata jo më mirë se në Kosovë, si dhe në anën tjetër në këtë kohë pandemie, a janë rritur çmimet, meqënëse ka goxha shumë ankesa për rritjen të çmimeve?
Lulzim Basha: Dua të ftoj të gjithë qytetarët e Kosovës që t’i drejtohen plazheve të bukura të Shqipërisë që janë të hapura, janë edhe plazhet e Kosovës, plazhet e çdo qytetari të Republikës së Kosovës. Në këtë kuadër, kam pasur rastin javët e fundit të vizitoj nga Velipoja në Divjakë e në Vlorë e në Sarandë dhe jo vetëm kombinimi i nxehtësisë verore me bukuritë natyrore të Shqipërisë, por edhe çmimet që vërtet kam parë aty, më duket se përbëjnë një arsye më shumë për t’iu afruar dhe jo për t’iu larguar bregdetit shqiptar. Natyrisht, pandemia ka sjellë vështirësitë e veta si kudo në botë, por mund t’ju them në tërësi, sektori i mikpritjes turistike shqiptare është mëse i përgatitur dhe mikpritës ndaj pushuesve, dhe në këto kohë të vështira për fat të keq, sytë i kemi nga vëllezërit dhe motrat tona, qoftë pushuesit e Shqipërisë, pushuesit nga Kosova. Pushuesit shqiptarë apo pushuesit në tërësi të Maqedonisë së Veriut i kanë dyert e hapura. Nesër do t’i korrigjojmë disa gabime, siç është taksa e Rrugës së Kombit, por megjithatë, pavarësisht vështirësive të momentit, dua të përsëris ftesën time dhe thirrjen time drejtuar pushuesve nga Kosova edhe në emër të industrisë turistike shqiptare, operatorëve turistikë, që i kam takuar gjithë këto kohë: Ju presim me krahëhapur dhe shpresoj e besoj se do bëjnë më të mirën, që edhe pushuesit nga Kosova të ndihen, si zakonisht, në shtëpinë e tyre përgjatë gjithë vijës bregdetare të Shqipërisë.
BASHA NË TAKIM ME KURTIN: PD ËSHTË DHE DO TË JETË GJITHMONË NË KRAH TË KOSOVËS
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha gjatë vizitës në Kosovë ka takuar edhe liderin e Vetëvendosjes, Albin Kurti, ku e siguroi këtë të fundit se me ardhjen në pushtet, PD do të jetë gjithmonë në krah të Kosovës.
“Gjatë qëndrimit në Kosovë, ndava disa orë të këndshme me Kryetarin e VV Albin Kurti, ku diskutuam për të gjitha zhvillimet e rëndësishme ekonomike. politike dhe rajonale.
U ndalëm gjerësisht në bisedën tonë tek situata ekonomike dhe shëndetësore të shkaktuar nga pandemia e COVID-19. Është shumë e rëndësishme që të koordinojmë përpjekjet dhe të ndërmarrim nisma të përbashkëta, për sa i përket përballjes në aspektin shëndetësor të COVID-19, por edhe për situatën ekonomike, e cila ka sjellë probleme të shumta. Me fokus të veçantë nënvizuam rëndësinë e hapave që duhen ndërmarrë për të ndalur largimin e dhimbshëm të të rinjve, e për t’u krijuar atyre mundësi të punojnë dhe jetojnë në Shqipëri e Kosovë.
Ndamë të njëjtin mendim, se nevojitet një intensifikim i bashkëpunimit mes dy vendeve, projekte dhe nisma konkrete, dhe jo ide që mbeten në letër.
E sigurova zotin Kurti, se unë dhe Partia Demokratike e Shqipërisë, sot në opozitë dhe nesër në drejtim të vendit, do të jemi në krah të Kosovës, dhe maksimalisht të angazhuar për t’i ofruar çdo ndihmë, dhe për të marrë çdo vendim në mbështetje të saj.
Theksova rëndësinë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, domosdoshmërinë e moscënimit të integritetit territorial të Republikës së Kosovës dhe arritjen e një marrëveshjeje që do të çojë në njohjen respektive, mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë”, u shpreh Basha, cituar nga Rilindja Demokratike.
BASHA NË SELINË E LDK-së
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në selinë e LDK-së: Investimi 30 vjeçar i LDK, si shtyllë e stabilitetit politik në Kosovë, do të përkthehet sërish në bashkëpunim me forcat e tjera politike për të arritur objektivat e përbashkët në interes të Kosovës dhe qytetarëve të saj.
DEKLARATA E NËNKRYETARIT TË LIDHJES DEMOKRATIKE TË KOSOVËS, AGIM VELIU PAS TAKIMIT ME KRYETARIN E PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA
Ne sot patëm kënaqësinë që në selinë e LDK, të prisnim Kryetarin e Partisë Demokratike, zotin Lulzim Basha me bashkëpunëtorët. Ne diskutuam në përgjithësi situatën aktuale që është në Kosovë në lidhje me Covidin, por edhe me zhvillime të tjera politike që janë zhvillime edhe brendapërbrënda Kosovës dhe zhvillimet që lidhen me pozicionimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare. Po ashtu, e diskutuam edhe bashkëpunimin tonë shumëvjeçar që, si parti simotra dhe anëtarë të Partive Popullore Europiane që jemi, është fjala për një bashkëpunim mëse 30–vjeçar dhe diskutuam për mundësitë e thellimit të këtij bashkëpunimi në të ardhmen.
DEKLARATA E KRYETARIT TË PARTISË DEMOKRATIKE, LULZIM BASHA
Falenderoj nënkryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për pritjen e ngrohtë dhe vëllazërore, sikundër dua të përsëris edhe publikisht urimet e mij më të mira për rikuperimin sa më të shpejtë të Kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës z.Isa Mustafa.
Në selinë e Partisë sonë simotër, Lidhjes Demokratike të Kosovës gjeta rastin të nënvizoj dhe njëherë vlerësimin tim dhe të Partisë Demokratike për rolin që kjo forcë politike luan si një shtyllë e stabilitetit politik në Kosovë, për investimin 30 vjeçar në pavarësimin, shtetformimin, demokratizimin dhe udhëtimin e Kosovës drejt objektivave të saj për antarësimin në NATO dhe në Bashkimin Europian, çka përbëjnë edhe shtratin e përbashkët të partive tona simotra, anëtare të Partisë Popullore Europiane dhe të Unionit Demokrat Ndërkombëtar. Sikundër shpreha besimin që ky investim 30 vjeçar, që e ka pajisur Lidhjen Demokratike të Kosovës me një përvojë të jashtëzakonshme dhe me një vlerësim mbarëqytetar, që kalon kufijtë e bindjeve politike të qytetarëve të Kosovës, duke nisur nga trashëgimia e Presidentit Ibrahim Rugova e duke vazhduar me investimin e LDK-së deri në ditët e sotme, do të arrijë të përkthehet në bashkëpunim edhe me forcat e tjera politike, në një të mirë për çdo qytetar të Kosovës e në veçanti për ato objektiva që kanë të bëjnë me përballimin me sukses të pandemisë së Covid-it, përballimin, në veçanti, të krizës ekonomike dhe pasojave sociale që kjo pandemi po sjell anë e mbanë rajonit e më gjerë, por, po kështu, edhe në plotësimin e aspiratave të qytetarëve të Kosovës për lëvizjen e lirë në Bashkimin Europian dhe, natyrisht, për udhëheqjen me sukses të një investimi të përbashkët të institucioneve dhe faktorit politik të Kosovës dhe partnerëve tanë strategjikë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian, dialogun me Republikën e Serbisë, me synim njohjen reciproke midis dy vendeve si një investim në të ardhmen europiane dhe euroatlantike të të gjithë vendeve të rajonit. Ju faleminderit!
HARADINAJ-BASHA: KOSOVA E SHQIPËRIA SË BASHKU NË RRUGËN EUROATLANTIKE, NË ALEANCË TË PËRHERSHME ME SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka shkruar: Prita sot në takim vëllazëror kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, me të cilin diskutuam për zhvillimet politike në të dyja vendet dhe temat e interesit kombëtar. Vlerësuam se faktori shqiptar në tërë rajonin tonë po fuqizohet vazhdimisht, dhe se implementimi sa më i shpejtë i marrëveshjeve të nënshkruara mes Kosovës dhe Shqipërisë, përpos impaktit të madh në zhvillim ekonomik do t’i shërbenin forcimit të lidhjes sonë të pashkëputshme.Të dyja vendet do të vazhdojnë së bashku në rrugën euroatlantike, në aleancë të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
LIMAJ-BASHA: BASHKËRENDIM MES TIRANËS DHE PRISHTINËS
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka shkruar: Pata nderin dhe kënaqësinë që sot në selinë e Nismës Socialdemokrate të pres në takim liderin e opozitës në Shqipëri, z. Lulzim Basha, me të cilin bashkëbiseduam për zhvillimet politik dhe nevojën e domosdoshme për bashkërendimin e aktiviteteve mes Tiranës dhe Prishtinës.
E njoftova z. Basha që Kosova është në një moment delikat e të rëndësishëm dhe për këtë na duhet bashkim dhe unitet i faktorit politik të Kosovës, duke përcaktuar qartë pikat që na bashkojnë në funksion të interesit shtetëror.
Gjithashtu, diskutuam edhe për dialogun Kosovë – Serbi, marrëdhëniet Kosovë Shqipëri, si dhe për identifikimin e interesave të përbashkëta për të cilat duhet të angazhohemi së bashku në arenën ndërkombëtare, në mënyrë që të kontribuojmë për unitet në vendet tona, ashtu siç ka qenë traditë deri më tani.
*Me shume fotografi shihni ne Facebook Gazeta Dielli