Pas “vdekjes” së 18 majit, Basha pakt të ri me Ramën: ndryshime në ndarjen territoriale/
Shpallja e djeshme nga Lulzim Basha se “marrëveshja e 18 Majit me Edi Ramën ka vdekur”, është dhe zhvillimi kryesor politik i ditës përpos debatit dhe votimit për “Rama 2”, e cila gjithsesi nuk ka problem numrash në Kuvend.
Kreu i opozitës shqiptare, deklaroi literalisht se pakti parazgjedhor me të gjitha pikat e tij nuk ekziston më.
Lulzim Basha e grisi atë marrëveshje në mënyrë publike, duke e cilësuar si një relike të vjetër, a thua se e kishte firmosur dikush tjetër dhe jo personi që e deklamonte atë.
Por, cili ishte mesazhi i Lulzim Bashës në fjalimin e tij, që ka tërhequr edhe vëmendjen e ambasadorit amerikan në Tiranë, Donald Lu, i cili drekoi me kreun e PD-së.
Mesazhi i Bashës ishte i qartë: marrveshja e 18 majit ka vdekur, nuk njoh asnjë pikë të saj, dhe jam gati për një marrëveshje të re, me kushte të reja, ndryshe do të ketë kryengritje!
Po ç’përmban marrëveshja e re? Në një farë mënyrë, ose thënë qartë, atë që përmbante “e vjetra” që vrau kreu i PD. Pra reformë Kushtetuese, Zgjedhore dhe ajo që është më e rëndësishmja Administrative.
Burime pranë mazhorancës, i bënë të ditur tesheshi.com se mesazhi është përçuar si një ftesë e Lulzim Bashës për një pakt të ri me Edi Ramën, pra për një vazhdim të 18 majit me një format të ri.
Një format, që Lulzim Basha kërkon ta shesë brenda partisë së plagosur Demokratike si një paketë e re me kushte ndaj qeverisë.
Siç mësohet ajo që është më e rëndësishmja nga kushtet që PD-ja pritet t’i vendosë qeverisë, ose më mirë mazhorancës në këmbim të luajalitetit për të miratuar së bashku reformat e mëdha, është rishikimi i Ndarjes Administrative dhe Territoriale.
Partia Demokratike kërkon të hyjë në zgjedhjet lokale të vitit 2019 me një ndarje të ndryshuar, ku të ketë më shumë qendra administrative, pra bashki në veri të vendit, dhe më pak në jug.
Siç mësohet, PD-ja do të kërkojë që Lezhën dhe Shëngjinin ta ndajë sërish në dy bashki, Shkodrën dhe Dukagjinin, si dhe nënshkodrën në bashki të veçanta, por ajo që është më dramatikja në këtë mesele, është se ka gjasa që të vihet dorë edhe mbi Himarën.
Pra që të kthehet ndarja administrative ku t’i hiqet Himarës pjesa e Labërisë. Në këtë aspekt Athina po bën presion të madh, duke vendosur edhe kushtin e vetos për negociatat me BE-së.
Vetë takimi i ambasadorit amerikan Donald Lu, me ambasadoren greke në Tiranë, gjatë seancave të Kuvendit në mënyrë demonstrative, ishte një sinjal për një mundësi të tillë.
Ndërkaq, edhe Rama këtë herë nuk ishte aq i ashpër me Athinën si herët e tjera.
Lulzim Basha, siç e kemi shkruar më herët, pritet të jetë protagonist i reformës kushtetuese dhe zgjedhore, ku sipas parashikimeve do të drejtojë ai vetë Komisionin e Posaçëm Parlamentar.
Dhe duke marrë rolin e protagonistit, pra prodhuesit të reformës de fakto, ai do të negocojë edhe për Himarën, e cila po kërkohet me ngulm nga Athina.
Një tjetër kërkesë e PD-së për reformën territoriale është që edhe Paskuqani të jetë bashki në vete, duke i bashkëngjitur Valiasin, i cili aktualisht është në bashkinë e madhe të kryeqytetit.
Tiranës, pritet që të kërkohet edhe shkëputja e periferisë pra që Farka bashkë me ish-komunat e pjesës Lindore të grumbullohen në një bashki më vete, sikur edhe Kashari, të cilit mund t’i bashangjitet pjesë të Domjes apo Laknasit që sot janë pjesë e bashkisë Vorë.
Me këtë ndarje, PD-ja shpreson të faktorizohet duke fituar më shumë asete elektorale që mund ta ringjallin atë politikisht, duke mos e lënë në kushtet aktuale ku PD mendon se është e destinuar të humbasë.
Nuk dihet nëse do të pranohen të gjitha nga Edi Rama, por ka gjasa që një pjesë e madhe të këtyre kushteve të pranohen edhe si pjesë e vullnetit politik të shprehur nga Kryeministri për marrëveshje institucionale.
Lulzim Basha, do ta përdorë rolin e tij si inspirues i reformës si një atu politik, për tu ringritur si brenda PD-së, por edhe në elektorat.
Përmendja e termit “kryengritje”, kreu i opozitës synon ta mbajë si një “shpatë Demokleu” që të rrijë si një kërcënim për Edi Ramën se ai kurdoherë mund ta hapë çadrën e famshme, që mazhorancës së vetme të Ramës, mund t’i shkatërrojë imazhin duke rrezikuar izolimin politik.
Dhe këtu Basha nuk ka gjë për të humbur, ç’pati, i humbi më 25 qershor.
Është Edi Rama, ai që rrezikon të prishë një fitore që e kishte kërkuar prej kohësh. Ndaj sipas të gjitha gjasave ai do ta hapë krahun lirisht për atë që e quajti hapur në Kuvend: “konkurrent, e jo kundërshtar”.
CFARE THANE RAMA E BASHA NE KUVEND
RAMA
Askush nuk fiton nga diskretidimi i qeverisë shqiptare në botë. Në shumë vende kurrë konkurrentët nuk njollosin njëri-tjetrin. Zgjedhjet nuk fitohen duke nxitur të huajt të deklarojnë sensacione të zymta për vendin që është i të gjithëve. Pushteti nuk merret duke shkuar në Bruksel të ndarë. Dekriminalizimi dhe kanabsi, probleme reale, por u frynë. Opozita luajti një rol në shkundjen tonë ndaj këtyre problematikave.
Edhe opozita ka rolin e saj në rezultatin e sotëm ndaj kanabisit. Problemet t’i zgjidhim njëherë në shqip. Po flitet për krim shqiptar në disa kryeqytete, ndaj kësaj duhet të jemi bashkë. Transparenca është gjë e madhe që na bashkon, por cfarë na pengon të hapim një dialog serioz për të mos vijuar edhe 4 vite në avazin e vjetër, për të mos i lënë këto probleme në rrjedhje të lirë për të gjetur zgjidhje në minutë n e fundit, pasi jemi bërë gazi i botës.
Kush fiton prej nesh kur përballemi me njëri tjetrin. Ne emër të shumicës unë u shpreh sot opozitarëve gatishmërinë për një nisëm të hapur për gjërat që na bashkojnë, paketa e detyrimeve madhore e partive të vërteta dhe politikanëve seriozë të cdo vendi. Shqipëria e bashkua me europën dhe bashkimi i shqiptarëve janë apo nuk janë pjesë e kësaj pakete. Kush fiton nga mosmarrëveshjet, që kthehen në pengesa në rrugën drejt BE. Nuk po flas për Shqipëri të madhe or një popull të vetëm shqiptar, që sot ka dy shtete, është ende larg i lidhur në të drejta dhe detyrime me qëllimet e mëdha dhe i unifikuar në përpjekjet.
Axhendat partiake nuk do të marrin peng rendin e ditës së Kuvendit. Jemi të vetëdijshëm për gabimet dhe defektet tona. Jo armiq, por konkurrentë, shpresoj të jetë kështu edhe për ju. 25 qershori provoi se në Shqipëri nuk fiton kur i fryn konfliktit, akuzon, shan dhe fyen, kush bllokon.
BASHA
“Ky parlament nuk shpreh vullnetin e qytetarëve por tjetërsimin dhe vjedhjen e vullnetit të tyre. Raporti paraprak i OSBE-ODIHR sikundër edhe ai i ministrave teknikë faktojnë shitblerje masive të votave, përdorim të grupeve të strukturuara kriminale, skedimin dhe matrikullimin e shqiptarëve, duke i shantazhuar, intimiduar, frikësuar dhe terrorizuar për t’u blerë varfërinë dhe mjerimin e thelluar nga kjo qeveri”.
Thelbi i marrëveshjes së 18 majit, ishin zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Ndaj, dhe zgjedhjet e 25 qershorit shënuan edhe vdekjen e kësaj marrëveshjeje. Aleanca e pandërprerë asnjë cast e Ramanjishit me krimin dhe shitblerja e votave me paratë e drogës dhe të korrupsionit e vranë marrëveshjen dhe rikonfirmuan problemin numër 1 të Shjqipërisë: vjedhjen dhe tjetërsimin e vullnetit të shqiptarëve për hir të pushtetit personal dhe privat të Edi Ramës.
E vetmja gjë që arriti 8 maji është që 450.000 shqiptarë përfaqësohen sot këtu në këtë sallë nga opozita, nga Partia Demokratike. I vetmi sukses i 18 majit është që ti nuk arrite ta emërosh opozitën tënde siç e kishe nisur dhe siç doje ta bitisje
Nëse 25 qershori e vrau marrëvëshjen e 18 majit, 9 shtatori e varrosi atë përfundimisht. Jo vetëm zgjedhja në krye të kuvendit e Gramoz Rucit, të cilit i është ndaluar përjetësisht hyrja në SHBA për shkak të lidhjeve të tij me krimin dhe trafiqet, por edhe akti mafioz i blerjes apo tjetërsimit të 2 votave opozitare, është shprehja më e qartë se në vend të bashkëekzistencës demokratike me kundërshtarin, t’i zgjedh gjithmonë shitblerjen dhe manipulimin.
(tesheshi)