Në Kuvendin e Partisë Demokrate që po zhvillohet këtoditë në Filadelfia ndodhet i ftuar edhe Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, zoti Lulzim Basha.
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, në një intervistë për Zërin e Amerikës nga Filadelfia ku po merr pjesë për Konventën e Demokratëve, ka pohuar se Partia Socialiste po përpiqet që të prishë konsensusin e arritur me opozitën për reformën në drejtësi.
Kësaj radhe është fjala për 7 projektligjet që duhet të miratohen për paketën e reformës në drejtësi, që duket se kanë rikthyer tensionet mes palëve.
Basha tha se, janë të njëjtët persona nga PS që po tentojnë të pengojnë konsensusin me opozitën, siç ndodhi ditën e 21 korrikut kur u votua reforma në Parlament.
“PD ka shprehur gatishmërinë e saj për të shqyrtuar draftin. Është një manovër politike e tipit që pengoi deri në fund konsensusin me opozitën. E rëndësishme është që mazhoranca mos bëjë bisht për konsensus. PD do të vazhdojë të marrë përgjegjësinë e saj.
Shoh përpjekje për të rikthyer tensionin nga të njëjtët. Ata që dështuan në këtë projekt në rrafshin kushtetuese do dështojnë edhe në rrafshin ligjor. Ne nuk kemi patur asnjëherë mëdyshje për reformën në drejtësi”, theksoi kryedemokrati.
Lulzim Basha shtoi gjithashtu se është në kundërshtim me kushtetutën që këto pr/ligje të votohen ditën e nesërme në Parlament, edhe pse kërkohen me ngulm nga mazhoranca. Për të zgjidhur këtë çështje, kreu i Kuvendit Ilir Meta ndërpreu vizitën në SHBA dhe u nis drejt Tiranës.