Lideri i Opozitës, Lulzim Basha deklaroi se Rama po përpiqet të bindë Metën të tërhiqet nga deklarata e tij për qeveri besimi. Kryetari i PD tha se nuk ka zgjidhje të situatës pa qeveri teknike dhe nuk do të ketë zgjedhje me Edi Ramën Kryeministër.
Pas vendimit të aleatëve në qeveri Rama-Meta për të kërkuar ndihmën e PPE-së për të bindur opozitën të ulet në dialog, kryetari i PD-së Lulzim Basha tha se tashmë kreu i qeverisë po përpiqet të bindë Metën që të shkojnë në zgjedhje së bashku, kur më herët edhe LSI kishte deklaruar se nuk mund të kishte zgjedhje pa opozitën. Por, Basha riktheksoi për të disatën herë se zgjedhje me kryeministër Edi Ramën nuk ka dhe se rruga e vetme është qeveria teknike.
Lulzim Basha: “Fjalët e pazarit thonë se edhe me aleatin e tij po bën çdo përpjekje me zhage, se ka nja 15 vjet që e përdorin. Sa herë nuk i zgjidhin dot ndryshe punët, zhagen, ti mbushë mendjen e të tërhiqet nga deklarata që ka bërë. Zgjedhje me Edi Ramën kryeministër nuk ka për të pasur”
Lideri demokrat u ndal edhe në arrestimin e 18 policëve sekuestrimin e drogës në portin e Durrësit, duke theksuar edhe njëherë se kjo vërtetoi se kupola shtetërore është e lidhur me krimin. Ndaj ai kërkoi arrestimin e ish-ministrit të brendshëm Saimir Tahiri dhe kreun e qeverisë.
Lulzim Basha: 18 janë ushtarët. Çojeni deri në fund nismën me arrestimin e Saimir Tahirit dhe çojeni deri tek kreu i bandës”
Gjatë gjithë diskutimit para përfaqësuesve të biznesit dhe publikut, Basha spikati për një retorikë të ashpër ndaj kryeministrit dhe në fund nuk i kurseu as këtë paralajmërim
Lulzim Basha: “Falju Zotit përditë e përnatë që më ke mua përballë, dhe nuk është prishur një lule, dhe veri gishtin kokës kur shpotit e tallesh me opozitën se ndoshta dhe mua më sosët durimi dhe nuk mund t’i bind më që të mos këpusin ndonjë lule”
Kreu i opozitës foli edhe për gjendja e vështirë ekonomike në vend, duke e cilësuar si problemin parësor të shqiptarëve, dhe garantoi se me zgjedhje të lira dhe të ndershme, do t’i jepet fund komplotit politik dhe atij ekonomik, ku shteti zhvat qytetarin në çdo qindarkë.