Partia Demokratike mblodhi të dielën aktivin e Tiranës, gjatë të cilit kryedemokrati Lulzim Basha bëri thirrje për pjesëmarrje masive në protestën parlajmëruar, në 20 shkurt në Tiranë. “Në 20 shkurt, në 23 vjetorin e rrëzimit të monumentit të dikatorit Enver Hoxha, nga sheshi kryesor i Tiranës, nisim marshimin e protestës së madhe popullore kundër mashtrimeve të maxhorancës Rama-Meta”, tha kryetari Basha në fjalën e tij.
Sipas tij, 20 shkurti është gdhendur në histori si dita e madhe e Tiranës demokratike, që 23 vite më parë bëri e para hapin për një Shqipëri pa diktaturë. “Ftoj të gjithë në sheshin historik, 23 vjeçaret e sotëm që lindën në liri. Të gjithë në shesh për t’i përcjellë zërin e fuqishëm të bashkimit qeverisë Rama- Meta”, tha më tej kryedemokrati.
Gjatë aktivit të Tiranës, Basha bëri të ditur anëtarësimin e një numri të rinjsh në Partinë Demokratike, që sipas tij bashkohen me të djathtën si reagim përballë një qeveri që po shkel me këmbë aspiratat e tyre.