

Nga Ramazan Çeka/
Festivali i përvitshëm Shqiptar në Michigan, pasqyrë e shkëlqyer e një Komuniteti të bashkuar dhe patriot. Ky festival, siç përcaktohet edhe në nëntitullin e këtij shkrimi, është rezultat i një pune të pandërprerë, i një kontributi të vazhdueshëm, ku të gjithë së bashku bëhen pjesë dhe vlerë e një evenimenti që ka një mision të shenjtë: Ruajtjen dhe trashëgiminë e gjuhës, si dhe traditave të bukura shqiptare. Pjesëmarrja fizikisht, natyrisht dhe emocionalisht në këtë festival, të krijon idenë se këtu vetëm toka është amerikane e çdo gjë tjetër thellësisht shqiptare.
“Kjoft mallkue, njaj bir Shqyptari,
Që këtë gjuhë të Perëndis’,
Trashigim, që na la i Pari,
Trashigim s’ia len ai fmis”.
Festivali organizohet për çdo vit më 4 korrik në Michigan nën kujdesin e Kishës së Shën Palit me titullar Dom Fred Kalaj.
Unë isha i ftuar prej njërit nga personalitetet e këtij komuniteti, si dashamirës dhe përçues i vlerave shqiptare në Amerikën e Largët, por dhe si një nga sponsorët e këti Festivali z. Peti Camaj, malësori dhe atdhetari i njohur jo vetëm si një biznesmen i shquar, por edhe si krijues i një “Mecenati” që ka qenë gjithmonë një shtëpi e madhe dhe bujare për të gjithë artistët e botës shqiptare.
Kjo festë e madhe e Komunitetit Shqiptar në Amerikë, përcolli mesazhin e saj për t’i treguar shqiptarëve kudo që jetojnë, se ka ardhur dita për t’u prezantuar në Botë si një komb i lashtë, i ri dhe gjithmonë i bashkuar.
Kisha e Shën Palit i uroi mirë se ardhjen të gjithë Diasporës së Michiganit, grupeve mysafire nga USA, dhe Kanadaja.
33 vite pune, mund me zemër t’bardhë e plot krenari, për këtë eveniment kaq të madh artistik e kulturor, ku u bë një bashkim Kombëtar në Diasporë, bazuar mbi historinë, vlerat, traditat, gjuhën dhe kulturën mijëra-vjeçare shqiptare.
Ky Festival shënon fillimin e një levizjeje shqiptare, e një ringjalljeje Kombëtare për rikthimin e shqiptarëve në identitet. Meritat i shkojnë Kishës Shen Palit, organizatorëve që tashmë dihen, prindërve dhe femijëve të tyre të talentuar dhe rinisë së mrekullueshme shqiptare.
Ky festival është i 33-ti, por është më i miri, më i bukuri, me gjithpërfshirësi dhe i mirëorganizuar, “qershia mbi tortë” e të gjitha festivaleve te Kishës Shen Palit dhe të gjitha organizimeve masive shqiptare në Diasporë.
Si asnjëherë tjetër, këtë radhë numri i grupeve dhe artistëve pjesëmarrës ishte më i gjërë gjeografikisht, duke sjellë vlera tradicionale nga të gjitha trevat shqiptare, në trojet amtare, por dhe në Komunitetin Shqiptar në SHBA.
E tillë ishte pjesëmarrja për herë të parë në Michigan e Shoqatës Kulturore “Xhubleta e Alpeve Shqiptare” me kryetare themeluesen e saj znj. Rita Kalaj Shkurtaj, bijë e Kastratit, e cila me kontributet e saj në ruajtjen dhe trashëgiminë e cilësive identitare malësore të xhubletës, ka një rol të fuqishëm në futjen e Xhubletës dhe dije-bërjen e saj në UNESCO.
Një takim me një drekë mirseardhjeje për Kryetaren e Shoqatës Kulturore “Xhubleta e Alpeve Shqiptare” znj. Rita Kalaj Shkurtaj, rezervoi në Michigan edhe patrioti i shquar Ndue Ftoni, Kryetar i Shoqatës “Dukagjini” në Detriot.
Në këtë takim u fol me shumë mirënjohje puna për dijebërjen dhe vlerat e xhubletës.
Prezent në këtë eveniment ishte edhe kryetarja e shoqatës “Xhubleta e Malësisë” zonja Shaqe Dushaj.
Siç thamë edhe më lart numri i grupeve pjesëmarrëse këtë vit ishte më i madh dhe e ndjejmë për detyrë t’i publikojmë në këtë shkrim.
GGK është Grupi i Valleve të Kishës së Shën Palit që mban emrin e Heroit tonë Kombëtar “Gjergj Kastrioti”, që drejtohet nga koreografia e mrekullueshme Joli Agolli Paparisto.
Ky grup ka marrë pjesë tri herë në Festivalin Folklorik në Gjirokastër dhe është Ambasador i përçimit dhe ruajtjes së Traditës, Artit dhe Kulturës Shqiptare në SHBA, ku mori pjesë si çdo vit në Festivalin e 33-të Shqiptar!
Valltarët e Ansambli Autokton “Rugova”, të ardhura nga New Yorku, si dhe ata të grupit “Shqiponjat e vogla” nga Kanadaja nën drejtimin e koreografit të mirënjohur Ramazan Këllezi, nën moton Jug e Veri, ndezën skenën e festivalit me valltare të veshura me kostumin popullor të Dardhës së Korçës dhe xhubletën e çikave malësore.
Me një performancë të shkëlqyer erdhën në festival edhe Grupi i Valleve “Illyrians” i Kishës Zoja Pajtore Michigan, Shoqëria Kulturore Artistike “Rapsha” në mërgim, si dhe grupi “Liridona” që performoj natën e parë të Festivalit.
Shumë emocione bashkë! Bukuri e pa shoqe, bukuri shqiptare, bukuri Malësore!
Mark Paparisto dhe Anxhela Corri, përfaqësues të denjë të brezit të rinisë shqiptare, lindur e rritur ne Amerikë, prezantuan Festivalin në gjuhën e nënës. Sa e zbukuruan Festivalin këta moderatorë të mrekullueshëm!
Dhe kështu, me krenari shqiptare u shpalos ky festival, që do të zgjaste katër netë, si vetë flamuri ynë që përmes valëvitjes transmeton mesazhet e një populli të lashtë.
Atmosfera e natës së fundit të Festivalit i kaloi të gjitha parashikimet. Skenën e ndezën dy këngëtarët nga Kosova Valon Biba dhe Gjon Lleshi që u bënë një me atmosferën rinore të këtij eventi.
Jehona e Festivalit të 33-të Shqiptar shkoi përtej Michiganit. Jehonën dhe mesazhet e tij i çuan anë e mbanë SHBA-së si dhe në të gjitha trojet shqiptare vetë ata, artistët që përformuan dhe të ftuarit.
Këta jemi ne, kjo është Diaspora Shqiptare, ky është Kombi ynë vital, sepse të tillë e mbajnë brezat që trashëgojnë historinë dhe traditën shqiptare.
Michigan, korrik 2024