– Përsiatje nga Pëllumb Kulla/
Fjalën “bashkim” ne e përdorim shumë. Një ditë më lindi dyshimi se unë e përdor atë pa ia ditur kuptimin. Befas u kujtova se këtë fjalë e kisha përdorur gjithë jetën. Dhe po gjithë jetën, nuk ia kisha ditur kuptimin e plotë. Në disa raste e kisha përdorur në shkrimet që botoja dhe në shumicën e herëve në kuvende, ku isha duartrokitur si njeri i gjerë, burrë i urtë e patriot i klasit të parë! Ditën që fillova të dyshoj se, megjithqë ishte fjalë shqipe, unë si shqiptar i thekur, i njohur me letrat e me gjuhën, prapëseprapë nuk ia dija kuptimin, vendosa të përpiqem që t’ia shkoqis domethënien e gjerë “bashkimit” dhe mendova se çfarë duhet bërë që të vihet në jetë ai.
Pas një periudhe të gjatë përpjekjesh e një vargu meditimesh, vura re se “bashkimi” nuk ishte fare gjë e lehtë. Është, dakord, një fjalë e bukur, festive, e ngrohtë, plot emocion, por gati e parealizueshme.
Bashkim – do të thotë të jetosh afër, të vëllazërohesh me një njeri a një grup njerëzish, me të cilët deri tani nuk ke qënë bashkë, nuk i ke dashur fare dhe, në të shumtat e rasteve, i ke urryer. Nuk është e lehtë.
Bashkim – na i thënkëshin pranimit të gabimeve, fajeve, mëkateve që ke bërë ndaj një tjetri. Nuk qënka kollaj.
Bashkim – do të thotë të falësh. Të falësh në thellësi të shpirtit dëmin që të kanë shkaktuar, gjakun që të kanë derdhur, shnderimet, vjedhjen që të kanë bërë. Të falësh mëkatarët që, të penduar thellësisht, të dalin përpara me kokë ulur e me lotë në sy. Nuk është fare e lehtë të falësh dhe zor të gjesh mëkatarë e sidomos të penduar! E sidomos në Shqipëri!
Bashkim, – do të thotë të shikosh prapa dhe përpara, të ndahesh nga ca grupime e të bësh një afrim tjetër të arsyeshëm, të urtë dhe më afër llojit tënd.
Bashkimi – është rasti, kur pas faljes së sinqertë je i zoti edhe të kapërdish.
Bashkim, – është një mënyrë të jetuari në harmoni me një njeri a me një grup njerëzish, që shndërrohet në një nevojë të jetuari, kundër një grupi tjetër, kundër shtetesh të tjera e kundër aleancash armiqësore, që nuk të duan as ty dhe as ata, me të cilët u bashkove dhe sidomos nuk duan t’ju shohin bashkë. E vështirë kjo gjë sidomos aty ku duhet më shumë, në viset shqiptare.
Bashkim, – do të thotë që, pas kësaj, të punosh ca më shumë se ai tjetri, njeriu me të cilin u bashkove. Do të thotë të luftosh ca më shumë se ai, të shpenzosh më shumë se ai dhe, në rast nevoje, të japësh jetën para se ta japë ai. A jemi ne të tillë?
Një njeri fal hasmin për gjakun e vëllait, babait a djalit të vetëm, paraqitet në kuvend, i shtrëngon dorën atij që i ka përvëluar shpirtin, përqafet me të dhe, në prani të njëqind burrave të përlotur që duartrokasin, zotohet që të ndërpresë urrejtjet dhe pusitë. Keni takuar njerëz të tillë? Shumë pak. Ju janë dukur të bukur? Të mahnitshëm, pasi kanë ngritur peshë një mal të tërë dhe ne s’kemi qënë veç soditës të mrekullisë.
Pra “bashkimi”, vëllezër, është një punë e vështirë. Gazetat e shkruajnë, se nuk dijnë ç’të thonë tjetër, politikanët e thonë për t’u dukur, shkrimtarët e shkruajnë për abetaret e librat e këndimit dhe palët kundërshtare në gjirin e një kombi e tellallosin për t’ua lënë kundërshtarëve doçin në derë, me demek “ne kemi bërë thirrje më shumë se ju”.
Dhe jo njëherë janë parë shqiptarë, që bashkim i thonë gabimisht ujdive për të përfituar, njerëz që urrejnë bashkatdhetarët më shumë se të huajt, njerëz që pasi janë prishur nisin ta urrejnë shokun e bashkëpuntorin më shumë se atë, që dikur e luftonin së bashku. Ka shqiptarë që në furrën e urrejtjes gatuajnë më shumë mëri të helmët për shqiptarë të tjerë se sa për pushtuesin, qoftë ky italian, grek, gjerman apo serb. Mjaft që të pranohet kjo e nuk është zor të rreshtohen këtu emra ballistësh, komunistësh, legalistësh, socialistësh, demokratësh, disidentësh, reformatorësh, kolaboracionistësh. Nuk është zor të gjesh emra brenda kufijve të Shqipërisë dhe viseve të saj përtej.
I zorshëm mbetet vetëm ai, BASHKIMI, që ne e përmendim, e shkruajmë dhe e lexojmë çdo ditë. Më kot…
Ju lutem e ju përgjërohem, miqtë e mi, mos e përdorni, mos e lodhni, a ndofta mos e ndotni më këtë element vendimtar për jetën e një kombi. Të punojmë që të piqet, ta shohim të mundur, ta shohim të afërt, që të vërsulemi për realizimin e tij.(Dielli-Arkiv-Tetor 2004)
o o o
Josif Rrapi says
I nderuari Z. Pellumb.
Do deshiroja qe mesazhed e tua ti degjojne ato kembana qe bien cdo dite dhe dalin ne televizor dhe neper gazeta te ndryshme. Ka ardhur koha me te vertet per bashkim dhe jo per llafe, ka ardhur koha per falje te dyaneshme dhe jo te gervishim pa fund per te zbuluar kush ka te drejte dhe kush e ka thene te verteten sic ishte. Ne keto kohe qe kane ardhur vetem nje bashkim e shpeton popullin shqipetar, nje falje e dyaneshme dhe nje ndalim me ligj per te permendur je pjelle e Zogut,Enver Hoxhes, Fator Nanor, Sali Berishes apo e Rames.
SAMI says
I NDERUARI PLLUM K MËVJEN MIR PËR KET MENDIM APO KTO FRAZA SHUM PËRPARIMTARE KENI SHUM TËDREJT POR JAN POLITIKAJT QË BLLOKOJN KET DËSHIR APO VULLNETIN E KOMBIT NUKE LEJOJN MEU ZGJEDH KI VULLNET TANI EDHE KREU I AKADEMIS KA FAJIN E VET KUR NUK MER GUXIMIN MEDAL MA ARGUMENTE KOMBTARE QË TË ZGJIDHET KJO çËSHTJE POR KENI SHUM TËDREJT SE KA EDHE TËSHITUR QË DALIN DHE SHESIN [ MEND].
Resmi Corbaxhi says
I dashur Pellumb Nuk di sa i besueshem mund te jem por nuk eshte kompliment ne kete periudhe te veshtire dbe te stergjatur tranzicioni eshte jo kerkese por domosdoshmeri per te gjithe dhe ata qe marrin pergjegjesie e perfaqesimit te popullit ne vecanti te mendojne dhe te veprojne ashtu si shkruan ne kete shkrim serioz Nje ze qe bashkohet me disa shkrime te E Bucpapajt dhe lum ata qe e degjojne
Resmi Corbaxhi says
Z Pellumb. I lumtur ai qe lexon dhe kupton mesazhin tuaj, mjer ai qe e di dhe ben sikur nuk di gje. Nje kembane per te gjithe ne kete periudhe te veshtire dhe te stergjatur tranzicioni, vecanerisht per ata qe kane mandatin e perfaqesimit te popullit. Eshte nje mesazh ne kohen e duhur. Me zerin tuaj bashkohet hera heres ne medjan e diaspores edhe cifti Bucpapaj. E di qe ne disa raste eshte veshtire ta pranosh realitetin por duhet te mesohemi me realitetin e ri nqs themi jetojme ne Europe dhe e duam Shqiperine si gjithe Europa.
Mark K. Shkreli says
“Me veshtire eshte me fale se me vra”, thone malesoret.
Tommy Agolli says
Si shkrim eshte i bukur dhe i nevojshem,por a e ka me te vertete dhe ndershmeri autori?Kjo pyetje me del pa dashur kur e lexoj kete shkrim dhe me kujtohen shkrimet e po ketij personi ne gazeten Tema,kunder P.D.se dhe zotit Berisha.