Nga Dr. Nelson R. Cabej/
Pjesa e parë
Historia e një zbulimi të harruar
Në historinë e zhvillimit të shkencës njihen raste kur zbulimet e mëdha kuptohen dhe vlerësohen në shkallën e merituar menjëherë pas zbulimit, por ka dhe raste kur zbulimi është aq i parakohshëm sa që “bie në vesh të shurdhër” dhe duhet të kalojnë dekada deri sa të kuptohet e të pranohet nga bashkësia shkencore. Shëmbuj të grupit të parë janë relativiteti special i Ajnshtajnit (Einstein), dhe zbulimet pasuese në fushën e mekanikës kuantike (teorite e Heisenberg-ut, Schrödinger-it, etj.) ose teoria e seleksionit natyror të Darwinit dhe zbulimi i strukturës dhe funksionit të ADNsë nga Watson dhe Crick. Të gjitha ato zbulime të mëdha u vlerësuan menjëherë sepse erdhën si rrjedhime logjike të nivelit të njohurive të kohës në fushat përkatëse. Siç ka pranuar vetë Ajnshtajni, relativiteti special u zbulua kur ishin pjekur kushtet për zbulimin e tij1. Kjo vlen edhe për zbulimet e tjera të përmendura më parë që, po ashtu, ishin kurorëzim i sukseseve të arritura në fizikë e biologji.
Krahas tyre ka edhe zbulime të papritura, të parakohshme, që e kapërcejnë nivelin e njohurive të kohës, andaj njihen ose pranohen vetëm dekada më vonë e përgjithësisht kur zbuluesi ka vdekur. Shëmbuj tipikë të kësaj natyre janë zbulimi i ligjeve të trashëgimisë nga prifti austriak Gregor Johann Mendel (1822-1884), që u njoh e u pranua 35 vjet pas zbulimit dhe 16 pas vdekjes së tij dhe teoria e driftit kontinental ose pllakave tektonike të formimit të kontinenteve e Alfred Vegenerit (A. Wegener, 1880-1930), që, pas mospërfilljes dhe kundërshtimeve të rrepta, u pranua gjerësisht vetëm tri dekada pas vdekjes së autorit.
Në këtë shkrim do të bëhet fjalë për një tjetër zbulim të rëndësishëm të parakohshëm, që u arrit të vlerësohej dhe të vërtetohej vetëm një shekull pas botimit, për zbulimin e engramës, asaj që sot shihet si njësia elementare e kujtesës. Është thënë se kujtesa u dha kafshëve dhe njeriut mundësinë që të venë përvojën e së shkuarës në shërbim të së tashmes dhe së ardhmes, por jo vetëm kaq: pa evolucionin e kujtesës ose të mbajturit mend të përvojës së mëparshme nuk do të mund të evoluonin as kafshët as bimët, andaj kujtesa, në format e saj elementare, u shfaq qysh në format më të ulta të jetës, në njëqelizorët. Kujtesa përfshin dy elementë të veçantë, kujtesën si një gjëndje, d.m.th. si përfaqësim fizik në sistemin nervor i një përvoje shqisore dhe të kujtuarit si një process i nxjerrjes (retrieval) së informacionit nga engrama.
Gjatë tërë historisë së qytetërimit njerëzor, deri kohën tonë, kujtesa dhe tw menduarit mbetwn fusha tw spekullimit filozofik qw nuk mund t’i nwnshtroheshin hetimit shkencor dhe metodës shkencore. Natyra jomateriale e kujtesës ishte e njohur dhe pranuar që nga lashtësia. Brenda fushës së spekullimeve filozofike, pikëpamjet rreth natyrës dhe burimit të kujtesës, në një formë të thjeshtëzuar, mund të ndahen në ato që tregonin se kujtesa, ashtu si dhe të menduarit, janë produkte të mendjes si një entitet i veçantë dhe i pavarur nga truri dhe atyre që shpallnin se kujtesa dhe të menduarit, janë funksione ose produkte të trurit ose të sistemit nervor në përgjithësi. Për biologjinë si një shkencë e natyrës e bazuar në vrojtimin dhe eksperimentimin, natyra dhe formimi i kujtesës ishin ende një terra incognita, fushë e pashkelur.
Kështu vazhdoi gjendja deri nga fillimi i shekullit XX, kur biologjia ende nuk mund të thoshte fjalën e saj për shkak të mungesës së mjeteve dhe metodave për të hetuar eksperimentalisht ndryshimet që mund të ndodhnin në sistemin nervor gjatë formimit të kujtesës.
Befas në fillim të shekullit XX, një shkëndijë e rrallë gjenialiteti e hodhi biologun gjerman Richard Wolfgang Semon (1859-1918) te ideja se përvoja shqisore mund të kodohet në sistemin nervor të individit si një imazh mendor, në formën e ndryshimeve materiale specifike që ndodhin në neurone (qeliza të sistemit nervor) të caktuara. Këto ndryshime specifike në indin nervor formojnë kujtesën ai i quajti engrama (nga greqishtja e vjetër: ἐν (en) – në, dhe γράμμα (grámma), që përbën thelbin e teorisë engramike të kujtesës.
Në nivelin e njohurive të kohës së tij rreth funksionit të neuronit e të sistemit nervor, ishte e pamundur të flitej ose hamendësohej për bazën qelizore ose nënmolekulare të kujtesës, andaj me shumë maturi ai vendosi të mos spekullonte mbi mekanizmat molekulare të engramës2. Sipas tij, engrama, ose “gjurmët e kujtesës”, përmban informacionin neurogjenik rreth objektit ose ngjarjes së koduar në tru. Neuronet që përfshihen në formimin e engramës mund të gjenden në pjesë të ndryshme të trurit.
Jehona e shkurtër e hipotezës së Semon-it u shua shpejt. Pas përkthimit të veprës së dytë të tij, Ndijesitë kujtesore (Die mnemischen Empfindungen, 1909) në anglisht, psikologu amerikan K.S. Lashley (1890-1958) ndërmori një sërë eksperimentesh duke u hequr në mënyrë të njëpasnjëshme pjesë të ndryshme të kores (shtresës së jashtme) të trurit minjve që ishin stërvitur për të hyrë e dalë nga një labirinth dhe vuri re se në të gjitha rastet minjtë ruanin kujtesën për të hyrë e dalë nga labirinthi. Në mënyrë krejtësisht logjike ai arriti në përfundimin se engrama nuk ishte funksion i ndonjë pjese të veçantë të trurit, por i kores së trurit në përgjithësi, andaj dhe nuk mund të lokalizohej si një entitet i veçantë.
Kjo pati një efekt të fortë frenues mbi përpjekjet e biologëve për identifikimin eksperimental të substratit material të engramës.
Kjo dhe fakti që biologjia ende nuk kishte mjetet e nevojshme për të ndjekur ndryshimet që ndodhin në tru në nivel molekular gjatë të mësuarit (formimit të kujtesës) dhe të kujtuarit bënë që engrama mbeti jashtë vëmendjes dhe thuajse u harrua për thuajse një shekull pas zbulimit. Mjetet dhe teknika, që bënë të mundur vrojtimin e neuroneve të veçanta gjatë të mësuarit dhe formimit të engramës erdhën vetëm nga fillimi i shekullit tonë.
Tani ne dimë se kujtesa e përvojave dhe perceptimeve shqisore është koduar në tru në formën e ndryshimeve specifike në indin nervor. Kujtesa mund të ruhet për kohë të ndryshme, nga disa minuta (kujtesë afat-shkurtër) ose të ruhet gjatë gjithë jetës (kujtesë afat-gjatë) dhe për çdo periudhë kohe midis këtyre dy skajeve. Sot engrama konsiderohet si njësia bazë e kujtesës.